Libri mbi vlerën e diturisë
Muhammed ibn Jakub el Kulejni
13.01.2010

PËRMBAJTJA:
Shënim i përkthyesit

Kapitulli 1Mbi domosdoshmërinë e kërkimit të diturisë dhe të këshilluarit për të mësuar
Kapitulli 2 - Mbi veçoritë e diturisë, vlerën e saj dhe mbi pozitën e dijetarëve
Kapitulli 3 - Mbi llojet e njerëzve
Kapitulli 4 - Mbi shpërblimin e dijetarëve dhe të atyre që kërkojnë dituri
Kapitulli 5 - Mbi veçoritë e dijetarëve
Kapitulli 6 - Mbi të drejtat e dijetarëve
Kapitulli 7 - Mbi vdekjen e dijetarëve
Kapitulli 8 - Mbi shoqërimin e dijetarëve
Kapitulli 9 - Mbi diskutimet me dijetarët
Kapitulli 10 - Mbi përhapjen e diturisë
Kapitulli 11 - Mbi ndalesën e të folurit pa patur dituri
Kapitulli 12 - Mbi ata që veprojnë pa dituri 
Kapitulli 13 - Mbi të përdorurit e diturisë
Kapitulli 14 - Mbi ata që e përdorin diturinë për interesat e tyre dhe që lëvdohen me këtë gjë
Kapitulli 15 - Mbi përgjegjësitë e dijetarëve dhe vështirësinë e punës së tyre
Kapitulli 16 - Mbi çështje të ndryshme 
Kapitulli 17 - Mbi përcjelljen e haditheve
Kapitulli 18 - Mbi ′′teklidin′′1
Kapitulli 19 - Mbi bidatin, mendimin personal dhe analogjinë1
Kapitulli 20 - 
Mbi nevojën për t`iu referuar Traditës (Sunnetit) së Profetit dhe mbi faktin se s`ka gjë që nuk është përmendur në Librin e Zotit dhe në Traditën e Profetit në lidhje me urdhërat, ndalesat dhe gjithçka tjetër që u nevojitet njerëzve

Kapitulli 21 - Mbi ndryshimet në hadithe
Kapitulli 22 - Mbi ndjekjen e Traditës së Profetit dhe argumentimin nga Libri  


SHËNIM I PËRKTHYESIT


Përmbledhja Usul al Kafi, është pjesa e parë e përmbledhjes më të rëndësishme shiite të haditheve, të quajtur Kitab al Kafi (Libri i të mjaftueshmeve). Siç mund të kuptohet edhe nga emri, kjo pjesë përbëhet kryesisht prej haditheve që kanë të bëjnë me principet e besimit (usul) siç është Njëshmëria, Profetësia, "Dëshmitë" e Zotit, Dita e Gjykimit etj. Në të përfshihen shumë thënie të shkurta të të Dërguarit të Zotit dhe të Imamëve (paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi ta) si dhe diskutime të thella teologjike dhe filozofike.


Dy pjesët e tjera të veprës Kitab al Kafi janë Furu al Kafi, që merret me praktikën e fesë dhe me ligjet e saja të përditshmërisë dhe pjesa Raudhat al Kafi, ku përfshihen thënie të temave të llojllojshme si dhe fjalime të të Dërguarit të Zotit dhe të Imamëve (pqmt).


Në origjinalin e veprës, përpara çdo thënieje të të Dërguarit ose të Imamëve (paqja qoftë mbi ta) jepet gjithmonë edhe "zinxhiri përcjellës" i thënies në fjalë, ku emërohen personat nëpërmjet të cilëve thënia ka arritur nga i Dërguari ose Imami deri tek autori i veprës. Ky "zinxhir përcjellës" nuk është i përfshirë në përkthimin tonë për hir të të qenit praktikë dhe për shkak të faktit se botimi i kësaj përzgjedhjeje të shkurtër hadithesh, nuk ka karakter shkencor dhe nuk i drejtohet një audience të tillë, që do të merrej me hulumtimin shkencor të autenticitetit të haditheve.


Një tjetër hollësi që duhet përmendur, është se emrat e Imamëve në origjinalin e veprës jepen shumë shpesh edhe me nofkat e tyre, që janë të shumta. Në përkthimin tonë, për të mos shkaktuar konfuzion tek lexuesi, i kemi përdorur emrat e Imamëve dhe jo nofkat e tyre.


Për fund, s`na mbetet tjetër veçse të  kërkojmë ndjesë nga lexuesit tanë dhe të strehohemi tek mëshira e Zotit për gabimet e mundshme gjatë përkthimit. Pa dyshim, e gjithë lavdia dhe përsosmëria i takon Krijuesit, që është Një dhe i Pashoq...


Përkthyesi


Kapitulli 1


Mbi domosdoshmërinë e kërkimit të diturisë dhe të këshilluarit për të mësuar


 


Përcillet nga Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të): I Dërguari i Zotit thoshte: "Kërkimi i diturisë është obligimi për çdo musliman. Dijeni se Zoti i do ata që kërkojnë dituri..."


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Të kërkuarit e diturisë është obligim.


Përcjell Junus ibn Abd al Rahmani: Një ditë e pyetën Imam Rizain (pqmt): "A lejohet që njeriu të mos e kërkojë atë (diturinë) që i duhet?" Imami ia ktheu: "Jo."


Përcillet nga Prijësi i besimtarëve Aliu (pqmt): O njerëz! Dijeni se feja përsoset me fitimin e diturisë dhe me të vepruarit sipas saj. Kërkimi i dijes është shumë më i rëndësishëm për ju sesa përpjekja për pasuri. Secili e ka të siguruar pjesën e tij të pasurisë. Një i Drejtë e ka ndarë atë mes jush. Ai dhe shpata ime ju garantojnë se do ta merni pjesën tuaj. Por dituria fshihet vetëm tek ata që e kanë ruajtur atë. U është urdhëruar ta kërkoni atë prej burimeve të saj andaj kërkojeni!


Imam Xhaferi (pqmt) përcjell nga i Dërguari (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij), i cili ka thënë: Kërkimi i diturisë është një obligim. Në një thënie tjetër, përsëri Imam Xhaferi (pqmt) përcjell se i Dërguari (pqmtmft) ka thënë: Kërkimi i diturisë është obligim për çdo musliman. Dijeni se Zoti i do ata që kërkojnë dituri.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Fitoni njohuri të thella mbi fenë sepse ata që nuk e njohin fenë janë si beduinët. Zoti ka thënë në librin e Tij:



Le të mësojnë për fenë ca vetë prej secilit grup, që të mund t`i paralajmërojnë njerëzit e tyre kur të kthehen...(9:122)



Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Duhet të fitoni dituri për fenë e Zotit. Mos u bëni si beduinët sepse në Ditën e Gjykimi, Zoti s`do t`i shohë me sy  njerëzit që s`e njohin fenë dhe as që do t`ua pastrojë veprat.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Do t`ua kisha mësuar njohuritë fetare miqve dhe ndjekësve të mi edhe sikur të duhej t`i godisja me kamxhik në kokë.


Njëri e pyeti Imam Xhaferin (pqmt): "T`u bëftë kurban shpirti im, ka një njeri q`e beson Imamatin por rri mbyllur në shtëpi dhe s`takohet me të afërmit." Imami tha: "E si do ta mësojë fenë atëherë?"


Kapitulli 2


Mbi veçoritë e diturisë, vlerën e saj dhe mbi pozitën e dijetarëve


Përcillet nga Imam Musa (paqja qoftë mbi të): Një ditë i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) hyri në xhami dhe gjeti një grup njerëzish të mbledhur përreth një burri. Pastaj pyeti: "Kush është ky?" I thanë se ishte një allame. Pastaj pyeti prapë: "Ç`është allame?" U përgjigjën se ishte njeriu më i ditur në lidhje me prejardhjen e arabëve dhe në lidhje me historinë e tyre të kohës së Injorancës (koha paraislamike). I Dërguari (pqmtmft) pastaj u tha: Po s`i diti këto sende, njeriu s`humbet gjë, njësoj siç nuk i sjell dobi njohja e tyre. Dituri e vërtetë janë tri gjëra: një ajet (varg kuranor) i sigurt, një obligim i kryer siç duhet dhe një traditë e ndjekur (e Profetit). Përveç këtyrë, të tjerat janë të tepërta.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Dijetarët janë trashëgimtarë të profetëve sepse profetët s`lënë dirhemë e dinarë për trashëgim. Kini kujdes prej kujt e merni diturinë! Pas secilit nga mesi ynë (Ehl-i Bejti), vjen një tjetër njeri i drejtë, që e pastron diturinë nga trillimet, nga teprimet e gënjeshtarëve dhe nga intepretimi i të paditurve.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Kur Zoti ia do të mirën dikujt, i fal njohuri për fenë.


Përcillet nga Imam Muhammed Bakiri (pqmt): Në tri gjëra fshihet e gjithë e mira dhe përsosmëria: në të kuptuarit e fesë, në durimin gjatë vështirësive dhe në fitimin e mbarë të bukës së gojës.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Dijetarët janë njerëz të besueshëm, të virtytshmit janë kështjella (të besimit) dhe trashëgimtarët (e Profetit) janë prijës.  Në një tjetër hadith thuhet: Dijetarët janë pishtarë, të virtytshmit kështjella (të besimit) dhe trashëgimtarët, prijës.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): O Beshir! S`ka gjë të mirë prej njerëzve tanë që s`e njohin fenë. Sikur njëri prej tyre të mos ketë dituri, do të mbetet në mëshirë të armiqve. E kur të mbetet në mëshirë të tyre, ata do ta çojnë drejt devijimit fare pa kuptuar ai vetë.


Përcillet nga i Dërguari i Zotit (pqmtmft): Jeta e askujt s`është e dobishme përveç e dy vetëve: ajo e një dijetari, të cilit njerëzit i binden dhe e një dëgjuesi të kujdesshëm, që e kupton atë.


Muavije ibn Ammari rrëfen se një ditë e pyeti Imam Xhaferin (pqmt): "Ta zëmë se është një njeri që i përcjell hadithet tuaja, i përhap në mesin e njerëzve dhe bën që të zënë vend në zemrat e ndjekësve tuaj dhe të njerëzve të tjerë. Dhe të themi se në anën tjetër është një adhurues i devotshëm nga ndjekësit tuaj por që s`përcjell hadithe. Cili prej tyre është më i mirë?" Imami ia ktheu: "Ai që i përcjell hadithet tona dhe bën që të zënë vend në zemrat e njerëzve është më i mirë se shtatëdhjetë mijë adhurues të devotshëm..."


Kapitulli 3


Mbi llojet e njerëzve


Përcillet nga Imam Aliu (paqja qoftë mbi të): Pas të Dërguarit të Zotit, njerëzit u ndanë në tre grupe. Njëri grup e ndoqi një dijetar të udhëzuar, të cilit Zoti i kish` dhënë dituri aq të madhe sa s`kishte nevojë për diturinë e askujt tjetër. Grupi i dytë  ishte ai i të paditurve, që mendonin se kishin dituri por që asgjë nuk dinin. Ishte ky një grup njerëzish të vetëpëlqyer, që u mashtruan nga kënaqësitë e jetës dhe i bënë të tjerët të devijonin. Kurse një grup i tretë, mësoi nga një njeri që kish` fituar dituri nga një dijetar i udhëzuar. Më në fund u shkatërruan ata që gënjenin dhe u zhdukën ata që thanë se kishin dituri, pa e patur atë.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Njerëzit janë tre llojesh: dijetarët, nxënësit dhe mbeturinat që dalin mbi ujë.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Ose dijetar bëhu ose nxënës ose një njeri që i do këta të parët! Mos u bëj një i katërt se do shkatërrohesh për armiqësi ndaj diturisë.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Njerëzit ndahen në tre grupe: dijetarët, nxënësit dhe mbeturinat e pavlera. Ne jemi dijetarët dhe ndjekësit tanë janë nxënësit. Të tjerët s`janë veçse mbeturina.


Kapitulli 4


Mbi shpërblimin e dijetarëve dhe të atyre që kërkojnë dituri


Përcillet nga i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij): Nëse dikush mer rrugë për të fituar dituri, Zoti do ta udhëzojë drejt rrugës që çon në parajsë. Ëngjëjt do t`i shtrojnë krahët për të dhe gjithçka që është në qiej e në tokë, e madje edhe peshqit në oqeane, do të luten për të. Pozita e dijetarit ndaj të tjerëve është si drita e hënës ndaj yjve të tjerë në një natë me hënë të plotë. Dijetarët janë trashëgimtarë të profetëve. Profetët s`lanë as dirhemë e as dinarë për trashëgim por vetëm dituri. Ka fituar shumë, ai që fiton një pjesë nga kjo trashëgimi.


