Shqipëroi dhe pajisi me komente: Edin Q. Lohja
Është fjala për shkaqet e animit nga materializmi. Në fillim duhet të përcaktojmë këndvështrimin e tanishëm terminologjik dhe kufizimet e tij e pastaj të nisim diskutimin. Termi ‘materializëm’ ka përdorime të ndryshme, prej të cilëve jo të gjithë lidhen me diskutimin tonë. Për shembull, thuhet materializëm e nënkuptohet doktrina mbi prejardhjen e materies, në atë që materia është diçka e rrënjësishme (asil) dhe e vërtetësishme në sferën e të qenurit e jo diçka e përfytyruar nga mendja - një shfaqje dhe sajim i saj, përkundrejt idealizmit që mohon realitetin e materies dhe e konsideron të krijuar në mendjen e njeriut. Nëse materializmin e vështrojmë kështu, atëherë të gjithë besimtarët, qofshin muslimanë apo jo, janë ‘materialistë’, sepse të gjithë ata pohojnë se materia - si një realitet në hapësirë dhe kohë, e cila i nënshtrohet ndryshimit, shndërrimit dhe zhvillimit, duke qenë gjithashtu e ndijueshme dhe e prekshme, diçka e dallueshme, metafizike dhe efikase - është realitet objektiv me ekzistencë të dukshme e të pavarur nga mendja dhe që ka vetitë e saja të vrojtueshme. Të qenit materialist në këtë mënyrë nuk është në kundërshtim me Zotin dhe monoteizmin.
Përkundrazi, kozmosi dhe natyra, si një tërësi funksionale dhe e harmonizuar, duke qenë produkte të Krijimit janë dëshmia më e mirë për njohjen e Zotit. Gjatë këtyre ndryshimeve materiale zbulohet vendosmëria kuptimplotë e Zotit. Dukuritë materiale përmenden në Kur’an si shenja Hyjnore (āyāt).1
Ndërsa nganjëherë kjo fjalë përdoret për mohimin e ekzistencës së mbimateries, si një shkollë ekskluziviste mendimi e cila e sheh ekzistencën dhe sferën e të qenësishmes si të ndryrë tek materia, duke i vënë cak të qenurit tek e ndryshueshmja dhe duke e kufizuar atë te hapësira dhe koha. Kurse atë që ndodhet përtej caqeve të shqisave dhe ndjenjave njerëzore, si dhe jashtë ndryshimeve, e mohon dhe e konsideron të paqenë. Tani pra, bëhet fjalë për arsyet e animit nga kjo doktrinë, si dhe si ka mundësi që disa njerëz janë bërë përkrahës të kësaj teorije përjashtuese dhe negativiste, duke mohuar Zotin dhe duke e pandehur atë që ndodhet jashtë sferës së materies të paqenë.2
A është njeriu në thelb materialist, apo besnik ndaj Zotit? E parë kështu, cilat janë arsyet e prirjes materialiste?
Natyrisht, del sikur ne pohojmë që për nga natyra, njeriu s’duhet të kishte prirje [të anonte] nga materializmi; materializmi është diçka e kundërt me karakterin dhe natyrën e tij (el-fitreh) e meqenëse është i kundërt me thelbin, duhet kërkuar arsyeja e kësaj prirjeje. E thënë më thjeshtë, të besuarit në Zot është si shëndeti, ndërsa animi nga materializmi - sëmundje. Të fshehtat e shëndetit s’duhen hetuar kurrë sepse shëndeti ecën në harmoni me rrjedhën dhe procesin e sistemit të Krijimit, por nëse vëmë re që një person, apo shoqëri, janë të sëmurë, atëherë lind pyetja përse janë sëmurur gjithë këta njerëz dhe cili është shkaku i sëmundjes së tyre.
Ky mendim yni është pikërisht e kundërta e asaj që është shkruar zakonisht në historinë e fesë. Autorët e librave të tillë bëjnë kërkime pse njeriu ka prirje ndaj fesë. Sipas mendimit tonë, çështja nuk qëndron në prirjen nga të besuarit, kjo është prirje e natyrshme; por përkundrazi, duhet kërkuar pse njeriu ka arritur animin nga ateizmi.3
Tani nuk do shtjellojmë diskutimin se a është të besuarit diçka e natyrshme e ateizmi jo, apo anasjelltas. Kjo, pasi nga pikëpamja e diskutimit kryesor nuk shohim arsye për këtë. Natyrisht, duhet patur parasysh që nuk pohojmë se ngaqë prirja ndaj monoteizmit është një prirje natyrore dhe e lindur (fitrah), nuk dalin kurrfarë pyetjesh kur bëhet trajtimi në nivelin e njohjes shkencore dhe filosofike. Jo, nuk është ashtu. Kjo çështje, si çdo tjetër, sado që mund të pranohet dhe njihet si instinkt i lindur, kur shtrohet në nivelin e të menduarit, për fillestarët dhe jobesimtarët natyrisht krijon dyshime dhe vështirësi duke shkaktuar pyetje dhe vërejtje, e në këtë nivel ka zgjidhje të kënaqshme për ta.4
Prandaj, nuk do shpërfillim dyshimet që shfaqen tek disa njerëz ose të pohojmë se ato rrjedhin nga qëllimet e tyre të liga apo karakteri i keq. Jo, nuk është aspak ashtu.5
Shfaqja e dyshimit në këtë sferë, kur njeriu kërkon të zgjidhë të gjitha pyetjet e lidhura me këtë çështje, është diçka e natyrshme dhe e zakonshme, e këto mëdyshje janë shtytje për kërkime të mëtejshme. Prandaj, të tilla dyshime që çojnë drejt hulumtimit të mëtejshëm ne i konsiderojmë të shenjta, sepse shpiejnë drejt së sigurtës, saktësisë dhe mirëbesimit. Dyshimi është i keq atëherë kur bëhet obsesion dhe preokupim, si tek disa njerëz të cilët i shohim të kënaqen me faktin se janë në gjendje të dyshojnë dhe që e mbajnë dyshimin dhe pasigurinë të jetë kulmi i arritjes së tyre intelektuale.6
Një gjendje e tillë, në kundërshtim me të parën që përbën hyrje në përsosje, është tepër e rrezikshme. Prandaj, siç kemi përsëritur shumë herë, dyshimi është rrugë e mirë dhe e domosdoshme, por destinacion i keq dhe ndalesë e papërshtatshme.
Diskutimi ynë pra, ka të bëjë me njerëzit, apo grupet, tek të cilët dyshimi është drejtim dhe stacion i fundit.
Sipas mendimit tonë, materializmi, megjithëse veten e paraqet si një doktrinë dogmatike, është pjesë e skepticizmit.7 Logjika e Kur’anit është e njëjtë me këtë. Aty shkruhet se s’ka më keq se kur njerëzit janë të infektuar me dyshime dhe mosbesim, por në praktikë i valëvisin me kapardisje duke bërë nga to dogmë, shkencë dhe padiskutueshmëri.8
Sfondi Historik
Një të menduar i tillë nuk përbën diçka të re. S’duhet konsideruar që ai është rezultat i ndryshimeve bashkëkohore shkencore dhe industriale e që është shfaqur për herë të parë këta dy shekujt e fundit, si shumë mendime shkencore që nuk kanë ekzistuar në kohët e mëparshme e të cilat njeriu i arriti më pas. Jo, me siguri animi i njeriut nga materializmi nuk është dukuri karakterizuese e shekujve të fundit, por është një ndër mënyrat më të vjetra të të menduarit. Lexojmë në historinë e filosofisë se shumë filosofë të Greqisë së Lashtë që i paraprinë Socrates-it dhe lëvizjes së tij filosofike kanë qenë materialistë dhe kanë mohuar ekzistencën e mbimateries.
Gjatë periudhës së injorancës (xhahilijjeh) tek arabët, disa njerëz gjithashtu mendonin kësisoj dhe atyre iu kundërvu Kur’ani Famëlartë i cili përmend dhe kritikon të folurit e tyre:
“E ata thonë: Ekziston vetëm jeta e kësaj bote; (në të) vdesim dhe jetojmë e vetëm (rrjedha e) kohës na shkatërron”9
Këto fjali që Kur’ani i Lartësuar përmend nga njerëzit përfshijnë mohimin e Zotit dhe Ringjalljes.
Materializmi në Periudhën e Islamit
Fjala ‘dahr’ në arabisht do të thotë kohë. Sipas ajetit të mësipërm dhe kësaj fjale aty, njerëzit që mohonin Zotin në periudhën e Islamit quheshin dahrīyyah.10 Ne ndeshemi me njerëz të tillë në historinë e Islamit që ishin dahrī dhe māddī [materialistë], sidomos gjatë sundimit të ‘Abbāsive, kur kultura dhe metoda të ndryshme filosofike depërtuan në botën islame.
