Një analizë mbi absurdin dhe mbi
Numan Mustafa
15.02.2009

PËRMBAJTJA:
Një analizë mbi absurdin dhe mbi...
E gjitha është një "LOJË"


Besoj se Kamynë mund ta analizojmë në dy aspekte. Në njërën anë si shkrimtar, si letrar dhe si mjeshtër të fjalës kurse në tjetrën si filozof dhe mendimtar.


Po ta analizojmë anën letrare të tij nuk kemi fjalë për të thënë përvec lavdeve që janë thënë tashmë miliona herë para nesh.


Nuk ka dyshim se Kamy e di mirë magjinë e fjalëve dhe i përdor fjalët mjeshtërisht dhe me një gjuhë shumë të thjeshtë por të bukur. Këto gjëra i di çdokush pak a shumë. Për këtë aspekt të tij nuk kam ç′të them, vetëm se të përkulem përpara tij si para një mjeshtri të madh të letërsisë dhe të fjalës. Mirëpo ana tjetër e medaljonit nuk është dhe aq e shëndritshme them unë.


Sepse po ta analizojmë Kamynë si filozof, unë do ta vlerësoja si deshtak, njësoj sic do ta quaja dështim të tërë filozofinë moderne perëndimore me gjithë gjenijtë e saj që shkëlqejnë në piedestalet e kulturës evropiane.


Ndoshta tingelloj si ata "intelektualet amatorë" qe mendojnë se do të arrijnë diçka duke i sharë pararendësit e tyre, por besoni se ky nuk eshte qëllimi im. Sepse të gjithë këta filozofë janë të fuqishëm, të famshëm dhe të ngritur. Mirepo ajo që kuptojne nga filozofia është pika që mua më duket tejet e gabuar. Në ato që kam lexuar prej tyre, e shoh përherë atë portret të njejtë.


Është përherë rasti i filozofit që thellohet në "shpirtin" njerëzor për të kërkuar atje dhe për t′i vënë në pah dhimbjet dhe problemet e njeriut të kohës së tij. Deri këtu është gjithcka ne rregull. Ajo që mua si një lexues i thjeshtë i tyre, më ka penguar, është fakti se këta filozofë të famshëm, ndalen në këtë pikë. E gjithë vepra e tyre përqëndrohet në trajtimin e këtij problemi, në gjetjen e origjines së tij dhe në manifestimet e ndryshme të tija në jetën e njeriut.


Mirëpo asnjëherë nuk shkohet një hap përpara për t′u kërkuar zgjidhja konkrete e problemit. Thënë më thjeshtë, merita e vetme e tyre del që të jetë fakti që problemeve të njeriut modern (që gjithkush i ndjen) u gjejnë një emër dhe definicion shkencor dhe pastaj merren me lojëra fjalësh. Domethënë është gjetja e një gjeme të madhe dhe pastaj vajtimi i pafund për të dhe për njëmijë fytyrat e tjera në të cilat shfaqet ajo në jetën tonë. Për mendimin tim, filozofia nuk duhet të ndalet në pikën e emërtimit të problemit.


Filozofi dhe mendimtari i vërtete duhet të shkojë përherë një hap më tej dhe të tregojë çfarë është zgjidhja dhe cila është rruga që duhet ndjekur. Duke e lexuar Kamynë dhe idenë e tij të absurdit (që për mua është më se absurde) mu kujtua një pjesë nga "Muri" i Jean Paul Sartre-it.


Personazhi është në burg bashkë me shokët e tij që i takojnë një ideologjie të caktuar për të cilën janë të burgosur. Në çastin kur janë në burg, në një monolog të brendshëm të tij, personazhi thotë:


"Përse të mos spiunoj?Përse të mos i tradhëtoj shokët e mi?"


Pyetja është shumë e thjeshtë në të vërtetë por njëherit edhe shumë e thellë. Është dilema e PSE-së njerëzore që nuk gjen përgjigje sikur njeriu ta kuptojë botën me teorinë e absurdit dmth. me një teori ku ekzistenca jonë është një "aksident kozmik" krejt i pakuptimtë dhe pa një shkak.


Përse? Sepse në rastin e teorisë së absurdit, njeriu ka te drejtën ta relativizojë çdo gjë dhe ky relativizim të jetë prapëseprapë i saktë. Kjo për shkak të mosekzistencës së një të Vërtete absolute dhe të një "parametri universal" që do të vendoste çfarë është e drejtë dhe çfarë jo. Thënë më shkurt, kjo është një filozofi në të cilën mungon Krijuesi që është edhe Shkaku fillestar dhe faktori që i jep "ngjyrim" dhe një domethënie të caktuar ekzistencës.


Në një mungesë të tillë të një të Vërtete absolute, vërtetësia mund t′i mveshet gjithçkaje në univers sepse e vërteta dhe e drejta bëhen një vlerë relative që do të ndryshonte në varësi prej pozitës së vëzhguesit dhe të qëllimit të tij. Kjo sjell kaosin...


