Kur′ani
Vlera e njohjes së Kuranit
Ajetollah Dr. Riza Ramazani


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij! 


Kur’ani është një thesar i pashtershëm diturish hyjnore. Ndaj edhe njohja e tij është një proces i pafund. Secili që e njeh atë, e fiton ndjenjën e një lumturie afatgjate shpirtërore. Është me rëndësi që të krijojmë një lidhje të fuqishme me Kur’anin dhe ta mbrojmë atë. Mendimtari i shquar musliman, Sejjid Kutb, thoshte se njeriu duhet ta lexojë Kur’anin e Shenjtë sikur t’i jetë shpallur zemrës e qenies së tij, pra sikur ta ketë përjetuar vetë shpalljen hyjnore.  Një ndjenjë e tillë mund të krijohet vetëm tek njerëzit, në vetë qenien e të cilëve rrjedh Kur’ani. Këta janë njerëzit që jetojnë me Kur’anin.


Secili që dëshiron ta vërë në lëvizje qenien e tij, ta zbulojë identitetin e vet të mirëfilltë dhe t’i hapë vetes një horizont të ri diturish e të thellohet në të, e ndjen nevojën që t’i drejtohet Kur’anit. Ngase Kur’ani është si një ushqim hyjnor, gjithsecili që merr pjesë në këtë gosti, e rizbulon veten në një sofër hyjnore. Kur’anit nuk mund t’i imponohen dëshirat vetjake të një individi dhe ai nuk mund të interpretohet sipas mendimit të dikujt. Kur’ani i Shenjtë është një ushqim i gatshëm dhe gjithkush që është i uritur për dituri, ka për ta shfrytëzuar atë. Andaj, i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) thotë: “Vërtet Kur’ani është shkolla e Zotit. Ndaj mësoni prej tij aq sa mundeni.”1


Kushdo që dëshiron t’i ngjesë shkallët njerëzore e shpirtërore dhe t’i arrijë nivelet më të larta të parajsës, duhet ta fitojë nga Kur’ani njohurinë dhe sjelljen e tij. I Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) thotë:


Shkallët e parajsës janë aq sa numri i vargjeve të Kur’anit. Atij që e njeh Kur’anin, sapo të hyjë në parajsë, do t’i thuhet: “Lexo e lartësohu, sepse për çdo varg të Kur’anit ka një shkallë, ndërsa shkalla më e lartë, mbi të cilën nuk ka shkallë tjetër, është për nxënien përmendësh të tij.”2  


Duhet, pra, ta fitojmë bindjen se në gjithçka që bëjmë, jemi të varur nga Kur’ani i Shenjtë dhe se zanafilla e të gjithë problemeve tona individuale, familjare e shoqërore është në devijimin nga Kur’ani dhe në distancimin tonë nga ky libër hyjnor.


Roli i Kur’anit të Shenjtë në jetën tonë është një rol qendror, sepse ai ka një udhëzim për çdo veprim e për çdo mendim a bindje. Ndaj leximi i Kur’anit duhet të jetë pjesë e programit tonë të përditshëm. Në një hadith thuhet: “Kur’ani është një marrëveshje ndërmjet Zotit dhe krijesave. Njeriu duhet t’i përmbahet kësaj marrëveshjeje dhe të recitojë së paku 50 vargje në ditë.”3


Në një hadith tjetër, thuhet: Të vështruarit e Kur’anit është një akt adhurimi (ibadet).4


 


