Pejgamberi dhe Rinia
Sejjid Husein Nasr
17 Nëntor 2006
Duke qenë njëkohësisht baba, udhëheqës i një bashkësie dhe profet e themelues i një feje mbarëbotërore, Pejgamberi i Bekuar pa dyshim nuk mund të kishte qenë mospërfillës ndaj të rinjve dhe mirëqenies së tyre. Përkundrazi, gjithçka që ka të bëjë me rininë, rritjen, arsimimin, detyrat, detyrimet dhe të drejtat e tyre ishte e një rëndësie qendrore për të, siç është natyrisht për tërë Islamin, të cilin ishte e shkruar që ai t′ia sillte botës. Kur′ani i Shenjtë dhe Hadith-i pra, janë plot referime ndaj çështjeve të ndryshme që lidhen me të rinjtë dhe Sheri′a-ti përmban shumë urdhëresa që i përcaktojnë detyrimet e prindërve dhe të bashkësisë ndaj të rinjve dhe gjithashtu të të rinjve ndaj vetes së tyre, fesë, familjes dhe rendit më të gjerë shoqëror që i rrethon. Për më tepër, Sunne-ti i Profetit të Bekuar përmban një mori elementesh, që lidhen specifikisht me të rinjtë dhe ka ndihmuar në shumë mënyra për mbrujtjen e qëndrimit tradicional të shoqërisë muslimane ndaj të rinjve.
Karakteristikat më të spikatura të qëndrimit të Profetit të Bekuar ndaj të rinjve janë interesimi dhe dashuria e tij për ta, që pasqyrohet qartë jo vetëm në korpusin e Hadith-it, por edhe në praktikat e tij të përditshme, siç dëshmojnë shumë shokë të tij. Profeti i Bekuar i donte fëmijët e madje edhe kur ishte profet e sundimtar i një segmenti të tërë të kosmosit, për të mos folur për një pjesë të madhe të Arabisë, ai e kishte zakon të luante, siç e përmendëm më parë, me fëmijët e tij, Hasanin dhe Huseinin - paqe pastë mbi ta - e madje u lejonte atyre t′i ngjiteshin mbi shpinë. Ai tregonte gjithmonë respekt për bijën e tij Fatime - paqe pastë mbi të - deri në atë shkallë sa ngrihej në këmbë para saj dhe e përshëndeste, sa herë që ajo i dilte përpara. Sipas një thënieje të mirënjohur, të pohuar pikërisht nga ′A′ishja: ″Nuk kam parë asnjeri t′i ngjajë më shumë në sjellje, udhërrëfim dhe edukatë Profetit të Shenjtë se Fatimja. Sa herë që ajo i vinte, ai ngrihej në këmbë për të dhe e merrte për dore, e puthte dhe e vendoste të ulej në vendin e tij. Dhe kurdoherë që ai shkonte tek ajo, ajo ngrihej në këmbë për të, e merrte për dore, e puthte dhe e vendoste të ulej në vendin e saj.″? Ai gjithashtu i puthte shpesh fëmijët dhe nipat e tij dhe i urdhëronte muslimanët të bënin njëlloj. Ai i urdhëronte ata që jo vetëm t′i respektonin pasardhësit e tyre, por t′i trajtonin me butësi të madhe, përfshi përkëdheljen e përqafimin. Ai e theksoi se fëmijët ishin dhuratat e Zotit për prindërit dhe rritja e përkujdesja e tyre ishte detyrë fetare dhe përgjegjësi e detyrueshme për ta. Ai, në të vërtetë, i quajti fëmijët ″lulet e Zotit″.
Profeti i Bekuar theksoi veçanërisht kujdesin ndaj vajzave dhe jetimëve, dy grupet më të keqtrajtuara të të rinjve në shoqërinë ku ai jetonte dhe me më shumë gjasa për t′u keqtrajtuar gjetiu. Për shkak të praktikave shumë të ashpra ndaj pasardhëseve femra në Arabinë paraislamike, Profeti i Bekuar iu rikthye pareshtur në mësimet e tija rëndësisë së dashurisë ndaj bijave dhe trajtimit të mirë të tyre. Mesa duket Vetë Zoti deshi ta theksojë domëthënien e bijës për bashkësinë islame duke i dhënë Fatimen - paqe pastë mbi të - si bijë Profetit të Bekuar dhe duke e patur tërë linjën gjenealogjike të pasardhësve të tij të zbresë nëpërmjet saj. Ndonëse pa një trashëgimtar mashkull, ai u bekua përmes Fatimes me një pasardhëse të një pastërtie qiellore, e cila u bë nëna e jo vetëm njëmbëdhjetë Imamëve shi′itë që vijuan ′Aliun - paqe pastë mbi ta - por e krejt bashkësisë së Ehl ul-Bejtit, që do të luanin një rol aq qendror në historinë islame.
