Një Grua e Rrallë
Rajmonda Fejza
27.01.2007
Emri: Zejneb
Emri i babait: Hazreti Ali ibn Ebu Talibi
Emri i nënës: Hazreti Fatime Zehra
Ditëlindja: 5 xhamadu aval, viti 5 hënor
Vendlindja: Medine
Titulli: Umi Hasan dhe Umi Kulthum
Bashkëshorti: Abdullahu, djali i Xhafer ibn Ebu Talibi
Pati 4 fëmijë: 3 djem (Ali, Eun, Xhafer) dhe nje vajzë (Umi Kulthum)
Ikja nga kjo botë: e diel, 15 rexheb i vitit 63 hixhri hënor
Vëndi i varrimit: Sham
Parathënie:
A i keni vënë re lulet e beharit që kundërmojnë me aromën e tyre, dhe se çfarë bukurije e qetësie i falin shpirtit? Dhe a keni parë kur papritur fryn një erë e fortë dhe e pamëshirshme, e petalet e luleve të bukura dhe degët e tyre i lëshon në tokë. Dhe në kohën kur ato petale të luleve të bukura shpërndahen në tokë, vini re kopshtarin se si i shikon ato petale të rëna përtokë, dhe vini re se si lotët i rrinë në sy e dalëngadalë i rrjedhin mbi mollëza.
Kopshtari e di fare mirë se bukuria e kopështit do të ikë dhe pas disa çastesh nuk do ta kundërmojë më aroma e luleve.
Dhe Zejnebi selamullah, sikur kopshtari që shikonte petalet e luleve që binin dhe aroma e bukuria e tyre që shuhej, po shikonte se si aroma e njerëzisë dhe shembulli i njerëzisë po venitej, po zhdukej.
Zejnebi në këtë botë kishte parë mjaft pabesi, të këqija dhe mashtrime, po ajo foli nga mësimet e islamit dhe ata të pabesë e mashtrues i bëri të trishtohen, i bëri të derdhin lot për çka vepruan.
Inteligjenca e Saj:
Sa për inteligjencën e saj mjafton fakti se kur Hazreti sedike kubra Fatime Zahra po mbronte hakun dhe të drejtën e Hazreti Aliut dhe po mbante Hytbe në prani të gjithë As′habëve të Profetit (s) për Fedekun që ia kishte dhuruar babai i nderuar H. Muhammed (s) dhe po kërkonte të drejtën e saj, Hazreti Zejnebi ishte vetëm 7 vjeç ose më e vogël. Mirëpo për mrekulli e kishte në mendje atë fjalim. Në Hytbe u fol për shumë gjëra në lidhje me fenë islame, me rregullat dhe filozofinë e saj. Ajo një herë e kishte dëgjuar atë Hytbe por e kishte të freskët dhe e mbajti për t′i kujtuar njerëzisë diturinë dhe filozofinë e islamit.
Oratoria e H.Zejnebit:
Fjalët , këshillat, hytbet që ajo mbante ishin nga më të fortat dhe ishte situata që po kalonte islami që e shtynte t′i mbante ato. Ja se çfarë thotë për të Imam Zeinul Abedini (Sexhadi). ″O hallë! Ju elhamdurilah jeni një grua e ditur që s′jeni mësuar nga kush dhe një grua inteligjente që asgjëkundi s′ju gjindet shoqja.″
Këtu do të doja të paraqisja nje pjesë të fjalës së H.Zejnebit për ndodhinë e Qerbelasë, dhe për shtetin e beni Umajeve.
″Betohem në Zot o Jezid, se çfarëdo gjëjë që bëre do të kthehet te vetvetja jote, sepse ti nuk preve asgje tjetër veç lëkurës tënde dhe veç mishin tënd copëtove.
O Jezid! Atë ditë kur Zoti do t′i paraqesë trupat e pastër të shehidëve tanë përpara që të kërkojnë hakun e tyre te shtypësit e tyre, dhe ti do të paraqitesh te i dërguari i Zotit (s), por a e di se në ç′gjëndje? Kur ti gjakun e të dashurve të Tij e derdhe lumë dhe shkele në dinjitetin e trashëgimtarëve të Tij. Po o Jezid! Nga kjo fitore e jashtme mos u zhyt në gëzim për ato të dashurit tanë që në Qerbela i vrave dhe i lave me gjak. E mos kujto se janë të vdekur, se Zoti thotë: ″ata që bien shehidë në rrugë të Zotit, mos i quani të vdekur. Por ato janë te gjallë dhe te Zoti i tyre ushqehen″ (Sure Al-i Imran, ajeti 169)
O Jezid! Për ty mjafton që atë ditë gjykatësi është Zoti, dhe armiku yt është i dërguari i Zotit , miqtë e Ehl-i bejtit dhe Xhibraili. Dhe së shpejti personi që të frymëzoi që ta bësh këtë punë, dhe ty të vendosi mbi kokat e muslimanëve (Muavija), do ta dijë se çfarë zëvëndësi të keq ka zgjedhur, dhe në ditën e dhënies së llogarisë do ta mësosh se vëndi më i keq nga ana e kujt do të jetë? Dhe fatkeqësitë e pafuqia nga ana e kujt do jetë.″
Hazreti Zejneb (as) është gruaja më e madhe në botë, ajo është gruaja që zgjoi ngjarjen e Qerbelasë dhe të Ashures dhe një nga gratë e ditura të të dy botëve.
Imam Sexhadi thotë:
″të jesh i ditur dhe mësues e të kuptosh pa pasur mësues″.
Ajo ishte shembulli i së vërtetës, gruaja e dy botëve. Hazreti Fatimja, nëna e Hazreti Zejnebit ishte burimi i diturisë islame dhe e Kur′anit për Zejnebin. Zejnebi ishtë misionare e së vërtetës. Asaj i vranë Imam Husejnin dhe 72 të afëm e me hytben e zjarrtë që mbajti në sy të Jezidit, ajo zgjoi njerëzit e Kufes.
Pas ngjarjes së Qerbelasë roli i saj u bë shumë i rëndësishëm, sepse me fjalët dhe hytbet e saja ajo tregoi kush ishte Jezidi dhe shteti i tij. Kjo grua burrëreshë ndau të drejtën nga e padrejta dhe tregoi se sa e devotshme eshtë, duke u mësar të gjithëve se si përhapet flamuri i së vërtetës.
Hazreti Zejnebi udhëtoi me bashkëshortin e nderuar Abdullah bin Xhafer për në Sham dhe me 15 rexheb në vitin 63 h. iku nga kjo botë dhe trupin e saj të pastër e varrosen po në Sham.
Rajmonda Fejza
|