Lëvizja e Ashures
Imam Husejni (a.s): një shembull për njerëzimin
Shejh Shahabadi


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij! 


Disa e shohin lëvizjen e Imam Husejnit (a.s) si një lëvizje për ta marrë në duar pushtetin.[1] Disa e kanë parë atë si një përpjekje për ta arritur pozitën e dëshmorit, që nëpërmjet këtij vetëflijimi t’i stimulojë njerëzit drejt kryengritjes karshi sunduesve tiranë dhe ta zbulojë fytyrën e vërtetë të tyre.[2] Disa të tjerë, ndërkaq, e shohin lëvizjen e tij në sferën e detyrimit kur’anor të “urdhërimit të të mirës dhe pengimit të të ligës”, në mënyrë që të thahet rrënja e shkatërrimit në shoqëri dhe shoqëria t’u rikthehet mësimeve të vërteta dhe udhëzuese.[3] Përveç këtyre, ka të tillë që i referohen lëvizjes së Imamit si një simbol rezistence kundër sundimit tiran, ndërsa ceremonitë përkujtimore të shi’itëve i shohin më shumë si një përpjekje për të krijuar një identitet të veçantë shi’it.[4] Dhe më në fund, ka të tillë që besojnë se rënia dëshmor e Imam Husejnit (a.s) ishte për faljen e mëkateve të shi’itëve (ndjekësve) të tij dhe e kanë bindjen se vajtimi për ndodhinë e Ashures i sjell njeriut një shpërblim të madh hyjnor, duke ardhur kështu në përfundimin se sa më shumë që i valojnë flamujt e pikëllimit, aq më husejnit në karakter bëhen.[5]


Por ajo që është përtej çdo dyshimi është se Imam Husejni (a.s) e bart në vete potencialin për të qenë një shembull në çdo sferë. Në rastin e shembullit që përbën ai, duhet të kihet parasysh se Husejn ibn Aliu (a.s) nuk ishte imam vetëm i shi’itëve ose vetëm i muslimanëve, por i mbarë njerëzimit dhe i xhinnëve. Ai është Imam në këtë kuptim absolut, ndaj dhe nuk guxojmë ta prezantojmë atë në një formë të kufizuar dhe të pasaktë.


Pyetja që parashtrohet është si vijon: Në cilat sfera mund ta prezantojmë Imam Husejnin (a.s) si një shembull global për tërë njerëzimin? Si munden njerëzit e feve dhe bindjeve të tjera ta shohin atë si një shembull për vete dhe ta njohin si Imam? Dhe më me rëndësi se të gjitha, cilat mësime ia përcjell Imam Husejni (a.s) besimtarit musliman dhe veçanërisht një muslimani të botës perëndimore, qoftë i lindur këtu ose i ardhur më pas?


Gjatë përgjigjes së këtyre pyetjeve do t’i shpjegojmë kalimthi tre aspekte:


 


1. Përsosuria e karakterit


Veçoria kryesore e Imam Husejnit (a.s) është përsosuria e karakterit të tij njerëzor, gjë që e përbën atë si një shembull ideal. Ai është një dritë për njerëzimin, pavarësisht në i kushton njerëzimi rëndësinë e duhur ose jo. Ai është shpresa dhe vetë anija e shpëtimit.


 


2. Ndodhia e Ashures si epos i zhvillimit njerëzor


Madhështia e ndodhisë së Ashures dëshmon se si njeriu i pajisur me një botëkuptim hyjnor dhe me besimin në amshim, duke i shtypur tundimet e përkohshme shtazarake, mund t’i tejkalojë kufijtë e kohës e të hapësirës dhe ta zhvillojë qenien e tij. Kjo ndodhi është rrëfimi i asaj se si njeriu mund të bëhet pasqyra e emrave të bukur të Zotit dhe të arrijë të përjetësohet. Imam Husejni (a.s) është Imami i atyre që e duan të mirën, prijës i atyre që e kërkojnë drejtësinë, shembulli i atyre që e flijojnë vetveten dhe simbol i durueshmërisë dhe i vendosmërisë. Qerbelaja është një skenë e mbushur me këta virtyte. Shiu i qenies së Imam Husejnit (a.s) është i aftë t’i shuajë etjen çdo të eturi e ta bëjë të lëvizë drejt lulëzimit, jetës, lumturisë dhe përpjekjes. Ç’i duhet më tepër një njerëzimi që përballet me një katastrofë morale dhe shpirtërore? Atëherë më lejoni ta them troç: Imam Husejni (a.s) është ajo që kërkon njerëzimi modern.


 


3. Pasioni husejnian


Shtypja e Imam Husejnit (a.s) dhe rënia dëshmor në duart e tiranëve të asaj epoke i kanë lënduar ndjenjat e njerëzimit mbarë dhe e kanë ligështuar aq shumë vetëdijen njerëzore, sa dhimbja dhe pasioni që shkakton kjo ndodhi, tek secili që ka pranuar veç një shkëndijë të saj, ka për të mbetur përgjithmonë. Ndaj përkujtimi i Imam Husejnit (a.s) është përkujtimi që e rizgjon vetëdijen mbi kotësinë dhe shkatërrueshmërinë e kësaj bote, duke u bërë kështu një trashëgimi edukuese për gjithë shoqërinë moderne. Ndaj them: Paqja qoftë me ty o Husejn i të mirës, o Husejn i dashurisë, o Husejn i lirisë, o Husejn i lotëve e i pikëllimit! Paqja qoftë mbi ty o Husejn i të bekuarve dhe i bekimit,! Paqja qoftë mbi ty o Husejn i Kur’anit!


 





[1] Sahib Shehid Xhavid
[2] Dr. Sheriati
[3] Ajetollah Shehid Murteza Mutahhari
[4] Dr. Abdulkerim Soroush
[5] Mendimi i disa dijetarëve shi’itë të haditheve



publikuar më: 13.11.2015

Lexoni gjithashtu..

14.10.2016 Lëvizja e Ashures: Imam Husejni (a.s.) dhe rishfaqja e Imam Mehdiut (a.f.)

Kthehu