Përcillet nga Imam Muhammed Bakiri (pqmt): Ata që i mësojnë të tjerët do të kenë po aq shpërblim sa ata që mësojnë dhe madje më tepër. Atëherë kërkojeni diturinë nga ata që e kanë dhe mësojuani atë të afërmve tuaj, njësoj siç ua mësojnë juve dijetarët!


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): "Kushdo që i mëson dikujt një gjë, do të shpërblehet sa herë që nxënësi i tij të veprojë me atë dituri." E pyetën: "A do shpërblehet vallë edhe kur nxënësi i tij t`ua mësojë të tjerëve atë?" Imami u përgjigj: "Po, do të shpërblehet edhe sikur të gjithë njerëzit të bëhen mësues të asaj diturie pas tij." E pyetën prapë: "Po pasi të vdesë?" Ua ktheu: "Do të shpërblehet edhe pasi të vdesë."


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Kush e udhëzon dikë, do shpërblehet aq sa edhe ai që vepron sipas këtij udhëzimi dhe këtij të fundit nuk do t`i hiqet gjë prej shpërblimit. Dhe kushdo që t`ia mësojë dikujt devijimin, do të dënohet po aq sa ai që do të veprojë sipas fjalës së tij. Dhe e gjithë kjo, pa u hequr gjë nga dënimi i këtij të fundit.


Përcillet nga Imam Ali ibn Husejni (pqmt): Sikur njerëzit të dinin se ç`shpërblim ka për kërkimin e diturisë, do ta kërkonin atë edhe sikur të duhej të derdhnin gjak për të e të fundoseshin në dallgë të mëdha. Zoti, i Madhëruar dhe i Lartë, i shpalli Danjalit (ose Daniel, sipas terminologjisë biblike): "Më të urryerit nga robërit e Mi janë të paditurit që s`i nderojnë e s`i ndjekin dijetarët. Kurse më të dashurit prej tyre për Mua, janë të virtytshmit që përpiqen fort për të mira, që u qëndrojnë pranë dijetarëve, i ndjekin njerëzit e butë e të sjellshëm dhe mësojnë nga të urtit.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Kushdo që fiton dituri, që vepron sipas saj dhe pastaj ia mëson atë dikujt, përmendet si një njeri i madh në qiej. Atje thuhet: "Ky njeri mësoi për hir të Zotit, veproi për hir të Zotit sipas diturisë së tij dhe për hir të Zotit ia mësoi një tjetri."


Kapitulli 5


Mbi veçoritë e dijetarëve


Përcillet nga Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të): Fitoni dituri dhe zbukurojeni atë me butësi e dinjitet! Jini modestë me nxënësit tuaj dhe me ata, prej të cilëve mësoni! Mos u bëni dijetarë të ashpër sepse e liga brenda jush do ta shkatërrojë të vërtetën.


Në lidhje me fjalën e Zotit "Vetëm robërit e ditur të Zotit i druhen Atij..(35:28)." , Imam Xhaferi (pqmt) tha: Këtu flitet për njerëzit, veprat e të cilëve dëshmojnë për vërtetësinë e fjalëve të tyre. S`është dijetar ai, veprat e të cilit nuk përshtaten me fjalët që i thotë.


Përcillet nga Imam Aliu (pqmt): A doni t`ua përshkruaj një fakih (dijetar të ligjit islam), një njeri që vërtet e ka kuptuar fenë e tij? Një fakih është ai që s`i bën njerëzit të humbin shpresë nga mëshira e Zotit dhe as ta harrojnë dënimin e Tij. Është ai që nuk i bën ta shohin si të lejuar mosbindjen ndaj Zotit dhe që s`u lejon ta lënë mënjanë Kur`anin duke shkuar pas gjërave të tjera. Dijeni se nuk ka të mirë në diturinë që s`kuptohet dhe as në leximin (recitimin) pa menduar. Dijeni se s`ka të mirë në adhurimet e bëra pa e njohur fenë dhe as në bindjen ndaj Zotit, pa virtyte.


Përcillet nga Imam Rizai (pqmt): Qetësia dhe heshtja janë nga shenjat e njohjes së fesë.


Përcillet nga Prijësi i Besimtarëve Aliu (pqmt): Mendjelehtësia dhe arroganca s`gjejnë vend në zemrën e dijetarëve.


Përcillet se profeti Isa (pqmt) një ditë tha: "O dishepuj! Po kërkoj një gjë prej juve." Ata ia kthyen: "Kërkesa jote do të plotësohet, o Shpirt i Zotit". Pastaj Isa (pqmt) u ngrit dhe ua lajti këmbët. Duke e parë këtë, ata thanë: "Ne duhet të të shërbejmë ty, o Shpirt i Zotit." Por ai u përgjigj: "Dijetarët janë ata që duhet t`u shërbejnë te tjerëve. Unë u solla me modesti para juve që edhe ju të jeni modestë me  njerëzit e tjerë. Sepse veç me modesti përcillet urtësia dhe jo me mendjemadhësi. Njësoj si bimët që rriten lehtë në fusha por jo në male të pjerrëta me shkëmbinj.


Përcillet nga Imam Aliu (pqmt): O kërkues të diturisë! Dijeni se dijetari ka tri shenja: diturinë, qetësinë dhe heshtjen. Tri shenja ka edhe ai që shtirret si dijetar: diskuton me mosbindje me ata që janë më të sipër se vetja, u bën padrejtësi atyre që gjenden nën të dhe bëhet përkrahës i mizorisë.


Kapitulli 6


Mbi të drejtat e dijetarëve


Përcillet nga Imam Aliu (paqja qoftë mbi të): Është nga të drejtat e dijetarit që të mos e pyesni shumë dhe të mos e hiqni për petku. Kur të hyni në një vend ku ka edhe të tjerë veç tij, njëherë përshëndetni të gjithë të tjerët dhe pastaj ndajeni një përshëndetje të veçantë për të.
Gjithmonë uluni përballë dijetarit dhe jo pas shpine! Mos bëni shprehje të ndryshme fytyre kur të flisni me të dhe mos i luani duart a krahët! Mos i thoni: "filani e thotë të kundërtën e kësaj që e thua ti.." dhe mos lejoni që gjatësia e këtij takimi t`ju dëshpërojë sepse dijetari është si një pemë që jep fruta, nën të cilën duhet të presë njeriu derisa frutat të bien. Shpërblimi i dijetarit është më i madh se i atij që falet e agjëron shpesh dhe më i madh se i atij që lufton në rrugë të Zotit.


Kapitulli 7


Mbi vdekjen e dijetarëve


Përcillet nga Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të): Nga vdekjet e besimtarëve, më e dashura për djallin (shejtanin) është vdekja e një dijetari (fakih).


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Kur vdes një besimtar i ditur në çështjet e fesë, një plagë e pashërueshme i shkaktohet Islamit.


Përcillet nga Imam Musa (pqmt): Kur vdes një besimtar i vërtetë, vajtojnë edhe ëngjëjt edhe ajo copë dheu mbi të cilën e ka adhuruar Zotin. Atë çast, vajtojnë edhe dyert e qiejve, nëpër të cilat veprat e tija janë ngritur lart. Kjo pastaj lë gjurmë në Islam, që nuk mbulohen dot, sepse dijetarët janë kështjellat që e mbrojnë Islamin, njësoj siç e mbrojnë muret një qytet.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Vdekja e askujt s`e gëzon më shumë Iblisin sesa vdekja e një dijetari.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Im atë (Imam Muhammed Bakiri) thoshte: Zoti, i Madhëruar dhe i Lartë, nuk e merr prapa diturinë që e ka zbritur. Por kur vdes një dijetar, humbet dituria e tij. Pastaj njerëz të padrejtë ia zënë vendin, vetë devijojnë dhe i bëjnë të tjerët të devijojnë si vetja. S`ka gjë të mirë në një punë pa themel.


Përcillet nga Imam Ali ibn Husejni (pqmt): Në vargun "A s`shohin se ne e ngushtojmë tokën nga çdo anë?"(Kur`an 13:41) shoh shenja për vdekjen ose vrasjen tonë të hershme por kjo vetëm më gëzon dhe më vjen si një dhuratë prej Zotit. Kuptimi i këtij vargu është humbja e dijetarëve...


Kapitulli 8


Mbi shoqërimin me dijetarët


Përcillet se Profeti Llukman (paqja qoftë mbi të) i tha të birit: Biri im, zgjidhi me kujdes miqtë e tu! Kur sheh një grup që e përmend Zotin e Madhëruar, qëndro me ta! Po të jesh dijetar, do t`ia shohësh dobinë diturisë sate e po të jesh pa dituri, do të mësosh diçka prej tyre. Mbase Zoti do t`i mëshirojë ata dhe do t`të përfshije edhe ty në këtë mëshirë.
E po të shohësh ndonjë grup që s`e përmend Zotin, largohu prej tyre. Po të jesh dijetar, s`të bën dobi dituria me njerëz të tillë e po të jesh pa dituri, veç sa do t`ia shtosh vetes paditurinë. Mbase Zoti i përfshin ata në ndëshkimin e Tij dhe pastaj të kap edhe ty ai ndëshkim.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Të bisedosh me dijetarin në një vend me mbeturina është më mirë se të flasësh me injorantët mbi kolltukë të rehatshëm.


Përcillet nga i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij): Apostujt e pyetën Isën (pqmt): "Me kë të shoqërohemi?" Ai u përgjigj: "Shoqërohuni me atë që ua kujton Zotin kur ta shihni, që u mëson kur ju flet dhe që ua kujton amshimin me veprat e tija!


Përcillet nga i Dërguari i Zotit (pqmtmft): Të rrish me besimtarët është një nder në këtë botë dhe në tjetrën...


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Të qëndroj me një njeri të besueshëm është për mua më mirë se veprat e një viti të tërë...


Kapitulli 9


Mbi diskutimet me dijetarët


Përcillet se një ditë i rrëfyen Imam Xhaferit (paqja qoftë mbi të) për një njeri që vuante nga lija e ujit. Pasi ishte bërë xhunub (gjendja e papastërtisë pas një akti seksual), këtë njeri e kishin larë dhe ai kishte vdekur. Imami tha: Atë e paskan vrarë. Përse më parë s`kanë pyetur? S`ka ilaç tjetër për padijen përveç pyetjes.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Njerëzit shkatërrohen vetëm pse s`pyesin për atë që s`dinë.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Kjo dituri (e përcjellur nga i Dërguari) është e ndryrë dhe çelësi i saj është pyetja.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Njerëzit s`do të kenë mirëqenie derisa s`pyesin, s`e kuptojnë fenë dhe s`i binden Imamit të tyre, qoftë kjo edhe në kohë fshehjeje(takijje).1

Përcillet nga i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij): Duhet t`i vijë turp një njeriu që çdo të premte s`ndan kohë për fenë e tij, që s`e kthen në shprehi këtë dhe që s`pyet asgjë në lidhje me fenë. Në një version tjetër të këtij hadithi, thuhet: Duhet t`i vijë turp një muslimani...


Përcillet nga i Dërguari i Zotit (pqmtmft): Zoti, i Madhëruar dhe Lavdiplot, thotë: "Kur diskutimet e robërve të Mi mbi diturinë, arrijnë në përfundime në lidhje me urdhërat dhe ndalesat e Mia, atëherë ringjallen zemrat e vdekura..."


Përcillet nga Imam Muhammed Bakiri (pqmt): Zoti e mëshiroftë atë që e ringjall fenë! E pyetën: Ç`do të thotë ta ringjallësh fenë?  Imami u përgjigj: Ta diskutosh atë me njerëzit e ditur dhe të virtytshëm.


Përcillet nga i Dërguari i Zotit (pqmtmft): Diskutoni dhe bisedoni mes veti sepse biseda është një pastrim për zemrën. Edhe zemrat zënë ndryshk njësoj si shpatat dhe biseda është ajo q`i pastron.


Përcillet nga Imam Muhammed Bakiri (pqmt): Biseda mbi diturinë është mësim dhe mësimi është një adhurim i bukur.


1: (shënim i përkthyesit) Takijje: që në kuptim të drejtpërdrejtë do të thotë "të mbrohesh" është emërtimi që në shiizëm i jepet fenomenit të fshehjes së besimit në raste përndjekjeje ose rreziku për jetën. Ky akt është i pranueshën në shiizëm duke u mbështetur në vargun kuranor: dhe gjithkush që pas besimit të tij, mohon, përveç nën detyrim derisa zemra i mbetet e vendosur në besim,pra ata që ia hapin zemrën mosbesimit, mbi ta është hidhërimi i Zotit dhe për ta ka një dënim të madh.. Nahl (Bleta) 16:106. Shiitët mbështeten edhe në një rast gjatë jetës së Profetit (pqmtmft) kur shoku i tij Ammar bin Jasir e mohoi Islamin dhe e adhuroi perëndinë kurejshe Hubal, vetëm për t`i shpëtuar nga tortura prindërit e tij. Profeti (pqmtmft) ia lejoi këtë gjë.


