Rëndësia e muajit Rexheb
Pjesa e dytë
Sejjid Mesud Masumi


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
 


Në fjalimin e kaluar thamë se muaji Rexheb është një muaj i afrimit me Zotin dhe se kjo afërsi mund të arrihet nëpërmjet bindjes dhe shmangies së mëkateve, me ç’rast një rol të rëndësishëm luan droja para Zotit (takva-ja). Të gjitha gjërat, të cilat përmenden në burime si efekte të dobishme të drojes para Zotit, vlejnë edhe për muajin Rexheb. Droja para Zotit i jep njeriut rrugëdalje në vështirësi dhe i tejkalon problemet individuale e shoqërore. Prej saj buron njohja dhe dituria në lidhje me shfrytëzimin e vërtetë të mësimeve hyjnore, të cilat në fund mund të na sjellin më pranë Zotit. Të gjitha këto gjëra janë nga ndikimet e muajit Rexheb, me kusht që njeriu ta kultivojë brenda vetes këtë ndjenjë. 


Por ç’do të thotë afërsia me Zotin? Si ndryshon jeta e njeriut kur ai e arrin afërsinë me Zotin? Është e qartë se këtu nuk bëhet fjalë për afërsinë fizike dhe hapësinore, por për një kuptim abstrakt, i tillë siç është përdorur për shembull në vargjet në vijim të Kur’anit, ku thuhet:


Dhe mos iu afroni pasurisë së jetimit...(Kur’an 17:34)


Mos iu afroni imoralitetit (zinasë)...(Kur’an 17:32) 


Në këtë kontekst, shprehja “mos iu afroni” nënkupton moskryerjen e këtyre veprimeve. Edhe në kontekstin e afërsisë me Zotin, afërsia e ka këtë kuptim metaforik dhe jo afërsinë ose largësinë hapësinore.


Njeriu është qenia e vetme që është në gjendje t’i arrijë shkallët më të larta të përsosurisë, ndërsa është i aftë, në të njejtën kohë, për të qenë edhe krijesa më e ulët dhe më e pavlerë në tokë. Tek njeriu, largësia ndërmjet pikës kulmore dhe pikës më të ulët e të pavlerë të ekzistencës së tij është më e madhe se tek çdo qenie tjetër dhe njeriu mund të lëvizë pafundësisht në të dy drejtimet.


Zoti e vlerëson aq shumë njeriun, sa Ai vetë dërgon selame mbi të dhe ua urdhëron të njejtën edhe ëngjëjve. Ai thotë gjithashtu se shkallët më të larta nuk janë të arritshme vetëm për profetët e për të dëlirët, dhe shton:


O njeri! Vërtet ti përpiqesh me të madhe drejt Zotit tënd dhe ke për të arritur tek Ai...(Kur’an 84:6)  


Zoti pra i thotë njeriut: ti ke një pozitë aq të lartë në botën e krijimit, sa të tërë botën dhe të gjitha krijesat i kam krijuar për ty. Ti je përsosuria e botës, asgjë nuk mund të vendoset ndërmjet Meje dhe teje dhe asnjë krijesë nuk mund të jetë më e lartë se ti. Ty të kam krijuar për Veten Time dhe ty ta kam dhënë nderin e të qeniet mëkëmbësi im. Për këtë arsye, zhvillimi dhe rritja e njeriut nuk njeh kufij. Kur’ani thotë:


Tek Zoti yt është kthimi i fundit...(Kur’an 52:42)


Vërtet tek Zoti yt është kthimi...(Kur’an 96:8) 


Megjithatë, njësoj siç mund të lartësohet përjetësisht, njeriu mund edhe të bjerrë po aq poshtë, duke qenë më i ulti në mesin e qenieve. Kur’ani thotë:


Ata kanë zemra por nuk kuptojnë, kanë sy e nuk shohin e kanë veshë e nuk dëgjojnë. Ata janë si bagëtia, e më të devijuar akoma. Të pavëmendshëm janë. (Kur’an 7:179) 


Njerëzit e tillë Zoti i dënon akoma më ashpër në fjalët e Tija:


