Ajeti i Pastrimit dhe Ehl ul-Bejti
© dielli.net
05.01.2007


Ajeti i pastrimit (aje et-tat′hir) është një nga provat tekstuale për papërlyeshmërinë e Ehl ul-Bejtit, i cili dëshmon pastërtinë e plotë dhe pozitën unike të tyre: {Allahu dëshiron të largojë të gjithë ndytësinë (e mëkateve) nga ju, o Ehl ul-Bejt, dhe t′ju pastrojë me një pastrim të skajshëm} (33:33).

Fjala rixhs në këtë ajet, e përkthyer si ′ndytësi′, në gjuhën arabe ka kuptimin e papastërtisë, qoftë të jashtme apo të brendshme, ku kjo e fundit është sinonim i mëkatit. Fjala rixhs është përdorur në Kur′an me të dyja kuptimet. Papastërtia e jashtme është ajo që nënkuptohet në ajetin: {Cofëtira, gjaku i derdhur dhe mishi i derrit - janë të gjitha ndytësi} (6:145). Përkundrazi, është papastërtia e brendshme ajo që nënkuptohet në ajetin: {E sa u përket atyre që kanë sëmundje në zemrat e tyre, ajo (zbritja e sures) ndytësisë së tyre u shton ndytësi dhe ata vdesin si jobesimtarë} (9:125).

Në ajetin ku flitet për heqjen e ndytësisë dhe papastërtisë nga Ehl ul-Bejti, fjala rixhs s′mund të interpretohet si referim ndaj papastërtisë së jashtme, pasi tërë muslimanëve u kërkohet t′i heqin papastërtitë trupore si obligim fetar; kjo pra, s′është diçka që vlen ekskluzivisht për Ehl-i Bejtin, ndërkohë që ajeti e tregon qartë dhënien e një merite të veçantë atyre nga Allahu. Për më tepër, shmangia e ndytësisë dhe papastërtisë nuk numërohet si virtyt që sipas Kur′anit karakterizon një grup të veçantë njerëzish. Për pasojë, që ajeti të jetë i kuptueshëm, fjala rixhs duhet të merret në kuptimin e ndotjes së brendshme të shpirtit.

Dëshira dhe qëllimi i Allahut për ta larguar tërë ndytësinë nga Ehl ul-Bejti është në suazën e tërë skemës së krijimit, në atë që Allahu dëshiroi që, brenda rendit të Tij, pjesëtarët e asaj Shtëpie të jenë të çliruar nga çdo papapastërti dhe të stolisur me papërlyerje. Po t′ia referonim dëshirën e Allahut çështjeve të ligjit dhe dispozitave të tij, kuptimi do të ishte se në sferën ligjore ata nuk do të kryenin shkelje apo ta përlyenin veten. Është e qartë se një kuptim i tillë do të ishte i papranueshëm, sepse shmangia e mëkatit dhe heqja e të papastrës është një obligim fetar universal, imponimi i të cilit nuk i jep nder apo status të posaçëm askujt. Ai mesiguri nuk do ta bënte Profetin (s) t′i përvishej veprimit të paprecedent të mbledhjes së anëtarëve të Ehl ul-Bjetit të tij pas dyerve të mbyllura, e t′u hidhte atyre një mbulojë (kisa′) përsipër.

Shpallja e ′ajetit të pastrimit′ fitoi vëmendje të madhe në kohën e Profetit (s) mes shokëve të tij, dhe grupi i përzgjedhur të cilëve u drejtohej ky ajet dhe shenjtëria e pastërtia e të cilëve u bë diçka e pranuar nga të gjithë, u bënë të njohur si ′njerëzit e mbulojës′ (ehl ul-kisa′). Saherë që anëtarët e Ehl ul-Bejtit e shihnin të nevojshme ta theksonin rangun e tyre të veçantë shpirtëror, ata i referoheshin me krenari këtij ajeti. Për shembull, Imam ′Aliu iu referua atij gjatë rastit të Fedekut, apo konsultimit për zgjedhjen e khalifit, pas vdekjes së ′Umerit. Prijësi i Besimtarëve shtroi këtë argument: ″A është shpallur për ndonjërin prej jush ajeti i pastrimit?″ Kur ata thanë ′jo′, ai vazhdoi: ″Anëtarët e Ehl ul-Bejtit janë të mbuluar me virtyte të shumta, sepse Kur′ani thotë: {Allahu dëshiron ta largojë tërë ndytësinë e mëkateve nga ju, o Ehl ul-Bejt, dhe t′ju pastrojë deri në skaj}. Allahu pra e ka larguar nga ne tërë ndytësinë, të jashtme e të brendshme, dhe na ka fiksuar në rrugën e së vërtetës dhe së drejtës.″ (Gajet ul-Meram, f. 295)