Kapitulli 10


Mbi përhapjen e diturisë


Përcillet nga Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të): Në një libër të Imam Aliut (pqmt), lexova: Zoti s`ka marrë besë nga të paditurit për të kërkuar dituri, përpara se të merte besë nga dijetarët për ta përhapur diturinë mes të paditurve. Kjo është kështu, sepse dituria ekzistonte para injorancës.


Përcillet se në lidhje me komentimin e vargut "dhe mos hiq dorë prej njerëzve me nënçmim..." (31:18) Imam Xhaferi (pqmt) tha: ...derisa njerëzit të jenë të gjithë të barabartë në diturinë e tyre...


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Zeqati i diturisë është që t`ua përcjellësh robërve të Zotit.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Isa (pqmt), djali i Merjemes njëherë u tha hebrenjve: O njerëz! Mos flisni me të paditurit për urtësinë sepse i bëni padrejtësi asaj dhe mos e fshihni urtësinë nga ata q`e meritojnë sepse u bëni padrejtësi atyre.


Kapitulli 11


Mbi ndalesën e të folurit pa patur dituri


Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) i tha Mufaddal ibn Jezidit: Të ndaloj të bësh dy gjëra, që janë shkak për shkatërrimin e njerëzve:  ta adhurosh Zotin duke u mbështetur në gjëra të pavërteta dhe t`u japësh dekrete (fetva) njerëzve, pa patur dituri.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Qëndroni larg dy gjërave, që i kanë çuar shumë njerëz drejt shkatërrimit. Mos u jepni dekrete (fetva) njerëzve vetëm sipas mendimit tuaj dhe mos bëni adhurim pa patur dituri!  

Përcillet nga Imam Muhammed Bakiri (pqmt): Gjithë ëngjëjt e mëshirës dhe ëngjëjt e ndëshkimit kanë për t`i mallkuar ata, të cilët japin dekrete (fetva) pa patur dituri dhe udhëzim. Të tillët do të përgjigjen për mëkatet e njerëzve që kanë vepruar sipas fjalëve të tyre.


Përcillet nga Imam Muhammed Bakiri (pqmt): Nëse dini diçka, thuajeni atë. Por nëse nuk dini, thoni: "Zoti e di më mirë." Ka njerëz të tillë që u referohen vargjeve të Kur`anit të shenjtë dhe u japin kuptime që janë më larg nga e vërteta se ç`janë qiejt nga toka.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Kur një dijetar nuk e di përgjigjen e pyetjes që i parashtrohet, mund të thotë: "Zoti e di më mirë". Por këtë s`duhet ta thotë tjetër veç dijetarit.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Nëse dikush pyetet për diçka që nuk e di, duhet të thotë "Unë nuk e di këtë." dhe jo "Zoti e di më mirë" sepse kjo shprehje e fundit mund të krijojë dyshim në zemrën e dëgjuesit. Kur njeriu të thotë se nuk di, ai që pyet nuk mund ta fajësojë për asgjë.


E pyetën Imam Xhaferin (pqmt): Ç`është e drejta e Zotit mbi njerëzit? Ai u përgjigj: Të flasin për atë që e dinë dhe të heshtin për gjërat, për të cilat s`kanë dituri.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Zoti ka shpallur dy vargje në Kur`an, që robërit e tij të mos flasin pa ditur dhe të mos i kthejnë duarbosh njerëzit që i pyesin për gjërat që i dinë:



A s`u mor fjalë prej tyre në Libër, që të mos thonin veçse t`Vërtetën për Zotin? Araf (Lartësitë) 7:169


Ata e mohuan diçka që s`e dinin dhe interpretimi i të cilës s`ishte shpallur akoma... Junus 10:39



Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Babai im përcjell nga stërgjyshi im, i Dërguari i Zotit (pqmtmft), i cili ka thënë: Ata që veprojnë sipas analogjisë (kijas) e kanë shkatërruar edhe veten edhe të tjerët. Ata që japin dekrete (fetva) pa patur njohuri për vargun e abroguar (të shpallur të pavlefshëm) dhe për vargun që abrogon e pa i ditur vargjet e drejtpërdrejta dhe ato të tërthorta, do të përballen me shkatërrim dhe do t`i çojnë të tjerët drejt shkatërrimit.


Kapitulli 12


Mbi ata që veprojnë pa dituri


Përcillet nga Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të): Të veprosh pa ditur e pa kuptuar është si të udhëtosh në drejtim të gabuar, duke u larguar gjithë më tepër prej cakut.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Zoti nuk e pranon një vepër pa dituri dhe nuk e pranon diturinë që nuk shoqërohet me vepra. Ai që ka dituri, do të dijë si të veprojë kurse ai që nuk vepron, vetëm sa tregon se s`ka dituri. Dijeni se një pjesë e fesë buron nga një pjesë tjetër.


Përcillet nga i Dërguari i Zotit (pqmtmft): Ata që veprojnë pa dituri, shkatërrojnë më shumë se ç`ndërtojnë.


Kapitulli 13


Mbi të përdorurit e diturisë


Përcillet nga i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij): Dijetarët janë dy llojesh: Njëri lloj janë ata që veprojnë sipas diturisë së tyre dhe gjejnë shpëtim. Lloji tjetër janë ata që s`veprojnë sipas diturisë që kanë dhe përballën me shkatërrim. Njerëzit e ferrit do të vuajnë nga era e keqe e dijetarëve që s`veprojnë sipas diturisë së tyre. Nga njerëzit e ferrit, ai që do të pendohet më së shumti do të jetë një njeri, i cili e mëson dikë dhe e udhëzon në rrugë të Zotit por ndonse nxënësi i tij e fiton parajsën, ai vetë hyn në zjarr ngase e shpërfill diturinë që ka e i ndjek dëshirat dhe shpresat e kota. Ndjekja e dëshirave e pengon njeriun nga arritja e të vërtetës dhe ushqimi i shpresave të kota e bën ta harrojë jetën e amshueshme.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Dituria dhe veprat janë të lidhura. Ai që ka dituri, vepron dhe ai që vepron, di. Dituria i fton veprat dhe qëndron me to sikur t`i pranohet thirrja. Në të kundërt, dituria largohet prej veprave.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Nëse një dijetar nuk vepron sipas diturisë që ka, fjalët e tija rrëshqasin poshtë zemrave të dëgjuesve siç rrëshqet shiu përposh shkëmbinjve.


Një njeri erdhi tek Imam Ali ibn Husejni (pqmt) dhe e pyeti për disa gjëra. Pasi i mori përgjigjet që i kërkonte, ai deshi të pyeste edhe për gjëra të tjera, por Imami i tha: Në Ungjill thuhet: Mos pyesni për gjërat që s`i dini, përderisa të mos veproni sipas atyre që i dini tashmë. Dituria që s`pasqyrohet në vepra vetëm ia rrit mosbesimin njeriut dhe e çon gjithë më larg Zotit.


E pyetën Imam Xhaferin (pqmt): Si t`i njohim ata që e kanë arritur shpëtimin? Imami u përgjigj: Nëse fjalët e një njeriu janë në përshtatshmëri me veprat e tija, atëherë mund të dëshmosh se ai është nga të shpëtuarit. Një njeri, fjalët dhe veprat e të cilit nuk përshtaten, është vetëm një kuti ku ruhet dituria por besimi i tij është i lëkundur.


Përcillet se Imam Aliu (pqmt): O njerëz! Po të keni dituri, atëherë veproni sipas saj, që të mund të gjeni shpëtim. Sepse një njeri i ditur, i cili nuk vepron sipas diturisë që ka, është si një injorant që s`i shpëton dot paditurisë së tij. Madje faji i një njeriu të tillë është shumë më i madh se faji i një injoranti, ndonse që të dy janë të humbur dhe të devijuar.
Mos hezitoni sepse kjo u çon drejt dyshimit! Mos dyshoni sepse do të fundoseni në mosbesim! Mos u jepni afat dëshirave tuaja, duke gjetur arsyetime sepse do të bëheni mospërfillës! Mos bëni kompromis me të vërtetën sepse do të jeni humbës!
E vërteta është në të kuptuarit e fesë. Vetëm nëpërmjet të një të kuptuari të tillë do të mbroheni nga mashtrimet. Më i dobishëm për veten e tij është ai që i bindet Zotit dhe më i mashtruari mes jush është ai që rebelohet kundër Tij. Ai që i bindet Zotit është në siguri dhe e presin sihariqe kurse ai që rebelohet kundër Tij vetëm humbet dhe pendohet.


Përcillet nga Imam Muhammed Bakiri (pqmt): Kur të fitoni dituri të reja, përpiquni sakaq për të vepruar sipas tyre, që të mund të rriten zemrat tuaja! Kur dikush ka më shumë dituri nga ç`mund t`i mbajë zemra, djalli (shejtani) do ta sulmojë atë. E nëse djalli u sulmon, luftojeni me gjithë diturinë tuaj sepse kurthet e tij janë të dobëta. E pyetën: Cila është ajo dituri e jona? Imami u përgjigj: Luftojeni atë më atë fuqi të Zotit, të Madhëruar e të Lavdishëm, që është qartësuar në sytë tuaj.


Kapitulli 14


Mbi ata që e përdorin diturinë për interesat e tyre dhe që lëvdohen me këtë gjë


Përcillet nga i Dërguari (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij): Ka dy njerëz që janë gjithnjë të pangopur: ai që e do këtë botë dhe ai që kërkon dituri. Do të jetë i shpëtuar ai q`e merr nga kjo botë vetëm atë, që është e lejuar. Por do të shkatërrohet ai që mer gjëra të ndaluara, përveç nëse pendohet dhe ndërron rrugë.
Është i shpëtuar ai që fiton dituri nga dijetarët dhe që vepron sipas saj. Por kushdo që fiton dituri për të përfituar në këtë botë, nuk do të ketë përfitim tjetër.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Kushdo që i mëson hadithet tona për përfitime të kësaj bote, s`do të ketë dobi prej tyre në botën tjetër. Por kushdo që i mëson ato për hir të botës tjetër, do të ketë përfitime edhe në këtë botë edhe në tjetrën.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Kushdo që mëson hadithe për të përfituar në këtë botë, s`do të ketë kurrfarë dobie prej tyre në botën tjetër.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Kur të shihni një dijetar që është i dashuruar pas kësaj bote, mos i besoni në punët e fesë. Sepse njeriu e përqafon dhe e mbron atë që e ka për zemër.
Zoti i shpalli Davudit (pqmt): Mos vendos mes Meje dhe teje një dijetar që është i dhënë pas botës sepse ky njeri ka për të të larguar nga dashuria për Mua. Këta njerëz janë hajdutë që ua presin rrugën robërve që më duan. Dënimi më i vogël që do ta kem për ta, është largimi i kënaqësisë nga zemrat e tyre kur të më drejtohen Mua.


Përcillet nga i Dërguari i Zotit (pqmtmft): Fakih-ët (dijetarët e ligjit islam) janë mëkëmbësit e profetëve, derisa s`hyjnë në punët e kësaj bote. E pyetën: Ç`është për dijetarët, hyrja në punët e kësaj bote? U përgjigj: Është ndjekja e mbretërve. Kur të shihni dijetarë që i ndjekin mbretërit, duhet të ruheni prej tyre në punët e fesë suaj.


Përcillet nga Imam Muhammed Bakiri (pqmt): Le ta përgatisë vendin e tij në ferr gjithsecili që fiton dituri për t`u mbajtur i mençur para dijetarëve, për t`i mundur mendjelehtët në diskutime dhe për ta tërhequr vëmendjen e njerëzve drejt vetes. Sepse prijësia u takon vetëm atyre që e meritojnë atë.


Kapitulli 16


Mbi përgjegjësitë e dijetarëve dhe vështirësinë e punës së tyre


Përcillet nga Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të): O Hafs! Shtatëdhjetë mëkatë të një injoranti falen derisa të falet një mëkat i vetëm i një dijetari...


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Isa, djali i Merjemes (pqmt) ka thënë: Mjerë dijetarët e këqinj! Veç sikur ta dinin se ç`zjarr i fortë ka për t`i kapluar.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt), i cili duke treguar me dorë fytin, tha: Kur shpirti të ketë ardhur këtu, nuk pranohet pendimi i një dijetari. Pastaj e recitoi vargun: Zoti e pranon vetëm pendimin për gabimet e bëra pa dijeni, kur njeriu pendohet menjëherë. Zoti është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë...(4:17)


Përcillet se Imam Muhammed Bakiri (pqmt), në lidhje me vargun "Idhujtarët, idhujt e tyre, ata që bëjnë trazira dhe ushtria e Djallit do të hidhen kokëposhtë në zjarr. (26:94-95), tha: Këta janë njerëzit që flasin pa ndalur për drejtësinë por që kurrë nuk veprojnë sipas saj.


