Marrëdhëniet nga pikëpamja islame
Marrëdhëniet ndërnjerëzore në shoqëri (pjesa e parë)
Sejjid Mesud Masumi


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij! 


Në ligjëratën tonë të kaluar folëm për marrëdhëniet nga pikëpamja islame, duke u ndalur mbi marrëdhënien ndërmjet njeriut dhe Zotit. Thamë gjithashtu se njeriu, vetëm nëpërmjet marrëdhënies së tij me Zotin, pra me Përsosurinë Absolute, mund të fitojë ekzistencë e identitet, dhe se Zoti, pikërisht për këtë qëllim ia ka falur njeriut aftësinë e të krijuarit një lidhje dhe marrëdhënie me Të e për t’u mbrojtur nga pavëmendshmëria.


Në këtë ligjëratë do të flasim për një lloj tjetër të marrëdhënieve, gjegjësisht për marrëdhënien ndërmjet individit dhe njerëzve të tjerë. 


Një shoqëri vjen në ekzistencë pikërisht në çastin kur një numër individësh krijojnë kontakte ndërmjet veti. Pa këtë kontakt njerëzor, nocioni i shoqërisë është i paimagjinueshëm. Identiteti i një shoqërie, pra, varet nga karakteri i këtyre marrëdhënieve ndërnjerëzore. Nëse marrëdhëniet ndërnjerëzore sjellin deri tek krijimi i një shoqërie që e stimulon përsosjen dhe zhvillimin e individëve të saj, edhe vetë shoqëria ka për t’u rritur e për të lëvizur drejt përsosurisë.


Sjellja shoqërore, marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe karakteri individual i njeriut janë në një ndërveprim aq të fuqishëm ndërmjet veti, sa disa mendimtarë kanë thënë se pikërisht shoqëria është zanafilla e cilësive dhe e identiteteve individuale të njerëzve që e përbëjnë atë.


Ja përse të gjitha fetë dhe shkollat e mendimit janë marrë hollësisht me rregullimin e marrëdhënieve ndërnjerëzore. Marrëdhëniet ndërnjerëzore fitojnë kuptim vetëm nëpërmjet komunikimit, që nuk është tjetër veçse shkëmbimi i informacionit ndërmjet individëve. Në kohën tonë jemi dëshmitarë të një përpjekjeje të madhe të njeriut për t’i zhvilluar mjetet e tija të komunikimit dhe për të krijuar sa më shumë kontakte me njerëzit e tjerë. Për këtë qëllim përdoren mediat, revistat, gazetat ditore, librat, artikujt, mjetet multimediale, radioja, interneti, komunikimi satelitor etj. Qëllimi i përdorimit të këtyre mjeteve nuk është tjetër veçse të ushtruarit sa më shumë ndikim mbi mendimet dhe ndjenjat e njerëzve të tjerë.


Një analizë më e hollësishme lidhur me komunikimin dhe cilësitë e tija do të ishte përtej spektrit të kësaj ligjërate. Ndaj ne do të ndalemi vetëm tek pikëpamja islame lidhur me marrëdhëniet dhe ndërveprimet njerëzore, duke i shpjeguar edhe llojet e ndryshme të tyre. 


Siç kemi përmendur edhe më parë, Islami përpiqet që, brenda kornizave të marrëdhënies me Zotin, ta udhëzojë njeriun drejt përsosurisë dhe ta stimulojë rritjen dhe zhvillimin e tij. E njejta vlen edhe në shkallën shoqërore: Islami përpiqet ta vetëdijesojë shoqërinë lidhur me Zotin dhe të mos lejojë që ajo ta harrojë qëllimin përfundimtar të arritjes së përsosurisë. Si pasojë, Islami e përkrah dhe e thekson çdo sjellje dhe çdo marrëdhënie, e cila e orienton vëmendjen e shoqërisë ose të individit drejt Zotit, ndërsa e refuzon çdo marrëdhënie ose sjellje që e largon shoqërinë nga ky orientim. Për t’ia arritur këtij qëllimi, Islami përdor metoda të ndryshme, të cilat do t’i përmendim në vijim: 


 


Aktivitetet shoqërore 


Nëpërmjet metodave të fuqishme të komunikimit, Islami, për shekuj me radhë dhe në një mënyrë të palodhshme, ka arritur ta ftojë shoqërinë drejt Zotit. Janë pikërisht këto metoda të komunikimit, të cilat edhe sot, në mesin e një morie propagandash anti-islame nëpër media, i mundësojnë Islamit të depërtojë e të ketë ndikim mbi shoqërinë. Këtu do të ishte me vend që t’i trajtojmë më hollësisht këto metoda të komunikimit.