Po i referohemi ngjarjeve të shpalljes së ′ajetit të pastrimit′ nga disa prej burimeve më autentike të dijetarëve sunni.

Sejjid Ebu Bekr Shihabuddin el-Shafi′i transmeton në veprën e tij Kitab Rushfet us-Sa′di min Bahr ul-Fada′il Beni Nebi el-Hadi (Darul-Ilmije, Egjipt, 1303 H) Kr. I, f. 14-19, nga Tirmidhiu, Hakimi, Ibn Xheriri, Ibn Mundhiri, Ibn Mardawejhi, Bejhekiu, Ibn Ebi Hatimi, Taberaniu, Ahmedi, Ibn Kethiri, Muslimi, Ibn Ebi Shejbe e Samhudiu, se ky ajet u shpall për pesë personat nën pelerinë: të Dërguarin e Allahut (s), Hazreti Fatimenë, Imam ′Aliun, Imam Hasanin e Imam Huseinin.

Shumë transmetues kanë regjistruar ngjarjen e harrire-s*. Mes tyre, Imam Tha′lebiu në Tefsir, Imam Ahmedi në Musned dhe Ibn Athiri në Xhami ul-Usul, duke cituar nga Sahih-u i Tirmidhiut (shih më poshtë) dhe i Muslimit, transmetojnë nga gruaja e Profetit (s), Ummi Seleme se: ″I Dërguari i Allahut (s) ishte në shtëpinë time kur Fatimeja i solli një pjatë harrire. Në atë çast ai ishte ulur në verandën e tij ku zakonisht flinte. Ai kishte një pelerinë Khajberi nën këmbë. Unë po falesha në dhomën time. Profeti (s) i tha Fatimesë të thërriste burrin e djemtë e saj. Pas pak, ′Aliu, Hasani dhe Huseini erdhën brenda dhe hëngrën harriren. Xhibra′ili erdhi e i shpalli Profetit ajetin: {Allahu dëshiron të largojë të gjithë ndytësinë (e mëkateve) nga ju, O Ehl ul-Bejt, e t′ju pastrojë me një pastrim të skajshëm} (33:33). Atëherë, i Dërguari i Allahut (s) i mbuloi të gjithë me pelerinën e tij, ngriti duart nga qielli, dhe tha: ′O Allah, këta janë Ehl ul-Bejti im. Largoje çdo papastërti nga ata, e pastroji me një pastrim të përkryer.′ Ummi Seleme thotë se ajo lëvizi përpara e deshi të hynte nën pelerinë duke thënë: ′O i Dërguari i Allahut, a të vij dhe unë?′ Profeti (s) u përgjigj: ′Jo, qëndro në vendin tënd, ti je në të mirë′.″

Fakhr ed-Din Raziu shton në Tefsir ul-Kebir, se Profeti (s) tha: ″Ju janë hequr të gjitha mëkatet″ e ″Ju janë dhënë mbulojet e bekimeve.″

