Dyzet Hadithe nga Ehl ul-Bejti për Muajin e Ramazanit
Edin Q. Lohja
29 Shtator 2006

Pejgamberi i Bekuar (salallahu ‘alejhi we alihi we’s-selem) ka thënë: “Kushdo nga ummeti im që memorizon dyzet hadithe mbi çështjet fetare që ka nevojë, Allahu do ta ringjallë në Ditën e Kijametit si jurist (fekih) e dijetar (‘alim).” (Muhammed Bakir el-Mexhlisi, Bihar ul-enwar, vëll. II, f. 156)

 

Hadithi nr 1
Përse emri Ramazan?

I Dërguari i Allahut (s) ka thënë:
“Pa dyshim, muaji i Ramazanit është quajtur ashtu sepse djeg mëkatet.”
(Kenz ul-‘Ummal, nr. 23688)

 

Hadithi nr 2
Emri i Zotit

Imam Sadiku (‘a) ka thënë:
“Mos thoni, ‘ky është Ramazani’ dhe ‘Ramazani kaloi’ apo ‘Ramazani erdhi’, pasi vërtet, Ramazan është një nga emrat e Allahut Fuqiplotë e të Lavdishëm, i Cili as nuk vjen e as nuk ikën. S’ka dyshim se vjen dhe ikën ajo që është krijesë. Përkundrazi, thoni: muaji i Ramazanit.”
(Muhammed ibn Ja’kub el-Kulejni, el-Kafi, vëll. IV, f. 70)

 

Hadithi nr 3
Muaji i Shpalljes së Kur’anit

Imam Ridai (‘a) ka thënë:
“Nëse pyetet, ‘përse është bërë agjërimi i obligueshëm në muajin e Ramazanit e jo në muajt e tjerë?’ përgjigja është, ‘sepse muaji i Ramazanit është muaji në të cilin Allahu i Lartësuar shpalli Kur’anin’.”
(el-Mexhlisi, vëll. XVIII, f. 190)

 

Hadithi Nr 4
Shpërblimi për Recitimin e Kur’anit

Imam Ridai (‘a) ka thënë:
“Ai që reciton një ajet nga Libri i Allahut Fuqiplotë dhe të Lavdishëm në muajin e Ramazanit është si ai që e ka lexuar krejt Kur’anin në muajt e tjerë.”
(el-Mexhlisi, vëll. XCIII, f. 344)

 

Hadithi nr 5
Shpërblimi i Muajit të Ramazanit

E pyetën Pejgamberin e Shenjtë (s):
“O i Dërguari i Allahut! Cili prej muajve ka shpërblim më të madh, muaji i Rexhebit apo muaji i Ramazanit?” Pejgamberi i Shenjtë (s) u përgjigj: “Asgjë nuk mund të krahasohet me muajin e Ramazanit për nga shpërblimi.”
(el-Mexhlisi, vëll. XCVII, f. 49)

 

Hadithi nr 6
Muaji i Allahut

Pejgamberi i Bekuar (s) ka thënë:
“Sha‘bani është muaji im, kurse Ramazani është muaji i Allahut të Lartë dhe pranvera e të varfërve.”
(el-Mexhlisi, vëll. XCVIII, f. 68)

 

Hadithi nr 7
Muaji i Zgjedhur

Pejgamberi i Bekuar (s) ka thënë:
“S’ka dyshim se Allahu Fuqiplotë dhe i Lavdishëm ka zgjedhur ndër muaj Rexhebin, Sha’banin dhe muajin e Ramazanit.”
(el-Mexhlisi, vëll. XXVII, f. 53)

 

Hadithi nr 8
Muaji i Madh

Pejgamberi i Bekuar (s) ka thënë:
“Vërtet, muaji i Ramazanit është një muaj i madh. Gjatë tij, Allahu shumëfishon veprat e mira, fshin mëkatet dhe e lartëson atë në rangje.”
(Shejh el-Hurr el-‘Amili, Wesa’il ush-Shi‘a, vëll. X, f. 132)

 

Hadithi nr 9
Më i Rëndësishmi i Muajve

Imam ‘Aliu (‘a) ka thënë:
“Ju erdhi muaji i Ramazanit. Ai është më i rëndësishmi i të gjithë muajve dhe fillimi i vitit.”
(el-Mexhlisi, vëll. XLII, f. 193)

 

