Lutja e Imam Zejnul ′Abidinit në Lamtumirë të Muajit të Ramazanit
© dielli.net
23 Tetor 2006


1      O Allah,
          O Ai që nuk kërkon shpërblim!


2           O Ai që nuk pishmanoset në dhurim!


3          O Ai që s′e shpërblen shërbëtorin e Vet me kushte!


4      Mirësia Jote është fillim i ri,
          Falja Jote dhunti e begatë,
          Dënimi Yt është drejtësi,
          Vendimi Yt - zgjedhje për më të mirën!


5     Nëse dhuron,
               Ti s′e njollos dhurimin Tënd me detyrim,
          dhe nëse kursehesh,
               nuk e bën duke shkelur kënd.


6      Ti i tregon mirënjohje atij që Të falënderon,
          ndërkohë që Vetë Ti e ke frymëzuar të Të falënderojë.


7      Ti e shpërblen atë që Të lavdëron,
          ndërkohë që Vetë Ti ia ke mësuar falënderimin Tënd.


8      Ti e mbulon atë të cilin,
          po të doje,
          do ta zbuloje,
     dhe je bujar me atë ndaj të cilit,
          po të doje,
          do kurseheshe.
     Që të dy meritojnë zbulimin dhe kursimin Tënd,
                    por veprimet Tuaja
          i ke mbështetur në dhunti të begatë,
          fuqinë Tënde e ke kanalizuar në durim,


9           duke e pritur me mëshirë atë që Të është mosbindur,
          dhe mospërfillur atë që desh të dëmtonte vetveten.
     Ti e pret kthimin e tyre pa ngutje
          dhe përmbahesh nga shtyrja e tyre në pendim,
     ashtu që i shkatërruari prej tyre të mos shkatërrohet
                    për shkakun Tënd
          dhe i shkretuari prej tyre të mos shkretohet përmes
                    favorit Tënd,
          por vetëm pasi ta kesh zgjatur justifikimin e tij
          dhe argumentet e njëpasnjëshme ndaj tij,
     si akt bujarie përmes faljes Tënde, O Bujar,
          dhe veprim përkëdhelie përmes butësisë Tënde, O Mëshirplotë!


10     Je Ti Ai që u ke hapur një derë shërbëtorëve të Tu
          një derë për tek falja Jote,
          që e ke quajtur 'pendesë'.
          Ti ke vendosur mbi atë derë
          një tregues nga shpallja Jote,
          që të mos i shmangen:
     Ti ke thënë (bekuar qofshin emrat e Tu)
          {pendohuni te Allahu me një pendesë të palëkundur!
          Ndoshta Zoti juaj do t′ju lirojë nga veprat tuaja të liga
               dhe t′ju pranojë në kopshte
               nën të cilat vërshojnë lumenj,


11           ditën kur Allahu s′e turpëron Pejgamberin
               dhe ata që besojnë përkrah tij,
          drita e tyre u ndriçon përpara
               dhe në të djathtat duar,
               e ata thonë:
          ′Zoti ynë, plotësona dritën tonë dhe falna neve!
               Vërtet, Ti je i plotfuqishëm mbi çdogjë.}
     Ç′justifikim ka ai
          që mbetet mospërfillës nga hyrja në atë shtëpi
          pas hapjes së derës
          dhe vendosjes së treguesit?


12     Je Ti Ai që e ka ngritur çmimin ndaj Vetes
          në dobi të robërve të Tu,
     duke u dëshiruar atyre përfitimin në ujdinë me Ty,
          triumfin përmes mbërritjes tek Ti,
          dhe rritjen përpara Teje,
     sepse Ti ke thënë
          (i bekuar është emri Yt, i lartmadhëruar je),
          {kushdo që sjell një vepër të mirë
               do të ketë dhjetëfishin e saj,
          e kushdo që sjell një vepër të keqe
               do të shpërblehet vetëm për atë}


13      Ti ke thënë se,
          {shembulli i pasurisë së atyre që e harxhojnë
               në rrugën e Zotit
          është si ai i kokrrës së grurit
               që shpërthen shtatë kallinj,
               ku secili ka njëqind kokrra;
          Allahu ia shumëfishon kujt dëshiron.}
     Ti ke thënë,
          {kush është ai që do t′i huazojë Allahut një hua të mirë,
               e Ai t′ia shumëfishojë?}
     Dhe Ti ke zbritur në Kur′an
          ajete të ngjashme për shumëfishimin e veprave të mira.


