Haxhi i Lamtumirës
Sejjid Husein Nasr
13 Tetor 2006

Aty nga fundi i vitit 10 H. Profeti i Bekuar vendosi të bënte haxhxhin e parë plotësisht islam në Mekë, në të cilin muslimanët do të ishin të pranishëm në Shtëpinë e Zotit dhe në rrethinat e saj sipas praktikës së ndjekur që atëherë. Ky pelegrinazh, që e përcaktoi haxhxhin si një institucion të pastër islam, qe destinuar gjithashtu të ishte “Haxhxhi i Lamtumirës”. Ai shënoi arritjen përfundimtare të karrierës së pashoqe të krijesës më të përsosur të Zotit. Thelbi i ligjëratës së paharrueshme të Profetit të Bekuar me këtë rast, që ka ushtuar nëpër zemrat dhe mendjet e muslimanëve ndër kohëra, përmbahet në këto vargje të famshme kur’anore, të cilat gjithashtu i kanë dhënë emrin Islam fesë së sjellë nga Muhammed ibn ‘Abdullāhi - paqe e bekime pastë mbi të.

 

{Tashmë ata që mohuan e kanë humbur shpresën për (ta lënduar ndonjëherë) fenë tuaj, ndaj mos iu frikësoni atyre, por Mua! Sot përsosa fenë tuaj për ju dhe i plotësova favoret e Mia ndaj jush e zgjodha për ju si fe ISLAMIN} (V: 3).

 

Fjalimet e mbajtura nga Profeti i Bekuar gjatë “Haxhxhit të Lamtumirës” kishin të gjitha një gojëtari e bukuri të madhe, duke i përmbledhur mësimet e Islamit dhe Sunne-tin e tij, të cilin ai do ia linte porosi bashkësisë islame. Kjo është ndoshta më e paharruara e ligjëratave, e mbajtur më 9 Dhu’l-Hixhxheh të vitit 10 H., afër fundit të ceremonive të “Haxhxhit të Lamtumirës”, në ‘Arafāt:

 

Lavdet janë për Allahun. Ne e madhërojmë Atë, kërkojmë ndihmën dhe faljen e Tij; dhe i kthehemi Atij. Kërkojmë strehim tek Allahu nga të këqijat e vetes sonë dhe pasojat negative të veprimeve tona. S’ka kush e shmang atë që Allahu e ka udhëzuar në të drejtë dhe s’ka kush e udhëzon atë që Ai e ka shmangur. Dëshmoj se nuk ka zot përveç Allahut, që është i Vetëm e i Pashoq dhe dëshmoj se Muhammedi është shërbëtori dhe i dërguari i Tij. Ju këshilloj, o robër të Allahut, t’i frikësoheni Allahut dhe ju nxis t’i bindeni Atij dhe e hap fjalën me atë që është e mirë.

Tani duke vazhduar, o njerëz, më dëgjoni; do t’ju kumtoj një mesazh. Sepse nuk e di nëse do të kem rastin për t’ju takuar ndonjëherë në këtë vend, pas këtij viti.

O njerëz, padyshim që gjaku juaj, prona juaj dhe nderi juaj janë të shenjtë e të padhunueshëm deri kur të shfaqeni përpara Zotit tuaj, porsi shenjtëria e kësaj dite tuaj, në këtë qytet tuajin. Vërtet, do ta takoni Zotin tuaj dhe Ai do t’ju pyesë për veprimet tuaja. Pa shihni, a e përcolla mesazhin? O Allah, dëshmo.

Prandaj ai që mban me vete ndonjë amanet, duhet t’ia rikthejë personit që ia ka lënë atë.

Bëni kujdes; askush nuk është përgjegjës për kryerjen e një krimi përveç atij që e bën atë. Asnjë bir nuk përgjigjet për krimin e të atit dhe as babai nuk përgjigjet për krimin e të birit.

Vini re, o njerëz, dëgjojini fjalët e mia dhe kuptojini ato! Duhet ta dini se muslimani është vëllai i muslimanit dhe muslimanët janë një vëllazëri. Asgjë nga përkatësitë e të vëllait nuk është hallall për muslimanin, përveç asaj që ai ia lejon vetë. Prandaj, nuk duhet t’i bëni padrejtësi vetes. O Allah, a e përcolla mesazhin?

