Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Në dashtë Zoti, sot do të flasim për Kur’anin, librin që i është dërguar gjithë njerëzimit. Një vështrim i saktë mbi Kur’anin ka për të na afruar me mësimin hyjnor, sepe Kur’ani është mrekullia e përjetshme e Zotit të Madhëruar. Njohja dhe thellimi në të mjafton për ta shpëtuar njeriun, si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër. S’ka dyshim se Kur’ani është një udhëzues në rrugën e drejtë. Zoti thotë:
Ta zbritëm këtë libër si një shpjegim për gjithçka, si udhërrëfyes në rrugë të drejtë, si mëshirë dhe sihariq për muslimanët...(Kur’an 16:89)
Kur’ani është një libër që shpjegon gjithçka. Mrekullia e tij nuk është vetëm në cilësinë e tij letrare. Ai u prezanton njerëzve një stil të tërë jetese. Edhe sikur të gjithë njerëzit, xhinnët dhe dijetarët të bashkoheshin, nuk do të mund të krijonin një varg të vetëm të ngjashëm me ato të Kur’anit. Kur’ani është një pasqyrim i dritës hyjnore dhe është pikërisht kjo dritë që e ndriçon jetën e njeriut:
O njerëz! Ju zbriti nga Zoti juaj një dëshmi e sigurt (Muhammedi) dhe një dritë e qartë (Kur’ani)...(Kur’an 4:174)
Dhe besojeni Zotin, të Dërguarin e Tij dhe dritën që kemi zbritur. Zoti e di atë që bëni...(Kur’an 64:8)
Ky libër është qëllimi më i lartësuar për kërkuesit e të vërtetës, që duan ta arrijnë përsosmërinë:
Vërtet ky Kur’an çon drejt rrugës më të drejtë dhe sjell sihariqe se për besimtarët që veprojnë mirë ka një shpërblim të madh në amshim, e për mohuesit, një dënim të dhimbshëm...(Kur’an 17:9)
Ta kuptosh Kur’anin do të thotë ta kuptosh të fshehtën e krijimit. Nëse Kur’anin e pranojmë si burim kryesor në të kuptuarit e ndodhive dhe të botës, kemi për të arritur një dituri të pastër dhe të përsosur. Edhe nivelin e përsosurisë së njerëzve, Zoti e ka matur nëpërmjet Kur’anit. Siç është përcjellur në vargjet e tija, edhe parajsa ka shkallë të ndryshme. Ndërsa atyre që e lexojnë Kur’anin, në ditën e gjykimit u thuhet: lexoni dhe hyni në parajsë!
Në Kur’an janë përfshirë të gjitha njohuritë hyjnore, për të cilat ka nevojë njeriu. Kurdoherë që të thellohet në leximin e Kur’anit, njeriu do të ndjehet i qetësuar dhe i vlefshëm. Siç thotë edhe Imam Xhafer Sadiku (paqja qoftë mbi të): Kushdon që e lexon Kur’anin, nuk ka nevojë për diç tjetër dhe nuk ka për të gjetur ndonjë burim tjetër që t’ia përmbushë nevojat.
Ai që jeton me Kur’anin do të ringjallet i ri dhe i bukur në ditën e gjykimit dhe do t’i thotë atij: Ty kam për të të ndjekur përherë. Ngado që të shkosh ti, do të shkoj edhe unë. Përveç kësaj, është përcjellur se ata që sillen sipas drejtësisë kur’anore, kanë për të arritur grada shumë të larta në amshim.
Megjithatë, të jetuarit me Kur’anin s’do të thotë thjesht ta lexosh ose ta recitosh atë, por edhe ta kuptosh dhe të përsiatesh mbi kuptimin e tij. Pas kësaj, vjen hapi i praktikimit të mësimeve kur’anore në përditshmëri. Njeriu duhet ta pranojë çdo varg të Kur’anit me tërë qenien e tij dhe ta jetësojë atë.
Edhe qëllimi përfundimtar i të Dërguarit të Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) nuk ishte tjetër veçse ndjekja e Kur’anit, praktikimi i mësimeve të tij dhe përcjellja e këtij mësimi njerëzve të tjerë. Një shoqëri kur’anore është vetëm shoqëria ku individët janë të pajisur me një vetëdije kur’anore dhe ecin rrugës së Kur’anit. Të tillët përpiqen gjithnjë për ta ruajtur këtë mësim hyjnor dhe për ta vazhduar atë.
Kur’ani është një libër që u mëson njerëzve një mënyrë më të mirë jetese dhe u drejtohet të gjithëve. Zhvillimet shkencore të epokës post-moderne nuk munden kurrsesi ta zënë vendin e mësimit hyjnor të Kur’anit, kthimi drejt të cilit është mënyra e vetme dhe më e mirë e shpëtimit të njerëzimit nga të gjithë problemet që e kërcënojnë atë. Vetëm në këtë mënyrë, njerëzimi mund të arrijë paqe dhe harmoni.
Këtu duhet të theksojmë se thjesht recitimi i Kur’anit nuk është i mjaftueshëm. Krahas recitimit të tij, njerëzit duhet të mendojnë në lidhje me brendinë e Kur’anit dhe të përpiqen për t’ia gjetur kuptimin. Vetëm kështu mund të stolisen me Kur’anin dhe ta mbrojnë të tërë njerëzimin.
Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!
FUND