14     Ti je që i ke caktuar
          përmes fjalës Tënde nga Ghajbi Yt
          dhe inkurajimit Tënd ku ndodhet fatbardhësia
     drejt asaj që
          - sikur t′ua kishe mbuluar -
     sytë e tyre nuk do ta kishin shquar,
     veshët e tyre nuk do ta kishin dëgjuar,
          dhe përfytyrimet e tyre nuk do ta kishin pushtuar,
     sepse Ti ke thënë,
          {kujtomëni Mua
          e Unë do t′ju kujtoj ju
          falënderomëni Mua,
               e mos jini mosmirënjohës ndaj Meje!}
     Ti ke thënë,
          {nëse falënderoni,
               pa dyshim do t′jua shtoj të mirat,
          por nëse përbuzni,
               ndëshkimi Im është vërtet i tmerrshëm};


15     dhe Ti ke thënë,
          {Lutmuni Mua
               Unë ju përgjigjem,
          s′ka dyshim se ata që mbahen tepër krenarë për të Më adhuruar
               do të hynë në Xhehennem krejtësisht të poshtëruar.}
     Prandaj e ke quajtur lutjen për Ty 'adhurim'
          dhe përmbajtjen prej saj 'krekosje',
     dhe ke kërcënuar se të përmbajturit prej saj
          do të çojë në Xhehennem, në poshtërim të plotë.


16     Prandaj ata Të kujtojnë për mirësinë Tënde,
          Të falënderojnë për begatinë Tënde,
          Të përgjërohen me urdhrin Tënd,
          dhe japin për Ty
               që t′ua rrisësh të mirat;
     në to qëndron shpëtimi i tyre nga zemërimi Yt
          dhe ngadhënjimi i tyre përmes kënaqësisë Tënde të mirë.


17     Sikur cilado krijesë ta drejtonte një tjetër
          në të ngjashmen e asaj drejt së cilës
          Ti Vetë i ke drejtuar shërbëtorët e Tu
     ai do të përshkruhej me bamirësi,
          do të cilësohej me mirësi
          dhe lavdërohej nga çdo gjuhë.
     Ty pra, Të takon falënderimi
     për sa kohë të gjehet mënyrë për të Të lavdëruar
     dhe dëri sa të mbesin për falënderim
          fjalë me të cilat mund Të lavdërohesh
dhe kuptime që mund të harxhohen në falënderim!


18     O Ai që ia tregon Veten të denjë për falënderim shërbëtorëve të Tij
          përmes bamirësisë dhe begatisë,
     duke vërshuar mirësi e butësi mbi ta!
     Sa shumë është përhapur favori Yt ndër ne,
          sa shumë është derdhur butësia Jote mbi ne,
          dhe sa shumë është veçuar mirësia Jote për ne!


19     Ti na ke udhëzuar drejt
          dinit Tënd që e ke zgjedhur,
          besimit Tënd me të cilin je i kënaqur,
          dhe rrugën Tënde që e ke lëmuar,
     na ke treguar afrinë ndaj Teje
               dhe arritjen për tek bujaria Jote!


20     O Allah,
     nga më të zgjedhurat prej atyre detyrave
          dhe më të veçantat e atyre detyrimeve
     ke caktuar muajin e Ramazanit,
          të cilin e ke veçuar prej muajve të tjerë,
          e ke zgjedhur nga mesi i të gjitha periudhave dhe epokave,
          dhe pëlqyer mbi të gjitha kohët e vitit
               përmes Kur′anit dhe Dritës
                    që ke zbritur me të,
               besimit
                    që ke shumëfishuar përmes tij,
                    agjërimit
                    që ke obliguar përgjatë tij,
               qëndrimin në namaz
                    që ke inkurajuar në kohën e tij,
               dhe Natën e Vendimit
                    që ke madhëruar në të,
                    natën që është {më e mirë se njëmijë muaj}.


