Epopeja e Qerbelasë (pjesa II)
Dr. Ibrahim Ajati
13.11.2014



Përmbatja:
Nisja e Imam Husejnit (a.s) nga Medineja
Rruga drejt  Irakut dhe virtytet e Imam Husejnit (a.s)
Përballja e Imam Husejnit (a.s) me Hurrin
Arritja e Imam Husejnit (a.s) në Qerbela
Fjalimi i Imam Husejnit (a.s) në natën para Ashures
Mëngjesi i Ashures
Lutja e Imamit në mëngjesin e Ashures
Fjalimi i Imam Husejnit (a.s) përballë ushtrisë së Jezidit 


 


12. Nisja e Imam Husejnit (a.s) nga Medineja


Pas nisjes nga Medineja, Imam Husejni arriti në Mekke më 3 Sha’ban dhe në mes të muajit Ramazan, e dërgoi Muslim ibn Akilin në Kufe. Që nga ajo kohë dhe deri në ditën e tetë të muajit Dhilhixhxhe, ai qëndroi në Mekke. Askujt nuk i shkonte ndërmend se më 8 Dhilhixhxhe, pikërisht kur të gjithë pelegrinët hynin në gjendjen e “ihramit” për ta kryer haxhxhin, nipi i të Dërguarit të Zotit do të largohej nga Mekkeja pa i kryer ritualet e haxhxhit. Por edhe përkundër asaj që pritej, Imam Husejni vendosi të largohej nga Mekkeja. Ai eci përreth Qabes, bëri “sa’j” ndërmjet kodrave Safa dhe Merve dhe më në fund doli nga gjendja e “ihramit”, sepse ekzistonte rreziku i arrestimit ose i vrasjes së tij brenda kufijve të zonës së shenjtë të Mekkes. Po të vritej atje, ai s’do t’ia arrinte qëllimit. Imami nuk iku nga Mekkeja për t’i shpëtuar vdekjes. Ai u largua nga Mekkeja, që sikur të vdiste, kjo të ishte në një mënyrë që do të kishte dobi për Islamin.


Sipas asaj që përcillet në veprën “el-Luhuf”, Imami mbajti një fjalim para nisjes së tij. Pasi e lëvdoi Zotin e Gjithëfuqishëm, ai tha: “Vdekja është e pashmangshme për njeriun, posi gjurmët e gjerdanit mbi qafën e një vashe.” Me këto fjalë, ai nënkuptonte se gjatë atyre ditëve, shthurrja shoqërore dhe fetare nuk mund të korigjohej ndryshe, veçse nëpërmjet vdekjes së një njeriu si ai, që ishte nipi i të Dërguarit të Zotit.


Në fjalimin e tij para largimit nga Mekkeja, Imam Husejni flet për rënien dëshmor, për vdekjen, për daljen para gjyshit të tij dhe para prindërve, duke rënë viktimë e ujqërve të uritur të Qerbelasë. Ai u tregoi njerëzve se rruga e tij do të mbaronte në atë mënyrë. E dimë se Imam Husejni e mbajti këtë fjalim para ditës së tetë të muajit Dhulhixhxhe dhe me shumë gjasa, në ditën e shtatë të këtij muaji, para pelegrinëve të mbledhur në Shtëpinë e Zotit. Në atë kohë, kushtet politike ishin të volitshme për Imam Husejnin dhe njerëzit kryesisht mendonin se Jezidi do të tërhiqej bashkë me Kalifatin e tij të rrënuar, që më në fund t’i kthehej Husejnit Kalifati që i takonte. Kjo bindje ekzistonte edhe falë raportit që emisari i Husejnit në Mekke, Muslim ibn Akili, e kishte dërguar. Në të, ai thoshte: “Të gjithë njerëzit janë me ty dhe nuk e njohin Kalifatin e askujt tjetër. Ata nuk njohin sundues tjetër veç teje. Andaj duhet të vish sa më shpejt.” Në dukje, kushtet ishin shumë të volitshme dhe shpresëdhënëse. Por edhe përkundër kësaj, Imam Husejni fliste për vdekjen dhe për rënien dëshmor, duke ua përkujtuar njerëzve ashpërsinë e “ujqërve” të Irakut.


Siç shprehëm edhe më sipër, Imam Husejni deshi t’u qartësonte njerëzve se asgjë e dobishme dhe pozitive nuk mund të arrihej pa rënien dëshmor të atij vetë, bashkë me shokët e tij. Ja përse ai thoshte me ngulm se njeriu nuk mund t’i shpëtojë vdekjes. Ai tha: “Mezi pres ta shoh të Dërguarin e Zotit, Aliun, Hamzën, Xhaferin dhe nënën time Fatimenë, njësoj siç dëshironte Jakubi ta shihte Jusufin. Një vend është caktuar nga Zoti ku unë do të bie dëshmor dhe unë andej kam për të shkuar.” Nga këto fjalë të Imam Husejnit, mund të kuptohet se kjo lëvizje ishte pjesë e një plani hyjnor dhe jo thjesht një plan i Husejn ibn Aliut. Mbase Zoti i Gjithëfuqishëm kishte vendosur se një devijim i tillë do të ngjante në shoqërinë muslimane dhe se Husejn ibn Aliu duhej të bënte një sakrificë të pashembullt për ta ndryshuar situatën.


Imami tha: “Sikur po i shoh ujqërit e Irakut se si më sulmojnë ndërmjet Nevevisit dhe Qerbelasë, duke më bërë copë. Ata i mbushin krahët e tyre të zbrazur dhe xhepat bosh. Atyre u takon që t’i mbushin xhepat dhe të ushqehen deri në ngopje dhe mua më takon të luftoj kundër kësaj shthurrjeje fetare dhe shoqërore. Ky është plani i Zotit dhe është pikërisht Ai që nëpërmjet vdekjes sime do t’i rregullojë punët e këtij populli. S’ka mundësi të ikë njeriu nga përcaktimi i Tij. Ne, familja e të Dërguarit, jemi të lumtur kur Zoti është i kënaqur me atë që bëjmë. Neve na pëlqen vetëm ajo që i pëlqen Zotit. Ne i durojmë të gjitha vështirësitë që Ai i sjell përballë nesh dhe Ai pastaj na shpërblen me shpërblimin e atyre që durojnë. Unë jam një pjesë e trupit të të Dërguarit të Zotit dhe një pjesë e trupit të tij s’mund t’i qëndrojë larg. Unë do t’i bashkangjitem në Parajsë, që ai të jetë i lumtur që më sheh dhe ta përmbushë premtimin që më është dhënë. Vetëm ai që është i gatshëm të vdesë për mua dhe të takohet me Zotin e tij, le të vijë! Në dashtë Zoti, nesër kam për t’u nisur.”


 


Feja hyjnore, të drejtat e njerëzve dhe interesat e shoqërisë muslimane mund të mbrohen në mënyra të ndryshme, në varësi me epokën për të cilën bëhet fjalë. Kjo mund të jetë duke falur pasuri për hir të Zotit, mund të jetë duke folur për hir të Zotit dhe duke i sjellur njerëzit në rrugën e Tij nëpërmjet këshillave. Kjo mund të bëhet edhe nëpërmjet shkrimit të një libri për hir të Zotit, që të mund njerëzit të sillen më pranë të vërtetës. Megjithatë, Imam Husejni shpalli se në pozitën, në të cilën ndodhej shoqëria muslimane në atë kohë, problemi nuk mund të zgjidhej me donacione ose me fjalime. Gjendja kishte ardhur në një pozitë të tillë, sa shthurrja nuk mund të shkatërrohej veçse me vetësakrificë dhe me gjak.


Ishte i gabuar qëndrimi i disave, të cilët mendonin se ngase Husejni do të hapëronte në rrugë të Zotit, mjaftonte që atij t’i jepnin ndihmë financiare, t’i dhuronin nja dy shpata ose të thonin ashtu siç tha Ubejdullah ibn Hur Xhuafiu, se do t’i dhuronte një kalë të shpejtë. Husejn ibn Aliut nuk i duheshin shpata, shtiza, kuaj ose para, por vetëm njerëz që me sinqeritet të plotë do ta jepnin jetën e tyre për hir të kauzës së tij. Ai tha: “Vetëm ai që është i gatshëm ta sakrifikojë jetën e tij për Zotin dhe të takohet me të Gjithëfuqishmin, le të më bashkangjitet në këtë rrugë.Po të dojë Zoti, nesër në mengjes do të nisem.”


Është e habitshme që edhe pas gjithë këtyre fjalëve të qarta dhe pa kompromis të Imamit, shumë oportunistë iu bashkangjitën, me përshtypjen se rrethanat ishin të favorshme. Shumë prej tyre qëndruan me Imam Husejnin derisa e morën lajmin e vrasjes së Muslim ibn Akilit në Kufe. Njerëzit e tillë gjithnjë ishin në anën e atij që do të bëhej Kalif dhe që do ta merrte në dorë pushtetin. Ata nuk ishin të gatshëm ta përkrahnin një Imam që do të vritej si dëshmor, që do të mbetej pa një pikë uji dhe të gjithë miqtë e të cilit do të stoliseshin me kurorën e lavdishme të martirit. 


 


13. Rruga drejt Irakut dhe virtytet e Imam Husejnit (a.s)


Në këtë pjesë do të përcjellim disa hadithe në lidhje me Imam Husejnin që janë përmendur në veprën “Usud’ul-Gabe” të Ibn Ethirit.


 


Një ditë, një njeri e pyeti Abdullah ibn Umarin: “Si duhet të veprohet nëse gjaku i një mushkonje i prek rrobat e një personi?” Abdullahu u përgjigj: “Pa shih! Ky njeri i Irakut pyet për gjakun e një mushkonje, ndonse vetë irakienët e vranë djalin e të Dërguarit, për të cilin unë vetë e kam dëgjuar atë të thotë: Hasani dhe Husejni janë dy lulet e mia erëmira në këtë botë.”


 


I Dërguari thoshte: “Husejni është prej meje dhe unë jam prej Husejnit. Zoti e do atë që e do Husejnin. Ai është djalë Profeti dhe baba i Imamëve.” 


Anas bin Harth Kahili dhe babai i tij, të cilët ishin shokët (sahabe) të të Dërguarit të Zotit, përcjellin se i Dërguari ka thënë: “Ky djali im (Husejni) ka për t’u vrarë në një vend në Irak. Kushdo që është i pranishëm atje dhe mund ta ndihmojë, le ta ndihmojë atë!” 


Kushtet për atë që paralajmëroi Profeti u poqën në vitin 60 pas Hixhrit dhe Imam Husejni u bë gati të përballej me vdekjen. Megjithatë, gjendja nuk ishte e tillë që Husejni s’kishte kurrfarë mundësie për t’iu shmangur vdekjes, siç kanë menduar disa dhe se ai do të vritej edhe sikur të dorëzohej. Nuk është i saktë mendimi se rënia dëshmor e Husejnit ishte pasojë e një gjendjeje të pashpresë dhe pa rrugëdalje. Po të ishte e tillë situata, atëherë si është e mundur që e gjithë bota t’i japë kaq shumë rëndësi kësaj lëvizjeje të shenjtë? Ky ka qenë shpirti i çdo lëvizjeje të shenjtë në historinë e Islamit, qofshin para Imam Husejnit ose pas tij, në lëvizjet e prira nga Zejd bin Aliu, Husejn bin Zejdi, Sahib Nefs Zekijje ose nga vëllezërit e tij Ibrahimi, Husejn Shehid Fakhu dhe të tjerët. Si është e mundur që një lëvizje e tillë të analizohet me pretendime kaq të pabaza?


