Misioni i të Dërguarit të Zotit (s.a.a) dhe vërtetësia e Kuranit
Shejh Shahabadi


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!  


Në këto ditë (27 Rexheb) është përvjetori i fillimit të profetësisë (arab. mabath) të të Dërguarit të fundit të Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij). I përgëzoj të gjithë muslimanët për këtë ditë të bekuar dhe, në këtë fjalim, dua të përqëndrohem në këtë temë. Është një bindje e të gjithë muslimanëve se, në këtë ditë, të Dërguarit (s.a.a) iu shfaq ëngjëlli i shpalljes, i cili i foli atij dhe ia përcolli porosinë që do të mbetej e vlefshme deri në ditët e fundit të botës. Ky është një pohim serioz dhe kërkon argumente dhe dëshmi të fuqishme. Edhe sot, kur kanë kaluar shekuj nga kjo ditë e bekuar, ndjekësit e kësaj feje duhet të jenë në gjendje ta argumentojnë këtë pohim të tyre dhe ta dëshmojnë vërtetësinë e Profetit (s.a.a). Një mënyrë për ta bërë këtë është që t’i hedhim një vështrim porosisë së tij dhe, duke u mbështetur në përmbajtjen e porosisë, të vijmë në përfundim lidhur me vlerën dhe vërtetësinë e saj.


Në përgjithësi, shohim se personalitetet e rëndësishme kulturore dhe shkencore respektohen nga popujt e tyre dhe nga e gjithë bota, si dhe merren seriozisht prej tyre. Si pasojë, sot mund të mbështetemi në mendimet e njerëzve nga e gjithë bota lidhur me Kur’anin, pra librin e shenjtë të muslimanëve.


Profesor Henry Corbin, një filozof i shquar francez, thotë:


Sikur mendimet e Muhammedit (s.a.a) të ishin bestytni dhe sikur Kur’ani i tij të mos kishte qenë shpallje e Zotit, ai kurrë nuk do të kishte guxuar ta ftonte njerëzimin drejt kërkimit të diturisë. Asnjë njeri dhe asnjë shkollë tjetër mendimi nuk e ka çmuar e theksuar aq shumë diturinë, sa Muhammedi (s.a.a) dhe Kur’ani. Në këtë libër, fjalët dituri, mendim dhe arsye përmenden plot 950 herë. 


Goethe, lidhja shpirtërore e të cilit me Kur’anin është e mirënjohur, thotë:


Për vite të tëra, njerëzit që s’njohin zot e fe, nuk na kanë lejuar ta dëgjojmë të vërtetën lidhur me Kur’anin e shenjtë dhe lidhur me personin që e solli atë. Sa më tepër që zhvillohemi shkencërisht dhe sa më tepër që e lëmë mënjanë fanatizmin, aq më fuqishëm ndikojnë mbi ne udhëzimet e Kur’anit, aq më shumë na magjepsin vargjet e tij. Shumë shpejt, ky libër i papërshkrueshëm do të bëhet pika qendrore e mendimit të tërë njerëzimit. 


Profesori Arthur John Arberry, përkthyesi i Kur’anit në gjuhën angleze, thotë:


Kur thuajse e kisha mbaruar përkthimin e Kur’anit, ndjeja në vete një shqetësim. Por Kur’ani kishte një ndikim aq të fortë qetësues mbi mua, sa nuk mund ta harroj kurrë. Unë e lexova Kur’anin, ndonëse nuk isha musliman, dhe pastaj e dëgjova recitimin e tij, për t’u magjepsur e për t’u përhumbur në tingëllimën e tij përplot ndikim. Desha t’i kuptoj muslimanët e parë e të shoh si kishin qenë ata. 


Joseph Ernest Renan, një filozof i shquar francez, thotë:


Në bibliotekën time ka me mijëra vepra politike, shoqërore dhe letrare, mes të cilave shumë i kam lexuar më shumë se njëherë. Megjithatë, ka një libër që më shoqëron gjithnjë. Kurdo që jam i sfilitur dhe dua të gjej kuptim dhe përsosuri, e lexoj Kur’anin, shkrimin e shenjtë të muslimanëve.