21     Përmes saj na ke pëlqyer
               përmbi bashkësitë e tjera
          e përmes shkëlqyeshmërisë së saj na ke zgjedhur
               me përjashtinë e popujve të besimeve të tjera.
     Ne agjëruam me urdhrin Tënd ditën në të,
          u falëm me ndihmën Tënde natën në të,
               duke ia paraqitur veten me agjërimin dhe faljen në të
               mëshirës me të cilën na ke ndihmuar përpara nesh,
          dhe përmes tij gjetëm mjetet drejt shpërblimit Tënd.
     Dhe Ti je përplot me çfarë Të kërkohet,
          mirëbërës me atë që synohet nga begatia Jote,
          dhe pranë atij që ushtrohet për afrinë Tënde.


22     Ky muaj qëndroi mes nesh
          në një podium lavdërimi,
     na shoqëroi
          me shoqërinë e të miratuarit,
     dhe na bëri dobi
          me përfitimin më të shkëlqyer të krijesave të botës.
     Pastaj u nis prej nesh me plotësimin e kohës së tij,
          fundin e afatit të tij,
          dhe përmbushjen e numrit të tij.


23     Kështu e përcollëm me lamtumirën e atij
     që kur ikën na lëndon,
     kur niset na mbush me zymti e vetmi,
     dhe atij që i kemi borxh
          një hak të mirëruajtur,
          një pashkelshmëri të respektuar,
          dhe një të drejtë të zbatuar.
     I themi:
          Paqe pastë me ty,
               O më i madhi muaj i Allahut!
               O festë e eulijave të Tij!


24          Paqe pastë me ty,
               O më fisniku i kohëve shoqëruese!
               O më i miri muaj në ditë dhe orë!


25           Paqe pastë me ty,
               muaj në të cilin
                    pritshmëritë përqasen
                    dhe mirësitë shpërndahen!


26          Paqe pastë me ty,
               shok
                    vlerëshumë kur gjehet
                    dhe mundues nga mungesa kur humbet,
               mik i mirëpritur
                    që kur niset pikëllon!


27          Paqe pastë me ty,
               familjar
                    që solle rehati kur erdhe,
                         duke gëzuar,
                    që le vetmi kur ike,
                         duke sjellë brengosje!


28          Paqe pastë me ty,
               fqi tek i cili
                    zemrat zbuten
                    dhe mëkatet pakohen!


29          Paqe pastë me ty,
               ndihmues
                    që ndihmove kundër Shejtanit,
               shoqërues
                    që lehtësove shtigjet e mirëbërjes!


30          Paqe pastë me ty -
               Sa shumë u bënë njerëz të lirë të Zotit gjatë teje!
               Sa të lumtur ata që ta dhanë respektin e merituar!


31          Paqe pastë me ty -
                         Sa shumë mëkate fshive!
                         Sa shumë lloje gabimesh mbulove!


32          Paqe pastë me ty -
                         Sa i zgjatur ishe për gjynahqarët!
                         Sa i mrekullueshëm ishe në zemrat e besimtarëve!


33          Paqe pastë me ty,
                         muaj me të cilin nuk garon asnjë ditë!


34          Paqe pastë me ty,
                         muaj që është paqe në të gjitha çështjet!


35          Paqe pastë me ty,
                         shoqëria e të cilit nuk mospëlqehet,
                         ndenja miqësore me të cilin nuk qortohet!


36          Paqe pastë me ty,
                         ashtu siç na ke hyre me bekime
                         e na ke pastruar nga ndotja e shkeljeve!


37          Paqe pastë me ty -
                         ty nuk të jepet lamtumirë me mërzi
                         e as nuk lë agjërimi yt në shterrim!


