Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Feja islame dhe në veçanti mësimi i Ehl-i Bejtit, që mbështetet në konceptin e Velajetit, e ka përpunuar mjaft hollësisht çështjen e fundit të botës, aq sa mund të thuhet se nuk ekziston ndonjë fe tjetër që e ka trajtuar kaq në detaje këtë temë. Kjo ndihmon që një musliman të jetë i informuar më së miri mbi gjendjen e botës kur ajo do t’i afrohet fundit të vet.
Ideologjitë e ndryshme i janë qasur në dy mënyra kësaj teme. Ka të tilla që kanë folur për një fund të errët, të shoqëruar nga lufta, siç është pak shumë teoria e Huntington-it mbi “përplasjen e qytetërimeve”. Ai është i mendimit se bota do të marrë fund në një luftë ndërmjet dy fronteve, gjegjësisht ndërmjet Islamit nga Lindja dhe ndjekësve të Konfucit nga Perëndimi. Perspektiva e dytë në lidhje me fundin e botës është një pikëpamje shpresëplotë, e cila thotë se në fund të botës, njeriu do të jetë i lumtur. Megjithatë, në lidhje me pyetjen se si do të arrihet kjo lumturi, mendimtarët e rrymave të ndryshme kanë shprehur mendime nga më të ndryshmet. Francis Fukujama, për shembull, është i mendimit se historia njerëzore do të mbarojë në një epokë të demokracisë liberale. Marksi, në anën tjetër, jep një peisazh komunist të botës në epokat e fundit, duke parashikuar një botë ideale pa klasa shoqërore, që nuk ka më nevojë për udhëheqësinë politike. Krahas këtyre, ekziston edhe vizioni i Islamit, i cili e shpreh besimin në shfaqjen e Imam Mehdiut.
Pyetjet në lidhje me gjendjen e njerëzimit në epokat e fundit janë tejet të rëndësishme dhe kanë një ndikim mjaft të madh në jetesën tonë të tanishme. Kjo është përse kjo temë është përpunuar hollësisht nga fetë monoteiste por edhe nga shkollat e tjera të mendimit. Të gjitha shkollat e mendimit islam e shohin njeriun e epokave të fundit si një njeri pak a shumë të lumtur. Tekstet zoroastriane, gjithashtu, e japin vizionin e një epoke të artë për njerëzimin, e cila do të realizohet me shfaqjen e figurës eskatologjike të Saoshjant-it. Hinduizmi, për shembull, historinë e ndan në katër epoka, prej të cilave ajo e fundit do të karakterizohet nga një dobësim i dukshëm i përshpirtshmërisë në formën e saj zanafillore. Hinduizmi parasheh një epokë të errët, e cila merr fund nëpërmjet një shpëtimtari që e nis një epokë të re për njerëzimin.
Kjo epokë e artë në fund të historisë së njerëzimit është theksuar nga fetë monoteiste më shumë se nga fetë e tjera. Edhe në epokën antike janë shprehur parashikime në lidhje me drejtësinë për të gjithë botën.
Sipas këndvështrimit të disa shkollave të mendimit në Krishterim, në epokat e fundit të botës do të ndodhë një betejë në vendin e quajtur Armageddon, ku do të bëhet një betejë ndërmjet ndjekësve të Jezusit dhe një profeti të rremë. Armiqtë e Zotit do të munden dhe do të shkatërrohen nga fitimtarët. Pastaj bota do të pastrohet nga një shi dhe do të fillojë një epokë e lumtur prej njëmijë vjetësh.
Pika e përbashkët e të gjitha këtyre teorive është përhapja mbarëbotërore e drejtësisë në epokën e fundit të historisë së njerëzimit, ndonëse mendimet janë të ndryshme në lidhje me mënyrën si do të arrihet kjo.
Në Kur’an, Zoti i Madhëruar përmend një fund përplot paqe, drejtësi dhe përsosuri për njerëzimin:
Ata në mesin tuaj, që besojnë e bëjnë vepra të mira, Zoti ka premtuar se do t’i bëjë sundues në tokë, njësoj siç i bëri ata që ishin para tyre. Ai ka për ta forcuar fenë që e pëlqeu për ta dhe ka për t’ua kthyer frikën në siguri...(Kur’an 24:55)
Në këtë varg, Zoti u jep sihariqe besimtarëve që bëjnë vepra të mira, se atyre do t’u jepet një sundim i mbështetur në monoteizëm, i cili do ta reformojë njerëzimin dhe do ta çojë drejt sigurisë dhe unitetit.
Por Ne deshëm t’u falim një bekim atyre që kishin qenë të shtypur në tokë, dhe t’i bëjmë prijës e trashëgimtarë...(Kur’an 28:5)
Këta vargje e përshkruajnë ardhmërinë e njerëzimit. Ata janë vargje optimiste dhe theksojnë se vizionet pesimiste mbi fundin e njerëzimit duhet të lihen mënjanë. Nëpërmjet Islamit, njerëzimi lëviz së larti dhe bëhet gjithë më i përsosur. Kjo u mundëson muslimanëve të jenë të lumtur e shpresëplotë dhe bën që ata të krijojnë lidhje me popujt e ndryshëm e të jenë aktivë.
Këtë temë, në dashtë Zoti, do ta diskutojmë edhe në ligjëratat vijuese. Zoti na bëftë nga miqtë e sinqertë të Imam Mehdiut (Zoti ia përshpejtoftë kthimin) dhe nga ata që punojnë për t’i krijuar kushtet e shfaqjes së tij!
Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!