Këndvështrimi më i saktë mbi këtë ngjarje është ai që e kemi përcjellur më herët, kur thamë se drejt fundit të vitit 60 pas Hixhrit dhe në fillim të vitit 61, Imam Husejni po shihte se shoqëria islame kishte arritur një shkallë të lartë të degradimit moral dhe shpirtëror, i cili s’mund të korigjohej veçse me kryengritje dhe me sakrifica të mëdha. Kjo s’do të thotë kurrsesi se Imam Husejni s’kishte mundësi të vazhdonte me jetën e tij normale dhe se për këtë arsye ai vendosi të vdiste si dëshmor. Ajo që duam të përcjellim është se Imam Husejni nuk shihte një të ardhme për ekzistencën e fesë dhe për shoqërinë muslimane, sikur të mos bëhej një revolucion i tillë. Ai erdhi në përfundimin se që të mund të mbijetonte shoqëria muslimane, ai vetë duhej të sakrifikohej, bashkë me të afërmit e tij si Zejnebja, Umm Kulthumi, Fatima bint Husejni dhe Ali ibn Husejni (paqja qoftë mbi ta), të cilët si oratorë nga më të fuqishëm të botës islame, do ta vazhdonin misionin e Imam Husejnit duke e tërhequr vëmendjen e njerëzve drejt gjendjes së turpshme të shoqërisë. Një ftesë e tillë do ta shpëtonte shoqërinë muslimane nga shkatërrimi, do ta mbante gjallë lëvizjen e nisur nga Husejni dhe me këtë, do të hapte rrugë për të gjitha lëvizjet fetare të muslimanëve në të ardhmen.


Pasi Velid bin Utbe, guvernatori i Medines, u përpoq ta detyronte Imamin t’u bindej urdhrave të Kalifit të kohës dhe t’ia shprehte besnikërinë në mbrëmjen e 28 Rexhebit, Imami nuk i dha një përgjigje dhe kërkoi kohë deri ditën e nesërme. Më pas, Abdullah ibn Zubejri u alarmua dhe u largua nga Medineja një ditë më pas, ndërkohë që Imam Husejni ishte akoma në Medine.


Ditën tjetër, ai doli jashtë për të parë në kishte ndonjë lajm të ri dhe në rrugë u takua me Mervan bin Hakemin, i cili gjatë bisedës së tyre i tha:  “Unë jua dua të mirën. Duhet të më dëgjoni dhe të veproni ashtu si ju them.”


Imami u përgigj: “Thuaj ç’ke për të thënë! Po të jetë vërtet për të mirën time, atëherë do ta pranoj pa dyshim.”


Mervani vazhdoi: “Ju këshilloj që t’ia shprehni besnikërinë Jezidit. Kjo do të jetë më e mira edhe për këtë botë edhe për besimin tuaj.”


Si përgjigje, Imami tha: “Të Zotit jemi dhe tek Ai është kthimi ynë...” (Kur’an 2:156) Ky varg recitohet zakonisht në rrethana kur një besimtar ka dëshirë ta ngushëllojë veten përballë vështirësive. Vështirësitë që e detyruan Imamin ta recitonte këtë varg dhe të gjente ngushëllim në kuptimin e tij, ishte degradimi i muslimanëve, të cilët kishin devjiuar aq shumë nga rruga e drejtë e besimit, sa Mervani do të guxonte t’i thoshte Husejn ibn Aliut se sikur të mos i bindej Jezidit, edhe jeta e tij në këtë botë por edhe besimi i tij do të shkatërroheshin. Në vijim, Imami i tha: “Nëse punët e Islamit kanë rënë në atë gjendje që Jezidi ta marrë në duar pozitën e mbrojtësit të Islamit dhe të muslimanëve dhe të jetë pasardhës i Profetit, atëherë duhet të lutemi që Zoti ta shpëtojë Islamin. Unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Zotit të thotë se Kalifati është i ndaluar për familjen e Ebu Sufjanit.”


Biseda ndërmjet Imamit dhe Mervanit u zgjat dhe u nxeh më tepër dhe më në fund, Mervani u largua i inatosur.


 


Imam Husejni shkoi nga Medineja në Mekke dhe më pas, më 8 Dhilhixhxhe, në ditën kur Hani bin Urva u arrestua nga Ibn Zijadi në Kufe dhe Muslimi filloi një kryengritje në qytet, Imam Husejni u nis drejt Irakut. Muslimanët u habitën jashtë mase me këtë largim të papritur të Imamit, për më tepër që ritualet e haxhxhit sapo kishin filluar.


Farazdaku, një poet tejet i famshëm në historinë e Islamit, thotë:


Në vitin 60 pas Hixhrit, unë e mora nënën time dhe shkova në Mekke për të bërë haxhxh. Kur arrita në rrethinat e tempullit të shenjtë dhe po e ngisja devenë e nënës sime, e pashë Husejn ibn Aliun. Ai ishte i armatosur dhe po largohej nga Mekkeja. I pyeta njerëzit: “Kujt i takojnë këto deve?” Ata më thanë se ishin të Husejn ibn Aliut. Më pas shkova tek Imami, e përshëndeta dhe i thashë: “O djali i Profetit! Zoti t’i përmbushtë dëshirat e t’u bëfshin kurban prindërit e mi! Përse po largohesh nga Mekkeja pa i kryer ritualet e haxhxhit?” Ai ma ktheu: “Po të mos ngutesha e të dilja nga qyteti, do të burgosesha.” Pastaj më pyeti: “Dhe kush je ti?” Unë iu përgjigja: “Jam një arab.” Betohem në Zotin se nuk më bëri ndonjë pyetje tjetër. Pastaj tha: “A ke dëgjuar gjë në lidhje me njerëzit që i ke lënë pas (dmth. ata të Irakut)?” I thashë: “E ke gjetur njeriun e duhur për ta pyetur. Unë i njoh mirë ata. Zemrat e tyre janë me ty kurse shpatat kundër teje. Urdhri hyjnor zbret nga qiejt dhe Zoti e bën atë që do.”


Imami u përgjigj: “Bukur thënë. Gjithnjë ndodh ajo që dëshiron Zoti. Në është urdhri i Zotit ashtu si dëshirojmë ne, atëherë do ta falënderojmë Atë për këtë bekim. Është Ai që i ndihmon njeriut në të qenit mirënjohës. Dhe nëse s’është urdhri i Tij sipas dëshirave tona dhe nëse humben të gjitha shpresat, njeriu më qëllim e me zemër të pastër nuk zhduket.” Unë i thashë: “Zoti t’i përmbushtë dëshirat dhe të mbroftë nga të gjtha të ligat!” 


Më pas, Farazdaku i parashtroi disa pyetje Imamit në lidhje me ritualet e haxhxhit dhe u largua pasi i mori përgjigjet e duhura. 


Ajo që Imam Husejni ia tha Farazdakut duhet të shihet me kujdes. Ajo që nënkuptonte Imami është: unë nuk jam një njeri që i ka caktuar vetes një qëllim, po përpiqet për të dhe ka mundësi të dështojë. Unë vërtet kam një qëllim timin dhe çfarëdo që të jenë rrethanat, pa dallim se kush do të ngadhnjejë e kush do të pësojë disfatë, kam për t’ia arritur atij qëllimi. Një njeri mund  të përpiqet fort për të fituar pasuri. Një tjetër mund të përpiqet për të arritur një pozitë të lartë dhe një tjetër mund të përpiqet për të fituar shëndet më të mirë. Në këto raste, personi ose do ta arrijë qëllimin e tij ose do të dështojë në këtë gjë. Nuk ka ndonjë ligj të natyrës që thotë se njeriu domosdo do ta arrijë çdo qëllim të vetin. Shumë shpesh, edhe dëshirat tona më të sinqerta përfundojnë me dështime. Kjo është ajo që i ndodh shumicës së njerëzve. Njerëzit përpiqen për t’ia arritur qëllimit, ndonjëherë ia dalin mbanë por shumë shpesh, jo vetëm që dështojnë në arritjen e këtij qëllimi, por edhe e humbin pasurinë dhe madje jetën në këtë rrugë, pa fituar asgjë.


Imami thotë qartë: unë nuk jam nga ata njerëz dhe sido që të jenë rrethanat në Irak, unë kam për t’ia dalë mbanë. Unë jam kryengritur vetëm për ta kryer detyrën që Zoti ma ka dhënë. Qëllimi im nuk është që t’i sundoj muslimanët dhe të bëhem Kalif i tyre. Po të kem sukses, unë do ta kem kryer detyrën time me sukses. Por edhe nëse armiku im del fitimtar, unë sërish do ta kem kryer detyrën që më takon. Lëvizja ime s’ka qëllim tjetër.


Për njerëzit që nuk janë materialistë dhe që luftojnë në rrugë të Zotit, nuk ka fare dallim ndërmjet fitores dhe disfatës. Ky intepretim buron vetëm nga kufizimet gjuhësore sepse në të vërtetë, për një njeri që i është kushtuar Zotit, nuk ekziston fjala disfatë. Këtë ia tha edhe Imam Husejni Farazadakut, kur u takua me këtë të fundit gjatë rrugës për në Irak: nëse ia arrijmë qëllimit, do ta falënderojmë Zotin. Por nëse fati nuk është në anën tonë, ne nuk do të vdesim, sepse qëllimi ynë është i mirë. Ne mund të vritemi por nuk do të vdesim, sepse ka një dallim të madh ndërmjet shkatërrimit në njërën anë dhe rënies dëshmor në rrugë të Zotit, në anën tjetër.


Imami e tha të njejtën gjë edhe në ditën e Ashures (dita e dhjetë e muajit Muharrem), në njërin nga fjalimet e tija përballë njerëzve të Kufes. Duke recituar disa vargje të një shoku të Profetit, të quajtur Farva bin Muradi, ai la të kuptohej se e kishin gabim ata nga armiqtë dhe miqtë e tij, të cilët mendonin se ajo ditë do të ishte dita e vdekjes, e shkatërrimit dhe e disfatës së tij. Për Husejnin, ajo ishte dita e rënies dëshmor, dita e hapit të parë drejt përjetësisë.


Ibn Tavusi shkruan se kur Burajr bin Khuzajr Hamedaniu i këshilloi njerëzit dhe ata nuk e dëgjuan fjalën e tij, vetë Imami u ngjit mbi një deve dhe u kërkoi të heshtnin. Kur të gjithë heshtën dhe filluan të dëgjonin, ai e lëvdoi Zotin në mënyrë të denjë, iu lut atij ta bekonte Muhammedin, ëngjëjt dhe të gjithë profetët e tjerë dhe tha:


O njerëz! Le t’ju vijë turp që na mashtruat! Ju klithët për ndihmë dhe ne u ngritëm e dolëm në rrugë për t’ju shpëtuar. Por ju e drejtuat kundër nesh atë shpatë që ne ua patëm dhënë  dhe atë zjarr që ne e ndezëm për ta shkatërruar armikun tonë të përbashkët. Ju u bashkuat me armiqtë për të luftuar kundër miqve dhe dashamirëve tuaj, ndonse kurrë s’keni parë drejtësi prej tyre në të kaluarën dhe s’keni shpresë për një gjë të tillë në të ardhmen. Kini turp! Pse nuk vendosët si duhet dhe nuk u ndatë prej nesh atëherë kur shpatat ishin në mill dhe njerëzit ishin të qetë? Përse filluat të ikni me ngut si karkalecë të sapopjekur? Përse ratë në zjarrin trazirave si një flutur nate? Mos qofshi të bekuar o njerëz të ligë që e keni hedhur mënjanë Kur’anin dhe keni luajtur me fjalët e tija!


