Përgatiti: Edin Q. Lohja
Parathënie
Në Emër të Allahut, Gjithmëshiruesit, të Plotmëshirshmit
"Dhe mos e mbuloni të vërtetën me të gënjeshtërtën, e as mos e fshihni të vërtetën kur e dini atë" (Kur’an, 2:42)
Njëherë Ahmed ibn Hanbeli u pyet nga i biri, ‘Abdullāhi, për rangun e sahabëve të Profetit (s). Imam Ahmedi përmendi Ebū Bekrin, ‘Umerin, ‘Uthmānin... dhe pastaj ndaloi. ‘Abdullāhi atëherë e pyeti të atin: “Ku është emri i ‘Alī ibn Ebī Tālibit?” Imam Ahmedi iu përgjigj: “Ai u përket pasardhësve të nderuar të Pejgamberit (Ehl ul-Bejtit). Emri i tij s’mund të përmendet në një kategori me ata.” 1
Falë Mëshirës dhe Mirësisë së pakufishme të Allahut, muslimanëve shqiptarë iu ridha mundësia e praktikimit të lirë të besimit, pas një ndërprerjeje të egër dhe një cungimi të ashpër të traditës së tyre fetare që zgjati afro gjysëm shekulli. Midis të tjerash, kjo u vijua edhe me ripërtëritjen e botimeve nga lëmej të caktuar të trashëgimisë së stërpasur shpirtërore dhe intelektuale të Islamit, paçka se me një cilësi e seriozitet të palakmueshëm dhe strategji e përkujdesje thuajse inekzistente.
Në kaosin e padeshifrueshëm të fletushkave, pamfleteve, broshurave, kasetave, gazetave, revistave, libërthave, pëmbledhjeve, përkthimeve, studimeve e librave të rrasura pa asnjë kriter në grykat e ngushta dhe mendjet e brishta të besimtarëve të rigjetur, për (pa) çudi mungojnë gati krejtësisht botime që ta kenë trajtuar sadopak figurën madhore të ‘Alī ibn Ebī Tālibit, këtij produkti më të rafinuar e unikalisht të gjithanshëm të shkollës së Profetit të Bekuar (s).
Ky paradoks i dhimbshëm për muslimanët e Shqipërisë së pas ‘90-ës, zmadhohet në caqe edhe më të hidhura po t’i hedhësh një sy traditës së pasur fetare të shqiptarëve në të jetuarit e tyre disashekullor të Islamit, traditë e cila dëshmon në mënyrë verbuese për dashurinë ndaj familjes së Pejgamberit (s) në përgjithësi, dhe Imam ‘Alīut në veçanti. Një mbitheksim i mënyrës dhe cilësisë së artikulimit të një dashurie të tillë përmes, midis të tjerash, rendeve shpirtërore që kanë marrë jetë në këtë nënqiell dhe prodhimeve ndër më të hollat të disa prej penave më mjeshtërore që ka nxjerrë ky komb nëpërmjet tyre, do të ishte fare i panevojshëm.
Mirëpo, njeriu nuk mund të mos çuditet me disa nga prirjet tejet shqetësuese që pasqyron dekori i ri plot ‘predikues’ e ‘teologë’, ‘shkrues’ e ‘studiues’, ‘analistë’ e ‘opinionistë’, ‘profesorë’ e ‘doktorë’ që nga çunakët e zellshëm me kurse tre-javore për fenë (dhe kompjuterin!) e deri te klasa e të sapodiplomuarve besnikë të një ylberi shkollash fetare anekënd dār ul-Islāmit. Për t’i shtuar fatkeqësisë, një pjesë e madhe e literaturës së sjellur në shqip nuk pasqyron aspak nevojat dhe identitetin e vërtetë fetar të shqiptarëve, por interesa nga më banalet deri tek më perverset të lloj-lloj emërtimesh e synimesh. Kështu, herë nga injoranca e herë nga ithtarizmi, herë nga kryeneçësia e herë nga fanatizmi, herë nga interesi e herë nga frika, herë nga verbëria e herë nga pandershmëria, herë nga leverdia e herë nga paaftësia, mund të shohësh lehtë se si i përkulin penat gjithsesi të shterpa, se si u thahet boja gjithsesi e kursyer, si u zbehen fytyrat e nxehura e u mblidhet pës htyma ndër fyte, si i shtrembërojnë faktet e padiskutueshme dhe përpiqen të fshehin të vërtetën e qartë si dielli në mesditë, sa herë që është fjala për të përmendur një meritë sado të vogël të vëllait dhe zëvendësit të Profetit (s), dhëndrit dhe kushëririt të tij, besimtarit të parë në Allahun dhe të Dërguarin e Vet (s), që është për Pejgamberin si Harūni për Mūsain, wasi-ut të të Dërguarit të Allahut (s) dhe wali-ut të çdo besimtari e besimtareje pas tij, prijësit të të devotshmëve dhe shfarosësit të të shthururve, pozicioni i të cilit ndaj Profetit është si ai i Profetit (s) ndaj Zotit, babait të pasardhësve të të Dërguarit të Allahut (s) dhe Imamit të familjes së tij të pastruar, portës së Qytetit të dijes dhe derës së urtisë, njeriut që e do Allahun e të Dërguarin e Tij (s) dhe të cilin e do Allahu e i Dërguari i Tij (s), dashuria ndaj të cilit është shenjë e imanit dhe urrejtja ndaj të cilit është hipokrizi; sharja, luftimi e mallkimi i të cilit është sharje, luftim e mallkim i të Dërguarit të Allahut, të vetmit që Profeti (s) i lejoi të kishte një derë me hyrje në xhami, të vetmit që ai s’e vuri nën komandën e askujt as edhe një herë, njeriut që është me Kur’anin dhe që Kur’ani është me të gjersa t’i bashkohet Pejgamberit (s) tek Haudi i Keutherit, atij që është me të Vërtetën dhe e Vërteta është me të deri në Ditën e Gjykimit, i cili është nga Profeti (s) dhe Profeti (s) është nga ai, besnikëria ndaj të cilit është besnikëri ndaj Profetit (s), dhe braktisja e të cilit është braktisje e Profetit (s), atij që flijoi jetën duke u shtrirë në shtratin e Profetit (s) kur idhujtarët deshën ta vrisnin, trimit të Bedrit dhe shfarosësit të paganëve, mbrojtësit të të Dërguarit të Allahut (s) në Uhud dhe në Hunejn kur shumë nga trimat muslimanë ia mësynë me të katra kodrës duke e lënë Profetin (s) thuajse të vetëm, luftëtarit goditja e vetme me shpatë nga i cili në Betejën e Hendekut është më e vlefshme se të gjitha adhurimet e ummetit të Muhammedit (s) gjer në Ditën e Gjykimit - ditë kur ai do të jetë faqebardhë bashkë me pasuesit e tij, zaptuesit të vetëm të fortesës së pakalueshme të Hajberit, sekretarit të Pejgamberit (s) në marrëveshjen e Hudejbijes, pastruesit të Qa‘bes nga idhujt në ditën e pushtimit të Mekës, njërit nga ‘të pesë të pastruarit nën mbulesë’ nga të cilët Allahu {dëshiroi të largojë tërë ndytësinë e mëkateve dhe t’i pastrojë me një pastrim të skajshëm}, 2 njeriut që u ngarkua nga vetë Profeti (s) për larjen dhe varrosjen e trupit të tij të bekuar kur të vdiste si dhe shlyerjen e borxheve të tija, vetja e të cilit është e njëjtë me veten e Profetit, 3 dashuria e salavātet mbi të cilin janë urdhëruar nga Kur’ani, 4 dhe janë pjesë e namazit të çdo muslimani qoftë ky es-Siddīk, el-Farūk, me një apo shumë drita... të gjitha këto sipas ajeteve kur’anore dhe hadītheve të sakta e mutewātir që citohen madje edhe nga disa prej armiqve më fanatikë të familjes së Profetit të nderuar (s).
Figura e ‘Alīut, që përfaqëson autoritetin par excellence të ezoterikës dhe misticizmit islam, personalitetin qendror të traditës shumë të vyer shpirtërore të tij tek i cili përfundojnë zinxhirët e gjatë të të gjitha shkollave e rendeve shpirtërore në Islam, simbolin e dijes, asketicizmit, drejtësisë, elokuencës, trimërisë, dhembshurisë dhe thjeshtësisë së pashoq, do të vazhdojë të shndrisë në zemrat e besimtarëve, si njohësi më i thellë i Kur’anit dhe interpretuesi më i parë i tij, të cilit i Dërguari i Allahut (s) i hapi ‘njëmijë dyer të diturisë çdonjëra nga të cilat hap njëmijë të tjera’ duke u kujdesur për të që në lindje, dhe duke e mbajtur pranë në çdo hap të misionit të vet.
Kemi nderin e pashprehshëm të ofrojmë një përzgjedhje të vockël nga meritat e panumërta të vëllait të Profetit (s), e cila po të krahasohet me tekstet që na kanë mbërritur rreth tij, megjithë censurën e egër, është si shporta me lule ndaj lëndinës, apo një pikëz uji ndaj oqeanit. Shpresojmë se ajo do të ndihmojë në zgjimin e interesimit për figurën e Imam ‘Alīut, dhe do ta shuajë sadopak etjen e dashamirësve shqipfolës të Ehl ul-Bejtit të bekuar, të cilët mjerisht s’kanë patur akoma rastin të ndeshen me një material të këtij lloji.
Përmbledhja që keni në dorë bazohet mbi librin e njohur me të njëjtin titull, i cili u botua në përvjetorin katërmbëdhjetë-shekullor të ngjarjes madhore të Gadir Khumit, nga Asambleja e Ehl ul-Bejtit për Amerikën, dhe i cili ka patur qarkullim e popullaritet të lartë gjer më sot. I shprehim mirënjohjen drejtuesit të saj Sejjid Muhammed Rezā Hixhāzī për lejen e përkthimit dhe botimit, si dhe Sejjid Muhammed el-Mūsawīt të Ligës Botërore Islame të Ehl ul-Bejtit (Londër, Britani), për materialin në anglisht dhe tekstin origjinal në gjuhën arabe. Gjithashtu, theksojmë vlerësimin për durimin e treguar nga vëllai Altin Loshi, i cili verifikoi përkthimin me origjinalin dhe bëri sugjerime thelbësore.
Dhe falënderimi i takon Allahut, me të Cilin është i tërë suksesi.
wa ‘Llāhu a‘lem.
Edin Q. Lohja
Shkodër, Ramazan 1424/Nëntor 2003.
1 E përcjell Sejjid ‘Alī Hamādānī el-Shāfi’ī në librin e tij të njohur Muweddet ul-Kurba (muwedde 7, fq 108) nga Ahmed ibn Muhammed el-Kurzaī el-Baghdādī, i cili citon drejtpërsëdrejti ‘Abdullāh ibn Ahmed ibn Hanbelin.
2 Shih komentimin e ajetit 33:33 të Kur’anit në librat e tefsīr-it dhe të hadīth-it.
3 Shih komentimin e ajetit 3:61 të Kur’anit në librat e tefsīr-it dhe të hadīth-it.
4 Shih komentimin e ajeteve 42:23 dhe 33:56 të Kur’anit në librat e tefsīr-it dhe të hadīth-it.
Hyrje
Në Emër të Allahut, Gjithëmëshiruesit, të Plotmëshirshmit
Falënderimet dhe madhërimet i takojnë Allahut, i Cili e derdh mëshirën e Vet mbi tërë njerëzimin. Përshëndetjet dhe bekimet e pashtershme qofshin mbi profetët dhe të dërguarit e Allahut, të cilët bashkuan Mbretërinë e Qiellit me atë të tokës. Përshëndetje të pakufishme pastë mbi prijësit dhe rojtarët e Mesazhit hyjnor të cilët e ndërgjegjësuan njerëzimin për thelbin e tij të vërtetë dhe e udhëzuan atë për gjetjen dhe futjen në Rrugën e drejtë. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Allahut Muhammedin, dhe Familjen e tij të papërlyer e të pastër. Dhe përshëndetje e bekime për ‘Alīun, Prijësin e Besimtarëve dhe Imamin e të Devotshmëve.
Personaliteti i lartësuar dhe madhështor i Emīr ul-Mu’minīn ‘Alī ibn Ebī Tālibit, i cili u ushqye në prehrin e shpalljes së përjetshme dhe shkollës jetë-dhënëse të të Dërguarit të Allahut (s), ka qenë lënda e kërkimeve dhe studimeve të panumërta nga aspekte të ndryshme e metoda të larmishme përgjatë tërë historisë së njerëzimit, si para ashtu edhe pas jetës së tij në këtë botë. Prapëseprapë, megjithë tërë këto studime e kërkime, shumë përmasa të ekzistencës dhe personalitetit të tij sublim mbeten të panjohura. Vërtet, duhet pranuar se në mënyra të ndryshme, njerëzit s’kanë arritur ta kuptojnë vërtetësisht këtë personalitet. Kështu, dalim në përfundimin se askush s’e njeh tamam ‘Alīun përveç Allahut dhe të Dërguarit të Tij (s), dhe vetëm Allahu dhe i Dërguari i Tij (s) mund ta portretizojnë fytyrën e vërtetë të kësaj qenieje të përkryer njerëzore. Janë fjalët e Allahut të Lartmadhëruar dhe ato të të Dërguarit të Tij (s) që janë burimet më të mira, më të plota, dhe më elokuente për ta kuptuar personalitetin e shenjtë të Hazreti ‘Alī ibn Ebī Tālibit.
