Sheriati në Islam
Marrëdhënia ndërmjet besimit dhe të të vepruarit
Ajetollah Dr. Riza Ramazani


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij! 


Në mesin e çështjeve që meritojnë kujdes të veçantë rradhitet edhe marrëdhënia ndërmjet Islamit dhe sheriatit (ligjit fetar). Në këtë kontekst, me fjalën Islam nënkuptojmë Islamin si fenë e fundit të traditës abrahamike, profeti i të cilës është Muhammedi (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) dhe mrekullia e përjetshme e të cilës është shpallja hyjnore, Kur’ani. Në anën tjetër, me termin sheriat, nënkuptojmë tërësinë e urdhrave hyjnorë, në mesin e të cilëve përfshihen të drejtat dhe detyrimet e njeriut. Në këtë tërësi përfshihen edhe kriteret e asaj që konsiderohet sjellje e drejtë dhe jo e drejtë. Në Kur’anin e Shenjtë, sheriati përmendet si rruga e profetëve hyjnorë:


Zoti jua urdhëron atë që ia urdhëroi edhe Nuhut, atë që ta shpallëm ty e që ia urdhëruam edhe Musës e Isës më parë: “Lidhuni për fenë dhe mos u përçani!” (Kur’an 42:13) 


Qëllimi i sheriatit është që t’ia tregojë njeriut rrugën e arritjes së lumturisë dhe përsosurisë, si dhe rrugën e të qëndruarit larg zemërimit dhe dënimit hyjnor. Secili musliman e ka për detyrim ta besojë këtë dhe t’u përmbahet udhëzimeve hyjnore.


S’ka dyshim se besimi në urdhrat e Zotit dhe ndjekja e përpiktë e tyre është rruga e vetme për ta arritur lumturinë e vërtetë. Si një shembull, Zoti e përmend faktin se ai që e ndjek udhëzimin hyjnor për të falur namaz, largohet prej paturpësisë e prej të ligave (shih Kur’an 29:45). Përveç kësaj thuhet në Kur’an se ai që qëndron larg të ligave dhe paturpësisë, do ta arrijë shpëtimi dhe udhëzimin hyjnor. (shih Kur’an 5:90)


Si rezultat i sjelljes në përshtatshmëri me sheriatin, njeriu e fiton përndritjen e shpirtit, udhëzimin, çlirimin dhe kënaqësinë hyjnore. Në ditët tona, për shkak të paditurisë në lidhje me urtinë që fshihet pas urdhrave të sheriatit, njerëzit po distancohen prej tij. Përkundër kësaj, Kur’ani i Shenjtë, përveç që e thekson besimin, këmbëngul në ndjekjen e sheriatit dhe e thekson dukshëm faktin se jeta e dëlirë e urdhëruar nga Zoti nuk mund të arrihet vetëm nëpërmjet besimit:


Kujtdo që vepron mirë nga besimtarët, qoftë burrë a grua, do t’i falim një jetë të bukur dhe ta shpërblejmë veprën e tij me gjëra më të mira akoma. (Kur’an 16:97)  


S’ka dyshim se besimi i bashkuar me veprimin sipas sheriatit ka për t’i falur njeriut lumturi edhe në këtë botë edhe në tjetrën, si dhe ka për ta bërë atë të dashur për njerëzit e tjerë. Në lidhje me këtë, Zoti i Madhëruar thotë:


Zoti ka për të krijuar një dashuri në zemrat e njerëzve për ata që besojnë e që bëjnë vepra të mira...(Kur’an 19:96) 


Duke u mbështetur në këtë, mund të thuhet se njeriu është i detyruar dhe përgjegjës të sillet sipas ligjeve dhe urdhrave hyjnorë. Por kuptohet se praktikimi i saktë i ligjit ka si parakusht njohjen e kushteve të besimit dhe të pasurit e një besimi të sigurt. Një njeri që, në mënyrë të vetëdijshme, e dëshmon njëshmërinë dhe madhështinë e Zotit e që përpiqet në këtë rrugë për të arritur tek Ai, s’ka dyshim se ka për të fituar si shpërblim paqen e brendshme, qetësinë dhe sigurinë. Në këtë mënyrë, ai ka për ta shijuar jetën e caktuar për njeriun. Njeriu, pra, vetëm nëpërmjet besimit dhe veprave të mira mund të gjejë shpëtim dhe ta arrijë jetën e vërtetë. Në lidhje me këtë, Zoti thotë:


O ju që besuat! Përgjigjuni kur Zoti dhe i Dërguari t’ju ftojnë drejt asaj që ju jep jetë! (Kur’an 8:24) 


Njeriu e gjen shpëtimin e vërtetë vetëm duke e dëgjuar thirrjen e  Zotit dhe të të Dërguarit dhe duke iu bindur kësaj thirrjeje. Në këtë mënyrë, ai e fiton jetën e vërtetë në këtë botë dhe përjetësinë në amshim.


Jeta e kësaj bote s’është tjetër veçse një lojë dhe argëtim. Veç në amshim është jeta e vërtetë, sikur ta dinin. (Kur’an 29:64) 


Edhe përkundër kësaj, shumica e njerëzve janë të panjohur dhe të paditur në lidhje me jetën e vërtetë që fitohet duke iu bindur mësimit hyjnor. Fatkeqësisht, të tillët nuk kanë kuptuar nga jeta gjë tjetër veç formës së saj të jashtme. Zoti i Madhëruar thotë:


Ata s’dinë tjetër veç të jashtmes së kësaj bote e janë krejt të pavëmendshëm karshi amshimit. (Kur’an 30:7) 


Në ligjëratat tona vijuese do të flasim mbi faktin se feja islame ësht një fe ligjesh dhe rregullash, të quajtura sheriat. Do të tregojmë gjithashtu se vepra e mira duhet të jetë e shoqëruar nga besimi dhe se këta dy faktorë, kur të jenë të bashkuar, e çojnë njeriun drejt përsosurisë. Besimi i vërtetë është i mundur vetëm kur të shoqërohet nga vepra të mira. 


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!

publikuar më: 11.04.2014

Lexoni gjithashtu..

09.05.2014 Sheriati në Islam: Përse duhet ligji? (pjesa I)

Kthehu