O përkrahës të mëkatave dhe miq të djallit! O njerëzit që e shkatërruan traditën e Profetit! A keni hequr dorë nga përkrahja juaj dhe jeni bashkuar me mizorët? Betohem në Zotin se ju gjithnjë keni qenë tradhtarë dhe të pabesë. Ju jeni fryti më i prishur që s’i bën mirë mikut e i mbetet në fyt, ndërkohë që gëlltitet nga armiqtë. Ju ua zini frymën miqve dhe u premtoni përkrahje atyre, duke u mburur për burrërinë tuaj. Por kur vjen koha e sprovave dhe koha për ta mbrojtur Islamin e për të bërë sakrifica, ju s’jeni vetëm të padobishëm por edhe të tillë që me padrejtësinë e tyre nuk do t’i lenë rehat as miqtë.”


Më pas, Imami vazhdoi:


O njerëz të Kufes! Dijeni se ai “zinazade” (fëmijë i lindur nga një marrëdhënie jashtëmartesore; mendohet për Ubejdullah ibn Zijadin), djalë i një “zinazadeje” më ka detyruar të zgjedh ndërmjet dy gjërave: ose shpatën e nxjerrë nga milli, në një luftë ku do të bie dëshmor ose turpërimin duke iu bindur vullnetit të tij, që të veprojë me mua ashtu si të ketë dëshirë. Por çnderimi dhe turpërimi nuk janë për ne. Zoti nuk do që ne të turpërohemi e të çnderohemi. Profeti dhe besimtarët nuk lejojnë të turpërohen dhe të çnderohen.


Ne jemi rritur në prehër të nënave të pastra. Të rinjtë që kanë nder dhe burrat trima kurrë s’do të ecin rrugë së njerzëve të dobët dhe të pamoralshëm, derisa e kanë hapur para vetes rrugën e të rënit dëshmor. Ata kurrë s’do të pajtohen të çnderohen e të turpërohen. Ndonse miqtë e mi besnikë janë të paktë dhe të shumtë janë ata që më kanë tradhëtuar, unë s’do të zgjedh rrugë tjetër përveç luftës dhe s’do të hapëroj ndonjë shtegu tjetër veçse atij të të rënit dëshmor.”


 


Pikërisht në këtë rast, Imami e recitoi një poezi nga Farva bin Musajk Muradiu, e cila thotë: 


S’është gjë e re po t’kem’ fituar sot
Gjithnjë ne fituam mot për mot...
Se përherë ngadhnjen e Vërteta
humbur betejën a fituar ka... 


Dhe tash me guxim po hedhim çapin
S’njohim ne frikën, paburrërinë
Por ç’të bësh kur ashtu do fati
Neve vdekjen hise, të tjerëve mbretërinë. 


Por mbi një fis kur bie vdekja e copëton
Hiqet prapa pastaj dhe një tjetër shkatërron.
Prapë vdekja sot i thirr burrat e Hashimëve
Njësoj si dikur, në një ditë prej ditëve. 


E po të rrinin mbretërit përjetësisht mbi botë
Ne mbretër t’qiejve s’do të vdisnim dot...
Dhe të mirët po të mbeteshin prore gjallë
A thua ne do të vdisnim vallë? 


Thuaju atyre që sot me dhimbjen tonë kënaqen:
“Edhe koh’ e fundit tuaj pranë po vjen...” 


 


Me këtë shpirt dhe duke e treguar madhështinë, vendosmërinë, devotshmërinë dhe besimin e tij, Imami u nis nga Mekkeja drejt Irakut. Ai e dinte mirë se ç’ishte duke bërë dhe ç’rezultatesh do të sillte veprimi i tij. Megjithatë, shumë të tjerë, ndër të cilët jo pak miq dhe familjarë të Imamit, ishin të merakosur se rrethanat që dukeshin të favorshme atë çast, mund të ndryshonin dhe të bënin që Imami të vritej. Imami mund të përballej me vdekjen dhe të afërmit e tij i kërkonin që të mos shkonte.


Njëri nga këta njerëz ishte edhe Abdullah ibn Xhaferi, nipi dhe njëherit edhe dhëndri i Imam Aliut. Pas nisjes së Imam Husejnit nga Mekkeja, Abdullahu i dërgoi një letër nëpërmjet djemve të tij Aunit dhe Muhammedit. Në të, ai i kërkonte Imamit që për hir të Zotit, të hiqte dorë nga udhëtimi i tij. Ai shkroi:


Kam frikë se ti dhe njerëzit e tu do të bini dëshmorë e po të vritesh ti sot, drita do të zhduket nga bota, ngase njerëzit nëpërmjet teje gjejnë udhëzim dhe besimtarët tek ti mbështeten. Andaj mos u ngut sepse edhe unë do të vij pas kësaj letre.


 


Më pas, Abdullahu u nis bashkë me Amr bin Saidin, vëllain e guvernatorit të Mekkes. Me vete solli edhe një letër nga guvernatori i qytetit, në të cilën i garantohej Imamit një kthim dhe qëndrim i sigurt në Mekke. Që të dy erdhën tek Imami, ia dhanë letrën dhe insistuan që të kthehej. Përgjigja e Imamit ishte si vijon: “E pashë në ëndërr gjyshin tim, të Dërguarin e Zotit  dhe ai më tha të vazhdoj në rrugën time.” Ata i kërkuan që t’u tregonte se ç’kishte ëndërruar tjetër por Imam Husejni u përgjigj se nuk i kishte folur askujt për ëndrrën e tij dhe do të vazhdonte ta mbante fshehur. Abdullah ibn Xhaferi e humbi shpresën se Imami do të kthehej. Megjithatë, u urdhëroi dy bijve të tij ta shoqëronin atë. Që të dy ranë dëshmor në ditën e Ashures.


Imami e vazhdoi udhëtimin e tij drejt Irakut, derisa arriti në një vend pranë Kufes. Që atje, ai u dërgoi letra njerëzve të Kufes nëpërmjet Kajs bin Mashar Saidaviut dhe akoma s’e kishte marrë lajmin e vrasjes së Muslimit. Në këtë letër të tij thuhej:


E mora letrën e Muslimit dhe kuptova për besnikërinë, sinqeritetin dhe vendosmërinë tuaj për të më ndihmuar në rrugë të Zotit. I lutem Zotit që të mos e largojë bekimin e Tij nga ne dhe t’ju shpërblejë për sinqeritetin dhe vendosmërinë tuaj. Unë u nisa nga Mekkeja më 8 Dhilhixhxhe dhe po vij drejt juve. Kur të arrijë lajmëtari im në Kufe, ju duhet ta rifreskoni vendosmërinë tuaj dhe t’i rrisni përpjekjet. Po të dojë Zoti, edhe unë do t’ju bashkangjitem së shpejti.


 


Kajsi e mori letrën e Imamit dhe shkoi drejt Kufes. Por para se të hynte në qytet, u arrestua dhe u dërgua tek Ibn Zijadi (guvernatori i qytetit). Ai i kërkoi që të ngjitej në minberin e xhamisë dhe ta ofendonte Husejnin. Kajsi u ngjit në foltore, e lëvdoi Zotin dhe tha:


O njerëz! Husejni është më i miri i krijesave të Zotit që jetojnë mbi botë tani. Ai është djali i Fatimesë, i vajzës së Profetit tuaj. Ai më ka dërguar mua dhe ju të gjithë duhet të jeni të gatshëm për ta ndihmuar.


Pas kësaj,  ai e mallkoi Ubejdullahun dhe babain e tij Zijadin dhe iu lut Zotit që ta bekonte Ali ibn Ebu Talibin. Me urdhrin e Ibn Zijadit, ai u hodh nga çatia dhe të gjitha kockat iu thyen. 


Imami e vazhdoi rrugëtimin e tij drejt Kufes dhe arriti në një vend të quajtur Zurud. Atje ai e mori lajmin e vrasjes së Muslimit dhe të Haniut, me ç’rast tha: “Ne të Zotit jemi dhe tek Ai është kthimi ynë.” Përveç kësaj, ai vazhdimisht i lutej Zotit që t’i bekonte ata të dy.


Në një ndalesë të quajtur “Uzejbul Haxhenet”, ai kuptoi se edhe Kajs bin Meshari ishte vrarë. Në ndalesën vijuese gjatë rrugës, në vendin e quajtur “Zabala”, ai i informoi shoqëruesit e tij për vrasjen e Muslimit dhe Haniut dhe për gjendjen në Kufe. Atyre u tha: “Përkrahësit tanë në Kufe e kanë tërhequr përkrahjen e tyre. Secili nga ju që dëshiron të largohet, mund të largohet tani.” Pikërisht këtu, pjesa më e madhe e ndjekësve të tij u larguan dhe vetëm një numër i vogël njerëzish i mbeti pranë.


 


Muhammed ibn Xharir Taberiu, historian, dijetar i haditheve, komentues i Kur’anit dhe jurst i famshëm islam, në veprën e tij të titulluar “Historia e profetëve, mbretërve dhe kalifëve” (“Tarikh er-resul ve’l-muluk ve’l-hulafa” ose shkurt “Tarikh et-Taberi”) shkruan:


Imam Husejni u foli njerëzve në ndalesën e quajtur Zihasam. Në këtë fjalim, ai foli qartë për motivet e kryengritjes së tij dhe shpalli se ishte i gatshëm ta jepte edhe jetën. Ai tha: “Ju po shihni se ç’rrjedhë kanë marrë ngjarjet. Njerëzit po bëhen të ligë dhe tradhëtarë. Mirësia e tyre po humbet gjithë kohës. Bota po kalon me të shpejtë dhe prej saj nuk mbetet tjetër veçse ca gjëra të vogla dhe një jetë e pavlerë. Bota sot është si një livadh ku s’rritet tjetër veçse një bar i dëmshëm.” 


Përse Imami folte keq për gjendjen e kohës dhe përse ankohej e shprehte keqardhje? Ai vetë e shpjegon këtë në fjalinë përmbyllëse. Në të, ai nuk flet për problemet jetësore, për thatësinë ose për mungesën e paqes dhe të sigurisë. Gjëja që e bënte jetën të padurueshme për të, nuk ishte ndonjë gjë e rëndomtë që zakonisht ia vështirëson njeriut përditshmërinë.


Mjafton vetëm ta paramendojmë pak gjendjen. Karavani i tyre kishte arritur në Irak dhe ekzistonte rreziku që ushtria t’i rrethonte çdo çast. Disa vetë, megjithatë, dëshironin që Imami kurrë të mos e kishte ndërmarrë këtë udhëtim. Me shumë gjasa, disa nga njerëzit pa vizion në mesin e tyre e kishin përshtypjen se edhe Imami ishte i një mendimi me ta dhe se ndjente keqardhje për atë që kishte bërë. Andaj ishte e nevojshme që Imami deri diku t’i shpallte motivet e lëvizjes së tij dhe të thoshte qartë se ç’ishte ajo që ia bënte jetën të vështirë dhe të padurueshme. Pikërisht për këtë arsye, në fjalimin e mësipërme ai shtoi: “Gjendja e tanishme e muslimanëve është e tillë ku s’ndiqet e vërteta dhe ku njerëzit s’heqin dorë nga padrejtësitë.”


