Ligjërata e Pejgamberit të Bekuar në Xhumanë e Fundit të Shabanit
23 Shtator 2006

Dijetari i shquar imamī Shejh es-Saduk ka shkruar në veprën e tij el-Amali, ff. 84-85 se:

Muhammed ibn Ibrahimi transmeton nga Ahmed ibn Muhammed el-Hamadani se ‘Ali ibn el-Hasan ibn Fadali ka cituar babain e tij që përcjell nga i ati, Imam ‘Ali ibn Musa el-Rida (paqe pastë mbi të), i cili nga ana e vet citon të atin, Imam Musa ibn Xha‘ferin (paqe pastë mbi të), që transmeton nga Prijësi i Shehidëve, Imam Husein ibn ‘Ali ibn Ebi Talibi, i cili ka treguar se i Dërguari i Allahut (bekime dhe paqe pastë mbi të) mbajti një herë një hytbe në xhumanë e fundit të muajit Shaban, në të cilën tha:

O njerëz! Po ju vjen një muaj plot begati, mëshirë dhe falje; një muaj të cilin Allahu e konsideron më të mirin e të gjithë muajve. Ditët e tij janë ditët më të mira; netët e tij janë netët më të mira; orët e tij janë orët më të mira. Ai është një muaj ku ftoheni të jeni mysafirët e Allahut dhe konsideroheni të denjë për mirësinë e Tij. Frymëmarrja juaj në të e madhëron Allahun dhe gjumi juaj e adhuron Atë. Ibadetet tuaja vullnetare pranohen dhe lutjet tuaja dëgjohen. Kërkojini pra Allahut, Zotit tuaj, me nijet të sinqertë dhe zemër të pastër, që t’jua mundësojë në të agjërimin dhe leximin e Librit të Tij, sepse vetëm një mjeran privohet nga mëshira e Allahut në këtë muaj të madh. Dhe le t’jua kujtojnë uria dhe etja juaj gjatë tij, urinë dhe etjen e Ditës së Gjykimit. Jepuni lëmoshë të skamurve dhe të pastrehëve mes jush; rrethojini të vjetrit me respekt dhe jini të butë ndaj të rinjve. Vizitojini të afërmit, ruajini gjuhët tuaja dhe mos e shikoni atë që Allahu jua ka ndaluar dhe mos dëgjoni asgjë të ndaluar për veshët tuaj. Jini të mirë ndaj jetimëve të të tjerëve që edhe jetimët tuaj të marrin mirësi. Pendojuni Allahut për mëkatet tuaja dhe ngrijini duart drejt Tij në përgjërim gjatë lutjeve tuaja, sepse ato janë kohët më të mira, në të cilat Allahu i shikon robërit e Vet me mëshirë dhe u përgjigjet du’ave të tyre kur ata i luten.

O njerëz! Shpirtrat tuaj janë pengje të veprave tuaja; ndaj, lirojini ato duke kërkuar faljen e Allahut. Kurrizet tuaja janë rënduar me peshën e mëkateve tuaja; ndaj, lehtësojuani barrat duke i zgjatur sexhdet tuaja. Ta dini se Allahu i Lartë dhe Fuqiplotë është betuar në Dinjitetin e Tij se nuk do t’i torturojë ata që e falin namazin dhe i përulen Atij, dhe se nuk do t’i tmerrojë ata me pamjen e Zjarrit kur të ringjallen për t’u gjykuar.

O njerëz! Kushdo nga ju që i shtron iftar një besimtari në këtë muaj do të ketë shpërblimin e atij që liron një rob dhe të gjitha mëkatet e kaluara do t’i falen.

Pastaj, dikush i tha: “O i Dërguari i Allahut! Asnjë nga ne s’mund ta bëjë këtë!”

Atëherë, ai (paqe e bekime pastë mbi të) u përgjigj:

Largojeni zjarrin e skëterrës edhe me një hurmë të vetme! Largojeni zjarrin e skëterrës edhe me një gllënkë ujë!

O njerëz! Cilido nga ju që e përmirëson sjelljen e vet gjatë këtij muaji do të ketë kalim të sigurt mbi Sirat-i Mustakim, kur shumë këmbë do të rrëshqasin; dhe cilido nga ju që ia pakëson ngarkesën shërbëtorit (ose punëtorit) të vet do të shpërblehet nga Allahu me ulje në llogaridhënie. Kushdo nga ju që përmbahet nga të lënduarit e tjetrit do të kursehet nga zemërimi i Fuqiplotit kur të takohet me Atë. Cilido nga ju që i ofron bujari një jetimi do të shpërblehet me bujari të Allahut ndaj tij në Ditën e Gjykimit. Kushdo nga ju që i përmirëson lidhjet me të afërmit do të shpërblehet nga Allahu duke e përfshirë atë në mëshirën e Tij; dhe cilido nga ju që i keqëson lidhjet farefisnore, Allahu do ta tërheqë mëshirën e Vet prej tij kur Ta takojë. Për këdo nga ju që fal namaze vullnetare, Allahu do të urdhërojë mbrojtje nga tmerri i zjarrit. Cilido nga ju që kryen një obligim, do të marrë shpërblimin e atij që ka kryer shtatëdhjetë obligime në muajt e tjerë. Kushdo nga ju që i shton salavatet mbi mua, Allahu do bëjë që shigjeta e veprave të tij të mira të rëndojë shumë, kur peshoret të jenë të lehta. Cilido nga ju që reciton një varg kur’anor do të marrë bekimet e atij që reciton krejt Kur’anin në një muaj tjetër.

O njerëz! Portat e xhennetit në këtë muaj janë të hapura kapak, ndaj lutjuni Allahut - Zotit tuaj të mos jua mbyllë ato; dhe portat e xhehenemit janë të kyçura, ndaj lutjuni Allahut - Zotit tuaj që të mos i hapë ato për ju; dhe djajtë janë të prangosur, ndaj lutjuni Allahut të mos i lëshojë ata ndaj jush!”

 

copyright © dielli.net. All rights reserved.
Tekstet e prezentuara domosdoshmërisht nuk përfaqësojnë politikën e redaksisë të dielli.net!