1. Islami e stimulon pjesëmarrjen në namazin e Xhumasë, në namazet e ndryshme me xhemaat, në namazet me rastin e festave të ndryshme dhe, ndërkohë, e përkrah hapur çdo përpjekje kundër agresorëve. Islami i stimulon ndjekësit e vet që të hapin shoqata të ndryshme për përhapjen e kulturës islame dhe i fton të gjithë muslimanët që të mblidhen në grupe, me qëllim që ta mbajnë gjallë komunikimin mes tyre.


Në nivelin individual, ndonëse Islami e thekson fuqishëm marrëdhënien ndërmjet njeriut dhe Zotit, duke e obliguar njeriun me pesë namaze në ditë, ai njëkohësisht e këshillon fuqimisht që të marrë pjesë në namazet me xhemaat e të shkojë në xhami, në mënyrë që të krijojë marrëdhënie dhe lidhje të reja me njerëzit. Xhamia, pra, është një qendër për stimulimin e marrëdhënieve të shëndosha ndërnjerëzore. Ndaj edhe themi se një musliman duhet të shkojë në xhami, jo vetëm gjatë festave të veçanta, por rregullisht. Por, kuptohet, edhe aktivitetet e xhamive duhet të trajtësohen në harmoni me nevojat e shoqërisë, gjegjësisht duke i udhëzuar e vetëdijesuar njerëzit lidhur me mësimin kur’anor, lidhur me zhvillimet aktuale të ditës dhe lidhur me gjendjen e njerëzve të tjerë, me qëllim rrënjosjen e dashurisë dhe unitetit ndërmjet muslimanëve dhe të tjerëve. Vetë Kur’ani i detyron besimtarët që t’i zhvillojnë dhe mirëmbajnë xhamitë:


Faltoret e Zotit i mirëmbajnë vetëm ata që besojnë në Zotin e në ditën e gjykimit, e falin namazin, e japin zekatin dhe nuk kanë drojë veçse para Zotit. (Kur’an, 9:18) 


Në këtë kontekst, me fjalën “mirëmbajnë” nuk nënkuptohet ndërtimi teknik i një xhamie, sepse një gjë e tillë nuk ka të bëjë fare me besimin e një njeriu. Siç qartësohet edhe nga një varg tjetër kur’anor, ku Zoti paralajmëron se mirëmbajtja e xhamive nuk mund t’u lihet jobesimtarëve,  me “mirëmbajtje” nënkuptohen pikërisht aktivitetet dhe programet, të cilat e mbajnë gjallë funksionalitetin e një xhamie.


Nuk u takon idhujtarëve t’i mirëmbajnë faltoret e Zotit, ndërsa edhe vetë dëshmojnë se janë mohues. (Kur’an, 9:17) 


2. Shfrytëzimi i datave të caktuara, i netëve dhe ditëve të zgjedhura, për stimulimin e aktiviteteve shoqërore


Vërejmë se shumë shpesh, kuptimi ceremonive që mbahen gjatë festave dhe datave të veçanta në Islam, lihet pas dore. Këto mbledhje, festa, ceremoni përkujtimore, ose muaj të shenjtë (si muajt Rexheb, Sha’ban, Ramazan) nuk kanë qëllim tjetër, veçse bashkimin shpirtëror të muslimanëve, parandalimin e tëhuajtjes së tyre nga njëri-tjetri dhe mbrojtjen e identitetit të tyre islam. Këto ceremoni janë një faktor i rëndësishëm, që mundëson krijimin e lidhjeve të shumanshme ndërmjet muslimanëve, të cilat i mbrojnë individët, i udhëzojnë ato dhe e përqëndrojnë vëmendjen e tyre tek Zoti. Në kornizën e këtyre festave shkëmbehen me miliona urime dhe porosi ndërmjet muslimanëve dhe madje edhe ndërmjet muslimanëve dhe jomuslimanëve. 


3. Definimi i vendeve të caktuara për komunikim


Islami e thekson ndërtimin e xhamive dhe i vetëdijeson njerëzit lidhur me ekzistencën e një Xhamie të Shenjtë (Mesxhid el-Haram), të tyrbeve të shenjta dhe të vendeve të tjera të veçanta, si: shkretëtira e Arafatit, Meshar el-Sherifi, Kufeja, Qerbelaja dhe Jerusalemi. Ndërkohë, ai e ka caktuar Qaben si drejtimin e përbashkët të adhurimit. Kjo bën që të krijohen marrëdhënie të caktuara brenda shoqërisë muslimane, të cilat, nëse kultivohen, kanë për t’i lidhur fuqishëm muslimanët ndërmjet veti, gjë që do të ketë ndikim të fuqishëm mbi identitetin islam të tyre. 


