Ndodhia e Ashures
Prania e grave në lëvizjen e Ashures
Ajetollah Dr. Riza Ramazani

Prania e grave në lëvizjen e Ashures by librariadielli


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij! 


Në fenë e lartësuar islame, burri dhe gruaja janë të barabartë dhe kanë një pozitë të njejtë si njerëz. Aspekti human i njeriut buron nga shpirti i tij, i cili nuk është as mashkullor dhe as femëror.


Në Kur’anin e shenjtë, Zoti i Madhëruar vë theks mbi pozitën e lartësuar të njeriut, duke e  ndërlidhur me përgjegjësitë dhe detyrimet që iu ngarkuan atij. Ai thotë:


Vërtet Ne ua ofruam amanetin qiejve, tokës e maleve, por u trembën e nuk pranuan. Vetëm njeriu pranoi. (Kur’an 33:72) 


Kështu, Zoti e ngarkoi njeriun me një përgjegjësi të madhe, e cila është e vlefshme si për burrat ashtu edhe për gratë. Kurdoherë që Kur’ani flet lidhur me veprimet njerëzore si besimi, bindja, robëria para Zotit, droja para Zotit, dinjiteti njerëzor ose jeta sipërore e shpirtit, ai nënkupton njëkohësisht edhe burrin edhe gruan.


Islami gjithnjë ka patur një këndvështrim pozitiv dhe të arsyeshëm në lidhje me pozitën e gruas në shoqëri dhe i ka kundërshtuar mendimet e gabuara dhe bestytnitë. Në hadithe thuhet shpesh se burri duhet të jetë i dhembshur ndaj gruas e të sillet mirë me të. I Dërguari, paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij, thotë: “Më të mirët nga ju janë ata që më së miri sillen ndaj grave të veta.” Ai thotë gjithashtu: “Një njeri me dinjitet dhe nder e respekton gruan, ndërsa një njeri i poshtër e lëndon atë.” Edhe një thënie tjetër përcillet prej tij në lidhje me këtë temë: “Xhibrili më këshillo aq shumë t’i respektoj gratë, sa m’u duk se njeriu nuk guxon t’i thotë as edhe një ‘ah’ gruas së tij.”


Në një hadith tjetër shumë të çmueshëm, i Dërguari (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) thotë: “Unë jam biri i Fatimeve e i Atikave” Këtu përmend emrat Fatima dhe Atika, që hasen shpesh në gjeneratat paraprake të familjes së Profetit. Por vetë fakti se krijesa më e çmueshme e botëve e përmend emrin e tij bashkë me emrat e këtyre grave, është një tregues i pozitës së lartë të gruas në Islam. 


Edhe fjalët me të cilat Profeti (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) i përshkruan gratë më fisnike të botës si Hatixheja dhe Fatimeja, paqja qoftë mbi to, tregojnë shumë qartë se gratë mund t’i arrijnë pozitat më të lartë të robërisë para Zotit dhe të afërsisë me Të. Kur’ani i shenjtë e përmend Asijen (gruan e Faraonit) dhe Merjemen, bijën e Imranit, si shembuj të njerëzve besimtarë. Kjo do të thotë se tradita e Profetit të shenjtë (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij), duke u mbështetur në vendosmërinë e besimit të tyre, i ka prezantuar gratë si shembuj absolutë që duhet të ndiqen nga të gjithë burrat e gratë besimtare të botës.


Në fillimet e Islamit, në shumë raste Profeti mori betim besnikërie nga gratë. Gjatë Besëlidhjes së Akabes, nga shtatëdhjetë personat e pranishëm, tre ishin gra. Edhe pas çlirimit të Mekkes, në përshtatshmëri me udhëzimin hyjnor, ai e pranoi bindjen për besnikëri edhe nga gratë. Këtu duhet të theksojmë se ky veprim i Profetit ishte një veprim etik, i ndërlidhur me principin e familjes. Në të gjithë rastet, ai i theksoi detyrat më të rëndësishme shoqërore të gruas, si për shembull ruajtjen e nderit, rritjen e fëmijëve dhe përforcimin e themelit të familjes. Nëpërmjet këtij betimi besnikërie, gratë dëshmuan se besonin në një Zot të vetëm, se nuk do të vidhnin, se nuk do të kryenin marrëdhënie të palejuar (zina) dhe se nuk do ta kundërshtonin të Dërguarin (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) në vepra të mira. Megjithatë, Islami e thekson praninë e grave edhe në aspekte dhe fusha të tjera të jetës. 


Në dashtë Zoti, në këtë ligjëratë do të merremi me pjesëmarrjen aktive të grave në lëvizjen madhështore të Ashures, si njëra nga lëvizjet më të mëdha islame të historisë.


