Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Mëkati është një sëmundje që e godet trupin e atij që mëkaton. Kjo gjendje bie ndesh me identitetin e vërtetë dhe të mirëfilltë të njeriut, dhe shkakton tek ai sëmundje shpirtërore e morale. Shumë njerëz përpiqen ta reduktojnë mëkatin në rrafshin e jashtëm. Megjithatë, ka nevojë që, në këtë kontekst, t’i hedhim një vështrim edhe aspektit moral dhe bindjes, sepse mëkati nuk mund të kufizohet vetëm në organet e jashtme si veshët, gjuha ose sytë. Kur t’u hedhim një vështrim aspekteve të ndryshme që kanë të bëjnë me bindjen, do të shohim se ekzistojnë edhe lloje të ndryshme të mëkatit, siç ekzistojnë edhe lloje të ndryshme të mohimit (kufrit), të politeizmit (shirkut), të hipokrizisë dhe të karakterit të ligë. Të mëkatosh nuk do të thotë thjesht të vështrosh me epsh një person të huaj (jo-mahrem), të përgojosh, të gënjesh, të ofendosh ose t’ia vjedhësh pronën dikujt.
Por përse vërtet mëkaton njeriu? Një nga shkaqet kryesore është padituria në lidhje me esencën e mëkatit. Çdo sjellje e njeriut mund të kundrohet në dy dimensione, gjegjësisht në aspektin e jashtëm dhe në aspektin metafizik. Çdo gjë e jashtme ka edhe një brendi. Ajo që është e gdhendur në brendinë tonë s’është tjetër veçse aspekti i brendshëm i veprimeve tona. Për shembull, në lidhje me përgojimin, Kur’ani fisnik thotë qartë se është një veprim i ndaluar. Së jashtmi, ky veprim nuk është tjetër veçse t’i flasësh keq pas shpine një njeriu, por së brendshmi, ky veprim është “ngrënia e mishit të tij”, siç përmendet në hadithe. Këtë nuk e kuptojmë sepse nuk jemi në gjendje ta shohim të vërtetën.
Shumica e njerëzve nuk e njohin aspektin e brendshëm të veprave të tyre. Por Kur’ani i shenjtë thotë se, në rast paditurie, njeriu duhet të pyesë dhe t’u drejtohet të diturve. Ai që as nuk ka dituri dhe as nuk pyet, s’ka dyshim se ka bërë një zgjedhje të gabuar. Në hadithe përcillet se në ditën e gjykimit, njeriu do të pyetet përse nuk ka vepruar mirë dhe ai do të përgjigjet se nuk ka patur dituri. Por ai s’ka për të shpëtuar me kaq dhe do të pyetet sërish: “Përse nuk mësove?” Kur’ani fisnik thotë se e gjithë bota është një shkollë. Ai thekson se të shtatë qiejt, toka dhe gjithçka tjetër që u krijua, u krijua në mënyrë që njeriu të mësojë prej tyre dhe të bëhet i vetëdijshëm.
Një tjetër aspekt i kësaj teme është edhe ikja nga përgjegjësia. Njeriu, pasi mëson në lidhje me mëkatin, thotë se duhet të qëndrojë larg tij. Por më pas vëren se mëkati i pëlqen, pa qenë i vetëdijshëm se kjo bie në kundërshtim me natyrën e tij të lindur. A është një rrugë shpëtimi të ikurit nga përgjegjësia ose vetëm një qorrsokak? A është e saktë gjatë vozitjes që të përplasemi në veturën e përparme ose a duhet të sillemi në përshtatshmëri me rregullat e trafikut? Pasojat e mëkatit nuk pasqyrohen thjesht në amshim, por edhe në këtë botë. Ikja nga përgjegjësia nënkupton një distancim nga identiteti njerëzor.
Problemi nga i cili vuajmë është humbja e vetes dhe këndvështrimi krejtësisht nënçmues mbi identitetin tonë. Në këtë pikë, ne e shesim veten shumë lirë dhe u përkushtohemi dëshirave, të cilat e nënçmojnë natyrën tonë, ndonëse i imponohen asaj nga vetë ne.
Cili është faktori që e pengon njeriun nga arritja e përsosurisë? Janë pikërisht dëshirat brenda tij. Ky është armiku ynë i brendshëm. Hapi i parë drejt shërimit të kësaj sëmundjeje është të pranojmë se armiku fshihet brenda nesh. Askush nuk na detyron së jashtmi që të bëjmë një veprim të caktuar. Hapi i dytë, ndërkaq, është të kuptojmë në jemi të aftë për të rezistuar kundër dëshirave? Zoti thotë qartë se këtë aftësi e kemi.
Njeriu mund të përfitojë nga kjo aftësi e tija. Ai e ka arsyen dhe aftësinë për të kuptuar. Kur të përsiatet në lidhje me pasojat e mëkatit në këtë botë e në tjetrën dhe kur t’i aktivizojë këto aftësi brenda vetes, ai ka për të arritur shkallë shumë të larta.
Dimensioni i dytë i shpëtimit nga mëkati është në rrafshin e veprimit. Kur të tejkalohet problemi edhe në këtë rrafsh, njeriu e shijon bukurinë e një jete pa mëkate. Dhe kur të ndjehet kjo shije, atëherë do të rritet edhe prirja e brendshme për shpirtëroren dhe për marrëdhënien me Zotin, e cila sërish ka për ta përforcuar mbrojtjen e njeriut nga mëkatet dhe shmangien e tyre. Ata që vazhdojnë me mëkate e bëjnë këtë vetëm ngase nuk duan të përballen me dëshirat e tyre dhe ngase nuk janë të aftë ta bartin peshën e një sipërmarrjeje të tillë. Në një mënyrë ose një tjetër, ata e preferojnë “rehatinë”.