Kapitulli 16


Mbi çështje të ndryshme


Përcillet nga Prijësi i besimtarëve, Imam Aliu (paqja qoftë mbi të): Qetësojini shpirtrat tuaj me shkëndija të reja urtie sepse shpirtrat lodhen njësoj si trupat.


Përcillet nga Imam Aliu (pqmt): O kërkues i diturisë! Dije se dituria ka ca virtyte. Koka e diturisë është modestia, syri i saj është largimi nga xhelozia, veshi i saj është të kuptuarit, gjuha e saj është sinqeriteti, mbrojtja e saj është hulumtimi, zemra e saj është qëllimi i pastër dhe mendja e saj është njohja e rrethanave. Mëshira është dora e saj, vizita e dijetarëve është këmba, paqja e brendshme është vendosmëria dhe të mbrojturit nga e liga është urtësia. Vazhdimësinë e ka shpëtim dituria, shëndetin prijës, devotshmërinë kafshë për të udhëtuar, fjalën e butë e ka armë, kënaqjen e ka shpatë, butësinë hark dhe bisedën me dijetarët, ushtri. Prona e saj është morali, pasuria e saj është largimi nga mëkatet, ushqimi i saj është virtyti, uji i saj pajtueshmëria, udhërrëfyes i saj është udhëzimi dhe bashkëudhëtar, dashuria e të mirëve.


Përcillet nga i Dërguari i Zotit (pqmtmft): Ç`vezir (këshilltar) i mirë që është dituria për besimin dhe ç`vezir i mirë butësia për diturinë. S`ka këshilltar më të mirë për butësinë se mëshira dhe këshilltar më të mirë për mëshirën se durimi.


Një njeri erdhi tek i Dërguari i Zotit (pqmtmft) dhe e pyeti: Ç`është dituri?
Ai iu përgjigj: Dituri është të heshtësh.
Njeriu vazhdoi: Po tjetër?
Ia ktheu: Të dëgjosh.
"Po tjetër?", vazhdoi njeriu.
"
Të mbash mend.", i tha i Dërguari (pqmtmft).
"Po tjetër?", pyeti me ngulm njeriu.
"Të veprosh sipas diturisë", ia ktheu.
Më në fund njeriu pyeti:
"A ka edhe më, o i Dërguar i Zotit?"
I Dërguari (pqmtmft) tha: Ta përhapësh atë...


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Kërkuesit e diturisë janë tre llojesh:
1. ata që e kërkojnë diturinë për të diskutuar me të tjerët
2. ata që kërkojnë dituri për të fituar pozita të larta dhe për t`i mashtruar njerëzit
3. ata që kërkojnë dituri për ta kuptuar fenë dhe për të menduar

Injorantët që janë në grupin e parë i mundojnë njerëzit e tjerë, zihen me ta, mbajnë fjalime nëpër mbledhje, mbahen si të ditur, shtiren si njerëz të besueshëm dhe mbulohen me maskën e të virtytshmit ndonse s`janë aspak të virtytshëm. Zoti i ka mallkuar të tillët.
Në grupin e dytë bëjnë pjesë mashtruesit dhe njerëzit mediokër. Ata mbahen të rëndësishëm para njerëzve të rangut të tyre dhe i shohin të tjerët me nënçmim. Por përkundër kësaj, janë tejet modestë dhe nderues përballë pasanikëve që janë në nivel më të ulët se vetja. Këta ushqehen me ëmbëlsirat e pasanikëve dhe e shkatërrojnë besimin e tyre. Zoti bën që të harrohen emrat e tyre dhe veprat e tyre të zhduken nga mesi i veprave të dijetarëve.
Kurse personat që kërkojnë dituri për ta kuptuar fenë dhe për të përsiatur, janë njerëz të pikëlluar dhe të zymtë. Ata tërhiqen në lëvozhgën e tyre dhe thellohen në mendime. Netët i kalojnë me namaz, e adhurojnë Zotin, rrënqethen nga frika prej Tij dhe i luten me drithërima. Ata meren me punët e tyre dhe i njohin bashkëkohësit. Ata janë të rezervuar edhe ndaj vëllezërve të tyre më të besueshëm. Këtyre, Zoti ua bën të palëkundura këmbët dhe u fal siguri në Ditën e Gjykimit.


 Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Janë të shumtë përcjellësit e Librit por të paktë ata që veprojnë sipas tij. Ka shumë njerëz që janë të kujdesshëm me hadithet por krejt mospërfillës ndaj Kur`anit. Derisa dijetarët mërziten ngase njerëzit s`e ndjekin Librin (Kur`anin), injorantët mërziten se nuk i mbajnë mend dot hadithet e përcjellura. Njëri grup e mbron jetën dhe tjetri shkatërrimin. Andaj janë të ndarë këta dy mbrojtës dhe dallohen si dy anë të ndryshme.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Secilin, që mban mend dyzet nga hadithet tona, Zoti do ta ringjallë si dijetar në Ditën e Gjykimit.


Përcillet se në lidhje me vargun "Njeriu le ta shikojë atë që ha.." (80:24), Imam Muhammed Bakirin (pqmt) e pyetën: Ç`është "ajo që han njeriu"?  Ai u përgjigj: Është dituria që fiton. Njeriu duhet te ketë kujdes prej kujt e mer diturinë.


Përcillet nga Imam Muhammed Bakiri (pqmt): Kur të përballeni me gjëra të dyshimta, është më mirë të ndaleni e të mos kaloni përtej sesa të bini në zemër të rrezikut. Është më me vlerë ta mos e përcjellësh një hadith, për besueshmërinë e të cilit s`je i sigurt sesa ta përcjellësh një, që s`e kupton tërësisht.


Një ditë, Ibn Tajjari i tregonte Imam Xhaferit (pqmt) për disa thënie të të atit, Imam Muhammed Bakirit (pqmt). Kur arriti deri në një pikë, Imami i tha: Mjaft më, hesht!
Pastaj vazhdoi: Kur të përballeni me një thënie që s`e kuptoni mos vazhdoni më tej por prisni dhe drejtohuni nga imamët e udhëzuar, që t`u udhëzojnë në rrugën e drejtë, t`ua qartësojnë gjërat që s`i vëreni dhe t`ua tregojnë të vërtetën. Zoti i Madhëruar thotë: Nëse nuk dini, atëherë pyesni ata që dinë! (16:43)


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Kam vërejtur se e gjithë dituria e njerëzve mund të përmblidhet në katër pika:
E para: ta njohësh Zotin
E dyta: të dish se ç`ka bërë për ty
E treta: të dish se ç`kërkon prej teje
E katërta: t`i dish gjërat që të largojnë nga feja jote


E pyetën Imam Xhaferin (pqmt): Ç`është e drejta e Zotit mbi robërit e Tij? Ai tha: Ta thonë atë që dinë dhe të mos flasin për gjëra që nuk i dinë. Përderisa i përmbahen këtij rregulli, e drejta e Zotit do të plotësohet.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Pozitën e njerëzve përcaktojeni sipas haditheve që i përcjellin prej nesh.


Përcillet nga Imam Aliu (pqmt): O njerëz! Dijeni se s`është i mençur ai që preket nga një gënjeshtër që e thonë për të dhe s`është i urtë ai që kënaqet nga lëvdatat e një injoranti. Njerëzit ekzistojnë me të mirat që i bëjnë. Çdo njeri vlen sa veprat e tija të mira. Andaj flisni për diturinë që të dalë në sipërfaqe vlera juaj.


Një ditë pranë Imam Muhammed Bakirit (pqmt) erdhi një njeri që thoshte se Hasan el Basriu ka thënë: "Era e keqe nga barku i njerëzve që e kane fshehur diturinë do t`u pengojë njerëzve të ferrit". Imami ia ktheu: Po të jetë ashtu, edhe ata nga familja e Faraonit, që e fshihnin besimin e tyre, duhet të digjen në zjarr. Që nga dita kur Zoti e ka dërguar Nuhun (pqmt), dituria është përcjellur në fshehtësi. Hasani mund të shkojë ngado të dojë por diturinë nuk ka për ta gjetur diku tjetër veçse këtu (tek Ehl-i Bejti).


Kapitulli 17


Mbi përcjelljen e haditheve


Përcillet se në lidhje me vargun: "... ata që i dëgjojnë fjalët dhe i binden fjalës më të bukur" (39:18) Imam Muhammed Bakiri (paqja qoftë mbi të) tha: Këtu flitet për ata që dëgjojnë hadithe dhe i përcjellin ato pa u hequr e pa u shtuar gjë.


Njëri i tha Imam Xhaferit (pqmt): Unë i dëgjoj thëniet tuaj dhe pastaj i heq një pjesë dhe i shtoj një tjetër. Imami tha: S`ka gjë të keqe në të derisa ia ruan kuptimin.


Njëri i tha Imam Xhaferit (pqmt): Dua t`i përcjell thëniet tuaja me po të njejtat fjalë që keni përdorur ju, por nuk i mbaj dot mend. Imami e pyeti: A i harron me qëllim? Njeriu ia ktheu: Jo.
A ke për qëllim përcjelljen e kuptimit të fjalëve të mia?, pyeti Imami. "Po", iu përgjigje njeriu. "Atëherë s`ka gjë të keqe në të", u përgjigj Imami.


Njëri i tha Imam Xhaferit (pqmt): Më ngjan që të dëgjoj një hadith prej juve dhe ta përcjell sikur ta kem dëgjuar prej babait tuaj ose anasjelltas. A është në rregull kjo?  Imami ia ktheu: Nuk ka problem. Por do të ishte më e dashur për mua sikur ta përcillje prej tim eti. Pastaj Imami i tha një tjetri: Ato që i dëgjon prej meje, përcilli prej tim eti.


Njëri i tha Imam Xhaferit (pqmt): Njerëzit vijnë tek unë për t`i dëgjuar hadithet tuaja por kur filloj t`ua tregoj, lodhem pas një kohe dhe s`gjej fuqi në vete për të vazhduar më tej.
Imami ia ktheu: Lexo një hadith nga fillimi i librit, një nga mesi i tij dhe një nga fundi.


Përcillet nga Imam Rizai (pqmt): Një njeri nga miqtë tanë vjen tek unë dhe më sjell një libër me hadithe, pa më thënë që t`i përcjell ato fjalë prej tij. A do të ishte në rregull sikur unë t`i përcillja këto thënie duke e përmendur emrin e tij si burim?  Imami u përgjigj: Përderisa e di se libri është vepra e tij, atëherë mundesh.


Përcillet nga Imam Aliu (pqmt): Kur të përcillni një hadith, përmendnie emrin e njeriut prej të cilit e keni dëgjuar. Sikur të jetë një hadith i vërtetë, kjo do të jetë e mirë për ju por sikur të jetë gënjeshtër do të jetë në dëm të atij personi.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Zemra i beson shkrimit.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Shkruajini hadithet sepse nuk ka si t`i mbroni ndryshe.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Ruajini librat e shkruar sepse do t`ju duhen në të ardhmen!


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Shkruaj dhe përhape diturinë tënde mes shokësh. Kur të vdesësh, librat e tu le t`u mbesin trashëgim fëmijëve tuaj. Do të vijë një kohë e tillë trazirash, kur njeriu do të gjejë miqësi të ngrohtë vetëm pranë librave.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Ruajuni nga gënjeshtrat e degëzuara!
E pyetën: Ç`është një gënjeshtër e degëzuar?
U përgjigj: Kur dikush të përcjell ty një hadith dhe ti pastaj e përcjell po atë hadith pa e përmendur këtë njeri por duke e përmendur vetëm njeriun prej të cilit ai e ka dëgjuar më parë hadithin.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Hadithet tona shqiptojini si duhet dhe kini kujdes gjatë drejtshkrimit sepse ne jemi një familje gojëtarësh të fortë.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Fjala ime është fjala e tim eti, fjala e tim eti është fjala e gjyshit tim, fjala e gjyshit tim është fjala e Husejnit, fjala e Husejnit është fjala e Hasanit, fjala e Hasanit është fjala e Prijësit të Besimtarëve (Aliut), fjala e Prijësit të Besimtarëve është fjala e të Dërguarit të Zotit dhe fjala e të Dërguarit është fjala e vetë Zotit të Madhëruar e të Urtë.