S’ka dyshim se të gjitha vlerat dhe mësimet njerëzore janë kristalizuar në këtë lëvizje. Secili që e studion me kujdes atë, do të kuptojë se Ashureja është fronti i dritës, në të cilin fsihet esenca e të gjitha bukurive. Është një ndodhi që ngërthen në vete shumë mësime dhe porosi dhe që mund të jetë një mësim për të gjithë njerëzit anembanë botës.


Ata që morën pjesë në këtë kryengritje hyjnore e plotësuan detyrën që kishin karshi Zotit. Fakti se në mesin e luftëtarëve të Imam Husejnit (paqja qoftë mbi të) kishte burra, gra, të rinj e fëmijë, flet se këta njerëz e kuptuan plotësisht detyrën hyjnore me të cilën u ngarkuan. Ka shumë këndvështrime të ndryshme për ta trajtuar dhe analizuar këtë lëvizje. Prania e grave në këtë lëvizje flet për vetëdijen e tyre në këtë ndodhi madhështore. Andaj, sot duam të merremi me këtë temë dhe shpresojmë se të gjitha gratë muslimane, në dashtë Zoti, do të mësojnë shumë më tepër në lidhje me pozitën dhe vlerën e tyre të vërtetë.


Sipas të dhënave që janë përcjellur në histori, gratë patën një prani serioze në lëvizjen e Ashures, me një rol që ka një rëndësi të madhe. Disa nga gratë e pranishme atje ishin pasardhëse të Imam Aliut (paqja qoftë mbi të), ndërsa të tjerat ishin nga fisi Hashim dhe nga fiset e tjera arabe. Në mesin e pasardhësve të Imam Aliut (paqja qoftë mbi të), ato që patën një rol të rëndësishëm ishin Zejnebja, Umm Kulthumi, Fatimeja, Safijeja dhe Rukajjeja. Sakineja dhe Fatimeja ishin vajzat e Imam Husejnit (paqja qoftë mbi të). Mes tjerash, të pranishme ishin edhe Rubabi, gruaja e Imam Husejnit, Atika, nëna e Muhsin bin Hasanit, vajzat e Muslim ibn Akilit dhe nëna e Vahb ibn Abdullahut. Disa prej tyre, si nëna e Vahbit (Umm Vahb), që ishte bashkëshorte e Abdullah el-Kalbiut, atë ditë ranë dëshmorë.


Prania e secilës nga këto gra në çdo shkallë të kësaj ndodhie ishte e rëndësishme dhe efektive në mënyrën e saj. Por në mesin e tyre, në të gjitha fazat e ndodhisë, prania më mbresëlënëse ishte ajo e Zejnebes, paqja qoftë mbi të.


Siç e dimë, detyrimet shoqërore, parë nga aspekti islam, nuk mund të kufizohen vetëm tek meshkujt. Edhe femrat, në aspektin fetar, kanë detyrim të marrin pjesë në lëvizje të ndryshme, që paraqesin konfliktin ndërmjet të drejtës dhe padrejtësisë, dhe të sillen me arsye dhe përgjegjësi. Shembujt që mund të shihen në lëvizjen e Ashures dëshmojnë se ndodhitë e asaj kohe u shoqëruan nga një prani serioze e grave, të cilat i kishin kuptuar detyrimet e tyre fetare dhe hyjnore.


Prania e grave në Ashure, duke u mbështetur në faktet historike, kishte të bënte me pikat në vijim:


1. Shpjegimi dhe përcjellja e qëllimeve të Imam Husejnit (paqja qoftë mbi të), si dhe përshkrimi i ndodhive të ditës së Ashures, përgjatë rrugëtimit nga Qerbelaja drejt Medines dhe veçanërisht në vetë qytetin e Medines. Në këtë proces ishin të përfshira kryesisht Zejnebja dhe Umm Kulthumi, motrat e Imam Husejnit (paqja qoftë mbi të), si dhe Sakineja dhe Fatimeja, vajzat e tij. Ky është aspekti më i rëndësishëm i pranisë së grave në lëvizjen e Ashures, sepse kur të gjykohet sipas kushteve që mbretëronin asokohe, ishte tejet e vështirë të kuptohej saktësisht dhe në tërësi porosia e lëvizjes së Ashures. Ishin gratë e familjes së Imam Husejnit (paqja qoftë mbi të) që e morën përsipër këtë përgjegjësi të vështirë dhe që e kryen më së miri.


