Pershpirtshmëria
Pjesa VI (Prirja e njeriut për shpirtëroren)
Ajetollah Dr. Riza Ramazani


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij! 


Kur të meremi me nevojat e vërteta të njeriut, do të vijmë në përfundimin se më të rëndësishmet në mesin e tyre kanë të bëjnë me dimensionin e tij shpirtëror. Kuptohet se është me rëndësi që të kihen parasysh edhe nevojat materiale të tij dhe për këtë qëllim ekzistojnë udhëzime të shumta në fenë islame, qofshin lidhur me shëndetin ose higjienën. Në sferën e nevojave materiale, Islami ka theksuar, për shembull, se njeriu duhet të jetë mesatar në çdo gjë, sepse gjithçka e tepëruar e dëmton trupin. Islami i jep një rëndësi të madhe shëndetit trupor dhe brenda mësimit të tij ekzistojnë udhëzime të shumta lidhur me ushqimin, pijen dhe nevojat e tjera trupore të njeriut.


Megjithatë, është shpirti që i jep realitet qenies njerëzore, ndërsa trupi nuk është veçse një instrument për rritjen dhe lartësimin e njeriut, si dhe një mjet për ta arritur lumturinë e mirëfilltë. Andaj këtij aspekti të njeriut i është kushtuar një kujdes i veçantë në Islam. Në mënyrë që njeriu të ketë shëndet trupor dhe shpirtëror, është me rëndësi që të përmbushen të gjitha nevojat e tija. Ja përse vetëm feja, si një mësim që i përmbush të gjitha nevojat e tija njëkohësisht, është e aftë t’i falë shëndet të plotë njeriut. Shkaku i kësaj është tejet i qartë: vetëm Zoti mund t’i njohë të gjitha nevojat e vërteta të njeriut dhe, si i tillë, mund t’i konsiderojë të gjithë këto aspekte në udhëzimet e Tija. Jo të gjitha nevojat e njeriut mund të kuptohen e të trajtohen sistematikisht nëpërmjet metodave shkencore. Ndërsa Zoti, nëpërmjet mësimit të shpallur, ia ka përcjellur njerëzimit udhëzimet e nevojshme në lidhje me dimensionet e ndryshme të ekzistencës së tij, duke bërë që njeriu të jetë i varur nga mësimi fetar, gjithnjë dhe në çdo sferë të jetës së tij.


Në mesin e këtyre dimensioneve është edhe dimensioni shpirtëror, të cilin feja e zhvillon deri në shkallët më sipërore. Në ditët tona, shumë shpesh flitet për përshpirtshmërinë, gnosën dhe mistikën, pa u marrë në konsideratë vetë feja. Për këtë temë do të flasim edhe më gjerësisht në ligjëratat vijuese, por për momentin mjafton të themi se përshpirtshmëria është një karakteristikë e rëndësishme e fesë islame. Bindja jonë është se qëllimi thelbësor i të gjitha feve është pikërisht udhëzimi i njeriut drejt përshpirtshmërisë së mirëfilltë. Kur njeriu ta arrijë këtë pozitë, ai do të përpiqet t’i marrë seriozisht të gjithë detyrimet dhe përgjegjësitë, qofshin lidhur me veten e tij, me njerëzit e tjerë ose me rrethin. Aspekti shpirtëror i njeriut do t’ia mundësojë atij kryerjen e përsosur të këtyre gjërave. Jeta e të gjithë profetëve dhe e reformatorëve fetarë është një shembull i kësaj. Ata janë përpjekur gjithnjë ta ftojnë njeriun drejt afërsisë me Zotin, ndërsa vetë i kishin arritur shkallët më të larta të përshpirtshmërisë. Ata ishin monoteistë të vërtetë dhe përherë ftuan drejt monoteizmit, gjegjësisht njëshmërisë (tevhid).