Përcillet se një ditë e pyetën Imam Muhammed el Takiun (pqmt): Mjeshtrit tanë kanë përcjellur hadithe nga Imam Muhammed Bakiri dhe nga Imam Xhaferi. Por për shkak se ishte në një kohë të vështirë kur duhej të fshiheshin, i fshehën këto hadithe dhe nuk i përcollën dot. Por pasi vdiqën, librat e mjeshtërve tanë na mbetën neve. Ç`duhet të bëjmë tani?  Imami u përgjigj: Përhapni ato hadithe sepse janë të vërteta!


Kapitulli 18


Mbi "teklidin" 1


Përcillet se në lidhje me vargun "...i mbajtën dijetarët dhe murgjërit e tyre për perëndi të tjera veç Zotit...(9:31), Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë: Betohem mbi Zotin se dijetarët e tyre dhe priftërinjtë nuk i ftuan të krishterët dhe hebrenjtë që t`i adhuronin ata vetë. Sikur të bënin diçka të tillë, s`ka dyshim se ftesa e tyre s`do të pranohej. Ajo që bënë ata ishte se gjërat e ndaluara i shpallën të lejuara dhe të lejuarat të ndaluara. Me këtë, njerëzit nisën t`i adhuronin ata, pa qenë të vetëdijshëm për këtë.


Përcillet se Imam Rizai (pqmt) i tha një njeriu: O Muhammed! A ju i bindeni më shumë prijësit tuaj a ata të grupit Murxhie?
Njeriu u përgjigj: Edhe ne e ndjekim prijësin tonë edhe ata.
"Nuk të pyeta për këtë", ia ktheu Imami.
"S`gjeta dot ndonjë përgjigje më të mirë", tha njeriu. Pastaj Imami vazhdoi: Ata të grupit Murxhie e zgjodhën një njeri, bindja ndaj të cilit nuk ishte e detyrueshme, dhe iu bindën. Edhe ju zgjodhët një njeri dhe thatë se bindja ndaj tij është një detyrim. Por ju nuk e ndoqët atë (nuk i bëtë teklid). Andaj është shumë më e fortë ndjekja e tyre sesa e juaja.


Përcillet se në lidhje me vargun "...i mbajtën dijetarët dhe murgjërit e tyre si perëndi të tjera veç Zotit...(9:31) Imam Xhaferi (pqmt) ka thënë: Betohem në Zotin se të krishterët dhe hebrenjtë nuk falën namaz dhe as nuk agjëruan për hir të priftërinjve të tyre. Por priftërinjtë dhe dijetarët e tyre i shpallën të lejuara të ndaluarat dhe i ndaluan të lejuarat e populli u bind pa fjalë.


1: (shënim i përkthyesit) Teklid: që në përkthim fjalë për fjalë do të thotë "të ndjekësh" ose "të imitosh", në terminologjinë ligjore islame nënkupton ndjekjen e një eksperti të ligjit islam (muxhtehid) në ligjet dhe në urdhëresat fetare, të cilat ai i nxjerr nga burimet fetare. Për më shumë informata shih artikullin "Teklidi: kuptimi dhe realiteti i tij" nga Sejjid Muhammed Rizvi, në rubrikën "Temat fetare" në Librarinë Digjitale "Dielli" (www.dielli.net)


Kapitulli 19


Mbi bidatin, mendimin personal dhe analogjinë 1


Përcillet nga Imam Aliu (pqmt): O njerëz! Trazirat fillojnë kur ndiqen dëshirat vetjake dhe kur sillen gjykime në kundërshtim me Librin e Zotit. Falë këtyre ligjeve të rreme, disa njerëz bëhen sundues të të tjerëve. Sikur e pavërteta të ishte e kuptueshme dhe e qartë, ajo nuk do t`i rrinte fshehur askujt dhe sikur e vërteta të ishte e qartë dhe e kuptueshme, nuk do të kishte kurrfarë ndarjeje mes njerëzve. Por kur marin pak prej njerës e pak prej tjetrës, i përziejnë të dyja dhe e sjellin para njerëzve, atëherë bien nën ndikimin e djallit. Pastaj shpëtojnë vetëm ata që janë të mbrojtur nga mëshira e Zotit.


Përcillet nga i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen  e tij): Kur të shfaqen bidatet (risitë e palejuara) në mesin e ndjekësve të mi, dijetarët duhet të dalin në shesh e ta tregojnë diturinë e tyre. Mallkimi i Zotit qoftë mbi ata që s`veprojnë kështu!


Përcillet nga i Dërguari i Zotit (pqmtmft): Kur dikush shkon tek një njeri që bën bidat dhe e nderon atë, ai ka dhënë kontribut në shkatërrimin e Islamit.


Përcillet nga i Dërguari i Zotit (pqmtmft): Zoti nuk e pranon pendimin e një njeriu që bën bidat. E pyetën: Si është e mundur kjo? U përgjigj: Dashuria për bidat ka zënë vend në zemrën e tij.


Përcillet nga i Dërguari i Zotit (pqmtmft): Kushdo që pas  meje do të  krijojë bidate për të bërë një komplot kundër fesë, do ta gjejë përballë vetes një prijës nga Ehl-i Bejti im, i cili do ta mbrojë fenë. Ai do të flasë me frymëzim nga Zoti, do ta bëjë të qartë të vërtetën, do t`i ndriçojë njerëzit, do t`ua prishë mashtrimet mashtruesve dhe do të jetë gjuha e të shkelurve. O të zotët e mendjes! Merni mësim dhe mbështetuni tek Zoti! (59:2)


Përcillet nga Imam Aliu (pqmt): Në mesin e krijesave të Tija, Zotit më së paku i pëlqejnë dy njerëz:
I pari: është njeriu të cilit Zoti ia ka ndërprerë të mirat dhe e ka lënë vetëm me veten e tij. Ky është një njeri që është larguar nga rruga e drejtë duke bërë mizori. Është ndjekës i bidateve por flet gjithë kohës për namaz e për agjërim, me çfarë edhe i mashtron lehtë ata që bien në kurthin e tij. Ky njeri është larguar nga udhëzimi i paraardhësve të tij. Do të devijojnë të gjithë që i binden atij, qoftë në të gjallë, qoftë pasi të ketë vdekur. Ky njeri është skllav i gabimeve të tija dhe është përgjegjës për gabimet e të tjerëve.
I dyti: është një njeri, i cili injorancën e ka bërë një cilësi të tijën, në një mes përplot njerëz të paditur. Ky njeri është i burgosur i errësirës së trazirave. Ata që veç  në formë të jashtme janë njerëz, do të thonin se ky njeri është dijetar, ndonse ai s`ka kaluar as edhe një ditë të vetme duke u marrë me dituri. Ai vetëm sa është zgjuar herët në mëngjes dhe ka poseduar më tepër se të tjerët disa gjëra, që janë më mirë kur janë pak sesa shumë. Me kalimin e kohës, ky është mësuar me ujin e turbullt dhe me baltën e kohës së tij dhe pasi të ketë mbledhur gjëra të padobishme pranë vetes, është shfaqur mes njerëzve si gjykues i problemeve, të cilat të tjerët s`i zgjidhin dot. Ai nuk ka hezituar të sjellë edhe vendime që bien ndesh me të gjitha vendimet e mara përpara tij. Ky njeri nuk e ka të qartë se atë gjykim mohues që ai e ka ndaj vendimeve të paraardhësve të tij, do ta kenë për të edhe të tjerët që do të vijnë më pas. Kur t`i dalë përpara ndonjë çështje e koklavitur, ai përgatitet për ta zgjidhur vetëm duke u mbështetur në atë që i duket e saktë atij vetë. Më në fund, ai sjell një vendim, vetëm duke u mbështetur në mendimin e tij personal.
Në këtë mënyrë, dyshimi i tij rritet si rrjeti i një merimange dhe më nuk di në ka vendosur drejt ose gabim. Nuk e mendon dot se dikush mund t`i dijë ato gjëra që ai i mohon. Nuk e kupton se mund të ketë edhe ndonjë rrugëzgjidhje ose shpjegim që qëndron përtej nivelit të tij. Kur krahason dy gjëra, ai kurrë nuk e zhvleftëson mendimin e tij dhe nëse diçka mbetet e panjohur për të, ai e fsheh këtë fakt, që të tjerët të mos kuptojnë se është i paditur.
Më në fund, me një guxim të madh, ky njeri sjell vendime. Një person i tillë është çelësi i errësirës dhe thesari i dyshimeve. Ai merr rrugë në errësirën e padijes. Ai nuk sjell arsyetime për gjërat që nuk i di, që të mos i shfaqet hapur gabimi dhe nuk ka kurrfarë të arriture në dituri. Trashëgimitë që i shpërndan në mënyrë të padrejtë vuajnë nga dora e tij dhe gjakrat për të cilat ka gjykuar gabim e i ka çuar dëm, i klithin nëpër duar. Me gjykimet që sjell, e shpall të pambrojtur nderin e paprekshëm të dikujt dhe të mbrojtur, nderin e një personi që s`meriton t`i mbrohet nderi. Nuk i besohet këtij njeriu dhe as vendimeve që sjell. Një njeri i tillë s`e meriton prijësinë që e mer në duar me pretendimin e të qenit dijetar.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Përkrahësit e analogjisë (kijas) duan që nëpërmjet saj të arrijnë tek dituria por analogjia nuk bën tjetër veçse i largon nga e vërteta. Nëpërmjet analogjisë, nuk sillen dot vendime të sakta në fenë e Zotit.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Çdo bidat është një devijim dhe një rrugë që çon drejt zjarrit.


Një ditë, një njeri i tha Imam Musa ibn Xhaferit (pqmt): T`u bëfsha kurban! Nëpërmjet teje e kuptuam fenë dhe Zoti s`na bëri nevojtarë për askë tjetër. Madje kur dikush nga ne ulet në një mbledhje dhe ndokush bën pyetje, ai i përgjigjet lehtësisht asaj, falë diturisë që ti na ke falur. Por ndonjëherë ngjan që të përballemi me çështje të cilat nuk janë shpjeguar as nga ti dhe as nga paraardhësit e tu. Në raste të tilla, a është e lejuar të përgjigjemi sipas asaj që na duket më e saktë dhe duke u mbështetur në një nga thëniet tuaja që më së shumti i afrohet temës në fjalë?
Imami ia ktheu: Sa keq! O djali i Hakimit! Dije se ka shumë njerëz që u shkatërruan vetëm pse e përdorën këtë metodë. Qoftë i mallkuar ai që thoshte: "Aliu ka thënë ashtu andaj unë them kështu..."
Muhammed ibn Hakimi më pas i tha Hisham ibn Hakemit: Për Zotin, unë e parashtrova këtë pyetje vetëm që të merja leje prej tij për të bërë analogji (kijas).


Junus ibn Abdurrahmani e pyeti Imam Musën (pqmt): Si të vërtetojmë se Zoti është një?
U përgjigj: O Junus! Mos u bëj nga ata që bëjnë bidat. Do të shkatërrohet ai që përcakton se ç`është politeizëm vetëm sipas mendimit të tij personal. Është i devijuar ai që ndahet nga Ehl-i Bejti i të Dërguarit dhe është mohues (kafir) ai që s`e ndjek Librin e Zotit dhe fjalët e të Dërguarit të tij.


E pyetën Imam Xhaferin (pqmt): Ndonjëherë përballemi me pyetje, përgjigjet e të cilave nuk i gjejmë dot as në Librin e Zotit dhe as në Traditën (Sunnetin) e Profetit. A lejohet vallë që për çështje të tilla të shprehim një mendim tonin?
Imami u përgjigj: Jo! Sepse po të japni përgjigje të saktë, nuk do fitoni kurrfarë shpërblimi dhe po të gaboni, do t`i keni mveshur një gënjeshtër Zotit.


Përcillet nga i Dërguari i Zotit (pqmtmft): Çdo bidat është një devijim dhe çdo devijim është në zjarr.


