Hadithe të zgjedhura nga Muhammedi (a.s)
© dielli.net
06.07.2011

1. A t’ju tregoj për virtytin më të mirë në këtë botë dhe në tjetrën? Faleni atë që ju bën ndonjë të ligë, rivendosni marrëdhëniet me të afërmit që i ndërpresin ato, ndihmojeni atë që ju bën dëm, jepini atij që nuk ju jep juve! Dijeni se urrejtja dhe armiqësia janë shkatërrues të besimit. (El-Ameli)


2. Njeriu të cilit i vidhet një gjë, ndonjëherë e fajëson aq shumë një të pafajshëm, sa faji i tij bëhet më i madh se i vjedhësit. (Tuhef’ul-Ukul)


3. I Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) u foli njerëzve në Mina dhe u tha: “Zoti le ta bekojë atë rob të Zotit që i dëgjon fjalët e mia, u bindet atyre dhe ua përcjell njerëzve që s’i kanë dëgjuar. Sa shpesh ndodh që një njeri të përcjellë një dituri që s’e kupton dhe t’ua përcjell më pas atyre që e kuptojnë më mirë se ai vetë.” (El-Ameli)


4. Le t’ju dhimbset i fuqishmi që është dobësuar, i pasuri që është varfëruar dhe dijetari që ka mbetur në duart e të paditurve. (Tuhef’ul-Ukul)


5. Qëndroni lidhur pas dashurisë për ne Ehl-i Bejtin! Kushdo që e takon Zotin me dashurinë tonë në zemër, ka për të hyrë në parajsë me ndërmjetësimin tonë. Betohem në Atë që e ka në duar shpirtin e Muhammedit, se veprat e një robi të Zotit nuk i bëjnë dobi veçse kur janë bashkë me dashurinë ndaj neve. (El-Ameli)


6. Adhurimi ka shtatë pjesë dhe pjesa më me vlerë e tij është përpjekja për ta fituar bukën e gojës në mënyrë të lejuar. (Tuhef’ul-Ukul)


7. Një ëngjëll erdhi tek unë dhe më tha: “O Muhammed! Bamirësi yt të përshëndet e të thotë: nëse dëshiron, mund ta kthejmë në flori gjithë luginën e Mekkes. Unë e ngrita kokën drejt qiejve dhe thashë: O Bamirësi im! Më mirë të ha një ditë e të të lëvdoj me mirënjohje dhe ditën tjetër, të qëndroj i uritur e të kërkoj prej Teje.” (El-Ameli)


8. Zotit nuk i bindet njeriu për shkak të detyrimit dhe as nuk rebelohet kundër Tij ngase është krejt i pavarur. Zoti nuk i lë vetëm robërit e Tij. Ai është i aftë ta kryejë çdo gjë, për të cilën u ka dhënë fuqi robërve të Tij dhe është Pronar i gjithçkaje që ua ka falur atyre. Nëse ata u binden urdhrave të Zotit, s’do të kenë ndonjë pengesë në këtë gjë por nëse duan të mëkatojnë, Zoti është i aftë t’i pengojë. Por kur dikush nuk e pengon tjetrin ndonse ka fuqi për ta penguar në një punë, s’do të thotë se e ka detyruar ta kryejë atë. (Tuhef’ul-Ukul)


9. O ju që jeni dorëzuar në fjalë por që besimi s’jua ka arritur zemrat! Mos i kërkoni gabimet e besimtarëve dhe mos i qortoni muslimanët! S’ka dyshim se atij që i kërkon gabimet e të tjerëve, Zoti ka për t’ia kërkuar gabimet dhe kur Zoti ta bëjë këtë, Ai ka për ta zbuluar këtë njeri edhe në thellësitë e shtëpisë së tij. (El-Ameli)