Ajo që donte të thoshte Imam Husejni, mund të përmblidhet si vijon: në këto rrethana është e nevojshme që një njeri si unë, pasardhës i të Dërguarit të Zotit, të ngrejë krye. A nuk shihni përreth? Pse nuk pyesni përse nuk e njoh qeverisjen e tanishme as formalisht dhe nuk e njoh Jezidin, nipin e Ebu Sufjanit, si prijës të muslimanëve? A nuk e dini se tani s’ka më vend për t’i bërë këto pyetje? A nuk e shihni gjendjen e muslimanëve dhe a nuk kuptoni se njerëzit nuk veprojnë sipas të Vërtetës?


Mund të lihet përshtypja se Imami nënkupton veset si thashethemet ose shpërfillja e namazeve. Megjithatë, e vërteta është tjetër. Mëkatet e tilla kanë ekzistuar gjithnjë, herë më pak e herë më shumë. Ajo që nënkuptonte Imami ishte se udhëheqësia e atëhershme e muslimanëve nuk përshtatej me Kalifatin e vërtetë dhe me pasardhësinë e të Dërguarit të Zotit. Kjo udhëheqësi nuk e ndiqte Profetin dhe kishte devijuar nga shtegu i saj natyral, i cili duhej të ishte një bindje ndaj të vërtetës dhe drejtësisë. Kalifati i atëhershëm ishte një sundim shtypës, i cili i linte të lirë tiranët dhe madje i nxiste ato.


Më pas, Imam Husejni tha: “Në rrethana të tilla, një njeri i virtytshëm duhet ta kërkojë vdekjen. Kjo gjendje e bën njeriun të kërkojë të bëhet dëshmor dhe të takohet me Zotin.”


Në fjalimin e mbajtur në Xhaminë e Shenjtë në Mekke, Imam Husejni kishte folur për vdekjen, për vetësakrifikimin dhe për rënien dëshmor. Edhe këtu ai po fliste për rënien dëshmor dhe për mungesën e dëshirës për të jetuar. Ai thoshte: “Të jetuarit me shtypësit s’të sjell veçse lodhje, zemërim e dëshpërim.” Atë që e tha këtu në lidhje me gjendjen e asaj kohe, Imami do ta thoshte shumë më qartë kur erdhi ballë për ballë me Hurr bin Jezid Rijahiun, i cili kishte ardhur nga Kufeja në krye të njëmijë kalorësve për ta arrestuar. 


 


14. Përballja e Imam Husejnit (a.s) me Hurrin 


Imam Husejni u përball me Hurrin dhe me ushtarët e tij më 1 Muharrem të vitit 61 pas Hixhrit dhe u ofroi ujë për t’ua shuar etjen. Më pas erdhi koha për namazin e drekës dhe Haxhaxh bin Masruk Xhuafiu, njëri nga dëshmorët e Qerbelasë, e recitoi ezanin.


Pas ezanit, Imami doli nga çadra e tij dhe bisedoi me ushtarët. Pasi e madhëroi Zotin, ai tha:


O njerëz! Arsyetimi im para Zotit dhe para ju muslimanëve të Kufes është se unë s’kam ardhur në Irak pa një arsye. Lajmëtarët tuaj erdhën tek unë dhe në letrat tuaja ju më thatë se s’kishit një prijës dhe më kërkuat të vij tek ju, që Zoti t’ju udhëzojë nëpërmjet meje. Ja ku jam tani. Nëse jeni gati të më siguroni, duke i përsëritur premtimet dhe zotimet tuaja, unë do të vij në qytetin tuaj. Por nëse ju shqetëson dhe ju pengon ardhja ime, atëherë unë jam gati të kthehem atje nga kam ardhur.”


Hurri dhe ushtarët e tij nuk i dhanë ndonjë përgjigje Imamit. 


Pas urdhrave të Imamit, Haxhaxhi e recitoi ikametin dhe të dyja ushtritë e falën namazin me xhemaat nën udhëheqësinë e Imam Husejnit. Pas një pushimi të shkurtët, edhe namazin e iqindisë e falën po kështu. Pas këtij namazi, Imami u mbajti edhe një fjalim tjetër ushtarëve të Hurrit dhe u tha:


O njerëz! Nëse i druheni Zotit dhe nëse e njihni të drejtën e atij që ka të drejtë, Zoti do të jetë i kënaqur me ju. Ne, njerëzit e familjes së Profetit jemi më të denjë  për t’ju udhëhequr dhe për të patur pushtet mbi punët tuaja materiale dhe fetare, sesa ata që ju sundojnë sot. Ata janë njerëz të pamend, të cilët kanë marrë në duar një pozitë të shenjtë dhe të brishtë që s’e meritojnë aspak. Ata po ju shtypin. Të tillët nuk mund të njihen si pasardhës të Profetit, si Imamë të muslimanëve dhe si mbrojtës të Islamit e të Kur’anit. 


Si përgjigje, Hurr bin Jezid Rijahiu i tha Imamit se nuk dinte gjë në lidhje me letrat dhe në lidhje me lajmëtarët për të cilët kishte folur ai. Atëherë Imami i urdhëroi Ukbe bin Semanit (i cili u zu rob ditën e Ashures dhe u la i lirë më pas) që t’i nxirrte letrat e popullit të Kufes. Prapëseprapë, Hurri nuk pranoi dhe tha: “Ne s’të kemi shkruar kurrfarë letre dhe s’kemi për të të lënë derisa të të çojmë tek Ibn Zijadi.”


Kjo s’do të ndodhë pa vdekur unë”, ia ktheu Imami. Më pas, që të dy grupet dolën sërish në rrugë, duke ndjekur një shteg të tretë që nuk shkonte as drejt Medines dhe as drejt Kufes. Në ndërkohë, me një ton të butë dhe këshillues, Hurri i tha Imamit: “Të lutem në emër të Zotit që të mos luftosh sepse ke për t’u vrarë.” Imami u zemërua me këto fjalë dhe i tha:


A më kërcënon me vdekje? A do të gjesh paqe kur të më vrasësh? Unë po ta them atë që e tha një burrë i fisit Aus, kur kishte vendosur ta përkrahte Profetin por kushëriri i tij e paralajmëronte se mund të vritej. Ai tha: “Unë e kam zgjedhur rrugën time. Nuk është turp të vdesësh për një njeri me qëllime të mira, që nuk e humb shpirtin e Islamit në rrugën e luftës, që nuk e mendon jetën e tij kur duhet t’u ndihmojë të tjerëve, që rri larg njerëzve të pamoralshëm dhe që nuk shoqërohet me të ligët. Po të mbes gjallë, s’kam përse të ndjej keqardhje dhe po të vdes, s’ka kush të më qortojë. Turp për njeriun është kur të jetojë një jetë çnderuese.” 


Imam Husejni dhe Hurri, të shoqëruar nga ndjekësit e tyre, arritën në ndalesën e quajtur “Bejza”. Edhe këtu Imami u foli njerëzve dhe u tregoi shumë më qartë se më parë se ishte i detyruar ta kryente një mision. Ai tha:


Jezidi është një Kalif shtypës dhe tiran, i cili i shpall të lejuara gjërat që Zoti i ka ndaluar. Ai e thyen premtimin ndaj Zotit, e kundërshton rrugën e Profetit dhe i kundërshton njerëzit. I Dërguari i Zotit ka thënë se në rrethana të tilla, ai që nuk bën asgjë për ta ndaluar një Kalif të tillë, ka për të shkuar në të njejtën vend ku do të dërgohet ky Kalif i ligë. 


Për të njejtën gjë ka folur edhe Kur’ani në vargun vijues:


Dhe disa i kemi bërë prijës që çojnë drejt zjarrit...(Kur’an 28:41) 


Jo të gjithë prijësit i çojnë ndjekësit e tyre drejt parajsës. Disa prijës i çojnë njerëzit drejt parajsës, në kuptimin e një përparimi dhe prosperiteti në këtë botë, bashkë me një fund fatlum në botën tjetër. Megjithatë, sipas Kur’anit dhe sipas përvojës së trashëguar nga historia, ka shumë prijës si Jezidi, të cilët i kanë udhëhequr njerëzit drejt shkatërrimi dhe “zjarrit”.


Më pas, Imami i shpjegoi edhe më qartë kushtet që mbretëronin në atë kohë, duke thënë:


Duhet ta dini se këta njerëz që punojnë për umajjadët janë ndjekësit e djallit, të cilët i zbatojnë urdhrat e tij dhe nuk i shfaqin mosbindje. Po aq sa i binden djallit, ata kanë shfaqur mosbindje ndaj Zotit dhe kanë filluar të bëjnë krime haptazi dhe t’i largojnë dënimet e caktuara nga ligji hyjnor. Ata e morën për vete pasurinë e muslimanëve dhe e shpenzuan për qejfet e tyre. Ata i shpallën të lejuara gjërat që i ndaloi Zoti dhe të ndaluara ato gjëra që Ai i ka lejuar. Tani që i kanë krijuar këto kushte, kush tjetër përveç meje mund të jetë më shumë përgjegjës për t’i ndryshuar dhe për t’i larguar shkaqet e devijimit të muslimanëve? Unë jam Husejni, djali i Aliut dhe i Fatimesë dhe njëri nga ata, për të cilët është shpallur “vargu i dëlirësisë” (Kur’an 33:33) dhe vargu i “Mubahalasë”1 (Kur’an 3:61). Unë jam nxënësi i Aliut, Prijësit të Besimtarëve.


 


Dhe vërtet, kush tjetër mund ta kryente atë detyrë të kryer nga Husejn ibn Aliu? Kush mund të fitonte ndjekës të tillë dhe kush mund ta zevëndësonte vallë në një lëvizje të tillë.


Ibn Abbasi ishte një dijetar i madh dhe një komentues i Kur’anit, duke qenë njëkohësisht një “sahabe” i të Dërguarit të Zotit dhe kushëri i tij. Megjithatë, ai nuk e bëri dot atë që do ta bënte Husejni. Muhammed ibn Hanefijje ishte vëllai i Imam Husejnit dhe djali i Imam Aliut. Por ai ishte shumë larg Husejnit në këtë drejtim.


Habib ibn Mezahir Esadiu ishte një sahabe i Profetit por nuk arriti të bënte një gjë të tillë. Po kështu edhe Muslim bin Avsaxha dhe Hani bin Urva Muradiu. Kushëriri i Husejnit, Muslim ibn Akili, vëllai i Husejnit, Abbasi dhe vetë djali i tij Ali bin Husejni ishin që të gjithë njerëz të mëdhenj, të cilët shfaqën shembuj të mrekullueshëm të vetësakrificës në lëvizjen e Imam Husejnit. Megjithatë, edhe përkundër madhështisë së karakterit të tyre, asnjëri nuk ishte në gjendje ta zinte pozitën qendrore në këtë lëvizje. Bërthama dhe fuqia shpirtërore e kësaj lëvizjeje hyjnore fshihej në personalitetin e Imam Husejnit. Ishte pikërisht kjo fuqi shpirtërore që e kishte udhëzuar këtë lëvizje deri në hapat e fundit të saj dhe madje i kishte përgatitur të mbijetuarit për udhëzimin pas tij.