I thanë Imam Musa ibn Xhaferit (pqmt): Zoti të shpërbleftë! Ne shpesh mblidhemi dhe diskutojmë, aq sa na lejon dituria jonë dhe përherë kemi ndonjë libër në lidhje me temat me të cilat përballemi. Pa dyshim, ky është një bekim të cilin Zoti na e fali nëpërmjet jush.
Por ndonjëherë përballemi me disa çështje të vogla, për të cilat nuk gjejmë dot një shpjegim dhe mbesim pa fjalë. Ndonse nuk kemi diç të shkruar në lidhje me këto gjëra, kemi disa thënie në lidhje me gjëra të ngjashme me to. A lejohet vallë që t`i zgjidhim këto probleme të reja duke i krahasuar me dituritë që tashmë i kemi?
Imami u përgjigj: Ç`punë keni ju me krahasimin (analogjinë)? Ata që u shkatërruan përpara jush, u shkatërruan për shkak të krahasimit. Nëse përballeni me ndonjë çështje që e dini, thoni atë që e dini! Por nëse u del përpara diçka për të cilën s`keni njohuri, -dhe Imami e mbuloi gojën me dorë- heshtni!. Zoti e mallkoftë atë që thoshte: "Aliu thoshte filan gjë andaj unë them kështu. Shokët e Profeti (ashabët) thonin filan gjëra, andaj unë them kështu." A more pjesë ti në mbledhjet e tija?
"Jo", u përgjigj njeriu. "Por këto janë vërtet fjalët e tija. Zoti të mëshiroftë ty! A ka sjellë vallë i Dërguari zgjidhje për çdo nevojë të njerëzve të kohës së tij?"
Imami u përgjigj: Po. Dhe përveç kësaj, ka sjellë zgjidhje edhe për të gjitha nevojat e tyre deri në Ditën e Gjykimit.
Njeriu pyeti: A është humbur diçka prej kësaj?
Imami tha: Jo! E gjithë kjo dituri është tek njerëzit që e ruajnë atë.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Dituria e Ibn Shubrumes (gjykatës i Kufes, vdekur në vitin 144 pas Hixhrit) u asgjësua përpara librit "el-Xhamia". Këtë libër e diktoi i Dërguari i Zotit (pqmtmft) dhe e shkroi Ali (pqmt). Ky libër i ka lënë të gjithë të pafjalë dhe i ka shpjeguar urdhërat dhe ndalesat.
Përkrahësit e analogjisë duan të fitojnë dituri nëpërmjet saj por analogjia nuk bën tjetër veçse i largon nga e vërteta. Nuk arrihet dot e vërteta në fenë e Zotit nëpërmjet analogjisë (krahasimit).


Imam Xhaferi (pqmt) i tha Eban bin Taglibit: Tradita e Profetit (Sunneti) nuk pranon analogji (krahasim). A nuk e dini vallë se një grua që është në menstruacion, detyrohet t`i agjërojë më vonë ditët e ikura të agjërimit por nuk ka një detyrim të tillë kur bëhet fjalë për namazet që nuk i fal gjatë menstruacionit? O Eban! Kur Tradita e Profetit (Sunneti) të bëhet objekt krahasimesh, feja shkatërrohet.


E pyetën Imam Musën (pqmt) në lidhje me analogjinë dhe u përgjigj: Ç`punë keni ju me analogjinë? Nuk pyetet Zoti përse ka shpallur të lejuar diçka dhe një tjetër gjë ka ndaluar.


Imam Xhaferi (pqmt) rrëfen se i ati, Imam Muhammed Bakiri (pqmt) ka përcjellur nga Imam Aliu (pqmt) thënien në vijim: Nëse dikush ulet në kolltukët e analogjisë, jeta i kalon me gabime. Nëse një njeri e adhuron Zotin duke u mbështetur vetëm në mendimin e tij, e gjithë jeta do t`i shkojë në punë të kota.
Përcillet se vetë Imam Muhammed Bakiri (pqmt) ka thënë: Një njeri që jep dekrete (fetva) vetëm sipas mendimit të tij, e ushtron fenë e Zotit në një mënyrë që s`e njeh. Dhe një njeri që e ushtron fenë në një mënyrë që s`e di, e kundërshton Zotin, sepse i ka shpall të lejuara ose të ndaluara gjërat, për të cilat s`ka fare njohuri.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Iblisi e krahasoi veten e tij me Ademin (pqmt) dhe tha: Mua më krijove nga zjarri kurse atë nga balta. (38:76) Sikur ta krahasonte me zjarrin, esencën prej të cilës Zoti e krijoi Ademin, do të shihte se ajo është shumë më e ndritshme.


E pyetën Imam Xhaferin (pqmt) në lidhje me të lejuarat (helal) dhe ndalesat (haram). Ai u përgjigj: Ajo që Muhammedi (pqmtmft) ka shpallur të lejuar mbetet e lejuar deri në Ditën e Gjykimit dhe ajo që ai e ka shpallur të ndaluar, është e ndaluar përgjithmonë. Nuk ka dhe nuk do të vijë ndonjë gjë përtej kësaj. Aliu (pqmt) thoshte: Kur dikush të shpikë një bidat, domosdo largohet nga një Traditë e Profetit.


Një ditë Ebu Hanifeja erdhi pranë Imam Xhaferit (pqmt) dhe Imami i tha: Ebu Hanife, dëgjova se e praktikon analogjinë (kijas).A është e vërtetë kjo?
"Po", u përgjigj Ebu Hanifeja.
Imami ia ktheu:
Mos bëj analogji (krahasim) sepse i pari që bëri krahasime ishte Iblisi që tha: Mua më krijove nga zjarri kurse atë nga balta. (38:76). Iblisi bëri krahasim mes baltës dhe zjarrit. Por sikur ta krahasonte dritën e Ademit me dritën e zjarrit, do ta kuptonte lehtësisht dallimin dhe do ta dinte se njëra është më e ndritshme se tjetra.


Një njeri erdhi tek Imam Xhaferi (pqmt) dhe i parashtroi një pyetje, përgjigjen e të cilës Imami ia dha menjëherë. Pastaj njeriu shtoi: Po sikur të kishte ngjarë kështu, çfarë gjykimi duhet të jepej sipas teje?
Imami ia ktheu: Ki kujdes! Nëse të jam përgjigjur, ka një përgjigje nga i Dërguari i Zotit. Tek ne nuk thuhet "sipas meje..."


Përcillet nga Imam Muhammed Bakiri (pqmt): Mos kini besim tek askush tjetër përveç Zotit, kur bëhet fjalë për punët e fesë. Përve asaj që miraton Kur`ani, të gjitha shkaqet, lidhjet farefisnore, miqësitë, risitë dhe dyshimet janë me fund të prerë.


1: (shënim i përkthyesit) Bidat (ose bidah) është emri që në literaturën islame u jepet risive të palejuara në çështjet fetare. Kjo përfshin të gjitha praktikat që nuk janë të përfshira në Kur`an dhe në Traditën e Profetit (pqmtmft) dhe që shtohen më pas. Për faktin se kjo fjalë është specifike për risitë në çështjet e fesë, e kemi ruajtur termin origjinal dhe nuk e kemi përdorur fjalën shqipe "risi". 
Analogjia (arabisht: kijas) është njëri nga burimet e përdorura në jurispudencën sunnite (bashkë me Kur`anin, Traditën profetike dhe koncenzusin) për të deduktuar ligje të reja. Kjo metodë themelohet në krahasimin e dy rasteve. Në rastet kur në Kur`an dhe në Traditë nuk gjendet ndonjë informatë për një problem specifik, analogjia mundëson që të arrihen përfundime duke bërë krahasim me një rast të ngjashëm (por jo të njejtë), i cili mund të gjendet në Kur`an ose në Traditën profetike. Kjo metodë, nismëtar i të cilës ishte Ebu Hanife-ja (ose Imam Shafiu sipas disa burimeve) është mohuar kategorikisht nga Imamët e Ehl-i Bejtit dhe si pasojë, nuk ka gjetur vend në jurispudencën shiite. Në vend të saj, si burim të katërt të deduktimit të ligjeve, shiizmi e pranon intelektin (akl). Për informim më të saktë, mund të shihen librat në lidhje me jurispudencën islame.


Kapitulli 20


Mbi nevojën për t`iu referuar Traditës (Sunnetit) së Profetit dhe mbi faktin se s`ka gjë që nuk është përmendur në Librin e Zotit dhe në Traditën e Profetit në lidhje me urdhërat, ndalesat dhe gjithçka tjetër që u nevojitet njerëzve


Përcillet nga Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të): Zoti i Madhëruar dhe Lavdiplot e ka shpallur shpjegimin e gjithçkaje në Kur`an dhe s`ka anashkaluar asgjë, për të cilën kanë nevojë robërit e Tij. Askush nuk mund të thotë: po sikur Zoti të sillte një varg në lidhje me këtë sepse edhe në lidhje me këtë ka tashmë një varg. (Mendohet për vargun "Ne s`lamë asgjë të mangët në Libër" Kur`an 6:38)


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Zoti i Madhëruar dhe i Urtë, çdo nevojë të muslimanëve e ka shpallur në Librin e Tij dhe ia ka shpjeguar të Dërguarit. Për gjithçka ka vënë një kufi dhe për të ka sjellë një dëshmi. Ai ka vendosur një kufi (dënim) edhe për ata që e kalojnë kufirin.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Nuk ka asnjë urdhër ose ndalesë, të cilës Zoti nuk i ka caktuar kufi si kufijtë e një shtëpie, me të cilat njeriu e di se ç`i takon shtëpisë dhe çfarë rrugës. Janë të caktuara dënimet edhe për gërvishjen e madje edhe për një të goditur me kamxhik ose një gjysëm të goditur.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): S`ka asgjë, për të cilën s`gjendet një varg i shpallur ose një shpjegim në Traditën e Profetit.


Imam Muhammed Bakiri (pqmt) tha: Kur t`ju them diçka, më pyesni se në ç`vend gjendet në Librin e Zotit. Kurse në një rast tjetër, tha: I Dërguari e ndaloi llafazaninë, shfrytëzimin e pasurisë për të bërë dëm dhe parashtrimin e pyetjeve të tepërta. Disa njerëz e pyetën: O djali i të Dërguarit! Ku gjenden këto në Librin e Zotit?
Imami u përgjigj: Zoti ka thënë: S`ka të mirë në të shumtën e përshpëritjeve të tyre mes veti. Përveç atyre që kanë për qëllim të japin lëmoshë, të bëjnë mirë ose t`i pajtojnë njerëzit.(4:114) ; Mos ia jepni pasurinë tuaj një fëmije të papjekur! (4:5); Mos pyesni për gjëra, përgjigja e të cilave s`do t`ju pëlqejë. (5:101)


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Nuk ka asnjë mosmarrëveshje mes dy njerëzish që nuk ka një zgjidhje në Librin e Zotit. Por këtë s`e kuptojnë njerëzit e thjeshtë.


Përcillet nga Imam Aliu (pqmt): O njerëz! S`ka dyshim se Zoti i Madhëruar dhe i Urtë u dërgoi një Profet dhe një Libër të themeluar në të vërtetën. Përpara kësaj, ju ishit një popull analfabet që s`e njihte librin e as Atë që e shpall dhe s`e njihte të Dërguarin e as Atë që e dërgon. Zoti e dërgoi Profetin e tij në një epokë kur kishte kohë pa ardhur një i dërguar prej Tij, kur popujt kishin rënë në gjumë të thellë, kur injoranca ishte gjithkah, kur ndjekja e ligjit ishte gjë e harruar prej kohësh, kur e liga ishte bërë rregulli themelor i njerëzve, kur e drejta e tyre shkelej nën këmbë, kur feja po zhdukej dalngadalë, kur luftërat vrisnin tejembanë, kur vreshtat e njerëzve ishin tharë, gjethet e tyre qenë shpërndarë në erë, kur ish` prerë shpresa nga frutat dhe kur ujërat ishin tërhequr e tharë krejt.
Kur u dërgua Profeti, flamuri i udhëzimit ishte shkatërruar dhe gjithandej valëviteshin flamujt e imoralitetit. Bota po lëkundej në shkatërrimin e saj dhe ua kishte kthyer shpinën njerëzve që banonin në të. Ishin të ndyrë frutat e trazirave që ua falte dhe frika ish` bërë shenjë e botës. Shpata ishte mburoja e saj dhe ditët i kish` të errëta. Ju ishit të ndarë e të bërë copë dhe sytë e njerëzve ishin të verbuar. I kishin ndërprerë lidhjet farefisnore dhe derdhnin gjak pa ndalur e pa menduar. Të gjalla i varrosnin foshnjat femra dhe jeta e rehatshme e paqja po largoheshin gjithë me tepër prej tyre. Ata nuk prisnin as ndonjë shpërblim prej Zotit dhe as i druheshin dënimit të Tij. Të gjallët e tyre ishin të verbër e të ndyrë kurse të vdekurit ishin në zjarr, krejt të pashpresë nga shpëtimi... Në një kohë të tillë, atyre u erdhi një libër që ish` vazhdim i libërthave të kaluar, vërtetues i librave të mëhershëm dhe përcaktues i të lejuarës dhe të ndaluarës.
Ky libër është Kur`ani. Po t`i kërkoni t`ju flasë, ai s`ju flet dot me zë  por unë mund t`ju flas për të. S`ka dyshim se në të gjenden lajme për popujt e kaluar dhe për gjithçka që do të vijë deri në Ditën e Gjykimit. Në të janë gjykimet për mosmarrëveshjet tuaja dhe për kundërshtimet ndaj njëri-tjetrit. Po të më pyesni për Kur`anin, unë do t`ua mësoj atë.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Unë jam djali i të Dërguarit dhe jam njeriu që e di më së miri Kur`anin. Ai flet për krijimin e parë dhe shpjegon gjithçka që do ngjajë deri në ditën e gjykimit. Edhe lajmet mbi qiejt e mbi tokën janë në të edhe ato mbi ferrin e parajsën. Kur`ani i sjell lajmet e gjërave që kanë ndodhur deri sot dhe të atyre që kanë për të ardhur. Zoti ka thënë: Në të gjendet shpjegimi i gjithçkaje... (16:89)


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Në librin e Zotit janë lajmet për ata që erdhën para jush dhe zgjidhja e problemeve tuaja. Ne jemi ata që e dimë këtë.


