Rëndësia e muajit Rexheb
Pjesa e tretë
Sejjid Mesud Masumi


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij! 


Në ligjëratën tonë të kaluar folëm për afërsinë me Zotin dhe për faktin se tre muajt e shenjtë, Rexheb, Sha’ban dhe Ramazan, përbëjnë një mundësi të veçantë të dhënë nga Zotit, bekimin e të cilës duhet ta shfrytëzojmë për t’u afruar më shumë me Krijuesin. Më pas, bëmë një përshkrim të njeriut që është i afërt me Zotin dhe thamë se mësuesi i tij është vetë Zoti. Një njeri i tillë e kalon jetën me vetëdije dhe droje para Zotit (takva), pa u përfshirë në dyshime, mëkate, tepërime, padrejtësi, shtypje dhe pakujdesi karshi Atij. 


Tani duam të flasim për cilësinë më të rëndësishme të atyre që janë të afruar me Zotin, gjegjësisht për dashurinë. Kur i afrohemi një gjëje ose një personi, ne ndjejmë një prirje drejt objektit ose personit në fjalë. Në të vërtetë, afërsia jonë varet nga prirja e brendshme që ndjejmë për të, aq sa mund të thuhet se afërsia nuk është tjetër veçse një shenjë dhe një manifestim i prirjes së brendshme dhe i dashurisë. Në këtë kuptim, gjithçka që krijon një prirje të brendshme, sjell edhe afrim. Gjithçka që e çon njeriun drejt dashurisë ndaj Zotit, njëherit edhe e afron me të.


Njeriu, pra, i afrohet asaj, për të cilën ndjen një prirje të brendshme, pavarësisht në bëhet fjalë për një njeri tjetër, për pasuri ose për pozita. Varet nga njeriu se si dhe për ç’qëllim ka për ta shfrytëzuar dhuntinë e mrekullueshme të dashurisë dhe drejt kujt ka për ta orientuar atë. Prirja për një gjë a një njeri ose dëbimi që ndjejmë prej tyre kanë të bëjnë me afërsinë. Ajo që i jep vlerë dashurisë ose që largon prej saj çdo vlerë që ka, nuk është vetë dashuria por subjekti i dashurisë. Andaj themi se dashuria ndaj Zotit është forma më e lartësuar e dashurisë dhe se afërsia që buron prej saj është afërsia më e lartësuar. Në është e dëshiruar ose jo afërsia me një person ose me një gjë të caktuar, varet nga vetë subjekti. Kjo është arsyeja përse Zoti e paralajmëron njeriun në lidhje me afrimin me disa gjëra të caktuara, ndërkohë që e stimulon atë që t’i dojë ata që e duan Zotin dhe të afrohet me ta.


Një parakusht i pranimit të veprave dhe i adhurimeve të njeriut është qëllimi për t’u afruar me Zotin. Nëse një akt adhurimi nuk bëhet me këtë qëllim, ai nuk pranohet si adhurim sepse përveç që nuk e afron njeriun me Zotin, ndikon edhe më tepër në largimin e tij nga Zoti dhe në afrimin e tij me gjërat e tjera veç Zotit. Edhe veprat e tjera të mira, të cilat rëndom nuk janë të ndërlidhura me ndonjë shpërblim të veçantë, pranohen si akte adhurimi, derisa bëhen me qëllim të afrimit me Zotin. Kjo është kështu sepse veprat e tilla kanë një ndikim të rëndësishëm në përforcimin e dashurisë ndaj Zotit dhe në afrimin e njeriut me Të. Në përgjithësi mund të thuhet se qëllimi i akteve të adhurimit është afërsia me Zotin, brenda kornizave të dashurisë dhe të prirjes së ndjerë ndaj Tij.


Dëshira për t’u afruar me një gjë të caktuar nuk nënkupton vetëm një prirje për të, por edhe një largim nga gjërat që nuk përshtaten me subjektin e kësaj prirjeje. Kur i afrohet një gjëje, njeriu njëherit distancohet nga gjërat e tjera dhe shumë shpesh, distancimi i tij nga këto gjëra “të tjera” është në proporcion me prirjen që ndjen ndaj gjësë së dëshiruar. Kjo mund të shkojë aq larg sa njeriu të arrijë në shkallën ku më nuk sheh gjë tjetër përveç të Dashurit e të mos ndjejë prirje për asgjë tjetër veç Tij.


Nuk duhet të kalojmë pa e përmendur edhe mendimin e një pjese të sufinjve dhe të ndjekësve të shkollave të ndryshme të mendimit në Islam, se dashuria ndaj Zotit nuk mund të bashkohet me asgjë tjetër. Ata thonë se një gnostik i vërtetë është ai, i cili e do vetëm Zotin dhe nuk ka vend në zemrën e tij për asgjë tjetër. Duke u nisur nga kjo, ata besojnë se njeriu nuk mund të dojë asgjë tjetër, nëse njëherë e ka vendosur dashurinë ndaj Zotit në zemrën e tij. Për fat të keq, ky mendim ka bërë që shumë gnostikë, të cilët i janë afruar Zotit, t’i kthejnë shpinë kësaj bote dhe ta preferojnë vetminë me Zotin ndaj të gjitha gjërave të tjera. Kjo e krijon përshtypjen e gabuar se një gnostik duhet të distancohet nga njerëzit e tjerë, nga shoqëria në përgjithësi dhe nga dëshmitë e tjera të Zotit. Kjo ide bie ndesh me mësimet e Ehl-i Bejtit (paqja qoftë mbi ta).