10. Dituria nuk merret nga populli por nga dijetarët. E kur të mos mbeten dijetarë, populli ka për t’i zgjedhur të paditurit për prijës dhe prej tyre ka për t’i mësuar urdhrat e fesë. Pastaj ata do të japin verdikte (fetva) pa patur dituri dhe me këtë, edhe vetë do të devijojnë edhe të tjerët do t’i nxjerrin nga rruga. (Tuhef’ul-Ukul)


11. Besimtarët janë të gjithë vëllezër dhe secili ia përmbush nevojat tjetrit. Dhe ngase e ndihmojnë njëri-tjetrin kur janë në nevojë, Zoti ka për t’i përmbushur nevojat e tyre në Ditën e Gjykimit. (El-Ameli)


12. Për mua, njerëzit që më së shumti meritojnë të lakmohen nga ndjekësit e mi, janë ata që e kanë të lehtë ngarkesën (e kësaj bote), që e falin namazin, që e adhurojnë bukur Zotin e tyre kur janë vetëm, që nuk njihen në mesin e njerëzve, që kanë aq pasuri sa t’u mjaftojë për vete, që durojnë kështu deri në fund të jetëve të tyre dhe që lënë pak trashëgimi e pak njerëz për t’i vajtuar pas vdekjes. (Tuhef’ul-Ukul)


13. Habitem me njeriun e pakujdesshëm që është duke u vëzhguar, me njeriun që rend pas kësaj bote ndonse vdekja e ndjek nga pas dhe me njeriun që qesh me zemër e me zë të lartë kur nuk di në është i kënaqur Zoti me të. (El-Ameli)


14. Çdo vuajtje, çdo dhimbje, çdo pikëllim dhe madje çdo mërzi e besimtarit quhet një shpagim për mëkatet e tija. (Tuhef’ul-Ukul)


15. Zoti nuk e merr diturinë nga njerëzit duke ua shlyer atë nga mendjet. Ai e bën këtë duke i larguar njerëzit e ditur nga mesi i tyre. Dhe kur të mos mbeten dijetarët, njerëzit i marrin të paditurit për prijës dhe i pyesin ata. Më pas, këta njerëz të paditurit përgjigjen pa patur dituri, devijojnë vetë dhe i bëjnë të tjerët të devijojnë. (El-Ameli)


16. Sikur bota të kishte vlerë sa krahu i një mize në sytë e Zotit, Ai s’do t’ua falte atë mohuesve dhe hipokritëve. (Tuhef’ul-Ukul)


17. Ka tre gjëra, prej të cilave nuk heq dora zemra e një besimtari: pastrimi i veprave për hir të Zotit, ndjekja besnike e Imamëve të muslimanëve dhe të qëndruarit me vendosmëri pas tyre. Thirrja e tyre i mbron ata nga çdo anë. Besimtarët janë vëllezër të njëri-tjetrit, ia ruajnë njëri-tjetrit gjakun dhe veprojnë së bashku si një dorë e vetme kundër armiqve. Edhe më i vogli prej tyre e bën më të mirën që mundet për ta kryer përgjegjësinë e tij. (El-Ameli)


18. Bota lëviz nga dora në dorë. Ajo që është e dobishme për ty ka për të të ardhur domosdo, ndërsa atë që të bën dëm s’ke si ta pengosh. Kushdo që humb shpresë nga gjëja që ka humbur, të qetë do ta ketë trupin dhe kushdo që kënaqet me atë që ia ka falur Zoti, i lumtur do të jetë. (Tuhef’ul-Ukul)


19. Ata që miqësohen për hir të Zotit të Madhëruar, do të pushojnë ndanë shtyllave prej rubini në parajsë, duke i soditur banorët e saj. Kurdo që të kalojë ndonjëri prej tyre, shtëpitë e banorëve të parajsës mbushen me shkëlqimin e tij. Njerëzit thonë: “Na lini të dalim nga shtëpia e t’i shohim këta që miqësohen për hir të Zotit!” Pastaj do të nxirren për t’i parë. Ata do ta kenë fytyrën si hëna dhe mbi ballë do t’u shkruhet: “Këta janë ata që u miqësuan për hir të Zotit...” (El-Ameli)


