Fundi i botës
Pritja e shpëtimit, drejtësia dhe paqja
Sejjid Mesud Masumi


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij! 


Besimi në ekzistencën e shpëtimtarit që do të vijë në epokat e fundit është një besim i gjithëpranishëm në mesin e popujve. Çdo individ dhe çdo grup e ka pranuar sipas mënyrës së vete këtë realitet. Në përgjithësi mund të thuhet se nuk ka dyshim në lidhje me vetë këtë besim, ndërsa ndryshojnë pikëpamjet në lidhje me të, qoftë në lidhje me përmbajtjen e tij, qoftë në lidhje me cilësitë e ndryshme. Edhe përkundër kësaj, është me rëndësi që njeriu të ketë një besim të tillë. Ky besim ka ekzistuar përgjatë historisë, në një formë ose një tjetër, dhe është theksuar edhe në burimet islame. Andaj është shumë me rëndësi që kjo temë të diskutohet shkencërisht nëpër akademi dhe universitete.


Në këtë fjalim duam të shpjegojmë disa gjëra në lidhje me pritjen e shpëtimit, paqen botërore dhe drejtësinë. Në burimet islame theksohet fuqimisht tema e pritjes, e cila ka një rol të rëndësishëm në udhëheqjen dhe udhëzimin e shoqërisë. Njeriu i sotëm, në zhvillimin e tij dhe në rrugën drejt qëllimeve më të lartësuara, mbështetet në këtë fenomen. Qoftë nga aspekti terminologjik, qoftë nga aspekti praktik, fenomeni i pritjes (së shpëtimit) ka një rol të rëndësishëm në shfaqjen e virtyteve dhe përparësive, si dhe në rrënjosjen e tyre në shoqëri. Një nga këto përparësi dhe, në të vërtetë, një nga më të rëndësishmet, është siguria.


Pritja do të thotë, mes tjerash, shpresë1, gjegjësisht shpresë për ardhjen e shpëtimtarit të botës, gjë që rradhitet në mesin e principeve të besimit islam, edhe përkundër faktit se perceptimi i tij ndryshon nga rasti në rast.


Pritja për shpëtimin është një lloj besimi i brendshëm, i cili pasqyrohet në sjelljen dhe në veprimet e pritësit të vërtetë. Kundruar kështu, pritja e shpëtimit është përmendur në mesin e veprave më të mira për muslimanët. Profeti i Shenjtë (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) thotë: “Pritja është agimi i besimit dhe vepra më e lartë e më çmueshme e ummetit tim.”2


Ai thotë gjithashtu: “Më i miri i adhurimeve është pritja e shpëtimit”3


Imam Sexh’xhadi (paqja qoftë mbi të): “Pritja e shpëtimit është ndër më të mirat e veprave.”4 


Pritja e shpëtimit duhet të krijojë e të ushqejë në shpirtin njerëzor një ndjenjë lidhjeje, detyrimi dhe përgjegjësie. Kjo e çon njeriun drejt sakrificës dhe vetëmohimit. Pritësi e ruan dinjitetin e tij njerëzor dhe përpiqet me bindje të brendshme drejt drejtësisë dhe lirisë. Ai përpiqet gjithë kohës për të krijuar drejtësi dhe siguri për të gjithë njerëzit.


Pritja e shpëtimit do të thotë një planifikim inteligjent i ardhmërisë së jetës njerëzore. Çdo pritës i devotshëm, për shkak të pakënaqësisë me gjendjen e tij aktuale dhe për shkak të padrejtësive dhe shkeljes së të drejtave të njeriut në botë, kërkon një revolucion, i cili të gjithë njerëzve do t’u sjellë paqe, siguri dhe drejtësi në kuptimin e vërtetë e të mirëfilltë të fjalës.


Duhet të theksohet se drejtësia dhe siguria, sipas mësimit islam, janë në mesin e premtimeve të Zotit. Në Kur’an thuhet:


Zoti u ka premtuar atyre në mesin tuaj, që besojnë e që bëjnë vepra të mira, se vërtet ka për t’i bërë trashëgues në tokë, njësoj siç i bëri ata që ishin para tyre. Ai ka për ta forcuar fenë që e zgjodhi për ta dhe ka për t’ua kthyer gjendjen nga frika në siguri. Le të më adhurojnë Mua dhe le të mos më gjejnë të barabartë! (Kur’an 24:55) 


Në këtë varg hyjnor përmenden katër gjëra:
-          Sundimi në tokë
-          Një durim i palëkundur
-          Frika ka për t’u larguar, ndërsa siguria dhe paqja kanë për t’u rikthyer


Të gjitha këto janë parakushte, që Zoti të mund të adhurohet ashtu siç e meriton dhe e liga e hipokrizia në botë të shkatërrohen.


Sot, drejtësia dhe siguria merren shumë seriozisht anembanë botës dhe përkrahen nga njerëzit. Ndonëse definicionet dhe rastet mund të jenë të ndryshueshme, drejtësia dhe siguria shihen si dëshirat më të mëdha të njerëzimit dhe njerëzit përpiqen për t’i arritur këto dy gjëra në çdo sferë. Është një dëshirë e njerëzimit që varfëria dhe gjithçka tjetër që e lëndon dinjitetin njerëzor, të eliminohet. Kjo është ndër gjërat më të rëndësishme që duhet të mendojë njeriu i sotëm.