Nga njëra anë, sipas burimeve të ndryshme historike, disa libra hyjnorë të feve të shkuara i janë referuar këtij njeriu të përsosur ose si ‘trashëguesi i Profetit të Kohës së Fundit’, ose si ‘vëllai i të Dërguarit të Allahut (s)’, apo si wali-u-Llāh (i dashuri i Allahut). Disa nga ajetet hyjnore të Kur’anit Fisnik që i janë shpallur në kohë të ndryshme të Dërguarit të lartësuar të Allahut (s), sipas komentuesve islamë (mufessirīn), tregojnë virtytet dhe çuditë e ndryshme të këtij njeriu të shenjtë me emrin Imam ‘Alī.
Nga ana tjetër, fjalët ndriçuese e të mrekullueshme të Profetit të Mëshirës dhe të Dërguarit të Allahut (s), që janë përcjellur në burimet e shumta të hadīthit dhe librave të historisë, zbulojnë dimensionet dhe virtytet e ndryshme të Emīr ul-Mu’minīnit.
Në këtë përmbledhje koncize, janë grumbulluar 110 thënie mbi Imam ‘Alīun të cilat janë prezantuar në dy gjuhë. 110 është vlera numerike e gërmave të emrit ‘Alī, sipas sistemit të lashtë Ebxhed. Të gjitha thëniet vijnë nga librat dhe burimet e dijetarëve sunni, shumica prej të cilave janë hadīthe të Profetit të shenjtë (s). Për tekstin në arabisht të thënieve është përdorur libri Fadā’il el-Khāmseh min es-Sihāh us-Sitteh, (“Virtytet e Pesë Anëtarëve të Ehl ul-Bejtit nëpër Gjashtë Sahīhët”) i shkruar nga Rahīmeullāh Firūzabādīu. Në fillim të çdo thënieje është dhënë burimi dhe vendndodhja e saj.
Jemi krenarë t’ia prezantojmë këtë përmbledhje të paçmueshme mbarë njerëzimit. Shpresojmë se ajetet, hadīthet, dhe fjalët e vyera që janë mbledhur në këtë punim do të ndihmojnë në ndriçimin e rrugës së udhërrëfimit, dhe se do të na japin një të kuptuar më të mirë si dhe dashuri më të madhe për Ehl ul-Bejtin e Profetit të nderuar (s).
Sejjid Muhammed Rezā Hixhāzī,
Washington, DC
20 Xhumadi eth-Thāni 1421 / 19 Shtator 2000
1. Hākimi në el-Mustedrek us-Sahīhejn, vëll. III, fq 107:
Me sened nga Muhammed ibn Mensūr et-Tūsī, i cili pohon: ‘E kam dëgjuar Ahmed ibn Hanbelin duke thënë: “Për asnjërin prej as’hābëve nuk na kanë mbërritur [aq hadīthe] nga i Dërguari i Allahut (s) sa ç’na kanë mbërritur lidhur me virtytet e ‘Alī ibn Ebī Tālibit.”’
2. Muhibb ed-Dīn et-Taberīu në er-Rijād un-Nedīreh, vëll. II, fq 214:
Transmetohet nga Umer ibn el-Khattābi se i Dërguari i Allahut (s) ka thënë: “Asnjeri nuk mund t’i afrohet virtyteve të ‘Alīut; ai e shpie shokun e vet në udhërrëfim dhe e largon atë nga humbja.” (E ka përcjellur Taberānīu).
3. Ibn ‘Abd el-Berri në el-‘Istī’āb, vëll. II, fq 466:
Ahmed ibn Hanbeli dhe kadiu Ismā‘īl ibn Is’hāk kanë thënë: “Nuk është transmetuar aq shumë mbi virtytet e asnjërit prej as’habëve – me zinxhirë të mirë (hisān) transmetimi – sa ç’është transmetuar mbi virtytet e ‘Alī ibn Ebī Tālibit.” (E ka pohuar edhe Nesā‘īu, dhe përcillet edhe nga Ibn Haxheri në es-Sawā’ik ul-Muhrike, fq 72)
4. Hāfiz Ebū Na’īm el-Isfahānī në Hiljetu’l-Ewlijā’, vëll. I, fq 84:
“Ibn ‘Abbāsi ka thënë: ‘I Dërguari i Allahut (s) ka thënë: “Kushdo që dëshiron të jetojë jetën time, të vdesë vdekjen time, e të banojë në Xhennetin e Përjetësisë të mbjellur nga Zoti im, atëherë le të marri për kujdestar (wali) ‘Alīun dhe trashëgimtarët e tij; dhe le të pasojë Imamët [që do vijnë] pas meje sepse ata janë pasardhja e ime (‘itretī): ata janë krijuar nga brumi im dhe janë pajisur me të kuptuar dhe dije. Ndaj, mjerë ata nga ummeti im që ua mohojnë meritat dhe me këtë ndahen prej meje! Allahu mos ua dhashtë ndërmjetësimin tim!’”
5. Hākimi në el-Mustedrek us-Sahīhejn, vëll. III, fq 483:
“Është transmetuar nga një numër i bollshëm burimesh (tewātur) nëpër hadīthe se Fātime bint Esedi e lindi Prijësin e Besimtarëve ‘Alī ibn Ebī Tālib, brenda Qa‘bes.”
6. el-Manāwī në Kunūz ul-Hakā‘ik, fq 188:
“Dejlemīu ka transmetuar: [I Dërguari i Allahut (s)] tha: ‘O ‘Alī! Pozita jote është si ajo e Qa’bes!”
[Kjo është pjesë e hadīthit të njohur të cilin e transmeton edhe Ibn ul-Athīri në Usd ul-Ghābeh fī Ma’rifeti Sahābeh, vëll. IV, fq 31, ku i Dërguari i Allahut (s) citohet t’i ketë thënë Hazreti ‘Alīut: “Pozita jote është si ajo e Qa’bes. Njerëzit shkojnë tek Qa‘beja por ajo shtëpi e madhërishme nuk i afrohet kurrë askujt. Ndaj, nëse pas vdekjes sime, njerëzit vijnë tek ti dhe të japin betimin e besnikërisë (bejāt) pranoje, e nëse nuk vijnë, atëherë ti mos shko te ata.” (shën. i përk.)]
7. Hākimi në el-Mustedrek us-Sahīhejn, vëll. III, fq 465:
“Ibn ‘Abbāsi ka thënë: ‘Ebū Mūsa el-‘Esharīu tha: ‘Alīu ishte padyshim i pari që e pranoi Islamin me të Dërguarin e Allahut (s)’.” [Hākimi shton: “Ky hadīth është i saktë (sahīh) me zinxhir (sened).”]
8. Ibn ‘Abd el-Berri në el-Istī‘āb, vëll. II, fq 457:
“Transmetohet nga ‘Amr Mawla ‘Afreh i cili ka thënë se: Muhammed ibn el-Kurzain e pyetën: ‘Kush e pranoi i pari Islamin, ‘Alīu apo Ebū Bekri?’ Ai u përgjigj: ‘Subhānallāh! ‘Alīu ishte i pari nga ata të dy që e pranoi Islamin. Kjo çështje i ngatërroi disa njerëz sepse ‘Alīu e fshehu besimin e tij nga Ebū Tālibi, kurse Ebū Bekri e deklaroi haptazi Islamin. Por sipas nesh s’mund të ketë asnjë dyshim se ‘Alīu ishte i pari prej tyre që e pranoi Islamin’.”
9. el-Muttekī el-Hindī në Kenz ul-‘Ummāl, vëll. VI, fq 395:
“Umer ibn el-Khattābi ka thënë: ‘Nuk do ta arrini ‘Alīun në tre gjëra, sepse e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (s) të thotë tre gjëra [për ‘Alīun] që sikur të kisha vetëm njërën prej tyre, do të ishte më e shtrenjtë për mua se gjithçka mbi të cilën lind dielli. Isha te Profeti (s), së bashku me Ebū Bekrin, Ebū ‘Ubejdeh ibn ul-Xherrāhin, dhe disa shokë të tjerë të Profetit (s), kur ai i ra në sup ‘Alīut me dorën e tij, dhe tha: ‘Ti je i pari ndër njerëz që e pranoi Islamin! Ti je i pari i njerëzve në īmān! Ti je për mua si Harūni për Mūsain!’”
10. Ibn Haxher el-‘Askalānī në el-Isābeh fī Temjīzi Sahābeh, vëll. VII, Pj. 1, fq 167:
“Transmetohet nga Ebū Ahmedi, Ibn Mendeh dhe të tjerë përveç këtyre dyve, nga zinxhiri i Is’hāk ibn Bishr el-Esdīut, prej Khālid ibn el-Hārithit, prej ‘Aufit, prej el-Hasanit prej Ebū Lejlā el-Ghifārīut, i cili tha: ‘E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (s) duke thënë: “Do të ketë fitne pas meje. Kur ajo të ndodhi, kapuni pas ‘Alī ibn Ebī Tālibit. Padyshim ai është i pari që besoi në mua, dhe i pari që do të më përshëndesë në Ditën e Gjykimit. Ai është miku i sinqertë më i madh (siddīku akbar), kriteri dallues (farūku) i këtij ummeti. Ai është strehimi i besimtarëve, ndërsa paraja është strehimi i hipokritëve.”’
11. Muhibb ed-Dīn et-Taberīu në er-Rijād un-Nedīreh, vëll. II, fq 226:
‘Umer ibn el-Khattābi tha: “Dëshmoj se i Dërguari i Allahut (s) ka thënë: ‘Sikur shtatë qiejt të vendoseshin në njërën pjatë të peshores dhe īmāni i ‘Alīut në tjetrën, īmāni i ‘Alīut do të rëndonte më shumë.’” (E ka transmetuar edhe Ibn es-Samāni dhe el-Hāfidh es-Selefī në el-Meshjekātu el-Baghdādije, si dhe el-Fadā‘ili.)
12. Dār Kutnīu në Sunen, fq 136:
Ebū Mes’ūd el-Ensārīu tha: ‘I Dërguari i Allahut (s) ka thënë: “Kushdo që fal namaz (salāt) dhe nuk dërgon salawāt mbi mua dhe Ehl-i Bejtin tim, namazi i tij nuk pranohet.”’
13. Ibn Haxher el-Mekki në es-Sawā’ik ul-Muhrike, fq 88:
Nga Imam esh-Shāfi‘īu, Allahu qoftë i kënaqur prej tij:
O Ehl-i Bejt i të Dërguarit të Allahut, dashuria ndaj jush është obligim
Që Allahu e urdhëroi në Kur’anin e Tij të Lartësuar;
Mjafton si provë e madhështisë suaj që nëse dikush për ju s’dërgon bekim
Atëherë për të është sikur namaz të mos ketë kënduar!
14. Nesā‘īu në Sahīh, vëll. I, fq 190:
“Mūsa ibn Talhah transmeton nga i ati se ky tha: E pyetëm të Dërguarin e Allahut (s), “Si të të dërgojmë salawāt?” Ai u pëgjigj: [Thoni] ‘O Allah! Bekoje Muhammedin dhe Familjen e Muhammedit siç e ke bekuar Ibrāhīmin dhe Familjen e Ibrāhīmit. Vërtet, Ti je më i Lëvduari, më i Madhërishmi! O Allah! Derdhi begatitë e Tuaja mbi Muhammedin dhe Familjen e Muhammedit siç i ke derdhur mbi Ibrahīmin dhe Familjen e Ibrahīmit! Vërtet, Ti je më i Lëvduari, më i Madhërishmi.’” [Allāhum-me sal-lī’ ‘alā Muhammed wa ‘alā āl-i Muhammed kemā salejte alā Ibrāhīm wa ‘alā āl-i Ibrāhīm, in-neke Hamīdun Mexhīd. Allāhum-me barīk ‘alā Muhammed wa ‘alā āl-i Muhammed, kemā berekte ‘alā Ibrahīm wa ‘alā āl-i Ibraīhim, in-neke Hamīdun Mexhīd.]
15. Imam Ahmedi në Musned, vëll. VI, fq 323:
Prej Shehr ibn Hawshebit prej Ummi Selemes, e cila tregon se i Dërguari i Allahut (s) i tha Fātimesë: “Sille yt shoq dhe dy fëmijët tuaj! Porsa ajo i solli, ai (s) hodhi mbi ta një batanije të veçantë leshi dhe pastaj vendosi dorën e tij mbi ta. Atëherë, ai tha: ‘O Allah! Këta janë Familja e Muhammedit! Prandaj, dërgoji salawātet dhe bekimet e Tuaja mbi Muhammedin dhe mbi Familjen e Muhammedit. Ti je më i Lavdëruari, më i Madhërishmi!’”
16. Xhelāl ed-Dīn Sujūtīu në ed-Durr ul-Menthūr, në fundin e komentimit të ajetit tat’hīr, Sure el-Ahzāb: {Allahu dëshiron të largojë tërë ndytësinë (e mëkateve) nga ju, O Ehl ul-Bejt, dhe t’ju pastrojë me një pastrim të skajshëm} (33:33):
“Ibn Xherīri, el-Hākimi, dhe Ibn Mardawejhi transmetojnë nga Sa‘di se ai tha: ‘Shpallja (wahj-i) zbriti mbi të Dërguarin e Allahut (s). Pastaj, ai mbështolli ‘Alīun, Fātimenë, dhe dy djemtë e tyre nën pelerinën (thowb) e tij. Atëherë, ai (s) tha: “O Allah! Këta janë familja ime dhe Ehl-i Bejti im!’”