Është tejet e qartë se njëshmëria (tevhid) paraqet manifestimin më të rëndësishëm të përshpirtshmërisë. Të gjithë njerëzit që e arrijnë këtë shkallë i marrin seriozisht detyrimet e tyre, u ndihmojnë të tjerëve dhe përpiqen t’i zgjidhin problemet ideologjike, shpirtërore dhe materiale të të tjerëve. Kjo pikë duhet të kihet parasysh nga të gjithë njerëzit, sepse problemet e shoqërisës njerëzore, si varfëria, shtypja ose kushtet e këqija sociale e kanë zanafillën pikërisht tek mungesa e moralit dhe e përshpirtshmërisë. Arsyeja kryesore e shfaqjes së kësaj mangësie është distancimi i njerëzimit nga feja dhe nga realiteti i saj. Zoti e ka krijuar njeriun, që ai të gjallojë së brendshmi, ta shijojë jetën e mirëfilltë dhe ta shohë veten si një njeri të vërtetë. Zoti e ka vendosur këtë prirje në natyrën njerëzore por shumë njerëz nuk janë të vetëdijshëm për këtë të vërtetë dhe merren vetëm me dimensionin e jashtëm të kësaj bote. Kur’ani thotë:


Ata s’dinë tjetër veç të jashtmes së kësaj bote e janë krejt të pavëmendshëm karshi amshimit. (Kur’an 30:7) 


Prirja për të vërtetën, drejtësinë dhe shpirtëroren është e rrënjosur në brendinë njerëzore dhe e manifeston veten tek feja. Dhe vetëm kur ta ndjekë mësimin e fesë së tij, njeriu ka për ta shijuar jetesën më të bukur në këtë botë. Kur’ani thotë:


Dhe kthehu me besim drejt fesë së vërtetë, drejt natyrës së lindur (fitrah), në të cilën Zoti e krijoi njeriun. Nuk ka ndryshim në krijimin e Zotit. Kjo është feja e vërtetë por shumica e njerëzve nuk dinë. (Kur’an 30:30)


 Ky varg na tregon edhe njëherë se prirja për të vërtetën ekziston tek të gjithë njerëzit. Ajo është e vendosur në natyrën njerëzore dhe nuk është diçka e fituar më pas. Çdo njeri është i prirë për përsosurinë absolute dhe kjo prirje, e cila manifestohet shumë shpesh, buron nga thellësia e shpirtit të tij.


 


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!

publikuar më: 18.04.2014

Lexoni gjithashtu..

13.01.2017 Pershpirtshmëria: (Pjesa XIV): Nevoja për shpirtëroren në botën bashkëkohore
26.11.2016 Pershpirtshmëria: Përshpirtshmëria (pjesa XIII): shpallja dhe intelekti si kritere për të përshpirtshmen
29.04.2016 Pershpirtshmëria: Shpallja hyjnore si burim i përshpirtshmërisë së mirëfilltë
01.08.2015 Pershpirtshmëria: Pjesa XI (Mëkati si një pengesë në zhvillimin shpirtëror)
27.03.2015 Pershpirtshmëria: Pjesa X (Ndikimet e arsyes dhe të relativizmit në rrugëtimin shpirtëror)
06.02.2015 Pershpirtshmëria: Pjesa IX (Përshpirtshmëria, arsyeja dhe përgjegjësia shoqërore)
11.07.2014 Pershpirtshmëria: Pjesa VIII (Lidhja ndërmjet arsyes dhe përshpirtshmërisë)
16.05.2014 Pershpirtshmëria: Pjesa VII (Burimi fetar i përshpirtshmërisë)
07.03.2014 Pershpirtshmëria: Pjesa V (Përshpirtshmëria dhe adhurimet)
10.01.2014 Pershpirtshmëria: Pjesa IV (Manifestimet e Zotit në botën e qenies)
13.12.2013 Pershpirtshmëria: Pjesa III (Kuptimi i ekzistencës)
29.11.2013 Pershpirtshmëria: Pjesa II (Kriza shpirtërore e botës moderne)
01.11.2013 Pershpirtshmëria: Pjesa I (Definicioni i përshpirtshmërisë)

Kthehu