Duke i patur vuajtur të gjitha vështirësitë e jetës së një jetimi, Profeti i Bekuar ishte gjithashtu jashtëzakonisht i ndjeshëm ndaj fatit të atyre fëmijëve, që u duhet të kalojnë përvojat sprovuese të bërjes burra e gra, pa mburojën mbrojtëse të prindërve të tyre. Pikërisht si rezultat i këtij theksimi nga Profeti i Bekuar i virtytit të trajtimit të mirësishëm të jetimëve dhe sigurisht urdhëresave të përgjithshme kur′anore lidhur me ta, jetimëve u është kushtuar aq shumë vëmendje përgjatë tërë historisë islame. Mbase asnjë shoqëri tradicionale nuk ka ngritur aq shumë institucione për jetimët dhe nuk e ka theksuar karakterin e virtytshëm, duke folur nga ana fetare, të kujdesjes për ta si Islami. Prapa këtij shqetësimi të përgjithshëm musliman për jetimët dhe urdhëresave fetare për t′i trajtuar ata me dhembshuri shihet dashuria dhe dashamirësia e veçantë e themeluesit të fesë për ta.
Shqetësimi i Profetit të Bekuar për të rinjtë dhe mirëqenien e tyre mund të kuptohet më së miri duke iu kthyer hierarkisë së vlerave, në dritën e së cilës ai i përhapi mësimet e tij mbi ta. Profeti i Bekuar e theksoi rëndësinë e respektit për prindërit dhe të moshuarit, [rëndësinë e] arsimimit dhe sidomos edeb-it, por ai vendosi në nivelin më të lartë dashurinë për të Vërtetën, për Zotin, për fenë. Ashtu siç i quan Kur′ani fëmijët dhe pasurinë armiq të njeriut, nëse bëhen pengesë për ndjekjen e fesë dhe shfajësim për shmangien nga kodet etike kur′anore, fëmijëve u mësohet të zgjedhin Zotin dhe fenë e Tij, madje përpara prindërve e familjes së tyre, nëse çështja shkon deri aty. Megjithëse mund të duket që një situatë e tillë duhet të ketë ndodhur vetëm në bashkësinë e hershme islame, kur shumë të rinjve iu desh të zgjidhnin ndërmjet praktikave politeiste të prindërve të tyre dhe Islamit, ky problem nuk është zhdukur plotësisht. Zakonisht të rinjtë e mësojnë fenë nga prindërit dhe i ndjekin ata si shembuj. Kalimi normal i traditës është nga prindi te fëmija dhe në kohët moderne shkëputja graduale nga kallëpi i shenjtë i Islamit duket më shumë te brezi i ri në krahasim me të vjetrin. Por ka gjithmonë raste, kur dashuria për Zotin dhe dëshira për ta praktikuar fenë seriozisht nga një fëmijë i caktuar, ose nga një i ri është më e madhe se ajo e njërit ose e të dy prindërve. Udhëzimi i Profetit të Bekuar për të zgjedhur Zotin edhe përmbi diktatet apo dëshirat e prindërve bëhet veçanërisht domethënës në raste të tilla dhe prandaj mbetet direktivë e përhershme për të rinjtë muslimanë, kudo e kurdo që të jetojnë.
Respekti për prindërit mbetet gjithsesi i një rëndësie parësore në mësimet e Profetit të Bekuar për rininë dhe mesazhin e tij drejtuar të rinjve. Ai në të vërtetë ka thënë: ″Nuk i sheh biri i dëgjueshëm prindërit me mirësi e që Zoti të mos i shkruajë një haxhxh të pranuar për çdo shikim. E pyetën: ′Edhe sikur t′i shikojë njëqind herë në ditë?′ ′Po′, tha ai, ′sepse Zoti është më i Madhi dhe Gjithmëshiruesi′.″?
