Rreth Shkaqeve Konceptuale dhe Historike të Përhapjes së Ateizmit në Evropë
Murteza Mutahhari
01 Shtator 2006
Shqipëroi dhe pajisi me komente: Edin Q. Lohja

 

Ishte Kisha - [ajo e cila] qoftë për shkak të mangësive konceptuale në teologjinë që përfaqësonte, qoftë për shkak të sjelljes çnjerëzore ndaj masave, veçanërisht shkencëtarëve dhe mendimtarëve të lirë - [u bë] faktori dhe arsyeja kryesore e animit nga materializmi të botës së krishterë e tërthorazi edhe asaj jokrishtere. Ne do e shtjellojmë këtë faktor në dy kaptina:

  1. Mangësitë e koncepteve të Kishës mbi Zotin dhe metafizikën.
  2. Mizoria e Kishës.

Në Mesjetë, kur çështja e Zotit ishte në duart e priftërinjve, mbi Zotin u formuan një sërë konceptesh të papjekura dhe të paplota që nuk puthiteshin aspak me realitetin e të cilat jo vetëm që nuk kënaqën njerëzit e mençur dhe të arsimuar, por krijuan tek ata urrejtje dhe i ngritën kundër mësimeve për Zotin.

 

Konceptet Antropomorfe mbi Zotin

Kisha i dha Zotit pamje njerëzore dhe ua paraqiti njerëzve Zotin në shëmbëllimin njerëzor.1 Këta, nën ndikimin e fesë kishtare, qysh në fëmijëri e përfytyronin Zotin në trajtë njerëzore e fizike dhe, me zhvillimin e shkencës, arritën në përfundimin se një mësim i tillë nuk përputhet me kriteret e drejta shkencore, reale dhe mendore.

Nga ana tjetër, është e natyrshme që masa e gjerë s’ka fuqi kritike sa të mendojë se ndoshta çështjet që kanë lidhje me metafizikën kanë domethënie kuptimplote dhe bazë racionale e që Kisha gabon. Kështu, kur panë se mësimet e Kishës nuk puthiten me kriteret e shkencës, i mohuan ato në themel.

Ekziston një vepër e quajtur Dëshmia për Ekzistencën e Zotit në një Univers në Zgjerim e cila përbëhet nga punimet e dyzet shkencëtarëve prej fushave të ndryshme, ku secili dijetar ka paraqitur argumente që vërtetojnë ekzistencën e Zotit në përputhje me fushën e tij të specializimit. Kjo vepër është përkthyer në persisht. Secili prej tyre diskuton për dëshminë e ekzistencës së Zotit mbi baza shkencore. Mes këtyre shkencëtarëve është edhe Walter Oscar Lundberg, i cili shtron diskutimin shkencor mbi teizmin. Përgjatë studimit të tij, ai kreu hulumtime në këtë fushë mbi çështjen pse disa njerëz - madje edhe shkencëtarë - anojnë nga materializmi. Ai paraqet dy arsye, prej të cilave njëra është ajo që përmendëm, d.m.th. shpjegimet që u jepeshin njerëzve lidhur me këtë term në shtëpi dhe në kishë. Nëse këtu ne përmendim vetëm Kishën, kjo s’do të thotë se ata që udhëzojnë nga foltoret (manābir) e xhamive tona janë gjithnjë të informuarit dhe të kualifikuarit për studimin e domethënieve të koncepteve fetare, dhe se ata dinë atë që predikojnë e që zotërojnë një njohje të thellë të Islamit.

Nëse veçojmë Kishën, kjo ndodh në rradhë të parë ngaqë diskutimi është mbi animin nga materializmi e ky anim u shfaq në mjediset e krishtera e jo ato islame. Çfarëdo forme materializmi që u shfaq në rrethet islame ishte dhe mbetet kopje e imitim i asaj nga Evropa.2 Së dyti, në mjedisin islam, në nivelin e filosofisë dhe metafizikës, ekzistonte shkolla e mendimit që kënaqte nevojat intelektuale të atyre që merren me studimin e çështjes në fjalë dhe parandalonte që fati dhe puna e shkencëtarëve të ishte në nivelin e atyre në Evropë.3 Mirëpo, në mjediset kishtare nuk ekzistonte një mësim i tillë.

Gjithsesi, zr. Lundberg thotë:
Mbi faktin që vëmendja e disa dijetarëve në kërkimet shkencore nuk tërhiqet drejt të kuptuarit të ekzistencës së Zotit ka disa arsye, nga të cilat po përmendim dy. Së pari, prania e përgjithshme e kushteve shoqërore politike autokrate apo strukturave qeverisëse që imponojnë mohimin e ekzistencës së Krijuesit. Së dyti, mendimet e njeriut janë gjithnjë nën ndikimin e ndonjë iluzioni e madje edhe nëse njeriu nuk ka frikë nga tortura mendore dhe trupore, përsëri mendimet e tij gjatë zgjedhjes së rrugës së drejtë s’janë krejt të lira. Në familjet e krishtera fëmijët në fillim në përgjithësi besojnë në një Zot antropomorf - sikur njeriu është krijuar në ‘shëmbëlltyrën’ e Zotit. Kur këta njerëz hyjnë në mjedisin shkencor dhe përvetësojnë dijen e çështjeve [dhe zbatimin e metodave] shkencore ky shpjegim absurd dhe tiparet njerëzore të Zotit s’do mund të përputhen me arsyetimet logjike dhe shpjegimet shkencore, prandaj pas një kohe të caktuar humbasin çdo pajtim, e gjithashtu koncepti i Zotit bëhet mjaft i braktisur dhe humbet nga mendimet. Shkaku kryesor i kësaj është që arsyet logjike dhe shpjegimet shkencore nuk e ndryshojnë botëkuptimin dhe mendimin e mëparshëm, dhe një ndjenjë e tillë - që më parë u gabua në të besuarit në Zot e gjithashtu faktorë të tjerë psikologjikë, shkaktojnë që njeriu të lodhet nga mangësitë e këtij interpretimi dhe të braktisë teizmin e të heqë dorë përfundimisht nga ai.4

Shkurtimisht, ajo që vihet re në disa mësime teologjike dhe fetare e që për fat të keq, pak a shumë gjehet edhe te ne, është se një koncept karakteristik projektohet në mendjet e fëmijëve nën emrin dhe etiketën ‘Zot’. Kur fëmija rritet e bëhet shkencëtar, sheh se ky koncept nuk është racional dhe se një krijesë e tillë s’mund të ekzistojë, qoftë ajo Zoti apo diçka tjetër. Duke u rritur, pa ndjenjën e kritikës apo të menduarit që ndoshta shpjegimi i vërtetë ekziston, mohon gjithë hyjninë. Ai mendon se Zoti që ai mohon është ai që pranojnë teistët e pastaj këtë krijesë të mendjes së tij - që është produkt i bestytnive të njerëzve të zakonshëm - nuk e pranon dhe nuk thellohet më në një shpjegim të tillë të Zotit që mohon. Ai nuk vëren se koncepti i Zotit që ai mohon, hidhet poshtë edhe nga teistët dhe se kundërshtimi që ai bën nuk është mohim i Zotit, por hedhje poshtë e asaj që duhet hedhur poshtë.

Në librin Zoti dhe Natyra, Flammarion5 vëzhgon:
Kisha e paraqet kështu Zotin: Nga syri i tij i majtë deri te i djathti janë dymbëdhjetëmijë lega. Është e qartë se njerëz që zotërojnë dije të sadopaktë s’mund t’i besojnë një krijese të tillë.

