Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
S’ka dyshim se ndodhia e Ashures është lëvizja e mendjes kundër injorancës, e të vërtetës kundër gënjeshtrës. Imam Husejni, paqja qoftë mbi të, i cili ishte Imami i dëlirë i kohës, u nis nga Mekkeja drejt Kufes për t’iu përgjigjur thirrjes për ta ruajtur dinjitetin e mësimeve fetare dhe për ta marrë përsipër udhëheqësinë e shoqërisë muslimane. Në mes të rrugës, njerëzit e Jezidit e vranë atë, bashkë me vëllezërit, bijtë dhe përkrahësit e tij, duke ia zënë robër familjarët. Ehl-i Bejti, pra ajo që kishte mbetur nga familja e të Dërguarit të Zotit, paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij, u robërua nga këta njerëz të pabesë, të cilët e trajtuan Imamin dhe familjen e tij në mënyrën më të ligë të mundur.
Ndonëse janë bërë mijëra analiza të kësaj lëvizjeje dhe janë shkruar e përkthyer me mijëra libra thuajse në të gjitha gjuhët e gjalla të botës, duket se ka edhe shumë gjëra të pathëna për këtë lëvizje të lirisë. Mendimtarët dhe shkencëtarët e botës duhet të merren më intensivisht me këtë temë. S’ka dyshim se kur kjo lëvizje të shqyrtohet me të gjithë dimensionet e saja, shembulli i mishëruar tek Imam Husejni (paqja qoftë mbi të) ka për të fituar një kuptim shumë më të gjerë dhe gjithëpërfshirës. Vetë Imam Husejni thotë: Tek unë ka një shembull për ju.
Ata që i lexojnë fjalët e Imamit, do të kuptojnë se ai nuk kishte qëllim tjetër përveç që të ftojë drejt të vërtetës, ta reformojë ummetin e gjyshit të tij dhe të mundësojë që njerëzit të jetojnë sipas ligjeve të Kur’anit, për të siguruar rend dhe paqe në shoqëri. Kur në fjalët e Imamit t’i hasim fjalët “urdhërimi i të mirës dhe pengimi i të ligës”, duhet të kemi parasysh se me “të mirën” nënkuptohen mendja, ligji hyjnor dhe gjërat që i pranon natyra e lindur njerëzore (arab. fitra). Në të njejtën mënyrë, kur bëhet fjalë për “të ligën”, nënkuptohen gjërat që mendja, ligji dhe natyra e lindur njerëzore i shohin si të shëmtuara.
“E mira” është ajo të cilën mendja dhe ligji e njohin dhe e shohin si të pëlqyeshme, ndërkohë që “e liga” është gjëja që mendja dhe natyra e lindur e njeriut nuk e njohin dhe e konsiderojnë të padëshiruar. Ka shumë shembuj të “të mirës”, por në thëniet e Imamëve përmenden para se të gjithash namazi, recitimi i Kur’anit, thirrja e Zotit, ftuarja drejt porosisë së Profetit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij), shpërndarja e drejtë e pasurisë së muslimanëve, jetesa fetare dhe jeta me nder.
Andaj mund të themi se Qerbelaja ka dy faqe. Njëra është faqja e bardhë dhe e ndritur, ndërsa tjetra faqja e zezë dhe e errët e kësaj ndodhie. Njeriu duhet fillimisht ta vështrojë këtë faqe të bardhë dhe të marrë mësim e t’i shtojë njohuritë e veta fetare, duke e jetësuar dashurinë ndaj Zotit dhe duke u bashkuar kështu me hyjnoren.
Ana e errët e kësaj ndodhie është faqja e mbushur me dashuri ndaj pozitave, me dhunë, me mizori, me gënjeshtra dhe me mashtrime. Njeriu duhet ta shqyrtojë edhe këtë faqe me shumë kujdes, të marrë mësime prej asaj dhe ta caktojë anën e tij. Përgjatë lëvizjes së tij, Imam Husejni (paqja qoftë mbi të) vazhdimisht e theksoi faktin se lumturia e njeriut fshihet në respektimin e urdhrave dhe ndalesave të Zotit. Njeriu duhet të kapet fort pas urdhrave të Zotit dhe t’i kryejë ato në mënyrën më të mirë, ndërkohë që largohet nga mëkatet, duke i konsideruar ato të shëmtuara. Kur njeriu të shohë se dikush i shpall të ndaluara gjërat e lejuara dhe të lejuara të ndaluarat, dhe se i shkel besëlidhjet hyjnore, duhet menjëherë të vendoset në mbrojte të fesë e të mësimit hyjnor.