Për shkak të lirisë së mendimit që lindi në atë kohë rreth ideve shkencore, filosofike dhe fetare (natyrisht, në kufijtë që s’binin në kundërshtim me politikën e ‘Abbāsive), ekzistonte zyrtarisht grupi që njihej si grupi i materialistëve dhe ateistëve. Ky grup debatonte me muslimanët dhe pjesëtarët e feve të tjera e besimtarët në Zot, predikonte argumentet e tij e kundërshtonte ato të besimtarëve. Së fundi, ky grup dëgjonte, fliste dhe shprehte lirshëm mendimin e vet. Biografia e këtyre njerëzve ndodhet e shkruar në librat islamë.
Në kohën e Imam Sādikut (‘a) individë të veçantë mblidheshin në Xhaminë e Pejgamberit duke shprehur pikëpamje të tilla. Libri al-Tawhīd al-Mufaddal është fryt i njërit prej këtyre tubimeve.
Një nga përkrahësit e Imam Sādikut (‘a) i quajtur al-Mufaddal ibn ‘Umar, tregon: “U fala në Xhaminë e Pejgamberit dhe po thellohesha në mendime për Pejgamberin (s) dhe madhështinë e tij. Në këtë kohë, ‘Abd al-Karīm ibn Abī al ‘Awja, i cili ishte ateist (zindīq) erdhi e u ul pranë meje e pas tij edhe një ateist tjetër. Këta të dy filluan të blasfemojnë. Ata mohonin Zotin, ndërsa për Pejgamberin (s) flisnin si një mendimtar dhe gjeni e jo si të Dërguarin e Zotit, të emëruar nga ana e Tij dhe si njeri që merr frymëzim nga një burim i Padukshëm. Thonin se ai ishte gjeni që mendimet e tij i paraqiste si shpallje të Fjalës së Zotit për të ndikuar tek njerëzit. Por në fakt, nuk ka as Zot, as zbulesë hyjnore, as ditë gjykimi.”
Mufaddali u shqetësua shumë nga fjalët e tyre dhe i kërcënoi, e pastaj erdhi tek Imam Sādiku (‘a) dhe i tregoi ç’kishte ndodhur. Imami e qetësoi, duke i thënë se do ta mësonte si të flasë me ta dhe se do ta pajiste me argumente me të cilat do i kundërvihej dhe rrëzonte pikëpamjet e tyre. Që andej e tutje Imam Sādiku (‘a) e udhëzoi Mufaddalin përgjatë disa orëve të gjata mësimi dhe Mufaddali i hodhi në shkrim mësimet e Imamit. Ja se si lindi libri al-Tawhīd al-Mufaddal.
Materializmi i Kohëve Tona
Siç e dimë, në shekujt XVIII dhe XIX materializmi u formua si doktrinë, megjithëse në të kaluarën nuk kish qenë i tillë. Ajo që thuhet në lidhje me disa shkolla të mendimit të Greqisë së Lashtë, është e pabazuar. Zakonisht, historianët e filosofisë nuk e njohin vetë filosofinë dhe sapo shohin fjalët e ndonjë filosofi mbi përjetshmërinë e materies, apo diçka të ngjashme, mendojnë që domosdoshmëri e një mendimi të tillë është mohimi i Zotit dhe metafizikës.
Sipas mendimit tonë, nuk është saktësuar se para kohëve të reja ekzistonte doktrina materialiste, por vetëm se në Greqi, si dhe jashtë saj, ekzistonin prirje të shkëputura drejt materializmit.11 Megjithatë, kjo shkaktoi te shumë njerëz hamendjen që ndoshta shfaqja e materializmit, si një doktrinë e veçantë, ka lidhje të drejtpërdrejtë me shkencën dhe arritjet e saj. Sigurisht, vetë materialistët përpiqen shumë që çështjen ta shfaqin në mënyrë të tillë dhe t’u imponojnë të tjerëve qëndrimin se arsyeja e përparimit dhe mbizotërimit të materializmit në shek. e XVIII dhe XIX ishte zhvillimi dhe përhapja e vrullshme e shkencës të cilat edhe e shtynë njeriun në atë drejtim.
Ky qëndrim është më pranë shakasë se realitetit.
Prirja materialiste daton nga kohët e lashta dhe ishte e pranishme si në shtresat shkencore ashtu edhe në masat e paarsimuara. Në epokën moderne gjithashtu, në të gjitha shtresat gjenden materialistë, ashtu sikurse ka në tërë shtresat - sidomos ato shkencore - prirje nga metafizikja, e përshpirtshmja dhe Hyjnorja.
Nëse do ishte e saktë ajo që thonë materialistët, atëherë aq sa ç’ka përparuar shkenca dhe ç’është shfaqur një numër i madh shkencëtarësh në botë, po aq më shumë prirje materialiste do kish në shtresën e shkencëtarëve dhe njerëzit më të ditur do të ishin materialistët më të mëdhenj. Mirëpo realiteti tregon pikërisht të kundërtën.
Sot ne ndeshim nga njëra anë personalitete të mirënjohura siç është Russell12, të cilët në një shkallë të lartë e kanë paraqitur veten si materialistë. Ai thotë:
Njeriu është produkt shkaqesh të cilat nuk kishin asnjëfarë paramendimi në rezultatin që po arrinin.Prejardhja e njeriut, zhvillimi, madje edhe ndjenjat e tij si shpresat, frikërat, dashuritë dhe bindjet s’janë asgjë tjetër veçse pasojë e një kombinimi të rastësishëm atomesh të ndryshëm.13Në këtë mënyrë Russell mohon ekzistencën e nje fuqie të vetëdijshme dhe të urtë që sundon gjithësinë, megjithëse ai në disa pohime e konsideron veten skeptik dhe agnostik.14
Nga ana tjetër, vëmë re që Einsteini, shkencëtari gjenial i shek. të XX, ka mendim pikërisht të kundërt me Russellin dhe thotë:
Individi e ndjen vogëlsinë e ndjenjave dhe synimeve njerëzore, dhe madhështinë e rendin mahnitës që e shpalosin veten si në natyrë ashtu edhe në botën e mendimit. Ekzistenca individuale i bën përshtypje atij si një lloj burgu dhe ai kërkon ta përjetojë gjithësinë si një e tërë kuptimplotë e vetme.15
A mund të thuhet që Russell i njihte konceptet e shkencës bashkëkohore e Einstein jo? Apo që ai filosofi i shek. të XVIII dhe XIX i njihte konceptet e shkencës së kohës së vet e Pasteur16, si teist, s’i njihte e ishte i paditur? Ose, a mund të themi që William James17, si njeri i ditur e monoteist, apo Bergson18 e Alexis Carrel19 dhe të tjerë si ata, nuk i njihnin konceptet shkencore të kohës së tyre dhe mendonin njëlloj si para njëmijë vjetësh, ndërsa një i ri, që nuk ka as një të dhjetën e dijes së tyre e është ateist - i njeh konceptet shkencore bashkëkohore?
Nganjëherë vihet re se ndër dy matematikanë njëri beson në Zot dhe fé e tjetri është materialist, apo dy fizikanë, dy biologë, dy astronomë - prej të cilëve njëri mendon në mënyrë materialiste e tjetri në atë fetare. Atëherë çështja s’është dhe aq e thjeshtë që të themi se të shfaqurit e shkencës e errësoi metafizikën. Një vëzhgim i tillë është i papjekur.20
Duhet vënë theksi në diskutimin se çfarë bëri që në Evropë materializmi të shfaqej si doktrinë më vete e të gjejë shumë përkrahës, ndonëse në shek. e XX - përkundrejt atij të XVIII dhe XIX - zhvillimi i materializmit u ngadalësua dhe gjatë tij materializmi pësoi njëfarë disfate.
Ky anim i shkallës së gjerë ka një sërë arsyesh historike dhe sociale që duhen shqyrtuar. Në kërkimet tona ne u ndeshëm me shkaqet që po paraqesim këtu. Ndoshta ata që kanë kryer studime më të thella të çështjeve shoqërore, sidomos në fushën e historisë së Evropës, njohin arsye dhe faktorë të tjerë. Këtu po parashtrojmë rezultatet e hulumtimeve tona.
Pjesa II: Rreth shkaqeve konceptuale dhe historike të përhapjes së ateizmit në Evropë
SHËNIME
1. Siç e kanë theksuar dendur Shahīd Beheshtī dhe ‘Alāmeh Tabātabā’ī, Islami e shqyrton botën, me tërë madhështinë, pamatësinë e mrekullitë e saj, bashkë me të gjitha lidhjet e ndërsjellta midis dukurive të larmishme në të, si një realitet homogjen, i cili varet nga një realitet tjetër absolut - i pavarur, sovran dhe suprem - që është Zoti. Si realitet i paperceptueshëm, Zoti njihet përmes shenjave të Tij të perceptueshme (ājāt), nëpërmjet të cilave ne marrim njohuri të vlefshme dhe të frytshme rreth Tij.
