Agjërimi i 'Ashures 
Sejjid Sa‘id Akhtar Rizvi
21 Tetor 2006

Në librat sunni gjenden disa hadithe sipas të cilave Pejgamberi (s.a.v.s), kur migroi në Medine i gjeti çifutët duke agjëruar më 10 Muharrem. Ai i pyeti përse dhe ata i thanë: "Ajo është ditë e mbarë; dita kur Zoti i çliroi bijtë e Israilit nga armiku i tyre [Faraoni]; ndaj dhe Musai agjëronte në atë ditë.” Pejgamberi (s.a.v.s.) tha: "Unë jam më i denjë [i afërt] për Musain sesa ju." Që atëherë, ai filloi të agjëronte në atë ditë dhe u urdhëroi muslimanëve ta agjëronin. (es-Sahih el-Bukharii, vëll. III, f. 54, bot. Egjyptit;Mishkatul-Mesabih; f. 172, Delhi, 1307 H.)

Komentuesi i librit Mishkat ul-Mesabih vëren se "kjo ndodhi në vitin e dytë H., sepse në vitin e parë Pejgamberi (s.a.v.s.) kishte mbërritur në Medine pas 'Ashures, në Rabi'ul-ewwel."

 

Se sa shumë rëndësi supozohej të kishte ky agjërim mund të gjykohet nga një hadith tjetër i përcjellë në Sahih el-Bukhari: "Pejgamberi (s.a.v.s.) e urdhëroi një njeri nga (fisi i) Eslemit: ‘Tregoju njerëzve se kushdo që ka ngrënë duhet të agjërojë pjesën e mbetur të ditës, dhe kushdo që nuk ka ngrënë duhet të agjërojë (krejt ditën), sepse sot është 'Ashure (10 Muharrem)’."

 

Po atë vit u obligua agjërimi i muajit të Ramazanit dhe detyrimi i agjërimit të 'Ashures u shfuqizua, si ç pohohet në hadithe të tjera të transmetuara në të njëjtin libër. Prapëseprapë, thuhet, ai mbart shumë rëndësi si agjërim vullnetar.

 

Le t’i vështrojmë tani këto hadithe nga afër:

 

Së pari: Çifutët kishin kalendarin dhe muajt e tyre. Nuk ka logjikë të pohohet se ata e agjëronin 10 Muharremin – përveç nëse mund të vërtetohet se kjo datë përkonte gjithmonë me një ditë agjërimi tek çifutët.

 

Në artikullin tonë, "Shehadeti i Imam Huseinit dhe Kalendarët Muslimanë e Çifutë" (Al-Serat Journal, vëll.VI, nr 3 & 4; Muharrem 1401/Nëntor1980) u përmend se muaji i parë i çifutëve (Abib, i quajtur më vonë Nisan) përkonte me Rexhebin e arabëve. W. O. E. Oesterley dhe Theodore H. Robinson kanë shkruar se në Arabi "festa më e rëndësishme e të gjitha hënave të reja ishte ajo që binte në muajin e Rexhebit, i cili është i njëvlershëm me muajin hebre 'Abib, sepse kjo ishte koha kur arabët e lashtë festonin ditën e Pranverës." (Hebrew Religion; S.P.C.K., London; 1955; f. 128)

 

Mesa duket, në lashtësi dy degët e familjes së Ibrahimit ndoqën të njëjtin sistem të ndërfutjes së një muaji shtesë, shtatë herë brenda një cikli 19 vjeçar. Kësisoj, muaji i shtatë çifut, Tishri I, përkonte me Muharremin. Dhe 'Ashurja e Muharremit sinkronizohej me 10 Tishrin I, ditën çifute të Shlyerjes, në të cilën agjërohet. Në atë artikull, u vërejt se dy kalendarët e humbën sinkronizimin mes tyre kur Islami, në vitin 9 të hixhrës, e ndaloi ndërfutjen mujore. Por pas një shqyrtimi më të thellë doli se pariteti mes tyre u humb shumë kohë përpara shfaqjes së Islamit, sepse arabët nuk ndiqnin ndonjë llogaritje matematikore në ndërfutjen e tyre. Kjo ishte arsyeja përse Muharremi i vitit të dytë të hixhrës filloi më 5 Korrik 623 e.s. (el-Munxhid, bot. 21të), disa muaj përpara Tishrit I (që përkon gjithmonë me periudhën Shtator-Tetor).