 

Zoti sipas Pikëpamjes së Auguste Comteit

Flammarioni përmend fjalët e Auguste Comteit6, themeluesit të pozitivizmit7 dhe të asaj që njihet si shkencizëm, të cilat përbëjnë një pamje të përshtatshme për vështrimin e konceptit që dijetarët, siç ishte Comte, kishin mbi Zotin në mjedisin kishtar të kohës.

Çfarë pikëpamjeje kishin ata? Flammarioni thotë se Auguste Comte pohonte:

“Shkenca e ka pushuar Atin e universit nga puna e tij duke e izoluar në harresë dhe ndërkohë që e falënderoi për shërbimet e përkohshme, e shoqëroi atë mbrapsht në kufijtë e madhështisë së Tij”.

Ajo që ai nënkuptonte është se më parë gjithçka që kish ndodhur në botë shpjegohej duke e lidhur me Zotin si shkak të saj. Për shembull, kur dikush kishte zjarrmi e dilte pyetja pse kishte marrë të ftohur dhe nga ishte shfaqur temperatura e lartë, përgjigja ishte se Zoti e kish sjellë zjarrminë. Domethënia e përgjithshme e kësaj fjalie nuk ishte se Zoti është lëvizësi kryesor i rrotës së gjithësisë, ndërsa të pohuarit se Zoti kish sjellë zjarrminë donte të thonte që Zoti është lëvizësi i vërtetë e i përgjithshëm i botës. Përkundrazi, kjo fjali nënkuptonte se Zoti është si një qenie e çuditshme dhe magjistar që bën mrekulli. Papritur kish vendosur që pa ndonjë shkak paraprak të krijojë zjarrminë dhe ajo ishte shfaqur. Pastaj erdhi shkenca e ia gjeti shkakun asaj [dukurie] duke zbuluar që nuk e solli Zoti zjarrminë, por atë e shkaktoi një bakterie e caktuar. Me këtë, Zoti kthehet një hap mbrapa. Pastaj edhe teisti u detyrua ta zhvendosë diskutimin te bakteria dhe çka e pruri atë. Shkenca gjithashtu zbuloi shkakun e bakterieve duke treguar rrethanat nën të cilat u shfaqën ato. Këtu përsëri Zoti kthehet një hap më mbrapa dhe përsëri diskutohet mbi shkakun e këtij shkaku. E kështu vazhdoi tërheqja e Zotit deri sa, më në fund, me zhvillimin dhe zgjerimin e shkencës e cila përgjithësoi [konceptet], u zbuluan shkaqet e shumë dukurive. Ndërsa për ato dukuri, shkaqet e të cilave ishin të pazbuluara, u bë e qartë që shkaqet ekzistojnë - si për ato tashmë të zbuluara, e kështu njeriu u nda përgjithmonë me Zotin, sepse për Atë s’kish mbetur më as vend as rol. Atëherë, çështja e Zotit u bë si funksioni i një nëpunësi që ka një punë të rëndësishme në një institucion.

Më pas, shfaqen njerëz më të vlefshëm që pak nga pak zënë punën e tij, derisa ai përnjëherësh humbet pozicionin dhe punën. Pastaj vjen drejtori i institucionit i cili e falënderon për shërbimet e tij dhe ndahet përgjithmonë nga ai. I jep në dorë vendimin për ndërprerjen e punësimit dhe e pushon atë përfundimisht. Auguste Comte e konsideronte Zotin "Atin e natyrës". Një mendim i tillë mbi Zotin është tregues i mënyrës së tij kishtare të të menduarit. Ai është kundër mësimeve të Kishës, por mendimi i tij për Zotin në veçanti është mendimi i Kishës dhe ai nuk mund të çlirohet nga një mënyrë e tillë të menduari.8

Ideja e përgjithshme e Auguste Comteit tregon se Zoti, sipas mendimit të tij, është si një pjesë e botës, madje një faktor në nivel me të tjerët, paçka se faktor i panjohur dhe misterioz. Nga ana tjetër, llojet e dukurive janë dy: të njohura dhe të panjohura. Çdo dukuri e pashpjeguar i duhej mveshur atij faktori të panjohur dhe misterioz. Natyrisht, me çdo dukuri që zbulohet dhe njihet me ndërmjetësinë e shkencës, zvogëlohet fusha e ndikimit e atij faktori të panjohur.

Një mënyrë e tillë e të menduarit nuk ishte karakteristike [vetëm] për të, por përbënte mendimin që mbizotëronte në mjedisin, kohën dhe epokën së cilës ai i përkiste.

 

Pozicioni i Zotit

Mund të thuhet pra, se kryesore është të njohim pozicionin, vendin dhe funksionin e Zotit. A është vendi i Zotit në univers9 si dhe funksioni i Tij në botë i tillë që atë e vështrojmë në nivelin e krijesave të veçanta në gjithësi dhe si pjesë të universit?

Gjithashtu [a mundemi ne] që, midis funksioneve në botë, t’i mveshim ndonjërën Atij e kështu të ndajmë veprat, me qëllim që në njohjen e veprave të veçanta të Zotit - cilat janë dhe si janë ato - të kërkojmë midis tyre ato, shkaku dhe arsyeja e të cilave për ne është i panjohur dhe pikërisht ato t’i konsiderojmë punesa të Tij? Rezultat i një të menduari të tillë është kërkimi i Zotit midis të panjohurave. Është e natyrshme që sa më shumë rritet dija jonë, aq më shumë zvogëlohet padituria jonë. Rrethi i teizmit tonë ngushtohet deri aty sa, nëse pandehim se një ditë të gjitha të panjohurat e njeriut do zgjidhen, s’do mbesë më vend për Zotin dhe të besuarit.

Në bazë të kësilloj të arsyetuari, vetëm disa nga realitetet ekzistuese janë shenja të Zotit dhe dëshmojnë e pasqyrojnë ekzistencën e Tij, e ato janë po ato vepra arsyet e të cilave janë të panjohura. Sa për ato gjëra, shkaqet e të cilave i kemi njohur, ato shtrihen jashtë sferës së shenjave dhe shpalosjeve të Zotit. Subhanallāh, sa i gabuar është ky mendim dhe sa iluzion i madh e sa padije mbi rolin e Zotit! Këtu duhet të përmendim përgjigjen nga Kur’ani që thotë: “Nuk e vlerësuan Zotin në Madhështinë e Tij të vërtetë”10

Abetarja e fesë thotë se Ai është Zoti i gjithë botës dhe i Cili lidhet njëlloj me gjithçka që ekziston. Pa përjashtim, të gjitha gjërat janë shpalosje e Fuqisë së Tij, Dijes, Urtisë, Vullnetit e Skicimit dhe janë shenjë e shprehje e Përsosmërisë, Lavdisë, Madhështisë dhe Bukurisë së Tij. Nuk ekziston ndryshim midis të njohurës (ma’lūm) dhe të panjohurës (majhūl) në këtë drejtim. Krejt bota, me të gjitha sistemet, arsyet dhe shkaqet e saj mbështetet tërësisht nga të vetëekzistuarit e Zotit. Ai ka përparësi ndaj hapësirës dhe kohës e i tejkalon ato. Koha dhe qeniet e kufizuara në të si dhe hapësira dhe objektet hapësinore, pavarësisht nëse janë të fundme apo të pafundme - d.m.th., nëse janë të kufizuara në kohë apo të shtrira nga fillimi [i saj e që zgjaten deri] në përjetësi, dhe pavarësisht nëse gjithësia është e kufizuar në përmasat hapësinore apo [është] e pafundme, dhe, më në fund, e tërë pamatësia e të qenësishmeve është e fundme apo e pafundme në hapësirë dhe kohë - të gjitha këto burojnë nga Qenia dhe Ekzistenca e Tij dhe bëjnë pjesë në frytet (fayd) e Vullnetit të Tij.11

