Pershpirtshmëria
Pjesa V (Përshpirtshmëria dhe adhurimet)
Ajetollah Dr. Riza Ramazani

 


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!


Në ligjëratat e kaluara thamë se mësimet fetare mund ta sjellin njeriun më pranë Zotit dhe t’i falin përshpirtshmëri jetës së tij. Të gjitha përpjekjet e njeriut, qofshin përpjekje për të fituar dituri ose akte të adhurimit, kanë për qëllim t’i ndihmojnë atij për t’i tejkaluar sprovat e jetës dhe për t’u lartësuar. Në mesimet islame, po aq sa njohja e Zotit është theksuar edhe njohja e vetvetes. Në Nehxh’ul-Belaga, Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) thotë: “Njohja (marife; gnosa) është fillimi i fesë.” Krahas kësaj, në shumë hadithe përcillet se njohja e vetvetes është njohuria më e çmueshme pas njohjes së Zotit. Madje thuhet: “Njohja e vetvetes është më e dobishmja e njohurive.” Në lidhje me  adhurimin e Zotit, Kur’ani thotë:


O njerëz! Adhurojeni Zotin që ju krijoi juve dhe ata që erdhën para jush, që të jeni nga ata që ruhen. (Kur’an 2:21) 


Ndërsa në lidhje me përforcimin e besimit, Kur’ani thotë:


O ju që besuat, besoni... (Kur’an 4:136) 


Në këtë varg, njerëzit këshillohen që ta përforcojnë besimin e tyre në Zotin dhe të përpiqen në jetët e tyre për të arritur tek Ai.


O njeri! Ti përpiqesh për të arritur tek Zoti dhe do ta takosh Atë. (Kur’an 84:6) 


Të gjitha këto gjëra, pra, nuk kanë qëllim tjetër veçse t’i japin jetesës njerëzore një trajtë të përshpirtshme dhe ta sjellin atë më pranë Krijuesit të tij. Një besimtar gjithnjë përpiqet ta arrijë identitetin e tij të vërtetë dhe unin e tij sipëror. Ai i llogarit veprat e veta dhe vepron me kujdes, në mënyrë që më në fund, ta njësojë unin e tij me Zotin, duke u shkrirë e asgjësuar me gjithë qenien e vete brenda Tij.


Në një lutje të Imam Aliut (paqja qoftë mbi të) thuhet: “O Zot! Më bëj të përsosur, që të mund të shkëputem nga gjithçka tjetër veç Teje. Falu dritë zemrave tona me vështrimin Tënd përndritës, që t’i heqin perdet prej vetes e ta rigjejnë veten në lavdinë Tënde! Bëji shpirtrat tanë të qëndrojnë në portën e madhështisë dhe shenjtërisë Sate!”  


Përshpirtshmëria e vërtetë tek njeriu është pa dyshim në harmoni me aktet e adhurimit. Adhurimi i vërtetë, i cili nuk është as i mangët dhe as i tepëruar, e sjell njeriun drejt përshpirtshmërisë së vërtetë. Njerëzit që nuk besojnë se përshpirtshmëria dhe adhurimi i Zotit janë dy gjëra që e kushtëzojnë njëra-tjetrën, duket se nuk e kanë kuptuar asnjërin nga këta nocione dhe as të vërtetën që fshihet pas tyre. Nevoja për ta adhuruar Zotin është një tipar i vendosur nga Zoti në natyrën e lindur njerëzore. Nëse kësaj prirjeje i jepet drejtimi i duhur, njeriu ka për t’iu afruar shumë qëllimit të krijimit të tij.


Ata që nuk janë të njohur me esencën e adhurimit të Zotit dhe që nuk arrijnë ta shijojnë asnjë përparësi tjetër të këtij adhurimi, përveç aspekteve krejtësisht ekzoterike (të jashtme), mund të arrijnë ndoshta një përshpirtshmëri në formën më elementare, për vetë faktin se e adhurojnë Zotin si Qenien e vetme të përsosur. Megjithatë, të tillët nuk mund t’i arrijnë pikat më të larta të përshpirtshmërisë. Kur ta studiojmë jetën e njerëzve që e kanë arritur njohjen (marife) e vërtetë, do të shohim se ka qenë e mbushur me adhurime, lutje dhe përkujtime të Zotit dhe do të shohim gjithashtu, se ata i konsideronin çastet e tyre të vetmisë me Zotin si çastet më të rëndësishme të jetës së tyre. Këto ishin çastet kur ata flisnin me Zotin e tyre dhe e dëgjonin zërin e Tij në zemër.


