Përse agjërojnë Muslimanët?
Sejjid Husein Nasr
23 Shtator 2006

Disa të vërteta janë evidente për nga natyra, dhe në rrethana normale nuk lypsen diskutuar medoemos. Por në një çast dhe epokë ku të vërtetat më evidente vihen në diskutim dhe mbulohen nga retë e dyshimit, duhen diskutuar edhe më të qartat prej tyre. Njëra nga këto të vërteta është domosdoshmëria e një elementi asketizmi në jetën njerëzore.

Pa një element sakrifice dhe asketizmi asnjë fe, e kësisoj asnjë kulturë njerëzore, nuk është e mundur. Duhet tërhequr vazhdimisht nga jeta e ngarkuar e shqisave, edhe për të mundësuar shijimin e plotë të ndijimeve shqisore. Vetëm një shkallë e caktuar të përmbajturi nga objektet materiale të ndijesave bën që edhe jeta shqisore të barazpeshohet, pa përmendur që ajo i lejon shpirtit njerëzor të hapet drejt jetës shpirtërore.

Një nga këto praktika kufizuese është agjërimi, që Islami e urdhëron si detyrim për muajin e Ramazanit dhe e këshillon për periudha të tjera të vitit.

Siç tregon Kur’ani i Shenjtë, ai është një praktikë që ekziston në fetë më të lashta dhe Islami s’bëri tjetër veçse e ripërtëriu dhe e institucionalizoi në formën e agjërimit, në muajin e Ramazanit.

Të agjëruarit gjatë këtij muaji ka shumë avantazhe dhe karakteristika, shoqërore e të jashtme, që janë diskutuar shpesh dhe rëndësia e të cilave në të vërtetë është ekzagjeruar në kontekste të caktuara, sipas të cilëve virtyti parësor i agjërimit reduktohet në bamirësi për të varfrit. Sigurisht, ky element bamirësie ekziston, por, si çdo bamirësi, merr kuptim shpirtëror vetëm kur i drejtohet Zotit.

Dhe, tek agjërimi është bindja ndaj Vullnetit Hyjnor për të patur si frut bamirësinë ndaj të varfërve e nevojtarëve dhe një pjesëmarrje reale në urinë dhe etjen e tyre.

Por aspekti më i vështirë i agjërimit është tehu i shpatës së vetëpërmbajtjes së drejtpërdrejtë kundër egos epshore, el-nefs ul-ammareh të përmendur në Kur’anin Famëlartë.

Nëpërmjet agjërimit, prirjet rebele të egos epshore qetësohen dhe paqtohen dalëngadalë, nga një nënshtrim sistematik i këtyre prirjeve ndaj Vullnetit Hyjnor, duke qenë se në çdo çast urie shpirti i muslimanit kujton që, nëse u mosbindet pasioneve të egos epshore, kjo është për t’iu bindur Urdhrit Hyjnor.

Ja përse agjërimi nuk përfshin vetëm të përmbajturit nga ushqimi, por edhe nga çdo formë e luksi dhe pasioni epshor. Si rezultat i këtij kufizimi sistematik, shpirti njerëzor e kupton se është i pavarur nga mjedisi i afërt natyror dhe ndërgjegjësohet që ndodhet në këtë botë, por nuk i përket asaj.

Një agjërues fiton shumë shpejt vetëdijen se në këtë botë është vizitor dhe se është krijuar si qenie e destinuar te një synim që ndodhet përtej kësaj ekzistence materiale.

Bota që e rrethon e humbet në njëfarë mënyrë materialitetin e saj dhe merr një pamje zbrazëtie dhe tejdukshmërie që, në rastin e muslimanit soditës, shpie drejtpërsëdrejti në një soditje të Zotit në krijimin e Tij.

Natyra e privuar dhe e zbrazur nga gjërat kompensohet, nga ana tjetër, me shfaqjen e po këtyre si dhurata hyjnore. Gjatë periudhës së agjërimit, ushqimi dhe pijet, që merren për të mirëqena gjatë tërë vitit, shfaqen si dhunti qiellore (ni’met) dhe fitojnë domethënie shpirtërore të një natyre të shenjtë.

Po ashtu, agjërimi është veshje me mburojën e pastërtisë kundër pasioneve të dynjasë. Ai do të thotë që trupi të përfshihet edhe “fizikisht” në pastërtinë e vdekjes, e cila natyrisht shoqërohet me lindjen shpirtërore.

Gjatë agjërimit, njeriu kujton faktin se ka zgjedhur t’i afrohet Zotit e t’i largohet botës së pasioneve. Ndaj dhe Profeti i Shenjtë (s) e donte shumë agjërimin. Ai ishte një element themelor i asaj “varfërie të përshpirtshme” (fekr), për të cilën ai thoshte: el-fekru fakhri (“varfëria e përshpirtshme është krenaria ime”).

Kjo vdekje nga pasionet e kullon shpirtin njerëzor nga uji i ndotur i mbetjeve të tija negative psikike. Individi, dhe përmes tij e tërë bashkësia islame, rinovohet nga ky rit, që i kujton detyrat dhe objektivat morale e shpirtërore. Prandaj, ardhja e muajit të Ramazanit pritet me hare. Gjatë tij dyert e qiellit janë të hapura kapak për besimtarët dhe Mëshira Hyjnore zbret mbi ata që e kërkojnë.

Plotësimi i agjërimit të Ramazanit nënkupton kryerjen e rigjallërimit dhe rinovimit që e përgatit muslimanin për të përballur një tjetër vit me vendosmërinë e të jetuarit dhe të vepruarit sipas Vullnetit Hyjnor.

Agjërimi gjithashtu i dhuron shpirtit njerëzor një kundërmim, aroma e të cilit mund të ndijohet edhe për një kohë të gjatë pas mbarimit të abstenimit.

Ai i ofron shpirtit një burim energjie nga e cila ai ushqehet gjatë tërë vitit. Falë kësaj, muaji i shenjtë është quajtur “i bekuari” (mubarek), ai në të cilin begatia ose berekeh e Zotit vërshon mbi bashkësinë islame dhe ripërtërin burimet e saja më të thella të jetës dhe veprimit.

Shqipëroi nga italishtja: Edin Q. Lohja, Prill 2005.

 

copyright © dielli.net. All rights reserved.
Tekstet e prezentuara domosdoshmërisht nuk përfaqësojnë politikën e redaksisë të dielli.net!