Njeriu në Kur′an
Natyra e lindur njerëzore (pjesa e parë)
Ajetollah Dr. Riza Ramazani


Në mesin e tipareve të përbashkëta të të gjithë njerëzve është edhe natyra e lindur njerëzore (arab. Fitrah). Kjo temë është e një rëndësie të veçantë, sepse kur njeriu të thellohet pak më tepër në të, ka për t’i kuptuar aspektet e ndryshme të ekzistencës së tij dhe ka për të hapëruar përpara në rrugën drejt vetënjohjes. Kështu mund të kuptojmë në është njeriu, për nga natyra e tij, i prirë drejt të mirës ose drejt të ligës, dhe në posedon që nga lindja njohuri, kapacitete dhe talente të caktuara. Diskutimet e tilla mund të luajnë një rol të rëndësishëm në vlerësimin e saktë të njeriut.


Edhe përkundër faktit se psikologët dhe sociologët kanë bërë hulumtime e studime të panumërta në lidhje me natyrën e lindur njerëzore në shekujt e kaluar, ende nuk ekziston një konsensus mes tyre. Megjithatë, mendimet dhe teoritë e shprehura nëpër shekuj mund të ndahen përgjithësisht në dy grupe. Njëri është grupi që e mohon ekzistencën e ndonjë natyre të lindur, të përbashkët për të gjithë njerëzit, ndërsa grupi tjetër e përkrah këtë ide. 


Kundërshtuesit  


Përfaqësuesit e disa shkollave të mendimit ose disa disiplinave të caktuara shkencore nuk pranojnë kurrsesi se mund të ketë një natyrë të lindur që është e përbashkët për të gjithë njerëzit. Në mesin e tyre janë ekzistencialistët, antropologët, sociologët, historicistët etj. Ekzistencialistët nuk e pranojnë këtë ide, për shkak se i japin një rëndësi shumë të madhe lirisë dhe përgjegjësisë së njeriut dhe ngase një pikëpamje e tillë, sipas tyre, bie ndesh me këtë liri. Sartër (Jean Paul Sartre), për shembull, ishte i bindur se nuk ekzistonte kurrfarë prirjeje e natyrshme, të cilën duhej ta ndiqte njeriu1. Ekzistencialistët janë të bindur se njeriu e trajtëson identitetin e vet nëpërmjet rrugës që zgjedh në jetë dhe nëpërmjet veprave të tija. Si pasojë, njeriut nuk mund t’i veshet një prirje e natyrshme paraprakisht, por duhet të pritet e të shihet se ç’do të bëjë ai me veten e tij. Sipas tyre, ky është dallimi i njeriut nga gjallesat e tjera, identiteti i të cilave është i përcaktuar qartë dhe i pandryshueshëm. Sipas pikëpamjes së tyre, pra, njeriu nuk mund të definohet, për vetë faktin se nuk ka ndonjë identitet të përcaktuar.


Ata janë të mendimit se ekzistenca e njeriut ka përparësi karshi identitetit të tij dhe e kundërshtojnë hapur idenë se njeriu mund të ketë një natyrë të lindur ose prirje të brendshme. Në këtë rast, ata janë të paaftë për të parë se ekzistenca e një natyre të lindur njerëzore nuk qëndron në kundërthënie me lirinë dhe përgjegjësinë e njeriut. Njeriu mund të jetë krijuar i lirë e të ketë liri zgjedhjeje edhe sikur të posedojë një natyrë të lindur. Është e qartë se ekzistencialistët nuk kanë mundur të japin dëshmi të mjaftueshme kundër idesë në fjalë. 