20. Dituria është një thesar dhe çelësi i saj është pyetja. Pyesni, ju mëshiroftë Zoti, sepse me të pyeturit shpërblehen katër vetë: ai që pyet, ai që përgjigjet, ai që dëgjon dhe ai që i do këta të parët. (Tuhef’ul-Ukul)


21. Profeti tha një ditë: “Sa shumë dua t’i takoj vëllezërit e mi.” Me ta dëgjuar këtë, Ebu Bekri dhe Umari thanë: “A nuk jemi ne vëllezërit e tu? Ne të kemi besuar dhe jemi shpërngulur me ty.” I Dërguari (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) u përgjigj: “S’ka dyshim se ju më keni besuar dhe jeni shpërngulur bashkë me mua, por unë kam qejf t’i takoj vëllezërit e mi. Ju jeni as’habët e mi. Por vëllezërit e mi janë ata që do të vijnë pasi të keni kaluar ju. Ata do më besojnë, do më duan, do më ndihmojnë dhe do t’i dëshmojnë fjalët e mia pa më parë ndonjëherë. Sa dua t’i shoh vëllezërit e mi...” (El-Ameli)


22. Pyesni dijetarët, flisni me të urtit dhe rrini me të varfërit! (Tuhef’ul-Ukul)


23. Një fatkeqësi e madhe e ka të madh edhe shpërblimin. Kur Zoti e do një rob të Tij, Ai e sprovon me fatkeqësi. Zoti është i kënaqur me atë që është i kënaqur edhe përballë fatkeqësive. Dhe Ai është i pakënaqur me atë që shpreh pakënaqësi kur përballet me vështirësitë. (Tuhef’ul-Ukul)


24. Një njeri nga fisi Tamim, i quajtur Ebu Umejje, erdhi tek i Dërguari i Zotit dhe i tha: “O Muhammed! Drejt ç’gjëje po i fton ti njerëzit?” I Dërguari u përgjigj: “Unë dhe ata që më binden mua i ftojmë njerëzit drejt Zotit nëpërmjet arsyes. Ne i ftojmë drejt Atij që ta kompenzon humbjen kur të kesh pësuar humbje e ta kesh thirrur. Drejt Atij që të ndihmon kur të jesh në pikëllim e t’i kërkosh ndihmë dhe që të bën të pavarur kur të jesh i varfër e t’i kërkosh pasuri.”

Njeriu i tha: “Më këshillo o Muhammed!”

I Dërguari ia ktheu: “Mos u zemëro!”

Njeriu: “Më këshillo prapë!”

I Dërguari: “Atë që e pëlqen për vete pëlqeje edhe për të tjerët!”

Njeriu: “Më këshillo prapë!”

I Dërguari: “Mos e shaj popullin sepse do të bëhet armiku yt!”

Njeriu: “Më këshillo prapë!”

I Dërguari: “Mos harro t’i bësh mirë atij që është i mirë dhe i virtytshëm!”

Njeriu: “Më këshillo prapë!”

I Dërguari: “Duaji njerëzit që edhe ata të të duan ty. Prite i buzëqeshur vëllain tënd dhe mos ji i padurueshëm sepse do të jesh humbës edhe në këtë botë edhe në tjetrën.” (Tuhef’ul-Ukul)


25. Zoti e mëshiroftë atë që thotë fjalë të mira e ua sheh dobinë ose hesht për të mos thënë fjalë të liga! (Tuhef’ul-Ukul)