Dëgjoni, gjithçka nga xhāhilijje-ti është nën këmbët e mia. Gjakmarrjet e Kohës së Injorancës hiqen. Vërtet, gjakmarrja e parë që po anulloj është gjakmarrja e Ibn Rabī’eh ibn Hārithit të rritur në fisin e Sa‘dit, që u vra nga Hudheili. Kamata e Kohës së Injorancës hiqet. Por do të merrni kapitalin tuaj. Mos bëni zullum se nuk do ju bëhet zullum. Allahu ka urdhëruar se nuk ka kamatë. Kamata e parë që po anulloj është e ‘Abbās ibn ‘Abdul-Muttalibit. Vërtet, ajo anullohet krejtësisht.

O njerëz, kijeni frikë Allahun lidhur me gratë tuaja. Ju i keni marrë në amanet nga Zoti dhe ju janë bërë të lejuara pjesët e tyre intime me fjalën e Zotit. Pa dyshim që ju janë dhënë disa të drejta mbi gratë tuaja dhe grave tuaja disa të drejta mbi ju. E drejta juaj mbi to është se ato nuk duhet të lejojnë askënd që ju nuk e pëlqeni të shkelë shtretërit tuaj, dhe ato s’duhet të lejojnë askënd që ju nuk doni në shtëpitë tuaja. Nëse kryejnë një veprim të tillë, atëherë Allahu ju lejon t’i qortoni, t’i mbani të veçuara në shtretër dhe t’i rrahni, por jo rëndë. Nëse heqin dorë, ato duhet të marrin furnizim dhe veshje të drejtë nga ju.

Kujdes, merreni me butësi rekomandimin e dhënë për gratë. Sepse ato janë ndihmëse për ju. Ato nuk zotërojnë asgjë për vete dhe ju s’mund të keni prej tyre më tepër se aq. Nëse ju binden kësisoj, atëherë nuk duhet t’i trajtoni padrejtësisht. Pa shihni, a e përcolla? O Allah, dëshmo.

O njerëz, dëgjoni e binduni edhe nëse një skllav i gjymtuar abisinas bëhet sundimtari juaj, që ekzekuton Librin e Allahut mes jush. O njerëz, padyshim Allahu ia ka caktuar gjithkujt hakun e vet. Nuk i vlen testamenti asnjë trashëguesi dhe nuk lejohet testament (wasijet) për më shumë se një të tretën (e pronës).

Fëmija i takon shtratit (martesor) dhe për kurorëshkelësin është gurëzimi. Ai që ia mvesh gjenealogjinë një tjetri përveç të atit ose pretendon përkatësi ndaj tjetërkujt veç të zotit, mallkimi i Allahut, i engjëjve dhe i njerëzve - i të gjithë atyre - qoftë mbi të. Allahu nuk do të pranojë prej tij as pendim, as vepra të mira.

O njerëz, padyshim Shejtani është i zhgënjyer nga të qenit i adhuruar ndonjëherë në këtë tokë tuajën. Por ai është i kënaqur që t’i bindeni në çështje të tjera që ju i mendoni si vogëlsira nga veprimet tuaja. Prandaj ruajuni atij në fenë tuaj.

Vërtet, kam lënë pas në mesin tuaj atë që, nëse kapeni pas saj, nuk do të shmangeni kurrë më pas - diçka të spikatur: Librin e Allahut dhe Sunne-tin e të Dërguarit të Tij.

O njerëz, Xhibra’īli më erdhi me selām nga Zoti im dhe tha: ‘Vërtet, Allahu Fuqiplotë e i Madhërishëm ua ka falur të metat njerëzve të ‘Arafātit dhe të Faltores.

‘Umer ibn el-Khattābi u ngrit dhe tha: ‘O i Dërguari i Allahut, a vetëm neve?’ Ai u përgjigj: ‘Juve dhe atyre që do të vijnë pas jush deri në Ditën e Ringjalljes.’