17. Ibn Haxher el-Mekkī në es-Sawā’ik ul-Muhrike, fq 87:
Transmetohet nga i Dërguari i Allahut (s): “Mos dërgoni salawāt të cunguar mbi mua!” E pyetën: Ç’është salawāti i cunguar? Ai u përgjigj: “Të thoni: ‘O Allah! Derdhi bekimet e Tuaja mbi Muhammedin!’ e pastaj të ndaloni. Në vend të kësaj, thoni: ‘O Allah! Derdhi bekimet e Tuaja mbi Muhammedin dhe familjen e Muhammedit!’ [Allāhum-me sal-lī’ ‘alā Muhammed wa ‘alā āl-i Muhammed].”
18. Tirmidhīu në Sahīh, vëll. II, fq 209:
Transmetohet nga ‘Amr ibn Ebī Selemeh, djali i gruas së Profetit (s), Ummi Selemeh, se kur mbi Profetin (s) zbriti ajeti {Allahu dëshiron të largojë tërë ndytësinë (e mëkateve) nga ju, o Ehl ul-Bejt, dhe t’ju pastrojë me një pastrim të plotë} në shtëpinë e Ummi Selemes, ai (s) thirri Fātimenë, Hasanin e Huseinin, dhe i mbuloi ata me një mbulesë (kisa’). ‘Alīu ishte pas tij dhe Profeti (s) e mbuloi edhe atë me ta. Atëherë, ai (s) tha: “O Allah! Këta janë Ehl-i Bejti im. Largoje tërë ndytësinë e mëkateve prej tyre dhe pastroji ata me një pastrim të skajshëm!” Ummi Selemja tha: “A jam unë mes tyre, O i Dërguari i Allahut?” Ai u përgjigj: “Ti ke pozitën tënde dhe je në të mirë.”
19. Tirmidhīu në Sahīh, vëll. II, fq 209:
“Sipas Enes ibn Mālikut, i Dërguari i Allahut (s) për gjashtë muaj me rradhë kalonte pranë derës së Fātimesë çdoherë që dilte për të falur sabahun, dhe thonte: ‘Namazi, namazi, o Ehl ul-Bejt! {Allahu dëshiron të largojë të gjithë ndytësinë e mëkateve nga ju, o Ehl ul-Bejt, dhe t’ju pastrojë me një pastrim të skajshëm}.’
20. Xhelāl ed-Dīn Sujūtīu në ed-Durr ul-Menthūr, komentimi i ajetit 33:33...:
“...dhe Ibn Mardawejhi, Ibn ‘Asākiri e Ibn Nexhxhāri të cilët transmetojnë prej Ebū Sa‘īd el-Khudrīut, i cili ka thënë: ‘Kur u shpall ajeti {Dhe urdhëroje familjen tënde të falë namaz…} [20:132], Profeti (s) për tetë muaj me rradhë, në vaktin e sabahut, vinte tek dera e ‘Alīut dhe thërriste: ‘Erdhi koha e namazit, Allahu ju mëshiroftë! {Allahu dëshiron të largojë tërë ndytësinë e mëkateve nga ju, o Ehl ul-Bejt, dhe t’ju pastrojë me një pastrim të skajshëm}’.”
21. Xhelāl ed-Dīn Sujūtīu në ed-Durr ul-Menthūr, komentimi i ajetit 33:33...:
“...dhe Ibn Mardawejhi, të cilët transmetojnë prej Ibn ‘Abbāsit, i cili ka thënë: “E kam parë të Dërguarin e Allahut (s) për nëntë muaj t’i afrohej derës së ‘Alī ibn Ebī Tālibit në vaktin e çdo namazi e të thërriste: ‘Es-selāmun aleikum we rahmetullāhi we berekātuhu, O Ehl ul-Bejt! {Vërtet, Allahu dëshiron të largojë tërë ndytësinë (e mëkateve) nga ju, O Ehl ul-Bejt, dhe t’ju pastrojë me një pastrim të skajshëm}. Është koha e namazit, Allahu ju mëshiroftë!’ (Ai e bënte këtë) pesë herë në ditë.”
22. Ahmed ibn Hanbeli në Musned, vëll. IV, fq 107:
“Shaddād ibn Ebī ‘Ammāri tha: ‘Hyra tek Wāthileh ibn el-Askā’i dhe tek ai ishin disa të tjerë. Ata përmendën ‘Alīun. Kur u çuan për të ikur, ai më tha: “A dëshiron të të tregoj diçka që e kam parë nga i Dërguari i Allahut (s)?” Sigurisht, i thashë. Atëherë, ai tha:
“Iu afrova Fātimesë për ta pyetur mbi ‘Alīun. Ajo tha: ‘Drejtoju të Dërguarit të Allahut (s).’ Kështu, u ula ta prisja, gjersa i Dërguari i Allahut (s) erdhi, dhe me të ishte ‘Alīu, Hasani, e Huseini; këta të dy kishin kapur secili njërën dorë të tij. Kur hyri, ai (s) e uli ‘Alīun dhe Fātimenë përpara vetes, kurse Hasanin dhe Huseinin i uli secilin mbi njërën kofshë të tij. Pastaj, ai (s) mbështolli rrobën e tij (thowb) – ose ka thënë ‘pelerinën e tij’ (kisa’) - rreth tyre. Atëherë, ai (s) recitoi ajetin: {Allahu dëshiron të largojë nga ju tërë ndytësinë (e mëkateve), O Ehl ul-Bejt, dhe t’ju pastrojë me një pastrim të skajshëm}, dhe tha: ‘O Allah! Këta janë Ehl-i Bejti im! Dhe Ehl-i Bejti im ka të drejtën më të madhe.’” (E ka transmetuar edhe Ibn Xherīr et-Taberīu.)
23. Tirmidhīu në Sahīh, vëll. II, fq 166:
“Prej ‘Amr ibn Sa’d ibn Ebī Wakkāsit, i cili përcjell nga i ati Sa’d ibn Ebī Wakkās, se kur Allahu shpalli ajetin {Le të thërrasim bijtë tanë dhe bijtë tuaj…} [3:61], i Dërguari i Allahut (s) thirri ‘Alīun, Fātimenë, Hasanin, dhe Huseinin e tha: ‘O Allah! Këta janë Familja ime!’” (E ka transmetuar edhe Hākimi në el-Mustedrek us-Sahīhejn, vëll. III, fq 150.)
24. Tirmidhīu në Sahīh, vëll. II, fq 301:
“‘Alī ibn Ebū Tālibi transmeton se i Dërguari i Allahut (s) kapi dorën e Hasanit dhe Huseinit, e tha: ‘Kushdo që më do mua, këta të dy, babain e tyre, dhe nënën e tyre do të jetë me mua në pozitën time në Ditën e Ringjalljes.’” (E ka transmetuar edhe ‘Abdullāh ibn Ahmedi në Musned-in e të atit, Ahmed ibn Hanbelit.)
25. Zemakhsherīu në Tefsīr el-Keshshāf, në komentimin e ajetit {..Thuaj: Unë nuk kërkoj prej jush ndonjë shpërblim për thirrjen time, përveç dashurisë ndaj të afërmve (të mi)..} [42:23]:
“Transmetohet se kur u shpall ky ajet, e pyetën të Dërguarin e Allahut (s): ‘Kush janë këta të afërm dashuria ndaj të cilëve na është bërë e detyrueshme?’ Ai (s) u përgjigj: ‘‘Alīu, Fātimeja, dhe dy djemtë e tyre.’”
26. Muhibb ed-Dīn et-Taberīu në er-Rijād un-Nedīreh, vëll. II, fq 207:
“Ndër ajetet e zbritura për virtytet e Imam ‘Alīut është thënia e Tij (swt): {… dhe I Gjithmëshirshmi do t’u krijojë dashuri (në kraharorët e tyre)} [19:96]. Sipas Ibn ul-Hanefijjes, ‘Asnjeri nuk mbetet besimtar përderisa të mos ketë dashuri në zemër për ‘Alīun dhe Ehl ul-Bejtin.’” (Gjithashtu, kjo transmetohet edhe nga el-Hāfidh es-Selefīu dhe Ibn Haxheri në es-Sawā’ik ul-Muhrike, fq 102.)
27. Xhelāl ed-Dīn Sujūtīu në ed-Durr ul-Menthūr, komentimi i ajetit 98:7:
“Ibn ‘Adīu transmeton prej Ibn ‘Abbāsit se ai tha: ‘Kur u zbrit ajeti {Padyshim, më të mirët e Krijimit janë ata që besuan dhe bënë vepra të mira} [98:7], i Dërguari i Allahut (s) i tha ‘Alīut: ‘Kjo do të thotë se ti dhe ndjekësit [ar. shī‘itët] e tu, Ditën e Ringjalljes do të jeni të kënaqur dhe kënaqës (për Allahun).’”
28. Muhibb ed-Dīn et-Taberīu në er-Rijād un-Nedīreh, vëll. II, fq 163:
Ebū Bekri dhe ‘Alīu erdhën të vizitonin varrin e Profetit (s) gjashtë ditë pas ndërrimit jetë të tij. Imam ‘Alīu i tha Ebū Bekrit: ‘Vazhdo ti i pari!’ Ebū Bekri u përgjigj: ‘Unë nuk i dal përpara atij për të cilin Profeti (s) ka thënë: ‘Alīu është për mua siç jam unë për Zotin tim.’ Këtë e ka transmetuar edhe Ibn es-Samāni në el-Muweffekah dhe Ibn Haxheri në es-Sawā’ik ul-Muhrike, fq 106.
29. Bukhāriu në Sahīh (Kitāb bed ul-khalk; bāb: Menākib ‘Alī ibn Ebī Tālib) dhe Muslimi në Sahīh(Kitāb Fadā’il es-Sahābe):
“I Dërguari i Allahut (s) i tha ‘Alīut: ‘A nuk je i kënaqur që ti je për mua si Harūni për Mūsain?’”
30. Nesā‘īu në Khasā‘is Imam ‘Alī ibn Ebī Tālib, fq 4:
“Transmeton ‘Abdur-Rahmān ibn Sa’bīti nga Sa’di: ‘Po rrija me ca njerëz të cilët po përpiqeshin t’i gjenin të meta ‘Alī ibn Ebī Tālibit. Atëherë, u thashë: Padyshim, e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (s) të tregonte tre virtyte të shkëlqyera të ‘Alīut; sikur vetëm të kisha njërin prej tyre do të ishte më e shtrenjtë për mua sesa e kuqja e deveve.* Unë e kam dëgjuar atë të thonte: “Padyshim ai [‘Alīu] është për mua si Harūni për Mūsain, vetëm se nuk do të ketë profet pas meje.” Dhe unë e kam dëgjuar atë të thonte: “Nesër do t’ia jap flamurin [në Betejën e Khajberit] një njeriu [‘Alīut] të cilin e do Allahu dhe i Dërguari i Tij, dhe i cili e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij.” Dhe unë e kam dëgjuar atë të thonte: “Kujtdo që unë i jam kujdestar (wali), ‘Alīu i është kujdestar (wali).”
[* E kuqja e deveve mbahej nga arabët si më e vlerësuara dhe më e shtrenjta prej të gjitha mallrave, simbol i pasurisë dhe prestigjit shoqëror. (shën. i përk.)]
31. el-Muttekī el-Hindī në Kenz ul-‘Ummāl, vëll. VI, fq 395:
“Ibn ‘Abbāsi transmeton se ‘Umer ibn el-Khattābi tha: ‘Ju të gjithë duhet të heshtni nga të përfolurit e ‘Alī ibn Ebī Tālibit, sepse e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (s) të tregojë tre virtyte të shkëlqyera për ‘Alīun që sikur të kisha vetëm njërën prej tyre, do të ishte më e dashur për mua se gjithçka mbi të cilën lind dielli. Isha me të Dërguarin e Allahut (s) së bashku me Ebū Bekrin, Ebū ‘Ubejdeh ibn ul-Xherrān, dhe një grup as’habësh të tjerë të Profetit (s), ndërsa Profeti (s) qe mbështetur mbi ‘Alī ibn Ebī Tālibin. Atëherë ai e goditi në sup ‘Alī ibn Ebī Tālibin me dorën e tij dhe tha: ‘Ti O ‘Alī, je i pari i njerëzve në īmān! Ti je i pari i njerëzve që e pranoi Islamin! Ti je për mua siç është Harūni për Mūsain. Kushdo që pretendon se më do mua e ndërkohë të urren ty, më ka mohuar!’” (E ka përcjellur el-Hasan ibn Bedri, në atë që ka transmetuar për khulefātë.)
32. Nesā‘īu në Khāsa’is Imām ‘Alī ibn Ebī Tālib, fq 19:
“‘Imrān ibn Hasini tha: ‘I Dërguari i Allahut (s) ka thënë: “‘Alīu është prej meje dhe unë jam prej ‘Alīut; ai është wali-u (kujdestari, mbikqyrësi) i çdo besimtari pas meje.”