2. Durimi, vendosmëria dhe rezistenca përballë tragjedive të ndryshme dhe fyerjeve nga armiqtë e Zotit e të Ehl-i Bejtit, qoftë gjatë ndodhisë së Qerbelasë, e qoftë më pas, gjatë kohës së tyre në robëri. Të përballuarit e këtyre vuajtjeve do të ishte e pamundur pa një motivim hyjnor. Ishte nëpërmjet ndihmës së Zotit, që këta zonja shfaqën një durim dhe një rezistencë të jashtëzakonshme.


3. Zbulimi i të vërtetës para shtypësve dhe tiranëve, gjë që është një detyrim islam. Këto zonja besimtare dhe të gatshme për t’u flijuar, e kryen këtë veprim me një guxim shembullor. Umm Kulthumi, e bija e Imam Aliut (paqja qoftë mbi të), ishte një grua e ditur dhe një gojëtare e aftë. Gjatë robërisë së tyre, ajo nuk humbi as edhe një mundësi të vetme për ta shprehur të vërtetën me fjalët e saja. Ndërsa karvanët e të robëruarve silleshin drejt Kufes, kjo grua u foli njerëzve dhe ua zbuloi të ligat që i kishin kryer duke mos e ndihmuar Imam Husejnin (paqja qoftë mbi të). Kur karvani arriti në Kufe, një grup njerëzish ishte mbledhur për t’i parë të robëruarit. Në atë çast, Umm Kulthumi thirri:


“O njerëzit e Kufes! A nuk ju vjen turp nga Zoti e nga i Dërguari (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) që të mblidheni kështu për ta vështruar si spektatorë Ehl-i Bejtin e tij?” 


Një shembull tjetër është rezistenca e qartë dhe e vendosur e Zejnebes (paqja qoftë mbi të) kundër ushtrisë së Jezidit. Në pallatin e Jezidit, ajo mbajti një fjalim të zjarrtë, kur u zbuluan të vërtetat. Mes tjerash, ajo tha:


“O Jezid! Mos beson vallë se na ke çnderuar dhe se veten ke nderuar tani që na çon nga qyteti në qytet si të robëruar? O bij të robërve të çliruar! A është e drejtë që bijat e robëreshat tuaja t’i mbani të mbuluara, ndërkohë që bijat e Profetit i bëni të ecin zbuluar nëpër qytete?Ju na çnderuat duke na hapur fytyrën. Na çuat nga qyteti në qytet, ku çdo njeri, qoftë i maleve a i fushës, na ka vështruar. Të afërmit e të largëtit, të varfërit e të pasurit, të ultit e të lartit, të gjithë na kanë parë hapur, ndërkohë që s’na ka mbetur asnjë burrë në familje që të na ndihmojë e të na përkrahë.” 


4. Motivimi dhe stimulimi i luftëtarëve në ushtrinë e Imam Husejnit (paqja qoftë mbi të) nga nënat dhe gratë e tyre, në mënyrë që t’i ndihmojnë Imamit në rrugën e të vërtetë dhe që të vetëflijohen për hir të tij. Këtu mund të përmenden gratë e Ehl-i Bejtit, si dhe bashkëshortet e Zuhajr ibn Kajnit, Muslim ibn Evsaxhes, Ummu Vahbi etj. Përcillet se Abdullah Kalbiu, pasi pa se fushat e palmeve ishin bërë vendtakim i ushtrive të Jezidit, që dëshironin ta vrisnin nipin e Profetit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij), tha me vete: “Gjithë jetën jam përpjekur të luftoj kundër jobesimtarëve. S’ka dyshim se lufta kundër ushtarëve të Jezidit e ka të njejtin shpërblim.” Pas këtyre fjalëve, ai vendosi të nisej për ta ndihmuar Imam Husejnin (paqja qoftë mbi të). Me ta dëgjuar vendimin e tij, e shoqja e lëvdoi dhe i tha: “Ke menduar drejt dhe e ke gjetur të vërtetën. Zoti ta ka treguar këtë rrugë. Andaj ngutu tani drejt Imam Husejnit dhe më merr edhe mua me vete.” Që të dy udhëtuan drejt Qerbelasë dhe atje ranë dëshmorë.   


5. Zejnebja (paqja qoftë mbi të) ishte prijësja e të robëruarve dhe kujdestarja e fëmijëve gjatë gjithë kësaj ndodhie, e cila tregoi se si mund të kontrollohet dhe administrohet një krizë e tillë serioze. Ajo u detyrua të përkujdesej për të robëruarit dhe për fëmijët e t’i bënte t’i harronin fyerjet dhe çnderimet e armikut, gjë që e bëri me sukses. Me ndihmën e Zotit, ajo arriti ta shndërronte këtë robërim në një çlirim të njerëzve, arriti ta zgjonte vetëdijen njerëzore dhe ta kthente përmbys aq shumë situatën e krijuar, sa shumica prej të pranishmëve nisën të pendoheshin dhe t’i ktheheshin rrugës së drejtë. 