Hazreti ′Aisheja thotë: ″Një mëngjes, i Dërguari i Allahut (s) doli nga shtëpia e tij i mbuluar me një mbulojë (kisa′) leshi të zi. Pas pak hyri Hasani, dhe Profeti e futi nën mbulojë. Pastaj erdhi Huseini i cili u fut aty. Më pas erdhi Fatimeja dhe ai e mori edhe atë nën mbulojë. Pastaj erdhi ′Aliu dhe u fut nën mbulojë, dhe atë çast i Dërguari (s) recitoi: {Allahu dëshiron që të largojë të gjithë ndytësinë (e mëkateve) nga ju, o Ehl ul-Bejt, dhe t′ju pastrojë me një pastrim të plotë}″. Kjo përcillet në Sahih Muslim: Kitab Fada′il us-Sahabeh, vëll. VII, f. 130, nr. 4450; Musned Ahmed: Baki Musned el-Ensar, nr. 24132; Sahih ul-Tirmidhi: Kitab el-Adab, nr 2738; Sunen Ebu Da′ud: Kitab el-Libas, nr. 3513; Tefsir ul-Keshshaf i Zemakhsheriut vëll. I, f. 370 (ajeti 3:61); Tefsir Durr ul-Menthur i Sujutiut, vëll. V, f. 198; Jenabi ul-Muwedde e el-Kunduzi Hanefiut, Kreu LV, f. 174 (bot. Stambollit); Mustedrek us-Sahihejn e Hakimit, vëll. III, f. 159; et-Taxh el-Xhami′ li′l-Usul e Prof. Mensur ′Ali Nassifit, vëll. III, f. 333...etj.

′Umer ibn Ebu Seleme, djali i umm ul-mu′minin Ummi Selemes, thotë: ″Ajeti i pastrimit u shpall në shtëpinë e Ummi Selemes. I Dërguari i Allahut (s) thirri Fatimenë, Hasanin, Huseinin, dhe ′Aliu ishte pas tij. Pastaj ai i mbuloi ata me një pelerinë (kisa′) dhe tha: ″O Allah! Këta janë Ehl ul-Bejti im, prandaj largoje ndytësinë e mëkatit prej tyre e pastroji ata!″ Atë çast, Ummi Selemja pyeti: ″O i Dërguari i Allahut! A jam unë mes tyre?″ Ai (s) u përgjigj: ″Ti je në vendin tënd dhe je në të mirë.″ Ky hadith transmetohet në Sahih-un e Tirmidhiut (red. nga Ibn Arabi el-Maliki, bot. Egjiptit), Kitab et-Tefsir, vëll. II, f. 200, nr. 3129, Kitab el-Menakib, vëll. II, f. 308, nr 3719; Xhami ul-Usul e Ibn ul-Athirit, vëll. I, f. 101; Rijad un-Nedire e Muhibb et-Taberiut, vëll. II, f. 188. Në hadithin 3806 tek Sahih Tirmidhi, Kitab el-Menakib, vëll. II, f. 309, kjo citohet drejtpërdrejt nga Ummi Seleme. Ajo pohon se Profeti (s) mbuloi Hasanin, Huseinin, ′Aliun dhe Fatimenë me pelerinën e tij dhe tha: ″O Zot! Këta janë Ehl ul-Bejti im dhe të zgjedhurit e mi. Largoje mëkatin prej tyre dhe pastroji ata!″ Umm Seleme thotë: ″E pyeta Profetin: ′A jam unë mes atyre?′ Ai u përgjigj: ′Ti je në të mirë′.″ Tirmidhiu komenton: ″Ky hadith është sahih dhe i mirëdokumentuar; ai është më i miri që citohet në këtë kontekst.″

Pastaj, Tirmidhiu citon Enes bin Malikun, që thotë se i Dërguari i Allahut (s) për gjashtë muaj me rradhë kalonte pranë derës së Fatimesë çdo herë që ngrihej për të falur sabahun dhe thonte, ″Është koha e namazit, o Ehl ul-Bejt! {Allahu padyshim dëshiron ta largojë tërë papastërtinë nga ju, O Ehl ul-Bejt, e t′ju pastrojë me një pastrim të skajshëm}.″ Këtë e transmeton edhe Taberaniu në Xhami′ ul-′Usul, vëll. IX, f. 156, Hakimi në el-Mustedrek, vëll. III, f. 158; Dhehebiu në Telkhis, vëll. II, f. 150; Imam Ahmedi në Musned, vëll. III, f. 285; Ibn Kethiri në Tefsir, vëll. III, f. 495 dhe el-Bidaje we′n-Nihaje, vëll. IV, f. 438; Taberiu në Tefsir, vëll. XXII, f. 6; Sujutiu në Durr ul-Menthur, vëll. V, f. 199; el-Mutteki el-Hindi në Kenz ul-Ummal, vëll. VII, f. 102; Ibn es-Sebaghu në Fusul ul-Muhimme, f. 8; Ibn ul-′Athiri në Usd ul-Ghabeh, vëll. V, f. 521; el-Kunduzi el-Hanefi në Jenabi ul-Muwedde, Kreu LV, f. 174 (bot. Stambollit); el-Hasakani në Shewahid ut-Tenzil, vëll. II, f. 32; el-Hejthemi në Mexhma′ uz-Zewa′id, vëll. IX, f. 168 dhe Baladhuriu në Ansab ul-Ashraf, vëll. II, f. 104.

