Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Drejtësia është një nga cilësitë e Zotit. Kur thuhet se Zoti është i drejtë, me këtë nënkuptojmë se Ai e ka pajisur çdo qenie me cilësi dhe aftësi të caktuara, që të mos ketë padrejtësi në mesin e krijesave. Andaj kurrë nuk mund të thuhet se Zoti është i padrejtë.
Dhe Zoti yt nuk u bën padrejtësi robërve të vet. (Kur’an, 41:46)
Edhe Imam Aliu (paqja qoftë mbi të), në fjalimin e tij në Nehxhu’l-Belaga, e lëvdon Zotin pikërisht me cilësinë e Tij të drejtësisë dhe thotë: “Dëshmoj se Ai është i drejtë dhe u jep fund armiqësive.”1 Ndërsa Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) e përshkruan Zotin me fjalët vijuese: “Zoti është një dritë që s’lë vend për errësirë, një e vërtetë që s’lë vend për gënjeshtrën dhe një drejtësi që s’lë vend për padrejtësinë...2 Drejtësia në univers dhe në natyrë, drejtësia në ligjet islame dhe drejtësia në ditën e gjykimit e të llogarisë janë aspekte të rëndësishme të drejtësisë hyjnore, me të cilat, në dashtë Zoti, do të merremi në këto ligjërata.
E tërë ekzistenca dhe dinamika e brendshme dhe e jashtme e të gjitha gjërave mbështetet në drejtësinë. Gjithçka e ka vendin e vet në natyrë dhe në universin tonë nuk ka asnjë lloj padrejtësie ose shtypjeje. Edhe pabarazia nuk ka kuptim në këtë kontekst, sepse edhe dallimet e pranishme ekzistojnë për hir të përshtatshmërsë, baraspeshës dhe harmonisë ndërmjet krijesave. Andaj, i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) thotë: “Qielli dhe toka janë vendosur mbi themelin e drejtësisë.”3
Lidhur me këtë temë, në një rast Imam Aliu shprehet si vijon: “Zoti është tepër i lartësuar për t’u bërë padrejtësi robërve të Vet. Ai e ruan drejtësinë dhe baraspeshën mes robërve të Tij dhe gjykon ndërmjet tyre me drejtësi.”4
Për të patur një botëkuptim të plotë mbi drejtësinë në këtë botë e në natyrë, është me rëndësi që ta kemi parasysh gjithë botën. Kur të merremi ndarazi me çdo element, nuk mund të mbërrijmë në përfundime të sakta dhe logjike. Si pasojë, vuajtjet dhe katastrofat natyrore, si përmbytjet, stuhitë, tërmetet e të ngjashme, nuk do të mund t’i kuptojmë si duhet. Duhet gjithnjë të kemi parasysh se asnjë veprim i Zotit të Madhëruar nuk është i kotë dhe se gjithçka krijohet duke u mbështetur në urtinë e pakufishme hyjnore, e cila ka caktuar një pozitë për çdo send. Megjithatë, urtia e Zotit dallon nga urtia e njeriut. Ndërkohë që njeriu sillet me urti ngase e konsideron dobinë që ka nga veprimi në fjalë, urtia e Zotit e konsideron përsosurinë e krijesave dhe jo përsosurinë e vetes, sepse Zoti është edhe ashtu poseduesi i çdo përsosurie.
Duhet të kuptojmë se Zoti e mendon të mirën e të gjitha krijesave dhe kur ekzistenca e një krijese kërkon ardhjen në ekzistencë të një mangësie ose të një gjëje të ligë, Zoti e lejon këtë gjë, në mënyrë që të mund të ruhet mirësia më e madhe. Pra, kur një e ligë e vogël është një parakusht i domosdoshëm për arritjen e një mirësie më madhore, edhe kjo ligësi e vogël është pjesë e vullnetit hyjnor.