6. Gjatë robërisë së tyre, këto zonja u përpoqën t’i respektonin kufijtë që Zoti kishte vendosur për to dhe të silleshin në mënyrë etike si femra besimtare dhe muslimane, të cilat kurrë nuk i shpërfillnin detyrimet e tyre fetare. Ato u sollën ashtu siç kërkonin mësimet islame dhe ashtu siç prisnin njerëzit. Ato i këndellën emocionet e njerëzve të Kufes e të Damaskut dhe i bënë të qanin, duke krijuar kështu një mundësi për t’i shpjeguar aspektet e ndryshme të kësaj lëvizjeje dhe për t’i përcjellur mësimet e ndodhisë së Ashures. Ato theksuan gjithë kohës se njeriu mund të mësonte shumë gjëra nga kjo ndodhi.


Zejnebja, si prijësja e të robëruarve, e barti mesazhin e Ashures, si gjatë robërisë së saj, ashtu edhe më pas. Ajo ishte një personalitet hyjnor, që ishte edukuar nga babai i saj (Imam Aliu) për të mbajtur mësime të Kur’anit për gratë e Kufes (gjatë kalifatit të Imam Aliut). Mbase shumë nga burrat që i erdhën në ndihmë Imam Husejnit (paqja qoftë mbi të) u motivuan pikërisht nga këta nxënëse të Zejnebes.


Zejnebja ishte një gojëtare e shkëlqyeshme. Kur qarkullonin fjalët e saja në mesin e njerëzve, ata që nuk e kishin dëgjuar duke folur, mendonin se ishin fjalët e Imam Aliut (paqja qoftë mbi të). Ajo ishte një grua e urtë, që u edukua dhe u arsimua në një familje që ishte pranuese e Shpalljes hyjnore. Ajo ishte një mendimtare, e cila me ligjëratat e saja e zgjoi shoqërinë islame të asaj kohe. Ajo posedonte dituri të mjaftueshme sa të rradhitej në mesin e përcjellësve të rëndësishëm të haditheve. Ka shumë hadithe që janë përcjellur nëpërmjet asaj.


Kjo zonjë madhështore ishte një shërbetore e Zotit, e lartësuar në rrafshin shpirtëror dhe e afërt me Zotin e Madhëruar, aq sa edhe vetë Imam Husejni (paqja qoftë mbi të) do t’i kërkonte t’i lutej Zotit për të. Ajo i kishte kuptuar aq bukur dhe aq përsosur detyrimet e saja karshi Zotit, sa kur e pyetën se si i ishte dukur Qerbelaja, ajo u përgjigj: “Nuk pashë tjetër veçse bukuri”. Një përgjigje e tillë mund të vijë vetëm nga një njeri që i është dorëzuar plotësisht Zotit dhe që si një shërbetore e Tij, ka arritur një pozitë të lartë, ku arrin t’i shohë qartë shenjat e Tija.


Kjo grua madhështore e botës islame ishte e suksesshme edhe në edukimin e fëmijëve të saj. Ajo përpiqej gjithnjë që t’i rregullonte më së miri punët e brendshme të familjes dhe t’i krijonte kushtet më të mira për zhvillimin dhe përparimin e fëmijëve të saj.


Zejnebja ishte një bashkëshorte besnike, një nënë përplot dashuri dhe një motër e dhembshur ndaj të vëllait. Për burrin e saj Abdullah ibn Xhaferin, ajo ishte një bashkëshorte besnike, ndërsa ishte njëkohësisht edhe një nënë e përsosur për fëmijët që pati. Ajo ishte një rrugëtuese, që e ndërmorri rrugëtimin e vet hyjnor dhe që, si një njeri fisnik dhe besimtar, i kuptoi më së miri detyrimet e veta karshi Zotit. Pas ndodhisë së Ashures, ishte ajo që ia përcolli njerëzimit mesazhin e Ashures, të cilin ajo, nëpërmjet arsyes, urtësisë dhe përshpirtshmërisë së saj, e kishte kuptuar më së miri. 


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!

publikuar më: 22.11.2013

Lexoni gjithashtu..

05.12.2014 Ndodhia e Ashures: Morali në shembullin e Imam Husejnit (a.s) e të ndjekësve të tij
23.11.2014 Ndodhia e Ashures: Devotshmëria në shembullin e Imam Husejnit (a.s)
14.11.2014 Ndodhia e Ashures: Imam Husejni (a.s) si ringjallës i traditës hyjnore
08.11.2013 Ndodhia e Ashures: Një kryengritje për lirinë dhe kundër dhunës e mizorisë

Kthehu