Dhe kur të pyeteni për mua, çfarë do të thoni?’ Ata u përgjigjën: ‘Dëshmojmë se e ke përcjellë mesazhin, kryer përgjegjësinë dhe tërhequr vërejtjen.’

Atëherë ai tha, duke ngritur gishtin e unazës drejt qiellit dhe duke ua treguar njerëzve: ‘O Allah, dëshmo; O Allah, dëshmo; O Allah, dëshmo.’ *

 

Gjatë kthimit nga Meka për në Medine ndodhi një ngjarje madhore në Ghadīr Khumm, pranë një pellgu me ujë - një incident ky, që e ka ndikuar historinë e Islamit deri sot e kësaj dite. Ishte pikërisht në këtë vend që, sipas një pjese të muslimanëve të quajtur “mbështetësit e ‘Alīut” (shī‘atu ‘Alī) dhe më vonë të njohur si shī‘itët, Profeti i Bekuar e zgjodhi ‘Alīun si zëvendësin dhe trashëguesin e tij. Edhe burimet sunnite e tregojnë ngjarjen e Ghadīr Khummit, por natyrisht e interpretojnë atë në një mënyrë tjetër. Për ta, lavdërimi i ‘Alīut nga Profeti i Bekuar edhe si “trashëgimtari” i tij nuk donte të thoshte zëvendësim politik në mënyrën siç do ta kuptonin më vonë çështjen juristët sunni. Gjithsesi, ky incident është ngjarja historike që simbolizon dhe gjithashtu kristalizon perspektivat e ndryshme të sunnizmit dhe shī‘izmit, madje edhe gjatë jetës së Profetit të Bekuar dhe në njëfarë kuptimi shpalos së jashtmi atë që ekzistonte që më përpara në shpirtin e themeluesit të fesë. Sepse pa dyshim, këto dy interpretime madhore të Islamit - që të dyja ortodokse dhe të vendosura nga duart e Providencës brenda shpalljes islame, për të integruar mentalitete dhe lloje të ndryshme në perspektivën njësuese të Islamit - pasqyrojnë dy dimensione përbrenda shpirtit të Profetit të Bekuar dhe ishin reflektuar te shokët e tij më të ngushtë. Asnjë fe që është e destinuar të përfshijë shumë kombe dhe popuj nuk mund të kufizohet në vetëm një interpretim. Uniformiteti nuk është unitet, por antiteza e tij. Megjithë luftërat dhe tensionet historike, uniteti i Islamit nuk u shkatërrua më shumë nga divergjenca sunni-shī‘ī sesa nga katër shkollat sunnite të ligjit. Megjithatë, ky unitet kërcënohet sot nga depërtimi i modernizmit në të gjitha format e tij, përfshi fanatizmin fetar sipas modeleve të huaja dhe manipulimin e dallimeve sunnite-shī‘ite nga forcat politike ndërkombëtare, e jo nga interpretimet e Ghadīr Khummit që shënon kristalizimin e jashtëm të dallimeve sunnite-shī‘ite [dhe] i cili vetëm e shpalosi së jashtmi, në çastin providencial, atë që ishte shkruar ta manifestonte veten përmes ecurisë së historisë islame.

Sidoqoftë, më poshtë vijon tregimi i ngjarjes së Ghadīr Khummit dhe i ligjëratës së famshme të Profetit të Bekuar, sipas një burimi tradicional shī‘ī:

 