Ekzistencën e dallimeve, pra, Kur’ani e kupton si një shenjë të fuqisë së Zotit dhe sjell një shembull të bukur për këtë:
Ai dërgon ujë nga qiejt përposh e uji i vërshon luginat, aq sa kanë nevojë. Dhe mbi ujin shfaqet shkuma, si ajo që shfaqet kur hidhni diçka në zjarr për të bërë stoli a për diç tjetër. Kështu e qartëson Zoti të drejtën dhe të gabuarën. Shkuma pastaj zhduket, ndërsa ajo që është e dobishme për njeriun mbetet mbi tokë. Kështu jep shembuj Zoti. (Kur’an, 13:17)
Kështu, Zoti i ka dhënë hise çdo qenieje në mëshirën e Tij, varësisht nga kapaciteti i saj për ta pranuar atë. Dhe ngase kapacitetet janë të ndryshme për nga vetë natyra e krijimit të çdo sendi, edhe përfitimi nga mëshira e Zotit i secilit send është i ndryshëm. Është e qartë se këta dallime nuk kanë të bëjnë fare me diskriminimin ose padrejtësinë.
Njësoj siç dominon në natyrë e në univers, drejtësia shihet edhe në ligjet islame. Drejtësia e Zotit karshi robërve të tij është e plotë dhe ruhet me kujdes. Detyrimet e njeriut, për shembull, janë gjithnjë në harmoni me aftësitë dhe kapacitetet e tija. Asnjëherë nuk ndodh që një njeriu t’i kërkohet një gjë, të cilën nuk është i aftë ta bëjë.
Zoti nuk e ngarkon askënd përtej asaj që mundet. (Kur’an, 2:286)
Ligjet islame janë të krijuara veçanërisht për të qenë të thjeshta dhe të kuptueshme. Andaj thuhet:
Zoti ju dëshiron lehtësim e jo vështirësi. (Kur’an, 2:185)
Pika më me rëndësi në këtë kontekst është se të gjithë ligjet hyjnore e kanë parasysh mirëqenien e individit e të shoqërisë, në mënyrë që të sigurohen kushtet për rritjen dhe përsosjen e besimit tek robërit e Zotit dhe në mënyrë që ata të mund ta arrijnë lumturinë në këtë botë e në tjetrën. Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) thotë: “Zoti është i durueshëm dhe falës. Të gjithë urdhrat e Tij janë të drejtë.”5 Ai thotë gjithashtu: “...dhe Ai gjykon mes robërve të Tij me drejtësi.”6
Kështu, të gjithë urdhrat dhe udhëzimet e Zotit të Madhëruar karakterizohen në përgjithësi nga dy gjëra: fillimisht janë të realizueshme dhe, së dyti, e çojnë njeriun drejt lumturisë në këtë botë dhe në tjetrën.
S’ka dyshim se drejtësia e Zotit në amshim e në ditën e llogarisë, ku të gjitha bëmat e njeriut do të dalin në dukje, do të manifestohet në veçanti dhe të gjitha gjërat do të vlerësohen me drejtësi. Në Kur’an thuhet:
Dhe Ne do të vendosim peshore të drejtësisë në ditën e gjykimit, që asnjë shpirti të mos i bëhet kurrfarë padrejtësie. (Kur’an, 21:47)
S’ka dyshim se peshimi i veprave në ditën e gjykimit do të jetë i drejtë:
Dhe peshimi atë ditë do të jetë i drejtë. Kujt i rëndohen peshoret (me vepra të mira), i shpëtuar do të jetë. (Kur’an 7:8)
Secili do të shpërblehet në varësi nga bindja, sjellja dhe veprat e tija. Megjithatë, edhe mëshira e Zotit do të shfaqet më fuqishëm se kurrë në atë ditë, në të cilën secili do ta mbajë barrën dhe përgjegjësinë e vete e ku asnjë shpirt nuk do të mund të ngarkohet me mëkatet e një shpirti tjetër.
Askush nuk mund ta bartë barrën e tjetrit. (Kur’an 6:164)
Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!
1: Nehxhu’l-Belaga, ligjërata nr.214
2: El-Mexhlisi, Biharu’l-Envar, v.1, f.157
3: Mulla Hussein Fejdh Kashani, Tefsiri es-Safi, shkoqitja e vargut të nëntë të kapitullit Rahman
4: Nehxhu’l-Belaga, ligjërata nr.185
5: Nehxhu’l-Belaga, ligjërata nr.191
6: Nehxhu’l-Belaga, ligjërata nr.185