Atëherë është injorancë (jahl) e tejskajshme të mendojmë në mënyrën e Kishës dhe të pandehim si Auguste Comte, që duke kërkuar shkakun e një dukurie të caktuar në ndonjë cep të botës do të zbulojmë papritur ekzistencën e Zotit, dhe pastaj ta festojmë e të gëzohemi që gjetëm Zotin aty. E nëse nuk arrijmë ta gjejmë, bëhemi pesimistë dhe e mohojmë tërësisht ekzistencën e Tij. Përkundrazi, pikërisht në këtë kuptim duhet të mohojmë "zotin" d.m.th. atë "zot" që gjoja është pjesë e botës dhe i cili zbulohet si dukuri anësore gjatë hulumtimit. Ai me siguri nuk është Zoti dhe çdo besim në një "zot" të tillë e ka hak të hidhet poshtë. E shprehur më thjeshtë, duhet të themi që një kërkim i tillë i Zotit në botë i ngjan situatës kur dikujt i tregojmë një orë dhe themi se ajo ka prodhuesin e saj e ai kërkon që midis sustave dhe pjesëve të orës të gjejë orë-ndërtuesin. Pas një kohe të caktuar së kërkuari ai nuk gjen asgjë midis detaleve e thotë: ‘Meqë orë-prodhuesin nuk e gjeta, atëherë ai as nuk ekziston’.

Ose ngjashëm me këtë, kur dikujt i tregojnë një teshë të qepur mirë dhe i thonë që ajo ka rrobaqepësin e saj, kurse ai përgjigjet se, në qoftë se e gjen atë nëpër xhepa, do besojë se ai ekziston, në të kundërt - jo. Sipas mësimeve islame, një mënyrë e tillë të menduari është njëqindpërqind e gabuar. Zoti, sipas mā’arif al-Islām nuk bën pjesë në shkaqet natyrore që të mund të pyesim nëse një krijesë e jashtme është krijuar nga Zoti apo nga ndonjë shkak natyror i caktuar. Një ndarje e tillë është e gabuar dhe e pakuptimtë, sepse midis Zotit dhe shkaqeve natyrore nuk mund të ekzistojë largesë apo mospërputhje [e llojit: ose Zoti ose natyra] që ne ta shtrojmë çështjen kështu.

Ky lloj të menduari është antihyjnor. Teizëm do të thotë që e gjithë natyra, nga fillimi gjer në fund, është një proces i veçantë dhe vepër gjithpërfshirëse dhe unike e Zotit.12 Nuk mund të pyesim pra, lidhur me një pjesë a dukuri të saj, nëse është vepër e Zotit apo e natyrës. E më pas, nëse nuk ia zbulojmë shkaqet, të themi se atë e bëri Zoti, ndërsa nëse mësojmë shkaqet natyrore, të themi se kjo i përket natyrës dhe se nuk i përket më tej Zotit.

 

Tre Stadet e Auguste Comteit

Auguste Comte sugjeron një ndarje të stadeve të zhvillimit historik të mendimit njerëzor,13 gjë që, për fat të keq është pranuar pak a shumë, ndërsa nga këndvështrimi i njohësve të filosofisë islame, ky është një diskutim tërësisht i papjekur. Ai thotë se njerëzimi ka kaluar nëpër tre stade:

(1) Stadi Teologjik
Në këtë stad njerëzit i shpjegonin ngjarjet me ndihmën e forcave mbinatyrore dhe shkaqet e të gjitha gjërave i gjenin tek Zoti apo perënditë.14

(2) Stadi Metafizik
Në të cilin njeriu zbuloi parimin e shkakësisë por ende nuk njihte në hollësi shkaqet e gjërave. Ngaqë njohu thelbin e shkakshmërisë, ai gjykoi se çdo ngjarje që ndodhte i kish shkaqet në vetë Natyrën. Në këtë stad njeriu postuloi ekzistencën e forcave në natyrë dhe në mënyrë të kufizuar gjykoi se në të ekzistojnë forca që janë përgjegjëset kryesore për ngjarjen e dukurive.15 Duke marrë parasysh që në këtë periudhë njeriu mendonte në terma metafizike dhe filosofike, ai s’mund të shkonte përtej të vlerësuarit se një dukuri e caktuar kishte një shkak, duke mos patur asnjëfarë përgjigjeje ndaj pyetjeve mbi llojin, natyrën dhe tiparet e vetë shkakut.

(3) Stadi Pozitiv
Në këtë stad njeriu njohu hollësisht shkaqet e dukurive në Natyrë. Njeriu kështu braktis të menduarit e përgjithshëm e filosofik dhe ndjek fenomenologjinë dhe metodat empirike [duke përvetësuar qasjen eksperimentale për studimin e dukurive] dhe i shpjegon dukuritë përmes njëra-tjetrës [duke zbuluar lidhjet shkakësore ndërmjet tyre]. Për të u bë krejt e qartë se një lidhje zinxhir bashkon dukuritë me njëra-tjetrën. Një metodë të tillë shkenca e sotme e quan të saktë, prandaj këtë stad e quajmë shkencor.16

Nga këndvështrimi i masave të gjera dhe njerëzve të zakonshëm, këto tre etapa që paraqiti Auguste Comte ndoshta mund të duken të sakta në kuptimin që në një periudhë njerëzit mbanin si arsye të ndonjë ngjarjeje, p.sh. sëmundjeje, krijesa të padukshme si demonët dhe xhinët - siç konsiderohet edhe sot mes disa evropianëve të shkolluar. Në një stad të mëvonshëm ata u aftësuan të dallojnë rregullsitë në sistemet natyrore dhe me shkak të sëmundjes nënkuptuan arsyet që sjellin sëmundjet dhe shpejt mësuan se [ishin] faktorët natyrorë [që] i shkaktonin ato.

Gjithashtu, të gjithë ata që s’kanë studiuar mjekësi dhe s’kanë dije të mjaftueshme mbi të, por që besojnë në rendin e përgjithshëm tek sistemet natyrore, kanë një të kuptuar të ngjashëm. Më pas, në stadin e tretë, lidhja midis vetë dukurive u zbulua në mënyra empirike. Kjo nuk ishte diçka e re në vetvete dhe ekzistonte edhe në periudhën e lashtësisë, paçka se në kohët tona prirja e njeriut nga fenomenologjia dhe nga shpjegimi i dukurive me anë të njëra-tjetrës është më e madhe. Mirëpo, kjo ndarje e zhvillimit të mendimit të njeriut është e gabuar. Nëse do të donim të ndanim mendimin njerëzor në stade, atëherë duhet që për kriter të marrim idetë e dijetarëve e jo ato të masave të gjera dhe njerëzve të zakonshëm.

Me fjalë të tjera, të kemi parasysh botëkuptimin e njerëzve të shquar. Këtu shohim që ndarja e Auguste Comteit është kryekëput e gabuar. Kurrë të menduarit e njeriut, që është përfaqësuar nga njerëzit e ditur të çdo epoke, s’ka kaluar nëpër një periudhë të tillë trepjesëshe. Një nga periudhat apo hallkat e mendimit është periudha e mendimit islam. Sipas metodës islame, këto mendime mund të përmblidhen së bashku në një trajtë të veçantë.

Kjo d.t.th. se në formën specifike të mendimit që ne e quajmë islame, të tria ato mënyra të menduari mund të bashkëekzistojnë. Me fjalë të tjera, një person mundet njëkohësisht të mendojë edhe hyjnërisht, edhe filosofikisht, edhe shkencërisht. Nga këndvështrimi i një dijetari të njohur me botëkuptimin islam, nuk ka rëndësi a është shkaku i një dukurie ai që na tregon shkenca, apo ai që filosofia e shpjegon në formën e një force, apo ajo së cilës i referohemi me emrin Zot.17

Kështu, zotërinjve siç është August Comte duhet t’u kujtojmë se në botë ekziston edhe mënyra e katërt e të menduarit për të cilën nuk kanë qenë [ose nuk kanë dashur të jenë] në dijeni.