Kur ceremonitë e haxhxhit përfunduan, Profeti (paqe pastë mbi të dhe pasardhësit e tij), i ndjekur nga ‘Alīu dhe muslimanët, u nisën për në Mekë. Para se të mbërrinin në Medine, ai u ndal, edhe pse ai vend nuk kishte qenë kurrë vendndalesë për karvanet, sepse nuk kishte as ujë, as gjelbërim. Arsyeja e fushimit në një vend të tillë ishte se vargjet e ndritura të Kur’anit i zbritën fuqishëm, duke e urdhëruar që ta vendoste ‘Alīun në kalifat. Ai kishte marrë më parë shpallje në po këtë drejtim, por jo që ta kishin përcaktuar shprehimisht kohën e kurorëzimit të ‘Alīut, kurorëzim të cilin pra, ai e kishte shtyrë që të mos nxitej ndonjë kundërvënie dhe disa të braktisnin fenë. Sikur turma e haxhinjve ta kishte kaluar Ghadīr Khumin, ata do të ishin shpërndarë nëpër vendet e tyre të ndryshme; prandaj Zoti i botërave dëshiroi që ata të mblidheshin në këtë vend, në mënyrë që të gjithë ta dëgjonin se ç’do t’i thuhej prijësit të besimtarëve dhe që dëshmia për çështjen në fjalë të ishte e plotë, e që asnjë musliman të mos kishte ndonjë shfajësim për të mos e dëgjuar emërimin. Ky ishte mesazhi nga Më i Larti: {O i Dërguar, kumtoje atë që t’u zbrit nga Zoti yt, sepse nëse nuk e bën, nuk do ta kesh kumtuar aspak shpalljen; dhe Zoti do të të mbrojë nga njerëzit, sepse Zoti nuk e udhëzon popullin mohues} (V: 67) Duke u urdhëruar kështu prerazi për ta caktuar ‘Alīun si zëvëndësin e tij dhe duke u kërcënuar me dënim nëse e shtynte, kur Vetë Zoti ishte bërë siguruesi i tij, Profeti ndaloi në këtë vend të pazakontë dhe muslimanët zbritën rreth tij.

Meqenëse dita ishte shumë e nxehtë, ai i urdhëroi ata të strehoheshin nën disa pemë me gjemba. Pasi u kërkoi që samaret e deveve të grumbulloheshin për të bërë një minber, ai urdhëroi muezinin e vet t’i thërriste njerëzit rreth tij. Shumica prej tyre i kishin hedhur pelerinat mbi këmbë për t’u mbrojtur nga të nxehtit e madh. Kur u mblodhën të gjithë, Pejgamberi u ngjit në minberin prej samareve dhe, duke e thirrur pranë vetes prijësin e besimtarëve, e vuri atë në të djathtë. Muhammedi - paqe e bekime pastë mbi të dhe familjen e tij - i shprehu falënderimin Allahut dhe atëherë u drejtoi njerëzve një ligjëratë elokuente, në të cilën parashikoi vdekjen e vet dhe tha: ‘Jam thirrur te porta e Zotit dhe është afruar koha kur do të nisem për te Zoti, fshehur qoftë prej jush, dhe për t’i dhënë lamtumirën kësaj bote të pavlerë. Po lë mes jush dy gjëra, të cilave po t’u përmbaheni nuk do të devijoni kurrë: Librin e Allahut dhe pjesëtarët e familjes sime (Ehlu’l-Bejtin), që nuk do të ndahen nga Libri i Allahut gjersa të takohen me mua te bazeni i Keutherit.’ Atëherë, me një zë të lartë, ai pyeti, ‘A nuk kam më tepër autoritet mbi ju sesa vetë ju?’ dhe njerëzit pohuan. Pastaj, ai mori dorën e ‘Alīut dhe e ngriti aq lart, saqë iu duk e bardha e sqetullës dhe tha: ‘Kujtdo që më merr mua për mawla-in [mbikëqyrësin, kujdestarin, prijësin] e tij, ‘Alīu i është mawla. O Zot, bëhu mik i atij që e miqëson ‘Alīun dhe bëhu armiku i tërë armiqve të tij; ndihmoji ata që e ndihmojnë atë dhe braktisi ata që e braktisin atë.’

Ishte gati mesditë dhe pjesa më e nxehtë e ditës, dhe Pejgamberi zbriti nga minberi e fali dy rekate derisa hyri dreka e me t’u thirrur ezani, Pejgamberi dhe muslimanët falën drekën, me ç’rast ai shkoi në çadrën e vet, përbri së cilës urdhëroi të ngrihej një çadër për prijësin e besimtarëve. Kur ‘Alīu u ul në çadër, Profeti i Bekuar i urdhëroi muslimanët, grupe-grupe, të prisnin ‘Alīun, ta uronin për ngjitjen në Imamet dhe ta përshëndesnin me fjalën emīr (prijës) dhe mbret i besimtarëve. E gjithë kjo u bë si nga gratë ashtu edhe nga burrat, ku askush s’dukej më i gëzuar për emërimin e ‘Alīut sesa ‘Umeri...