Kur’ani Fisnik jo vetëm që nuk i konsideron shkencat praktike, antropologjinë, njohjen shkencore dhe hulumtive të natyrës dhe të menduarit e pakufizuar të jetë pengesë dhe kundërshtim i fesë, por ai i vlerëson ato të përbëjnë rrugën më të përshtatshme për të përcaktuar cilësinë e vyer të besimit. Ai i përmend shenjat (‘argumentet’, ‘provat’, ‘faktet’ dhe ‘dëshmitë’) e Zotit në mënyrë të përsëritur dhe u kërkon njerëzve të thellohen në të menduarit për to dhe të njohin Zotin - burimin e ekzistencës së gjithçkaje, nëpërmjet tyre. Krahas metodës racionale, Kur’ani Famëlartë sugjeron tre lëme për të menduarit e dobishëm dhe përfitues mbi shenjat e Zotit: Natyrën, Ndërgjegjen njerëzore dhe Historinë.
(1) Natyra
Në një mori vargjesh të shpërndara gjithandej në Kur’an objektet natyrore - si toka me pasuritë e saj nën dhé e mbi dhé, qiejt me pamatësinë e tyre, yjet ndriçuese dhe lëvizjet e tyre mahnitëse, dielli dhe hëna me përpikmërinë e tyre që sjellin ditën a natën, stinët që ndërrohen, retë dhe shiu që e mbush me jetë dheun, lëvizja e rregullt e erës, lundrimi i anijeve nëpër detëra, krijimi i jashtëzakonshëm i bimëve dhe rendi e simetria që sundon rritjen e tyre, kafshët e shumëllojshme dhe çdo gjë që mund të përndijojë njeriu rreth vetes - janë përmendur si subjekte të përshtatshme për t’u thelluar dhe prej të cilave duhen nxjerrë përfudime domethënëse:
“Thuaju: ‘Shikoni me vëmendje çfarë ka në qiej dhe në tokë’” (Yūnus: 101); “Thuaju: ‘Udhëtoni nëpër stere e dete dhe vështroni se si Ai e ka bërë Krijimin’” (al-‘Ankabūt: 20). “Allahu krijoi qiejt dhe tokën me një seriozitet të plotë. Në to me të vërtetë ka shenja për besimtarët” (al-‘Ankabūt: 44).
“Për besimtarët ka shenja në qiej e në tokë. Për një popull që sinqerisht është i bindur ka prova edhe në krijimin tuaj dhe në krijimin e kafshëve të përhapura. Edhe në ndërrimin e natës e të ditës, në atë furnizim që Allahu e lëshon prej qiellit dhe gjallëron me të dheun e vdekur dhe e mbush me jetë; edhe në qarkullimin e erërave ka argumente për një popull që logjikon” (al-Jāthiyah: 3-5).
“Në krijimin e qiejve e të tokës, në ndërrimin e natës dhe të ditës, ka shenja të qarta për njerëzit e arsyes; (për ata) që … thellohen mbi krijimin e qiejve e të tokës (duke thënë): ‘Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot’ ” (Āle ‘Imrān: 190-1). “Sigurisht, në krijimin e qiejve e të tokës, në ndërrimin e natës e të ditës, në anijet që tendosin velat nëpër dete për të mirën e njerëzve, në ujin që Zoti dërgon poshtë që nga qielli për të gjallëruar dheun e vdekur e për ta populluar me të gjitha llojet e kafshëve, në lëvizjet e erërave dhe në retë e varura midis qiellit e tokës - në të gjitha këto ka shenja (të Sovranitetit të Zotit) për njerëzit me gjykim të shëndoshë” (al-Baqarah: 163-4).
“Edhe në tokë ka shenja domethënëse për zotëruesit e të sigurtës (...) - a nuk [doni të] shihni?” (al-Dhāriyāt: 20-1).
“Ndër shenjat e Tij janë nata e dita dhe dielli e hëna. Po ju mos adhuroni as diell, as hënë, adhuroni Zotin që i krijoi” (Fussilat: 37).
“Zoti lëshon prej qiellit ujë me të cilin gjallëron dheun e vdekur. Këtu ka një shenjë për të vëmendshmit” (an-Nahl: 65). “Le të shikojë njeriu ushqimin e tij: Ne i lëshuam ujë të bollshëm nga retë, pastaj e çamë tokën sipas nevojës së bimës, dhe bëmë që në të të mbijnë drithëra, edhe rrush e perime, edhe ullinj e hurma, edhe kopshte të dendura dhe pemë e kullosa” (‘Abasa: 24-31).
“Nuk e pyetkan veten ata, se si është krijuar deveja, si janë tendosur qiejt, si janë ngritur e fiksuar malet dhe si është shtrirë dheu” (al-Ghāshiyah: 17-20).
Gjithashtu shih: Qāf: 6-11, al-A’rāf: 57, 185; Yā’sīn: 33-40, 71-73; al-Furqān: 2, 45-50, 53-54, 61-62; al-Fātir: 27-28, al-Waqi’ah: 68-76, ash-Shu‘arā’: 7-8; an-Naml: 60-61, 86, 88; al-Qasas: 71-73; al-Isrā’: 12, 66, 70, 85; Yūnus: 5-6, 31-32, 67, 105; al-Hijr: 19-23, 85; al-An’ām: 1, 38, 95-99, 141-142; Luqmān: 10-11, 27, 29-31; az-Zumar: 6, 21, 62-64; al-Mu’minūn: 13, 62-64, 79-80; ash-Shūra: 29, 32-33; az-Zukhruf: 9-12, al-Jāthiyah: 12-13, al-Ahqāf: 3-4, al-Dhāriyāt: 47-49; an-Nahl: 3-8, 10-20, 40, 65-69, 79-81; Ibrāhīm: 24-26, 32-33; al-Anbiyā’: 30-33, as-Sajdah: 27, al-Mulk: 1-4, 15, 19; al-Haqqah: 38-39, al-Ma’ārij: 40, an-Naba’: 6-16; al-Nazi’at: 27-32; ar-Rum: 22, 24-27, 46, 48-50; al-‘Ankabūt: 41, 43-44, 63; al-Hadīd: 6, ar-Ra’d: 2-4, 12; an-Nūr: 43-45, al-Hajj: 61-66, 73-74, pa harruar se:
“Sikur të gjithë drutë në tokë të ishin pendë dhe sikur detit t’i shtohen edhe shtatë detëra (e të jenë ngjyrë), nuk do të sosnin fjalët e Zotit. Zoti është Ngadhënjyesi i Urtë” (Luqmān: 27) e “Sikur të ishte deti ngjyrë për t’i shkruar fjalët e Zotit tim, ai do të shterrej përpara se ato të përfundonin, madje sikur të sillnim shtesë edhe një tjetër si ai” (al-Kahf: 109).
(2) Ndërgjegja njerëzore
Ndërgjegja njerëzore përmendet si një burim i veçantë dijeje në Kur’an. Dukeqenëse i tërë Krijimi, rrjedhimisht edhe njeriu, përbëhet nga shenjat hyjnore, ajo është çelës për zbulimin e të vërtetës. Kur’ani e përshkruan botën jashtë njeriut si ‘horizonte’, ndërsa atë brenda tij si ‘vetja’ dhe thekson rëndësinë e veçantë të vetëdijes duke i bërë njeriut thirrje të përqendrohet në ndërtimin dhe sekretet e krijimit të fshehura brenda tij, në zemrën, në thellësinë e ndijimit të vet dhe marrëdhënien e tij me botën e shpirtit:
“Ne do t’ua dëftojmë atyre shenjat Tona në horizonte dhe ndër vetë ata, derisa t’u bëhet e qartë se ai (Kur’ani) është e vërteta” (Fussilat, 53); “Në vetë ju ka prova domethënëse - a nuk (doni të) shikoni?” (al-Dhāriyāt, 21); “A nuk mendojnë ata për veten?” (ar-Rum, 8).
“Një nga provat e Tij është që Ai ju krijoi prej dheu…e krijoi bashkëshorte të llojit tuaj, në mënyrë që të gjeni prehje me to dhe mbolli dashuri e dhembshuri të ndërsjelltë në zemrat tuaja. Në këtë ka shenja për njerëzit që mendojnë” (ar-Rum, 20). (Shih Sharī’atī: IX, Bucaille, Tabātabā’ī: VII për al-Hijr: 20, 28; as-Sāffāt: 11, al-Hajj: 5, Hūd: 61, ‘Abasa: 17-20, al-Qiyāmah: 36-39, al-Mursalāt: 20-24, as-Sajdah: 7, al-Anbiyā’: 30).