I pyetën Imam Musën (pqmt): A mund të gjendet gjithçka në Librin e Zotit dhe në Traditën e të Dërguarit? Ose vallë shtoni edhe ju diçka kohë pas kohe?
Imami tha: Aspak. Gjithçka mund të gjendet në Librin e Zotit dhe në Traditën e të Dërguarit.


Kapitulli 21


Mbi ndryshimet në hadithe


I thanë Imam Aliut (pqmt): Nga Selmani, Mikdadi dhe Ebu Dherri, kam dëgjuar disa komentime (tefsir) të Kur`anit dhe disa hadithe nga Profeti por këto dallonin nga komentimet dhe hadithet, që gjenden tek të tjerët. Pastaj të dëgjova ty dhe ti i vërtetove gjërat, që i kisha dëgjuar prej tyre.
Kam degjuar shumë mendime dhe thënie të të Dërguarit (pqmtmp) në lidhje me vargjet e Kur`anit dhe kam parë që ju keni një qëndrim të ndryshëm ndaj këtyre punëve.
Sipas jush, a janë të pavërteta të gjithë komentimet dhe hadithet që gjendet sot tek njerëzit? Mos vallë njerëzit i mveshin të Dërguarit fjalë që ai kurrë nuk i ka thënë dhe qëllimisht e interpretojnë Kur`ani sipas mendimit të tyre personal?
Aliu (pqmt) ia ktheu: Më bëre një pyetje, tani dëgjoje me kujdes përgjigjen! S`ka dyshim se tek njerëzit ka edhe të vërteta edhe gënjeshtra, edhe vargje që shpallën të pavlefshëm një varg tjetër edhe vargje që janë shpallur të pavlefshme 1, edhe vargje të drejpërdrejta edhe të tërthorta, edhe gjykime të përgjithshme edhe të veçanta.
Që në të gjallë të Profetit i mvesheshin atij fjalë që s`i kishte thënë. Andaj një ditë u ngrit dhe tha: O njerëz! U bënë të shumta gënjeshtrat që më mveshen. Kushdo që më mvesh një fjalë që s`e kam thënë, le të përgatitet që tani për vendin e tij në ferr." Por edhe pas kësaj, atij iu mveshën shumë fjalë të rreme.
Njerëzit që u përcjellin hadithe ndahen në katër grupe:
Grupi i parë: janë hipokritët që shtiren si besimtarë. Ata sillen si muslimanë por nuk u vjen rëndë që të mëkatojnë dhe t`i mveshin të Dërguarit (pqmtmft) ndonjë fjalë të rreme. Sikur njerëzit ta dinin se ai është një hipokrit gënjeshtar, nuk do t`i pranonin hadithet që i përcjell, por ata thonë: "Ky njeri, ka qenë mik me të Dërguarin dhe është sahabe i tij, i cili e ka parë të Dërguarin dhe e ka dëgjuar.
Por Zoti i Madhëruar dhe i Urtë, e ka paralajmëruar Profetin në lidhje me hipokritët, ia ka treguar cilësitë e tyre dhe ka thënë: Kur i sheh ata, pamja e tyre të pëlqen dhe kur flasin, ua dëgjon fjalët. (63:4)
Hipokritët jetuan edhe pas të Dërguarit. Pas tij, ata u lidhën me prijësit e devijimit dhe me ftuesit drejt zjarrit dhe i përkrahën ata me fjalët e tyre. Në anën tjetër, ata prijës të devijimit i shpërndanë këta hipokritë në mesin e njerëzve dhe me përkrahjen e tyre i shijuan të mirat e kësaj bote. Kjo sepse njerëzit gjithmonë janë të prirur për të qenë me mbretërit dhe me rehatinë e kësaj jete, përveç atyre të cilët Zoti i ka mbrojtur. Ky ishte pra grupi i parë.
Grupi i dytë: janë njerëzit që kanë dëgjuar diçka prej të Dërguarit por nuk e kanë mbajtur mend dot ashtu siç e kanë dëgjuar. Të tjerëve ua kanë përcjellur një fjalë, për të cilën kanë menduar se është e të Dërguarit. Këta nuk janë njerëz që qëllimisht gënjejnë. Ata veprojnë sipas asaj thënie që u ka mbetur në mendje, e përcjellin atë dhe thonë: "Unë e kam dëgjuar këtë nga i Dërguari."
Sikur muslimanët ta dinin se kjo fjalë s`është tjetër veçse një kujtim i turbullt, kurrë nuk do ta pranonin atë. Edhe ata vetë sikur ta dinin se kjo nuk është në të vërtetë fjalë e të Dërguarit por vetëm një kujtim i turbullt që ata vetë e kanë krijuar në kokën e tyre, menjëherë do ta mohonin atë.
Grupi i tretë: janë njerëzit që kanë dëgjuar ndonjë urdhër prej të Dërguarit por që nuk e dinë se ai e ka shpallur të pavlefshëm më pas. Ose mund të ketë ngjarë që i Dërguari të ketë ndaluar diçka dhe pastaj ta ketë lejuar atë. Këta njerëz e kanë dëgjuar një thënie të të Dërguarit por s`e kanë dëgjuar thënien e cila e shpall të pavlefshme atë të parën. Sikur ta dinin se ajo thënie është shpallur e pavlefshme, do ta linin atë dhe sikur muslimanët ta dinin se thënia që e përcjell është shpallur e pavlefshme, nuk do ta pranonin.
Grupi i katërt: janë njerëzit që nuk i mveshin gënjeshtra të Dërguarit. Ata e urrejnë gënjeshtrën dhe nuk bëjnë diçka të tillë për shkak të frikës nga Zoti dhe falë respektit të madh që kanë për të Dërguarin. Këta nuk e harrojnë atë që e kanë dëgjuar prej tij. Përkundrazi, ata e ruajnë atë ashtu siç e kanë dëgjuar. Këta njerëz e përcjellin hadithin ashtu si e kanë dëgjuar, as i shtojnë diçka dhe as i heqin. Ata i dinë thëniet e shpallura të pavlefshme dhe i dinë edhe thëniet që i zhvleftësojnë këto të parat. Këta njerëz veprojnë sipas thënieve më të fundit dhe i lënë mënjanë ato që janë shpallur të pavlefshme. Sepse fjalët e të Dërguarit (pqmtmft), njësoj si Kurani, mund të jenë shpallur të pavlefshme, mund të zhvleftësojnë një thënie tjetër dhe mund të jenë të drejpërdrejta ose të tërthorta. Ka thënie të tilla të tij që kanë dy dimensione: një të përgjithshëm dhe një të veçantë. Kur`ani thotë: Pranoni gjithçka që ju sjell i Dërguari, largohuni prej gjithçkaje që ai u largon dhe kinie droje Zotin! (59:7) Prandaj, ata që s`e kuptuan të Dërguarin, i përzien kuptimet me njëri-tjetrin.
Jo të gjithë shokët e të Dërguarit ishin njerëz që i kuptonin përgjigjet e tij kur e pyesnin diçka. Kishte të tillë nga sahabet, që e pyesnin të Dërguarin për diçka dhe pastaj nuk e kuptonin përgjigjen. Andaj prisnin që të vinte një beduin ose ndonjë i huaj tjetër e të pyesë, që të mund t`i kuptonin gjërat.
Për dallim prej tyre, unë përditë dhe përnatë shkoja pranë të Dërguarit, qëndroja vetëm me të dhe ecja në çdo kënd të shtëpisë bashkë. Sahabet e tij e dinë shumë mirë se i Dërguari nuk ia ka bërë këtë nder askujt tjetër. Ndonjëherë unë qëndroja në shtëpi dhe i Dërguari vinte pranë meje, ku qëndronim vetëm të dy. Kur isha në njërën nga shtëpitë e tija, ai i nxirrte gratë e tija jashtë dhe qëndronim vetëm por asnjëherë nuk e nxirrte jashtë Fatimenë dhe as djemtë e mi, kur vinte tek unë. Kur e pyesja, më përgjigjej. Kur unë e parashtroja pyetjen time dhe heshtja, ai fillonte të fliste. Nuk ka asnjë varg që i është shpallur të Dërguarit dhe që nuk ma ka diktuar mua. Unë e shkruaja me dorën time vargun dhe ai ma shpjegonte interpretimin dhe komentimin e tij. Më shpjegonte në është varg që shpallet i pavlefshëm ose varg që zhvleftëson një tjetër, në është i drejtpërdrejtë në kuptim ose i tërthortë, në është i përgjithshëm ose specifik. Pastaj i lutej Zotit që ta kuptoja vargun që sapo ma kishte diktuar. Pas lutjeve të tija në këtë mënyrë, unë kurrë nuk kam harruar asgjë nga ato që m`i ka diktuar. Ai m`i tregoi të gjitha urdhërat dhe ndalesat e Zotit, të lejuarat dhe të palejuarat, gjithë ç`kishte ndodhur më parë dhe që do të ndodhte në të ardhmen, librat që u ishin shpallur të dërguarve përpara tij, dhe më mësoi për bindjen e për mëkatin. Unë i mbajta mend të gjitha e s`kam harruar as edhe një shkronjë të vetme. Pastaj i Dërguari (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) e vuri dorën mbi gjoksin tim dhe iu lut Zotit që të ma mbushte zemrën me dituri, urtësi dhe dritë.
Unë i thashë: O i Dërguar i Zotit! Babai dhe nëna ime t`u bëfshin kurban, unë s`kam harruar asgjë, që nga dita kur je lutur për mua dhe nuk kam lënë asgjë pa shkruar. Mos ke frikë vallë se unë mund të harroj diçka?
Ma ktheu: S`kam frikë nga padituria dhe nga harresa kur bëhet fjalë për ty..


E pyetën Imam Xhaferin (pqmt): Ka ca grupe që përcjellin hadithe nga i Dërguari nëpërmjet filan njerëzve. Ndonse ju përcillni hadithe të ndryshme prej tyre, përse vallë këto persona nuk akuzohen se janë gënjeshtarë?
Imami tha: Edhe hadithet mund të shpallen të pavlefshme (të abrogohen) njësoj si vargjet e Kur`anit.


Një njeri i tha Imam Xhaferit (pqmt): "Ndonjëherë vij tek ju dhe ju pyes diçka  e ju më përgjigjeni. Pastaj vjen një tjetër njeri dhe atij i jepni një përgjigje të ndryshme për pyetjen e njejtë. Përse është kjo?"
Imami tha: "Arsyeja e kësaj është se ne ndonjëherë u japim shpjegime të hollësishme njerëzve dhe ndonjëherë më të shkurta."
Njeriu i tha: "Më tregoni për ashabët (shokët) e të Dërguarit! A gënjenin ata vallë kur i përcillnin thëniet e tija ose e thonin të vërtetën?"
"E thonin të vërtetën", tha Imami.
"Atëherë përse kishin mosmarrëveshje mes veti?", e pyeti njeriu.
Imami ia ktheu:
"A nuk e di se ndonjëherë vinte dikush tek i Dërguari, e pyeste atë dhe ai i përgjigjej. Por pas një kohe, ai jepte një përgjigje që e shpallte të pavlefshme atë të parën. Hadithet mund ta shpallin të pavlefshëm njëri-tjetrin."


Përcillet se Imam Muhammed Bakiri (pqmt) i tha njërit: O Zijad! Si do të ishte sikur t`u jepnim fetva ndonjërit nga dashamirët tanë duke qenë në gjendje të "fshehjes" (takijjes)?
I thashë: T`u bëfsha kurban, ti e di më mirë se unë.
Imami tha: Nëse ky mik i yni vepron sipas urdhërit që kemi dhënë kur kemi qenë në "fshehje", do të ishte më e mirë për të dhe do të shpërblehej më shumë.
Sipas një versioni tjetër, Imami tha: Po të veprojë në përshtatshmëri me fetvanë tonë, do të shpërblehet por nëse e shpërfill, do të mëkatojë.


