Koncepti i dashurisë
Këshilla praktike për zhvillimin e dashurisë bashkëshortore
Ajetollah Dr. Riza Ramazani


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij! 


Në mënyrë që të arrihet dashuria e vërtetë në një familje ose ndërmjet dy bashkëshortëve, duhet të ndiqen disa metoda praktike, të cilat do t’i përmendim këtu.


Më e rëndësishmja është që të mos ketë mosbesim tek një çift martesor. Ata duhet të kenë besim të plotë tek njëri-tjetri dhe të mos kenë dyshime për veprat e njëri-tjetrit. Nëse paraqiten pyetje në lidhje me ndonjë veprim ose situatë të caktuar, këto duhet të parashtrohen menjëherë dhe pa lënë hapësirë për dyshime, në mënyrë që gjendja të qartësohet sa më parë. Kur njëherë të rrënjoset dyshimi dhe mosbesimi në një familje, kjo gjë sjell shumë të liga më pas. Andaj, bashkëshortët duhet përherë ta kenë parasysh betimin që ia kanë dhënë njëri-tjetrit dhe të përpiqen për ta shkatërruar që në fillim çdo lloj mosbesimi, me fjalë e me sjellje të buta dhe duke qenë të arsyeshëm në të gjitha gjërat.


Kuptohet se një njeri, i cili martesën e sheh si një hap sipëror të zhvillimit të njeriut, do ta zhvillojë veten në një mënyrë që nuk lë vend për reagime dhe sjellje plot dyshim e mosbesim. Kur bashkëshortët t’i kenë parasysh këto gjëra, ata kanë për t’i falur gabimet e njëri-tjetrit. Mes tjerash, bashkëshortësia ekziston pikërisht për t’ia mbuluar gabimet njëri-tjetrit, për t’i rezistuar çdo shtypjeje dhe për ta eliminuar çdo mangësi të palës tjetër me butësi dhe respekt. Këto janë këndvështrimet që duhet të ketë një çift bashkëshortësh, të cilët dëshirojnë t’i arrijnë qëllimet njerëzore e të lartësohen së bashku.


Sjellja e bukur është tejet e rëndësishme në dashuri. Kur të kihet parasysh ky fakt, në familje do të ekzistojë gjithmonë një atmosferë ideale për vazhdimin e kësaj dashurie hyjnore. S’ka dyshim se në një atmosferë të tillë, dashuria dhe respekti do të jenë të përhershme e do të rrënjosen thellë. I Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) thotë: “Sillu me besimtarët e me popullin përherë miqësisht!” S’ka dyshim se një sjellje e tillë e bën njeriun të dashur për të tjerët dhe ndihmon në zgjidhjen e shumë problemeve. Përdorimi i fjalëve të bukura dhe të folurit butë me tjetrin janë gjëra që mund ta përforcojnë një marrëdhënie të karakterizuar nga dashuria. Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) thotë: “Gjuha është si një kafshë e egër grabitqare, e cila kur të lihet e lirë, i lëndon të tjerët.”1 Ajo e lëndon edhe të zotin e saj, sepse i shkatërron veprat e mira të tij. Në një hadith tjetër, thuhet: “Mësoje gjuhën tënde me fjalë të buta e me përshëndetje, po deshe të jenë të shumtë miqtë e tu dhe të të pakësohen armiqtë.”2


Në Mesnevi-në e tij, Rumiu thotë: Gjuha është si gur e si hekur, dhe zjarr është ajo që del prej saj. Mos e godit së koti gurin me hekur, për të rrëfyer qoftë a për t’u mburrur, sepse errësirë është dhe gjithandej mbushur me fusha pambuku. Ç’ngjan vallë kur shkëndija prek pambukun? Të mjeruar janë ata që mbyllin syrin dhe me fjalë të tilla ndezin një botë të tërë. 3 


Edhe respekti i ndërsjellë është një faktor me shumë ndikim në dashuri. Bashkëshortët duhet ta shohin njëri-tjetrin si shoqërues e miq në jetë, ta dëgjojnë njëri-tjetrin dhe të këshillohen mes veti. Çdo sipërmarrje të tyre, ata duhet ta mbështesin në dinjitetin njerëzor dhe ta udhëheqin familjen me sinqeritet. Ata duhet të qëndrojnë larg gënjeshtrës e mashtrimit, duhet ta mbajnë fjalën e dhënë dhe të kërkojnë falje kur të bëjnë ndonjë gabim. Të kërkuarit falje nuk e ul dinjitetin e njeriut, por përkundrazi, e nxjerr në shesh drejtësinë e tij. Me përkrahje të ndërsjellë, bashkëshortët mund ta përforcojnë dashurinë. Në këtë kontekst janë shumë me kuptim dhuratat, të dukurit bukur, si dhe të qeniet mirënjohës e vlerësues karshi njëri-tjetrit.


Të gjitha gjërat e mësipërme vlejnë sa për burrin aq edhe për gruan, sepse të dy janë elementet kryesore të një martese dhe të dy duhet të përpiqen për vazhdimësinë e dashurisë. Ata duhet të kenë besim te njëri-tjetri, t’i ndihmojnë të afërmit e njëri-tjetrit e të qëndrojnë larg pompozitetit, shthurrjes dhe shkapërderdhjes. Ata duhet përherë të përpiqen për një zhvillim të ndërsjellë të përparimit të tyre shpirtërore e për çlirim nga gjërat e ulta dhe të pavlera. Nëse i zhvillojnë interesat e tyre në këtë drejtim, me ndihmën e Zotit, do të kenë bashkë një jetë të suksesshme, që do ta arrijë qëllimin e saj.


 Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju! 


1: Nehxh’ul-Belaga, thënia 60
2: Ghurer’ul-hikem, vëll.4, fq.329
3: Mesnevi, libri i parë, vargjet 1593-1596

publikuar më: 28.02.2014

Lexoni gjithashtu..

30.12.2016 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj miqve (pjesa e tretë)
28.10.2016 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj miqve (pjesa e dytë)
20.02.2015 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj miqve
03.10.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e fëmijëve për prindërit
12.09.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e prindërve për fëmijët (pjesa III)
25.04.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e prindërve për fëmijët (pjesët I dhe II)
11.10.2013 Koncepti i dashurisë: Nevoja për dashurinë bashkëshortore (pjesa e dytë)
15.06.2013 Koncepti i dashurisë: Nevoja për dashurinë bashkëshortore (pjesa e parë)
03.05.2013 Koncepti i dashurisë: Si fitohet dashuria ndaj Profetit (s.a.v) dhe ndaj Ehl-i Bejtit të tij?
08.03.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj Profetit (s.a.v) dhe ndaj Ehl-i Bejtit të tij
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria e Zotit për njeriun (pjesa II)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria e Zotit për njeriun (pjesa I)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Shenjat e dashurisë së njeriut ndaj Zotit (pjesa II)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Shenjat e dashurisë së njeriut ndaj Zotit (pjesa I)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Si arrihet dashuria ndaj Zotit?
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria për Zotin e Madhëruar
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Shkaqet e dashurisë njerëzore
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Llojet e dashurisë njerëzore
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Nevoja e njeriut për dashurinë

Kthehu