33. Muslimi në Sahīh (Kitāb Fadā’il as-Sahābeh; bāb: min Fadā’il ‘Alī ibn Ebī Tālib):
“Transmetohet prej Sa’īd bin el-Musejjebit prej ‘Amr ibn Sa’d ibn Ebī Wakkāsit, prej të atit Sa’d ibn Ebī Wakkās, se: I Dërguari i Allahut (s) i tha ‘Alīut: ‘Pozita jote ndaj meje është si ajo e Harūnit për Mūsain, vetëm se nuk do të ketë profet pas meje.’ Sa’īdi tha: ‘Doja t’ia thoja gojarisht Sa’dit se e kisha dëgjuar këtë prej ‘Amrit. Pasi e takova, i thashë atë që kisha dëgjuar prej ‘Amrit dhe ai m’u përgjigj: ‘Ashtu është, e kam dëgjuar!’ Unë i thashë: ‘E ke dëgjuar?!’ Ai vendosi gishtat në veshë e tha: ‘Po [me këta të dy].’”
34. Ibn Maxheh në Sunen (bāb: Fadā’ilas’hāb Resūli’l-Lāh), fq 12:
“Berā’ ibn ‘Azibi tha: ‘U nisëm me të Dërguarin e Allahut (s) në Haxhin e tij të Lamtumirës. Gjatë rrugës, ai u ndal në një vend dhe i urdhëroi njerëzit për namaz në xhema’āt. Pastaj, ai mori dorën e ‘Alīut dhe tha: “A nuk kam unë më shumë përparësi mbi besimtarët se ç’kanë ata mbi vetet e tyre?” Njerëzit u përgjigjën: “Vërtet, po!” Atëherë, ai (s) tha: “A nuk kam unë më shumë përparësi mbi secilin besimtar, se ç’ka ai mbi veten e vet?” Ata u përgjigjën: “Vërtet, po!” Pastaj, ai (s) tha: “Atëherë ky [‘Alī] është wali-u (kujdestari, mbikqyrësi) i kujtdo të cilit i jam unë wali. O Allah, bëje mik atë që e bën mik atë! O Allah, bëhu armik i kujtdo që i është armik atij!”
35. el-Muttekī el-Hindī në Kenz ul-‘Ummāl, vëll. VI, fq 399:
“Xherīr el-Bexhlī tha: ‘E pamë grumbullimin e haxhijve gjatë Haxhit të Lamtumirës të të Dërguarit të Allahut (s), kur arritëm në një vend të quajtur Ghadīr Khumm. Ai thirri për namaz në xhema’āt, ndaj ne muhāxhirët dhe ensārët u mblodhëm. Atëherë i Dërguari i Allahut (s) u ngrit në mesin tonë e tha, ‘O njerëz! Për çfarë dëshmoni?’ Ata u përgjigjën, ‘Dëshmojmë se nuk ka zot përveç Allahut!” Ai tha, ‘Po tjetër?’ Ata u përgjigjën, ‘Dhe se Muhammedi është robi dhe i Dërguari i Tij!’ Ai tha: ‘E kush është wali-u i juaj?’ Ata u përgjigjën: ‘Allahu dhe i Dërguari i Tij janë wali për ne.’ Atëherë ai e kapi ‘Alīun për krahu dhe e bëri të ngrihej në këmbë, duke ia tërhequr krahun dhe duke i mbajtur parakrahët e tij. Atëherë ai tha: ‘Kujtdo të cilit Allahu dhe i Dërguari i Tij i janë wali, atëherë ky njeri i është wali! O Allah, kushdo prej tyre që ta dojë, duaje atë! Dhe kushdo që ta urrejë bëhu urryes i tij.’” (E ka transmetuar Taberānīu dhe el-Muttekī el-Hindī në Kenz ul-‘Ummāl, vëll. VI, fq 154 të shkurtuar, dhe el-Hejthemīu në Mexhma’ uz-Zewā’id.)
36. Fakhr ed-Dīn Rāzīu në Tefsīr Mefātih ul-Ghājb, në fund të komentimit të ajetit {O i Dërguar! Përcille atë që t’u zbrit prej Zotit tënd...} [5:67]:
“Ky ajet zbriti në lidhje me virtytet e ‘Alī ibn Ebī Tālibit. Kur ai u shpall, Profeti (s) kapi dorën e ‘Alīut dhe tha: ‘Kujtdo që unë i jam wali, atëherë ‘Alīu i është wali. O Allah, bëhu mik i atij që e miqëson atë dhe bëhu armik i atij që është armik i tij!’ ‘Umeri atëherë e takoi dhe i tha: ‘Urime! Sot ti u bëre wali-u (kujdestari, mbikqyrësi) im dhe wali-u i çdo besimtari dhe besimtareje.’”
37. Xhelāl ed-Dīn Sujūtīu në Tefsīr ed-Durr ul-Menthūr, në fund të komentimit të ajetit {Sot plotësova për ju fenë tuaj...} [5:3]:
“Transmetohet prej Ibn Mardawejhit dhe Ibn ‘Asākirit, të dy prej Ebū Sa’īd el-Khudrīut se ky ka thënë: ‘Kur i Dërguari i Allahut (s) e emëroi ‘Alīun ditën e Ghadīr Khummit dhe bëri thirrje për pranimin e wilājetit të tij, Xhibra’īli i zbriti Profetit (s) me ajetin {Sot plotësova për ju fenë tuaj...}.
38. el-Muttekī el-Hindī në Kenz ul-‘Ummāl, vëll. VI, fq 319:
“Ibn ‘Abbāsi tha: ‘Alīu ia dha dikujt unazën e tij si sadaka’ duke qenë vetë në ruku’. Profeti (s) e pyeti lypësin: ‘Kush ta dha këtë unazë?’ Ai u përgjigj, ‘Ai njeri, që është në ruku’.’ Atëherë Allahu zbriti ajetin {Kujdestari juaj është vetëm Allahu, i Dërguari i Tij, dhe ata që besuan e që falin namazin dhe që japin zekatin duke rënë në ruku’} [5:55]. Në unazë ishte shkruar: ‘I Madhëruar qoftë Ai që më nderoi duke më bërë robin e Tij.’ (Subhāne men fahrī bi enni le-Hū ‘abd-un). Pastaj shkruhej: ‘Mbretëria është e Allahut’ (el-mulku li’l-Lāh).” (Transmetoi el-Khātibi në el-Muweffek.)
39. Hākimi në el-Mustedrek us-Sahīhejn, vëll. III, fq 148:
“Me sened nga Muslim ibn Sabīhu prej Zejd ibn ‘Arkamit: “I Dërguari i Allahut ka thënë: ‘Po lë me ju Dy gjëra me peshë (Thekalejn): Librin e Allahut dhe Ehl ul-Bejtin. Ata nuk do të ndahen kurrë gjersa të më takojnë tek Haudi [i Keutherit].” (Hākimi thotë: “Hadīth i saktë (sahīh) me isnad sipas kushteve të dy Shejhëve - Bukhāriut dhe Muslimit”).
40. el-Muttekī el-Hindī në Kenz ul-‘Ummāl, vëll. V, fq 40:
“Kur Profeti (s) vendosi lidhje vëllazërie midis shokëve të tij [ensārëve dhe muhāxhirëve], ‘Alīu i tha Profetit (s): ‘Shpirtin e kam të trishtuar dhe zemrën në dhimbje kur shoh atë që bëre me shokët e tu, pa më përfshirë mua. E nëse kjo është ngase je i pakënaqur prej meje, atëherë ti je ai që e ka në dorë qortimin dhe nderimin!’ Atëherë, Profeti (s) u përgjigj: ‘Pasha Atë që më dërgoi me të Vërtetën nuk të veçova [si vëlla të askujt] veçse të vetes sime. Ti je për mua si Harūni për Mūsain, vetëm se nuk do të ketë profet pas meje. Dhe ti je vëllai (akhī) e trashëgimtari (warīthī) im.’ ‘Alīu i tha: ‘Çfarë do të trashëgoj prej teje, O i Dërguari i Allahut?’ ‘Atë që trashëguan profetët para meje.’ ‘E çfarë trashëguan profetët para teje?’ ‘Librin e Zotit të tyre dhe sunnetin e profetit të tyre. Ti je me mua në kështjellën time në Xhennet bashkë me Fātimenë, bijën time. Ti je vëllai dhe shoqëruesi im i ngushtë.’ (Transmetoi Ahmed ibn Hanbeli në Kitāb Menākib ‘Alī.)
41. Muhibb ed-Dīn et-Taberīu në er-Rijād un-Nedīre, vëll. II, fq 178:
“Enes bin Māliku transmeton: I thamë Selmānit, ‘Pyete Profetin (s) ta tregojë të besuarin e tij!’ Atëherë Selmāni pyeti: ‘O i Dërguari i Allahut! Kush është i besuari (wasi-u) yt?’ Ai (s) u përgjigj: ‘Kush ishte i besuari i Mūsait?’ ‘Jūsha ibn Nūni’, u përgjigj Selmāni. Pastaj, Profeti (s) tha: ‘Atëherë, i besuari (wasi-u) dhe trashëgimtari (warith-i) im, i cili do të shlyejë borxhin tim dhe përmbushë premtimet e mia, është ‘Alī ibn Ebū Tālibi.’ (Transmetoi [Ahmedi] në Menākib [‘Alī].)”
42. Tirmidhīu në Sahīh, vëll. II, fq 308:
“Me sened nga Ebī Sa’īdi dhe el-Amashi prej Habīb ibn Ebī Thābitit prej Zejd ibn ‘Arkamit, të cilët kanë thënë se i Dërguari i Allahut (s) tha: ‘Po lë në mesin tuaj Dy gjëra të cilat, nëse kapeni pas tyre, nuk do ju lënë kurrë të shmangeni pas meje; njëra është më e madhe se tjetra: Libri i Allahut - i cili është një litar që zgjatet nga Qielli në Tokë; dhe pasardhjen time (itreti) - Ehl-i Bejtin tim. Ato nuk do të ndahen kurrë gjersa të më takojnë mua tek Haudi [i Keutherit]. Ndaj, kujdes se si i trajtoni ato pas meje.’”
43. Ahmed ibn Hanbeli në Musned, vëll. III, fq 17:
“Ebū Sa’īd el-Khudrīu transmeton se i Dërguari i Allahut (s) tha: ‘Së shpejti do të thërritem [nga Zoti im] dhe do t’i përgjigjem [thirrjes]. Ndaj, po lë midis jush Dy gjëra me peshë (Thekalejn): Librin e Allahut të Lartësuar e Fuqiplotë, dhe pasardhësit e mi (‘itretī). Libri i Allahut është një litar që zgjatet nga Qielli në Tokë; itre-ti im është Ehl-i Bejti im. I Buti më ka njoftuar se ata nuk do të ndahen kurrë gjersa të më takojnë tek Haudi [i Keutherit]. Ndaj, kujdes se si veproni me to pas meje.’”
44. Hākimi në el-Mustedrek us-Sahīhejn, vëll. II, fq 343:
“Hanāsh el-Kanānīu tha: ‘E dëgjova Ebū Dherin teksa ishte kapur pas derës së Qa’besë, duke thënë: “O njerëz! Kushdo që më njeh e di se kush jam. Dhe kushdo që nuk më njeh le ta dijë se jam Ebū Dheri. E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (s) të thotë: ‘Ehl ul-Bejti është si barka e Nūhit. Kushdo që hyp në të është i shpëtuar. Kushdo që i mbetet pas fundoset.’” (Hākimi thotë: ‘Hadīthi është i saktë (sahīh) sipas kushteve të Muslimit.’ Them: [Muslimi] e ka transmetuar.)
45. Ibn Haxher el-Mekkī në es-Sawā’ik ul-Muhrike, fq 75:
“Gjatë sëmundjes së tij të vdekjes, Profeti (s) tha: ‘O njerëz! Është afruar vakti që të merrem me një marrje të shpejtë dhe do të largohem prej jush. Jua kam thënë këtë dhe më parë që të mos keni asnjë shfajësim: Po lë pas meje Librin e Allahut Fuqiplotë e të Lartësuar, dhe ‘itre-n time - Ehl-i Bejtin tim.’ Atëherë Profeti (s) kapi dorën e ‘Alīut, e ngriti lart, dhe tha: ‘Ky ‘Alī është me Kur’anin dhe Kur’ani është me ‘Alīun! Ata s’do të ndahen gjersa të më takojnë tek Haudi [i Keutherit]. Ndaj pyetini ata për atë që kam lënë pas lidhur me ta!’”
46. Hākimi në el-Mustedrek us-Sahīhejn, vëll. III, fq 149:
“Ibn ‘Abbāsi transmeton se i Dërguari i Allahut (s) tha: ‘Yjet janë siguri [orientim] për banorët e tokës për t’i shpëtuar ata nga mbytja [në shkretëtirë apo det], dhe Ehl ul-Bejti im është siguri që e mbron ummetin tim nga mosmarrëveshja (ikhtilāfi). Kur një grup arabësh u kundërvihet, atëherë ata përçahen dhe bëhen pala e Iblīsit.’” (Hākimi pohon: “Ky hadīth është me isnad të saktë (sahīh).” Atë e ka përmendur dhe e ka konfirmuar Ibn Haxheri në es-Sawā’ik ul-Muhrike, fq 140.)