 

Mizoritë e Kishës

Deri tani folëm për rolin e Kishës në të prirurit nga materializmi, në kuptimin e mangësive të koncepteve hyjnore të saj. Nga ana tjetër, Kisha gjithashtu ka rol të rëndësishëm në çuarjen e njerëzve në ateizëm me një mënyrë tjetër, e cila është shumë më efikase se të mospaturit e shpjegimeve hyjnore nga ana e saj - e ajo është pikërisht imponimi i mendimeve dhe koncepteve specifike fetare e shkencore të veta, me anë të detyrimit me forcë dhe heqjes së të gjitha lirive të mendimit në të dyja këto fusha. Krahas mendimeve fetare specifike për botën dhe njeriun, Kisha përvetësoi një sërë parimesh shkencore, që i kishin rrënjët në filosofinë greke dhe gjetkë e që dalëngadalë u pranuan nga autoritetet e fesë së krishterë dhe të cilat u rreshtuan në rradhën e parimeve themelore fetare e njëkohësisht nuk lejonte kundërvënien ndaj atyre ‘shkencave zyrtare’, por i persekutonte ashpër kundërshtarët e këtyre mendimeve.

Ne tani nuk do të diskutojmë mbi çështjen e lirisë fetare dhe të të menduarit si dhe a duhen hulumtuar lirshëm themelet fetare apo a është kundër shpirtit të fesë rruga e ndëshkimit dhe imponimit. Që parimet e fesë duhet të jenë kërkimore e jo të detyruara apo imituese, është në të vërtetë një tezë për të cilën del fuqimisht Islami, përkundrejt Krishtërimit që parimet e fesë i ka shpallur zona të ndaluara për mendjen.18

Gabimi kryesor i Kishës ishte gjithashtu në dy drejtime të tjera. Së pari, ajo radhiti disa mendime shkencore mbi njeriun, të trashëguara nga filosofët e hershëm dhe dijetarët e krishterë, në rreshtin e parimeve fetare dhe të kundërvënit ndaj tyre e shpalli herezì.19 Së dyti, nuk qe e gatshme të mjaftohej vetëm me të shpallurit e heretikëve dhe shkishërimin e atyre apostasia e të cilëve ishte vërtetuar, por u hodh në kërkim të mendimeve dhe qëllimeve të njerëzve në përgjithësi duke u përpjekur që me kurthe të paskrupullta të zbulojë edhe kundërvënien më të vogël të ndonjë individi apo grupi njerëzish ndaj mendimeve zyrtare fetare, e që më pas me një barbari të papërshkrueshme ta torturonte atë person ose grup.20

Si pasojë, shkencëtarët dhe hulumtuesit nuk guxonin të mendonin kundër asaj që Kisha konsideronte shkencë, pra ishin të detyruar të mendonin si Kisha. Është e natyrshme që një shtypje kaq e madhe mbi mendimin, që ekzistoi nga shek. XII deri në shek. XIX në Francë, Angli, Gjermani, Hollandë, Portugali, Poloni dhe Spanjë, shkaktoi një reagim të përgjithshëm shumë negativ ndaj fesë dhe teizmit. Kisha krijoi gjyqe nën emrin Inkuizicion apo “Gjyqi shpirtëror për hulumtimin e opinionit”, emri i të cilit flet qartë për detyrën që iu vu.21

Will Durant shkruan: Gjyqi Inkuizitor kishte ligjet dhe metodat e tij specifike të marrjes në pyetje dhe ndjekjes penale. Para se të mblidhej gjykata e lartë në ndonjë qytet, lexohej nga altari urdhëresa fetare dhe kërkohej nga njerëzit që çdokush i cili ishte në dijeni të ndonjë të pafeu, heretiku apo ateisti, të njoftojë për këtë Gjyqin Inkuizitor. Kështu nxitnin dhe inkurajonin kallëzimin dhe akuzimin e komshinjve, miqve dhe të afërmve. Paditësve u premtonin përkrahje të plotë dhe fshehtësi. Ai që ishte në dijeni të ndonjë jobesimtari dhe nuk e tregonte, apo e fshihte në shtëpi, do shpallej i mallkuar, i përndjekur dhe i pafé...

Mënyrat e të munduarit ishin të ndryshme për nga lloji, vendi dhe rasti. Nganjëherë të akuzuarit i lidhnin duart prapa, për ta lënë të varur përduarsh. Ndodhte që e mbërthenin në mënyrë të tillë që s’mund të lëvizte e pastaj i hidhnin ujë në fyt që të mbytej. Kishte raste që i lidhnin litarin rreth shpatullave dhe kërcinjve aq fort sa t’i depërtonte trupin dhe të mbërrinte në kocka.22 Ai shton: Numri i viktimave të regjistruara nga 1480 deri 1488 i kalonte 8800 persona të djegur për së gjalli dhe 96494 persona të dënuar me dënime të tjera të rënda; ndërsa nga 1480 deri më 1808 kishte 31912 persona të djegur për së gjalli e 291950 persona të dënuar në mënyra të tjera të rënda.23

George Sarton, dijetar i shquar dhe autoritet i famshëm në historinë e shkencës, hapi në librin Gjashtë Krahët: Njerëz të Shkencës në Reneisansë diskutimin e titulluar ‘Shtrigëria’ ku tregoi se si Kisha kreu krime të tmerrshme në emër të luftës kundër shtrigërisë. Ai shkruan: Autoritetet [kishtare] dhe dijetarët e fesë me apo pa vetëdije barazonin shtrigërimin me apostasinë. Njeriu shumë shpejt nxjerr përfundimin se ata që nuk pajtohen me të janë njerëz të ligë. Shtriga/në ishin femrat ose meshkujt që i kishin shitur shpirtin Djallit. Me tezën që heretikët dhe të pafetë kanë lidhje me Djallin, persekutimi dhe torturimi i tyre miratohej lehtë dhe besimtarët më ortodoksë ndoshta thonin me vete: ‘Këta përhapës trazirash dhe tradhëtarë janë shtriganë e kësisoj u duhet bërë ballë, sepse as nuk janë të aftë të kenë fenë e vërtetë e as nuk ia vlen të falen.’

George Sarton përmend librin e titulluar Çekani i Shtriganit, i cili është shkruar nga dy priftërinj dominikanë për Papën Innocenti VIII (s. 1484-92). Në fakt, ky libër ishte udhërrëfim për inkuizimin e të akuzuarve për herezi dhe shtrigëri. Ai thotë: Libri Çekani ishte udhëzim i hollësishëm për inkuizitorët se si të përcaktonin mendimin e njerëzve dhe mënyrën e zbulimit, dënimit dhe ndëshkimit të shtrigave... Frika nga shtrigat ishte arsyeja kryesore e vrasjes së tyre dhe vetë akti i vrasjes ndillte edhe më tepër tmerr.

Në atë kohë u shfaq një sëmundje psikike masive, e cila nuk është parë deri në periudhën e sotme të emancipimit. Shënime të hollësishme janë mbajtur dhe ruajtur deri në ditët tona për disa prej atyre gjyqeve. Inkuizitorët nuk ishin njerëz të këqinj, të paktën veten e konsideronin më të mirë se njerëzit mesatarë. A nuk është e vërtetë që u përpoqën dhe punuan papushim për fjalën e së drejtës dhe emrin e Zotit?!