Më pas, Imami tha:


Unë i mora letrat tuaja nëpërmjet lajmëtarëve, të cilët më lajmëruan për besnikërinë dhe për vendosmërinë tuaj në rrugën e të vërtetës. Ju më keni shkruar se pavarësisht rrethanave, nuk keni për të më tradhëtuar dhe nuk keni për të më dorëzuar në duart e armikut. Tani nëse keni ndërmend ta mbani premtimin dhe ta ndiqni këtë vendim që ma shprehët në letra, mos hezitoni për të më përkrahur. Unë jam djali i Aliut dhe i Fatimesë dhe do të mbetem me ju në këtë përpjekje (xhihad) të shenjtë. Gratë e mia dhe fëmijët e mi do ta ndajnë fatin e grave dhe fëmijëve të tu. Nuk ju ngjan juve që jetën e familjeve tuaja ta konsideroni më të shenjtë se atë të familjes sime. Kur unë jam i gatshëm t’i sakrifikoj jetët e familjarëve të mi, ju nuk keni pse të ruani jetën tuaj dhe atë të familjeve tuaja.


 


Me fjalë të tjera, Imami thoshte: “tani që jam gati të bie dëshmor bashkë me ndjekësit e mi dhe që jam pajtuar që gratë e mia dhe fëmijët të bëhen robër për hir të urdhërimit të të mirës dhe ndalimit të të ligës, është detyrë e juaja që ta ndiqni Imamin dhe të mos devijoni nga rruga e Zotit. S’keni përse të druheni nga vdekja ose nga robërimi dhe nuk duhet të mbeteni prapa në shërbimet tuaja për Imamin e kohës dhe nipin e të Dërguarit. Por nëse megjithatë, ju s’e mbani premtimin tuaj dhe e tërhiqni betimin për besnikëri ndaj meje, betohem në jetën time se një veprim i tillë s’ka për të më befasuar aspak, sepse po kështu u sollët edhe me babain tim Aliun, me tim vëlla Hasanin dhe me kushëririn tim Muslim bin Akilin. Një njeri që ju beson dhe mbështetet në premtimin tuaj, zhgënjehet. Por dijeni se po ta bëni këtë, ju do të jeni humbës dhe ju do ta humbni fatin e mirë. Kushdo që e thyen premtimin është humbës. Mbase Zoti shumë shpejt do më bëjë të pavarur prej juve.”


 


Imami e mbajti këtë fjalim para njëmijë ushtarëve të Hurrit dhe të gjithë e dëgjuan. Por vetëm njëri prej tyre u ndikua dhe pas disa ditësh tregoi se e kishte marrë mësimin e shprehur në këto fjalë. Ky njeri ishte vetë Hurr bin Jezid Rijahiu. Në mengjesin e ditës së Ashures, ai shkoi tek Umar bin Sadi dhe i tha: “A do të luftosh vërtet kundër Husejnit?” Umari u përgjigj: “Betohem në Zotin se do të luftoj kundër tij dhe do të jetë një luftë e ashpër.” Hurri pyeti sërish: “A ka gjë të keqe po ta pranoje ndonjërën nga gjërat që ofron Husejni?” Umari tha: “Po të kisha unë autoritet, asgjë të keqe s’do të kishte në të dhe unë do të pranoja. Por Ibn Zijadi nuk është i gatshëm të pranojë asgjë.”


 


Atë çast, një konflikt i rrezikshëm po zhvillohej ndërmjet intelektit dhe pasioneve të këtij njeriu fatlum. Ai duhej të zgjidhte në do t’i bindej fuqisë shpirtërore ose nxitjeve të djallit. Më në fund, zjarri hyjnor që fjalët e Imamit e kishin ndezur në zemrën e tij, dominoi mbi prirjet djallëzore dhe ai e zgjodhi rrugën e Zotit, duke thënë: “Për Zotin, kam arritur në një vend ku ndahet rruga e parajsës nga jo e ferrit. Edhe sikur të duhej të bëhem copë e të digjem, nuk do të shkoj në rrugë tjetër përveç asaj të parajsës.”


Më pas, Hurri shkoi në kampin e Imam Husejnit. Atje e pranoi gabimin e tij, e zgjodhi rrugën e drejtë dhe tha: “Zoti e di se nuk më ka shkuar ndërmend se gjërat mund të shkonin kaq keq. Tani kam ardhur për t’u penduar por nuk e di a do të pranohet pendimi im.” Imami u përgjigj: “Zoti do ta pranojë pendimin tënd dhe ka për të të falur.” Më pas e pyeti se si quhej. Ai u përgjigj: “Quhem Hurr (në përkthim: “i lirë”) bin Jezid.” Pas kësaj, Imami i tha: “Ti je i lirë ashtu siç të ka pagëzuar nëna. Ti je i lirë në këtë botë dhe në tjetrën. Zbrit nga kali!” Hurri iu përgjigj se do të ishte më mirë që të luftonte si kalorës dhe të binte nga kali vetëm kur t’i vinte vdekja. Imam Husejni i lejoi.


Hurri u kthye tek njerëzit e Kufes dhe filloi t’u fliste bashkëluftëtarëve të tij të deriatëherhsëm. Ai i qortoi për tradhëtinë e tyre dhe për pabesinë, duke i folur ushtrisë, komandant i të cilës kishte qenë deri para pak çastesh. Ai u tha:


O njerëz të Kufes! Ju ardhtë vdekja dhe ju vajtofshin nënat tuaja! Ju e ftuat këtë rob të Zotit dhe kur ai e pranoi ftesën tuaj, ju hoqët dorë nga përkrahja. Ju që premtuat se për të do ta jepni jetën, sot e keni rrethuar dhe i keni nxjerrë shpatat për ta vrarë. Ju e keni ngujuar dhe s’e lini të marrë frymë. Ju po e pengoni nga çdo anë, nuk e lini të lirë dhe nuk i mundësoni që ai dhe familja e tij të gjejnë strehë diku. Ju e keni bërë të pashpresë si një i burgosur. Ju ia keni mohuar atij, grave të tija dhe fëmijëve të tij ujin e Eufratit, të cilin e pijnë të gjithë muslimanët e jomuslimanët dhe në të cilën lahen zogjtë e shkretëtirës. Ata janë të sfilitur nga etja. Sa keq që silleni me pasardhësit e Profetit pas tij! Po s’u penduat tani dhe po nuk hoqët dorë nga dëshira për ta vrarë, Zoti s’ka për t’jua shuar etjen në Ditën e Gjykimit.” 


Këto ishin fjalët e një njeriu fatlum, i cili një ditë ia kishte prerë rrugën Imamit të kohës së tij, ia kishte trembur gratë dhe fëmijët, e kishte detyruar të bënte kamp në një vend të shkretë dhe kishte bashkëpunuar me armiqtë e tij që nga 2 Muharremi deri më 10 Muharrem. Megjithatë, brenda më pak se një ore, shpirti i tij pësoi një ndryshim të jashtëzakonshëm dhe filloi të ishte i etur për të rënë dëshmor në krah të tij. Ai u bë aq vetësakrifikues në rrugën e të vërtetës, sa nuk mundej më të kënaqej me shpresat dhe me kënaqësitë e kësaj bote, në shkëmbim të lumturisë së përjetshme.


Zoti është mbrojtësi i besimtarëve. Ai i nxjerr ata nga errësira në dritë...(Kur’an 2:257) 


E njejta Dorë e padukshme që i largoi nga lavdia e përjetshme dhe nga pozita e martirit disa njerëz që s’e meritonin atë, u ndihmoi shpirtrave fisnikë nga vende të ndryshme që ta arrinin pozitën e martirit dhe të vetësakrifikimit. E njejta dorë e vendosi Hurr bin Jezid Rijahiun, komandantin e trupave armike, në mesin e Habib ibn Mezahirit dhe Burajr bin Khuzajrit, e madje në mesin e Ali ibn Husejnit, Kasim bin Hasanit dhe të rinjve të tjerë hashimitë.  


1: (shënim i përkthyesit) Bëhet fjalë për rastin kur Zoti e urdhëroi të Dërguarin që t’i ftonte të krishterët e Nexhranit t’i luteshin Zotit që mallkimi i Tij të ishte mbi ata që gënjenin në lidhje me profetin Isa. Në këtë ritual, duke u mbështetur në vargun (3:61) të Kur’anit, i Dërguari i Zotit i mori me vete Fatimenë, Aliun, Hasanin dhe Husejnin. Vargu në fjalë, thotë: “Ejani t’i marrim bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, veten tonë dhe veten tuaj e pastaj të mallkohemi e t’i lutemi Zotit që mallkimi i Tij të jetë mbi gënjeshtarët!  


 


15. Arritja e Imam Husejnit (a.s) në Qerbela 


Ditën e enjte, më 2 Muharrem të vitit 61 pas Hixhrit, Imam Husejni u ndal në vendin e quajtur Qerbela, në zonën Nejneve. Ditën e ardhshme, Umar bin Sad bin Ebi Vakkas Zuhariu arriti nga Kufeja me 4000 ushtarë, të cilët u vendosën përreth kampit të Imamit.


Sadi i takonte fisit Beni Zuhra nga Kurejshi dhe ishte i afërt me Aminen, nënën e të Dërguarit të Zotit. Babai i Umarit, Sad bin Ebi Vakkasi ishte njëri nga pesë muslimanët e parë dhe i takonte grupit që ishte bërë musliman nëpërmjet Ebu Bekrit. Ai është i mirënjohur në historinë e Islamit dhe në veçanti në lidhje me pushtimet e mëdha islame.


Umar bin Sadi dërgoi një njeri tek Imami për të kuptuar përse kishte ardhur në Irak. Imami iu përgjigj: “Vetë populli i Irakut më dërgoi letra dhe më ftoi të vija. Nëse tani nuk ju pëlqen ardhja ime, unë mund të kthehem në Hixhaz.” 


Umar bin Sadi i shkroi një letër Ibn Zijadit dhe ia përcolli fjalët e Imamit. Përgjigja e Ibn Zijadit ishte: “Tani që është zënë në kthetrat tona, shpreson të shpëtojë e të ikë në Hixhaz. As që mund të bëhet fjalë për mëshirë ndaj tij. Unë me kujdes e lexova letrën tënde dhe kuptova ç’ke thënë. Thuaji Husejn ibn Aliut se ai dhe gjithë ndjekësit e tij duhet t’ia shprehin besnikërinë Jezidit. Kur ta bëjnë këtë, ne do të marrim një vendim në lidhje me ta.”


Pa kaluar shumë kohë, Umar ibn Sadi mori një letër të dytë nga Ibn Zijadi, në të cilën i kërkohej që të mos i lejonte Husejnit dhe ndjekësve të tij ta përdornin ujin, qoftë edhe një pikë të vetme prej tij. Umari menjëherë vendosi 4000 ushtarë nën komandën e Amr bin Haxhaxhit ndërmjet kampit të Husejnit dhe lumit Eufrat. Kjo ndodhi tri ditë para rënies dëshmor të Imamit. Imam Husejni kërkoi të takohej me Ibn Sadin. Ky i fundit pranoi dhe ata u takuan natën, në një vend ndërmjet dy kampeve. Diskutimi i tyre doli mjaft frytdhënës. Pas tij, Umar ibn Sadi u kthye në kamp dhe i shkroi Ibn Zijadit: “Zoti i ka shuar flakët e luftës. Ne arritëm një marrëveshje dhe çështja u vendos ashtu si është në interes të të gjithëve. Husejn ibn Aliu është gati të kthehet në Hixhaz ose të lëvizë drejt ndonjë fronti islam.” Për të bërë që Ibn Zijadi të pajtohej, Umari shtoi edhe një gënjeshtër të vogël në fjalinë e fundit.