Kur t’i studiojmë lutjet e të Dërguarit të Zotit e të Imamëve (paqja qoftë mbi ta), si njerëzit më të dëlirë që kanë jetuar, dhe kur të shohim sa kohë u kanë kushtuar lutjeve, para se të gjithash në gjendje të ruku-së e të sexhdes, përplot njohje (marife), urti dhe dashuri, do të shohim se çastet më të mira të jetëve të tyre ishin pikërisht këto çaste përshpirtshmërie, të cilën ata e arritën duke e luftuar unin (nefs) për të fituar njohje të Zotit. Përcillet në hadithe se një çast, në të cilën njeriu është i vëmendshëm për Zotin, është më me vlerë se të gjitha veprat e mira të njerëzve e të xhinnëve.


Prej asaj që u tha më sipër mund të vijmë në përfundimin se adhurimi i Zotit është një margaritar i çmueshëm, i cili i fal njeriut liri shpirtërore dhe i jep një jetë të përshpirtshme. Është thënë se “Adhurimi i Zotit është një margaritar që fitohet kur njeriu ta mundë unin (nefsin) e tij.” Veç pas kësaj, njeriu mund ta njohë jetën e vërtetë dhe ta kuptojë atë. Veç pas kësaj, njeriu mund të hapërojë rrugës së monoteizmit dhe të përshpirtshmërisë së mirëfilltë.


Kur njeriu ta kërkojë përshpirtshmërinë e vërtetë në jetën e tij, nuk ka për të gjetur një rrugë tjetër përveç adhurimit të Zotit. Të gjithë mësimet fetare mbështeten në këtë fakt. Fjala Islam nënkupton pikërisht dorëzimin karshi të Vërtetës dhe urdhrave hyjnorë, sepse sa më tepër që t’u dorëzohet njeriu atyre, aq më tepër ka për t’u shtuar besimi i tij. Me këtë qartësohet edhe fakti se besimi dhe përshpirtshmëria rrjedhin paralelisht me njëra-tjetrën. Përshpirtshmëria është një parakusht për besimin, njësoj siç është besimi një parakusht për përshpirtshmërinë. Droja para Zotit (takva), nëpërmjet të cilës maten bëmat njerëzore dhe definohen vlerat hyjnore, është një cilësi e brendshme shpirtërore, e cila i jep dinjitet njeriut. Siç thuhet në një hadith të mirënjohur: “Më i dashuri për Zotin në mesin tuaj është ai që është më i druajtur para Tij.” 


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju! 

publikuar më: 07.03.2014

Lexoni gjithashtu..

13.01.2017 Pershpirtshmëria: (Pjesa XIV): Nevoja për shpirtëroren në botën bashkëkohore
26.11.2016 Pershpirtshmëria: Përshpirtshmëria (pjesa XIII): shpallja dhe intelekti si kritere për të përshpirtshmen
29.04.2016 Pershpirtshmëria: Shpallja hyjnore si burim i përshpirtshmërisë së mirëfilltë
01.08.2015 Pershpirtshmëria: Pjesa XI (Mëkati si një pengesë në zhvillimin shpirtëror)
27.03.2015 Pershpirtshmëria: Pjesa X (Ndikimet e arsyes dhe të relativizmit në rrugëtimin shpirtëror)
06.02.2015 Pershpirtshmëria: Pjesa IX (Përshpirtshmëria, arsyeja dhe përgjegjësia shoqërore)
11.07.2014 Pershpirtshmëria: Pjesa VIII (Lidhja ndërmjet arsyes dhe përshpirtshmërisë)
16.05.2014 Pershpirtshmëria: Pjesa VII (Burimi fetar i përshpirtshmërisë)
18.04.2014 Pershpirtshmëria: Pjesa VI (Prirja e njeriut për shpirtëroren)
10.01.2014 Pershpirtshmëria: Pjesa IV (Manifestimet e Zotit në botën e qenies)
13.12.2013 Pershpirtshmëria: Pjesa III (Kuptimi i ekzistencës)
29.11.2013 Pershpirtshmëria: Pjesa II (Kriza shpirtërore e botës moderne)
01.11.2013 Pershpirtshmëria: Pjesa I (Definicioni i përshpirtshmërisë)

Kthehu