Respekti prindëror, bashkë me respektin për të moshuarit në përgjithësi, buron nga bindja ndaj Zotit dhe dashuria për Profetin e Tij. Ja përse, kur prindërit reshtin së përfaqësuari vlerat e fesë në sytë e fëmijëve të tyre dhe nuk i praktikojnë më mësimet e Islamit, autorieti prindëror lëkundet dhe shpesh çon në rebelim të të rinjve ndaj tërë rendit tradicional. Megjithatë, edhe në raste kur prindërit s′arrijnë t′i përkrahin normat dhe parimet islame, Profeti i Bekuar i ka këshilluar të rinjtë t′i respektojnë prindërit pa i pranuar pikëpamjet e vokëta fetare të brezit më të vjetër. Ai madje i urdhëroi ata ndjekës të tij, nënat e të cilëve nuk e kishin pëqafuar akoma Islamin, të silleshin mirë me to. Në mesazhin profetik ka një hierarki të bazuar në një barazpeshë delikate, sipas të cilës dashuria për Islamin vjen madje përpara dashurisë dhe respektit për prindërit e megjithatë respekti për ta është detyrë edhe nëse nuk i përmbushin detyrimet fetare si burra e gra muslimane. Në raste të tilla fëmijët duhet të luten për prindërit e tyre ngase e kanë detyrë të luten për ta pas vdekjes së tyre. Kur dikush e pyeti Profetin e Bekuar se ç′duhet të bënte për prindërit pasi ata të vdisnin, ai u përgjigj: ″Lutu dhe kërko falje për ta. Përmbushi premtimet dhe dëshirat e tyre pasi ata të kenë vdekur.″
Duke e kapërcyer këtë çështje delikate, respekti dhe dashuria për prindërit mbetet qendrore për mësimet e Islamit. Profeti i Bekuar ka lënë aq shumë thënie, në të cilat bindja ndaj prindërve konsiderohet çelës i hyrjes në parajsë. Hadith-i i famshëm: ″Parajsa shtrihet nën këmbët e nënave″, përveç kuptimit të vet shpesh të mospërfillur metafizik, tregon respektin e madh që Profeti i Islamit kishte për nënat. Profeti i bekuar ka thënë gjithashtu se prindërit janë parajsa dhe ferri i fëmijëve të tyre, duke nënkuptuar se qëndrimi i fëmijëve ndaj tyre dhe kënaqësia [e prindërve] ose mungesa e saj me fëmijët e tyre janë vendimtare në përcaktimin e mënyrës së jetës së përtejme të fëmijës. Në të vërtetë, disa mësues shpirtërorë në Islam e kanë bërë bindjen ndaj prindërve kusht për zhvillimin e lartë shpirtëror. Ndonëse është larg nga të qenit universale, ajo tregon domethënien shpirtërore që respekti dhe dashuria për prindërit mund të ketë për synimin përfundimtar dhe qëllimin shpirtëror e të riut musliman.
Një tjetër element qendror në mësimet e Profetit të Bekuar, që ka lidhje me të rinjtë është arsimimi. Nëse hadith-e të tilla si: ″Kërkimi i diturisë është i detyrueshëm për muslimanët dhe muslimanet″ tregojnë universalitetin e detyrës për të arritur dijen, ″Kërkojeni dijen që nga djepi gjer në varr″ thekson moshën e hershme, kur një proçes i tillë duhet të fillojë. Virtyti i të mësuarit dhe i kërkimit të diturisë, që u bë guri themeltar i sistemit arsimor tradicional islam, bazohet në mësimet e Profetit të Bekuar dhe interesimin e tij për rininë muslimane, si dhe rëndësinë e proçesit mësimor në vitet e hershme të jetës, kur aftësitë mendore, psikologjike dhe fizike janë më të gatshme për përvojën shndërruese të edukimit. Të duash Profetin do të thotë të duash edhe atë mësim e dituri tradicionale, e cila - duke qenë nxjerrë përfundimisht nga Kur′ani i Shenjtë - e udhëheq kërkuesin rishtas te Zoti dhe është një veprimtari fetare.
