Rëndësia e muajit Rexheb
Pjesa e parë
Sejjid Mesud Masumi



Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!


I falënderohemi Zotit që na dhuroi jetën tonë, që na krijoi si njerëz dhe që na dhuroi fuqinë për të kuptuar! Ai e krijoi botën, na bekoi me të mirat e me dhembshurinë e Tij e na zgjodhi si më të lartësuarit në mesin e krijesave. Ai na mësoi që t’i drejtohemi Atij dhe që Atë ta duam. Ai e mbolli dashurinë e Tij në zemrat tona dhe na mundësoi të përfitojmë nga dashuria për të Dëlirët, që janë më të mirët e krijesave. Atij i falënderohemi që na ka dhënë aftësinë për të menduar, që na ka falur dhuntinë e buzëqeshjes, të haresë e të dashurisë, që të mund të ndjejmë lumturi e të jemi mirënjohës për të gjitha të mirat dhe për mëshirën e Tij.


Muaji Rexheb është quajtur “muaji i Zotit” dhe rradhitet në mesin e dhuntive më të rëndësishme të Zotit, nëpërmjet të cilave mund të afrohemi me Të. Në këtë muaj duhet që të gjithë robërit e Zotit të jenë më të kujdesshëm ndaj Zotit të tyre se në muajt e tjerë dhe të kihet parasysh shumë më tepër qenia në prani të Tij. Të gjithë profetët e Zotit u dërguan me qëllim që njerëzimi të mos e harronte Zotin. Muaji Rexheb është muaji, i cili i lejon njeriut që, pasi është marrë për muaj të tërë me përditshmërinë, t’i largojë nga zemra e tij perdet e ndryshme, në mënyrë që ajo të bëhet një pasqyrë ku reflektohen drita dhe manifestimet e hyjnores. Kjo gjë është e pamundur pa përkujtimin e Zotit dhe pa iu drejtuar Atij. Andaj themi se muaji Rexheb është muaji i përkujtimit të Zotit dhe i kujdesit para Tij. Ky është muaji, në të cilin çdo akt adhurimi e afron shumë shpejt njeriun me Zotin.


Përcillet se në një ditë të muajit Rexheb, një njeri erdhi tek Profeti i Shenjtë (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij ), ndërsa ai e pyeti: A ke agjëruar gjatë këtij muaji? Kur njeriu i tha “jo”, Profeti ia ktheu: Kështu e ke humbur shpërblimin e njëmijë ditëve adhurim. 


Në mesin e gjërave më të rëndësishme, që mund të na ndihmojnë për ta trajtësuar më së miri muajin Rexheb, janë droja para Zoti dhe largimi nga mëkatet. Kur një njeri e kalon këtë muaj si një muaj dosido, nuk mund të thuhet se ka patur një muaj të bekuar e hyjnor. Vetë fakti se Zoti e ka cilësuar Rexhebin si muajin e vet, flet se në këtë muaj, njeriu duhet të jetë i kushtuar Zotit. Nëse në këtë muaj, njeriu nuk arrin t’i afrohet Zotit të tij qoftë edhe një fije, nuk mund të thotë se ka kaluar një muaj të kushtuar Zotit. Në këtë muaj, droja para Zotit dhe afërsimi me Të janë të gërshetuara me njëra-tjetrën në mënyrë të pandshme. Të gjitha gjërat që rradhiten në mesin e ndikimeve pozitive të drojes para Zotit (takva-së), mund të rradhiten në mesin e dobive të këtij muaji.


Zoti thotë: Dhe atij që i druhet Zotit, Ai ka për t’i krijuar një rrugëdalje...(Kur’an 65:2)


Një efekt i sigurt i drojes para Zotit është se njeriut i jepet një rrugëdalje, edhe në rastet kur mbetet i hutuar e i pashpresë. Një njeriu që i druhet Zotit, Zoti jo vetëm që i jep një rrugëdalje, por edhe e bekon me mirësi të tjera të panumërta. Kështu, mund të thuhet se rrugëdaljet tona nga “qorrsokakët” individualë e shpirtërorë janë një efekt i muajit Rexheb. Dhe kur të gjithë njerëzit të përpiqen e ta stimulojnë njëri-tjetrin për të qëndruar larg mëkateve, shtypjes dhe padrejtësive, edhe për shoqërinë në tërësi do të krijohet shpresa për të gjetur një rrugëdalje nga vështirësitë shoqërore.


Zoti thotë:


Nëse i druheni Zotit, Ai do t’ju falë aftësi ta dalloni të mirën nga e liga...(Kur’an 8:29) 


Sipas këtij vargu, është droja para Zotit që ia fal njeriut aftësinë për të bërë dallim ndërmjet të mirët e të ligës. Andaj, këtë muaj mund ta cilësojmë edhe si muajin e vetëdijes dhe të të kuptuarit, si muajin e shpëtimit nga padituria dhe si muajin e dallimit të të drejtës nga e padrejta. Njerëzit që njihen si rexhebijjun, pra si “njerëzit e muajit Rexheb” janë njerëz të ditur, që nuk hutohen nga fama, mllefi, mirëqenia ose fuqia. Ata janë të pastrit, të cilët falë drojes së tyre para Zotit e kanë njohur parajsën. Shumë shpesh, Zoti e ka përshkruar diturinë si një rezultat të drojes para Zotit. Është thënë për shembull: kije droje Zotin, që Ai të të mësojë! Në këtë muaj, njeriu mund të bëhet një nxënës i Zotit, me kusht që ta dallojë këtë muaj nga të tjerët dhe ta ruajë në vete drojen para Zotit. Njerëzit e çliruar nga veset janë njerëz të urtë e të ditur, të cilët, të përkrahur nga dituria dhe nga droja para Zotit, janë si drita që e ndriçojnë shoqërinë njerëzore dhe ua tregojnë njerëzve rrugën drejt Zotit. Njerëzit e urtë dhe mendimtarët, të cilët Zoti i ka caktuar si burime të diturisë dhe për të cilët ka thënë: ...pyesni të diturit nëse nuk dini...(Kur’an 16:43), janë pikërisht këta njerëz të çliruar, që janë bërë burime të diturisë.


Muaji Ramazan, i cili është muaji më i mirë i vitit, e ka muajin Sha’ban si një parapërgatitje, ndërsa ky i fundit nuk mund të vlerësohet dhe kuptohet plotësisht, pa e kuptuar dhe vlerësuar Rexhebin, që është muaji i Zotit. Pra, pa e shfrytëzuar si duhet muajin Rexheb, njeriu nuk mund ta kuptojë si duhet Ramazanin dhe të përfitojë prej tij.


 Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!

publikuar më: 17.05.2013

Lexoni gjithashtu..

07.06.2013 Rëndësia e muajit Rexheb: Pjesa e tretë
31.05.2013 Rëndësia e muajit Rexheb: Pjesa e dytë

Kthehu