Gjithashtu, Sujutiu në Tefsir Durr ul-Menthur, transmeton nga Ebu Sa′id el-Khudriu se kur u zbrit ajeti {Dhe urdhëroje familjen tënde të falë namaz} (20:132), Profeti (s) për tetë muaj me rradhë, shkonte tek dera e ′Aliut në kohën e faljes dhe thonte: ″Është koha për namaz, Allahu ju mëshiroftë! {Allahu ka për qëllim të largojë tërë ndytësinë e mëkateve nga ju, o Ehl ul-Bejt, dhe t′ju pastrojë me një pastrim të skajshëm}.″ (Shih dhe Tefsir-in e Fakhr ed-Din Raziut)

Në komentimin e ajetit 33:33, Sujutiu shkruan: ″Ibn Xheriri, Hakimi e Ibn Mardawejhi transmetojnë se Sa′di tha: ′Shpallja [e ajetit 33:33] zbriti mbi të Dërguarin e Allahut (s). Atëherë, ai solli ′Aliun, Fatimenë dhe dy djemtë e saj nën pelerinën e tij. Pastaj, ai tha: O Allah! Këta janë familja ime dhe Ehl ul-Bejti im!′″

Përkthyesi i Kur′anit në gjuhën shqipe, H. Sherif Ahmeti e ka kaluar në heshtje komentin e kësaj pjese të ajetit 33:33, duke mos e përmendur as se kush janë familja e Pejgamberit, por ai s′e ka fshehur të vërtetën në sqarimin e shkurtër të ajetit 3:61, në faqen 89. Në paragrafin e tretë të shënimit, gjatë përshkrimit të ngjarjes së Mubahile-s, ai pohon: ″Pejgamberi u tha dhe doli me familjen e vet; me Huseinin ngryk, Hasanin përdore, Fatimen pas tij dhe Aliu pas.″ Falënderimi i takon Allahut, Zotit të Botëve.
Tahawiu transmeton në Mushkil el-Athar, vëll. I, f. 336: ″Umm Seleme thotë: ′Kur u shpall ajeti fisnik, në shtëpi nuk ndodhej askush përveç Xhibra′ilit, të Dërguarit të Allahut (s), Fatimesë, Hasanit, Huseinit dhe ′Aliut. Unë e pyeta: ″O i Dërguari i Allahut, a jam unë nga Ehl ul-Bejti?″ Ai u përgjigj: ″Vërtet, ti ke vepra të mira tek Zoti.″ Sa do të doja të kishte thënë ′po′. Ajo do të kishte qenë për mua më e çmuar se gjithçka mbi të cilën ndriçon dielli.″ Tahawiu përmend 11 hadithe me të njëjtin kuptim, të cituara nga Umm Seleme me zinxhirë të ndryshëm transmetimi. Ai po ashtu citon dy hadithe me këtë formë: ″Çdo mëngjes, i Dërguari i Allahut vinte tek dera e Fatimesë dhe thërriste ′Es-selamun aleikum, o Ehl ul-Bejt. Allahu ka për qëllim të largojë ndytësinë e mëkateve nga ju′.″ Pastaj, ai shton: ″Gjithashtu, ajo që transmetohet në lidhje me këtë tregon se ajeti i pastrimit është për nder të tyre.″ (Shih f. 332-339)