 

Është e qartë se 'Ashurja e Muharremit në atë vit (apo madje, gjatë tërë jetës së Pejgamberit s.a.v.s. në Medine) nuk kishte kurrfarë domethënieje për çifutët.

 

Shtrohet pyetja: Përse agjëronin ata në këtë ditë?

 

Së dyti: Literatura midrashike çifute e lidh ditën e dhjetë të muajit të shtatë (JomHakippurim – “Dita e Shlyerjes”) me ngjarjen e sjelljes së pllakave të Besëlidhjes nga Mali i Sinait, siç ka shkruar në letrën e tij Dr. Mishael Maswari-Caspi, të cituar në artikullin tonë të lartpërmendur.

 

Shtrohet pyetja: nëse çifutët dëshironin ta mbanin parasysh sinkronizimin e humbur qëmoti mes Tishrit I dhe Muharremit, si ka mundësi që ata harruan t’ia tregonin Pejgamberit (s) këtë traditë?

 

Së treti: Muaji në të cilin Zoti i shpëtoi beni israilët nga Faraoni ishte Abibi (d.m.th. Rexhebi), siç pohohet qartë në Bibël: "Mbajeni muajin e Abibit, dhe pashkën e Perëndisë, Zotit tuaj: sepse në muajin e Abibit Perëndia, Zoti juaj ju nxori nga Egjipti natën." (Deuteronomi, 16:1)

 

Shtrohet pyetja: Si mund ta transferonin çifutët një ngjarje të muajit Abib (i cili burimisht përkonte me Rexhebin) në Muharrem, në shkelje të hapët me Teuratin e tyre?

 

Dhe së fundmi një pikë mbi të cilën muslimanët duhet të thellohen: Pejgamberi (s.a.v.s.) u nis me një fe e cila do të shfuqizonte të gjitha fetë dhe legjislaturat e mëparshme. Si paska denjuar ai të imitonte zakonin e çifutëve?

 

Nga faktet e mësipërme është e qartë se çifutët nuk kishin kurrfarë arsyeje për të agjëruar në 'Ashure të Muharremit asokohe; dhe kjo ngjarje, e ndërtuar mbi bazën e një premise të tillë është vetëm kaq - fiksion. Sigurisht, ajo u shpik nga një rrëfyes i cili e dinte se njëherë e njëkohë Muharremi përkonte me muajin Tishri I të çifutëve; por i cili ama ishte krejtësisht i pavetdijshëm mbi fenë dhe kulturën bashkëkohore çifute.

 

Ndjehesh i detyruar të përmendësh këtu se ky hadith dhe të tjerë si ai u fallsifikuan nga ndjekësit e kampit umejjad, pas shehadetit të Imam Huseinit, si pjesë e fushatës së tyre për ta kthyer 10 Muharremin në ditë hareje dhe gëzimi. Këto hadithe janë të të njëjtit soj me ato që thonë se më 10 Muharrem barka e Nuhit u ndal në Malin e Arafatit, se zjarri u bë i ftohtë dhe i padëmshëm për Ibrahimin dhe se Isai u ngjit në qiell. Në të njëjtën kategori hyjnë edhe hadithet që i këshillojnë muslimanët ta trajtojnë 'Ashuren si festë e gëzueshme e t’i depozitojnë drithërat në këtë ditë që t’u rritet rrizku dhe të marrin bekimet e Allahut për familjet e tyre.

 

(shqipëroi: Edin Q. Lohja) 

 

copyright © dielli.net. All rights reserved.
Tekstet e prezentuara domosdoshmërisht nuk përfaqësojnë politikën e redaksisë të dielli.net!