“Ai i mësoi njeriut atë që nuk e dinte” (al-‘Alaq: 5); “Ai i mësoi Ademit të gjithë emrat” (al-Baqarah: 31), “Ne i dhamë aftësinë për të dëgjuar dhe për të shikuar” (al-Insān: 2); “Me të vërtetë Ne e krijuam njeriun në harmoninë më të përkryer” (at-Tīn, 4); “A nuk i dhamë dy sy, gjuhën, dy buzë dhe e udhëzuam në dy rrugë” (al-Beled, 8-10).
Gjithashtu, shih: al-A’rāf: 189, Yā’sīn: 77-79, al-Fātir: 3, Maryam: 67, al-Waqi’ah: 57-59, al-Qasas: 73, al-Isrā’: 70, 85; as-Sāffāt: 11, az-Zumar: 6, al-Mu’minūn: 12 e më pas, 61-62, 67-68, 78-80; ash-Shu‘arā’: 11, al-Kahf: 37; an-Nahl: 19-20, 78 e më pas; Nuh: 14 e më pas; as-Sajdah: 7-9, at-Tur: 35-36, al-Mulk 23, ar-Rum: 18-19, 23, 28, 40; al-‘Ankabūt: 63; al-Baqarah: 21-22, 28-29, 171; Āle ‘Imrān: 6, ar-Ra’d: 16, 8; ar-Rahmān: 1 e më pas; al-Hajj: 11, 73-74; al-Qiyāmah: 3-4, etj. (Për aspektin historik shih shën. e kreut VIII)
2. Në pamje të parë autori është i interesuar në aspektin filosofik të termit, duke dhënë qëndrimin islam mbi të (shih shën. 64, kreu III). Në kaptinat e mëpasme (kreun VI dhe VII) ai do shqyrtojë domethënien e zgjeruar të konceptit duke përfshirë anën etike e ‘praktike’ të tij dhe marrëdhënien ndërmjet tyre, për t’i vënë përballë këndvështrimit islam. Për një diskutim të llojeve të ndryshme të ‘materializmit’, shih Guénon, kreu VII dhe as-Sadr,Our Philosophy.
3. Sipas botëkuptimit islam, të besuarit dhe të qenit teist është prirje e natyrshme dhe në përputhje të plotë me thelbin e njeriut (al-fitrah): “Ndiqni vendosmërisht diktatet e natyrës parësore (të vërtetë) në të cilën Zoti e krijoi njerëzinë: nuk ka ndryshim (të natyrshmërisë) së Krijimit nga Zoti. Kjo sigurisht është feja e drejtë” (ar-Rum: 30).
Megjithatë, teorija e fitrah në të kuptuarit islam, ndryshe nga pikëpamjet e Platonit, Descartesit, Kantit dhe filosofëve të tjerë (referoju debatit midis Locke-ut dhe Leibnitz-it), nuk nënkupton idenë se njeriu me të lindur zotëron koncepte, prirje dhe dëshira të caktuara de facto, apo - siç thonë ata - njeriu lind me vullnet dhe intelekt de facto. Ai gjithashtu hedh poshtë teoritë e parashtruara nga mohuesit e ‘natyrës njerëzore’ si marksistët dhe ekzistencialistët (Shih: Sharī’atī VII, IX dhe Beheshtī & Bāhonar), të cilët pohojnë se njeriu në të lindur është thjesht tabula rasa.
Muslimanët, për të cilët Kur’ani vlen për të gjitha kohërat dhe vendet (al-Isrā’: 77, al-Fātir: 43, al-Ahzāb: 62, etj) përkundrazi besojnë se njeriu lind si krijesë potenciale që lëviz sipas aftësive të veta drejt një sërë nevojash dhe prirjesh të veçanta nën udhëheqjen e forcave të tij të brendshme dhe në dritën e dukurive të jashtme. Atij i janë dhuruar shumë aftësi, potenciale (an-Nahl: 78, al-Mu’minūn: 78) dhe motive të shoqëruara me një farë drejtimi të brendshëm dhe udhërrëfimi të lindur, të cilët, po t’i zhvillojë dhe moskorruptojë, do ta shpiejnë në nivelin që meriton - njerzshmërinë. Për më tepër, njeriu është mbajtësi i ‘Amanetit Hyjnor’ (al-Ahzāb: 72) çka përfaqëson vetëdijen, vullnetin dhe aftësinë e zgjedhjes, të cilat janë simbol i humanizmit të tij. Përkundrazi, ai do të kthehej në një krijesë të ‘tjetërsuar’ nëse pranon ekzistencën që i imponojnë forcat e jashtme. Kështu, metamorfoza e njeriut, për të cilën flasin ekzistencialistët, shpjegohet nga shkolla islame e filosofisë. Për më gjerë: Fetrat dhe Insān dar Qur’ān nga autori.
4. Siç e pamë, Kur’ani gjithmonë flet për ‘shenja’ nga Zoti, duke kërkuar nga ne të mendojmë lirshëm dhe hetojmë me vëmendje mbi to. Kjo mënyrë e të menduarit është elementare, e drejtpërdrejtë dhe e natyrshme, pa patur nevojën e të formuluarit (‘ilm al-hudūrī). Pikërisht ky mendim i natyrshëm ka sjellë tek disa njerëz një besim eksplicit dhe të vendosur në Zotin (al ru’yah bi’l-qalb), me një mprehtësi që njihet si ‘dëshmimi’ (Āle-‘Imrān: 18 dhe al-A’rāf: 172). Një grup tjetër, mendimet e të cilit janë mësuar t’i analizojnë gjërat me imtësi, është përpjekur ta ‘formulojë’ atë ‘mendim’, çka del e dobishme për shumë njerëz ngaqë i ndihmon ata t’i organizojnë mendimet dhe të marrin përfundime të gjalla. Megjithatë, për disa të tjerë, ai shpie në ndërlikim të gjërave duke e ndërprerë vazhdën e tij të lëmuar natyrore.
‘Alāmeh Tabātabā’ī e Shahīd Beheshtī kanë theksuar se përveç argumentit të Realitetit të Pandryshueshëm ekzistojnë edhe mënyra të tjera bindëse, konfirmuar nga Kur’ani në një varg jashtëzakonisht interesant: “Ne kemi shpalosur për njerëzit në këtë Kur’an të gjitha llojet e argumenteve” (al-Isrā’: 89, 41). Kjo bëhet edhe sepse shumica e njerëzve, për shkak të preokupimit të vazhdueshëm me gjërat materiale dhe të zhyturit e tyre në kënaqësitë e ndijimeve, e kanë mjaft të vështirë që t’u kthehen natyrës së tyre të paprishur siç është dhënë nga Zoti.
Kështu, Islami e ka bërë të mundur për njerëz të tillë të gjejnë edhe rrugë të tjera për të vërtetuar ekzistencën e Zotit. Ai synon t’u flasë dhe t’ua bëjë Zotin të njohur atyre me anë të po asaj rruge përmes së cilës ata janë larguar nga natyra e tyre e vërtetë. Shih kreu III: shën. 49, Tabātabā’ī V, Beheshtī II, III, V.
5. Njerëzit duhet të ushtrojnë të menduarit e lirë e të pavarur dhe muslimanët janë të urdhëruar të përdorin mënyrën më të mirë në përpjekjet e të shpjeguarit të besimit dhe bindurit sipas nivelit dhe të kuptuarit të këtyre: “Thirr në rrugën e Zotit tënd më urtësi dhe këshillë të mirësishme e debato me ta në mënyrën më të sjellshme” (an-Nahl: 125). Në doktrinën islame nuk ekziston qëndrimi dogmatik, d.m.th besimi nuk i paraprin dijes dhe arsyes: “..Përgëzoji pra robërit e Mi, të cilët i dëgjojnë fjalët dhe pasojnë më të mirën prej tyre.. Të tillët janë të mençurit” (az-Zumar: 17-18) Shih par. (4) të shën. 8 më poshtë dhe shën. 18, kreu III.
6. Këto fjalë përbëjnë një referencë të hollë të Mutahharīut ndaj ekzistencialistëve pesimistë të absurdit si Albert Camus dhe J. P. Sartre. Kjo metodë mendimi, e huaj për islamin, filloi me sofizmin, çka solli skepticizmin, subjektivizmin, relativizmin, empiricizmin, nihilizmin, pozitivizmin dhe ‘izmat’ e tjerë në filosofinë perëndimore të mbështetura/nisura në dyshim.