Nicolarmy, prokuror i opinionit publik për Lournin, bëri që gjatë 15 viteve (1575-1590) të digjen për së gjalli nëntëqind shtriga. Ai ishte njeri i ndërgjegjshëm dhe në vitet e fundit të jetës së tij ndihej fajtor që kishte shmangur vrasjen e disa fëmijëve. Pse vallë, a ka dikush të drejtë të ndalojë mbytjen e këlyshit të gjarprit?!

Peshkopi Tersepeter Binzfold dha dënimin me vdekje për gjashtëmijepesëqind persona. Më tej ai vëzhgon: Kur hetuesit e opinionit mbërrinin në ndonjë rajon të ri, shpallnin që, nëse ndokush dyshonte se ndonjë person ishte shtrigë, duhet të njoftonte. Nëse kushdo fshihte të dhëna dhe zbulohej, atëherë vendosej që ai të dëbohej dhe ndëshkimi ishte marrja e parave nga ai. Të dhënit e informatave në lidhje me këtë konsiderohej obligim dhe detyrë, ndërsa emrat e atyre që kallëzonin nuk shpalleshin. Njerëzit e akuzuar, midis të cilëve kishte edhe prej atyre që ndoshta ishin paditur nga armiqtë personalë, nuk njoftoheshin për arsyet e akuzës ndaj tyre dhe mbaheshin në errësirë lidhur me dëshmitë e fajësisë së tyre. Supozohej dhe pranohej se këta njerëz ishin fajtorë dhe kriminelë dhe rëndesa e të vërtetuarit që ishin të pafajshëm binte mbi ta.

Gjykatësit përdornin të gjitha llojet e mjeteve mendore dhe fizike për t’i detyruar të pranonin fajin dhe të tregonin bashkëpunëtorët. Për të inkurajuar të akuzuarit që të pranonin akuzën, atyre u premtohej falje ose zvogëlim i ndëshkimit. Por këta gjykatës mendonin se s’kishin kurrfarë detyrimi moral të mbanin premtimin e dhënë shtriga[në]ve dhe të pafeve. Këtë lloj premtimi ata e jepnin atëherë kur i akuzuari nuk thonte atë që duhej të thonte. Çdo veprim kundër këtyre të akuzuarve, që kryhej jashtë kufijve të nderit, përligjej me qëllimin e shenjtë. Sa më shumë i stërmundonin dhe i keqtrajtonin njerëzit, aq më të domosdoshme e shihnin këtë punë.

Kjo që theksuam mund të kontrollohet lehtë në librin Çekani si dhe në libra të tjerë dhe mund të ilustrohet e konfirmohet me anë të leximit të regjistrave të gjyqeve, të cilët janë të shumtë.24

George Sarton pas tre-katër faqeve diskutimi lidhur me këtë, thotë: Me të vërtetë besimi në shtrigëri ishte një sëmundje mendore, që ishte më e rrezikshme se sifilisi dhe e cila shkaktoi vdekjen e tmerrshme të mijëra grave dhe burrave. Në fakt, përkushtimi ndaj kësaj çështjeje tregon fytyrën e vërtetë të Rilindjes, mrekullia e së cilës është më e vogël nga çfarë [përpiqet të] tregohet zakonisht.

Por, për të kuptuar saktë ngjarjet e asaj periudhe është e domosdoshme të dihet edhe kjo. Reneisansa ishte epoka e artë e letërsisë dhe artit, por njëkohësisht edhe e shpërfilljes fetare e gjithashtu mizorisë dhe çnjerëzisë. Dehumanizimi i asaj periudhe është aq i madh, saqë përveç kohës së sotme nuk e ka shokun në tërë historinë.25

Religjioni që duhej të bëhej udhërrëfyes dhe lajmëtar i dashurisë mori këtë fytyrë që pamë në Evropë.26 Vetë të kuptuarit e përgjithshëm mbi fenë dhe Zotin erdhi e u shoqërua në mendjet e të gjithëve me dhunën, shtypjen mbytëse dhe tiraninë. Është e qartë që reagimi i këtyre njerëzve ndaj një mësymjeje të tillë s’mund të ishte tjetër përveç mohimit të fesë në themel dhe mohimit të asaj që është baza e fesë - Zotit. Përherë dhe në çdo epokë, kur udhëheqësit fetarë të popullit, të cilët njerëzit i konsiderojnë përfaqësues të vërtetë të fesë, veshin lëkurën e leopardit dhe tregojnë dhëmbët e tigrit, përdorin shkishërimin dhe veprat e ulëta, sidomos kur për këtë kanë motive personale, i jepet goditja më e rëndë qenies së besimit dhe i shërbehet materializmit.

 

SHËNIME

1. Në Dhjatën e Vjetër ka mjaft tekste të çuditshme, të cilat shpiejnë në një të konceptuar antropomorf të Zotit. Shih p.sh. Zanafilla 3:8-11, 18:1-9 dhe 32:24-31.

2. Referoju p.sh. librit Islami dhe Brenga e Njeriut Modern nga Seyyed Hossein Nasr.

3. Prova më verbuese e kësaj është lulëzimi dhe përparimi i jashtëzakonshëm i shkencave dhe diturisë në mjediset islame, në një kohë kur Evropa ishte zhytur në errësirën e injorancës dhe bestytnive. Shih p.sh. Jait, Lārī VII; Nasr IV, VI, VII; Risojević dhe Historia e Arabëve nga Gustav Le Bon, etj.

4. Irving William Knobloch, vep. cit., punimi i Walter Oscar Lundberg.

5. Camille Flammarion, astronome e njohur franceze (1842-1925), autore e shumë veprave popullarizuese të shkencës, themeluese e Shoqatës Astronomike të Francës (1887).

6. Auguste Comte, filosof francez (1798-1857), themelues i pozitivizmit. Vepra e tij më e rëndësishme Kurs i Filosofisë Pozitive (1830-42), përbën burimin e kësaj rryme dalluese të mendimit për shek. XIX. Ai përpunoi një mendim që sulmon metafizikën dhe e cila mbështetet tek faktet dhe ligjet, pa u interesuar dhe pranuar asgjë tjetër. Me librin Sistemi i Politikës Pozitive (1851-4) mbahet si një ndër themeluesit e sociologjisë të cilën ai e koceptonte si një zbatim të metodave të fizikës në studimin e shoqërisë.