47. Imam Tha’lebīu në Kisās ul-Enbijā’, fq 14:
“Transmeton Jezīd er-Rakāshīu nga Enes ibn Māliku se ky ka thënë: ‘Njëherë i Dërguari i Allahut (s) fali sabāhun me ne. Pasi përfundoi lutjen, ai erdhi drejt nesh dhe tha: “O Muslimanë! Të gjithë ju! Kushdo që s’e sheh dot Diellin, le të orientohet nga Hëna. Kushdo që s’e sheh dot Hënën, le të orientohet nga Afërdita. E kushdo që s’e sheh dot Afërditën le të orientohet nga Dy yjet polare të Arushës së Vogël.” Dikush e pyeti, “Çfarë nënkupton me ‘Diellin’, ‘Hënën’, ‘Afërditën’, dhe ‘Dy yjet polare të Arushës së Vogël’?” Ai (s) u përgjigj: “Unë jam Dielli, ‘Alīu është Hëna, Fātimeja është Afërdita, Hasani dhe Huseini janë Dy yjet polare. Ata janë me Librin e Allahut dhe nuk do të ndahen gjersa të më takojnë mua tek Haudi [i Keutherit].”
48. Tirmidhīu në Sahīh, vëll. II, fq 308:
“Ibn ‘Abbāsi transmeton se i Dërguari i Allahut (s) ka thënë: ‘Duajeni Allahun për atë që ju ofron nga mirësitë. Dhe duamëni mua për dashurinë e Allahut. Dhe duajeni Ehl-i Bejtin tim për dashurinë time.” (E përcjell edhe Hākimi në el-Mustedrek us-Sahīhejn, vëll. III, fq 149 me dy zinxhirë transmetimi dhe e konfirmon si hadīth të saktë [sahīh]).
49. el-Muttekī el-Hindī në Kenz ul-Ummāl, vëll. I, fq 251 dhe Xhelāl ed-Dīn Sujūtīu në Tefsīr ed-Durr ul-Menthūr (komentimi i ajetit: {Vërtet! Nëpërmjet kujtimit (dhikrit) të Allahut qetësohen zemrat} [13:28]):
‘Alīu ka transmetuar se kur u zbrit vargu {Vërtet! Nëpërmjet kujtimit të Allahut qetësohen zemrat}, i Dërguari i Allaut (s) tha: “Kjo do të thotë, ai që e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe e do Ehl-i Bejtin e tij sinqerisht, pa u shtirur – dhe i do besimtarët në prani e në mungesë, atëherë vërtet! Nëpërmjet kujtimit të Allahut do ta duan ata njëri-tjetrin.” (Transmeton Ibn Mardawejhi)
50. el-Muttekī el-Hindī në Kenz ul-‘Ummāl, vëll. VI, fq 218 dhe vëll. VII, fq 103:
[Profeti (s) tha]: “O ‘Alī! Padyshim, dorëzimi ndaj Allahut [Islami] është lakuriq [në vetvete]. Mbulesa e tij është takwa’ja, veshja e tij është udhërrëfimi. Stolia e tij është modestia. Shkëlqimi i tij është devotshmëria, mbështetja e tij janë veprat e mira dhe themeli i tij është dashuria për Ehl-i Bejtin.”
51. Ibn Haxher el-Mekkī në es-Sawā’ik ul-Muhrike, fq 88, tek përmendja e ajeteve të zbritura për nder të Ehl ul-Bejtit:
“Ajeti i tretë [i zbritur për meritat e Ehl ul-Bejtit], [është ai i] lidhur me thënien e Allahut: {Paqja qoftë mbi familjen e Jasīnit} (Selāmun alā’ āl-i Jasīn) [37:130], një grup komentuesish të Kur’anit (mufessirīn) kanë përcjellur nga Ibn ‘Abbāsi se kuptimi i saj është “Paqja qoftë mbi Familjen e Muhammedit” (Selāmun alā’ āl-i Muhammed). [Ndërsa në fq 89 Ibn Haxheri thotë:] Fakhr ed-Dīn Rāzīu ka pohuar se Ehl ul-Bejti janë të barabartë me Profetin (s) në pesë gjëra: i) Në selam. Allahu e ka përshëndetur atë me fjalët {Paqja qoftë me ty, o Profet} (Es-selām alejke ejjuhen Nebī), {Paqja qoftë mbi familjen e Jasīnit} [37:130]; ii) në dërgimin e salavāteve mbi atë dhe mbi ata në teshehhud [Allahum-me sali’..]; iii) në pastërti [tāhara], kur Fuqiploti thotë: {Tāha} [20:1], d.m.th {O i pastër} dhe {..t’ju pastrojë me një pastrim të skajshëm} [33:33]; iv) në ndalimin e sadakāsë për ta v) si dhe në dashurinë për ta kur thotë {Ndiqmëni mua që t’ju dojë Allahu} [3:31], e po ashtu {Thuaj: Unë s’kërkoj nga ju asnjë shpërblim për thirrjen time veç dashurisë ndaj të afërmve (të mi)} [42:23].” (Pohoj se kjo fjalë e Fakhr ed-Dīn Rāzīut është përmendur edhe më parë, në fundin e bāb jusāla alā’ Muhammed wa alā āl-i Muhammed. Ndaj, drejtojuni asaj.)
52. el-Muttekī el-Hindī në Kenz ul-‘Ummāl, vëll. I, fq 11:
[Profeti (s) tha:] “Asnjeri prej jush nuk ka besuar gjersa unë t’i jem më i dashur se vetja e tij; familja ime t’i jetë më e dashur se e familja e tij; të afërmit e mi (ehli) t’i jenë më të dashur se të afërmit e tij; dhe pasardhësit e mi (itreti) t’i jenë më të dashur se pasardhësit e tij.” (Transmeton edhe Taberānīu në Mu’xhem ul-Kebīr, Bejhekīu në Shu’āb el-Imān, dhe Hejthemīu në Mexhmā uz-Zewā’id, vëll. I, fq 88.)
53. el-Muttekī el-Hindī në Kenz ul-‘Ummāl, vëll. VII, fq 212:
[Profeti (s) tha:] Ditën e Ringjalljes, këmbët e robit nuk do të luajnë gjersa ai të pyetet për katër gjëra: për jetën e tij – ku e shkriu; për trupin e tij – në çka e plaku; për pasurinë - si e shpenzoi dhe ku e fitoi; dhe për dashurinë ndaj nesh, Ehl ul-Bejtit.” (Ka thënë: E transmeton Taberānīu nga Ibn ‘Abbāsi; el-Hejthemīu e ka përmendur në Mexhma’ uz-Zewā’id, vëll. X, fq 346 dhe ka thënë: ‘E ka transmetuar Taberānīu në el-Kebīr dhe në el-Ewset. Dhe e ka përmendur për së dyti pa ndërprerje (fasil), duke pohuar, “nga Ebī Barzeh se i Dërguari i Allahut (s) ka thënë: “Këmbët e robit nuk lëvizin ... (si më lart)”, dhe në fund të tij ka thënë: “Dikush tha: ‘O i Dërguari i Allahut. Cila është shenja e dashurisë ndaj jush?’ I Dërguari i Allahut (s) goditi mbi supin e ‘Alīut!” E transmetoi Taberānīu në el-Ewset.)
54. el-Muttekī el-Hindī në Kenz ul-‘Ummāl, vëll. VIII, fq 278:
[Profeti (s) tha:] “Edukojini fëmijët tuaj në tre virtyte: dashurinë për Profetin (s), dashurinë për Ehl ul-Bejtin, dhe leximin e Kur’anit; padyshim, bartësit [memorizuesit] e Kur’anit do të jenë në Hijen e Allahut në Ditën kur s’do të ketë hije tjetër përveç së Tijës, së bashku me profetët e Tij dhe të zgjedhurit.” (Transmetoi Ebū Nasr).
55. Muhibb ed-Dīn et-Taberīu në Dhekha’īr ul-‘Ukbe, fq 18:
Xhābir ibn ‘Abdullāhi transmeton se i Dërguari i Allahut (s) tha: “S’na do neve Ehl ul-Bejtin, veçse një besimtar i sinqertë [mu’min takī], e s’na urren veçse një hipokrit mjeran [munāfik shakī].” (Transmeton el-Mullai në Sire-n e tij).
56. el-Shiblenxhī el-Shāfi’ī në Nūr ul-Absār, fq 103:
Ebū’l-Shejhu transmeton nga ‘Alīu: “Një ditë i Dërguari i Allahut doli i zemëruar nga shtëpia. Ai u ngjit në minberin e tij dhe falënderoi e madhëroi Allahun. Atëherë ai (s) tha: ‘Ç’është kështu me disa njerëz, që më lëndojnë në [lidhje me] Ehl-i Bejtin tim! Për Atë në Duart e të Cilit është shpirti im! Asnjë rob nuk ka besuar gjersa të më dojë mua. Dhe ai s’më do mua gjersa t’i dojë pasardhësit e mi (durrijeti).’”
57. Muhibb ed-Dīn et-Taberīu në er-Rijād un-Nedīreh, vëll. II, fq 193:
Enes ibn Māliku tha: “Isha te Profeti (s) kur ai e pa ‘Alīun duke u afruar. Atëherë, Profeti (s) tha: “O Enes!” “Urdhëro,” iu përgjigja. Ai tha: “Ky që po vjen është argumenti im (huxheh) ndaj ummetit tim në Ditën e Ringjalljes.” (el-Muhibb et-Taberīu e ka përmendur edhe në Dhekhā’ir ul-‘Ukbe, fq 77, duke pohuar se e ka transmetuar en-Nakāshi.)
58. Xhelāl ed-Dīn Sujūtīu në Tefsīr ed-Durr ul-Menthūr, në fundin e komentimit të thënies së Allahut {Padyshim, më të mirët e Krijimit janë ata që besuan dhe kryen vepra të mira} (98:7):
Ibn ‘Asākiri ka transmetuar nga Xhābir ibn ‘Abdullāh el-Ensārīu se ky ka thënë: “Ishim te Profeti (s) dhe ‘Alīu u afrua. Atëherë Profeti (s) tha: ‘Për Atë në Duart e të Cilit është shpirti im! Ky njeri dhe ndjekësit [shī‘a] e tij do të jenë fitimtarët në Ditën e Gjykimit.” [Xhābiri pastaj shtoi:] Dhe pasi u shpall ajeti {Padyshim, krijesat më të mira janë ata që besuan dhe bënë vepra të mira}, as’habët e Profetit, saherë që shihnin të afrohej ‘Alīu, thonin: “Erdhi më i miri i krijesave (hajr ul-berīje)!”
59. Hākimi në Mustedrek us-Sahīhejn, vëll. III, fq 137:
‘Abdullāh ibn Es’ād ibn Zurāreh përcjell nga i ati, Es’ed ibn Zurareh, se i Dërguari i Allahut (s) ka thënë: “Më janë shpallur tre gjëra për ‘Alīun: Ai është Prijësi i muslimanëve (Sejjid ul-muslimīn), Imami i të devotshmëve (Imam ul-muttekīn), dhe Udhëheqësi i atyre gjymtyrët e të cilëve do të shkëlqejnë me ndriçim [Ditën e Ringjalljes].” (Hākimi pastaj pohon se ky hadīth është i saktë (sahīh) me sened.)
60. Xhelāl ed-Dīn Sujūtīu në Tefsīr ed-Durr el-Menthūr, fundi i komentimit të tij të ajetit {Në shtëpi në të cilat Allahu lejoi të lartësohet dhe Emri i Tij të përmendet..} [24:36]:
“Ibn Mardawejhi dhe Burejde kanë thënë: I Dërguari i Allahut (s) lexoi njëherë ajetin {Në shtëpi në të cilat Allahu lejoi të lartësohet}. Një njeri ndaloi dhe e pyeti: “Cilat shtëpi janë këto, o i Dërguari i Allahut?” I Dërguari (s) u përgjigj: “Shtëpitë e profetëve.” Atëherë Ebū Bekri pyeti: “O i Dërguari i Allahut, a është kjo shtëpi - duke treguar nga shtëpia e ‘Alīut dhe Fātimesë - midis tyre?” Ai (s) u përgjigj: “Po, ndër më të mirat.”
61. Muhibb ed-Dīn et-Taberīu në er-Rijād un-Nedīreh, vëll. II, fq 219:
‘Āishja transmeton: E kisha parë tim atë shpesh duke soditur fytyrën e ‘Alīut, ndaj e pyeta: “O baba, po të shoh shpesh duke soditur fytyrën e ‘Alīut.” Atëherë ai tha: “O bija ima, e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (s) të thotë: Të soditurit e fytyrës së ‘Alīut është ibādet.” (Transmeton Ibn Samāni në el-Muwaffek.)
62. el-Muttekī el-Hindī në Kenz ul-‘Ummāl, vëll. VI, fq 157:
I Dërguari i Allahut (s) tha: “Përçarje dhe mosmarrëveshje do të ndodhin, ndërsa ky [‘Alīu] dhe shokët e tij do të jenë në të Vërtetën.” (Transmeton et-Taberānīu nga Ka’b ibn ‘Axhrah.)