26. Ai që bën një punë pa patur dituri, prish më shumë nga ç’rregullon. (Tuhef’ul-Ukul)


27. Kushdo që fiton dituri për t’u zënë me të paditurit, për t’u mburur përballë dijetarëve ose për t’i tërhequr njerëzit drejt vetes që këta ta nderojnë, le ta përgatisë vendin e tij në zjarr! Prijësia i takon vetëm Zotit dhe atyre që e meritojnë. Kushdo që ulet në një pozitë që Zoti nuk e ka caktuar për të, do ta vuajë dënimin e Tij. Dhe gjithkë që e fton popullin drejt vetes dhe padrejtësisht thotë se është prijës, Zoti nuk ka për ta parë me syrin e mëshirës derisa ky njeri ta tërheqë fjalën e tij. (Tuhef’ul-Ukul)


28. I bekuar është ai, të cilin Zoti e sheh duke qarë për mëkatet e tija dhe duke drithëruar nga droja e Zotit për shkak të mëkateve që nuk i di askush përveç atij vetë. (El-Ameli)


29. Isa, djali i Merjemes (paqja qoftë mbi të) u tha dishepujve të tij: “Bëhuni të dashur për Zotin dhe afrohuni me Të!”

“Si ta bëjmë këtë”, pyetën dishepujt.

Isa u përgjigj: “Duke mos i dashur e duke i urryer ata që kryejnë mëkate, fitojeni kënaqësinë Zotit!”

“Me kë të rrimë?”, pyetën sërish dishepujt.

Isa tha: “Rrini me atë që kur e takoni jua kujton Zotin, kur flet jua shton diturinë dhe kur vepron jua shton dëshirën për amshimin.” (Tuhef’ul-Ukul)


30. Një ditë teksa ecte rrugës, i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) takoi një grup njerëzish, të cilët për ta matur fuqinë me njëri-tjetrin, po hidhnin një gur në largësi. Ai u tha: “Më i fuqishmi në mesin tuaj është ai që e përmban veten kur është i zemëruar dhe që është falës ndonse është i fuqishëm..” (Tuhef’ul-Ukul)


31. Morali i bukur e ngrit njeriun në pozitën e atij që i kalon ditët me agjërim e netët me namaz. (Tuhef’ul-Ukul)


32. Vështrimi plot dashuri i fëmijës për prindin është adhurim. (Tuhef’ul-Ukul)


33. Kur nesër të vijë Dita e Gjykimit, më i afërti me mua nga mesi juaj do të jetë ai që flet drejtë, që e dorëzon amanetin aty ku duhet, që e mban fjalën e dhënë, që ka moral të bukur dhe që është i afërt me popullin. (Tuhef’ul-Ukul)


34. Një njeri i ditur në mesin e të paditurve është si një i gjallë mes të vdekurish. Çdo gjë, duke përfshirë peshqit, kafshët helmuese, bishat e egra dhe madje bagëtinë, i luten Zotit që ta falë kërkuesin e diturisë. Andaj kërkoni dituri sepse ajo është një mjet afrues ndërmjet juve dhe Zotit të Madhëruar. Dhe vërtet kërkimi i diturisë është detyrim për çdo musliman. (El-Ameli)


35. Ai që e përhap një të ligë, është si ai që e kryen atë. Ai që e turpëron një besimtar për shkak të një të keqeje të tij, s’ka për të vdekur pa e gjetur edhe atë e njejta gjë. (Tuhef’ul-Ukul)


36. Një njeri erdhi tek i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) dhe i kërkoi këshillë. “Mos u zemëro!” , i tha i Dërguari. Kur tjetri e përsëriti kërkesën e njejtë, i Dërguari i tha sërish: “Mos u zemëro!” dhe më pas shtoi: “Nuk është trim ai që nuk humb në mundje. Trim është ai që e përmban veten kur të zemërohet.” (Tuhef’ul-Ukul)