Plotësues i theksimit të fitimit të dijes nga të rinjtë është arritja e edeb-it, atij kombinimi të njerëzisë, edukatës, mirësjelljes, virtytit dhe kulturës, që nuk mund të përkthehet me një fjalë të vetme në anglisht. Siç ka thënë Profeti i Bekuar: ″Asnjë baba s′mund t′i japë diçka më të mirë fëmijëve të tij sesa edeb-in″; ″Mësimi i edeb-it fëmijëve të vet, nga një njeri, është më e mirë për të se aktet e mëdha të bamirësisë.″ Në njëfarë kuptimi edeb-i në zemër përkon me disa aspekte të Sunne-tit dhe nuk është thjesht një trajtë kalimtare dhe e paqëndrueshme sjelljeje, e përcaktuar nga kushtet kulturore. Elemente të tilla relative dhe lokale ekzistojnë përbrenda shtrirjes së gjerë të edeb-it, por në zemrën e tij ndodhet diçka me rëndësi të përhershme për edukimin e trupit dhe shpirtit të të riut musliman. Domethënia e tij vjen mënjëherë pas së Vërtetës, ndaj së cilës ai, megjithatë, duhet të mbetet i nënshtruar. Brenda fushës së edeb-it përfshihen të gjitha ato virtyte, me të cilat duhet ta stolisë veten rinia muslimane. Ajo përfshin veprat dhe qëndrimet që duhen rrënjosur brenda qenies së të rinjve: përulësinë, bujarinë, fisnikërinë dhe virtytet e tjera që gjenden në formën e tyre të plotë te Profeti i Bekuar. Ulja me edukatë në tavolinë, përshëndetja e njerëzve me respekt, disiplinimi i trupit gjatë ndejtjes ose ecjes, të folurit jo vetëm me vërtetësi por edhe me respekt, të ngrënit me qetësi e dinjitet dhe aq shumë veprime e sjellje të tjera të përfshira në edeb-in tradicional islam prodhojnë një aftësi marrëse të thellë tek rinia për pranimin e të vërtetave të traditës, ed-dinit. Edeb-i është në thelbin e vet mënyra me të cilën muslimani merr pjesë për t′i mësuar fenë vetvetes, me veprimet dhe me fjalët e tij të përditshme. Ja përse bashkë me fitimin e diturisë, arritja e edeb-it është theksuar aq shumë nga Profeti i Bekuar dhe përse prindërit muslimanë janë këshilluar kaq fuqimisht t′ua mësojnë edeb-in fëmijëve të tyre.
Interesimi i Profetit të Bekuar për të rinjtë përfshin jo vetëm rininë, por edhe të rriturit. Ka një sërë detyrimesh për prindërit dhe bashkësinë ndaj të rinjve. Ato përfshijnë para së gjithash dashurinë dhe kujdesin për ta. Fitimi i jetesës për fëmijët është detyrim fetar për babain e gjithashtu për nënën, ashtu siç është kujdesi për prindërit dhe pjesëtarët e tjerë të moshuar të familjes detyrë e të rinjve kur të rriten dhe sapo të jenë në gjendje të punojnë. Mësimi i parimeve të Islamit, i tekstit të Kur′anit të Shenjtë, i lutjeve të përditshme dhe më vonë i riteve e detyrimeve të tjera të Sheri′a-tit është po aq detyrë fetare e prindërve, sikurse dhe sigurimi i arsimimit në shkallën më të lartë të mundur. Edhe bashkësia Islame si e tërë e ka këtë përgjegjësi ndaj të rinjve. Ajo duhet t′u sigurojë atyre për nevojat trupore e mendore si dhe udhërrëfimin shpirtëror, që është suaza brenda së cilës marrin domethënie të gjitha aktivitetet e tjera.
Është e vërtetë se Profeti i Bekuar - dhe duke ndjekur shembullin e tij shoqëria tradicionale islame - e ka shmangur ″adhurimin e rinisë″ aq karakteristik për segmente të caktuara të botës moderne dhe e ka kundërshtuar atë të pafr� të ashtuquajtur ″liri″, e cila i ka çuar aq shumë të rinj në një ndjesi nihilizmi dhe mungese të kuptimit të jetës. Është po ashtu e vërtetë se Islami e ka theksuar detyrimin e rinisë përpara se të përkufizonte të drejtat e saj. Por kjo mënyrë e të përfytyruarit të nevojave dhe kushteve të të rinjve nuk do të thotë se Islami dhe Profeti i Bekuar - që ishte trupëzimi i tij i përkryer - s′qenë të interesuar për to. Përkundrazi, ai tregon se sa shumë shqetësohej ai për të rinjtë dhe nevojat e tyre më të thella si muslimanë, mbi shpatullat e të cilëve varet rregullimi dhe funksionimi i shoqërisë së ardhshme islame në çdo fazë të historisë së saj. Udhëzimet e tij mbështeten në dashurinë më të thellë për rininë dhe nevojat e tyre, që nuk janë vetëm fizike, por edhe psikologjike, intelektuale e shpirtërore. Ato parashtrohen për t′i aftësuar të rinjtë që të fitojnë lirinë e vetme kuptimplote dhe të përhershme, që buron nga kryerja e detyrave dhe obligimeve ndaj Zotit, vetes, familjes e shoqërisë në përgjithësi. Kurdoherë që familja tradicionale ka funksionuar plotësisht, fytyra e të rinjve me siguri nuk ka qenë pa buzëqeshjen, me të cilën Zoti e krijoi njeriun dhe as që është bërë rinia problem madhor për shoqërinë, siç ndodh në botën moderne.
shqipëroj: Edin Q. Lohja
|