63. Hākimi në el-Mustedrek us-Sahīhejn, vëll. III, fq 125:
Ebū Hureire transmeton se ‘Umeri tha: “‘Alī ibn Ebī Tālibit i janë dhënë tre merita; sikur të kisha vetëm njërën prej tyre do të ishte më e shtrenjtë për mua se e kuqja e deveve! Dikush pyeti, “Cilat janë ato, o prijës i besimtarëve?” Ai u përgjigj: “Martesa e tij me Fātimenë, të bijën e të Dërguarit të Allahut (s); të lejuarit që ai të banonte në mesxhīdin e Profetit (s) dhe hyrja e tij në të edhe kur nuk u lejohej të tjerëve; dhe mbajtja e flamurit në Ditën e Khajberit.” (Hākimi pohon: “Hadīthi është i saktë (sahīh) me sened. E ka transmetuar edhe el-Muttekī el-Hindī në Kenz ul-‘Ummāl, vëll. VI, fq 393, dhe ka pohuar se e ka transmetuar Ibn Ebī Shejbe.” Atë e ka transmetuar edhe Ibn Haxheri në es-Sawā’ik ul-Muhrike, fq 76 dhe ka pohuar: E transmeton Ebū Ja’la dhe el-Muhibb et-Taberīu.)
64. Hākimi në el-Mustedrek us-Sahīhejn, vëll. III, fq 128:
“Ibn ‘Abbāsi transmeton nga Zejd ibn ‘Arkami se i Dërguari i Allahut (s) tha: “Kushdo që dëshiron të jetojë jetën time dhe të vdesë vdekjen time e të banojë në Kopshtin e Përjetësisë që Zoti im më ka premtuar, atëherë ai duhet të marrë për wali (kujdestar, mbikqyrës, prijës) ‘Alī ibn Ebī Tālibin. Ai nuk do t’ju nxjerrë kurrë nga udhërrëfimi e as do ju shpierë në humbje.” (Hākimi pohon: “Hadīthi është i saktë (sahīh) me sened.”)
65. Hejthemīu në Mexhma’ uz-Zewā’id, vëll. IX, fq 133:
Ibn ‘Abbāsi transmeton se njëherë i Dërguari i Allahut (s) e vështroi ‘Alīun dhe tha: “S’të do ty veçse besimtari [mu’mini] e nuk të urren veçse hipokriti [munāfiku]. Ai që të do ty, padyshim më do mua, dhe kushdo që të urren ty, më urren mua. I dashuri im është i dashuri i Allahut; urryesi im është i urryeri i Allahut. Mjerë ai që të urren ty pas meje.” (Transmeton et-Taberānīu.)
66. Tirmidhīu në Sahīh, vëll. II, fq 298 transmeton një hadīth të pandërprerë (musned) nga ‘Alīu në të cilin ai ka thënë se:
“I Dërguari i Allahut (s) tha: ‘Mëshira e Allahut qoftë mbi ‘Alīun! O Allah, sille të vërtetën vazhdimisht nga ‘Alīu ngado që ai të sillet.’”
67. el-Muttekī el-Hindī në Kenz ul-‘Ummāl, vëll. VI, fq 391:
Ibn ‘Abbāsi transmeton: Po ecja me ‘Umer ibn al-Khattābin nëpër rrugicat e Medines, kur ai më tha: “O Ibn ‘Abbās! Më duket se njerëzit e nënvleftësuan njeriun tuaj [d.m.th prijësin e Ehl ul-Bejtit, Imam ‘Alīun] duke mos ia dorëzuar atij të drejtën e qeverisjes së çështjeve të tyre.” Atëherë, unë thashë: “Për Allahun! I Dërguarit i Allahut (s) nuk e nënvleftësoi kur e zgjodhi atë [në vend të Ebū Bekrit] për t’ia shpallur Suren el-Bara’eh [et-Teubeh] banorëve të Mekkës.” ‘Umeri u përgjigj: “Ke të drejtë në atë që thua. Për Allahun, e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (s) t’i thojë ‘Alī ibn Ebī Tālibit: ‘Ai që të do ty më do mua. Dhe ai që më do mua do Allahun. Dhe atë që e do Allahun, Allahu e fut në Xhennet.” (E transmeton Ibn ‘Asākiri.)
68. Muslimi në Sahīh (Kitāb fadā’il es-sahābe, bāb: min fadā’il ‘Alī ibn Ebī Tālib)
“Transmetohet me sened nga Ebū Hureire se i Dërguari i Allahut (s) tha në Ditën e Khajberit: ‘Do t’ia jap këtë flamur një njeriu që e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij, dhe në duart e të cilit Allahu do të vendosë fitoren!
‘Umeri tha: Kurrë ndonjëherë s’kam dashur ta marr komandën sa në atë ditë! Ndaj, iu afrova flamurit duke shpresuar se do të thërritesha për ta mbajtur unë. Atëherë i Dërguari i Allahut (s) thirri ‘Alī ibn Ebī Tālibin dhe ia dha atij, duke i thënë: “Vazhdo përpara e mos u kthe gjersa Allahu të na e japi fitoren përmes teje!”
‘Alīu vërshoi përpara për disa çaste, pastaj u ndal, por nuk u kthye pas. Ai thirri: “Përse po i luftoj këta njerëz?” Profeti (s) u përgjigj: “Luftoji gjersa të dëshmojnë se nuk ka zot përveç Allahut dhe se Muhammedi është i Dërguari i Allahut! Kur ta bësh këtë, atëherë gjaku dhe prona e tyre të janë të ndaluara përveç se me drejtësi. Dhe llogaria e tyre është tek Allahu.”
69. Ibn Xherīr Taberīu në Tefsīr Xhāmi’ ul-Bejān, vëll. XXII, fq 31:
Nga Ibrahīmi, në lidhje me ajetin {Vërtet, Allahu dhe melekët e Tij i dërgojnë bekime (salawāte) Profetit. O ju që besuat! Lutni bekime (salawāte) mbi të dhe përshëndeteni me selāme} [33:59]: “[Sahābët] i thanë: ‘O i Dërguari i Allahut! Ne e dimë si të të përshëndesim me selāme, por si të të dërgojmë salawāte?’ I Dërguari i Allahut (s) u përgjigj: ‘Thoni. O Allah, bekoje Muhammedin, robin dhe të dërguarin Tënd, dhe Ehl-i Bejtin e Muhammedit, siç e bekove Ibrahīmin. Vërtet ti je i Lartësuar, i Madhërishëm.’”
70. Shāfi’īu në Musned, fq 23:
Sipas Ebū Hureires, ai e pyeti Profetin (s): “O i Dërguari i Allahut! Si të të dërgojmë bekime në namaz? Profeti (s) u përgjigj: “Thoni: ‘O Allah, bekoje Muhammedin dhe familjen e Muhammedit, siç e bekove Ibrahīmin.’ Pastaj dërgoni selām mbi mua.”
71. el-Muttekī el-Hindī në Kenz ul-‘Ummāl, vëll. VI, fq 154:
Profeti (s) ka thënë: “Ai që beson dhe është i bindur në mua, e porosis të pranojë prijësinë (wilājetin) e ‘Alī ibn Ebī Tālibit. Ai që e merr për wali ‘Alīun, më ka marrë mua për wali, dhe ai që më merr wali mua ka marrë për wali Allahun. Ai që e do atë, më do mua, dhe ai që më do mua do Allahun. Kushdo që e urren atë më urren mua, dhe kushdo që më urren mua urren Allahun, Fuqiplotin dhe të Lartësuarin.” (Transmeton et-Taberānīu dhe Ibn ‘Asākiri nga ‘Ammār ibn Jasīri. Hadīthi ndodhet edhe në fq 155 i reduktuar. E ka transmetuar edhe el-Hejthemīu në Mexhma’ uz-Zewā’id, vëll. IX, fq 108, i cili pohon se e ka përcjellur edhe Muhibb et-Taberīu në er-Rijād un-Nedīreh, vëll. II, fq 166, duke thënë se e ka transmetuar Hākimi.)
72. Hejthemīu në Mexhma’ uz-Zewā’id, vëll. IX, fq 134:
Ummi Selemja transmeton se ajo e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (s) të thonte: “Kur’ani është me ‘Alīun dhe ‘Alīu është me Kur’anin. Ata nuk do të ndahen kurrë gjersa të më takojnë tek Haudi [i Keutherit].” (E transmetojnë et-Taberānīu në es-Seghīr dhe në el-Ewset. E ka përcjellur edhe Ibn Haxheri në es-Sawā’ik ul-Muhrike, fq 74, dhe el-Shiblenxhī el-Shāfi’ī në Nūr ul-Absār.)
73. el-Shiblenxhī el-Shāfi’ī në Nūr ul-Absār, fq 72:
Ibn Khalawejhī në veprën e tij Kitāb ul-āl (“Libri i Familjeve”) transmeton nga Ebū Sa’īd el-Khudrīu se i Dërguari i Allahut (s) i tha ‘Alīut: “Dashuria për ty është besim (īmān), urrejtja ndaj teje është hipokrizi (nifāk). I pari që do të hyjë në Xhennet do të jetë ai që të do ty. I pari që do të hyjë në Xhehenem do të jetë ai që të urren ty.”
74. Muhibb ed-Dīn et-Taberīu në er-Rijād un-Nedīreh, vëll. II, fq 189:
“Ebū Bekri tregon: E pashë të Dërguarin e Allahut (s) të hynte në një çadër teksa mbështetej mbi një hark arab. Në çadër ndodheshin ‘Alīu, Fātimeja, Hasani, dhe Huseini. Atëherë, ai tha: “O muslimanë! Të gjithë ju! Unë jam në paqe me atë që është në paqe me njerëzit që ndodhen në këtë çadër, në luftë me këdo që është në luftë me ta, dhe jam wali-u i cilitdo që i merr për wali ata. S’i do ata veçse ai që është i një prejardhjeje të lumtur dhe lindjeje fisnike. E nuk i urren ata veçse ai që është i një prejardhjeje të mjerë dhe lindjeje të ulët.”
75. Ibn ul-Athīri në ‘Usd ul-Ghābeh, vëll. IV, fq 23:
Me sened nga Ebī Merjem es-Sehīlī i cili transmeton nga ‘Ammār ibn Jasīri i cili tregon se ai e dëgjoi të Dërguarin e Allahut (s) duke i thënë ‘Alī ibn Ebī Tālibit: “O ‘Alī! Allahu të ka stolisur me një stolisje të atillë që askënd s’e ka stolisur me ndonjë stolisje më të dashur për Të: tërheqjen nga kjo botë (zuhd fī dunijā’). Ai të ka bërë të atillë që ti nuk kërkon asgjë nga kjo botë dhe ajo nuk kërkon asgjë prej teje. Ai të ka dhënë dashurinë e të skamurve; ata janë të kënaqur që ti të jesh Imami i tyre dhe ti je kënaqur që ata të jenë ndjekësit e tu. Ndaj, sihariqe për atë që të do dhe të pranon ty. Dhe mjerë ai që të urren dhe të përgënjeshtron ty. Kështu, ata që të duan dhe të pranojnë ty janë fqinjët e tu në Shtëpinë tënde dhe miqtë e tu të afërt në Kështjellën tënde [në Xhennet]. Sa për ata që të urrejnë dhe të përgënjeshtrojnë, Allahu do t’i vendosë patjetër me gënjeshtarët [mohuesit] në Ditën e Gjykimit.” (E ka përcjellur el-Hejthemīu në Mexhma’ uz-Zewā’id, vëll. IX, fq 132, ku ai pohon se e ka transmetuar et-Taberānīu në el-Ewset.)
76. el-Muttekī el-Hindī në Kenz ul-‘Ummāl, vëll. VI, fq 402:
Nga një hadīth i pandërprerë (musned) që përfundon me ‘Alīun, i cili ka thënë: “I Dërguari i Allahut (s) më tha: “Po të mos ishe ti, O ‘Alī, ata që janë besimtarë pas meje nuk do të njiheshin.”
77. Khātibi në Ta’rīkh ul-Baghdād, vëll. IV, fq 410:
Transmeton me dy sened-e nga Ebī en-Nu’man ‘Ārim ibn el-Fadli, nga Khudameh ibn en-Nu’mani, nga ez-Zuhrīu, se ky ka thënë: “E dëgjova Enes bin Mālikun duke thënë: ‘Për Allahun, përveç të Cilit nuk ka zot tjetër! E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (s) duke thënë: “Titulli i Librit [të veprave] të besimtarëve është - “Dashuria për ‘Alī ibn Ebī Tālibin.”
78. Muhibb ed-Dīn et-Taberīu në er-Rijād un-Nedīreh, vëll. II, fq 315:
Ibn ‘Abbāsi tregon se i Dërguari i Allahut (s) tha: “Dashuria për ‘Alīun i konsumon mëkatet siç i konsumon zjarri drutë.” (E ka transmetuar el-Mullai në Sire-n e tij.)
79. Nesā’iu në Khasā’is Imām ‘Alī ibn Ebū Tālib, fq 4:
‘Āishe bint Sa’di thotë: E kam dëgjuar tim atë të thonte: “Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (s) Ditën e Xhuhfes [në Ghadīr Khumm]. Ai kapi dorën e ‘Alīut dhe mbajti një ligjëratë, ku falënderoi dhe madhëroi Allahun, pastaj tha: “O njerëz! Unë jam wali-u (kujdestari) juaj!” “Të vërtetën the, o i Dërguari i Allahut”, u përgjigjën ata. Atëherë i Dërguari i Allahut (s) mori dorën e ‘Alīut, e ngriti lart, dhe tha: “Ky njeri është wali-u im, i cili përçon fenë time në vendin tim. Unë jam mik i atij që është mik me të, dhe armik i atij që është armik i tij.”