Mund të paramendoni vallë një shoqëri ku gjithkush ka të drejtën e gjykimit ashtu si të dojë vetë? Kategorikisht jo, sepse një shoqëri e tillë do të dilte nga kornizat e të qenit shoqëri.


Ky grupim njerëzish s′do të ishte asgjë më tepër sesa një kaos i gjallë. Për këtë arsye një shoqërie i duhet një ligj i caktuar që do të vendosë se çfarë duhet konsideruar e drejtë dhe çfarë jo.


Nëse një sistem aq i vogël dhe i thjeshtë e ka të domosdoshme ekzistencën e një ligji rregullues, pa dyshim edhe intelekti dhe ekzistenca njerëzore ka nevojë për një parametër të tillë në kuptimin shumë më të gjerë dhe shumë më absolut të fjalës. Ka nevojë për një të Vërtetë absolute, për një Shkak fillestar që do të jetë Arkitekti dhe Arsyeja e ekzistencës dhe që asaj do t′i japë ngjyrimin që do të dojë vetë. Domethënë, një Mbiekzistencë që duke u mbështetur në autoritetin e të qenit Krijues i "lojës", do t′i vendosë edhe rregullat e saja. Pikërisht kjo i mungon filozofisë së Sartre-it, Kamysë dhe të ngjashmëve si ata.


U mungon Zoti në një univers ku ekzistenca e Tij është një domosdoshmëri logjike dhe teknike. Kamy është një filozof shumë i suksesshëm në hapin e parë të procedurës, atë të gjetjes së problemit. Por siç thashë më parë, ai ndalet në atë pikë dhe nuk vazhdon për të zhvilluar ose zbuluar një zgjidhje për të. Dhe zgjidhja është shumë e thjeshtë.


Absurdi i ekzistencës njerëzore zhduket në çastin kur në ekuacionet tona përfshihet Krijuesi dhe Shkaku fillestar. Gjithçka ndryshon, gjithçka merr kuptim, piktura fillon të fitojë ngjyrë dhe të ndahet e kuqja nga e verdha, e zeza nga e kaltra.


Sado e prapambetur dhe tradicionaliste që të duket, unë insistoj në atë se zgjidhja e problemit të absurdit janë Shkrimet dhe Ligjet e shenjta që sjellin mbi njeriun obligime duke e dënuar me diçka më të madhe sesa vdekja dhe duke e shpërblyer me diçka shumë më të madhe se pasuria dhe jeta. Duke e shpërblyer pikërisht me atë që njeriu e kërkon përherë, me atë për të cilën ai lufton dhe për të cilën ai mbledh pasuri dhe përpiqet që të lërë një vepër të madhe.


Ligji Hyjnor ia premton njeriut pikërisht pavdekshmërinë... Kjo mënyrë, në dukje shumë më primitive se filozofitë tona moderne, është në fakt shumë me efikase dhe më afatgjate.


Njeriut i duhet një ligj absolut i cili nuk do ta lejojë atë të relativizojë me të vërtetën sepse relativizimi me të vërtetën sjell pasoja në jetën tonë të përditshme që mund t′i shohim qartë në ditët tona. Sot dhe gjithmonë gjatë historisë njerëzore të mbushur me agresorë, e vërtetë ka qenë ajo gjë që shkëlqen më bukur mbi shpatën e të fuqishmit. Kjo nuk ndryshon akoma edhe në shekullin e "demokracisë" (që profesori im i gjermanishtes me ironi e quante DEMONkraci) ku e drejta e një kombi për të mbijetuar përcaktohet në varësi prej pozitës që ka ky komb në hesapet e të fuqishmive. Ajo që dua të them, është se në mungesën e një Ligji Hyjnor, rolin e Hyjnisë e merr më i forti, që zakonisht(për të mos thënë përherë) ndodh që të jetë agresori dhe përbindëshi më i madh i përrallës i cili duhet të ushqehet me gjakun e të vegjëlve për të mbijetuar.


Më e keqja e të gjithave është bindja jonë (them e kulturës Perëndimore) ndaj këtij fakti, moskundërshtimi dhe të menduarit ashtu si do "Hyjnia" tokësore. Kjo është pikërisht pasoja e filozofisë së absurdit ku nuk ekziston e Vërteta absolute dhe zëvendësohet me të "vërtetën" relative që ndryshon sipas qëllimit dhe strategjisë të atij që e merr përsipër rolin e "hyjnisë" mbi tokë. Tani pas gjithë këtyre fjalëve, ndonjë mendimtar i mirë dhe provokues do të thoshte: "Ashtu qoftë.