7. Pozitivizmi (‘pozitive’ d.t.th e kundërta e ‘spekulative’) është një ndër rrymat mbizotëruese të mendimit të gjysmës së dytë të shek. XIX. Të impresionuar nga suksesi i madh i qasjes mekanistike të fizikës klasike në shpjegimin e një spektri të gjerë dukurish nga natyra, disa mendimtarë u përpoqën t’i imitonin ato duke absolutizuar metodologjinë shkencore të shpjegimit dhe shpallur se dija nuk duhet të paraqesë asnjë gjurmë filosofike, por të merret vetëm me klasifikimin e fakteve dhe ligjeve. Sipas pozitivistëve, pohimet filosofike jo vetëm që janë të pavlera dhe s’mund të demonstrohen nga shkenca, por ata shkuan deri aty sa të pretendojnë se ato as nuk janë pohime për nga logjika, sepse nuk kanë kuptim. Ato janë fraza boshe që s’mund t’u nënshtrohen kurrfarë hulumtimi. Kështu: 1) Është e pamundur të konfirmohet pohimi filosofik, sepse subjekti i tij shtrihet përtej sferës së eksperimentimit dhe përvojës njerëzore; 2) Është e pamundur për ne të përshkruajmë kushtet që do e bënin pohimin të vërtetë - në të kundërt, ai do ishte i rremë. Kjo sepse në konceptin e aktualizimit, s’ka ndryshim nëse pohimi filosofik është i vërtetë apo i rremë; prandaj 3) Pohimi filosofik është i pakuptimtë, sepse nuk na jep asnjë informacion mbi botën; rrjedhimisht 4) Është e pavlerë që ai të përshkruhet si i vërtetë apo i rremë. (Për një kritikë fshikulluese shih Falsafatunā) Kjo risolli një mbivlerësim të përvojës dhe ripërtëritje të materializmit. Lidhur me pasojat e kësaj, S. H. Nasr, (v. e cit. fq 20-1), vëren me mprehtësi: “Njeriu bashkëkohor, duke u ngritur kundër botës hyjnore, ka krijuar një shkencë të mbështetur jo në dritën e intelektit - siç e shohim në shkencat tradicionale të Islamit - por në fuqinë e arsyes njerëzore për të situr të dhënat e kuptimet. Suksesi i kësaj shkence ishte aq i madh në sferën e saj vetjake, saqë shpejt të gjitha disiplinat e tjera filluan ta imitojnë, gjë që çoi në pozitivizmin e vrazhdë të shek. XIX, i cili shkaktoi që filosofia siç kuptohet në Perëndim të bëhet konfuze me analiza logjike, me akrobatikë mendore ose madje teori të thjeshtë informacioni, kurse fushat klasike të humanizmit të shndërrohen në shkenca sasiore shoqërore të cilat e bëjnë madje edhe intuitën e literaturës mbi natyrën e njeriut të paarritshme për disa nga studiuesit e sotëm”. Tani pozitivizmi shihet si i tejkaluar, megjithë rimarrjen e tij nga shkollat e Vienës së viteve 30’.

8. Shih diskutimin me titull ‘Shkolla e Humanizmit’ në librin Thënie Spirituale të autorit.

9. Natyrisht, nuk bëhet fjalë për ‘koordinatat hapësinore-kohore’ të Zotit, pasi Ai është realitet transhendent, por për rolin dhe raportin e Tij me të krijuarën. Imam Xha’fer as-Sādik ka thënë: “Zoti nuk mund të përshkruhet me anë të kohës, hapësirës, lëvizjes, zhvendosjes apo prehjes; përkundrazi, Ai është krijuesi i kohës, hapësirës, lëvizjes, zhvendosjes dhe prehjes” (Bihār al-anwār, v. II, fq 96). Imam ‛Alīu ka thënë: “Ai është me gjithçka, por jo në afri fizike; dhe Ai është i ndryshëm nga gjithçka por jo përmes ndarjes fizike“ (Nahxhul Balaga, ligj. 1) dhe “Ai nuk kushtëzohet në asnjësend që të thuhet se Ai ekziston në të, e as nuk është i ndarë nga asnjësend që të thuhet se Ai është larg saj (po aty, ligj. 65. Shih edhe Sadūq; Kulaynī: Kitāb al-tawhīd; Ibn Qutaybah: ‘Uyūn al-akhbār; Nahjul Balāgha, al-Kurāni dhe Tabātabā’ī V).

10. Kur’an, al-An’ām: 91. Shih gjithashtu az-Zumar: 67, al-Hajj: 74 dhe al-Isrā: 43.

11. Duke qenë Realitet i Vetëmjaftueshëm, Krijues Absolut, Sundues Suprem dhe Mbështetës Total i gjithçkaje, Zoti, me dijen dhe fuqinë e tij të pakufi, mbizotëron krejt të krijuarën: “Vetëm i Zotit është sovraniteti mbi qiej dhe tokë e mbi gjithçka që ndodhet midis tyre dhe Ai është mbizotëruesi, i madhëruari” (ash-Shūrā: 4, al-Mā’idah: 18,120) “Atij i është dorëzuar (i përulet dhe e madhëron) gjithë ç’ka në qiej e në tokë..” (al-Taghābun: 1, al-Hajj: 18, Āle-‘Imrān: 83,109) “I pa të meta është Ai, Lartësia e Tij është më e madhe nga ajo që thonë ata. Lartmadhërimin e merituar i shprehin Atij shtatë qiejt e toka dhe ç’ka në to, e s’ka asnjë send që nuk e madhëron, duke i shprehur falenderim Atij, por ju nuk e kuptoni” (al-Isrā: 44), “Ai e di ç’ka në tokë e det; s’ka gjethe që bie e Ai të mos e dijë. As edhe një kokërr në thellësi të tokës, asgjë - e njomë a e thatë, që të mos jetë në Librin e Qartë” (al-An’ām: 59, Saba’a: 3), sepse “Ai është I Pari dhe i Fundit, I Jashtmi dhe I Brendshmi” (al-Hadīd: 3). Duke shpjeguar një thënie të Imam ‘Alīut mbi monoteizmin nga libri al-Tawhīd i Sheikh as-Sadūq, ‘Allāmah Tabātabā’ī thotë: “Themeli i diskutimit tonë mbështetet mbi parimin se Qenia Hyjnore është një realitet që nuk pranon kurrfarë limitesh a kufizimesh të çfarëdo lloji. Sepse Zoti, Më I Lartmadhëruari, është Realitet Absolut nga I Cili buron ekzistenca e të gjitha gjërave të tjera brenda kufizimeve ontologjike dhe karakteristikave të tyre të veçanta për to, dhe ekzistenca e tyre varet nga ajo e Qenies Absolute” (c.n. Mutahharī: III, fq 94 prej Maktab-i tashayyu’, v. II fq 126). Prandaj, të gjitha gjërat pa përjashtim janë shpalosje të Tij, pavarësisht nga kohshmëria e tyre; Imam Ja’far as-Sādik thotë: “Zoti ishte përgjithmonë Njohës në Esencën e Tij kur s’kishte asgjë për t’u njohur, dhe ishte i Plotfuqishëm kur s’kishte asgjë mbi të cilën të ushtronte Fuqinë e Tij” (Bihār al-anwār, v. II, fq 147).

12. ‘Allāmah Tabātabā’ī e ka ilustruar këtë më së miri: “Dukeqenëse bota dhe tërë dukuritë e saj janë të gjitha në çdo aspekt shenja dhe mrekulli të Zotit, Krijuesit të gjithësisë, ato nuk kanë mëvetësi ontologjike të tyren. Sido që t’i shikojmë, ato nuk shpalosin tjetër veç Zotit ... Raporti i Tij ndaj botës është në njëfarë mënyre si 1+0, jo 1+1 e as 1×1”, pra bota nuk është asgjë para Zotit (VI, kreu III).

13. Sipas Comteit, këto etapa që zëvendësojnë njëra-tjetrën, janë ato të ndryshimit të të kuptuarit shkencor dhe vërehen në çdo fushë të zhvillimit mendimor. Ai i referohej ecurisë së mendimit në Evropën katolike.

14. Comte mendon se kjo është gjëndja në të cilën ngjarjet shpjegohen nëpërmjet faktorësh të mbinatyrshëm, që ai i quan ‘teologjikë’. Vetë ajo ndahet në tre faza: Në të parën, objektet konceptohen si të gjalla dhe janë disi të personifikuara. Rrjedha e gjërave shpjegohet përmes natyrshmërisë me të cilën janë pajisur sendet; Comte e quan atë fetishizëm. Në të dytën, objektet drejtohen së jashtmi nga qenie hyjnore të padukshme, siç shihet tek shpjegimet e grekërve, fazë të cilën Comte e quan politeiste. Faza e tretë shënon ndarjen e faktorit aktiv që mbështeste shpjegimin e mëparshëm nga objektet. Rrjedha e ngjarjeve varet tashmë nga një Zot i vetëm - shpjegimi monoteist.