80. Tirmidhīu në Sahīh, vëll. II, fq 299:
Transmeton me sened nga Suejd ibn Ghafleh, nga Hasani, nga ‘Alīu, i cili tregon se i Dërguari i Allahut (s) tha: “Unë jam Shtëpia e Diturisë dhe ‘Alīu është dera e saj.” (Tirmidhīu shton: ‘Lidhur me këtë kaptinë transmetohet edhe prej Ibn ‘Abbāsit.’ E ka transmetuar edhe Ebū Na’īm el-Isfahānī në Hiljetu’l-Ewlijā’, vëll. I, fq 64 dhe ka pohuar: “E transmetoi el-Asbagh ibn Nebeteh dhe el-Hārithi nga ‘Alīu shprehimisht, dhe Muxhāhidi nga Ibn ‘Abbāsi nga i Dërguari i Allahut (s).”)
81. Hākimi në el-Mustedrek us-Sahīhejn, vëll. III, fq 126:
Me sened nga Muxhāhidi nga Ibn ‘Abbāsi i cili tregon se i Dërguari i Allahut (s) tha: “Unë jam Qyteti i Diturisë dhe ‘Alīu është Porta e tij. Ndaj, kushdo që synon Qytetin le t’i drejtohet Portës.” (Hākimi thotë se hadīthi është i saktë (sahīh) me sened.)
82. Khātibi në Ta’rīkh ul-Baghdād, vëll. II, fq 277:
Me sened nga Xhābir ibn ‘Abdullāhi i cili tha: “E dëgjova të Dërguarin e Allahut (s) të thonte në Ditën e Hudejbijjes, teksa mbante dorën e ‘Alīut: ‘Ky është Prijësi i të devotshmëve (Emīr ul-barrāreh) dhe vrasësi i të paudhëve. I ndihmuar është ai që e ndihmon; i braktisur është ai që e braktis (duke folur me intonacion të zgjatur): Unë jam Qyteti i Diturisë dhe ‘Alīu është Porta e tij. Ndaj, kushdo që synon Qytetin le t’i drejtohet Portës.’”
83. ‘Alī ibn Sultāni në Murkāt ul-Mefātih, vëll. V, fq 573, në komentin e tij:
‘Urweh ibn Zubejri tregon se një njeri foli jo mirë për ‘Alī ibn Ebī Tālibin në prani të ‘Umerit. ‘Umeri i tha atij: “A e di se varri i kujt është ky? Ky është varri i Muhammed ibn ‘Abdullāh ibn Abdul-Mutalibit (s). Mos fol për ‘Alīun veçse mirë. Po u përpoqe t’i gjesh të meta atij, do të lëndosh atë që ndodhet në këtë varr.” (Transmeton Ahmedi në el-Menākib. Them: e ka përcjellur Muhibb et-Taberīu në er-Rijād un-Nedīreh.)
84. Hākimi në el-Mustedrek us-Sahīhejn, vëll. III, fq 329:
Me sened nga Ebī ‘Abdil-Lāh el-Xhedelīu nga Ebū Dheri i cili tregon: “Ne i njihnim hipokritët [munāfikūn] vetëm nga përgënjeshtrimi i tyre i Allahut dhe i të Dërguarit të Tij (s), të mbeturit pas në namazet e tyre, dhe urrejtja e tyre ndaj ‘Alī ibn Ebū Tālibit.” (Hākimi pohon se hadīthi është i saktë (sahīh) sipas kushteve të Muslimit. E ka përcjellur edhe el-Muttekī el-Hindī në Kenz ul-‘Ummāl, vëll. VI, fq 39, duke pohuar: “E transmeton edhe Khātibi në el-Muteffāk.” E ka përmendur edhe Muhibb ed-Dīn et-Taberīu në er-Rijād un-Nedīreh, vëll. II, fq 214, duke pohuar: “E ka transmetuar Ibn Shadhāni.”)
85. Muhibb ed-Dīn et-Taberīu në Dhekhā’ir ul-‘Ukbe, fq 92:
Enes bin Māliku tregon se njëherë i Dërguari i Allahut (s) u ngjit në minberin e tij, duke përmendur shumë gjëra. Pastaj, ai (s) tha: “Ku është ‘Alī ibn Ebū Tālibi?” Ai u ngrit dhe tha: “Ja ku jam, O i Dërguari i Allahut!” Pastaj ai e shtrëngoi ‘Alīun në gjoks dhe e puthi mes dy syve. Atëherë, ai (s) thirri me sa zë kishte: “O Muslimanë! Të gjithë ju! Ky është vëllai im, djali i xhaxhait tim, dhe dhëndri im! Ky është mishi im, gjaku im, dhe qimja ime! Ky është babai i dy nipërve të mi Hasan dhe Husein, Prijësve të Rinisë së banorëve të Xhennetit! Ky është ai që m’i largon fatkeqësitë. Ky është Luani i Allahut dhe Shpata e Tij kundër armiqve të Tij mbi tokë. Mallkimi i Allahut dhe i të gjithë mallkuesve qoftë mbi cilindo që e urren atë! Allahu ka hequr dorë prej tij dhe unë kam hequr dorë prej tij. Ndaj, ai që dëshiron të heqë dorë prej Allahut dhe prej meje, le të heqë dorë prej ‘Alīut! Le t’ia përcjelli këtë i pranishmi atij që mungon!” Pastaj, ai (s) tha: “Ulu, O ‘Alī! Allahu ta njeh ty këtë.” (E ka transmetuar Ebū Sa’īdi në Sheref un-Nubuweh.)
86. el-Muttekī el-Hindī në Kenz ul-‘Ummāl, vëll. VI, fq 156:
Ebū Dheri tregon se i Dërguari i Allahut (s) ka thënë: “‘Alīu është dera për tek dija ime dhe ai që do t’ia qartësojë ummetit tim pas meje atë me të cilin jam dërguar. Dashuria për të është besim (īmān), urrejtja ndaj tij është hipokrizi (nifāk), dhe soditja e tij është mëshirë.” (Transmeton Dejlemīu nga Ebū Dheri.)
87. el-Muttekī el-Hindī në Kenz ul-‘Ummāl, vëll. VI, fq 153:
[I Dërguari i Allahut (s) i tha të bijës së tij Fātimesë:] A nuk je e kënaqur që të kam martuar me të parin e muslimanëve që e pranoi Islamin, dhe më të diturin ndër ta? Dhe [se] ti je Zonja e grave të ummetit tim mu ashtu siç qé Merjemja Zonja e kombit të saj. A nuk je e kënaqur, O Fātime, që Allahu u hodhi një shikim njerëzve të Tokës dhe veçoi dy burra nga mesi i tyre, njëri prej të cilëve është babai yt dhe tjetri bashkëshorti yt?” (E ka transmetuar Hākimi i cili e gjurmoi së prapthi deri tek Ebū Hureire. E ka përcjellur Taberānīu dhe Hākimi që e ka gjurmuar së prapthi edhe këtë. E ka transmetuar edhe Khātibi nga Ibn ‘Abbāsi.)
88. Khātibi në Ta’rīkh ul-Baghdād, vëll. XIV, fq 49:
Transmetohet nga ‘Ammār ibn Jasīri, se i Dërguari i Allahut (s) tha: “Dy melekët që e mbikqyrin ‘Alī ibn Ebī Tālibin u krenohen mbarë melekëve të tjerë mbikqyrës për të qenurit e tyre me ‘Alī ibn Ebī Tālibin. Kjo sepse ata nuk janë ngjitur te Allahu me ndonjë vepër që e zemëron Atë.” (Këtë hadīth sherif e transmetojnë me dy rrugë nga ‘Ammār ibn Jasiri edhe dy të tjerë, ku në të dytin pohohet se ka thënë: “Nuk janë ngjitur kurrë te Allahu me diçka që e zemëron Atë!” Gjithsesi, kjo konfirmon pagabueshmërinë (‘ismeh) e ‘Alīut nga mëkatet dhe kryerja e shkeljeve.)
89. Hejthemīu në Mexhma’ uz-Zewā’id, vëll. IX, fq 131:
I Dërguari i Allahut (s) i tha ‘Alīut: “Për Atë në Duart e të Cilit është shpirti im! Të mos ishte për faktin se disa njerëz nga ummeti im do të thonin për ty atë që të krishterët thanë për ‘Īsāin, të birin e Merjemes, sot do të kisha thënë për ty diçka që çdo musliman s’do të kalonte pranë teje pa marrë nga dheu i gjurmëve të këmbëve të tuaja për të kërkuar bekime.”
90. Fakhr ed-Dīn Rāzīu në Tefsīr Mefātih ul-Ghājb, vëll. II, fq 189, fundi i komentimit të ajetit {Dhe ka nga njerëzit që e flijon veten për kënaqësinë e Allahut, e Allahu është Mëshirëplotë ndaj robëve të Tij.” [2:207]:
“Ky ajet u shpall për ‘Alīun. Ai e kaloi natën në krevatin e të Dërguarit të Allahut (s) kur ai doli [nga Mekka] për në shpellë... Transmetohet se teksa ai po flinte në shtratin e tij, Xhibra’īli i qëndroi te koka dhe Mika’īli tek këmbët. Dhe Xhibra’īli thirri: “Të lumtë, O ‘Alī ibn Ebī Tālib! Allahu i krenohet melaikeve me ty!” dhe atëherë u shpall ajeti i mësipërm: {Dhe ka nga njerëzit që e flijon veten për kënaqësinë e Allahut, e Allahu është Mëshirëplotë ndaj robëve të Tij..} [2:207].”
91. Tirmidhīu në Sahīh, vëll. II, fq 183:
Enes bin Māliku tregon: Profeti (s) dërgoi Ebū Bekrin [drejt Mekkes] me Suren el-Bara’ah [et-Teubeh]. Pastaj, ai e thirri të kthehej dhe tha: “Nuk bën që atë ta komunikojë tjetërkush përveç dikujt nga Familja ime.” Pastaj, ai thirri ‘Alīun dhe ia dha Suren atij. (Transmeton edhe Nesā’iu në Khasā’is Imam ‘Alī ibn Ebū Tālib, fq 20; Ahmedi në Musned, vëll. III, fq 283; dhe Sujūtīu në Tefsīr ed-Durr ul-Menthūr, në fundin e komentimit të Sures).
92. Ibn Xherīr Taberīu në Tefsīr Xhāmi’ ul-Bejān, vëll. X, fq 46:
Zejd ibn Jathi’u tregon: Kur u shpall Sureja el-Bera’eh [et-Teubeh], i Dërguari i Allahut (s) dërgoi Ebū Bekrin për t’ia dorëzuar atë [banorëve të Mekkes]. Pastaj, ai dërgoi ‘Alīun ta merrte atë prej tij [dhe ta komunikonte ai]. Porsa Ebū Bekri u kthye, ai i tha Profetit (s): “A ka zbritur ndonjëgjë për mua [që të bëri ta heqësh këtë mision nga unë]? Profeti (s) u përgjigj: “Jo, por m’u urdhërua që atë duhet ta komunikoj ose unë ose dikush nga familja ime (Ehl-i Bejti im).”
93. Muhibb ed-Dīn et-Taberīu në Dhekhā’ir ul-‘Ukbe, fq 93:
Sipas Ebū’l-Hamrāit, i Dërguari i Allahut (s) tha: “Ai që don të shikojë dijen e Ademit, të kuptuarit e Nūhit, durimin e Ibrahīmit, asketicizmin (zuhd-in) e Jahjā ibn Zekerijāsë, dhe rreptësinë e Mūsait, duhet të shikojë ‘Alī ibn Ebū Tālibin.” (Transmeton Ebū’l-Hajr el-Hākimīu.)
94. Ibn ‘Abd el-Berri në el-Istī’āb, vëll. II, fq 465:
‘Abdur-Rezzāku transmeton nga Sufjān eth-Thewrī, nga Ebū Hajjān et-Tejmī se babai i tij tha: E pashë ‘Alī ibn Ebī Tālibin në minber duke thënë, “Kush e blen këtë shpatën time? Po të më ofrohej vlera sa e një brezoreje, do ta shisja.” Atëherë një njeri u ngrit e tha: “Ta jap unë atë sasi parash.” ‘Abdur-Rezzāku shton: “Kjo i ndodhi atij që kishte në dorë tërë botën, përveç Sirisë.” (E ka transmetuar Ibn Sa’di në Tabakāt.)
95. Muhibb ed-Dīn et-Taberīu në er-Rijād un-Nedīreh, vëll. II, fq 229:
‘Alīu transmeton se i Dërguari i Allahut (s) i tha: “O ‘Alī! Çfarë do të bësh kur njerëzit ta harrojnë akhīretin e të pëlqejnë dunjanë? Kur ta hanë trashëgiminë me potere, ta duan paranë tej mase, ta marrin fenë e Allahut për shaka' dhe pasurinë e Allahut për lojë?” Unë u përgjigja: “Do t’i lë ata dhe atë që kanë zgjedhur. Unë zgjedh Allahun, të Dërguarin e Tij, dhe Vendbanesën e Akhīretit. Do t’i duroj sprovat dhe fatkeqësitë e kësaj bote gjersa të bashkohem me ty, inshā Allāh!” I Dërguari (s) tha: “Të vërtetën the! O Zot, realizoja këtë!” (Transmeton dhe el-Hāfidh eth-Thakāfi në el-Arba’īn.)