“Hadīthet që po ndjekim tani pohojnë se Profeti i Bekuar urdhëroi të ndërtohej këtu [në Ghadīr Khumm] një minber me gurë, në të cilin ai u ngjit dhe tha, ‘Zoti është i denjë për falënderim dhe madhërim, duke qenë i Lartësuar në Njëshmërinë e Tij dhe i Lavdishëm në sovranitet; madhështia e Tij i është shpalosur të gjitha krijesave të Tija, gjithdija e Tij shtrihet mbi çdogjë dhe plotfuqia e Tij sundon mbi të tërë. Ai është përjetë Zot i madhërisë së Tij dhe i denjë për çdo lavdërim e adhurim. Ai i krijoi qiejt e lartë dhe shtroi tokat e ulëta. Ai është më i shenjti dhe pafundësisht i pastri nga çdo e metë, Zoti i engjëjve dhe i Shpirtit (rūh). Ai është bujar ndaj të gjitha krijesave të Tija dhe u dhuron mirësi të gjithë atyre që i afron në portën e pendesës së Tij. Ai i sheh të gjithë sytë, por ato s’e shohin dot. Ai i furnizon mëshirshëm krijesat e Tij dhe është Zoti i dijes e i dinjitetit. Mëshira e Tij shtrihet mbi gjithçka dhe çdo gjë i detyrohet mirësisë së Tij. Ai dënon sipas drejtësisë. Hakmarrja e Tij nuk nxiton dhe Ai ndëshkon me më pak se ç’meritohet. Ai i njeh të fshehtat e të gjitha zemrave dhe prej Tij asgjë nuk është e fshehur. Atij asgjë nuk i është sekret ose e dyshimtë. Ai përfshin të gjitha gjërat dhe është Fuqiplotë mbi të gjithë. Asgjë nuk i ngjan Atij. Ai krijoi gjithçka kur nuk kishte akoma asgjë. Ai është i përjetshëm e i pasosur. Ai sundon me drejtësi ndër njerëz. Nuk ka Zot përveç Tij. Ai është i plotfuqishëm me hak për të ekzekutuar çfarëdo që të deklarojë dhe të gjitha veprat e Tij janë me urti. Ai di çdo çështje të imët që bëhet dhe është Krijuesi i thërmijave më të vogla. Në atë që është e dukshme dhe e qartë është e pamundur të përshkruhet madje edhe një pjesë nga përsosja që Ai shpalos. Mënyra e Tij e të qenit është e panjohur dhe rreth mistereve të Tij nuk njihet asgjë, përveç asaj që Ai shpall. I dëshmoj njerëzimit, pasha natyrën e Tij të shenjtë, se Ai është Zoti përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër dhe asnjë qenie tjetër s’është e denjë për t’u adhuruar. Ai e ka mbushur botën me shpalosjet e shenjtërisë, kullueshmërisë, dritës dhe pranisë së Tij e që nga përjetësia në përjetësi Ai i ndriçon të gjithë. Ai është Zoti, që ekzekuton vendimet e Veta pa këshillën e asnjë qenieje inteligjente dhe nuk ka shok në urdhërimin e veprave të Tija, as kundërshti në këshillat e Tija. Ai i krijoi të gjitha gjërat pa ndonjë model dhe i solli në ekzistencë pa u trazuar lidhur me të. Ai e krijoi njeriun nga mosekzistenca dhe përveç Tij nuk ka Krijues. Ai i vendosi fuqimisht veprat e Tij dhe i dhuntisi me peshqeshe krijesat e Veta. Ai është i Drejti, që nuk shtyp kurrë dhe më i Mëshirshmi, tek i Cili kthehen të gjitha gjërat. Dëshmoj se Ai i nënshtron të gjitha gjërat para madhërisë së Vet me anë të madhështisë së Tij të jashtëzakonshme. Ai është Mbreti universal, i Cili ndërtoi qiejt dhe e udhëzon diellin e hënën për të mirën e krijesave të Tij, trupat e të cilëve do të rrotullohen deri në një kohë të caktuar. Ai ul perden e natës mbi faqen e ditës dhe perden e ditës mbi faqen e natës. Ai është dërrmuesi i çdo armiku dhe shkatërruesi i çdo djalli.