38          Paqe pastë me ty,
                         objekt kërkimi përpara ardhjes,
                         objekt pikëllimi përpara ikjes!


39          Paqe pastë me ty -
                         Sa të këqija na u larguan përmes teje!
                         Sa të mira na mbuluan për shkakun tënd!


40          Paqe pastë me ty
                         dhe Natën e Vendimit
                         që është {më e mirë se njëmijë muaj}!


41          Paqe pastë me ty -
                         Sa shumë të pritëm dje!
                         Sa mall për ty do kemi nesër!


42          Paqe pastë me ty
               dhe begatinë tënde
               që tani na është ndaluar
                    si dhe bekimet e tuaja që kaluan
                    e që tani na janë shkëputur!


43     O Allah,
               ne jemi ummeti i këtij muaji.
          Përmes tij na ke fisnikëruar
          e na ke dhënë sukses
               falë mirësisë Tënde,
          ndërsa mjeranët nuk dinë asgjë për kohën e tij.
          Haram u është atyre begatia e tij
               përshkak të mjerisë së tyre.


44     Ti je zotëruesi
          i dijes së tij, me të cilën na ke preferuar
          dhe i adhurimeve të tij, në të cilat na ke udhëzuar.
     Ne e ndërmorëm, përmes suksesit që na dhe,
          agjërimin dhe qëndrimin në namaz gjatë tij,
          por me të meta,
          dhe duke bërë pak nga shumë.


45     O Zot,
     Ty pra Të takon lavdërimi,
          në pranimin e keqbërjes
          dhe rrëfimin e mospërfilljes,
     dhe Ty të takon
          pendesa e thurur fort në zemrat tona
          dhe kërkimfalja e mërmëritur sinqerisht nga gjuhët tona.
     Shpërblena,
          megjithë neglizhimin që na kaploi në këtë muaj,
          me një shpërblim përmes të cilit
               të mund të arrijmë begatinë e dëshiruar prej tij
               dhe të fitojmë larminë e depove të tij të lakmuara!


46     Na e bëj të detyrueshme faljen Tënde
          pse nuk Ta dhamë hakun këtë muaj
     dhe bëji jetët tona që shtrihen përpara
          ta arrijnë muajin e ardhshëm të Ramazanit!
     Kur të na e kesh mundësuar ta arrijmë,
          ndihmona në kryerjen e adhurimit për të cilin je i denjë,
          bëj ta ndërmarrim bindjen që Ti meriton,
          e dhurona vepra të mira
               që të mund të Ta përmbushim hakun
               në këta dy muaj të muajve të kohës.


47     O Allah,
     sa për mëkatet e mëdha dhe të vogla
          që kemi kryer në këtë muaj tonin,
     gabimet në të cilat kemi rënë,
     dhe shkeljet që kemi bërë
          me qëllim apo në harresë,
          duke i bërë zullum vetvetes
          ose dhunuar nderimin e duhur ndaj të tjerëve,
     bekoje Muhammedin dhe Pasardhjen e tij,
               mbulona me mbulimin Tënd,
     falna me faljen Tënde,
     mos na vendos para syve të inaçorëve për shkak të saj,
               mos i zgjat ndaj nesh gjuhët e përfolësve,
     dhe përfshina në atë që do na çlirojë dhe shlyejë
          çfarëdo që s′ke miratuar tek ne gjatë tij,
          përmes mëshirës Tënde që nuk soset
          dhe begatisë Tënde që nuk pakësohet!


48     O Allah,
     bekoje Muhammedin dhe Pasardhjen e Tij,
     rivishna me të qenit të sprovuar nga muaji ynë,
     bekona në këtë ditë të bajramit dhe ndërprerjes së agjërimit,
     bëje atë nga ditët më të mira që na kanë kaluar,
          më e madhja në tërheqjen e faljes Tënde,
          dhe më fshirësja ndaj mëkateve tona,
          e na i fal gjynahet - të fshehta dhe të hapta!


