Domethënia dhe simbolika e haxhit
Sejjid Husein Nasr
15.11.2010

Falë transmetimeve radiotelevizive të disponueshme në shkallë globi, shumica e botës tashmë ka dëgjuar për pelegrinazhin islam, haxhin, dhe me shumë gjasa ka shikuar pamje të atij që përbën ndofta tubimin më të madh fetar të përvitshëm në botë. Haxhi, i cili është i detyrueshëm të paktën një herë në jetën e musliman-it/es, nëse i ka mjetet financiare dhe aftësinë fizike për ta kryer, përfshin pelegrinazhin në Mekë gjatë një periudhe të caktuar të muajit hënor Dhu`l-Hixhxhe. Riti ripërshkon veprimet e Abrahamit pas rindërtimit prej tij të Qa`bes (strukturës kubike në qendër të Mekës, e cila konsiderohet nga muslimanët si shenjtërorja më e lashtë, e ndërtuar burimisht nga Adami) dhe ndjek modelin e vendosur nga Profeti. Në njëfarë kuptimi, ai është rit abrahamik brenda shprehjes përfundimtare të monoteizmit, pra Islamit, e cila e ringjalli dhe rivendosi monoteizmin abrahamik.


Haxhiu, qoftë mashkull apo femër, duhet të veshë një rrobë të bardhë të posaçme, të quajtur ihram, përpara se të hyjë në rrethinat e shenjta të Mekës, brenda të cilave lejohen vetëm muslimanët, një veshje kjo që shpesh përdoret më vonë si qefin i haxhiut. Duke u bërë muhrimë, pra të veshur me këtë rrobë të posaçme, burrat dhe gratë duhet ta lënë botën pas. Gjatë haxhit ata duhet të përmbahen nga veprimtaria seksuale e t`i përkushtohen krejtësisht Zotit, Shtëpinë e të cilit, Qa`ben, janë duke vizituar. Këtu fshihen tej të gjitha dallimet; mbret e fshatar vishen njëlloj. Ritet e ndërlikuara përfshijnë midis të tjerash rrotullsjelljen rreth Qa`bes në kah të kundërt me atë të orës, me vetëdijen se po lëvizim kundër marshimit të kohës dhe po shpëlajmë nga shpirti tërë zgjymin e mbledhur përbrenda si pasojë e rrjedhjes së kohës. Nëpërmjet këtyre riteve, të cilat përfshijnë sakrifikimin e një kafshe, gjë që simbolizon flijimin e nefsit përpara Zotit, haxhiu kthehet në gjendjen e qëmotshmërisë, ose gjendjen edenike në të cilën është krijuar, dhe Zoti ia fal mëkatet nëse e kryen haxhin me sinqeritet e përkushtim të plotë. Ja përse shumë të moshuar e kryejnë haxhin, me shpresën se do të vdesin gjatë tij duke e lënë kësisoj këtë botë, të dëlirur nga gjynahet e tyre. Në njërën qoshe të Qa`bes gjendet një gur i zi, që simbolizon paktin mes njerëzve dhe Zotit. Të gjithë haxhinjtë synojnë ta prekin e ta puthin, për t`ia kujtuar vetes konkretisht paktin që kanë bërë me Zotin për të pranuar gjendjen e të qenit njeri, që nënkupton pranimin e Hyjnitetit të Zotit dhe dorëzimin ndaj Tij


Haxhi është edhe mjet për dëlirjen e individit dhe integrimin e shoqërisë. Në haxh shihen muslimanë nga të gjitha pjesët e botës. Sot, mbi 2 milionë njerëzit që e kryejnë haxhin çdo vit vijnë nga të gjitha anët e botës dhe përfshijnë arabë, persë, turq, si dhe afrikanë, malejzianë, kinezë e indo-pakistanezë, bashkë me gjermanë e amerikanë, lëkurerrët apo lëkurëçelët, syzi e sykaltër. Askund tjetër në botë nuk është larmia etnike dhe racore e bashkësisë islame në dorëzimin ndaj Zotit Një më e dukshme sesa në Mekë gjatë haxhit. Këtu ndodh edhe shkëmbimi i ideve dhe të mirave mes muslimanëve nga pjesë të ndryshme të botës, dhe haxhi është quajtur nga disa dijetarë perëndimorë si kongresi i parë ndërkombëtar i shkencës në botë dhe i pari panair ekonomik ndërkombëtar. Por më shumë se gjithçka tjetër, përgjatë haxhit, haxhinjtë dëliren dhe kur kthehen në shtëpi sjellin diçka nga hiri, ose bereqeti i Qendrës në skajet më të largëta të botës islame.