Përse lëvizja e Ashures ishte një lëvizje me ndikim? Kur të hulumtohet thellësisht kjo çështje, njeriu mund ta kuptojë arsyen e këtij ndikimi. Përgjigja e parë për këtë pyetje fshihet në faktin se kjo lëvizje ishte një lëvizje që u zhvillua tërësisht në përshtatshmëri me kënaqësinë e Zotit. Kur’ani thotë:
Gjithçka në tokë do të shkatërrohet. Do të mbetet veç fytyra e Zotit tënd, Madhështor dhe Bujar. (Kur’an 55:26)
Kjo lëvizje, ngase u bë për hir të Zotit dhe për t’i mbrojtur mësimet fetare, mbeti e përjetshme dhe do të vazhdojë të ekzistojë edhe më tej.
Ndërsa arsyeja e dytë për vazhdimësinë e ndikimit të kësaj ndodhie është fakti se lëvizja e Imam Husejnit u zhvillua për t’i shpëtuar njerëzit nga devijimi dhe injoranca, për t’i vetëdijesuar në lidhje me rrugën që duhet ndjekur dhe për t’u mundësuar të hapërojnë përpara në rrugën e pjekurisë dhe përsosurisë shpirtërore. Lëvizja e Imam Husejnit (paqja qoftë mbi të) nuk është tjetër veçse një jetësim i diturive të Kur’anit, i Traditës së Profetit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) dhe i mësimeve islame. Fjalët e fundit që i shqiptoi Imami para vdekjes së tij e shprehin shumë qartë kuptimin e shenjtë dhe të lartësuar të kësaj lëvizjeje. Ai thotë: “Zoti im! Unë pajtohem me pajtimin Tënd, i dorëzohem urdhrit Tënd dhe (dëshmoj se) nuk ka Zot tjetër veç Teje, o ndihmues i atyre që ndihmë kërkojnë.”
Kurrsesi nuk mund të thuhet se Imam Husejni (paqja qoftë mbi të) u kryengrit për qëllime të përkohshme dhe materiale. Siç recitojmë edhe në Zijaretin e Erbainit, Imami e flijoi shpirtin e tij dhe shpirtin e më të dashurve të tij, vetëm për t’i shpëtuar njerëzit nga devijimi dhe padituria. Brendia dhe porosia e kësaj lëvizjeje ka një rëndësi shumë të madhe në reformimin e historisë njerëzore dhe nuk ka për t’u shlyer kurrë nga kujtesa e njerëzve. Në përgjigjen që Zejnebja (paqja qoftë mbi të) ia dha Jezidit, qëllimi i vërtetë i njerëzve që e kryen këtë krim del në shesh. Ajo tha: O Jezid! Bëj githë ç’të mundesh, përdori të gjitha dredhitë dhe shfrytëzojë gjithë mundin tënd! Betohem në Zotin se nuk ke për ta shlyer emrin tonë dhe nuk ke për ta shkatërruar shpalljen që na erdhi neve.
Sikur ta hulumtojmë më me kujdes këtë lëvizje, do t’i kuptojmë disa nga të fshehtat e vazhdimësisë dhe përjetësisë së kësaj lëvizjeje. Rruga dhe qëllimi i shenjtë i Imamit tregojnë se si duhet të jetë një jetë e lirë, e ndershme dhe me dinjitet. Ai e flijoi veten e tij për fenë islame dhe për shkollën e Kur’anit, që e bën njeriun njeri, në mënyrë që njerëzimi të mund t’i kuptojë kriteret e sakta dhe ta vlerësojë jetën sipas tyre. Të gjithë muslimanët që e kanë marrë shembull këtë njeri liridashës janë lartësuar në vetëdijen e tyre dhe janë shndërruar në njerëz që veprojnë me sinqeritet, devotshmëri dhe përkushtim në rrugën e fesë.