Asgjë nuk përkon me Atë dhe nuk është si Ai. Ai është Një, Zoti i të gjitha krijesave, i Vetmi të Cilit mund t’i drejtohen në nevojat e tyre. Ai as nuk është atësor e as birësor në natyrën e Tij dhe nuk i nënshtrohet rastësisë. Ai adhurohet në Njëshmërinë e Tij dhe është Zoti i madhërishëm. Ai synon e vepron; dëshiron e pastaj urdhëron dhe njeh e numëron të gjitha gjërat. Ai bën të vdesë dhe pas vdekjes rikthen në jetë. Ai pasuron dhe varfëron. Ai bën të qeshet dhe të qahet. Ai afron dhe largon. Nganjëherë ndalon dhe nganjëherë lejon. Sovraniteti është privilegji i Tij i veçantë. Ai është i denjë për adhurimin më të mirë. Gjithçka është në dorën e Tij dhe Ai është i Plotfuqishëm mbi të gjithë. Ai është ngadhënjyes dhe falës, Dëgjuesi i lutjes, Dhënësi i madh i mirësive. Ai numëron frymëmarrjet dhe është Ruajtësi i xhinnëve e i njerëzimit dhe asgjë nuk është e vështirë a e mundimshme për Atë e as që e lodhin Atë ngulmimet e kërkuesve. Ai është mbrojtësi i të mirëve dhe u dhuron të mira të përparuarve. Ai është Zoti i besimtarëve dhe ruajtësi i gjithësisë; Zoti të Cilit i takon falënderimi i të gjitha krijesave të Tija, si në kohën e begatisë së tyre, ashtu dhe në stinën e fatkeqësisë së tyre më të madhe.

Unë besoj në Atë dhe në engjëjt, librat dhe profetët e Tij. Unë i dëgjoj urdhrat e Tij, u bindem atyre, nxitoj për të bërë gjithçka që e kënaq Atë dhe pranoj çdo gjë që Ai dëshiron të dërgojë; e tillë është dëshira ime për të kryer urdhrin e Tij dhe e tillë është frika ime për hakmarrjen e Tij; sepse Ai është Zoti, prej zemërimit të të Cilit nuk ka strehim, ndonëse shtypja është e pamendueshme prej Tij. E mbaj veten shërbëtor të Tij. E deklaroj Atë si mbrojtësin Tim dhe shpall atë që Ai më ka kumtuar, i frikësuar se, po të mos e bëja, një ndëshkim i madh do të binte mbi mua, të cilin askush, sado i stërvitur në dredhi, nuk mund ta mënjanojë, sepse nuk ka Zot përveç Tij. Vërtet, Ai më ka shpallur se nëse nuk e kryej atë që më ka urdhëruar, nuk do t’i jem besnik profetësisë së Tij; padyshim, Ai më garanton siguri nga dëmi i njerëzve dhe është i aftë ta largojë ligësinë e tërë armiqve. Ai tregon mëshirë ndaj miqve të Tij.

Zoti, o njerëz, më ka shpallur një urdhër, të cilin nuk kam gabuar duke mos jua kumtuar deri më sot, e të cilin tani po jua komunikoj. Tri herë më ka vizituar Xhibra’īli me një përshëndetje nga Zoti im dhe më ka urdhëruar që duhet të ngrihem këtu dhe t’u deklaroj të gjithëve, të bardhë e të zinj, se ‘Alī ibn Ebī Tālibi është vëllai, trashëguesi, dhe zëvendësi im, si dhe udhëheqësi pas meje. Pozita dhe marrëdhënia e tij ndaj meje është si ajo e Harūnit ndaj Mūsait, vetëm se nuk do të ketë profet pas meje. Ai është ligjëruar mbi ju, me autoritetin për të komanduar, pas Zotit dhe profetit të Tij. Ky është kuptimi i ajetit, që më i Larti më ka shpallur në Kur’an: {Vërtet, kujdestari juaj është Zoti, dhe i Dërguari i Tij, dhe besimtarët që e falin namazin dhe e japin zekatin duke bërë ruku’} (V: 55)...