Zakoni i dyshimit zuri fill me sofistët, të cilët ishin një grup mësuesish që u shfaqën në kohën kur në Greqinë e Lashtë sundonte vala e dyshimit dhe mosbesimit në perënditë e mitologjisë gjatë periudhës së forcimit të demokracisë. Ata ishin të aftë në të mësuarit të tjerëve të retorikës, të shprehurit e dykuptimtë dhe dialektikës, ndërsa krenoheshin me atë se mund të vërtetonin një pohim, por njëkohësisht edhe të kundërtën e tij, çka gati çoi në rrënimin e themeleve të arsyes, njohjes dhe moralit. Ishte Socrates-i ai që rivendosi rregullat e njohjes mbi parimet e arsyes dhe që forcoi vlerat kryesore tek njerëzit në bazë të së vërtetës së pandryshueshme.
Në shekullin e V p.e.s. vala e sofistrisë përshkroi mendimin grek kur metoda e debatit në fushat e retorikës dhe ligjit, bashkë me pikëpamjet filosofike dhe supozimet joempirike u përplasën furishëm. Mendimi filosofik nuk ishte kristalizuar ende e as nuk kishte arritur një shkallë të lartë të pjekurisë intelektuale. Kështu, një konflikt dhe përplasje e tillë midis qëndrimeve kundërshtuese filosofike ishin shkaku i konfuzionit filosofik dhe një frike të thellë. Vesi i të kundërshtuarit e ushqeu atë gjendje me anë të dykuptueshmërive dhe silogjizmave të pavlera që ai u siguronte heronjve të tij debatues. Duke u mbështetur në këto dykuptueshmëri dhe silogjizma të pasakta, këto protagonistë e mohuan botën, duke hedhur poshtë të gjitha parimet intelektuale të njeriut si dhe formulimet shqisore e intuitive.
Gorgias, një nga udhëheqësit e shquar të kësaj shkolle, shkroi një libër mbi joekzistencën. Në këtë punim, ai u përpoq të vërtetonte një numër pretendimesh: (1) asgjë nuk ekziston; (2) nëse ndonjë gjë ekziston, s’mund të njihet; (3) nëse supozojmë se mund të njihet, ajo s’mund t’u komunikohet të tjerëve. Gjithashtu Protàgoras shpalli se njeriu është matës dhe kriter i çdogjëje.
Për njëfarë kohe, sofistria e kishte shprehur në mënyra të ndryshme shpërfilljen e saj ndaj filosofisë dhe shkencës, deri kur Socratesi, Platoni dhe Aristoteli, u shfaqën dhe mbajtën qëndrime të vendosura kundër saj. Aristoteli parashtroi logjikën e tij të mirënjohur për të demaskuar të gënjeshtërtat sofiste dhe për të organizuar e sistemuar mendimin njerëzor. Falë epistemologjisë së tij (dija shqisore dhe dija racionale parësore ose dytësore, të cilat arrihen duke marrë parasysh parimet logjike, janë të vërteta të një vlere të padiskutueshme), Aristoteli lejoi në demonstrim (dëshmia absolute në kuptimin e saj logjik) përdorimin si të dijes shqisore, ashtu edhe të asaj racionale.
Më vonë, u bë një përpjekje për të pajtuar dy prirjet e kundërta - d.m.th., prirjen që anonte drejt mohimit absolut (sofistria), dhe prirjen që pohonte afirmimin (logjika aristoteliane). Kjo përpjekje u përfaqësua nga doktrina skeptike, themeluar nga Pyrrhoja, i cili njihet për dhjetë vërtetimet e tij të domosdoshmërisë së dyshimit absolut. Sipas tij, çdo pohim mund të formulohet në njërën prej dy mënyrave: ai mundet edhe të pohohet, edhe të mohohet me të njëjtën forcë.
Por doktrina e sigurisë mbizotëroi përfundimisht në lëmin e filosofisë dhe arsyeja ngjiti fronin që i kish dhënë Aristoteli, duke gjykuar dhe marrë vendime mbështetur në kriteret logjike. Zjarri i dyshimit u shua për shekuj të tërë, deri aty nga i XVI-i kur shkencat e natyrës u gjallëruan dhe bënë zbulime të të vërtetave të papritshme, veçanërisht në astronomi dhe në rendin e përgjithshëm të universit. Këto zhvillime shkencore ishin të ngjashme për nga fuqia me debatimin e periudhës greke. Kështu, ata i përtërinë doktrinat materialiste të dyshimit dhe mohimit që rimorën aktivitetin e tyre me metoda të ndryshme. Një konflikt lindi në mes vetë përkrahësve të sigurisë lidhur me kufijtë e sigurisë në të cilët duhet të mbështeten qeniet njerëzore.
Descartes-i doli në këtë atmosferë, e cila ishte mbingopur me shpirtin e dyshimit dhe rebelimit kundër autoritetit të mendjes. Ai i paraqiti botës një filosofi të sigurisë e cila pati një ndikim të madh në të rikthyerit deridiku të sigurisë prirjes filosofike. Shih Falsafatunā.
7. Skepticizëm (nga greq. skepis - vizion): gjendje e atij që dyshon; doktrinë që nuk pranon të pohojë e as të mohojë, sidomos në lëmin e metafizikës. Dallojmë (i) skepticizmin antik (Pyrrho-ja, Aenesidema) që konsiston në dyshim ndaj realitetit të botës së jashtme; (ii) skepticizmin modern (empiricizmi, pozitivizmi, shkencizmi) që i beson vetëm shqisave dhe pohon si të vetmin realitet botën materiale dhe që dyshon te Zoti dhe (iii) neoskepticizmin, që mohon sigurinë e të mbështeturit madje edhe mbi shqisat duke hedhur poshtë shkakësinë dhe mundësinë e njohjes (neopozitivizmi, probabilizmi, etj.)
Autori i referohet skepticizmit modern, që përbën një jehonë të doktrinës së vjetër të mbajtur nga shkolla greke e skepticizmit, e cila pohonte se qeniet njerëzore nuk janë të afta të japin kurrfarë gjykimi mbi gjërat. Skepticizmi modern u zhvillua nën rrethana të ngjashme me ato që ndoqën këtë shkollë të vjetër mendimi dhe të cilat ndihmuan zhvillimin e saj.
Skepticizmi antik lindi si një kompromis për konfliktin që kishte arritur çastet më të ndera - pikërisht atij ndërmjet sofistrisë dhe filosofisë. Sofistria, e lindur disa shekuj para filosofisë, u rebelua ndaj të gjitha të vërtetave dhe mohoi rolin e arsyes për formulimet shkencore dhe empirike në tërësi. Filosofët me në krye Socrates-in, iu kundërvunë sofistrisë, duke nxjerrur në pah kundërthëniet në të dhe duke treguar rrënimin e saj nga kritika të bazuara, deri sa vala e mohimit u zbeh. Në këtë kohë, nocioni i dyshimit që parashtronte agnosticizmin absolut, doli në skenë. Ai u përpoq të përligjte këtë agnosticizëm duke treguar kundërshtitë e shqisave ndijuese dhe idetë në koncept që e zhveshin atë nga cilësia e besueshmërisë (sigurisë) shkencore.
Kështu, ajo ishte një formë e lehtë e sofistrisë. Edhe skepticizmi modern u përpoq t’i dilte në mbrojtje agnosticizmit si një zgjidhje për kontradiktën ndërmjet idealizmit dhe realizmit - nëse mund të quhet e përshtatshme të mbahet të dorëzuarit ndaj dyshimit si një zgjidhje për këtë kontradiktë. Falë kësaj, ai ishte një formë e lehtë idealizmi.
Skepticizmi modern nuk u mbështet vetëm me të treguarit e kundërshtisë së ndijimit shqisor dhe dijes, por gjithashtu në analizën e dijes që shpie në dyshim, sipas pretendimeve të kundërshtarëve të tij. David Hume, i cili doli në mbrojtje të filosofisë së skepticizmit si pasojë e filosofisë së Berkeley-it, besonte se padiskutueshmëria (siguria) mbi vlerën objektive të dijes njerëzore është një çështje e paarritshme: “Mjeti i dijes njerëzore është mendja ose të peshuarit mirë. Është e pamundur të ketë gjë tjetër në mendje, përveç se dijes. Është gjithashtu e pamundur të konceptohet ose të formohet ideja e një gjëje, nëse ajo ide është e ndryshme nga konceptet dhe reagimet. Le të drejtojmë vëmendjen tonë nga jashtë sado që të duam, dhe le të vrojtojë përfytyrimi ynë qiejt apo skajet më të largëta të gjithësisë, prapëseprapë ne nuk do ndërmerrnim kurrë një hap përtej vetes sonë. Për shkak të kësaj ne s’mund t’i përgjigjemi çështjes themelore në filosofi, në lidhje me të cilën grinden idealistët dhe realistët.” Idealizmi pohon se realiteti është në ndërgjegjen dhe dijen; ndërkohë që realizmi vlerëson se realiteti ekziston në një mënyrë objektive dhe të pavarur. Skepticizmi, nga ana tjetër, refuzon t’i përgjigjet ndopak çështjes, sepse sipas tij, është e pamundur t’i jepet përgjigje një problemi të tillë. (Falsafatunā)
8. Kur’ani Famëlartë u bën thirrje njerëzve të thellohen dhe të nxjerrin përfundime. Ai e konsideron të menduarit si pjesë të adhurimit dhe nuk e pranon të besuarit në shtyllat e tij doktrinore nëse ky s’është rezultat i të menduarit të drejtë. Në këtë lidhje Islami i ka kushtuar vëmendje të veçantë një çështjeje thelbësore. Ai ka theksuar shkaqet që çojnë në të menduarit e gabuar dhe ka shpjeguar se ç’duhet bërë për të shmangur gabimin dhe devijimin.
