Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Ngase jemi në këto ditë që i kushtohen Imam Husejnit (paqja qoftë mbi të), do të ishte me vend që të flasim pak më tepër lidhur me lëvizjen revolucionare të tij. Në këtë mjedis, një rëndësi tejet të madhe ka njohja më e hollësishme e karakterit të Imamit (a.s), i cili mund të jetë një shembull i përsosur për njerëzimin. Edhe ai vetë e ka thënë këtë gjë me fjalët “tek unë ka një shembull për ju” dhe kjo vlen për të gjithë aspektet e karakterit të tij, sepse tek ai e hasim diturinë, thellësinë, adhurimin e përsosur të Zotit, moralin, vetëdijen lidhur me detyrimet dhe përgjegjësitë njerëzore dhe shumë gjëra të tjera, që përfaqësojnë vlerat më të larta njerëzore. Kur të studiohet hollësisht jeta, dituria dhe veprat e Imam Husejnit (a.s), do të përballemi me karakterin e tij të përsosur dhe do të kuptojmë se është një shembull ideal për njerëzimin në tërësi, qoftë në aspektin shpirtëror e hyjnor, qoftë në aspektin njerëzor. Të trajtuarit e aspekteve të ndryshme të ndodhisë së Ashures, që ishte një lëvizje e prirë nga një prijës hyjnor, mund të jetë tejet efektive. Dhe ngase prijësi i kësaj lëvizjeje ishte një njeri i përsosur dhe i dëlirë, fjalët dhe veprat e tija janë një dëshmi për njerëzimin.
Porositë e kësaj ndodhie të madhe mund të jenë një mësim i mjaftueshëm për çdo njeri. Megjithatë, duhet kuptuar se mësimi nuk mund të kufizohet vetëm në fjalët e personalitetit më të rëndësishëm të kësaj ndodhie. Ndonjëherë, veçanërisht në ndodhitë që kanë më shumë aspekte, edhe heshtja e një personazhi mund të jetë një mësim e shembull për individin ose për shoqërinë në tërësi.
Pra, për ta kuptuar si duhet porosinë e ndodhisë së Ashures, duhet fillimisht ta njohim themelin intelektual të personit që e realizoi atë, në mënyrë që të mund ta intepretojmë si duhet vetë ndodhinë. Fjalët e Imam Husejnit (a.s) tregojnë se porositë që duhen nxjerrë nga kjo ndodhi nuk janë kurrsesi njëdimensionale. Porositë e Ashures kanë shumë aspekte, si besimi, etika, gnosa, politika, reformimi i shoqërisë, ruajtja e fesë etj. dhe secila prej këtyre mund të trajtohet ndarazi e në hollësi. Në këtë ligjëratë të shkurtër, megjithatë, do të thellohemi pakëz në aspektin moral të porosisë së Ashures, duke shpresuar se kështu do ta njohim pak më mirë Imam Husejnin (a.s).
Morali në kryengritjen e Imam Husejnit (a.s)
Morali është një dimension i rëndësishëm i karakterit njerëzor. Respektimi i vlerave morale dhe të fituarit e virtyteve njerëzore numërohen në mesin e qëllimeve më të rëndësishme të profetëve monoteistë, aq sa i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) thotë: “Nuk u dërgova ndryshe, veçse për ta plotësuar moralin e bukur”.
Për këtë qëllim, njerëzimi ka nevojë për shembuj të përsosur, të cilët do t’i shpërfaqin në vete cilësitë më të lartësuara njerëzore. Nuk ka fare dyshim se, pas të Dërguarit të Zotit (s.a.a), ky shembull i përsosur për shoqërinë njerëzore janë Imamët e dëlirë, që janë të pastër nga çdo mëkat e gabim.
Kur ta hulumtojmë në hollësi atë që ndodhi në muajin Muharrem të vitit 61 pas Hixhrit dhe veçanërisht atë që ndodhi në ditën e dhjetë të këtij muaji (pra betejën e Qerbelasë), do të përballemi me manifestimin e përsosur të moralit në personalitetin e Imam Husejnit (a.s) dhe të ndjekësve të tij. Në shembullin e tyre, do ta shohim në trajtën më të përsosur, durimin, sakrificën, bujarinë, besnikërinë, dinjitetin, guximin, çlirimin nga gjërat e kësaj bote, besimin e patundur në Zotin, thellësinë, fisnikërinë e dashurinë për të Vërtetën, ndërsa në ushtrinë armike të Jezidit (mallkimi i Zotit qoftë mbi të) do të dalin në sipërfaqe poshtërsitë më të mëdha, të mishëruara në një grup njerëzish që luftuan çdo vlerë njerëzore me një sjellje të dhunshme, të shëmtuar e të ulët, duke e shkatërruar e turpëruar kështu veten e tyre deri në përjetësi.
