Njeriu në Kur′an
Natyra e lindur njerëzore (pjesa e dytë)
Ajetollah Dr. Riza Ramazani


 Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij! 


Në fjalimin e kaluar qartësuam se ekziston një grup njerëzish që e mohojnë çdo lloj natyre të lindur, të përbashkët për të gjithë njerëzit, ndërsa ekziston edhe  një grup tjetër që e kundërshton të parin dhe beson në ekzistencën e një natyre të lindur njerëzore dhe të prirjeve të lindura të njeriut. Ky grup i fundit mund të ndahet në dy nëngrupe. Në njërin bëjnë pjesë ata që besojnë se njeriu, nga natyra e tij, është i prirë drejt të ligës. Hobbs, për shembull, është i bindur se njeriu përpiqet vetëm për përfitimin e vet dhe e përngjason atë me një ujk.1 Sipas teorisë së Frojdit (Sigmund Freud), të gjitha prirjet e njeriut e kanë zanafillën tek instinkti i tij seksual dhe tek ndjenja e agresionit.


Krishterimi, në anën tjetër, e konsideron njeriun thelbësisht mëkatar dhe është i bindur se të gjithë njerëzit kanë një hise nga mëkati zanafillor i Ademit dhe se janë të prekur nga papastërtia e këtij mëkati. Sipas kësaj doktrine, Jezusi (paqja qoftë mbi të) u flijua për t’i pastruar pasuesit e tij nga ky mëkat zanafillor. Në këtë kontekst, pastrimi nga mëkatet ka një parakusht dhe ai është ndjekja e Krishtit, që realizohet duke e besuar atë dhe duke praktikuar rituale të caktuara si pagëzimi.2


Kuptohet se nuk mund të mohohen motivimet e njeriut si interesi personal, përfitimi ose instinkti seksual. Por të besuarit se këto prirje dominojnë tek njeriu dhe se e definojnë karakterin dhe të tërë veprimtarinë e tij, flet për një këndvështrim krejtësisht të kufizuar, njëdimensional dhe jorealist mbi njeriun. Njeriu është aq shumëdimensional sa është e pamundur të analizohet në mënyra të tilla sipërfaqësore. Andaj jemi të bindur se kur të bëhet fjalë për njeriun, duhet t’i drejtohemi shpalljes hyjnore, sepse është pikërisht Krijuesi i njeriut, i cili, nëpërmjet shpalljes, i jep informatat më të sakta dhe më të vlefshme për të, duke i analizuar aspektet e ndryshme të ekzistencës së tij dhe duke lajmëruar për nevojat e tija të njëmendta.


Përkundër grupit të parë, një grup tjetër dijetarësh janë të mendmit se njeriu, për nga natyra e tij, është i dëlirë dhe i prirë drejt të mirës. Zhan Zhak Ruso (Jean-Jacques Rousseau), për shembull, e shpreh bindjen se njeriu posedon një mirësi natyrore dhe se krimet e kryera prej tij janë për shkak të kushteve të këqija shoqërore. Disa filozofë, si Maslow dhe Rogers, si dhe disa ndjekës të teorive frojdiane, si Fromm dhe Erikson, e kanë të njejtën bindje.3


Edhe filozofët fetarë kanë pasur një qëndrim të ngjashëm lidhur me njeriun, sepse ata e kanë definuar njeriun nëpërmjet arsyes së tij dhe e kanë parë atë si një qenie me aftësi për të menduar dhe përsiatur. Sipas tyre, arsyeja është një forcë që mund t’i marrë nën kontroll të gjitha prirjet dhe dëshirat e njeriut e, si e tillë, të jetë një udhërrëfyes i tij drejt lumturisë. Gnostikët, në anën tjetër, e konsiderojnë esencën njerëzore pjesë të një bote sipërore dhe janë të bindur për dëlirësinë e natyrës së lindur të njeriut.


Të gjitha fetë e shpallura e kanë konsideruar njeriun një qenie me një esencë të pastër. Sikur të ishte i ligë për nga natyra, udhëzimi i tij nëpërmjet profetëve do të ishte i pakuptimtë dhe shpallja hyjnore krejt e pavend. Nocionet si liria, detyra, përgjegjësia, vuajtja dhe sprova mbështeten tërësish në këtë pikëpamje pozitive mbi njeriun, si një qenie që ka një natyrë të lindur, e cila mund ta udhëzojë atë. Ja përse fetë e shpallura e kanë përfaqësuar njeriun si mëkëmbësin e Zotit në tokë dhe kanë thënë se esenca e tij ka tipare të lartësuara. Ai u krijua me cilësi të caktuara dhe pikërisht pas krijimit të njeriut, Zoti e lëvdoi veten e Tij si vijon:


I lartësuar është Zoti, Krijuesi më i miri...(Kur’an 23:14) 


Njeriu ka cilësi që i tejkalojnë ato të botës së shtazëve dhe të cilat së bashku njihen si fitra, pra natyra e lindur e njeriut. Këto janë tiparet që e dallojnë atë nga gjallesat e tjera dhe i japin atij një pozitë dhe një dinjitet të veçantë.


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju! 


1: Disa komentues të kësaj teorie nuk ia veshin atë Thomas Hobbs-it (të shihet vepra “Hobbs” nga Richard Tuck)
2: Të shihen veprat “Teologjia e krishterë” nga Thomas Michel, fq.77; “Feja e krishterë”, Brian Wilson, fq.140 dhe 144
3: Njeriu në Islam dhe njeriu në fetë perëndimore, Ali Asghar Halabi, fq.158


 


 

publikuar më: 14.02.2014

Lexoni gjithashtu..

10.02.2017 Njeriu në Kur′an: Lumturia dhe përsosuria e njeriut (pjesa III)
06.01.2017 Njeriu në Kur′an: Lumturia dhe përsosuria e njeriut (pjesa II)
22.10.2016 Njeriu në Kur′an: Lumturia dhe përsosuria e njeriut (pjesa I)
27.05.2016 Njeriu në Kur′an: Dinjiteti i njeriut
19.12.2015 Njeriu në Kur′an: Njeriu si mëkëmbës i Zotit
03.07.2015 Njeriu në Kur′an: Aftësitë e lindura të njeriut
06.03.2015 Njeriu në Kur′an: Natyra e lindur njerëzore (pjesa IV)
30.05.2014 Njeriu në Kur′an: Natyra e lindur njerëzore (pjesa III)
31.01.2014 Njeriu në Kur′an: Natyra e lindur njerëzore (pjesa e parë)
02.08.2013 Njeriu në Kur′an: Dallimi nga bota shtazarake
19.04.2013 Njeriu në Kur′an: Cilësitë e shpirtit
22.03.2013 Njeriu në Kur′an: Ekzistenca e pavarur e shpirtit
13.02.2013 Njeriu në Kur′an: Materia dhe shpirti
08.02.2013 Njeriu në Kur′an: Krijimi i njeriut

Kthehu