49     O Allah,
     me kalimin e këtij muaji
          na bëj t′i kapërcejmë shkeljet tona,
     me nisjen e tij
          na bëj të nisemi nga veprat tona të këqija,
     dhe caktona gjatë tij mes njerëzve më të lumtur,
          më të begatët në pjesë,
          dhe më të plotët në rrizk!


55     O Allah,
          kur dikush e kalon këtë muaj siç duhet kaluar,
     e ruan pashkelshmërinë e tij siç duhet ruajtur,
          i mban kufizimet e tij siç duhen mbajtur,
     i druhet gabimeve në të siç duhet druajtur,
     ose kërkon afrinë Tënde me ndonjë akt afrim-kërkimi
          që e bën të detyrueshme mbi të kënaqësinë Tënde të mirë
          dhe e shtrin drejt tij mëshirën Tënde,
     jepna si ajo nga pasuria Jote
          e dhuroje mbi ne shumëfish përmes begatisë Tënde,
     sepse begatia Jote nuk pakësohet,
          thesaret Tuaja nuk sosen por vërshojnë,
          minierat Tuaja të bamirësisë nuk shterohen
          e dhurimi Yt është plot kënaqësi!


51     O Allah,
     bekoje Muhammedin dhe Pasardhjen e tij
     dhe shkruaj për ne shpërblimet
          e atij që ka agjëruar në të
          ose që Të ka adhuruar gjatë tij
               deri në Ditën e Ringjalljes!


52     O Allah,
     ne Të pendohemi në ditën tonë të ndërprerjes së agjërimit,
          që ua ke caktuar
               besimtarëve
                    festim dhe gëzim
               e për ummetin e besimit Tënd
                    kohë për mbledhje dhe tubim,
          nga çdo shkelje që kryem,
               vepër të keqe që dërguam,
               apo mendimi të lig që fshehëm,
     me pendimin e atij që nuk synon kthim në mëkat
          dhe që nuk do t′i kthehet shkeljes më pas,
     një pendim të patundshëm larg dyshimit dhe lëkundjes.
     Pranoje pra nga ne,
          kënaqu me ne,
          dhe ngulitna në të!


53     O Allah,
     pajisna me frikë nga dënimi i kërcënuar
          dhe mall për shpërblimin e premtuar,
     që ta gjejmë
          kënaqësinë e asaj për të cilën Të përgjërohemi
          dhe pikëllimin e asaj nga e cila Të kërkojmë strehë!


54     Dhe vendosna me Ty mes pendestarëve,
          që ua ke bërë dashurinë Tënde detyrim
          dhe të cilëve ua ke pranuar
               kthimin në bindjen ndaj Teje!
          O Më i Drejti i të drejtëve!


55     O Allah,
     trego durim ndaj etërve dhe nënave tona
          dhe tërë njerëzve të fesë sonë,
               atyre që kanë kaluar dhe atyre që do të vijnë,
               gjer në Ditën e Kijametit!


56     O Allah,
     bekoje pejgamberin tonë Muhammed dhe Pasardhjen e tij,
          siç i ke bekuar melekët e Tu të afruar,
     bekoje atë dhe pasardhjen e tij,
          siç i ke bekuar profetët e Tu të nisur,
     bekoje atë dhe pasardhjen e tij,
          siç i ke bekuar shërbëtorët e Tu të mirë
          dhe edhe më mirë se kaq, O Zot i botërave! -
      një bekim, bereqeti i të cilit të na mbërrijë,
          përfitimi i të cilit të na vijë,
          dhe përmes të cilit lutja jonë të përmbushet!
     Ti je më bujari i atyre që u përgjërohet,
          më mjaftuesi i atyre në të cilët ka besim,
          më dhuruesi prej atyre që u kërkohet begati,
          Ti je i fuqishëm mbi çdo gjë!


                         Shqipëroi: Edin Q. Lohja
                         9 Tetor 2006/16 Ramazan 1427.

 

copyright © dielli.net. All rights reserved.
Tekstet e prezentuara domosdoshmërisht nuk përfaqësojnë politikën e redaksisë të dielli.net!