4. Shpjegimi i rregullave shoqërore për muslimanët


Islami ofron një numër të madh aktivitetesh shoqërore, si: pelegrinazhi, vetëmbrojtja, urdhërimi i të mirës dhe pengimi i të ligës etj. Edhe urdhrat dhe ndalesat e Islamit janë konceptuar në një mënyrë që, çdo muslimani që i ndjek ato, i mundëson një kontakt të arsyeshëm me njerëzit e tjerë. Kështu krijohet një sistem marrëdhëniesh, që është i rregulluar dhe me një qëllim të qartë.


Tatimet, si khumsi ose zekati, i afrojnë jo vetëm pasanikët, por edhe të gjithë të tjerët që kanë ndonjë tepricë fitimi, me nevojtarët dhe të varfërit. Më pas, është pikërisht kjo lidhje që e stimulon solidaritetin, vetësakrificën, simpatinë dhe kontaktin ndërmjet shtresave të ndryshme të shoqërisë.


Urdhërimi i të mirës dhe pengimi i të ligës është një princip dhe detyrim i përgjithshëm për muslimanët, i cili i sjell marrëdhëniet ndërmjet tyre në një shkallë krejtësisht të re dhe ua jep atyre qëllimin e përbashkët, që nuk është tjetër veçse parandalimi i devijimit nga rruga e drejtë. Aq sa për shoqërinë në tërësi, kjo vlen edhe për njësinë më të vogël të shoqërisë, gjegjësisht familjen. Ky është një dallim i rëndësishëm nga shkollat e tjera të mendimit, ku promovohet kryesisht mosinteresimi për mendimin e të tjerëve. Përkundër kësaj, Islami i udhëzon njerëzit drejt një sistemi të mirëplanifikuar, i lë ballë për ballë me argumente logjike dhe i bën pjesëmarrës në një dialog shoqëror, i cili mundëson krijimin e marrëdhënieve pozitive ndërmjet tyre:


(Ata) të cilët e dëgjojnë çdo fjalë që thuhet dhe e ndjekin vetëm atë që është më e mirë. Këta janë të udhëzuar nga Zoti dhe këta janë njerëzit e mendjes së shëndoshë. (Kur’an, 39:18) 


Nënkapitujt e ligjit islam, qofshin ata të ndërlidhur me shitblerjet ose marrëveshjet, me pelegrinazhin, me zekatin ose me tema të ngjashme, të gjitha i rregullojnë dhe i zgjerojnë marrëdhëniet ndërmjet muslimanëve në një mënyrë të arsyeshme dhe që çon drejt qëllimit.


Ndërkohë, duhet theksuar se Islami i ndalon disa marrëdhënie të caktuara, pikërisht për shkak se janë shkatërrimtare ose madje vdekjeprurëse për njeriun. Për shembull, është e ndaluar gënjeshtra dhe ofendimi, ekzistojnë rregulla që i definojnë marrëdhëniet familjare dhe marrëdhëniet me njerëzit jashtë familjes, rregulla që i përcaktojnë normat e mbulimit të trupit dhe madje edhe dënimet në raste thyerjesh të ligjit. Të gjitha këto ekzistojnë me qëllimin kryesor të parandalimit të marrëdhënieve që do ta dëmtonin shoqërinë dhe individin.


Dhunimi i ndonjërit nga këta parime është i dëmshëm për zhvillimin e njeriut dhe për marrëdhëniet ndërnjerëzore. Aty ku nuk ndiqen këta udhëzime, krijohen marrëdhënie krejtësisht të tjera dhe bëjnë që në shoqëri të mos mbetet tjetër prej Islamit, përpos emrit.


Vëmendshmëria karshi ligjeve islame dhe praktikimi i tyre ose, thënë ndryshe, rrënjosja e takva-së, qoftë në dimensionin individual ose shoqëror, krijon një dinamikë në shoqëri, e cila e stimulon zhvillimin e saj. 


Në ligjëratën tonë vijuese do të vazhdojmë me trajtimin e metodave të ndryshme, nëpërmjet të cilave Islami e orienton shoqërinë dhe individin drejt Zotit, duke e mbajtur larg devijimit. 


I lutemi Zotit që ta përforcojë unitetin ndërmjet muslimanëve dhe marrëdhëniet konstruktive ndërmjet tyre!


 


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!

publikuar më: 24.04.2015

Kthehu