Është shumë e qartë se drejtësia ka qenë dëshira më e madhe e reformuesve të mëdhenj të njerëzimit, gjegjësisht e profetëve dhe e Imamëve (paqja qoftë mbi ta). Është pikërisht nëpërmjet drejtësisë, që të gjitha të drejtat njerëzore mund të njihen plotësisht dhe çdo njeri të gjendet në pozitën që meriton. Drejtësia është mungesa kryesore e nevojtarëve dhe e të dobëtive dhe vazhdon të qëndrojë si dëshira më e madhe e njeriut liridashës. Imam Rizai (paqja qoftë mbi të) thotë: “Kur të shfaqet, Imam Mehdiu (Zoti ia përshpejtoftë shfaqjen) do ta vendosë në mesin e njerëzve peshoren e drejtësisë dhe asnjë njeri nuk do të shkelet paskëtaj.”5 


Për popullin që pret shpëtimin, pritja është burimi i drejtësisë. Ajo është e ndërlidhur fort me paqen botërore.


Kur nëpërmjet drejtësisë të sigurohen dinjiteti dhe pozita e njeriut, edhe talentet dhe aftësitë do të lulëzojnë e do të respektohen ashtu siç meritojnë. Drejtësia dhe dinjiteti njerëzor duhet të kihen parasysh, që të mund të kemi paqe dhe drejtësië anembanë botës. Nëse njerëzimi vërtet dëshiron një paqe dhe drejtësi afatgjatë, nuk ka rrugë tjetër përveç nderimit të dinjitetit të të tjerëve. Në një shoqëri të tillë ushqehen marrëdhënie të shëndosha ndërmjet njerëzve dhe ndërmjet njeriut e Zotit, që është, në të vërtetë, më e rëndësishmja dhe më e nevojshmja e të gjitha marrëdhënieve. Kjo e sjell drejtësinë shoqërore dhe gjithashtu e përforcon marrëdhënien e njeriut me veten e tij, e cila është më se e nevojshme, nëse njeriu dëshiron ta njohë e ta ruajë identitetin e vet dhe si rezultat i kësaj, të krijojë marrëdhënie të shëndosha me të tjerët. Në këtë mënyrë mund të korigjohet edhe marrëdhënia ndërmjet njeriut dhe natyrës, e cila duhet gjithashtu të kihet parasysh.


Këtu duhet gjithashtu të përkujtojmë se pritja e shpëtimit, drejtësia dhe paqja janë të vendosura në natyrën njerëzore. Këto janë cilësi që gjenden tek çdo njeri, qoftë më pak e  qoftë më shumë. Sido që të jenë, këto cilësi janë të pandryshueshme brenda njeriut sepse bëhet fjalë për dëshira që e kanë ndjekur njerëzimin në çdo epokë të historisë. 


Për fund, dua të përmend disa gjëra në lidhje me cilësitë e pritësit të vërtetë, në mënyrë që çdokush, pavarësisht çfarë besimi ka, të jetë i vetëdijshëm për detyrimet e veta dhe të mos e trajtojë konceptin e pritjes vetëm si një parullë.


-          Një pritës i vërtetë është ai që dashurinë ndaj Zotit e vendos mbi çdo dashuri tjetër


-          Një pritës i vërtetë është ai që me devotshmëri i ndjek rregullat fetare dhe i shërben vetëm Zotit


-          Zemra e një pritësi të vërtetë është e fuqishme dhe vullneti i tij i hekurt. Një pritës i vërtetë është i vendosur si mal, në jo edhe më tepër, kur bëhet fjalë për besimin e tij.


-          Pritësi i vërtetë e sheh takimin e tij me Zotin si qëllimin përfundimtar të krijimit të vet dhe përpiqet gjithë kohës për ta arritur këtë qëllim, duke i shërbyer Atij.


-          Një pritës i vërtetë është gjithnjë i zënë me pastrimin e shpirtit të tij dhe me vetëpërmirësim. Një njeri i tillë përpiqet të mos robërohet nga nxitjet e epshit të tij dhe përpiqet, njëkohësisht, t’i udhëzojë edhe pjesëtarët e tjerë të shoqërisë.


-          Një pritës i vërtetë mbështetet vetëm në Zotin e Madhëruar dhe Atij ia lë të gjitha punët e veta. Ai i beson vetëm Atij dhe vetëm Atë e sheh si qëllimin e rikthimit të vet.


-          Një pritës i vërtetë i njeh detyrimet dhe detyrat e tija, i merr seriozisht ato dhe përpiqet fort për t’i njohur të drejtat e të gjithë njerëzve, në mënyrë që të mos i shkelë kurrë.  


 


1: Ali Ekber Dekhoda, Lugatname-i Dekhoda (fjalori i gjuhës perse), definicioni i fjalës “shpresë”
2: Mexhlisi, Bihar el-Enver, vëll.52, fq.122
3: Po aty, fq.25; Kandouzi, Niabi el-Mevvedde, vëll.3, fq.169; Nehxh’ul-Fisaha, vëll.1, fq.78
4: Lutfullah Safi, Pjesë të përzgjedhura nga veprat, fq.244
5: Na’mani, El-Kaiba, fq.151; Shejh Hurr Amili, Isbat’us-Sa’ada, vëll.3, fq.44

publikuar më: 04.10.2013

Lexoni gjithashtu..

12.05.2017 Fundi i botës: Pritja e shpëtimit dhe përgjegjësia shoqërore
05.07.2013 Fundi i botës: Pritja aktive dhe pritja pasive
21.06.2013 Fundi i botës: Pikëpamjet e ideologjive të ndryshme

Kthehu