Ibn Zijadi u qetësua dhe u ndikua nga fjalët e Umar ibn Sadit. Megjithatë, Shimr ibn Dhilxhehshen, i cili ishte i pranishëm aty, i tha: “Po bën gabim. Duhet ta shfrytëzosh deri në fund këtë mundësi, tani që ke arritur të kesh kontroll mbi Husejnin ibn Aliun. Mos i lejo të largohet sepse s’do të kesh kurrë një mundësi të tillë.”


Ibn Zijadi iu përgjigj: “Ke të drejtë. Atëherë ti shko në Qerbela dhe jepja Ibn Sadit këtë letër, në të cilën thuhet se Husejni dhe ndjekësit e tij duhet të dorëzohen pa kusht dhe më pas të dërgohen në Kufe. Nëse nuk pajtohen, duhet të luftohet kundër tyre. Nëse Ibn Sadi nuk është i gatshëm të luftojë kundër Husejnit, atëherë ti vetë merre me komandën e ushtrisë, preja kokën atij (Ibn Sadit) dhe ma dërgo mua!” 


Në letrën që ia dërgoi Umar ibn Sadit, Ibn Zijadi shkroi:


Unë s’të kam dërguar që të jesh i mëshirshëm ndaj Husejn ibn Aliut dhe të ndërmjetësosh për t’ia shpëtuar jetën. Nëse Husejni dhe ndjekësit e tij dorëzohen, ti m’i dërgo mua. Por nëse nuk pranojnë, atëherë sulmoji dhe masakroi trupat e tyre, prejua veshët dhe hundët, sepse e meritojnë këtë. Nëse vritet Husejn ibn Aliu, kalëroni me kuaj mbi trupin e tij sepse ai është një njeri i lig, mosmirënjohës dhe problematik. Kjo s’do të thotë se unë dua ta lëndoj pas vdekjes së tij. Por kam premtuar se nëse e vras, do t’i detyroj kuajt ta shkelin. Nëse vepron sipas urdhrave të mi, do të shpërblehesh. Por nëse nuk vepron sipas tyre, jepja komandën Shimr bin Dhilxhehshenit, të cilit ia kam dhënë udhëzimet e nevojshme.


 


Kur Ubejdullah ibn Zijadi e shkroi këtë letër të rrezikshme dhe ia dorëzoi Shimrit, edhe Abdullah bin Ebi’l Mihal bin Hizami, një nip i Ummul Beninit (shënim: nofkë e Fatima bint Hizamit, gruas së dytë të Imam Aliut, me të cilën u martua pas vdekjes së Fatimesë; nga katër djemtë e tyre Abbas ibn Aliu dhe Osman ibn Aliu u vranë gjithashtu në Q erbela)ishte i pranishëm. Ai u ngrit dhe tha: “O emir (udhëheqës)! Kushërinjtë e mi, Abbasi, Abdullahu, Xhaferi dhe Osmani, të gjithë bij të Ali ibn Ebu Talibit, janë bashkë me vëllain e tyre (dmth. me Husejnin). Mbase mund të shkruash një letër dhe t’u mundësosh atyre siguri.” Ibn Zijadi u pajtua.


Ç’dallim i madh që ekzistonte ndërmjet dy grupeve! Kushërinjtë e Abbas ibn Aliut, sipas mendimit të tyre, i bënin një shërbim të madh atij, duke i siguruar amnesti nga Ibn Zijadi. Por a thua Abbasi do ta shfrytëzonte këtë letër dhe ta linte në baltë vëllain, të zotin dhe udhëheqësin e tij?


Kur skllavi i Abdullahut e solli këtë letër, ai doli në shesh dhe i thirri djemtë e Ummul Beninit. Atyre u tha: “Kushëriri juaj Abdullahu ju ka siguruar një letër amnestie nga Ibn Zijadi.” Ai mbase mendonte se djemtë e Ummul Beninit, me ta dëgjuar këtë, do të gëzoheshin së tepërmi. Por që të gjithë iu përgjigjën njëzëri: “Përshëndete kushëririn tonë dhe thuaji se s’kemi nevojë për sigurinë që do të na japë Ibn Zijadi. Mbrojtja e Zotit është më e mirë se mbrojtja e djalit të Sumejjes.”


 


Kur Shimri arriti në Qerbela, ai ia dha Umar bin Sadit letrën e Ibn Zijadit dhe ata diskutuan për një kohë. Më në fund, Umari u pajtua që vetë t’i ushtronte urdhrat e Ibn Zijadit. Edhe Shimri kishte një lidhje farefisnore me Abbasin dhe me dy vëllezërit e tij. Si pasojë, edhe ai shpalli në fushëbetejë se ata ishin nën mbrojtjen e tij dhe se mund të largoheshin pa droje. Por edhe ai e mori përgjigjen e njejtë që e kishte marrë lajmëtari i Abdullahut pak më parë.


Më pas, Umar bin Sadi i hipi kalit të tij, u vendos në krye të ushtrisë dhe tha: “O kalorës të Zotit! Hipni mbi kuaj dhe dijeni se vendi juaj është në Parajsë.” Ironikisht, kjo ishte shprehja e njejtë, të cilën i Dërguari i Zotit e kishte përdorur në njërën nga betejat, në të cilën i kishte ftuar shokët e tij që të luftonin për ta mbrojtur Islamin. Tani, më 9 Muharrem të vitit 60 pas Hixhrit, Ibn Sadi i shqiptonte të njejtat fjalë për të luftuar kundër nipit dhe pasardhësit legjitim të të Dërguarit, bashkë me gjithë familjen e mbetur të tij. Atë çast, Imam Husejni ishte ulur para çadrës së tij, me shpatën në njërën dorë, duke fjetur me ballin e mbështetur mbi gjunj. Pas pak, zhurma e ushtrisë armike që afrohej e zgjoi. Zejnebja, motra e tij, shkoi tek Imami e shqetësuar dhe i tha: “Vëlla, a nuk e dëgjon zhurmën e kësaj ushtrie që na ka ardhur aq pranë?” Imami e ngriti kokën nga gjunjët dhe i tha: “Tani e pashë në ëndërr të Dërguarin dhe ai më tha se do shkoja pranë tij.” Me ta dëgjuar këtë, Zejnebja e goditi fytyrën e saj duke qarë: “Mjerë unë!” Imami e qetësoi: “Motër, mos u pikëllo! Ji e qetë sepse Zoti ka për t’të bekuar.”


Në ndërkohë arriti Abbasi, e lajmëroi Imam Husejnin për zhvillimet e fundit dhe e pyeti se ç’duhej të bënin. Imam Husejni i kërkoi që t’i hipte kalit të tij dhe t’i pyeste përse po i sulmonin tani.


Abbasi iu afrua ushtrisë armike, i shoqëruar nga njëzet kalorës të tjerë, në mesin e të cilëve edhe Zuhajr ibn Kajni dhe Habib ibn Mezahir Esadiu. Me të arritur, menjëherë i pyeti për arsyen e ardhjes së tyre. Ata u përgjigjën: “Kemi marrë urdhra nga udhëheqësi ynë. Ju ose do të dorëzoheni sakaq ose do të luftojmë kundër juve.” Abbasi u përgjigj: “Mos u ngutni! Më lejoni ta lajmëroj Imamin për këto gjëra.”


Ndërkohë që Abbasi shkoi për ta lajmëruar Imam Husejnin për zhvillimet, kalorësit e tjerë qëndruan para ushtrisë armike dhe filluan t’i këshillonin. Imam Husejni i tha Abbasit: “Shko tek ta dhe kërkoju që, po të jetë e mundur, ta shtyjnë sulmin deri nesër, që të mundemi natën ta kalojmë duke iu lutur Zotit dhe duke i kërkuar mëshirë dhe falje. Zoti e di sa dua ta fal namazin, ta lexoj Kur’anin dhe t’i lutem për mëshirë.”


Ushtria armike disi u pajtua që t’i jepte kohë deri nesër Imamit dhe miqve të tij. Ata e shfrytëzuan këtë mundësi dhe u përgatitën për të rënë dëshmor. Ai i sprovoi edhe njëherë ndjekësit e tij. Po të kishte ende ndonjë njeri që nuk ishte i sigurt për fundin e kësaj rruge, ai ia bëri me dije se për të s’kishte mbetur rrugë tjetër përveç vdekjes dhe vetësakrificës. Ai u kërkoi që ata që s’kishin ardhur për të vdekur të shkonin dhe t’ua linin hapur fushëbetejën atyre që kërkonin të ishin dëshmorë në rrugë të Zotit dhe që nuk i jepnin fare vlerë jetës së tyre.


Në lidhje me këtë, Imam Zejnul Abidin Ali ibn Husejni, Imami i katërt, i cili e kishte shoqëruar të atin në këtë rrugëtim, përcjell:


Babai im i thirri ndjekësit e tij pas perëndimit të diellit dhe u foli atyre. Ndonse isha i sëmurë, unë arrita ta dëgoja fjalimin e tij.”


Duhet të mbahet mend se ky fjalim u mbajt nga në njeri, i cili kishte më pak se njëqind përkrahës përballë një ushtrie që numëronte rreth 20 mijë vetë. Imami e dinte mirë se nuk mund të dorëzohej dhe t’i bindej një njeriu si Jezidi. Ai e dinte gjithashtu se armiku nuk do ta linte të qetë dhe se kjo punë nuk do të mbaronte pa luftë dhe pa vrasjen e tij dhe të ndjekësve të tij. Edhe përkundër gjithë kësaj, ai u foli njerëzve të tij me besim dhe me vendosmëri të plotë. Ai u tregoi atyre se dita e ardhshme do të ishte dita e rënies dëshmor. Secili prej tyre mund ta merrte një anëtar të familjes së tij dhe të largohej nga kjo fatkeqësi, për të shkuar më pas në qytetin nga kishin ardhur. Në fund të fundit, armiku e kërkonte vetëm Husejnin dhe pasi ta kishte mundur atë, nuk do të kishte punë me askë tjetër.  


 


16. Fjalimi i Imam Husejnit në natën para Ashures 


Imami tha:


I falënderohem Zotit dhe Atë e lëvdoj në kohë të mirash e fatkeqësish. Zoti im! Ty të takon falënderimi që na nderove me Profetësinë, që na mësove Kur’anin, na bëre ta kuptojmë fenë tënde, na dhe sy, veshë dhe zemra, na mbajte larg njollave të politeizmit e na mundësove të të falënderojmë për bekimet e Tua. S’kam parë ndjekës më besnikë e më të sinqertë se ndjekësit e mi dhe s’kam parë farefis më të sjellshëm e më të mirë se farefisi im. Zoti ju shpërbleftë të gjithëve! Ka ardhur dita e luftës sonë kundër kësaj ushtrie. Të githëve ju lejoj të largoheni. Të gjithë jeni të lirë për të shkuar dhe mund ta shfrytëzoni errësirën e natës për të ikur.


 


Ky fjalim është përcjellur nga Shejh Mufidi, nga Taberi, nga Ebu’l-Faraxhi dhe nga Ibn Ethiri  por asnjëri prej tyre nuk ka shkruar se ndonjëri nga ndjekësit e Imamit u largua në këtë rast. Ata që do të iknin kishin ikur tashmë me ta marrë lajmin e vrasjes së Muslim ibn Akilit, Haniut, Kajs bin Mesharit dhe Abdullah bin Jektarit. Dora hyjnore i kishte larguar frikacakët nga rrethi i Imamit. Pas fjalimit të tij në natën e Ashures, historianët e mëdhenj s’kanë shënuar asgjë tjetër veçse vetësakrificë dhe vendosmëri tek ndjekësit e Imamit. Që të gjithë kanë shkruar se kur Imami e mbaroi fjalën e tij dhe insistoi që të gjithë të largoheshin për të shpëtuar, vëllezërit, bijtë, nipërit dhe bijtë e Abdullah ibn Xhaferit, të prirë nga Abbas ibn Aliu, i thanë njëzëri: “A duhet të shkojmë e të jetojmë pas teje? I lutemi Zotit që kurrë të mos vijë ajo ditë që ti të vritesh e ne të mbesim gjallë!”