96. Muhibb ed-Dīn et-Taberīu në er-Rijād un-Nedīreh, vëll. II, fq 195:
Ebū Hazimi tregon: Një njeri erdhi te Mu’awijā dhe e pyeti atë për një çështje. Mu’awijā u përgjigj, “Shko pyet ‘Alī ibn Ebī Tālibin; ai është më i ditur.” Njeriu ia ktheu, “O prijës i besimtarëve! Përgjigja jote është më e dashur për mua se ajo e ‘Alīut.” Mu’awijā u përgjigj, “Ç’gjë të ulët ke shqiptuar! Ti nënçmon një njeri të cilit i Dërguari i Allahut (s) i ka derdhur dije me bollëk të pazakontë. Padyshim ai (s) i tha atij, ‘Ti je për mua si Harūni për Mūsain përveç se nuk ka profet pas meje.’ Dhe kurdoherë që ‘Umeri përballej me ndonjë vështirësi, ai e zgjidhte atë nëpërmjet tij.” (Transmeton edhe Ahmedi në el-Menākib ‘Alī ibn Ebū Tālib.)
97. Hākimi në el-Mustedrek us-Sahīhejn, vëll. III, fq 142:
Hajjān el-Esedi tregon: E dëgjova ‘Alīun duke thënë: “I Dërguari i Allahut (s) më ka thënë: Ummeti do të të tradhëtojë pas meje, ndërsa ti do të jetosh në përputhje me besimin tim dhe do të vritesh duke qenë në Sunnetin tim. Ai që të do ty më do mua, dhe kushdo që të urren ty më urren mua. Patjetër, mjekra jote do të ngjyhet [nga gjaku] prej kokës tënde.” (Hākimi thotë: “sahīh.” Atë e ka transmetuar edhe el-Muttekī el-Hindī në Kenz ul-‘Ummāl.)
98. Hākimi në el-Mustedrek us-Sahīhejn, vëll. III, fq 122:
Transmetohet me dy rrugë nga Ebū Sa’īdi se ai ka thënë: “Ishim me të Dërguarin e Allahut (s) kur atij iu thye sandalja. ‘Alīu e mori përsipër ta rregullonte vetë. Pasi eci pak, Profeti (s) tha: “Mes jush është dikush që do të luftojë për interpretimin e saktë të Kur’anit tamam siç luftova unë për shpalljen e tij.” Çdonjëri nga turma e kërkoi këtë nder, duke përfshirë Ebū Bekrin dhe ‘Umerin: “A jam unë ai?”, pyeti Ebū Bekri. “Jo”, u përgjigj Profeti (s). “A jam unë ai?” pyeti ‘Umeri. Profeti (s) u përgjigj: “Jo, por është ai që po ndreq sandalen.” Atëherë, ne shkuam tek ai dhe e përgëzuam, por ai as që e ngriti kokën. Ishte thua sikur e kishte dëgjuar këtë që më parë nga i Dërguari i Allahut (s).” (Hākimi thotë: “Hadīthi është sahīh.”)
99. Muhibb ed-Dīn et-Taberīu në er-Rijād un-Nedīreh, vëll. II, fq 209:
Ibn ‘Umeri transmeton nga i ati [‘Umer ibn el-Khattābi]: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (s) duke i thënë ‘Alīut: “O ‘Alī! Me dorën tënde mbi timen, ti do të hysh me mua Ditën e Ringjalljes siç hyj unë.” (E ka transmetuar el-Hāfidh ed-Dimeshkī në el-Arba’īn et-Tewā’il, dhe e ka përcjellur el-Muttekī el-Hindī në Kenz ul-‘Ummāl, vëll. VI, fq 159).
100. el-Muttekī el-Hindī në Kenz ul-‘Ummāl, vëll. VI, fq 390:
Ebū Dheri tregon: Isha me të Dërguarin e Allahut (s) në tokën e Gharkādit kur ai tha: “Për Atë në Duart e të Cilit është shpirti im, mes jush është një njeri që do të luftojë me njerëzit pas meje mbi interpretimin e saktë të Kur’anit, ashtu siç i luftova unë politeistët mbi shpalljen e tij. Këta njerëz do të dëshmojnë se nuk ka zot përveç Allahut, kështu që vrasja e tyre do të jetë hall i madh për disa, saqë ata do ta kritikojnë rëndë atë të dashur të Allahut [‘Alīun]. Ata do t’i qortojnë veprimet e tija siç i qortoi Mūsai [veprimet e Khidrit] në çështjen e anijes, vrasjen e djalit, dhe ngritjen e murit. Shpimi i anijes, vrasja e djalit, dhe ngritja e murit ishin të gjitha vepra të pëlqyeshme për Allahun, prapëseprapë Mūsai i qortoi ato.” (Transmeton edhe ed-Dejlemīu)
101. Ibn ‘Abd el-Berri në el-Istī’āb, vëll. II, fq 457:
Selmān el-Farsīu tregon se i Dërguari i Allahut (s) tha: “I pari që do të më takojë tek Haudi [i Keutherit] është i pari ndër ju që pranoi Islamin, ‘Alī ibn Ebū Tālibi.” (Transmeton edhe Hākimi në el-Mustedrek us-Sahīhejn, vëll. III, fq 136 dhe e ka përmendur edhe el-Muttekī el-Hindī në Kenz ul-‘Ummāl, vëll. VI, fq 156)
102. Muhibb ed-Dīn et-Taberīu në er-Rijād un-Nedīreh, vëll. II, fq 177:
Kajs ibn Hazimi tha: Ebū Bekri u ndesh me ‘Alī ibn Ebī Tālibin dhe i buzëqeshi. ‘Alīu e pyeti: “përse po buzëqesh?” Ebū Bekri u përgjigj: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (s) duke thënë: ‘Askujt nuk i lejohet të kalojë Sirātin pa leje me shkrim nga ‘Alīu.’” (Transmeton edhe es-Samāni në el-Muweffek.)
103. Khātibi në Ta’rīkh ul-Baghdād, vëll. X, fq 356:
Enes bin Māliku transmeton se kur iu afrua vdekja, Ebū Bekri tha: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (s) të thotë: ‘Në Sirāt është një grykë-kalesë në të cilën askujt nuk i lejohet kalimi pa lejen e ‘Alī ibn Ebī Tālibit’ ... (gjersa autori pohon në fund se) ... ‘Alīu tha: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (s) duke thënë: ‘Unë jam vula e profetëve, ndërsa ti O ‘Alī, je vula e ewlijā’ve’.”
104. el-Muttekī el-Hindī në Kenz ul-‘Ummāl, vëll. VII, fq 305:
Ebū Rāfi’u tha: Shkova të takoj të Dërguarin e Allahut (s). [Në një çast, Profeti (s)] ma mori dorën dhe tha: “O Ebū Rāfi’! Pas meje do të jetë një grup njerëzish që do ta luftojnë ‘Alīun, dhe Allahu e ka bërë hakk xhihādin kundër tyre. Ndaj, ai që s’mundet të bëjë xhihād kundër tyre me dorën e tij, duhet të përdori gjuhën, dhe ai që s’mund ta përdori gjuhën duhet të bëjë xhihād me zemrën e tij. Dhe kjo është më e pakta.”
105. Hejthemīu në Mexhma’ uz-Zewā’id, vëll. IX, fq 131:
I Dërguari i Allahut (s) i tha ‘Alīut: “Ti dhe ndjekësit [shī’itët] e tu do të takoheni tek Haudi [i Keutherīt], të kënaqur e të ngopur, dhe fytyrat tuaja do të jenë të shndritshme. Ndërsa armiqtë tuaj do të kalojnë rrëzë Haudit, të etur e të dëbuar.”
106. Hejthemīu në Mexhma’ uz-Zewā’id, vëll. IX, fq 405:
‘Amr ibn el-Hamaku tha [në një hadīth të gjatë]: “I Dërguari i Allahut (s) nisi një çetë (serījje) ... (dhe e lexoi hadīthin gjersa tha:) Më pas, bëra hixhre për te i Dërguari i Allahut (s) dhe një nga ditët e qëndrimit tim atje, ai më tha: “O ‘Amr! A të të tregoj një shenjë nga Xhenneti që ha, pi, dhe shëtit nëpër pazare?” Unë i thashë, “Po, të paça baba!” Atëherë, ai tha: “Ky njeri dhe njerëzit e tij”, dhe tregoi me dorë nga ‘Alī ibn Ebī Tālibi.
107. Khātibi në Ta’rīkh ul-Baghdād, vëll. XII, fq 358:
Ummi Selemja tha: Ishta nata [e rradhës së] ime kur i Dërguari i Allahut (s) dhe Fātimeja erdhën bashkë me ‘Alīun. Atëherë, Profeti (s) i tha atij: “Ti dhe shoqëruesit (as’hāb) e tu jeni në Xhennet. Ti dhe ndjekësit (shī’a) e tu jeni në Xhennet.” (E ka përmendur edhe el-Hejthemīu në Mexhma’ uz-Zewā’id, vëll. X, fq 21, duke pohuar se e ka transmetuar Taberānīu në el-Ewset.)
108. Muhibb ed-Dīn et-Taberīu në er-Rijād un-Nedīreh, vëll. II, fq 208:
Ibn ‘Umeri tha: “‘Alīu është nga Ehl ul-Bejti, asnjë s’mund të krahasohet me ta. ‘Alīu është me të Dërguarin e Allahut (s) në rangun e tij (s) në Xhennet. Padyshim, Allahu Fuqiplotë e i Lartësuar ka thënë në Librin e Tij: {Ata që besuan dhe familjet e të cilëve i pasuan në besim, atyre Ne do t’ua shoqërojmë familjet dhe s’do ua pakësojmë asgjë nga veprat e tyre...} [52:21]. Fātimeja është me të Dërguarin e Allahut (s) në rangun e tij [të Xhennetit], dhe ‘Alīu është me Fātimenë.” (Transmeton ‘Alī ibn Na’īm el-Basrīu)
109. el-Muttekī el-Hindī në Kenz ul-‘Ummāl, vëll. VI, fq 153:
I Dërguari i Allahut (s) tha: ‘Alīu do të shndrisë në Xhennet siç shndrit Ylli i Mëngjesit [Afërdita] mbi njerëzit e kësaj bote.” (Transmeton el-Bejhekīu në Fadā’il us-Sahābe, ed-Dejlemīu në el-Firdeus nga Enesi, nga i Dërguari i Allahut. El-Muttekī e ka përmendur në fq 155 të vëll. VI, dhe ka thënë: “E transmeton Hākimi në et-Ta’rīkh dhe el-Bejhekīu në Fadā’il es-Sahābe si dhe Dejlemīu e Ibn ul-Xheuzī nga Enesi.” E ka përmendur edhe el-Munawīu në Fejd ul-Kadīr, në tekstin primar, dhe e ka konfirmuar si të saktë. Atë e kanë përcjellur edhe shumë të tjerë nga autoritetet e hadīthit, të cilët s’u përmendën këtu.)
110. Zemakhsherīu në Tefsīr el-Keshshāf, komentimi i ajetit {...Thuaj: Unë nuk kërkoj asnjë shpërblim për thirrjen time veç dashurisë ndaj të afërmve (të mi)...} [42:23]:
I Dërguari i Allahut (s) ka thënë:
“Ai që vdes duke e dashur Familjen e Muhammedit (āl-i Muhammed) vdes shehīd;
Vërtet! Ai që vdes duke e dashur Familjen e Muhammedit vdes i falur;
Vërtet! Ai që vdes duke e dashur Familjen e Muhammedit vdes si një i penduar;
Vërtet! Ai që vdes duke e dashur Familjen e Muhammedit vdes si një mu’min që e ka plotësuar besimin;
Vërtet! Ai që vdes duke e dashur Familjen e Muhammedit, melekët Munkir, Nekir dhe meleku i vdekjes do t’i japin atij sihariqe në Xhennet;
Vërtet! Ai që vdes duke e dashur Familjen e Muhammedit do të merret në Xhennet siç merret nusja në shtëpinë e dhëndrit;
Vërtet! Ai që vdes duke e dashur Familjen e Muhammedit do të ketë dy dyer të hapura për të në Xhennet;
Vërtet! Ai që vdes duke e dashur Familjen e Muhammedit, atij Allahu do t’ia kthejë varrin në vend vizite për melekët e të Gjithmëshirshmit;
Vërtet! Ai që vdes duke e dashur Familjen e Muhammedit vdes në sunnetin dhe ummetin tim.
Vërtet! Ai që vdes duke e urryer Familjen e Muhammedit do të vijë në Ditën e Kijametit me privimin nga mëshira e Allahut të shkruar midis syve;
Vërtet! Ai që vdes duke e urryer Familjen e Muhammedit vdes si kafir;
Vërtet! Ai që vdes duke e urryer Familjen e Muhammedit nuk do t’i marrë as erë Xhennetit.”
Fakhr ed-D īn Rāzīu shton: “Familja [āl] e Muhammedit (s) janë ata që e kanë burimin [ja’ulū] tek ai. Të gjithë ata ekzistenca e të cilëve e ka origjinën tek ai, janë, në mënyrën më të përkryer dhe intensive ‘Familja’. Dhe nuk ka asnjë dyshim se lidhjet ndërmjet ‘Alīut, Fātimesë, Hasanit, Huseinit, dhe të Dërguarit të Allahut (s) ishin më intensivet. Kjo dihet nga hadīthet mutewātir. Prandaj, ata duhet të jenë patjetër ‘Familja’ [āl].” (Tefsīr Mefātih ul-Ghājb, vëll. IV, fq 405)
Wa Allahu a’lem.