Ta pranojmë se ekziston Zoti, Ligji i Tij dhe Gjykimi. Po a nuk është edhe ky një absurd më i madh? A nuk lind pyetja: përse e gjithë kjo? Përse i gjithë ky skenar i bukur, ferri, parajsa, ëngjëjt, përse kjo lojë?" Kjo është pikërisht ajo që duhet kuptuar. Fakti se e gjithë kjo teori e botës së përtejme, e Gjykimit (që do ti jepte rend dhe kuptim jetës sonë), e parajsës dhe ferrit dhe e gjithçkaje tjetër që ekziston, në një mënyrë ose një tjetër është teoria e një LOJE të bukur. Pra i gjithë krijimi është një lojë e bukur që u krijua nga Arkitekti, me një qëllim që vetëm Ai e di, dhe që një ditë do të përfundojë. Pra ligji i parë i ekzistencës është:


E GJITHA ËSHTË NJË "LOJË"...


Për shumicën kjo do të mjaftonte për ta riabsurdizuar situatën dhe për ti dhënë të drejtë Kamysë. Por edhe njëherë do të gaboheshin sepse do të harronin se Kamy është filozofi tipik i shekullit të njëzetë i cili vetëm i shtron problemet dhe nuk kërkon zgjidhje. Për mendimin tim, zgjidhja vjen në ligjin e dytë: "Ndonse ekzistenca është një "lojë" e bukur, ajo DUHET dhe në një mënyrë ose një tjetër DO TË luhet deri në fund pa patur mundësi për t′u ndarë nga loja sepse njeriu është i krijuar për të.


Si krijesë e bërë për ta luajtur lojën, ai nuk mund të bëjë një veprim që do të ishte "jashtë lojës" sepse gjithçka që ai sheh, dëgjon, prek, shijon, mendon ose imagjinon është pjesë e po të njejtës lojë. Si rrjedhojë, njeriu nuk mund (dhe nuk duhet) ta mendojë "përtejlojën" për arsyen e thjeshte se në atë "kohëhapësirë" të përtejme ai nuk ekziston, as si ekzistencë materiale as si intelekt."


Për një ateist kjo teori e lojës është vetëm një përpjekje e kotë e konzervativëve për ta arsyetuar ekzistencën e Zotit kurse për një besimtar të zakonshëm që sado që të thellohet në fe, mbetet i lidhur për egon e tij, është më se e rrezikshme... Kjo për faktin se themeli i besimit të tij është shpërblimi që do ta fitojë në Parajsë ose frika nga dënimi në Ferr.


Kurse ai që do ta kuptonte teorinë e "lojës" ashtu si duhet dhe që do ta zhvishte këmishën e egos së tij, do ta luante lojën deri në fund, me mish e me shpirt, gjithnjë duke e patur parasysh se është vetëm një lojë e destinuar të përfundojë. Ai do ta kuptonte se e tërë "loja" hyjnore, njësoj si lojërat tona njerëzore (se fundja ne nuk dimë tjetër veçse ta imitojmë Zotin), nuk është kurrë një qëllim por një mjet për të mësuar ose për të mbajtur në këmbë një gjë tjetër...


Sportet janë lojëra të nevojshme për ta mbajtur shëndetin fizik, shahu është lojë e dobishme për zhvillimn mendor por është vetëm një lojë.


Qëllimi i zhvillimit mendor në shah nuk është të luajturit e sërishëm të shahut sa më mirë por të përdorurit e këtij zhvillimi për diçka të dobishme sepse në rastin e kundërt zhvillimi mendor do të ishte i kotë.


Njësoj edhe Loja Hyjnore nuk është qëllim por një mjet për ta kuptuar të Vërtetën absolute (që është e dhimbshme për shumicën)gjegjësisht faktin se Uni dhe Ekzistenca e vetme është Zoti...Faktin se jo vetëm që nuk ka Zot tjetër por që nuk ka edhe Ekzistencë tjetër të vërtetë veç Tij... Si përfundim mund të them se Kamy është mjeshtër i madh i fjalës dhe i letërsisë por një mendimtar i dështuar dhe tejet sipërfaqësor në trajtimin e ekzistencës njerëzore.


Mirëpo siç bëhet zakonisht në kulturën tonë, ka më shumë rëndësi një mendim që do të bëjë bujë në mesin e njerëzve sesa vertetësia, logjikshmëria dhe dobia e këtij mendimi. Kamy do të vazhdojë të lexohet nga njerëzit vetëm për faktin se të lexuarit e tij është etiketuar si diçka intelektuale dhe që të jep peshë në takimet e tua me njerëzit e tjerë.


Është fatkeqësi e madhe e kulturës perëndimore fakti se më shumë rëndësi i jepet të lexuarit sesa të mësuarit gjënë e duhur dhe të nevojshme nga ai lexim. Kjo është kështu dhe nuk ndryshon. Fundja ne jemi gjenerata që luan shah për ta zhvilluar të menduarit që të mund ta luajë më mirë lojën tjetër të shahut...