Me shpërthimin e popullsisë botërore, problemi i akomodimit të të gjithë haxhinjve që dëshirojnë të kryejnë haxhin është bërë i mprehtë. Ndonëse numri i haxhinjve është rritur tani në mbi 2 milionë, kjo mbetet akoma përqindje e vogël e 1.5 miliardë muslimanëve në botë, jo të gjithë prej të cilëve ama i plotësojnë kushtet e nevojshme për ta kryer haxhin. Megjithatë, numri i atyre që kualifikohen sipas Ligjit Hyjnor për ta kryer haxhin është shumë më i madh sesa i atyre që e marrin lejen për ta kryer. Kështu që ekziston goxha trysni mbi shumicën e qeverive muslimane, si dhe Arabinë Saudite, që të lejojë më tepër haxhinj çdo vit, ndërkohë që vetë logjistika e një tubimi kaq të madh si dhe kufizimet hapësinore e bëjnë të pamundur vazhdimin e rritjes së numrit të haxhinjve. Për arsye të kufizimeve, disa muslimanë e bëjnë haxhin në Mekë jashtë sezonit të specifikuar, për të përfituar nga hiri i vizitimit të Shtëpisë së Zotit, edhe pse nuk ai është gjatë ditëve të specifikuara nga Ligji Islam.


Megjithatë, haxhi nuk është forma e vetme e pelegrinazhit islam, por e vetmja që është e detyrueshme me Sheri`at, nëse plotësohen kushte të caktuara. Sot në Amerikë, pelegrinazhi nuk luan rol aq qendror në jetën fetare të protestantëve, ndonëse ekzistojnë akoma njerëz që e bëjnë pelegrinazhin në Jerusalem. Sa për katolikët, si në Amerikë ashtu edhe në Evropë ekzistojnë akoma njerëz që bëjnë pelegrinazh në Jerusalem, Lurd, ose Romë, dhe në Amerikën Qendrore e Jugore te faltoret lokale si ajo e Virgjëreshës së Gudalupes në Meksiko. Mirëpo në Mesjetë pelegrinazhi ka qenë shumë më i zakonshëm në Perëndim, jo vetëm në Jerusalem, i cili shërbeu si justifikim për Kryqëzatat, por edhe në shumë vende lokale si Canterbury në Angli dhe Santiago de Compostela në Spanjë. Rëndësia e pelegrinazhit në Islam sot duhet krahasuar më tepër me praktikat në erën e hershme të historisë së Krishterimit sesa sot, veçanërisht në Amerikë.


Në botën islame, ata që kryejnë haxhin bëjnë edhe vizitën tek varri i Profetit në Medine dhe përpara marrjes izraelite të Jerusalemit më 1967, ata bënin pelegrinazh në numra gëlues edhe në këtë qytet të tretë të shenjtë të Islamit. Shume pika lokale pelegrinazhi janë vende hiri të lidhura me varret e pasardhësve të Profetit dhe evlijave të mëdhenj. Të gjitha këto pika përbëjnë tejzgjatje të Medines dhe e zgjerojnë bereqetin e qytetit të Profetit dhe mbetjeve të tija sakrale në viset e ndryshme të botës islame. Disa nga këto pika janë: varri i Ahmed Bambës në Tuba, Afrikë Perëndimore; dy Mulej Idrisët në afri të Maknesit dhe në Fez (Marok); Xhamia e "Kokës së Huseinit" (rasu`l-Husein) në Kajro; varri i Sejjid Ahmed Bedewiut, kryeveliut të Egjiptit, në Tanta; dhe "ndalesat sakrale" të Zejnebit në Kajro dhe Damask. Vendet e shumta të shenjta në Irak përfshijnë varrin e Abdul-Kadir Xhilaniut dhe tyrbet e Imamëve shi`itë, sidomos ato të Aliut në Nexhef e Huseinit në Qerbela. Tyrbja e Xhelal ed-Din Rumiut në Konia, Turqi; qytetet e shenjta të Meshhedit dhe Komit në Iran; tyrbja e Kwaxheh Abdullah Ensariut në Hirat dhe e Beha ed-Din Nakshbendiut pranë Buharasë; si dhe varret e shumë prej evlijave sufi të nënkontinetit indian, sikurse Dadaxhi Ganxhbakhshiut në Lahore, Nizam ed-Din Evlijasë në Delhi dhe Mu`in ed-Din Çishtiut në Axhmer, që janë ndër pikat më të mëdha të jetës fetare në Islam. Gjatë përkujtimeve vjetore të vdekjes së këtyre evlijave, shpesh me qindra mijëra njerëz tubohen në këto vende për rite fetare e marrje bekimesh.


