Ndodhia e Ashures
Devotshmëria në shembullin e Imam Husejnit (a.s)
Dr. Hamidreza Torabi


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij! 


Kur ta studiojmë me kujdes jetën e Imam Husejnit (paqja qoftë mbi të) pas regjimit të Muavijes, do të vërejmë se ai, ndonëse ishte i vetëm dhe kishte shumë pak ndjekës e miq, nëpërmjet një plani të përpiluar me kujdes, krijoi një skenë historike, e cila do të mundësonte një dallim të qartë të të mirës nga e liga. Në njërën anë do të shkëlqenin veprat e mira dhe virtytet e tija, ndërsa në tjetrën do të dilnin në sipërfaqe të gjitha të ligat e armiqve. Imami e arriti këtë duke i praktikuar përpikmërisht dhe përsosurisht mësimet islame, aq sa hipokritëve nuk u mbeti mundësi tjetër veçse ta hiqnin maskën e tyre e t’i nxirrnin në sipërfaqe të gjithë motivimet e tyre të ulta dhe materialiste, të cilat i kishin treguar gjithnjë si gjëra të mira dhe i kishin arsyetuar nëpërmjet fesë. Metodat e përdorura nga Imam Husejni (a.s) janë vërtet shembullore dhe mund të shfrytëzohen në çdo kohë me qëllim të të mbrojturit të të vërtetës.


Pra kur bëhet fjalë për kryengritjen e Imam Husejnit (a.s) dhe ndodhinë e Qerbelasë, duhet patur parasysh se kemi të bëjmë me shumë mësime dhe porosi, të cilat janë të gjitha të dobishme dhe të nevojshme për zhvillimin e njeriut. Më e rëndësishme mes tyre, megjithatë, është devotshmëria. 


Në hadithe mund të haset nocioni “idhujtari (shirk) e fshehtë”. Siç mund të kuptohet, ekzistojnë dy lloje të idhujtarisë: idhujtaria e hapur dhe idhujtari e fshehtë. Me të parën kemi të bëjmë kur sundimin e botës së krijuar ia njohim dikujt tjetër përveç Zotit ose një force të dytë, që e konsiderojmë të barabartë me Të. Përkundër kësaj, idhujtaria e fshehtë është një çështje shumë më delikate, aq sa edhe vetë njeriu që e praktikon atë nuk është i vetëdijshëm për ekzistencën e saj. Kur njeriu bën diçka për hir të Zotit, ky veprim ka për t’u pranuar nga Zoti, nëse qëllimi i vetëm i njeriut është arritja e kënaqësisë së Zotit. Por nëse pas këtij veprimi fshihen motive të tjera dhe nëse, qoftë edhe pjesërisht, personi ka për qëllim ta fitojë kënaqësinë e një tjetri veç Zotit, atëherë më nuk kemi të bëjmë me një devotshmëri të mirëfilltë. Kjo është arsyeja përse të Dëlirët kanë këshilluar gjithë kohës që njeriu t’i kushtojë më shumë vëmendje qëllimit që fshihet pas një vepre sesa vetë veprës së kryer.


Një pikë me rëndësi është se qëllimet e vërteta të njerëzve mund të kuptohen në kohë të vështira. Në situata të tilla, për shembull kur është në rrezik jeta, prona, nami, pozita, pasuria ose familja, njeriu shumë pak përqëndrohet tek devotshmëria dhe bën ç’mos për të shpëtuar nga situata ku gjendet. Për të kuptuar më mirë se ç’nënkuptojmë me veprime të virtytshme dhe me devotshmëria të mirëfilltë, do t’i hedhim një vështrim sjelljes së Imam Husejnit (a.s), në të cilën mund të gjenden shenjat e vërteta të devotshmërisë, edhe përkundër vetmisë, shtypjes, pasigurisë dhe tradhëtisë me të cilën u përball. Këto shenja të devotshmërisë janë si vijon: 


1. Gatishmëria për të flijuar për hir të Zotit
Imami vendosi të nisej për në Kufe dhe të mos e njihte sundimin e Jezidit, duke e ditur se ai vetë kishte ndikim në shoqëri dhe se fjalët dhe veprat e tija do ta tërhiqnin vëmendjen e njerëzve. Ai e prezantoi veten si një shërbetor të Zotit dhe motoja e tij ishte të jetuarit me fenë e Zotit, një gjë ndaj të cilës ai ishte akoma më i ndjeshëm edhe për shkak të prejardhjes së tij. Fundja ai ishte nipi i Profetit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij), djali i Prijësit të Besimtarëve Aliut (a.s), vëllai i Imam Hasanit (a.s), mëkëmbës i Profetit (s.a.a) dhe djali i vajzës së vetme të të Dërguarit të Zotit (s.a.a). Edhe përkundër këtyre cilësive dalluese, shthurrja e shoqërisë, shtypja dhe kërcënimi i vazhdueshëm ndaj Ehl-i Bejtit, kishin krijuar një atmosferë ku vendimi për një lëvizje të tillë ishte tejet i vështirë. Në një gjendje të tillë është shumë e lehtë që njeriu të heqë dorë nga principet e tija, qoftë kjo edhe vetëm për hir të sigurisë dhe rehatisë personale, pa përmendur aspak familjen, duke u arsyetuar me pamundësinë ose paaftësinë dhe me faktin se Zoti nuk e ngarkon njeriun me një përgjegjësi që është përtej mundësive të tija. Përkundër arsyetimeve të tilla, e kemi sjelljen e Imam Husejnit (a.s) dhe të ndjekësve të tij besnikë, të cilët edhe në kushte të tilla, e shfaqën devotshmërinë më të përsosur.