37. Besimi ndahet në dy. Gjysma e tij është durimi dhe gjysma tjetër falënderimi. (Tuhef’ul-Ukul)


38. Dijeni se përmbushja e të gjitha nevojave tuaja është në duart e Zotit, ndërsa njerëzit s’janë veçse mjete. Atëherë kërkojeni prej Zotit përmbushjen e nevojave tuaja nëpërmjet njerëzve. Nëse njerëzit nuk jua përmbushin nevojën, atëherë merreni atë nga Zoti nëpërmjet durimit! (Tuhef’ul-Ukul)


39. Dy janë hapat më të dashur në sytë e Zotit: hapat e një besimtari që shkon për t’i mbushur rradhët e besimtarëve dhe hapat e një besimtari që shkon për t’i përmirësuar marrëdhëniet e prishura familjare.

Edhe të përmbajturit më të dashur në sytë e Zotit janë dy: përmbajtja e zemërimit nga një besimtar, i cili me butësi i përgjigjet një provokimi dhe përmbajtja gjatë pikëllimit dhe dëshpërimit kur njeriu përballet me gjëra të vështira.

Edhe pikat më të dashura në sytë e Zotit janë dy: pika e gjakut e derdhur në rrugën e Tij dhe loti i derdhur në errësirën e natës nga droja prej Tij. (El-Ameli)


40. Largimi nga e liga është një lloj lëmoshe. (Tuhef’ul-Ukul)


41. Një njeri i kërkoi këshillë të Dërguarit të Zotit (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) dhe ai i tha: “Ruaje gjuhën!” Njeriu i kërkoi prapë këshillë dhe i Dërguari i tha sërish: “Ruaje gjuhën!” Kur njeriu ia kërkoi të njejtën për së treti, i Dërguari u përgjigj: “Turp të të vijë! Mos vallë ka ndonjë gjë tjetër që e çon njeriun në zjarrin e ferrit, përveç gjërave që ia bën gjuha?” (Tuhef’ul-Ukul)


42. Bota është një burg për besimtarin dhe parajsë për mohuesin. (Tuhef’ul-Ukul)


43. Besimtari pajiset me moralin e Zotit. Kur Zoti i fal atij begati, edhe ai u fal të tjerëve. Kur Zoti ia pakëson të mirat, edhe ai u fal më pak njerëzve të tjerë. (Tuhef’ul-Ukul)


44. Kushdo që përpiqet ta fitojë kënaqësinë e krijesave nëpërmjet zemërimit të Krijuesit, le ta dijë se Zoti ka për ta sprovuar nëpërmjet krijesave të tilla. (Tuhef’ul-Ukul)


45. Ka disa njerëz që kur i kanë mirë punët e kësaj bote, nuk ia varin veshin asaj që e humbin nga feja e tyre. (Tuhef’ul-Ukul)


46. Ai që të nesërmen e quan pjesë të jetës, nuk është miqësuar sa duhet me vdekjen. (Tuhef’ul-Ukul)


47. Dashuria e një besimtari për besimtarin është nga pjesët më të rëndësishme të besimit. Janë njerëz të zgjedhur ata që e duan njëri-tjetrin për hir të Zotit, zemërohen për hir të Zotit, japin për hir të Zotit dhe për hir të Zotit refuzojnë. (Tuhef’ul-Ukul)


48. Ai që ha bukë dhe e falënderon Zotin është më i mirë se ai që agjëron dhe nuk është mirënjohës. (Tuhef’ul-Ukul)


49. Mos iu ndani dashurisë ndaj ne Ehl-i Bejtit, sepse ai që del para Zotit me dashurinë tonë në zemër, ka për të hyrë në parajsë me ndërmjetësimin tonë. Betohem në Atë që e ka në dorë shpirtin tim se një rob i Zotit s’ka për të patur dobi nga veprat e tija pa na njohur neve. (El-Ameli)


50. Pyetja e bukur është gjysma e diturisë dhe të kaluarit mirë me njerëzit, gjysma e jetës së qetë. (Tuhef’ul-Ukul)


FUND