Që njeriu të njihet njeriu së afërmi me Kur’anin dhe ta bartë atë në zemrën e tij, duhet ta mësojë atë. Është përcjellur gjithashtu në hadithe se një besimtari nuk i shkon për shtati që të ndahet nga kjo botë pa e mësuar Kur’anin e pa ia mësuar atë dikujt.5  Gjithashtu përcillet se një njeriu, të cilit i vjen vështirë ta mësojë Kur’anin por që, edhe përkundër vështirësive, e mëson atë, i jepet shpërblimi i dyfishtë.6 Nëpërmjet përpjekjes së tij, ky njeri i krijon kushtet e nevojshme për pastrimin e vetvetes nga padituria. Një njeri i tillë, që është i vetëdijshëm për detyrimet e tija, nuk ka për të devijuar nga rruga e drejtë. Është një veçori unike e Kur’anit që çdo njeriu që është i afërt dhe i njohur me të, i fal një ndjenjë paqeje dhe sigurie. Një njeri i tillë kurrë nuk bie në dyshim dhe nuk kaplohet nga frika kur të zgjedhë një rrugë. Andaj, i Dërguari (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) thotë: “Njeriu më i mirë është ai që e mëson Kur’anin dhe ia mëson një tjetri.”7  Dhe thotë gjithashtu: “Atë, që e mëson Kur’anin, ia mëson një tjetri dhe e jetëson në përditshmërinë e tij, unë kam për ta çuar drejt parajsës dhe unë kam për t’ia treguar rrugën drejt saj.”8


Ja përse në mesin e përgjegjësive të një babai karshi fëmijës është që t’ia mësojë atij Kur’anin9, në mënyrë që ai ta zbulojë kuptimin e vërtetë të jetës. Në një hadith shpjegohet shpërblimi për atë që e mëson Kur’anin ose ia mëson një tjetri. Në të thuhet: “Mësojeni Kur’anin sepse është më e mira e fjalëve. Thellohuni në të e përsiatuni lidhur me të, sepse ai është pranvera e zemrave. Kërkoni ndihmë në dritën e tij, sepse drita e tij është shërim për zemrat e sëmura. Recitojeni atë aq bukur sa mundeni, sepse ai është më i bukuri i caktimeve.”10


S’ka dyshim se ka ardhur koha që ta ndryshojmë këndvështrimin tonë mbi Kur’anin dhe ta shfrytëzojmë atë jo vetëm në ceremonitë martesore dhe mortore. Duhet të mos e harrojmë atë dhe të kuptojmë se njeriu e respekton Kur’anin duke e mësuar e duke ua mësuar të tjerëve, duke u thelluar në vargjet e tija dhe duke i ndjekur e praktikuar mësimet që gjenden në to. Kështu krijohen kushtet e nevojshme për lumturinë tonë dhe vetëm kështu mund ta kuptojmë si duhet jetën. Qëllimi i jetës nuk janë pasuria dhe fëmijët. Sipas Kur’anit, jeta e vërtetë është që të mbahen gjallë zemra e shpirti, duke e ndjekur thirrjen e Zotit të Madhëruar e të Profetit të tij (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij), duke i caktuar vetes një qëllim sipëror dhe duke hapëruar rrugës së caktuar nga Zoti, me dëshirë dhe përpjekje, për të arritur tek jeta ideale, drejt të cilës fton Kur’ani.   


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju! 


1: Kenzu’l-Ummal, vëll.1, f.526, hadithi nr.2356; Biharu’l-Envar, vëll.89, f.19
2: Biharu’l-Envar, vëll.92, f.22
3: El-Kafi, vëll.2, f.607
4: Po aty, fq.609, hadithi nr.1
5: Arabisht ????? ?????? ?? ?? ???? ??? ????? ?????? ?? ???? ?? ??????“
6: El-Kafi, vëll.2, f.606, hadithi nr.1
7: Tusi, El-Istibsar, vëll.1, f.367
8: Kenzu’l-Ummal, hadithet 2320 dhe 2375
9: Nehxhu’l-Belaga, thënia nr.399
10: Nehxhu’l-Belaga, fjalimi nr.110

publikuar më: 27.06.2014

Lexoni gjithashtu..

27.01.2017 Kur′ani: Universaliteti i udhëzimit kuranor
09.12.2016 Kur′ani: Hapat e njohjes së Kuranit
06.06.2014 Kur′ani: Urtia e leximit të Kur’anit dhe manifestimet e hyjnores
27.09.2013 Kur′ani: Cilësitë e ndryshme të Kuranit
26.07.2013 Kur′ani: Vlefshmëria universale e vargjeve kuranore
19.07.2013 Kur′ani: Mrekullitë në vargjet kur’anore
26.04.2013 Kur′ani: Libri i jetës

Kthehu