Sipas mësimeve të tyre, dashuria ndaj Zotit do të thotë dashuri ndaj gjithçkaje të bukur. Ajo do të thotë dashuri ndaj gjithçkaje, me të cilën përshtatet kënaqësia e Zotit dhe dashuri për gjithkë, për të cilët Zoti ka kërkuar dashuri. Një njeri i afruar me Zotin është ai që rri afër botës dhe i do njerëzit për hir të dashurisë ndaj Zotit. Sipas mësimeve të Ehl-i Bejtit, një njeri i afruar me Zotin është ai që e ndan me njerëzit barrën e tyre dhe gëzohet kur i sheh të tjerët në mirëqenie. Ai i ndan ndjenjat e tyre dhe nuk mund të distancohet prej njerëzve, sepse vetë afërsinë me Zotin, ai e kërkon në afërsinë me krijesat e Tija. Dashuria ndaj njerëzve të tjerë dhe afrimi me ta është njëherit edhe dashuri ndaj Zotit dhe afrim me Të. Kjo është dashuria e vetme, e cila edhe përkundër shumëngjyrshmërisë së saj, është e një dhe e pandashme. Kjo është dashuria e vetme, që krijohet me dashurinë ndaj gjërave të ndryshme. Të ndihmuarit e nevojtarëve, veprimi për udhëzimin e të tjerëve ose përpjekja për t’i përmbushur nevojat e njerëzve ose shoqërive të tjera pranohen si akte adhurimi që e përcjellin dashurinë hyjnore tek njerëzit, për sa kohë që bëhen me qëllim të afrimit me Zotin. Kështu krijohet kënaqësia e Zotit me personin që i kryen këto veprime dhe kënaqësia e vetë njeriut nga Zoti. Kjo ishte mënyra e jetesës së Profetit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij).


Imam Muhammed Bakiri (paqja qoftë mbi të) e përcjell këshillën që Llukmani i urtë ia dha djalit të tij. Në të, ai thotë se për ta arritur afërsinë me Zotin, njeriu duhet t’i ketë për hir të Zotit miqësitë dhe armiqësitë e tija dhe për hir të Zotit t’i dojë njerëzit e tjerë. Nga gjashtë cilësitë që ai i numëron në lidhje me njeriun e afërt me Zotin, tre kanë të bëjnë me vetë personin dhe tre me dashurinë ndaj tjetrit.1


Njohuria në lidhje me veprat që mund të na çojnë drejt afërsisë me Zotin dhe në lidhje me veprat, të cilat na largojnë prej saj, mund të merret nga vetë Burimi i Shpalljes. Njeriu ndonjëherë mendon se nëpërmjet mburrjes dhe imazhit prej besimtari ka për t’u afruar me Zotin. Ndonjëherë ai beson se gjërat si fuqia, pasuria ose trashëgimia kanë për ta shpëtuar atë nga dënimi hyjnor:


Dhe thanë: ne më shumë i kemi ‘dhe pasurinë edhe fëmijë e nuk do të jemi nga të dënuarit...(Kur’an 34:35) 


Pushtetarët, të cilat për shekuj me rradhë i kanë kryer krimet më të rënda kundër Zotit thjesht ngase besonin se kështu do t’i afroheshin Atij, njerëzit, që fenë e definonin  si “bindje për gjëra të panjohura”, shkollat e mendimit, të cilat e definonin fuqinë si një themel të afërsisë me Zotin por edhe të devijuarit që mendonin se afërsinë me Zotin do ta gjenin në izolimin nga njerëzit e nga bota, të gjithë vetëm sa janë larguar nga Zoti. Shfaqja gjithë më e shpeshtë e rrymave të mendimit që e izolojnë njeriun, janë një dëshmi e mjaftueshme e nevojës në rritje të njerëzimit për udhëzim. Të tillëve, Zoti u thotë:


Dhe as pasuria e as fëmijët tuaj s’janë ato që do t’ju sjellin më pranë neve. Por ata që besojnë e që bëjnë vepra të mira, do të shpërblehen shumëfish për këtë. Dhe janë ata që do të jenë të sigurt në pozita të lartësuara...(Kur’an 34:37) 


 Nëse edhe muajt Sha’ban dhe Ramazan do t’i shohim si muaj që na e japin mundësinë për t’u afruar me Zotin, duhet ta kërkojmë këtë afërsi duke u kushtuar vëmendje njerëzve të tjerë, duke u ndihmuar atyre dhe duke i udhëzuar në rrugë të drejtë. Para se të gjithash duhet të veprojmë për t’i ndihmuar të shtypurit dhe afërsinë e Zotit ta kërkojmë në afërsinë me njerëzit e tjerë. Na e faltë Zoti të gjithëve suksesin e të shërbyerit fesë islame gjithë më tepër e të të ndihmuarit të shtypurve të botës. I lutemi Zotit për dashurinë e Tij dhe për afërsinë me Të! I lutemi atij që t’i lartësojë edhe më shumë të urtit e dijetarët në mesin tonë dhe të gjithë ata që i shërbejnë njerëzimit anembanë botës.


 


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!


  


1: Bihar’ul-Enver, vëll.22: “Trashëgimia e Bakirit”, fq.162

publikuar më: 07.06.2013

Lexoni gjithashtu..

31.05.2013 Rëndësia e muajit Rexheb: Pjesa e dytë
17.05.2013 Rëndësia e muajit Rexheb: Pjesa e parë

Kthehu