Hadithi nr 10
Fillimi i Vitit

Imam Sadiku (‘a) ka thënë:
“Nëse muaji i Ramadanit është i sigurt dhe i shëndetshëm (nga mëkatet), (i tërë) viti do të mbetet i tillë; muaji i Ramazanit është fillimi i vitit.”
(el-‘Amili, vëll. X, f. 311)

 

Hadithi nr 11
Muaji i Mëshirës

Pejgamberi i Bekuar (s) ka thënë:
“Ai është muaji, fillimi i të cilit është mëshirë, mesi i të cilit është falje dhe fundi i të cilit është mbrojtje nga Zjarri.”
(el-Mexhlisi, vëll. XCIII, f. 343)

 

Hadithi nr 12
Merita e Muajit të Ramazanit

Pejgamberi i Bekuar (s) ka thënë:
“O njrëz! Vërtet, ju erdhi muaji i Allahut. Muaji që, në sytë e Allahut është më i shkëlqyeshmi i tërë muajve. Ditët e tij janë më të mirat ditë, netët e tij janë më të mira netë dhe çastet e tij më të mirat çaste.
(el-Mexhlisi, vëll. XCVI, f. 356)

 

Hadithi nr 13
Më i Miri Muaj

Imam Sadiku (‘a) ka thënë:
“Muaji më i mirë është muaji i Allahut - muaji i Ramazanit - dhe zemra e muajit të Ramazanit është Nata e Kadrit.”
(el-Mexhlisi, vëll. XCVI, f. 386)

 

Hadithi nr 14
Nata e Kadrit

Pejgamberi i Bekuar (s) ka thënë:
“O njerëz. Vërtet, një muaj i madh e i bekuar ju ka mbështjellë. Një muaj, në të cilën është një natë, veprat e së cilës janë më të mira se ato të njëmijë muajve.”
(el-Mexhlisi, vëll. XCVI, f. 342)

 

Hadithi nr 15
Dhuntia e Muajit të Allahut

Pejgamberi i Bekuar (s) ka thënë:
“Frymëmarrja juaj në të është madhërim (i Allahut) dhe gjumi juaj në të është adhurim (i Allahut).”
(el-Mexhlisi, vëll. XCVI, f. 356)

 

Hadithi nr 16
Agjërimet e Muajit të Ramazanit
Pejgamberi i Bekuar (s) ka thënë:
“Muaji i Ramazanit është muaji në të cilin Allahu, Fuqiplotë e i Lavdishëm, jua ka bërë obligim agjërimin. Ndaj, ai që agjëron në këtë muaj në gjendje besimi dhe me synim shlyerjen, do të pastrohet nga mëkatet ashtu siç ishte në ditën kur e lindi e ëma.”
(Shejh Muhammed et-Tusi, Tahdhib ul-Ahkam, vëll. IV, f. 152)

 

Hadithi nr 17
Muaji i Përpjekjes Shpirtërore

Në testamentin e tij për të bijtë, Imam Sadiku (‘a) tha:
“Kur të vijë muaji i Ramazanit, bëni përpjekje (xhihad), sepse vërtet, në këtë muaj ndahet rizku, caktohet çasti i vdekjes dhe vendoset ardhja e Haxhxhit. Në të ka një natë, ku veprat janë më të mira se ato të njëmijë muajve.”
(el-Kulejni, vëll. IV, f. 66)

 

Hadithi Nr 18
Muaji i Veprave të Mira
Pejgamberi i Bekuar (s) ka thënë:
“Ky muaj i juaji nuk është si të tjerët. S’ka dyshim se kur afrohet, ju sjell bekime e mëshirë dhe kur largohet, jua merr mëkatet. Ky është një muaj në të cilin veprat e mira shumëfishohen dhe mirësia pranohet.”
(el-‘Amili, vëll. X, f. 312)

 

Hadithi nr 19
Muaji i Bekuar

Pejgamberi i Bekuar (s) ka thënë:
“Vërtet, ju erdhi muaji i Ramazanit, muaji i bekuar, në të cilin Allahu jua ka obliguar agjërimet. Në të, dyert e Xhennetit janë të hapura e shejtanët janë të lidhur; dhe në të është Nata e Kadrit, që është më e virtytshme se njëmijë muaj.”
(et-Tusi, vëll. IV, f. 152)

 

Hadithi nr 20
Muaji i Ramazanit dhe istighfari

Imam ‘Aliu (‘a) ka thënë:
“Është detyrë për ju të kërkoni falje dhe të përgjëroheni në muajin e Ramazanit. Du‘atë janë ato që jua largojnë fatkeqësitë, kurse istighfari jua fshin mëkatet.”
(el-Kulejni, vëll. IV, f. 88)