Ahmedi transmeton nga Shedded ibn Ebu Ammari: ″Shkova tek Wathile ibn el-Aska′i me disa të tjerë. Ata përmendën ′Aliun. Kur u ngritën për të ikur, ai më tha: ″A të të përmend diçka që e pashë ta bënte i Dërguari i Allahut (s)?″ Unë i thashë, ″Sigurisht!″ Ndaj, ai tha: ″Iu afrova Fatimesë për ta pyetur atë për ′Aliun. Ajo tha: ′Drejtoju të Dërguarit të Allahut.′ Prandaj, e prita atë (s). Më në fund, i Dërguari i Allahut (s) erdhi me ′Aliun, Hasanin dhe Huseinin; këta kishin kapur secili njërën dorë të tij. Kur arriti, ai e uli ′Aliun dhe Fatimenë para vetes, kurse Hasanin e Huseinin mbi kofshë. Pastaj ai hodhi pelerinën e tij mbi ta, dhe recitoi ajetin: {Allahu ka për qëllim që të largojë çdo papastërti nga ju, o Ehl ul-Bejt, dhe t′ju pastrojë me një pastrim të përkryer}, dhe tha: ″O Allah! Këta janë Ehl ul-Bejti im! Dhe Ehl ul-Bejti im gëzon më shumë të drejta.″ (Musned, vëll. IV, f. 107)

Në Tefsir-in e tij të njohur të Kur′anit, ed-Durr ul-Menthur, në zbërthimin e këtij ajeti, Xhelal ed-Din es-Sujutiu transmeton nga Ibn ′Abbasi: ″Për nëntë muaj rresht e vura re të Dërguarin e Allahut (s) të vinte tek dera e ′Aliut pesë herë në ditë, në kohët e namazit, dhe të thërriste: ′Paqja qoftë me ju, o Ehl ul-Bejt, dhe bekimet e mëshira e Allahut! {Allahu dëshiron të largojë nga ju ndytësinë e mëkateve, o Ehl ul-Bejt, dhe t′ju pastrojë me një pastrim të përkryer}; është koha e namazit, Allahu ju bekoftë!′ ″ (Po ashtu: Ahmedi në Musned, vëll. I, f. 330; Nesa′iu në Khasa′is ′Ali, f. 11; Muhibb et-Taberiu në Rijad un-Nedire, vëll. II, f. 269; Hejthemiu në Mexhma′ uz-Zewa′id, vëll. IX, f. 119, 207, el-Genxhi el-Shafi′i në Kifajet et-Talib, Kreu 100, f. 232, ku jepen 6 hadithe të sakta).

Ebu′l-Hamra′i, një tjetër sahab i Profetit (s), transmeton se: ″Për tetë muaj me rradhë në Medine, i Dërguari i Allahut (s) shkonte tek dera e ′Aliut për çdo namaz të sabahut. Ai i vendoste duart në secilën anë të derës dhe thërriste: ′Es-Salat! Es-Salat! Allahu dëshiron që të largojë gjithë ndytësinë prej jush, o Ehl ul-Bejt, dhe t′ju pastrojë me një pastrim të përkryer′.″ (Sujutiu në Durr ul-Menthur, vëll. V, f. 198; Ibn ul-Athiri në Usd ul-Ghabeh, vëll. V, f. 174; Hejthemiu në Mexhma′ uz-Zewa′id, vëll. IX, f. 169, ku autori përcjell një hadith të ngjashëm edhe nga Ebu Barzah.)

Vini re me kujdes, lexues të çmuar, se Profeti (s) i nderuar e ka veçuar hazreti Ummi Selemen - gruan e tij, nga Ehl ul-Bejti. Këtë e dëshmojnë edhe hadithet e hazreti Aishes, Umer ibn Selemes, Ibn ′Abbasit, Enes ibn Malikut.. etj, cituar më lart. Transmetohet në Sahih Muslim e Xhami ul-Usul, se Hasan ibn Samrai pyeti Zejd ibn Arkamin: ″Kush janë Ehl ul-Bejti? A janë gratë e Profetit (s) mes tyre?″ Ai u përgjigj, ″Jo! Gruaja jeton me të shoqin për ca kohë, pastaj ai e divorcon atë dhe ajo kthehet tek i ati dhe fisi i saj.″ (Sahih Muslim: Kitab Fada′il Sahabeh, vëll. VII, f. 124, nr 4425). Gjithashtu, nëse kjo pjesë e ajetit do t′u drejtohej grave të Profetit (s), do të ishte përdorur veta e dytë e shumësit në gjininë femërore, e jo veta e dytë e shumësit në gjininë mashkullore (′ankunne në vend të ′ankum, dhe jutahhirekunne në vend të jutahhirakum).