Tejet të rëndësishme janë kushtet, në të cilat Muhammedi (s.a.a) u zgjodh si profet. Kur të kundrohen me kujdes rrethanat kohore dhe mjedisi në të cilin jetoi, nuk ka dyshim se njeriu do të bindet për vërtetësinë e pohimeve të tija. Ai, në një epokë paganizmi dhe paditurie, pohoi se ishte ngarkuar me një detyrë nga Zoti dhe se e kishte parë ëngjëllin e shpalljes. Një njeri i rritur në një epokë të tillë nuk mund të krijojë një vepër si Kur’ani, me vargje e përmbajtje mbresëlënëse dhe me njohuri të shumta shkencore. Vepra të tilla mund të lindin vetëm në mjedise me kulturë e dituri të pasur. Përkundër kësaj, në kohën dhe në mjedisin ku jetoi Profeti (s.a.a), numri i njerëzve që dinin shkrim-lexim mbase nuk ishte as sa gishtat e dy duarve. Përveç kësaj, në këtë mjedis pagan nuk kishte shumë gjëra që e stimulonin njeriun për të kërkuar e fituar dituri. Luftime që zgjasnin me dekada e që bëheshin për arsye nga më të kotat flasin shumë për atmosferën e atëhershme mes arabëve. Vetë Kur’ani e përmend fenomenin e shëmtuar të varrosjes së foshnjave femra, si vetëm një shembull që e pasqyron epokën e atëhershme dhe që mjafton si një shpjegim për ne.


Pikërisht në një mjedis të tillë, Muhammedi (s.a.a) i prezantoi botës një libër, i cili edhe shekuj më pas, në epokën post-moderne, vazhdon të jetë subjekt diskutimesh e të lëvdohet e çmohet nga personalitete të shumta të botës shkencore. Sikur një njeri të mos e dinte fare epokën e paganizmit arab, me ta lexuar Kur’anin, do të kishte dëshiruar që të ishte i pranishëm në atë kohë dhe vend, për ta parë nga afër këtë epokë “utopike” e për t’i vizituar universitetet ku u zhvilluar njohuria e pasqyruar në këtë libër. Një njeri i tillë vështirë se do të besonte se njeriu që e solli këtë libër nuk dinte shkrim-lexim dhe nuk pati asnjë mësues.


Ekziston edhe teoria se Profeti (s.a.a) ishte një gjeni, se Kur’ani ishte një vepër e gjenialitetit të tij dhe se ligjet dhe rregullat në këtë libër patën ndikim pikërisht për këtë arsye. Megjithatë, duhet thënë se një gjeni mund ta shpërfaqë gjenialitetin e tij vetëm në një mjedis që e lejon këtë gjë dhe që është i hapur për zhvillim shkencor dhe dituror. Në një mjedis të tillë, populli, duke u mbështetur në traditën e pararendësve të vet, do ta stimulonte dhe përkrahte zhvillimin. Por në mjedisin ku jetoi i Dërguari i Zotit (s.a.a), shoqërisë, për dekada të tëra, i kishte munguar civilizimi i nevojshëm për t’i lejuar një gjeniu, pavarësisht sa i madh qoftë, të shpërfaqej e të sillte një vepër që do të kishte një ndikim të madh tek dijetarët e mendimtarët edhe shekuj më pas.  


Kur’ani i shenjtë e udhëzon njeriun jo vetëm në një fushë, por në shumë fusha të ndryshme dhe në mënyra të ndryshueshme. Ai ngërthen në vete ligje të përpikta dhe një rend të natyrës ekonomike, juridike, kulturore, etike dhe diturore. Që të mund të nxirrte në pah një vepër të tillë, një njeri do të duhej të kishte një jetë shumë të qetë dhe gjithë kohën e tij t’ia kushtonte studimit dhe hulumtimit. Nuk mund të paramendohet që autori i një vepre të tillë të ketë patur një jetë përplot ndodhi, si ajo e Profetit (s.a.a), të stërmbushur me aktivitete shoqërore e politike, shpërngulje, luftëra, sanksione ekonomike dhe mungesë të madhe sigurie. Kur’ani nuk mund të jetë vepër e një njeriu dhe vetë përmbajtja e tij është dëshmia më e madhe për këtë gjë. 


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!

publikuar më: 17.05.2015

Kthehu