Shkatërruar qoftë njeriu! Sa mohues që është! (Kur’an 80:17) 


Njeriu bëhet aq i pakujdesshëm sa tregon mendjemadhësi edhe ndaj vetë Zotit. Në Kur’an thuhet:


O njeri! Ç’të bën mendjemadh ndaj Zotit tënd bujar? (Kur’an 82:6) 


Problemi më i madh i njerëzve, të cilët Kur’ani i krahason me bagëtinë, është pikërisht pavëmendshmëria e tyre. Krimet e kryera nga njeriu përgjatë historisë, nuk është e aftë t’i kryejë asnjë qenie tjetër përveç vetë atij. Njeriu vret me mijëra pjesëtarë të pafajshëm të llojit të tij dhe mburret me të. Dhe kur është në pyetje interesi i tij personal, ai është i gatshëm për çdo mashtrim të mundshëm. Të gjithë Imamët e dëlirë të Ehl-i Bejtit (paqja qoftë mbi ta) u vranë për shkak të kësaj pavëmendshmërie dhe paditurie të njerëzve. Njerëzit nuk mendojnë në lidhje me Zotin dhe në paditurinë e tyre e kryejnë lirisht çdo krim. Kështu, edhe veten edhe të tjerët i sjellin në buzë të shkatërrimit dhe e ulin vlerën e tyre si individë, duke u dukur nga jashtë ose si tiranë të fuqishëm ose si skllevër që shfrytëzohen nga të tjerët.


Muajt Rexheb, Sha’ban dhe Ramazan i japin njeriut një mundësi të re për të shpëtuar nga kjo pakujdesi dhe për ta kthyer përqëndrimin e tij drejt Përsosurisë Absolute, gjegjësisht drejt Zotit. Pikërisht kjo ka për t’ia sheshuar njeriut rrugën drejt afërsisë me Zotin. Afërsia me Zotin, pra, mund të arrihet vetëm nëpërmjet njohjes dhe nuk mund të realizohet për sa kohë që njeriu nuk e kthen vëmendjen e tij drejt Zotit. Kushdo që mendon se përparimet materiale mjaftojnë për ta arritur lumturinë, është duke u endur në huti. Me këtë, ai vetëm sa u bën padrejtësi të tjerëve dhe vetes, sepse jo vetëm që largohet nga Përsosuria e vërtetë, por edhe e harron vetveten. Për të tillët Zoti thotë:


Mos u bëni si ata njerëz që harruan Zoti e që Zoti i bëri ta harrojnë veten e tyre...(Kur’an 59:19) 


Kuptimi i afërsisë me Zotin mund të vërehet edhe nga e kundërta e kësaj afërsie. Njeriu që është i larguar nga Zoti është i pavëmendshëm, ndërsa njeriu i afërt me Zotin është përherë i vëmendshëm ndaj Zotit dhe nuk e harron Atë. Njeriu i larguar nga Zoti fundoset në gabime dhe mëkate, ndërsa njeriu i afruar me Të qëndron larg mëkateve, në mënyrë që të përfitojë nga bekimet më të mëdha të Zotit në këtë botë dhe në tjetrën. Njeriu i larguar nga Zotit vuan nga një krizë identiteti dhe e ka harruar veten e tij, ndërsa njeriu i afërt me Zotin është, para se të gjithash, i vëmendshëm ndaj vetvetes dhe nuk kryen asnjë veprim që do të ishte i dëmshëm për veten e për të tjerët.


Muajt Rexheb, Sha’aban dhe Ramazan janë mundësi të veçanta për ta kuptuar e për ta gjetur Zotin dhe për ta mbajtur veten larg mëkatit. Me fjalë të tjera, këta muaj janë mundësi për t’u afruar me Zotin. I lutemi Zotit që t’ua falë të gjithë njerëzve mundësinë e afrimit me Të dhe të arritjes së kësaj afërsie të veçantë! 


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!

publikuar më: 31.05.2013

Lexoni gjithashtu..

07.06.2013 Rëndësia e muajit Rexheb: Pjesa e tretë
17.05.2013 Rëndësia e muajit Rexheb: Pjesa e parë

Kthehu