Më pas, Imami u kthye drejt pasardhësve të Akilit dhe u tha:


“O fëmijë të Akilit! Mjafton për ju që Muslimi u vra. Tani jeni të lirë për të shkuar.”


Përgjigja e tyre ishte: “I lëvduar qoftë Zoti! Po ta lëmë prijësin tonë dhe më të mirin e kushërinjve tanë e të ikim pa luftuar me shpatët, me shigjetat dhe me shtizat tona, ç’do të thonë njerëzit? Betohemi në Zotin se s’do të bëjmë një gjë të tillë. Përkundrazi, ne do ta japim jetën tonë dhe pasurinë në rrugë të Zotit për të të ndihmuar ty. Me ty kemi për të luftuar derisa ta arrijmë nderin e të rrënit dëshmor. Ç’turp të jetohet një jetë pa ty!”


 


Pas tyre, Muslim bin Avsaxha u ngrit në këmbë dhe tha:


“Po ta tërheqim përkrahjen tonë dhe të të lëmë vetëm para armikut, ç’arsyetim do të kemi para Zotit? Betohem në Zotin se s’kemi për të ikur dhe për të të lënë. Do ta ngul shtizën time në gjoksin e armiqve dhe do ta shuaj etjen e shpatës sime me gjakun e tyre.Dhe kur të mos kem armë për të luftuar, me gurë kam për t’i goditur. Për Zotin s’kemi për të të lënë, që Zoti të shohë se në mungesë të të Dërguarit të Tij, ne e kemi ruajtur të drejtën e djalit të të Dërguarit. Për Zotin, edhe sikur ta dija se shtatëdhjetë herë do të vritem, shtatëdhjetë herë do të digjem në zjarr, shtatëdhjetë herë do më shpërndahet hiri në ajër dhe sërish do të vij në jetë për të vdekur nga e para, s’kam për të të lënë. Atëherë përse të të lë kur e di se vetëm njëherë do të vritem dhe më pas do të nderohem, do të jem i lumtur dhe i lartësuar përgjithmonë.”


 


Pas fjalimit të Muslim ibn Avsaxhas, Zuhajr bin Kajn Baxhaliu u ngrit. Ai ishte njeriu i njejtë, i cili njëherë e një kohë kishte qenë armik i Husejnit, kishte qëndruar larg tij në rrugën për në Irak dhe nuk kishte dashur ta takonte fare. Megjithatë, Zoti kishte dëshiruar që Zuhejri të binte dëshmor në rrugën e Tij, duke e ndjekur Imam Husejnin, që të nderohej përgjithmonë dhe emri i tij të mbetej i lavdishëm në historinë e Ashures. Ai tha: “Për Zotin, do të kisha dashur të vdisja njëmijë herë e të ringjallesha secilën herë, që të mund të bëhesha një mjet me të cilin Zotin do t’të mbronte ty dhe familjen tënde.”


Edhe disa të tjerë thanë fjalë të ngjashme. Imami iu lut Zotit që t’i bekonte të gjithë dhe u kthye në çadrën e tij.


Imam Ali ibn Husejni ka thënë: “Në nata para ditës kur babai im u vra, unë isha i sëmurë dhe halla ime Zejnebja kujdesej për mua. Babai im ishte tërhequr në çadrën e tij dhe vetëm Xhaun bin Xhauni, ish-skllavi i Ebu Dherr Giffariut ishte me të. Xhauni ishte duke e përgatitur shpatën e tim eti, teksa ai recitonte disa vargje. Këto vargje i recitoi dy ose tri herë dhe unë kuptova ç’ishte duke thënë dhe ç’nënkuptonte me këtë.”


 


Në këto vargje, Imami flet në lidhje me dyfytyrësinë e botës, e cila ndonjëherë buzëqesh si një mik i afërt, i kënaq njerëzit me fytyrën e saj të këndshme dhe e bën njeriun të ndjehet sikur gjithçka do të jetë në të mirë të tij. Megjithatë, ajo menjëherë ndryshon qëndrim dhe bëhet përnjëherë krejt e huaj dhe e pabesë. Me helmin e saj, ajo e bën të hidhur atë jetë që dikur kishte qenë e ëmbël si mjalta. Ajo i largon miqtë, për të cilët njeriu është i bindur se do t’i qëndrojnë pranë gjithnjë dhe i sjell sërish ata përpara syve të tij në trajtën e armiqve të uritur për gjak e për luftë.


Ç’ngjan nesër askush s’e di
Kush e humb forcën e kush lavdinë...
Kush s’e humbi lojën në të gjallë të tij
e kush karshi kohës s’e humbi fuqinë?


 


Duke i recituar këto vargje, Imami tregonte se ditën tjetër shumë njerëz do të përballeshin me vdekjen. Askush s’mund t’ia marrë vendin tjetrit përballë valëve të fatit. Fundi i çdo njeriu është në duart e Zotit. Çdo krijesë domosdo do ta kalojë këtë rrugë. Ky nuk është vetëm fati i Imam Husejnit dhe i ndjekësve të tij por edhe i të gjitha krijesave në botë. Në mënyrë të pashmangshme, gjithnjë vjen dita kur bota kthehet kundër teje.


Imami i katërt thotë:


Kuptova se babai im donte t’ua bëjë me dije njerëzve se do të binte dëshmor. Kur e kuptova këtë, thuase u mbyta në lot por arrita ta rimarr veten. Kuptova se së shpejti do na gjente një fatkeqësi. Në ndërkohë, edhe halla ime Zejnebja i dëgjoi të njejtat gjëra dhe si një grua që është, e humbi durimin dhe nuk e kontrollonte dot veten. U ngrit papritur dhe shkoi tek i vëllai pa e veshur mbulesën e saj dhe i tha: “Oh më mirë të vdisja më parë sesa të mbetesha pa vëlla! O pasardhës i të vdekurve dhe streha e të mbijetuarve! Sot është dita kur do të mbetem pa nënë, pa baba e pa vëlla.” Me ta parë motrën e tij në këtë gjendje të shqetësuar, Imam Husejni tha: “Ki durim motër! Mos lejo që Djalli të të detyrojë ta humbësh veten!”


Mund të thuhet se këto fjalë të Imamit ishin për të motrën një mësim që do ta përgatiste atë për t’u përballur me sfidat që do të vinin më pas në Kufe dhe në Damask. Ishte pikërisht Zejnebja që do të duhej ta merrte përsipër rolin e udhëheqësisë së kësaj lëvizjeje pas vdekjes së Imam Husejnit dhe deri në kthimin e Ehl-i Bejtit në Medine. Pikërisht me këto fjalë, Imami ia dorëzonte asaj këtë detyrë të shenjtë. Imami i tha: “Ki durim motër! Mos lejo që Djalli të të detyrojë ta humbësh veten!” Me fjalë të tjera, ai thoshte: njihe vetveten dhe mos e harro personalitetin dhe rëndësinë që ke në këtë lëvizje! Detyra që duhet ta kryesh nuk është më e lehtë se ajo që duhet ta kryej unë. Këtë detyrë ti mund ta kryesh vetëm nëpërmjet madhështisë shpirtërore që ke trashëguar nga prindërit e tu Aliu dhe Fatimeja. Nëse sot po e humb durimin me të dëgjuar disa vargje prekëse, si do t’i durosh ndodhitë e nesërme? Si do të mbash më pas fjalime në pazarët e Kufes e të Damaskut, me një vendosmëri të palëkundur, duke e thënë atë që duhet të thuhet për ta qartësuar atë që mbeti fshehur nga njerëzit. Si do t’ua tregosh veprimet e liga armiqve të Ehl-i Bejtit dhe ta zbulosh fytyrën e vërtetë të qeverisjes së bijve të Ebu Sufjanit?


Me këto fjalë të pakta, Imami i dhe një mësim të mirë të motrës. Edhe atij iu mbushën sytë me lot dhe tha: “Ç’të bëj moj motër? Ti vetë e sheh se me çfarë përballem dhe çfarë ushtrie ka ardhur për të më vrarë.” Pas kësaj, Zejnebja tha disa fjalë prekëse dhe i humbi ndjenjat. 


 


17. Mëngjesi i Ashures 


Gjatë natës së Ashures, Imami dhe ndjekësit e tij e kaluan kohën në adhurim, i kërkuan mëshirë Zotit dhe recituan lutje. Kur natës i erdhi fundi, dita e lavdisë kishte arritur. Në veprën “el-Irshad” të Shejh Mufidit dhe në historinë e Taberiut është shkruar se pas namazit të sabahut, Imami i rradhiti ushtarët e tij, prej të cilëve 32 ishin kalorës dhe 40 ishin këmbësorë. Komandën e krahut të djathtë të ushtrisë ia dha Zuhajr bin Kajnit dhe atë të krahut të majtë Habib bin Mezahirit. Flamurin e ushtrisë ia dorëzoi Abbasit.


Edhe Umar bin Sadi i rradhiti trupat e tija. Komandën e krahut të djathtë ia dha Amr bin Haxhaxh Zubejdiut, atë të krahut të majtë Shimr bin Dhilxhehshenit dhe komandën e kalorësisë Azra bin Kajs Ahmediut. Komandant i këmbësorëve ishte Shith bin Rabie.


Ditën e Ashures, Imami u foli njerëzve dhe mbajti disa fjalime. Dhe secilën herë që do të mbante një fjalim, ai iu lut Zotit duke kërkuar udhëzim prej Tij. Të gjitha fjalimet dhe lutjet e Imamit kanë një bukuri të theksuar letrare dhe janë tejet të qarta. Ai u foli ushtarëve të armikut me një mendje shumë të qetë, sikur ata të ishin miqtë dhe ndjekësit e tij, ndonse e dinte se fill pas atyre fjalëve, ata njerëz të njejtë do ta sulmonin me 30 mijë shtiza dhe do ta vrisnin.


Këto fjalime u mbajtën nga një gojëtar i etur i cili s’kishte ujë as sa për t’i lagur buzët. Ishte një gojëtar, i cili e dinte se pas një kohë të shkurtër, gratë dhe fëmijët e tij do të robëroheshin nga armiqtë e tij të pamëshirshëm.


Imam Ali ibn Husejni ka thënë: “Djali i vajzës së Profetit u vra teksa ishte i uritur e i etur.”


Është vërtet e çuditshme që një orator i etur dhe i uritur të mbajë fjalim para mijëra armiqve të tij që ishin mbledhur për ta vrarë. Ndonse kishte shumë arsye për ta shqetësuar, ai flet në një mënyrë tërësisht të rrjedhshme dhe të qartë. Ai flet me një mendje tejet të qetë dhe me guxim. Gjithë ç’thotë është e mençur dhe e logjikshme dhe vetëm shumë rrallë shpreh dëshpërim dhe pikëllim. Teksa ndjekësit e tij vriten gjithkah përreth dhe teksa bie numri i njerëzve që e rrethojnë, fjalimet e tija bëhen gjithë më të rrjedhshme dhe ai vetëm sa shfaq më tepër guxim dhe qetësi. Ku mund të gjendet një gojëtar i tillë në historinë e njerëzimit? Një gojëtar pa përkrahës dhe krejt i vetëm, fjalimet e të cilit nuk ndikohen nga kushtet dhe i cili me gjithë ato shqetësime dhe lodhje mendore, mbetet krejtësisht i qetë dhe i vendosur. 