Kur’ani ka përmendur një sërë faktorësh që shkaktojnë gabime. Po cilësojmë disa prej tyre:
(1) Mbështetja te Hamendja në Vend të Dijes së Sigurtë
Kur’ani i këshillon njerëzit të mos mbështeten në hamendje e dyshime dhe i paralajmëron ata për rrezikun e një qasjeje të tillë. Ai thotë: “Shumica e njerëzve janë të tillë që nëse i ndjek, ata do të të largojnë nga rruga e drejtë, sepse mbështeten vetëm në supozime” (al-An’ām: 116). Nga ky varg kuptohet gjithashtu se të ndjekurit e diçkaje nga shumica nuk përbën arsye për ta përqafuar atë: “Dhe shumica e tyre ndjekin vetëm hamendje, e (ta dini se) hamendja s’vlen asgjë ndaj së vërtetës” (Yūnus: 36); “por shumica e njerëzve nuk dinë” (Yūsuf: 68, Yūnus: 55, ar-Rum: 30), “por shumica e tyre nuk mendojnë” (al-Ankabūt: 63). “Padyshim ai u shpalli atyre të vërtetën, por shumica e tyre e urren të vërtetën” (al-Mu’minūn: 70).
Ai kritikon rreptë (i) dyshimin: “Ne e mohojmë atë me çka jeni të dërguar dhe dyshojmë shumë në atë (besim) që na thërrisni” (Ibrāhīm: 9); “Ai është që ju krijoi nga balta…e prapëseprapë ju dyshoni” (al-An’ām: 2); “O’ besimtarë, shmangiuni dyshimeve të tepërta, sepse në disa raste ato janë mëkat” (al-Hujurāt: 12); “Ta dini se ata që bëjnë polemikë, duke dyshuar…, janë në një humbje të thellë” (ash-Shūra: 18); dhe (ii) hamendjet: “Thuaj: ‘A mos keni ndonjë fakt e të na e paraqisni?’ Ju mbështeteni vetëm në hamendje” (al-An’ām: 148) dhe “flisni pa kurrfarë dijeje” (an-Nūr: 15); “..ata nuk ndjekin tjetër pos supozimeve.” (Yūnus: 66); “...ata ndjekin vetëm hamendje dhe hamendja s’ka kurrëfarë vlere përballë së vertetës” (an-Najm: 28) “Mesiguri, ata për këtë nuk dinë asgjë. Ata vetëm marrin me mend” (al-Jāthiya: 24). “Ka njerëz analfabetë midis tyre, që nuk dinë asgjë për shkrimet, përveç ca fantazive të vagullta” (al-Baqarah: 78); “E ka ndonjë prej njerëzve që polemizon mbi Zotin duke mos pasur kurrfarë dije, asnjëfarë udhëzimi dhe kurrfarë libri të besueshëm” (al-Hajj: 8,3). “Thuaju: Sillni provën (e asaj që thoni) nëse jeni të vërtetës” (al-Baqarah: 111, al-Anbiyā’: 24, an-Naml: 64). “..atyre nuk u ka ardhur kurrfarë dëshmie dhe s’kanë kurrfarë dije” (al-Hajj: 71); “..e megjithatë ka njerëz që polemizojnë mbi Allahun, pa patur dituri, udhëzim apo libër ndriçues” (Luqmān: 20), sepse “..shumica e tyre nuk e dinë të vërtetën, andaj edhe nuk vështrojnë” (al-Anbiyā’: 24). Shih Kulaynī: Kitāb al-‘aql wa’l-jahl.
(2) Anshmëria dhe Dëshirat e Ulëta
Nëse njeriu kërkon të gjykojë drejt, ai duhet ta ruajë të paprekur paanshmërinë e tij. Me fjalë të tjera, ai duhet të synojë vetëm të vërtetën dhe të pranojë pa ngurim atë çka faktet vërtetojnë. Ai duhet të sillet mu si një gjykatës në një gjykatë drejtësie, i cili gjatë të hetuarit të një çështjeje duhet të jetë asnjanës ndaj pretendimeve të të dyja palëve. Ja përse Imam ‘Alīu ka thënë: “Opinioni më i mirë është ai që ndodhet më larg animeve personale”. Nëse ai anon nga njëra palë, argumentet në dobi të saj do të tërheqin pavetëdijshëm vëmendjen e tij dhe argumentet kundër saj do të anashkalohen automatikisht nga ai. Në mjaft vargje të shenjta Kur’ani urdhëron objektivitet, dëshmim të drejtë dhe qëndrim asnjanës për hir të Zotit dhe së vërtetës - kundër kujtdo qoftë ajo, dhe paçka se nuk do t’i pëlqejë të tjerëve - cilëtdo qofshin këta: “Kurdoherë që të flitni, jini të drejtë, edhe nëse është çështja për të afërmit” (al-An’ām: 152); “O’ ju që besuat, vazhdimisht të jeni dëshmues të drejtë (për hir) të Zotit, edhe nëse është kundër jush, kundër prindërve ose të afërmve tuaj, qoftë (kundër) pasanikut apo të varfrit … të mos udhëhiqeni nga pasionet e t’i shmangeni drejtësisë” (an-Nisā’: 135); “O’ ju që besuat, jini plotësisht të vendosur për hir të Zotit, duke dëshmuar të drejtën, dhe të mos ju shtyjë urrejtja ndaj një populli e t’i shmangeni drejtësisë; jini të drejtë, sepse ajo është më pranë devotshmërisë” (al-Mā’idah: 8). “O’ ju besimtarë, përmbajuni mësimeve të Zotit dhe thuajini fjalët drejt” (al-Ahzāb: 70).
Ata gjithashtu nuk duhet ta fshehin të vërtetën: “dhe mos e mbuloni të vërtetën me të gënjeshtrën e as mos e fshehni realitetin kur e dini” (al-Baqarah: 42, 159), “mos e mbuloni dëshminë, sepse kushdo që e fsheh atë, zemra e tij është e njollosur me mëkat” (al-Baqarah: 283).
Nëse një njeri nuk është i paanshëm dhe mendimi i tij është i varur, shigjeta e të menduarit të tij do të anojë pavetëdijshëm drejt pëlqimit të tij personal dhe pasioneve vetjake. Ja përse Kur’ani i konsideron dëshirat e ulëta burim të gabimit aq sa edhe mbështetja në hamendje dhe supozime: “Kush është më i humbur se ai që ndjek dëshirat e tij, pa udhëzim nga Zoti” (al-Qasas: 50), “A e keni parë atë që i merr dëshirat e tij për Zotin e vet” (al-Fātir: 43); “Ata s’ndjekin asgjë veçse paragjykime dhe çka duan vetë” (an-Najm: 23) “Të tilla janë dëshirat e tyre fantazuese” (al-Baqarah: 111), “Ata s’kanë ndonjë fakt, ata vetëm trillojnë” (az-Zukhruf: 20, al-An’ām: 148), “Ata i mohuan shenjat Tona të padyshimta me prapësinë dhe mendjemadhësinë e tyre” (an-Naml: 14, shih dhe al-A’rāf: 179). “Një shumicë, duke mos patur kurfarë dijeje, por vetëm (të mbështetur në) pasionet e tyre, duan t’ju largojnë nga e vërteta” (al-An’ām: 119, an-Nisā’: 27) e ti “mos shko pas dëshirave të injorantëve” (al-Jāthiyah: 18, Sad: 26, ash-Shūrā: 15). Sepse, “sikur E Vërteta të kish ndjekur dëshirat e tyre, qiejt dhe toka e gjithë çka gjendet në to mesiguri do ishin çthurur” (al-Mu’minūn: 71).
(3) Ngutja.