 

Hadithi nr 21
Dyert e Xhennetit
Pejgamberi i Bekuar (s) ka thënë:
"Në të (muajin e Ramazanit) dyert e Xhehenemit janë të mbyllura dhe dyert e Xhennetit janë të hapura."
(el-Mexhlisi, vëll. XCVI, f. 363)

 

Hadithi nr 22
I’tikafi

Imam Sadiku (‘a) ka thënë:
“Në fillim, Pejgamberi i Shenjtë (s) bënte i’tikaf gjatë dhjetë ditëve të para të muajit të Ramazanit. Pastaj, ai bënte i’itikaf gjatë dhjetë ditëve të mesit dhe atëherë nisi ta bënte në dhjetëditëshin e fundit (deri në mbyllje të jetës së tij tokësore).
(el-Mexhlisi, vëll. XVI, f. 274)

 

Hadithi nr 23
Muaji i Ramazanit dhe Librat Hyjnorë

Imam Sadiku (‘a) ka thënë:
“Teurati është shpallur në ditën e gjashtë të muajit, Bibla në natën e dymbëdhjetë, Psalmet në natën e tetëmbëdhjetë kurse Kur’ani në Natën e Kadrit.”
(el-Kulejni, vëll. IV, f. 157)

 

Hadithi nr 24
Vepra më e Mirë e Muajit të Ramazanit

Imam ‘Aliu tregon se gjatë një ligjërate të Pejgamberit të Bekuar (s) ai u ngrit dhe e pyeti:
“O i Dërguari i Allahut! Cila është vepra më e mirë në këtë muaj?” Pejgamberi i Bekuar (s) iu përgjigj: “O Ebu’l-Hasan! Vepra më e mirë për këtë muaj është të përmbajturit nga ajo që ka ndaluar Allahu Fuqiplotë e i Lavdishëm.”
(el-Mexhlisi, vëll. XLII, f. 190)

 

Hadithi nr 25
Humbësit e Muajit të Ramazanit

Pejgamberi i Bekuar (s) ka thënë:
“Atë që e jeton muajin e Ramazanit dhe nuk mëshirohet gjatë tij, Allahu e largon prej Vetes.”
(el-Mexhlisi, vëll. LXXIV, f. 74)

 

Hadithi nr 26
Imam Sexhxhadi (‘a) dhe Muaji i Ramazanit

Imam Sadiku (‘a) ka thënë:
“Me të ardhur muaji i Ramazanit, Imam ‘Ali ibn Huseini (‘a) nuk fliste ndryshe veçse përmes du‘ave, tesbiheve, istighfarit dhe tekbirit.”
(el-Kulejni, vëll. IV, f. 88)

 

Hadithi nr 27
Të Premtet e Muajit të Ramazanit

Imam Bakiri ka thënë:
“Pa dyshim, xhumatë e muajit të Ramazanit kanë meritë mbi xhumatë e muajve të tjerë, ashtu siç ka meritë Pejgamberi i Shenjtë (s) mbi profetët e tjerë.”
(el-Mexhlisi, vëll. LXIX, f. 376)

 

Hadithi nr 28
Shtatë Virtyte të Agjërimit

Pejgamberi i Bekuar (s) ka thënë:
“ Nuk ka besimtar, që agjëron një ditë të muajit të Ramazanit - me nijet arritjen e shpërblimeve të tij - e që Allahu i Lartësuar të mos i japë shtatë shkëlqyeshmëri: 1. Ushqimi i ndaluar që i ka hyrë në trup i shkrihet. 2. I afrohet më pranë mëshirës së Allahut. 3. Allahu ia lan gjynahet. 4. Allahu ia pakëson vuajtjet e vdekjes. 5. Allahu e mbron nga uria dhe etja në Ditën e Gjykimit. 6. Falet nga dënimi i Skëterrës. 7. Allahu i siguron ushqimin e mirë dhe të shijshëm të Xhennetit.”
(el-‘Amili, vëll. VII, f. 395)

 

Hadithi nr 29
Muaji i Durimit

Pejgamberi i Bekuar (s) ka thënë:
“Ai është muaji i durimit, dhe s’ka dyshim se shpërblimi i durimit është Parajsa.”
(el-Kulejni, vëll. 4, f. 66)

 