E di se i Lartësuari nuk do të jetë kënaqur përderisa të mos e kryej atë që më ka urdhëruar. Dijeni atëherë o njerëz, se Zoti i gjithësisë e ka caktuar ‘Alīun të jetë prijësi dhe sunduesi juaj, imami e udhëheqësi juaj dhe e ka bërë të bindurit ndaj tij të detyrueshëm për muhāxhirët dhe ensārët, qytetarët dhe beduinët, arabët dhe persianët, të lirët dhe robërit, të voglin e të madhin, të bardhin e të ziun, për të gjithë ata që e adhurojnë Zotin në Njëshmërinë e natyrës së Tij. Mbi të gjithë këta zgjatet autoriteti i ‘Alīut dhe mbërrijnë urdhrat e tij. Kushdo që nuk i bindet atij është i mallkuar dhe të gjithë ata që ia japin hakun bindjes ndaj tij do të gëzojnë mëshirën e Allahut. Dhe këdo që dëshmon për të vërtetën dhe të drejtat e tij, e dëgjon dhe i bindet atij, Zoti do ta falë.

O njerëz, kjo është hera e fundit që po rri në një tubim të tillë; atëherë dëgjojini fjalët e mia, bindjuni udhëzimeve të mia dhe pranojini urdhrat e Zotit tuaj. Vërtet, Zoti është Mbikëqyrësi i jetës suaj dhe Krijuesi juaj e pas Tij pejgamberi i Tij Muhammedi është mbikëqyrësi juaj, i fuqizuar për të drejtuar, për t’i udhërrëfyer këshillimet tuaja dhe deklaruar të nevojshmen. Pas meje, ‘Alīu është prijësi dhe udhëheqësi juaj, në ndjekjen e urdhëresave të Zotit të gjithësisë...” **

 

Versioni sunni i këtij episodi është sigurisht jo identik me atë shī‘ī por ka një mori referencash në literaturën sunnite të hadīth-it lidhur me marrëdhënien e veçantë të Profetit të Bekuar e ‘Alīut si dhe me ngjarjet e Ghadīr Khummit, të cilat sigurisht janë interpretuar në një mënyrë tjetër nga juristët sunni. Për shembull, i famshmi hadīth ul-menzīleh , ku Sa‘d ibn Ebī Wakkāsi tregon se Profeti i Bekuar iu drejtua ‘Alīut me fjalët: “A nuk je i kënaqur të jesh për mua siç ishte Hārūni për Mūsain, veçse se nuk do të ketë profet pas meje?” është parë të transmetohet në mëse njëqind versione nga burimet sunnite.

Përsa i përket vetë hadīth-it të Ghadīr Khumm-it, burime të tilla të mirënjohura si Sunen-et e Ibn Māxhes, Tirmidhīut dhe Musned-i i Ahmed ibn Hanbelit e përmendin atë në veçanti. Tek Ibn Māxheh (el-Mukaddimeh, bāb 11, hadīth nr. 116, vëll. I, Kairo, 1954) në një hadīth që i referohet ‘Alīut, Profeti i Bekuar thotë: “Dhe ai është mawlā-i i kujtdo që unë i jam mawlā.” Tek Tirmidhīu (Kitāb el-menākib, bāb 20, vëll. V, fq 633, Kairo, p.d.) dhe Ahmed ibn Hanbeli (vëll. I, ff. 1, 84, 118, 119, 152, 331 dhe vëll. IV, ff. 281, 327, 370; e madje edhe në mjaft vende të tjera, Beirut, p.d.) ky hadīth përsëritet në formën: “Kujtdo që unë i jam mawlā, vërtet ‘Alīu i është mawlā.”