Michel de Montaigne ka thënë: “Në asgjë nuk besojmë më shumë sa në atë për të cilën dimë më pak!” Për të qenë i aftë të shprehësh një opinion mbi një çështje duhet të kesh fakte të mjaftueshme përpara. Derisa të mos ketë prova të bollshme, çdo shprehje e ngutur e një gjykimi mund të shpjerë në gabim të rëndë. Me të vërtetë njeriu është i prirur të jetë i ngutshëm e i padurimtë (al-Anbiyā’: 37, al-Ma’ārij: 19) dhe Kur’ani Famëlartë i referohet pareshtur pamjaftueshmërisë së dijes njerëzore për të shqiptuar një gjykim lidhur me shumë çështje të rëndësishme. P.sh.: “Juve s’ju është dhënë, veçse pak dije” (al-Isrā’: 85). Ai gjithashtu i këshillon besimtarët t’i verifikojnë kujdesshëm fjalët që u vijnë, para se të gjykojnë gabueshëm, që do të përbënte mëkat të madh: “O’ ju që besuat, nëse një keqbërës ju sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë më parë, që përndryshe të mos i lëndoni të tjerët pa e ditur të vërtetën e më pas të pendoheni për çka vepruat” (al-Hujurāt: 6).
Imam Xha’fer es-Sādik ka treguar: “Në dy vargje të Kur’anit Zoti i ka paralajmëruar njerëzit kundër dy gjërave: (i) Ai ka thënë se nuk bën që ata të besojnë një gjë, përveçse nëse kanë dije të sigurtë mbi të (paralajmërim kundër bindjes së ngutur): “A nuk iu kërkua atyre në Libër të zotohen se nuk do të flasin asgjë për Zotin, përveç së vërtetës?” (al-A’rāf: 169); (ii) Ai ka thënë se nuk bën që ata të mohojnë një gjë, përveçse nëse kanë dije të sigurtë mbi të (paralajmërim kundër mohimit të ngutur): “Në të vërtetë, ata mohuan atë (Kur’anin) për të cilin nuk kishin dije të mjaftueshme dhe pa iu ardhur shpjegimi i tij” - Yūnus: 39 (shih Kulaynī, Kitāb fadlu’l ‘ilm).
Kur’ani pra, e ndalon rreptësisht të folurit ‘në tym’ dhe pretendimet e pabaza sepse shumë individë i japin të drejtën vetes të shprehin opinion për atë që nuk kanë kurrfarë njohurie: “Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke dije. Me të vërtetë, të parit, të dëgjuarit dhe zemra do të merren në pyetje secili!” (al-Isrā’: 36). Shih kreun V.
(4) Të Menduarit sipas Traditës dhe të Shikuarit nga e Kaluara
Njeriu ka një prirje të pranojë si të gatshme një ide ose bindje që ka qenë përvetësuar nga brezat e mëparshëm, pa i kushtuar kurrfarë thellimi të mëtejshëm. Sa i përket shtyllave të besimit, Islami pohon se nuk mjafton vetëm të pranohen ato padiskutueshëm apo si një traditë familjare. Është detyrë e çdo individi të besojë në to në mënyrë të pavarur dhe me vullnet të lirë vetëm pasi që të jetë bindur në vërtetësinë e tyre. Kur’ani u kujton njerëzve se ata duhet të kenë një të menduar të pavarur dhe nuk duhet të pranojnë asgjë pa e shkoqitur atë me kujdes, thjesht sepse ka qenë pranuar nga të tjerët - kushdo qofshin këta - në të kaluarën: “... dhe mos shkoni pas epsheve të një populli të mëparshëm që ka humbur, që ka shkaktuar humbjen e shumë të tjerëve dhe që është shmangur tërësisht prej rrugës së drejtë.” (al-Mā’idah: 77) apo: “'Ne ndjekim traditën e paraardhësve tanë′. Si kështu! Edhe pse paraardhësit e tyre nuk kuptojnë asgjë dhe nuk kishin udhërrëfim” (al-Baqarah: 170, al-Mā’idah: 104); “Jo, por ata thanë: ‘Ne i gjetëm të parët tanë në këtë besim dhe vazhdojmë gjurmëve të tyre’. Ja pra, Ne nuk kemi dërguar para teje ndonjë pejgamber në ndonjë qytet, që paria e tij e cila jetonte në rehati të mos i ketë thënë: ‘Ne me të vërtetë i gjetëm baballarët tanë në një bashkësi dhe po ndjekim gjurmët e tyre’” (az-Zukhruf: 22-3).
Sipas Kur’anit, njeriu është - pavarësisht nga idetë që i paraqiten nga prindërit apo mjedisi, dhe pa ia vënë veshin asaj që mëson në fëmijëri apo ç’e rrethon - i obliguar të zbatojë aftësinë e tij të mirëpajisur të dijes dhe të njohjes [“Ne i dhamë atij aftësinë për të dëgjuar, shikuar dhe kuptuar” (al-Insān: 2; an-Nahl: 78, al-Mu’minūn: 78), “i dhamë dy sy, gjuhën e dy buzë” (al-Beled: 8-9), “nderuam pasardhësit e Ademit” (al-Isrā’: 70), “i mësuam atij emrat” (al-Baqarah: 31) dhe “atë që nuk dinte”, (al-Ahlaq: 5)], të vëzhgojë nga afër veten dhe botën përreth, të thellohet me durim e këmbëngulje dhe të vazhdojë me këtë përkujdesje hulumtuese derisa të arrijë në një përfundim. Vetëm pastaj ai duhet t’i përmbahet këtij vendimi, ta ruajë besimin në të, dhe ta përfshijë në infrastrukturën e sistemit mendues e ideologjik si dhe të sistemit shkencor në jetën e tij. Shih Sharī’atī: X, Beheshtī: V, III dhe shën. 18, kreu II.
(5) Kulti i Individit
Një tjetër shkak i të menduarit të gabuar është kulti i personalitetit. Për shkak të respektit të madh që gëzojnë, figurat e shquara historike dhe bashkëkohore ndikojnë ndjeshëm mendimin dhe vullnetin e të tjerëve. Në të vërtetë, personalitetet e famshme kontrollojnë të menduarit e njerëzve, të cilët mendojnë si ata dhe kanë të njëjtin opinion me ta. Njerëzit nuk guxojnë të ndryshojnë apo dallojnë nga ‘të mëdhenjtë’ dhe kështu humbin pavarësinë e të menduarit dhe të vepruarit të vullnetshëm të tyre.
Kur’ani u bën thirrje njerëzve të mendojnë në mënyrë të pavarur dhe të mos ndjekin verbërisht më të vjetrit apo personalitetet e tjera ndikuese si mësuesin, shkencëtarin, dijetarin, prijësin fetar, presidentin apo këdo tjetër që është veshur me autoritet, sepse kjo mund t’u sjellë fatkeqësi. Ai na tregon se njerëzit që janë shpier në rrugë të shtrembër do të thonë Ditën e Gjykimit: “Zoti ynë! Ne iu bindëm prijësve dhe të mëdhenjve që na shmangën nga rruga e drejtë” (al-Ahzāb: 67) “dhe atyre që ishin parì, u thonë: ‘Sikur të mos ju kishim ndjekur juve, ne do kishim qenë besimtarë’” (Saba’a:31).
Imam Xha’fer es-Sādik ka thënë: “Ruhuni nga të rendurit pas posteve dhe mos ndiqni verbërisht njerëzit e mëdhenj.” (c.n. Reyshahri)
9. al-Jāthiya: 24. (Shih edhe ar-Rūm, 7: “Ata dinë vetëm anën e jashtme të jetës në këtë botë, por ndaj jetës tjetër janë indiferentë.”)
10. “Fjalë e tmerrshme është ajo, që del nga gojët e tyre“ (al-Kahf: 5) - Kur’ani i ka kushtuar një vend të konsiderueshëm kritikave ndaj fjalëve të ateistëve të kohës së shpalljes (referoju cilitdo prej komentimeve të njohura). Dahrinjtë janë përfaqësuesit e mirëfilltë të materializmit në historinë islame. Duke konsideruar të prekshmen dhe të shqueshmen si të vetmin realitet, ata përbënin një jehonë të natyralistëve grekë.
11. As protagonistëve të shkollave të para skeptike të mendimit që lindën nga fundi i shek. VII p.e.s. si Thales (622-560), Heraclitus (530-470), Democritus dhe Epicurus s’mund t’u mvishen pikëpamje tërësisht materialiste. Thalesi pohonte se ndryshimet materiale janë rezultat i impulsit shpirtëror ndërsa Democritusi nuk ishte materialist i mirëfilltë por ishte i bindur në ekzistencën e shpirtit. Shih al-Jisr dhe Lārī: VI.
