Katër data të rëndësishme në muajin Safar by librariadielli
Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Duke i pasur parasysh datat e rëndësishme të kësaj jave, mendoj se do të ishte me vend që të përmendim disa pika në lidhje me to. Sipas shumë të krishterëve, 25 dhjetori, të cilin e lamë pas javën e kaluar, është ditëlindja e profetit Isa (paqja qoftë mbi të) dhe fillimi i historisë së krishterë. Muslimanët besojnë se ai ishte djali i Marisë (Merjemes) së virgjër, vajzës së Imranit. Sipas Kur’anit dhe sipas mësimit fetar, Maria, falë dëlirësisë së saj, u zgjodh në mesin e grave të tjera të kohës dhe kishte një pozitë më të lartë se ato:
Dhe kur ëngjëjt thanë: Merjeme (Maria), Zoti të zgjodhi, të bëri të dëlirë e të lartësoi mbi gratë e botës...(Kur’an 3:42)
Më tej, Kur’ani e përmend dashurinë e saj për të vërtetën:
Mesihu, djali i Merjemes,ishte veç një i dërguar. Dhe vërtet kanë kaluar të dërguar të tjerë edhe para tij. Dhe nëna e tij ishte një grua e drejtë. (Kur’an 5:75)
Në një hadith të përcjellur nga Imam Muhammed Bakiri (paqja qoftë mbi të), thuhet: “Ajo ishte nga gratë më të bukura të botës dhe kurdoherë që drejtohej për ta adhuruar Zotin, vendi i adhurimit ndriçohej me dritën e saj.”1 Në lidhje me profetin Isa (paqja qoftë mbi të) duhet të thuhet se ai radhitet në mesin e robërve të veçantë të Zotit, si dhe në mesin e të dërguarve dhe profetëve më të mëdhenj të Tij. Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) thotë: “Profetët e mëdhenj, që janë boshti i udhëzimit, janë pesë: Nuhu, Ibrahimi, Musa, Isa dhe Muhammedi. Paqja qoftë mbi ata të tërë dhe mbi të gjithë profetët e tjerë të Zotit!”2 Për më tepër, sipas mësimeve të Kur’anit, ne muslimanët duhet t’i besojmë mësimet e profetit Isa dhe t’i pranojmë të njejtat me gjithë zemër:
Thoni: “Ne besojmë në Zotin dhe në të gjithë ato gjëra që Ai ka zbritur. (Dhe e besojmë) atë që iu zbrit Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe bijve të Izraelit, si dhe asaj që iu dha Musës, Isës dhe të gjithë profetëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë dallim mes tyre dhe i jemi dorëzuar Atij. (Kur’an 2:136)
Kur’ani flet edhe për lindjen e profetit Isa, duke vënë një theks të veçantë mbi këtë ndodhi.3 Zoti i Madhëruar ia tregoi paraprakisht Merjemes së shenjtë lindjen e djalit të saj Isës dhe i tha se ajo do të kishte një personalitet të lartësuar në këtë botë e në tjetrën dhe se do të ishte në mesin e njerëzve të afërt me Zotin.4 Në lidhje me faktorë që e shkaktuan lindjen e profetit Isa, si dhe në lidhje me mënyrën e lindjes së tij, Kur’ani thotë:
Dhe e bëmë atë një shenjë për njerëzit dhe një mëshirë nga Ne. Kjo është një çështje e vendosur. (Kur’an 19:21)
Zoti i Madhëruar, profetit Isa ia shpalli Inxhilin (Biblën), që të ishte një libër udhëzimi dhe një dritë për njerëzimin.5 Megjithatë, Bibla që sot përdoret nga ndjekësit e Mesihut, edhe sipas vetë burimeve të tyre, nuk është libri që iu shpall atij. Apostujt e tij të veçantë e shkruan rrëfimin e jetës së profetit Isa (të njohur në terminologjinë shqipe si ungjill) dhe prej këtyre shkrimeve janë katër që pranohen sot (të njohur si “ungjijtë kanonikë”). Është me rëndësi të theksohet në këtë pikë se, sipas mendimit të ne muslimanëve, ardhja e profetit Muhammed (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) u shpall paraprakisht në librin që iu zbrit Isës.
Këta janë ata që e ndjekin të Dërguarin, atë profet që s’di shkrim e këndim, e për të cilin gjejnë të shkruar në Tevrat e në Inxhil. Ai ua urdhëron të mirën dhe ua ndalon të ligën, ai ua lejon të mirat dhe ua ndalon gjërat e këqija dhe i shpëton nga barra që u rëndon mbi shpinë. Të shpëtuar janë ata që e besojnë atë, që e ndihmojnë dhe që e ndjekin dritën që u zbrit me të. (Kur’an 7:157)
Një tjetër ndodhi e rëndësishme e këtyre ditëve është ndërrimi jetë i Profetit të fundit të Zotit, Muhammedit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij). Pika më e rëndësishme, e cila duhet të theksohet për të gjithë muslimanët, është vëmendja që duhet t’i kushtohet sjelljes dhe mënyrës së tij të jetesës. Ajo që manifestohej në çdo fazë të jetës së tij, ishte një mënyrë jetesë, e kushtuar krejtësisht Zotit. Ky ishte mësimi më i rëndësishëm i Zotit për të Dërguarin (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij), i cili shprehet bukur në vargun vijues kur’anor:
Thuaj: “Asgjë s’ka për të na gjetur përveç asaj që ka caktuar Zoti. Ai është mbrojtësi ynë dhe në Të le të mbështeten besimtarët.” (Kur’an 9:51)
Një ndodhi tjetër e rëndësishme e këtyre ditëve është edhe rënia dëshmor e nipit të të Dërguarit të Zotit, Imam Hasanit (paqja qoftë mbi të). Për këtë personalitet, Profeti (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) thotë: “Kushdo që më do mua, duhet ta dojë edhe Hasanin.” Në një rast tjetër, në një lutje të tij, ai thotë: “O Zot! Hasani është djali im. Unë e dua andaj doje edhe Ti atë dhe duaji edhe dashamirët e tij!” Në një rast tjetër, në lidhje me Imam Hasanin, ai thotë: “Hasani është drita, syri, bardhësia dhe fruti i zemrës sime. Ai është një dëshmi e Zotit për muslimanët. Urdhri i tij është urdhri im dhe fjala e tij është fjala ime. Kushdo që e ndjek atë, më ka ndjekur mua dhe kushdo që e mohon atë, mua më ka mohuar.”
Ndodhia e fundit me rëndësi e këtyre ditëve është rënia dëshmor e Imam Rizasë (paqja qoftë mbi të). Gjatë Imamatit të tij, tetëmbëdhjetë vjet të të cilit kaluan në Medine dhe dy në Merv, ai edukoi shumë nxënës, prej të cilëve disa shkëlqyen si shkencëtarë e si dijetarë shiitë të haditheve. Në mesin e gjërave që janë përcjellur për të është përkrahja e madhe që ua jepte nevojtarëve dhe mënyra se si i ndihmonte ata, pa u kuptuar kjo gjë nga të tjerët.
Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!
1: Nur el-Thekalejn, vëll.1, fq.332
2: Mizan el-Hikme, pjesa mbi profetësinë
3: Kur’an 19:16-30
4: Kur’an 3:45
5: Kur’an 19:21