Është me rëndësi të theksohet se këto pika nuk kufizohen te ndalesa sakrale (mekam) apo tyrbja e burrave, por përfshijnë edhe ato të femrave. Në Kajro, pas Xhamisë së "Kokës së Huseinit", shenjtërorja dhe qendra më e rëndësishme për pelegrinët është mekami i mbesës së Profetit, Zejnebit, mekami tjetër i të cilës në Damask përbën në shumë mënyra qendrën fetare të qytetit. Po ashtu në Kajro, tyrbja e Sejjidah Nafises, dijetares dhe shenjtores së madhe, mbesës së Profetit, është pikë madhore fetare. Në Iran, pas Meshhedit, qyteti i Komit, që përbën qendrën e shi`izmit dymbëdhjetë-imamit, është faltorja më e rëndësishme në Iran, për shkak të varrit të Hazrete Masumes, motrës së Imam Rizait, i cili është i varrosur në Meshhed. Përpara se vehabitë të shkatërronin tyrbet e bashkëshortes dhe bijës së Profetit, Hatixhes e Fatimes në Hixhaz, edhe ato pika ishin qendra madhore pelegrinazhi. Natyrisht, këto tyrbe të shenjtoreve vizitohen veçanërisht nga gratë, por jo vetëm. Edhe burrat edhe gratë marrin pjesë në numra të mëdhenj në të gjitha këto pika, qofshin ato të lidhura me një figurë shenjtori apo shenjtoreje.


Vizitat dhe pelgrinazhi (zijareh) te varret e evlijave kundërshtohet fuqimisht nga vehabitë e reformistë të tjerë puritanë, dhe shkurajohet nga modernistët. Kundërvënia vehabiste mbështetet në idenë se vizita e varrit të një shenjtori është si adhurim idhujsh e ia largon vëmendjen njeriut nga transhendenca e Zotit; modernistët i kanë shkurajuar vizita të tilla për të sekularizuar jetën shoqërore, por kundërvënia e tyre nuk ka qenë kurrë aq e ashpër sa ajo e vehabive. Prapseprap, praktika e vizitës së pikave të ndryshme të shenjta mbetet edhe sot në zemër të jetës fetare së botës islame. Praktika fetare e Islamit nuk mund të kuptohet pa i kushtuar vëmendje domethënies së pelegrinazhit, që renditet hierarkisht nga haxhi dhe pelegrinazhi në Medine e deri te vizita e pikave të shenjta lokale që ekzistojnë në shumicën e trevave muslimane. Megjithatë, këto forma "më të vogla" të pelegrinazhit nuk shmangin assesi nga qendërsia e haxhit, por janë si parashijime dhe pasqyrime të tij të shumta.


Vizita tek "Shtëpia e Zotit" mbetet sipërore në mendjen e muslimanëve kur është fjala për pelegrinazhin, e shumë besimtarë e vizitojnë edhe jashtë sezonit të përcaktuar, gjatë asaj që quhet umreh. Ja përse sot, kur popullsitë janë rritur e udhëtimi është më i lehtë, në çdo ditë të vitit ka haxhinj të shumtë në Mekë, dhe në mes të natës gjatë cilësdo stinë gjen mijëra haxhinj që i rrotullsillen Qa`bes e luten përpara shtëpisë së rindërtuar nga Abahami në festim të Zotit Një, i cili ka thënë në Dhjatën e Vjetër, "Unë jam Ai që jam."


Shqipëroi: Edin Q. Lohja

26 Ramazan 1431/6 Shtator 2010

Washington DC