12. Bertrand Russell: matematikan, logjicien, sociolog dhe moralist britanik (1872-1970). Ka kontribuar ndjeshëm logjikën matematike (Principia Mathematica: 1910-13, me A. N. Whitehead). Si filosof ka shpalosur një teori empiriste të njohjes dhe një etikë të mbështetur mbi interesin personal. Ka shkruar: Udhët drejt Lirisë: socializmi, anarkia dhe sindikalizmi (1918); Pushtimi i Lumturisë (1930), Martesa dhe Morali, Historia e Filosofisë Perëndimore (1946), Problemet e Filosofisë (1929). Fitues i çmimit Nobel për letërsinë më 1950.
13. Irving William Knobloch, The Evidence of God in an Expanding Universe, cit. nga Russell, Mysticism and Logic (Penguin Books, 1953).
14. Bertrand Russell, Mysticism and Logic (Penguin Books 1953), “A Free Man’s Worship”, fq. 50-59.
15. Albert Enstein, The World as I see It, fq 26. Gjithashtu Ideas and Opinions (London 1973, fq 38 dhe Calcutta: Rup & Co, 1984 fq 40), bot. I nga Bonanza Books, New York; bazuar në Mein Weltbild, red. nga Carl Seeling, përk. dhe rev. nga Sonja Bargmann.
16. Louis Pasteur, kimist dhe mikrobiologjist i shquar francez (1822-95). Shkencëtar i madh me bindje të thella fetare. Pasi kreu studime të rëndësishme mbi stereokiminë, tregoi se fermentimi dhe sëmundje të caktuara shkaktohen nga veprimi i mikroorganizmave. Nga 1870-86 tregoi natyrën mikrogjene të antraksit, zbuloi vibrionin septik, stafilokokun, realizoi vaksinën kundër antraksit dhe pas vështirësish të panumërta, vaksinën kundër tërbimit, që e bëri të famshëm. Pas një studimi mbi verërat, realizoi një metodë të ruajtjes së pijeve: pasterizimin, gjë që shpëtoi industritë e verës, birrës dhe mëndafshit të një sërë vendeve evropiane. Më 1864 i dha goditje evolucionizmit duke vërtetuar se “gjenerimi spontan” i mikrobeve (shfaqja vetvetiu nga materia jo e gjallë) nuk ekzitonte dhe se qeniet mikroskopike nuk mund të vijnë në jetë pa prindër të ngjashëm me ta.
17. William James, filosof dhe psikolog amerikan (1842-1910). Qe ndër shkencëtarët besimtarë dhe theksoi nevojën jetike të adhurimit. Magjistroi nga Harvardi, ku më vonë ligjëroi anatomi, psikologji dhe filosofi. Hodhi themelet e metodave eksperimentale në psikologji, çka e rradhit ndër themeluesit e psikologjisë moderne. Bashkë me C.T. Ladd, C.S. Hall, J. Dewey dhe J.R. Angell ishte eksponent i funksionalizmit (prirje në psikologji e cila vlerëson se proceset mendore, idetë, ndijimet shqisore dhe emocionet janë përshtatje të organizmave biologjikë). Nga Charles Pierce huazoi dhe popullarizoi termin ‘pragmatizëm’, doktrinë sipas të cilës kuptimi dhe vërtetësia e cilitdo pohim mund të reduktohet në rrjedhën specifike të jetës praktike që i vijon. Veprat më të njohura: Vullneti për të besuar (1880), Shtyllat e Psikologjisë (1891), Shumëllojshmëritë e Përvojave Relative (1902), Pragmatizmi, Ese mbi Empiricizmin radikal (1907) dhe Filosofia e Përvojës (1910).
18. Henri Bergson, filosof i madh francez (1859-1941). Nobelist i letërsisë më 1927, njohës i mirë i psikologjisë dhe shkencave fizike (referoju bisedave me Einsteinin te Durée et Simultanéité - 1922, ku dha interpretimin më të drejtë filosofik të relativitetit). Të besuarit e tij në Zot mbështetet në mendimin se njohja e thelbit të botës lind vetëm nëpërmjet vëzhgimit të gjithësisë dhe lëvizjeve në të si një tërësi pjesësh të ndërlidhura si dhe atë se provat mbi ekzistencën e qëllimit, synimit dhe planifikimit tek qeniet e gjalla e bëjnë të paperceptueshme idenë e krijimit të rastësishëm. Arsyetimi i tij përbën një kundërrrymë ndaj një mjedisi intelektual të sunduar gjerësisht nga pozitivizmi për shpjegimin e thelbit të njeriut e shoqërisë, të cilit ai ia zvogëloi ndjeshëm ndikimin duke ia rihapur portat metafizikës: Ne jemi të paisur me intuitë dhe arsye. E para percepton aspektin dinamik të gjërave - aspekti më themelor dhe real i vetëdijes, që sjell llojin e drejtpërdrejtë, të brendshëm dhe cilësor të njohjes; ndërkohë që e dyta priret drejt aspektit të tyre statik - të jashtëm, gjeometrik, mekanistik i cili sjell llojin e jashtëm, sasior të njohjes (shkencën). Shkroi: Të Dhëna të Drejtpërdrejta të Ndërgjegjes (1889), Materia dhe Kujtesa (1896), Evolucioni Krijues (1907), Dy Burimet e Moralitetit. Mendimet e tij të thella mbi lidhjen e shkencës me metafizikën përmblidhen tek Hyrje në Metafizikë e Mendimi dhe Lëvizja. Shih al-Jisr.
19. Alexis Carrel, kirurg dhe fiziolog i famshëm francez (1873-1944). Themelues i Fondacionit Francez për Studimin e Problemeve Humanitare. I pari që mori dy çmime Nobel në shkencë (më 1912 në biologji për zbulime të rëndësishme në ruajtjen e indeve të gjalla jashtë oganizmit, dhe në mjekësi për renditjen e enëve të gjakut). Veprat më të njohura: Njeriu - ky Mister dhe Fati i njerëzimit, Refleksione mbi Mënyrën e të Jetuarit.
20. Emrat e Leonardo da Vincit, Nicola Copernicusit, Johannes Keplerit, Galileo Galileit, Blaise Pascalit, Isac Newtonit, Max Planckut, Niels Bohrit, Werner Heisenbergut e shumë besimtarëve të tjerë në mesin e korifejve të shkencës, duhet të mjaftojnë për të ilustruar pohimin e autorit.
Max Planck, themelues i fizikës moderne, shkruan: “Parimi i Minimumit të Veprimit [në fizikë], krijon te çdo mendje e paanshme përshtypjen se natyra sundohet nga një vullnet racional qëllimplotë” (Scientific Autobiography and Other Papers; New York: Philosophical Library 1949). Ai gjithashtu tregon se: “Kepleri ishte një dijetar që besonte në një sistem të urtë, krejtësisht të vetëdijshëm për tërë Krijimin. Tycho Brahe nuk e kishte një besim të tillë në një sistem total të gjithësisë si një intelekt suprem universal që ekziston, dhe për këtë arsye ai mbeti në nivelin e një studiuesi të vogël eksperimental. Përkundrazi, Kepleri besonte në të dhe ja pse ai u bë themelues i fizikës së re”. (po aty; c.n. Sharī’atī: V, fq 9)
Ndërsa Einsteini, kritik i ashpër i pozitivizmit, pohon se ndjenja religjioze dhe besimi në një sekret të madh në Krijim, është një koncept thelbësor në kërkimin e madh shkencor: “Në mesin e llojit më të thellë të mendjeve shkencore zor se do të gjeni ndokënd pa një ndjenjë fetare të vetën... Ndjenja e tij religjioze merr trajtën e mrekullimit mahnitës me harmoninë e ligjit natyror, e cila shpalos një urtësi të një superioriteti të atillë që, në krahasim me të, i gjithë të menduarit dhe të vepruarit sistematik i qenieve njerëzore përbën një reflektim krejtësisht të parëndësishëm. Kjo ndjenjë është parimi udhëheqës i jetës dhe punës së tij, për sa kohë t’ia dali që ta ruajë veten nga cytjet e egoizmit. Ajo është padiskutim shumë e afërt me atë që ka pushtuar gjenitë fetarë të të gjitha kohërave.” (Einstein, fq 29 dhe Ideas and Opinions, fq 40). Një faqe më lart ai citon një bashkëkohës të tij që pohon se ‘në epokën tonë materialiste, punonjësit seriozë shkencorë janë të vetmit njerëz thellësisht fetarë’, për të vazhduar: “Shkenca pa fenë është si të prekurit e një të verbëri, ndërsa feja pa shkencën është si të ecurit e një topalli”.
Werner Heisenberg, themelues i mekanikës kuantike e nobelist i fizikës më 1932, me të drejtë ka thënë: “Në banketin e madh të hulumtimit shkencor, gotën e parë e pijmë si ateistë, ndërsa në fund dalim si besimtarë, të bindur plotësisht në ekzistencën e Krijuesit të përsosur”.