Zurar bin A`jeni i bëri një pyetje Imam Muhammed Bakirit (pqmt) dhe ai iu përgjigj. Pastaj erdhi një njeri tjetër, ia parashtroi pyetjen e njejtë dhe ai iu përgjigj ndryshe. Pastaj erdhi edhe një i tretë dhe atij iu përgjigj ndryshe nga dy të tjerët. Kur dy të tjerët dolën, Zurari e pyeti: O djali i të Dërguarit! Këta dy janë nga Iraku dhe janë nga ndjekësit tuaj. Ata kishin ardhur për t`ju pyetur për një çështje por ju u dhatë përgjigje të ndryshme që të dyve. Përse vepruat kështu?
Imami tha: O Zurare! Kjo është më e mirë edhe për ne edhe për ju dhe ka ndikim më të gjatë. Po të pajtoheni për një çështje, njerëzit do të kuptojnë se jeni ndjekësit tanë. Dhe po të ngjajë kështu, edhe neve edhe juve do t`u mbetet shumë pak kohë për të jetuar.
Pastaj Zurare ia parashtroi të njejtën pyetje edhe Imam Xhaferit (pqmt): Ndjekësit tuaj janë aq të lidhur pas jush që do t`u bindeshin fjalëve tuaja edhe sikur t`i bënit të ecnin drejt shtizave dhe t`i hiqnit zvarrë mbi zjarr. Por edhe përkundër kësaj, ata largohen nga prania juaj me këndvështrime të ndryshme për të njejtën çështje.
Imam Xhaferi (pqmt) i dha një përgjigje të ngjashme me atë të babait të tij, Imam Muhammed Bakirit (pqmt).


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Kushdo që e di se ne nuk themi gjë përveç të vërtetës, le të jetë i kënaqur me atë që ka mësuar prej nesh dhe kushdo që dëgjon nga ne ndonjë fjalë që bie ndesh me atë që ka dëgjuar më parë, le ta dijë se ajo është një përpjekje e jona për ta mbrojtur atë.


Një ditë e pyetën Imam Xhaferin (pqmt) në lidhje me atë se ç`duhet bërë në situatat kur dy ndjekës të tij japin mendime të kundërta për një çështje të njejtë: "Si të veprojmë kur njëri thotë se është e lejuar të bëhet një vepër kurse tjetri e ndalon atë?
Imami tha: "Mos veproni derisa të takoheni me dikë që mund t`ju thotë me siguri se si qëndron puna. Derisa të takoheni me të, jeni të lirë për të vepruar si ju duket më saktë.
Sipas një versioni tjetër, Imami tha: Cilën që ta ndiqni nga këto mendime, do t`i bindeni të Dërguarit. Jeni të lirë ta zgjidhni njërin prej këtyre mendimeve.


Imami i tha një ndjekësi të tij: Po të të them një hadith këtë vit dhe pastaj, po të vish tek unë pas një viti dhe po të të them një gjë tjetër në lidhje me temën në fjalë, sipas cilës thënie do të veproje?
Ai i tha: Sipas thënies më të fundit që kam dëgjuar.
Imami ia ktheu: Zoti të shpërbleftë!


E pyetën Imam Xhaferin (pqmt): Nëse dëgjojmë një thënie të një Imami dhe pastaj dëgjojnë një thënie të Imamit pasardhës për po atë çështje, sipas cilës duhet të veprojmë?
Imami tha: Derisa të dëgjoni një thënie të një Imami që është gjallë, veproni sipas njërës prej këtyre! Po të dëgjoni një fjalë të Imamit të gjallë në lidhje me këtë, atëherë veproni sipas saj! Ne nuk u udhëzojmë në rrugë tjetër përveç asaj që mund ta duroni.
Sipas një versioni tjetër, Imami tha: Veproni sipas hadithit më të fundit që dëgjoni!


E pyetën Imam Xhaferin (pqmt): Nëse dy vetë nga ndjekësit tuaj zihen mes veti për punë trashëgimie a do të ishte e lejuar për to që t`i drejtohen sunduesit ose gjykatësit të shtetit?
Imami tha: Kushdo që u drejtohet atyre, qoftë për të vërtetën ose për gënjeshtër, pa dyshim, i drejtohet djallit. Të marrësh diçka duke u mbështetur në vendimin e tyre, qoftë kjo edhe e drejta jote, është njësoj si të marrësh diçka të ndaluar. Kjo sepse i bindesh urdhërit të djallit ndonse Zoti e ka ndaluar atë: Ata duan t`i binden gjykimit të djallit ndonse u qe urdhëruar që ta mohojnë atë..(4:60)
E pyetën: Atëherë si të veprojnë këta dy ndjekësit tuaj?
Ai tha: Le t`i drejtohen një njeriu që është nga ju, që i përcjell hadithet tona, i di ndalesat dhe të lejuarat dhe i njeh urdhërat që i kemi dhënë. Nëse ky njeri sjell një vendim, atëherë le ta pranojnë vendimin e tij. Unë e kam emëruar atë si gjykatës mbi ju. Nëse ky njeri sjell një vendim duke u mbështetur në mësimet tona dhe ndonjëri nuk e pranon atë, e shpërfill urdhrin e Zotit dhe na mohon neve. Ata që na mohojn neve, e mohojnë Zotin, gjë që është e barabartë me politeizmin.
Njeriu vazhdoi: Po nëse këta njerëz kërkojnë dy njerëz të ndryshëm nga ne, që t`i gjykojnë, thonë se do ta pranojnë gjykimin e të dyve dhe pastaj lindin mosmarrëveshje mes dy "gjykatësve" për shkak të haditheve të ndryshme që i përcjell secili?
Imami tha: Atëherë pranohet gjykimi i atij që është më i drejtë, më i ditur në çështjet e fesë, më i përpiktë në përcjelljen e haditheve dhe më i virtytshëm. Gjykimet e të tjerëve mbeten të pavlefshme.
Njeriu i tha: Po sikur këta dy njerëz të jenë të tillë që pranohen dhe respektohen njësoj nga rrethi i tyre dhe që s`mund të dallohen nga njëri-tjetri përnga virtytet?
Imami tha: Atëherë le të shihet hadithi sipas të cilit ata sjellin vendime. Në këtë rast, preferohen hadithet që janë të pranuara gjërësisht në mesin e ndjekësve tanë dhe nuk pranohen hadithet e panjohura. Kjo sepse nuk ka mosmarrëveshje në gjërat, për të cilat ka koncenzus të përgjithshëm.
Argumentet ndahen në tre grupe: në njërin grup janë argumentet, vërtetësia e të cilave është e padiskutueshme dhe të cilave njeriu duhet t`u bindet. Në grupin tjetër janë argumentet që janë qartësisht të gabuara dhe që nuk pranohen. Në grupin e tretë bëjnë pjesë argumentet e koklavitura, vërtetësia e të cilave nuk mund të përcaktohet lehtësisht. Njohuria për gjërat e tilla i lihet Zotit të Madhëruar dhe të Dërguarit të Tij, i cili ka thënë: "E ndaluara dhe e lejuara janë të qarta kurse gjërat që qëndrojnë mes tyre janë të dyshimta. Ai që ruhet nga gjërat e dyshimta, është i mbrojtur nga mëkatet kurse ata që i bëjnë gjërat e dyshimta, veprojnë sipas mëkatit dhe shkatërrohen në një rrugë që nuk e njohin fare."
Njeriu tha: Po sikur të dy gjykatësit të sjellin hadithe të mirënjohura, përcjellësit e të cilëve janë njerëz të besueshëm?
Imami tha: Atëherë pranohet ai argument që është në përshtatshmëri me Librin dhe me Traditën e Profetit por që bie ndesh me mendimin e amme-së (shumicës sunnite) dhe lihet mënjanë ai argument që nuk është në përshtatshmëri me Librin dhe me Traditën, ndonse mund të jetë në përshtatshmëri me mendimin e shumicës.
Njeriu tha: T`u bëfsha kurban, po sikur të dy gjykatësit të sjellin dy vendime që i argumentojnë nëpërmjet Kur`anit, prej të cilëve njëri i përshtatet mendimit të amme-së (shumicës sunnite) kurse tjetri jo?
Imami tha: Ndiqeni atë që është në kundërshtim me mendimin e tyre sepse në të është udhëzimi.
Njeriu e pyeti: Po sikur vendimet e gjykatësve të jenë në përshtatshmëri me dy rryma të ndryshme të amme-së?
Imami u përgjigj: Atëherë le të shihet se cilin prej dy dijetarëve të tyre, ata e përkrahin më shumë. Pastaj le të ndiqet mendimi i atij, të cilin ato e përkrahin më pak.
Njeriu vazhdoi: Po sikur dijetarët e tyre të kenë dhënë mendime që i përkrahin të dy vendimet, sipas cilit mendim duhet vepruar?
Imami tha: Kur të përballeni me një situatë të tillë, mos ndërmerni gjë derisa të takoheni me Imamin tuaj sepse të qëndroni pranë punëve të dyshimta është më mirë sesa të bini në rreziqe shkatërruese.


1: (shënim i përkthyesit) Në lidhje me fenomenin e zhvleftësimit (abrogimit) të një vargu kuranor nga një varg tjetër (arabisht: nes`h) dhe në lidhje me faktin se ky fenomen nuk paraqet një kundërthënie kuptimore dhe as "ndryshim mendimi" të Kur`anit, mund të shihet Tefsiri (komentimi i Kur`anit) "El Mizan", komentimi i vargjeve 21-25, pjesa  "Një diskutim mbi mrekullinë në përgjithësi dhe mbi mrekullitë e Kur`anit", nëntitulli: "Sfida e katërt specifike e Kur`anit: mosekzistenca e kundërthënieve brenda tij". Për ta lexuar këtë pjesë të veprës "El-Mizan"


Kapitulli 22


Mbi ndjekjen e Traditës së Profeti dhe argumentimin nga Libri


Përcillet nga i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij): Ka një realitet përtej çdo të vërtete dhe një dritë përtej çdo gjëje të saktë. Kur diçka përshtatet me Librin e Zotit, mereni atë, dhe nëse e kundërshton, lijeni mënjanë.


E pyetën Imam Xhaferin në lidhje me disa hadithe të përcjellura nga dy njerëz, prej të cilëve njëri është i besueshëm dhe tjetri jo. Ai tha: Kur t`ju vijë ndonjë hadith, pranojeni atë nëse gjeni ndonjë argument për të në Kur`an dhe në fjalët e të Dërguarit. Përndryshe, pranojeni atë që e përcjell një njeri më i besueshëm.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Çdo gjë duhet t`i referohet Kur`anit dhe Traditës profetike. Një fjalë që s`përshtatet me Librin e Zotit, s`është tjetër veçse një gënjeshtër e zbukuruar.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Një hadith që s`përshtatet me Librin e Zotit është një gënjeshtër e zbukuruar.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Në Mina, i Dërguari i Zotit u tha njerëzve: O njerëz! Një fjalë që përcillet prej meje dhe që përshtatet me Kur`anin është fjala ime por një fjalë që më mvishet mua dhe që s`përshtatet me Kur`anin s`është e imja.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Ai që vepron në kundërshtim me Librin e Zotit dhe me Traditën (Sunnetin) e Muhammedit është jobesimtar.


Përcillet nga Imam Ali ibn Husejni (pqmt): Vepra më e vlefshme pranë Zotit është ajo që qoftë edhe pak përshtatet me Traditën e Profetit.


Njëri erdhi tek Imam Xhaferi (pqmt) dhe e pyeti diçka. Pasi e morri përgjigjen, i tha  Imamit: Por fakihët (dijetarët e ligjit islam) nuk thonë kështu.
Imami u përgjigj: Turp të të vijë! Se mos vallë ke parë ti ndonjë fakih deri sot? Fakihu i vërtetë është ai që rri larg kësaj bote, e dëshiron amshimin dhe që vepron sipas Traditës së Profetit.


Përcillet nga i Dërguari i Zotit (pqmtmft): S`ka vlerë fjala pa vepra. S`ka vlerë asnjë fjalë e asnjë vepër pa qëllim të pastër.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Çdo njeri ka një periudhë të lumtur e përplot hare dhe një periudhë të qetë. Është i udhëzuar secili, qetësia e të cilit përshtatet me Traditën e Profetit dhe i devijuar, gjithkush që ngul këmbë në bidate.


Përcillet nga Imam Xhaferi (pqmt): Nëse veprat e një personi dalin jashtë kornizave të Traditës, ato duhet të tërhiqen brenda kufijve të saj.


Përcillet nga Imam Aliu (pqmt): Ka dy lloje të Sunnetit (Traditës së Profetit). Njëri lloj është i detyrueshëm. Ndjekja e tij do të thotë të jesh në rrugë të drejtë kurse largimi prej tij do të thotë devijim. Lloji i dytë është Sunneti që s`është i detyrueshëm. Ndjekja e tij është një virtyt por mosndjekja nuk është mëkat.