Në disa raste, Profeti (s) ua shpjegoi muslimanëve kuptimin e këtij ajeti kur ua tërhoqi vëmendjen për rëndësinë e tij. Ebu Sa′id el-Khudriu transmeton hadithin e të Dërguarit të Allahut (s): ″Ky ajet është shpallur për pesë persona: mua, ′Aliun, Fatimenë, Hasanin dhe Huseinin; {Allahu dëshiron që të largojë ndytësinë e mëkateve nga ju, o Ehl ul-Bejt, dhe t′ju pastrojë me një pastrim të përkryer}.″ (Ibn Xheriri, Ibn Ebu Hatimi dhe Taberaniu. Po ashtu, Imam Tha′lebiu në Tefsir, Ibn Merdewejhi, dhe Bejhekiu në Sunen, nga Ummi Seleme.)

Taberaniu citon në Mu′xhem ul-Kebir Imam Hasanin, duke thënë: ″Jini korrektë ndaj çështjeve tona; neve jemi sundimtarët tuaj... ne jemi po ai Ehl ul-Bejt për të cilët Allahu ka thënë: {Allahu dëshiron të largojë nga ju tërë ndytësinë e mëkateve, o Ehl ul-Bejt, e t′ju pastrojë me një pastrim të skajshëm}.″ (vëll. III, f. 93, bot. 2-të, Maktabe Ibn Tejmijje). Hejthemiu e citon në Mexhma′ uz-Zewa′id nga Taberaniu dhe pohon: ″Transmetuesit e këtij hadithi janë të besuar.″ (vëll. IX, f. 172) Ai përfshihet edhe në shumë libra të tjerë, si Shewahid ut-Tenzil nga Hasakani, vëll. II, f. 32 (bot. 1-rë, 1411 H.), Ibn Kethiri në Tefsir, vëll. III, f. 495 (Dar ul-Ma′rife, 1412), Ibn ′Asakiri në Tarikh Dimeshk, vëll. XIII, f. 270 (Dar ul-Fikr, 1415)...

Së fundi, po citojmë hadithin relevant të Profetit të përcjellë nga Ibn ′Abbasi:
″Allahu Fuqiplotë i ndau njerëzit në dy grupe, dhe më vendosi tek më të mirët. Ai tha: {Sa u përket atyre të djathtëve ... ata janë nën drunjë pemësh pa gjemba!} (56:27-8), e {Të majtit janë në nxehtësinë e zjarrit dhe ujin përvëlues!} (56:42) Unë jam prej të djathtëve e jam vërtet më i miri ndër ta.
Pastaj Allahu i ndau njerëzit në tre grupe, e më vendosi prapë tek më të pastrit prej tyre. Ai tha: {E ata të djathtit, kush janë ata të djathtit? Po të majtit, kush janë të majtit? Ndërsa të përparmit janë në ballë} (56:8-11). Dhe unë jam më i miri i atyre që janë në ballë.

Pastaj Allahu i ndau njerëzit në popuj dhe fise, e më vendosi mua tek më të mirët. Ai tha: {O njerëz, vërtet Ne ju krijuam prej një mashkulli e një femre, dhe ju bëmë popuj e fise që të njiheni me njëri tjetrin, dhe më i miri ndër ju tek Allahu është ai që është më i përzotshëm} (49:13). Dhe unë jam më i përzotshmi e më i miri ndër njerëz, e megjithatë nuk krekosem për këtë.
Pastaj Allahu i ndau njerëzit në të afërm dhe familje e më vendosi mua në më të virtytshmen e të gjitha familjeve, sepse Ai tha: {Allahu dëshiron të heqë të gjithë ndytësinë e mëkateve nga ju, o Ehl ul-Bejt, dhe t′ju pastrojë me një pastrim të skajshëm} (33:33). Unë dhe Ehl ul-Bejti im atëherë, jemi të pastruar nga të tëra ndytësitë dhe të mbrojtur nga mëkatet.″ (Sujuti, ed-Durr ul-Menthur, vëll. V, f. 199)

copyright © dielli.net. All rights reserved.
Tekstet e prezentuara domosdoshmërisht nuk përfaqësojnë politikën e redaksisë të dielli.net!