Hadithi nr 30
Dhënia e Sadakasë

Imam Sadiku (‘a) ka thënë:
“Allahu do t’ia largojë shtatëdhjetë lloje fatkeqësish atij që jep sadaka në muajin e Ramazanit.”
(el-‘Amili, vëll. IX, f. 404)

 

Hadithi nr 31
Shpërblimi për një Obligim

Pejgamberi i Bekuar (s) ka thënë:
“Ai që kryen (në të) një obligim të vetëm nga obligimet e Allahut, do të shpërblehet si ai që ka kryer shtatëdhjetë obligime në muajt e tjerë.”
(el-‘Amili, vëll. X, f. 307)

 

Hadith nr 32
Nata e Kadrit

Imam Bakiri (‘a) ka thënë:
“Natën e Kadrit vendoset gjithçka - e mira dhe e keqja, bindja dhe mosbindja, lindja dhe vdekja, si dhe rizku - që do të ndodhë gjatë atij viti, deri në Natën tjetër të Kadrit.”
(el-Kulejni, vëll. IV, f. 157)

 

Hadithi nr 33
Shtojini Namazet në Muajin e Ramazanit

Imam Sadiku (‘a) ka thënë:
“Me të ardhur muaji i Ramazanit, i Dërguari i Allahut (s) i shtonte namazet; edhe unë i shtoj të miat, ndaj shtojini edhe ju tuajat.”
(et-Tusi, vëll. III, f. 60)

 

Hadithi nr 34
Ngrënia e Syfyrit

Pejgamberi i Bekuar (s) ka thënë:
“Hajeni syfyrin edhe nëse është disa gllënka ujë, sepse bekimet e Allahut janë mbi ata që hanë syfyr.”
(et-Tusi, vëll. IV, f. 198)

 

Hadithi nr 35
Uria dhe Etja e Ditës së Kijametit

Imam ‘Aliu ka thënë:
“Le t’jua kujtojë uria dhe etja në të (muajin e Ramazanit) urinë dhe etjen e Ditës së Kijametit.”
(el-Mexhlisi, vëll. XCIII, f. 356)

 

Hadithi nr 36
Thirrja e Allahut

‘Abdullah ibn ‘Abbasi tregon se ai e kishte dëgjuar Pejgamberin e Bekuar (s) duke thënë:
“Çdo natë në muajin e Ramazanit Allahu i Madhërishëm e i Lartësuar thërret tri herë: A ka ndonjë që kërkon prej Meje, që t’ia plotësoj kërkesën? A ka ndonjë që kthehet drejt Meje me pendesë, që Unë të kthehem drejt tij (me mëshirë)? A ka ndonjë që Më kërkon falje, që Unë ta fal?”
(el-‘Amili, Mustedrek ul-Wesa’ail, vëll. VII, f. 429)

 

Hadithi nr 37
Ghusli i Natës së Kadrit

Imam Kadhimi (‘a) ka thënë:
“Atij që merr ghusl në Natën e Kadrit dhe rri zgjuar (në adhurim) do t’i falen të gjitha mëkatet.”
(el-‘Amili, vëll. X, f. 358)

 

Hadithi nr 38
Mburoja e Besimtarit

Në një hadith kudsi, Allahu Fuqiplotë dhe i Madhërishëm thotë:
“Agjërimet janë mburojë për besimtarët në Ditën e Gjykimit, ashtu siç janë mburojë armët në këtë botë.”
(el-‘Amili, vëll. X, f. 403)

 

Hadithi nr 39
Iftar për Besimtarin

Pejgamberi i Bekuar (s) ka thënë:
“Atij që i shtron iftar një besimtari në muajin e Ramazanit do t’i jepet shpërblimi i atij që ka liruar një rob (në rrugën e Allahut) dhe do t’i falen mëkatet e mëparshme. E nëse nuk ka patur më shumë se qumësht të përzier me ujë për të ofruar, ose ujë të ëmbëlsuar dhe një hurmë, Allahu prapë do ia japë shpërblimin.”
(el-Mexhlisi, vëll. XCIII, f. 317)

 

Hadithi nr 40
Lamtumira Muajit të Ramazanit

Pejgamberi i Bekuar (s) lutej:
“O Allah! Mos e cakto këtë muaj të Ramazanit të jetë i fundit për agjërimet e mia. Por nëse e cakton, atëherë bekomë dhe mos më privo (nga mëshira Jote).”
(Badabi el-Kur’an, f. 398)

 

copyright ©
dielli.net
. All rights reserved.
Tekstet e prezentuara domosdoshmërisht nuk përfaqësojnë politikën e redaksisë të dielli.net!