Në mesin e vlerave morale që përvijohen qartas në lëvizjen e Ashures është dashuria për lirinë. Këta njerëz fisnikë, për të shpëtuar nga të gjithë zinxhirët e robërisë e për ta arritur lirinë e vërtetë, hoqën dorë nga çdo gjë e çmueshme dhe nga çdo bukuri e kësaj bote, duke e arritur kështu pozitën e dinjitetit dhe të lavdisë kulmore. Ata e përmbushën detyrën e tyre më të rëndësishme njerëzore dhe e preferuan një vdekje të ndershme karshi një jete plot poshtërsim e nënshtrim. Ky është një tipar shumë i rëndësishëm i heronjëve të Qerbelasë. Ndaj shohim se kur i kërkuan Imam Husejnit (a.s) që t’i shprehte bindje e besnikëri Jezidit, ai tha: “Për Zotin s’kam për t’ua zgjatur dorën në poshtërsim dhe s’kam për t’u nënshtruar para tyre si një skllav.”
Kështu, ndërsa i sulmonin radhët e armikut, ushtarët e Imamit (a.s) thirrnin: “Vdekja është më mirë se turpërimi dhe turpërimi është më mirë se zjarri i ferrit.” Ishte ky shpirt liridashës i Imam Husejnit (a.s), që edhe në çastet kur ishte shtrirë në tokë dhe i plagosur rëndë, e bëri t’i ftonte drejt lirisë armiqtë e vet, të cilët po u aviteshin çadrave ku ishin gratë e fëmijët e familjes së tij. Ai u tha: “ Edhe sikur të keni hequr dorë nga feja, së paku jini të lirë në këtë botë.”
Sakrificë do të thotë ta flijosh veten për të tjerët. Këtë virtyt të lartë mund ta shohim shumë qartas në ndodhinë e Ashures. Imam Husejni (a.s) dhe ndjekësit e tij flijuan gjithë ç’kishin për ta ruajtur fenë e Zotit dhe traditën e Profetit (s.a.a). Muslim bin Akilin, i cili kishte qenë lajmëtari i Imam Husejnit (a.s) në Kufe, pasi e zunë dhe e sollën në ndërtesën e guvernatorit, vendosën ta vrisnin. Kur u shpall ky vendim, Muslimi nisi të qante. Njëri i tha: “Një njeri që ka dëshira si tuat, nuk duhet të qajë.” Ndërsa Muslimi u përgjigj: “Nuk qaj për veten time por për Imam Husejnin (a.s) e për familjen e tij.”
Skena e Ashures ishte skena e mbështetjes absolute në Zotin. Vetëm me këtë besim mund të hapërohej kjo rrugë dhe kështu bënë heronjtë e Qerbelasë, të cilët luftuan deri në frymën e fundit, duke u mbështetur në Zotin dhe duke shpresuar prej Tij për fitore. S’ka sukses veçse prej Zotit. Tek Ai mbështetem dhe drejt Tij jam kthyer. (Kur’an 11:88) Në lutjen e recituar në mëngjesin e Ashures, ata e shprehën mbështetjen e tyre në Zotin, duke thënë: “Zoti im! Ti je streha ime në të gjitha fatkeqësitë, Ti je shpresa ime në çdo vështirësi dhe Ti ndihmuesi im në çdo gjë me të cilën përballem.”
Krahas kësaj, edhe format më të lartësuara të përpjekjes (xhihadit) për hir të Zotit mund të hasen në ndodhinë e Ashures. Me këtë nënkuptojmë përpjekjen kundër unit (xhihad’un-nefs). Në peisazhin e Qerbelasë shohim se si këta njerëz fisnikë luftuan kundër tundimeve të unit, kundër mllefit, kundër dëshirave dhe kundër dashurisë për këtë botë. Dhe nuk ka dyshim se njeriu ka për të dalë fitimtar në çdo çast të jetës së tij, nëse del fitimtar në këtë front të brendshëm të përpjekjes shpirtërore. Në ditën e Ashures, këta luftëtarë të të drejtës hoqën dorë nga dashuria për këtë botë, që të mund ta mbronin fenë e Zotit. Disa hoqën dorë nga dashuria për gratë e për fëmijët e tyre, vetëm e vetëm që ta mbronin të vërtetën, fenë dhe Imamin e tyre. Disa u dogjën në etje që të mos mbetej etur Imami e të tjerë akoma, si Abbasi, e refuzuan edhe ofertën e armikut për mëshirë, duke u flijuar për Imamin e vet.
Falë një vullneti të jashtëzakonshëm, këta luftëtarë të të drejtës i përballuan kushtet më të vështira me një zemër të fortë e me një guxim shembullor, e kryen detyrën që ua ngarkoi Zoti mbi supe dhe kështu e arritën lumturinë në të dyja botët. Ata e preferuan kënaqësinë e Zotit karshi çdo gjëje tjetër dhe e mbrojtën veten nga dëshira e ulta, për ta ruajtur dinjitetin e tyre si njerëz. Karshi shtypjes e fatkeqësisë së madhe që i gjeti, ata shfaqën durim e rezistencë, duke dalë fitimtarë në çdo fushëbetejë.
Lidhur me aspektet morale të ndodhisë së Ashures mund të thuhen edhe shumë gjëra. Por këtu do të mjaftohemi me këto pika më të rëndësishme, sepse, siç thotë poeti:
Kur s’mund ta marrë njeriu detin të tërë
Vetëm aq merr, sa etjen e vete ta shuajë.
Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!