15. Në këtë stad, thotë Comte, procesi i ndryshimit të sendeve nuk shpjegohet prej natyrshmërisë së tyre per se, apo qenieve superiore që i kontrollojnë nga jashtë, por ai i bindet abstraksioneve, të marra si reale, p.sh. shpirtërat, thelbet, përpjekjet, forcat, parimet, etj.

16. Kjo etapë, sipas Comteit, është ajo e cila sundoi nga fundi i Mesjetës në Evropë. Shpjegimi pozitiv mjaftohet me konstatimin e asaj që vrojtohet. Ai bazohet tek ligjet e pandryshueshme që lidhin dukuritë sipas rradhitjes së tyre. Në fund, shkenca ndërmerr studimin e fenomenit më të ndërlikuar, sipas Comteit, që është shoqëria, prej ku në fund lind ‘fizika shoqërore’, e cila mund të quhet ‘sociologji’.

17. I pari që vërtetoi këtë njëvlershmëri qé Mullā Sadrāi (secila prej metodave njohëse është mënyrë e ndryshme e të lexuarit të një të vërtete). Shih shën.15, kreu III.

18. Duhet theksuar se asnjë libër i shenjtë dhe i dërguar nuk e lavdëron dhe këshillon shkencën e dijen intelektuale për njeriun sa ç’bën Kur’ani dhe Profeti Muhammed (s) në tradita (ahadīth), ku shkencëtarët lartësohen mbi të gjithë. “Zoti ia dhuron urtësinë atij që do, e kujt i është dhënë dija - atij i është dhënë mirësi e madhe; përveç të diturve këtë nuk e kupton kush” (al-Baqarah: 269); “A janë të barabartë ata që dinë me ata që s’dinë. Vërtet, vetëm të mençurit marrin mësim” (az-Zumar: 9); “Me të vërtetë, midis robërve të Tij frikën ia kanë Zotit vetëm dijetarët” (al-Fātir: 28); “Zoti do të ngrisë në rangje të larta ata nga ju që besojnë dhe të cilëve u është dhënë dija” (al-Mujādilah: 11); “.. ju pyetni pra ata që dinë” (an-Nahl: 43); “Thuaj: Zoti im, më shto diturinë” (Tā’ hā’: 114). “Krijesat më të ulëta në sytë e Zotit janë ata që janë të shurdhër, memecë dhe që nuk thellohen” (al-Anfāl: 22), “Këto janë shembuj që Ne u përmendim njerëzve, por vetëm të diturit kuptojnë” (al-Ankabūt: 43), etj. Sipas Islamit, ekziston një lidhje e pandashme ndërmjet shkencës dhe besimit: të besuarit shihet, në parim, si fryt i shkencës; shkencëtari është besimtar i vërtetë dhe mungesa e besimit buron nga injoranca: “Ata të cilëve u është dhënë dija mund ta shohin qartë se ajo që të shpalli Zoti yt është e vërteta” (Saba’: 6), “.. që ata të cilëve u është dhënë dija të kuptojnë se ky Kur’an është e vërteta e shpallur nga Zoti yt e kështu të besojnë në të” (al-Hajj: 54). Në thëniet profetike pohohet: Shkenca është “arritja më e lartë”, “perdja e fatkeqësisë”, “më e shtrenjta nga thesaret”, “kërkimi i dijes është obligim për muslimanin dhe muslimanen”, “një orë meditim i besimtarit është më i vlefshëm se 70 vjet adhurim”, sepse “njeriu gjykohet nga dija që ka”, dhe “ata që kërkojnë dijen janë më pranë rangut të profetësisë”, “ëngjëjt shtrojnë krahët nën këmbët e tyre” e “kërkojnë mëshirë për studiuesit”, të cilët “i kërkon parajsa” sepse “dijetarët janë trashëgimtarët e profetëve”, “boja e pendës së dijetarit është më e shenjtë se gjaku i martirit” dhe “nderimi i dijetarit është akt adhurimi”! Imam ‘Alīu gjithashtu ka thënë: “Besimi dhe shkenca janë si vëllezër binjakë apo shokë të pandashëm”.(shih Kulaynī, Kitāb fadl ul-’ilm) Këto fjalë pra dëshmojnë vlefshmërinë e vërtetimeve intelektuale dhe argumentimeve racionale, d.m.th Kur’ani nuk pretendon që njeriu duhet së pari ta pranojë vlefshmërinë e shkencave fetare dhe pastaj t’i përligjë ato nëpërmjet provave intelektuale. Përkundrazi, me besim të plotë në vërtetësinë e qëndrimit të tij, ai shpall se njeriu duhet ta përdorë intelektin e vet për të zbuluar në mënyrë kritke vërtetësinë e tyre, dhe vetëm pastaj ta pranojë atë (shih dhe pikën 4 të shën. 8, kreu I). Ai duhet ta kërkojë afirmimin e fjalëve të përmbajtura në mesazhin islam në botën e krijimit, e cila është vetë një dëshmi e denjë. Së fundmi, njeriu duhet të gjejë afirmim të besimit të tij në rezultatet e demonstrimit racional; ai s’duhet të përqafojë besimin në fillim, dhe pastaj, në nënshtrim të tij, të kërkojë prova (Kur’ani e ka urdhëruar këtë 14 shekuj para se Karl Popperi ta quante qasjen më të shumëdëshiruar të kërkimit shkencor). Kështu, mendimi i lirë filosofik është një rrugë vlefshmëria dhe efikasiteti i së cilës konfirmohet nga Kur’ani.

19. Koncepti zyrtar i Kishës mbi njeriun ishte një përzierje e pikëpamjeve të grekërve të vjetër lidhur me perënditë e tyre dhe disa miteve të lashta fetare. Perënditë greke kishin raporte përgjithësisht armiqësore me njeriun. Mesaduket ato ishin të shqetësuara për shkak të vënies në zotërim të Zjarrit të Shenjtë prej tij dhe arritjes së dijes e fuqisë nga ai, çka e bënte njeriun të shikohej si rivali i tyre mbi tokë i cili duhej kufizuar patjetër. Zotat e elementeve, që besohej se mbanin forcat natyrore nën kontroll, druheshin se mos njeriu i ngadhënjente ato forca dhe vihej në zotërim të saj. Kisha e trajtoi historinë e Adamit në Parajsë si përpjekje të Zotit për ta mbajtur njeriun në injorancë dhe pema e ndaluar ende paraqitet si pema e dijes, së cilës ai s’duhej t’i afrohej për të mos rivalizuar Zotin. Besimi se mosbindja e Adamit ishte një mëkat i përjetshëm dhe shthurje e përgjithshme e natyrës njerëzore ligjëroi vendimin se njeriu ishte një mëkatar i neveritshëm e që vetëm priftërinjtë e meritonin bekimin Hyjnor. Ata mbaheshin se kishin çelësin e thesareve të fshehura, prandaj njerëzit duhej t’u afroheshin vetëm atyre, n.q.s dëshironin të shpëtonin shpirtërat. Kështu, dija njerëzore u kufizua vetëm në doktrinat kristiane dhe tërë energjitë intelektuale iu përkushtuan studimit të teksteve fetare, duke e përkufizuar virtytin thjesht si kontribut në fuqizimin e mëtejshëm të Kishës. Për njeriun, i cili mbahej i privuar nga mëshira Hyjnore dhe trajtohej si rob në duart e kujdestarëve të tempujve, gjithçka ishte e humbur e atij s’i mbetej veçse të dorëzohej e të nënshtrohej plotësisht. Çdo qasje tjetër shpallej herezi e rëndë dhe shkak i humbjes së përjetë.