Një faktor tjetër i rëndësishëm në ndodhinë e Ashures është fakti se kjo lëvizje ishte e drejtuar kundër dhunës, shtypjes, mizorisë dhe privilegjeve të padrejta.
Imami mori vendimin për të luftuar me mekanizmin e dhunës dhe mizorisë të asaj kohe, gjegjësisht me despotin e epokës Jezidin, mallkimi i Zotit qoftë mbi të. Imami luftoi me këtë mizor deri në frymën e tij të fundit dhe parapëlqeu të vdiste me nder e dinjitet në vend që të jetonte i poshtërsuar dhe në robëri. Imam Husejni, paqja qoftë mbi të, nuk mund të pranonte një jetë, në të cilën mësimi hyjnor do të shkelej e ku të lejuarat do të ndaloheshin dhe ndalesat e Zotit do të lejoheshin. Jo vetëm Imam Husejni, por çdo ndjekës i tij, nuk mund të pranojë një gjë të tillë. Për një njeri të rritur në shkollën e shpalljes hyjnore dhe në shtëpinë e profetësisë, të pranuarit e një poshtërsimi të tillë do të ishte një turp i madh. Ai, edhe përkundër të gjithë kërcënimeve dhe këshillave, këmbënguli në rrugën e përpjekjes, që ishte e vetmja mënyrë për ta shpëtuar të vërtetën. Me këtë, ai e kreu më së miri misionin që i ishte ngarkuar. Zoti i Madhëruar e Lavdiplot, nëpërmjet dritës dhe udhëzimit të Tij, e mori nën garanci këtë revolucion dhe e bëri atë një shembull për të gjithë njerëzit liridashës deri në përjetësi.
Në të vërtetë, beteja në shkretëtirën e Qerbelasë ishte lufta ndërmjet mendjes dhe paditurisë. Ushtarët e devijimit e të padijes luftuan kundër ushtarëve të dijes dhe e kryen një krim që nuk ka të barabartë në historinë e njerëzimit. Këto mizori të poshtra kanë hapur një faqe shumë të ndyrë në histori. Andaj, një element shumë i rëndësishëm i lëvizjes së Ashures është që njerëzit të marrin mësim nga këto faqe të errëta të të kaluarës.
Ibn Ebi’l-Hadid el-Shafi, një dijetar shumë i çmueshëm sunnit, lidhur me karakterin e Imam Husejnit (paqja qoftë mbi të) dhe lëvizjen e tij, thotë:
Husejni (paqja qoftë mbi të) është prijësi i atyre që nuk e pranojnë disfatën përballë despotëve të kohës e që nuk përkulen para poshtërsimeve dhe fyerjeve. Ai është komandanti i lavdishëm i atyre që kohëve e shekujve u kanë dhënë mësime burrërie e nderi dhe që nën shkëndijat e shpatave kanë parapëlqyer të vdesin duke luftuar me nder në vend që të jetojnë të poshtërsuar. Husejni, ky baba i njerëzve monoteistë të botës, është djali trim i Ali ibn Ebu Talibit (paqja qoftë mbi të). Mizorët umajjadë ia garantuan atij sigurinë, nëse pranonte të merrej vesh me ta. Por ky personalitet që nuk dëshironte të dorëzohej para padrejtësisë dhe poshtërsimit, nuk e pranoi garancinë e tyre. Ai kishte edhe një drojë tjetër. Ai e dinte se edhe sikur të mos i vrisnin duke e keqpërdorur këtë garanci të tyre, mizorët si Ibn Zijadi do t’i kishin poshtërsuar dhe fyer atë dhe ndjekësit e tij liridashës. Andaj, ai zgjodhi të vdiste me nder, në vend që të jetonte i poshtërsuar.
Ndërsa Ebu Nasr Sadiu, njëri nga poetët e shekullit të katërt, në lidhje me dinjitetin dhe liridashjen e Imam Husejnit (paqja qoftë mbi të), shkruan:
Husejn quhet ai që në vdekjen e ndershme sheh jetën
E që vdekje e quan jetën në poshtërsim.
Zoti mos na largoftë nga rruga e Ehl-i Bejtit në këtë botë dhe nga ndërmjetësimi (shefaati) i tyre në amshim!
Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!