Prandaj, çështja thelbësore nuk është vërtetësia e ngjarjes së Ghadīr Khumm-it apo zgjedhja e ‘Alīut si mawlā përpara bashkësisë islame, e konfirmuar nga aq shumë burime sunnite dhe shī‘ite, por domethënia e fjalës mawlā , e cila u kuptua në mënyra të ndryshme nga bashkësitë sunnite e shī‘ite, përkatësisht. Kjo fjalë vjen nga rrënja w-l-j në arabisht dhe termat walī e mawlā shfaqen në Kur’anin Fisnik, ku edhe janë interpretuar në mënyra të ndryshme nga komentues të ndryshëm. Termat e nxjerrë nga kjo rrënjë nënkuptojnë njëherësh mik, sundimtar, kujdestar e trashëgimtar dhe shumë koncepte të tjera kyç, që janë shtjelluar ndër shekuj nga mendimtarë islamë, ku termi welājeh/wilājeh është një nga më kompleksët në mendimin islam. Prandaj, s’ka dyshim se mawlā me siguri e përmban në të vërtetë kuptimin e kujdestarit dhe trashëgimtarit, por ajo nëse ai nënkupton edhe udhëheqës i bashkësisë në sensin politik si zëvëndës i Profetit të Bekuar apo jo është pika mbi të cilën nuk është rënë dakort gjatë caktimit të ‘Alīut si “zëvëndës” i tij.

Sot, ajo që ka rëndësi është krijimi i një mirëkuptimi më të thellë ndërmjet sunnive dhe shī‘itëve mbi bazën e fakteve historike të kuptuara tradicionalisht, por me interpretime të freskëta në drejtim të harmonisë mes të gjitha shkollave të mendimit islam dhe duke iu referuar vetë Profetit të Bekuar në qenien, mendimet dhe veprimet e të cilit u njësuan të gjitha shpalosjet e vërtetësishme të Islamit në një unitet që duhet t’u shërbejë si pikë referimi dhe model tërë brezave të muslimanëve e veçanërisht të sotmit, që ka aq shumë nevojë për bashkim. Sidoqoftë, Ghadīr Khummi mbetet një nga çastet më domethënëse të jetës së Profetit përsa i përket historisë së mëvonshme të bashkësisë islame.

Pas kësaj ngjarjeje madhore, Profeti i Bekuar u kthye në Medine duke i patur plotësuar detyrat e tija tokësore dhe prandaj, ndonëse dukej në shëndet të plotë e në fakt po përgatitej për një fushatë në veri dhe po kryente punët e shtetit, ai u rithirr te Zoti i tij. Ai u sëmur papritur, duke u kapluar nga ethet. Pas tri ditësh sëmundjeje të fortë ai kaloi në duart e Krijuesit, më 13 Rebī‘ ul-ewwel të vitit 10 H. duke lënë pas vetes një punë që ishte sa e qëndrueshme aq edhe madhështore. Me Vullnetin e Allahut, jetimi i gjorë i Mekës e kishte shndërruar përgjithmonë tërë historinë njerëzore. Trupi i tij tokësor u varros nga ‘Alīu, Fātimja dhe anëtarët e tjerë të familjes së tij në po atë shtëpi ku ai jetoi, ndërkohë që disa medinas po debatonin të ardhmen e bashkësisë islame në xhaminë aty pranë. Shpirti i tij i lartësuar u ngjit në qiellin më të lartë, te Prania Hyjnore, për të ruajtur dhe mbrojtur me Dëshirën e Allahut fazën e fundit të udhëtimit të karvanit të jetës së atij segmenti madhor të njerëzimit që është destinuar të ndjekë fenë e sjellë nga ai në këtë botë, fenë e Islamit e cila do të zgjasë gjersa në këtë botë të jetojnë dhe të marrin frymë njerëz.

Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi atë që ishte vetë mëshirë për botën.

 

 

 

* N ga Maulana M. Ubaidul Akbar, The Orations of Muhammad (Lahore: 1954), ff. 78-79 (me disa ndryshime).

* * C ituar nga Hajāt el-kulūb, përk. J. L. Merrick, ff. 334-9, me ca ndryshime nga S. H. Nasr.

 

copyright © dielli.net. All rights reserved.
Tekstet e prezentuara domosdoshmërisht nuk përfaqësojnë politikën e redaksisë të dielli.net!