20. Në veprën Historia e Mendimit të Lirë (fq 147), Victor Hugo shkruan: “Historia e vërtetë e Kishës do të lexohet jo përgjatë faqeve, por midis rreshtave të analeve zyrtare. Kisha bëri që Parnili të kamzhikosej deri një qime pranë vdekjes për pohimin se ‘yjet nuk shmangen nga orbitat e tyre të caktuara’. Kisha e flaku Campland-in në burg 27 herë pse pohoi se ekzistojnë botëra të tjera të panumërta përveç Tokës. Kisha e torturoi Harvey-n për krimin e të vërtetuarit se gjaku qarkullon nëpër arteriet dhe venat e trupit. Kisha ndryu Galilein pse pohoi që toka sillet rreth diellit, në kundërshtim me teoritë e parashtruara nga Dhiata e Vjetër dhe e Re. Kisha burgosi Christophor Columbus-in për zbulimin e një toke që nuk përmendej nga Shën Pali. Ata pretendonin se ishte përdhosje të zbuloheshin ligjet e trupave qiellorë, ose orbita e tokës, apo një kontinent i paparashikuar në shkrimet e shenjta. Kisha shkishëroi Pascal-in dhe Montey-n për ‘imoralitet’, ndërsa Muller-in për ‘blasfemi dhe imoralitet’.” (cituar nga S. M. M. Lārī, The Western Civilization Through Muslim Eyes, fq 16)

21. Në fillimet e Mesjetës, pushteti i Kishës ishte i pakufizuar. Në librin e tij të njohur L’Histoire Sociale (vëll. II, fq 121), Marcel Cachin shkruan: “Aq e fuqishme u bë hierarkia kristiane në Evropë, sa që jo më pak se dhjetë mbretër dhe udhëheqës politikë në Gjermani e Francë u shkishëruan nga Papët. Disa pronarë të mëdhenj tokash humbën gjithçka. Të tjerëve iu imponua pendimi publik. Kështu, më 1075 Papa Gregory VII shkishëroi Perandorin e Gjermanisë, Henry IV, për mospërfillje të një firmani papal duke i thënë se ai duhej të hiqte dorë nga froni. Henry veshi me të shpejtë rrobën e pendimtarit dhe nxitoi drejt Oborrit Papal, ku Papa e la të priste për tre ditë para se ta fuste brenda, duke pranuar pastaj pendimin e tij e duke i dhënë faljen. Më 1141 Papa Innocenti II shkishëroi mbretin Louis VII. Më 1205 Papa Innocenti III shkishëroi Mbretin John të Anglisë për kritikën ndaj disa peshkopëve.” (Lārī, v. cit., fq 15-16). Reagim i paevitueshëm i të ushtruarit të pushtetit të pakufi nga Kisha ishte revoltimi në masë, për kundërvënien ndaj të cilit Papa Giovanni Lotario, i njohur si Innocenti III (s. 1198-1216), ngriti më 1199 institucionin famëkeq të Inkuizicionit.

22. Will Durant, The Story of Civilization, përk. persisht Tarikhe Tamaddun, vëll. XVIII, fq 350. Si një nga njohësit më në zë të historisë botërore dhe filosofisë, historiani amerikan Will Durant (1885-1981), mbahet autoriteti kryesor i shek. XX në historinë e qytetërimit. Autor i veprës monumentale të mirënjohur në mbarë botën Rrëfimi i Qytetërimit (1935-75) në 11 vëllime, si dhe Rrëfimi i Filosofisë (1926), Kënaqësitë e të Filosofuarit (1933) dhe Interpretimi i Jetës: Një Studim i Letërsisë Bashkëkohore (1970), të cilat shpalosin një stil të gjallë dhe theksojnë ndodhitë njerëzore e jo ngjarjet dhe datat e thata jopersonale.

23. Po aty, fq. 360. Këto të dhëna mbështeten edhe nga ato të raportuara prej historianëve të tjerë. Në veprën e përmendur pak më lart (v. II, fq 123), Marcel Cachin shkruan: “Gjatë kësaj periudhe 5 000 000 njerëz u dënuan për shkelje ndaj mendimit kishtar, ose kundravajtje të një urdhri papal. Ata u varën në trekëmbësha ose u lanë në terrin e zi të burgjeve nëndhese në formë pusi. Në 18 vjetët 1481-99, Inkuizicioni dogji për së gjalli 10200 njerëz, shqeu më dysh 6860 të tjerë dhe torturoi për vdekje 97023” (Lārī, v.cit, fq 16).

24. George Sarton, Six Wings: Men of Science in the Renaissance (Bloomington: Indiana University Press, 1957), përk. persisht Shish Bal, fq. 296-8.

25. Po aty, fq. 303.

26. Për t’u njohur me pohimet e disa prej kishtarëve më të shquar lidhur me ‘parëndësinë e njeriut karshi Zotit dhe Kishës’, shpërfilljen dhe mohimin e dashurisë për vetveten si të papërputhshme me dashurinë për Zotin, shih Erich Fromm: On Selfishness and Self-Love, (New York, 1939).

27. S. M. M. Lārī (vep. e cit., fq 17) vëren: “Tortura nga ana e Inkuizicionit e dijetarëve dhe mendimtarëve të kohës frymëzoi një reagim të paevitueshëm kundër Kishës. Shkencëtarët e pavarur vazhduan me punën e tyre të paepur, megjithë censurën e ashpër, gjersa fanatizmi kishtar u detyrua t’i nënshtrohej tërheqjes dhe t’ia hapte rrugën studimeve dhe hulumtimeve mendjendritëse. Por tashmë shkencëtarët kishin filluar ta mbanin tërë fenë si përkrahëse të bestytnisë, injorancës dhe shtypjes së shkencës dhe erudicionit. Tmerret e Kryqëzatave dhe të Inkuizicionit nxitën neveritje, urrejtje dhe dyshim ndër mendjet njerëzore kundër çdo trajte religjioni.” Ai shpjegon edhe shërbimin e madh që i bëri kjo sjellje hovit të komunizmit në Evropën lindore: “Në Rusi gjithashtu, shpërfillja e të varfërve dhe të këputurve nga ana e Kishës, si dhe përkrahja e saj e të kamurve, nxiti një reagim që ndihmoi ngritjen e lëvizjes komuniste dhe i bëri udhëheqësit e saj t’i shpallnin luftë fesë, duke i njollosur fetarët si “lakéj kapitalistë dhe shfrytëzues të klasës punëtore” dhe duke deklaruar se vetëm “përmes fshirjes së mitit të Zotit nga mendja e njeriut” do të realizohej revolucioni i çlirimit, barazisë dhe vëllazërisë. Ferdov, në librin e tij “Feja në B.R.S.S“ (fq. 7), shkruan: “Në Rusinë Cariste Kisha zotëronte prona të pamatura në tokë, ndërtesa dhe mallra, me miliona rubla nëpër banka. Ajo tërhiqte të ardhura nga pyjet, kullotat, vend-peshkimet, tregtia, industria e shumë të tjera. Në të vërtetë, Kisha ishte kapitalisti më i madh i të gjithëve, latifondisti më i dhjamur dhe bankieri më i kamur në Rusi. Ajo i shfrytëzonte pamëshirshëm tregtarët, të madh e të vogël. Ajo s’bëri asnjë përpjekje të përmirësonte kushtet e punës në industri. Aq e madhe ishte urrejtja që shkaktoi një sjellje e këtillë në mesin e shtresave punonjëse dhe artizanale saqë klerikët quheshin ‛ujqërit me rroba prifti’.”

 

copyright © dielli.net. All rights reserved.
Tekstet e prezentuara domosdoshmërisht nuk përfaqësojnë politikën e redaksisë të dielli.net!