 


2. Veprimi i arsyeshëm
Nuk ekziston as edhe një çast i vetëm në histori, ku sjellja e Imam Husejnit (a.s) ka prapavijë emocionale ose të mbështetur në zemërim. Edhe në rastet kur të shohim zemërim, zemërimi është përherë i shoqëruar nga arsyeja, gjë që buron nga devotshmëria e Imamit. Gjëja më e çmueshme për të është kënaqësia e Zotit, ndaj ai e vendos zemërimin e vet nën frerët e arsyes, duke e ditur se gjatë vlerësimit të veprave, Zoti i jep vlerë arsyes dhe intelektit që fshihet pas tyre (përkth. shih “Libri i mendjes dhe injorancës”, Usul el-Kafi). Kështu ishte sjellur edhe Imam Aliu (a.s) gjatë betejës së Hendekut, kur Amr bin Abd Vudd e pati fyer. Për ta mundur zemërimin e tij, ai u largua për disa çaste prej armikut dhe pastaj e vrau atë, pasi zemërimi i kishte kaluar.


 


3. Kujdesi karshi detyrimeve fetare
I Dërguari i Zotit (s.a.a) thotë:Kushdo që i shqipton me sinqeritet fjalët “la ilahe ilallah” (s’ka zot tjetër veç Zotit), ka për të hyrë në parajsë. Shenjë e sinqeritetit të tij është që këto fjalë ta mbajnë larg mëkateve.


Në ndodhinë e Qerbelasë, shumë shpesh përballemi me raste kur Imami dhe ndjekësit e tij përpiqen t’i udhëzojnë armiqtë e tyre ose palët e paanshme si Zuhajr ibn Kajni. Kjo tregon se edhe në çastet më të vështira, teksa ndodhej në mes të betejës e i rrethuar nga çdo anë prej armiqve të tij, Imami nuk i shpërfill detyrimet e veta dhe i fton njerëzit drejt dritës së udhëzimet deri në çastet e fundit. 


4. Dorëzimi karshi caktimit hyjnor
Kur’ani thotë:



Dhe nëse vriteni ose vdisni në rrugë të Zotit, dijeni se falja dhe mëshira e Tij janë më të mira se ajo që kanë për të fituar ata (që mbesin pas). (Kur’an, 3:157)


Në rrethana të tilla, nuk bëhet fjalë për një caktim të dëshiruar nga individi. Njeriu mund të caktojë qëllime e të bëjë plane, por caktimi dhe përfundimi i takojnë Zotit. Kështu thotë Imam Husejni (a.s) edhe në lutjen e tij të famshme: “Zoti im! Unë jam i kënaqur me kënaqësinë Tënde dhe me caktimin Tënd. Nuk ka të adhuruar veç Teje.”


 


5. Indiferenca karshi lëvdatave ose qortimeve
I Dërguari i Zotit (s.a.a) thotë: Çdo gjë ka një realitet të vetin. Besimtari ka për ta arritur devotshmërinë e vërtetë vetëm kur të mos presë kurrfarë lëvdate nga njerëzit për një gjë që e bën për hir të Zotit.


Po kështu, Imam Xhaferi (a.s) thotë: Njeriu është një rob i vërtetë i Zotit, kur të arrijë në pikën ku lëvdatat dhe qortimet e njerëzve nuk kanë kurrfarë rëndësie për të. 


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!


 FUND

publikuar më: 23.11.2014

Lexoni gjithashtu..

05.12.2014 Ndodhia e Ashures: Morali në shembullin e Imam Husejnit (a.s) e të ndjekësve të tij
14.11.2014 Ndodhia e Ashures: Imam Husejni (a.s) si ringjallës i traditës hyjnore
22.11.2013 Ndodhia e Ashures: Prania e grave në lëvizjen e Ashures
08.11.2013 Ndodhia e Ashures: Një kryengritje për lirinë dhe kundër dhunës e mizorisë

Kthehu