Krahas kësaj, është diçka e njohur se ideologjitë që e shohin sjelljen njerëzore si një produkt të shoqërisë e të kushteve shoqërore, e mohojnë me automatizëm idenë e një natyre të lindur njerëzore. Emile Durkheim dhe sociologë të tjerë nuk i kanë veshur kurrfarë kuptimi nocionit të natyrës së lindur njerëzore. S’ka dyshim se pajtohemi me idenë se shoqëria ka ndikim mbi njeriun. Por të pranuarit e këtij fakti nuk na detyron që ta mohojmë natyrën e lindur njerëzore, e cila edhe ashtu nuk parasheh se të gjithë njerëzit duhet të jenë të njejtë. Çdo njeri mund t’i ketë tiparet e veta. Nuk mund të themi se shoqëria është e aftë të ndikojë mbi të gjithë aspektet e individualitetit njerëzor, aq sa të mund të supozohet se ideja e një natyre të lindur është absurde. Një pikëpamje e tillë është ekstreme dhe, si e tillë, e papranueshme.


Ndikimi i shoqërisë mbi sjelljen e njeriut, pra, nuk kërkon domosdo që të mohohet natyra e lindur njerëzore. Në të vërtetë, të pranuarit e ndikimit të shoqërisë nënkupton pranimin e aftësive, prirjeve, talenteve dhe kapaciteteve të përbashkëta njerëzore, pa të cilat shoqëria nuk do të mund të kishte një ndikim aq të madh mbi individin.


Ne besojmë se njeriu duhet të merret me zhvillimin e vet dhe ta kërkojë të duhurën për veten e tij, në mënyrë që ta arrijë qëllimin për të cilin është krijuar. Por kur flasim për zhvillim, me automatizëm e pranojmë ekzistencën e talenteve dhe kapaciteteve (të lindura) që duhen zhvilluar. Andaj themi se çdo individ, nga krijimi i tij, posedon kapacitete të caktuara, të cilat Kur’ani i përmend si fitrah (përkthyer këtu si “natyra e lindur). Kjo natyrë e lindur përbëhet nga dëshirat jomateriale dhe prirjet sipërore të njeriut, sepse nevojat e tjera si ushqimi, uji, gjumi e shumimi janë gjëra që mund të gjenden edhe tek kafshët e që s’janë tjetër veçse instinkte biologjike.


Në dashtë Zoti, në fjalimin tonë të ardhshëm do të merremi më  hollësisht me temën e natyrës së lindur njerëzore, do të përmendim disa vargje kur’anore në lidhje me këtë çështje dhe do të përfitojmë nga dituritë që ekzistojnë në këtë fushë. 


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!


 


1: Jean Paul Sartre, A është ekzistencializmi humanizëm?, fq.28 (e botimit persisht, përkthyer nga Mustafa Rahimi)


 

publikuar më: 31.01.2014

Lexoni gjithashtu..

10.02.2017 Njeriu në Kur′an: Lumturia dhe përsosuria e njeriut (pjesa III)
06.01.2017 Njeriu në Kur′an: Lumturia dhe përsosuria e njeriut (pjesa II)
22.10.2016 Njeriu në Kur′an: Lumturia dhe përsosuria e njeriut (pjesa I)
27.05.2016 Njeriu në Kur′an: Dinjiteti i njeriut
19.12.2015 Njeriu në Kur′an: Njeriu si mëkëmbës i Zotit
03.07.2015 Njeriu në Kur′an: Aftësitë e lindura të njeriut
06.03.2015 Njeriu në Kur′an: Natyra e lindur njerëzore (pjesa IV)
30.05.2014 Njeriu në Kur′an: Natyra e lindur njerëzore (pjesa III)
14.02.2014 Njeriu në Kur′an: Natyra e lindur njerëzore (pjesa e dytë)
02.08.2013 Njeriu në Kur′an: Dallimi nga bota shtazarake
19.04.2013 Njeriu në Kur′an: Cilësitë e shpirtit
22.03.2013 Njeriu në Kur′an: Ekzistenca e pavarur e shpirtit
13.02.2013 Njeriu në Kur′an: Materia dhe shpirti
08.02.2013 Njeriu në Kur′an: Krijimi i njeriut

Kthehu