 


18. Lutja e Imamit në mëngjesin e Ashures 


Në mëngjesin e Ashures, kur kalorësia armike filloi ta sulmonte ushtrinë e Imamit, ai i ngriti duart drejt qiejve dhe u lut:


Zoti im! Prej Teje varem në çdo fatkeqësi dhe në çdo të keqe. Në çdo vështirësi që më del përpara, Ti je shpëtimi dhe streha ime. Aq vështirësi ka patur që më kanë dobësuar zemrën e zgjidhje s’kam gjetur dot. E sot s’më ndihmuan miqtë, ndërkohë që armiku i gëzohet fatkeqësisë sime. Por kur pushova së kërkuari ndihmë nga gjithkush tjetër veç Teje, ti më dhe qetësi dhe shpëtim nga vështirësitë. Prej Teje vjen çdo bekim dhe prej Teje shpresohet përherë. 


 


19. Fjalimi i Imam Husejnit përballë ushtrisë së Jezidit 


Pas kësaj lutjeje, Imami i hipi një deveje dhe u foli njerëzve me zë të lartë, në mënyrë që shumica prej tyre ta dëgjonin. Ai tha:


O njerëz të Irakut! Më dëgjoni dhe mos u ngutni për të më vrarë, që të mund ta them atë që kam për të thënë dhe ta tregoj arsyen e ardhjes sime në Irak. Nëse e pranoni arsyetimin tim, nëse e besoni atë që e them dhe silleni ndaj meje në mënyrë të drejtë, do ta keni zgjedhur rrugën e përparimit dhe s’do të keni kurrfarë arsyeje për të më vrarë. Dhe nëse nuk e pranoni arsyetimin tim dhe devijoni nga rruga e drejtësisë, atëherë mendohuni mirë para se të më vrisni dhe mos e bëni këtë gjë pa menduar. Përkrahësi im është Zoti i Gjithëfuqishëm që e ka shpallur Kur’anin. Dhe Ai i mbron ata që e meritojnë mbrojtjen e Tij.


 


Kur arriti deri në këtë pikë, Imami i dëgjoi vajtimet e grave të familjes së tij, të cilat po e dëgjonin fjalimin. Me ta dëgjuar zërin e tyre, Imami i tha Abbasit: “Shko dhe heshti këto gra! Shumë do të kenë për të vajtuar më pas.” Kur zëri i grave nuk dëgjohej më deri tek Imami, ai e lëvdoi Zotin dhe iu lut Atij që t’i mëshironte ëngjëjt dhe profetët. Ai foli me një gjuhë shumë të rrjedhshme dhe të qartë, ashtu siç nuk kishte folur asnjë orator para tij dhe siç nuk do të fliste asnjë orator më pas:


O njerëz! Më shihni dhe kuptojeni se kush jam! Mbase atëherë do të zgjoheni e do të vini ne vete. Duhet të mendoheni mirë se sa është e lejuar që të më vrisni dhe të mos ma shfaqni respektin që e meritoj.


A nuk jam unë djali i vajzës së Profetit tuaj? A nuk është babai im ai që është trashëgimtar (vasi) i Profetit, kushëri i tij dhe personi i parë që besoi në Zotin dhe e dëshmoi atë që kishte sjellë Muhammedi? A nuk është Hamza, Prijësi i Dëshmorëve, xhaxhai im? A nuk është xhaxhai im edhe Xhafer el-Tajjari, ai dëshmor me dy krahë zogu në Parajsë? A s’e keni dëgjuar atë që i Dërguari ka thënë për mua dhe tim vëlla: “Këta dy bijtë e mi janë prijësit e të rinjve të parajsës.”Nëse pranoni se po e them të vërtetën, sa mirë për ju. Betohem në Zotin se e di që Zoti nuk i do gënjeshtarët dhe unë kurrë s’kam gënjyer. Por nëse s’i besoni fjalët e mia, atëherë dëshmoni se janë gabim! Në mesin tuaj ka akoma shokë të Profetit, të cilët mund t’i vërtetojnë fjalët e mia. Pyeteni Xhabir ibn Abdullah Ensariun, Ebu Said Khudriun, Nahl bin Sadin, Zejd bin Erkami ose Enes bin Malikun! A nuk mjaftojnë këto thënie të Profetit për ta parandaluar vrasjen time nga ana juaj? Nëse dyshoni për këto hadithe, a dyshoni edhe se unë jam djali i vajzës së Profetit? Betohem në Zotin se ndërmjet lindjes e perëndimit s’ka tjetër nip të Profetit, as në mesin tuaj dhe as diku tjetër.


Më thoni sinqerisht në kam vrarë dikë në mesin tuaj që kërkoni të hakmerreni! Mos vallë ua kam vjedhur pasurinë dhe tani po e kërkoni? A ju kam lënduar që po kërkoni shpagim?


 


Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk doli të përgjigjej. Si pasojë, Imami i thirri me emër disa prej tyre dhe u tha:


O Shabath bin Rabie! O Haxhar bin Abxhar! O Kajs bin Eshath! O Jezid bin Harith! A nuk më shkruat ju në letrat tuaja dhe a nuk më thatë se frytet ishin pjekur, se tokat ishin gjelbëruar dhe se ushtarët e mi prej Iraku ishin të gatshëm për ta sakrifikuar jetën për mua? A nuk më shkruat ju se unë duhet të vija menjëherë drejt Irakut?


 


Taberiu ka shkruar se si përgjigje, ata thanë se nuk kishin shkruar kurrfarë letre dhe se nuk ishin në dijeni të diçkaje të tillë. Ishte kulmi i hipokrizisë. Të njejtët njerëz që e kishin ftuar Imamin me letrat e tyre dhe i kishin nëshkruar këto letra, tani po luftonin kundër tij pa u turpëruar fare dhe thonin se nuk i kishin dërguar letrat.


Këtu do të bëjmë një përshkrim të njërit nga këta njerëz, që të mund lexuesi të kuptojë deri ku mund të shkojë dashuria për këtë botë dhe mungesa e vetëdijes njerëzore.


Shabath bin Rabia, personi që ishte njëri nga komandantët e ushtrisë së Irakut dhe njëri nga vrasësit e Imam Husejnit, dikur kishte qenë muezzin i Saxha-së, një pozitë të cilën e mori përsipër kur kjo e fundit shpalli se ishte profete. Megjithatë, kur Saxha-ja dështoi në misionin e saj, ky njeri e pranoi Islamin dhe më pas u përfshi në vrasjen e Osmanit. Pas kësaj, ai u bë një ndjekës i Aliut. Por pa kaluar shumë kohë, ky njeri u revoltua kundër tij duke u bërë një kundërshtar i përbetuar dhe duke iu bashkangjitur kampit khavarixh. Por edhe atje nuk qëndroi gjatë. Pas një kohe u largua nga khavarixhët dhe u fsheh. Në vitin 61 pas Hixhrit, ai me shumë zell shërbeu në vrasjen e Imam Husejnit dhe të ndjekësve të tij në Qerbela. Dhe më pas, kur Mukhtar bin Ebi Ubejd Thakafiu u kryengrit për t’u hakmarrë për vrasjen e Imam Husejnit, edhe Shabathi iu bashkangjit atij, ndonse kishte qenë vetë njëri nga vrasësit e Imamit. Më vonë, po ky njeri do të bëhej komandanti i forcave të sigurisë në Kufe. Thuhet se u përfshi edhe në vrasjen e Mukhtar bin Ebi Ubejdit. Vdiq në vitin 80 pas Hixhrit. 


Imami vijoi me fjalën e tij:


Për Zotin s’kam për t’u shprehur besnikëri këtyre njerëzve si një njeri i dobët dhe i pashpresë. Unë s’kam për të ikur nga fushëbeteja si një skllav teksa jam duke luftuar kundër mizorëve. Tek Zoti strehohem nga e liga që mund të më vijë prej juve dhe prej çdo njeriu të paditur që s’beson në Ditën e Gjykimit. 


Në ndërkohë, beteja po fillonte dalngadalë. Umar bin Sadi e nxorri harkun e tij, hodhi një shigjetë drejt ushtrisë së Imam Husejnit dhe tha: “Dëshmoni para Ibn Zijadit se unë e fillova i pari betejën.”


Luftime të ashpra u zhvilluan deri në mesditë, kur ishin vrarë tashmë shumica e ndjekësve të Imamit. Imami e fali namazin e drekës bashkë me ata ushtarë që i kishin mbetur. Luftimet vazhduan me shumë ashpërsi, derisa të gjithë të rinjtë e fisit Hashim u vranë njëri pas tjetrit. Në këtë betejë, edhe fëmijë të vegjël dhe madje foshnja e patën nderin të binin dëshmorë. Dhe dalngadalë erdhi edhe çasti që do ta ndryshonte rrjedhën e historisë.


Numri i dëshmorëve në betejën e Qerbelasë nuk dihet saktësisht. Por zakonisht është pranuar mendimi se shtatëdhjetë e dy vetë u vranë bashkë me Imam Husejnin. Taberiu shkruan se shtatëdhjetë e dy ndjekës të Imam Husejnit u vranë atë ditë. Shejh Mufidi ka shkruar se Amr bin Sadi ia dërgoi Ibn Zijadit kokën e Imam Husejnit dhe përveç kësaj urdhëroi që kokët e ushtarëve të tjerë të priteshin. Numri i kokëve të prera ishte shtatëdhjetë e dy.


Për më tepër, në “zijaretin” (homazhin) e përcjellur në veprën “Ikbal” të Sejjid bin Tavusit, janë përmendur 72 emra si dëshmorë të Qerbelasë. Ky “zijaret” i cili daton në vitin 252 nga regjioni i Samarras në Irak, duhet të ketë ardhur nga Imam Hasan Askeriu dhe jo nga Imam Mehdiu sepse atë vit, Imam Mehdiu nuk kishte lindur akoma dhe babai i tij Hasan Askeriu jetoi edhe tetë vite më pas deri në vitin 260. Në këtë “zijaret” janë përmendur emrat e dëshmorëve të Qerbelasë, fillimisht shtatëmbëdhjetë dëshmorët e familjes Hashim dhe më pas edhe pesëdhjetë e pesë dëshmorët e tjerë që ishin ndjekës të Imam Husejnit.


Që të mund të kuptohet se si kaq pak njerëz arritën të kryenin një lëvizje kaq mbresëlënëse dhe të përjetshëme, duhet fillimisht të hulumtohet me kujdes mënyra e tyre e veprimit. Sikur Imam Husejni dhe ndjekësit e tij të kishin patur një motiv material dhe po të ishin vrarë si njerëz të rëndomtë, emri i tyre kurrë s’do të fitonte një madhështi të tillë. Për më tepër, vetë trajta e kësaj lëvizjeje flet qartë se ajo nuk ishte e prirë nga dëshirat tokësore dhe nga motivet personale. Rëndësia që kjo lëvizje ka në historinë e Islamit dhe madje në historinë e botës buron pikërisht nga shkaqet që i kemi shpjeguar më sipër, gjegjësisht nga gjendja e atëhershme e botës së Islamit, e cila e detyronte Imamin të kryengritej dhe ta sakrifikonte jetën e tij për hir të sigurisë së vetë Islamit. 


VAZHDON