SHËNIM: Ky varg ligjëratash u mbajt ndërmjet shtatorit të vitit 2010 dhe nëntorit të vitit 2011 në Qendrën Islame të Hamburgut nga Sejjid Mesud Masumi, teolog dhe zëvendësdrejtor i kësaj qendre.
Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Hyrje
Islami kurrë nuk është marrë me fenomenet dhe veprat njerëzore, pa e patur parasysh edhe kuptimin e thellë që fshihet pas tyre. Kurdoherë që Islami ka urdhëruar një gjë, kjo ka qenë ngase nëpërmjet këtij veprimi, njeriu mund të krijojë një marrëdhënie me Zotin (p.sh. në aktet e adhurimit) ose ngase me ndikimin e tij, në një mënyrë ose një tjetër, mund të vendoset në rrugën e Zotit. Kuptimi i vërtetë i veprave njerëzore, pra, fshihet në pyetjen se sa ndikim kanë këto në marrëdhënien ndërmjet njeriut dhe Zotit. Edhe ato veprime që nuk e kanë qëllimin e drejtpërdrejtë të afrimit të njeriut me Zotin, kanë për qëllim që ta pengojnë njeriun nga të qenit i pakujdeshëm.
Zoti e krijoi universin në formën më të bukur, fillimisht me qëllim që universi t’i shërbente njeriut, dhe, së dyti, që ta tërhiqte njeriun drejt Zotit dhe drejt lëvdimit të Tij. Në fund të fundit, të lëvduarit e krijuesit të një gjëje të bukur fshihet në vetë natyrën njerëzore. Zoti e krijoi të bukur botën, që të mund ajo ta tërhiqte njeriun. Ky është një shembull i urtësisë që fshihet pas një veprimi të caktuar.
Ajo që thamë më sipër, kur të kundrohet anasjelltas, nënkupton se çdo veprim që nuk e afron njeriun me Zotin, qoftë drejtpërdrejt ose tërthorazi, është krejtësisht i pavlefshëm. Tani e festojmë përfundimin e muajit Ramazan (shënim: ligjërata u mbajt më 17 Shtator 2010, që përkon me fundin e muajit të Ramazanit) dhe fillimin e muajit Shevval, sepse kështu i jemi afruar Zotit një muaj më shumë. Megjithatë, kemi mjaft arsye edhe për të ndjerë keqardhje për përfundimin e këtij muaji, i cili i sjell njeriut kaq shumë bekime. Duhet të kuptojmë se festa e Bajramit është një festë vetëm atëherë kur njeriu e ka bërë zemrën e tij të afrohet me Zotin gjatë muajit të Ramazanit dhe kur ka arritur të ngjitet shkallëve të rrugëtimit shpirtëror.
Në lidhje me këtë, Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Kjo ditë është një festë për atë, të cilit Zoti ia ka pranuar agjërimin, ia ka dëgjuar lutjen dhe ia ka pranuar. Çdo ditë, në të cilën njeriu nuk kryen mëkate, është një festë.1
Muaji Ramazan është muaji, në të cilin njeriu largohet nga ferri i pakujdesisë. Ai është i shenjtë, shi për arsyen se e përqëndron vëmendjen e njeriut tek Zoti. Të gjitha marrëdhëniet e njeriut janë krijuar nga Zoti në një mënyrë, e cila i mundëson njeriut ta ruajë vetëdijen e tij për burimin e ekzistencës. Islami ndalon çdo gjë që e bën njeriun të pakujdesshëm ndaj Zotit dhe, në anën tjetër, i këshillon marrëdhëniet, të cilat e afrojnë atë me Zotin, qoftë drejtpërdrejt ose tërthorazi. Ajo që quajmë takva s’është tjetër veçse ndjekja e këtyre udhëzimeve hyjnore.
Organizimi i marrëdhënieve të njeriut, pra, është njëra nga temat më parimore të një feje. Të gjitha fetë janë përpjekur t’i organizojnë dhe rregullojnë këto marrëdhënie, në varësi prej njohurive të tyre mbi njeriun dhe mbi ekzistencën. Shohim se edhe vetë njeriu i ka zhvilluar mjetet, nëpërmjet të cilave i përcjell mendimet dhe porositë e tija sa më shpejt që të jetë e mundur. Nëpërmjet zhvillimit të mediave, njeriu vetëm sa përpiqet t’i zgjerojë kontaktet e tija dhe t’i bëjë sa më efektive në rrafshin e komunikimit. Me zhvillimin e telekomunikacionit, bota duket gjithë më e vogël në sytë tanë, derisa u arrit në pikën që të konsiderohej një “katund global”.
Ndikimi i padiskutueshëm i këtyre marrëdhënieve mbi mendimet dhe sjelljet e njerëzve vërtet mund t’i çojë ata drejt unitetit dhe harmonisë, por mosnjohja e tyre, në këtë rrëmujë lidhjesh e marrëdhëniesh, mund të bëjë që njeriu të tërhiqet nga një rrymë e caktuar dhe të fundoset në të, duke u larguar krejtësisht nga qëllimet njerëzore dhe duke mos përfituar tjetër përveç pakujdesisë ndaj Zotit. Pikërisht nëpërmjet mediave, njeriu është përpjekur gjithnjë t’i lidhë të gjithë individët dhe t’i ndryshojë qëllimet e tyre. Nëpërmjet mjedisit virtual, i cili krijohet në këtë proces, edhe vetë fantazia njerëzore merr një kahje tjetër, që të mund të organizohet edhe realiteti i njeriut, që s’është tjetër veçse realiteti i bëmave të tija.
Islami është tejet i ndjeshëm kur bëhet fjalë për marrëdhëniet. Ai është përpjekur që me shumë kujdes dhe nëpërmjet marrëdhënieve të caktuara dhe të organizuara qartë, t’i udhëzojë njerëzit drejt qëllimeve më të lartësuara. Në këtë varg ligjëratash do të përpiqemi të merremi me këndvështrimin islam mbi marrëdhëniet e njeriut. Në përgjithësi, marrëdhëniet e njeriut mund të ndahen në katër kategori: marrëdhëniet e njeriut me Zotin, marrëdhëniet e njeriut me njerëzit e tjerë, marrëdhëniet e njeriut me natyrën dhe marrëdhëniet e njeriut me veten e tij.
Marrëdhënia ndërmjet njeriut dhe Zotit
Në të gjithë mësimet e dërguara njerëzimit, Zoti i ka kërkuar njeriut që, aq sa mundet, t’i drejtohet vetë Atij dhe të ruajë një lidhje me Të. Për ta siguruar këtë gjë, Zoti ka përdorur metoda të caktuara:
- Ai e ka krijuar njeriun me nevoja të caktuara, të cilat vetëm Zoti mund t’i përmbushë. Në këtë mënyrë, ai e ka bërë të detyrueshme për njeriun që ta kërkojë Zotin
- Zoti i ka mundësuar njeriut qasje deri tek Ai. Marrëdhënien ndërmjet Vetes dhe njeriut ai e bëri aq të thjeshtë, sa asnjë gjë e tretë nuk mund të vendoset në mes Zotit dhe njeriut.
Vërtet Ne e krijuam njeriun dhe e dimë ç’i pëshpërit shpirti. Ne jemi më pranë tij edhe se delli i qafës...(Kur’an 50:16)
- Zoti nuk ka vendosur kurrfarë parakushti për kontaktin që njeriu mund ta ketë me Të. Njeriu mund t’i drejtohet Zotit kudo, në çdo kohë dhe në çdo gjuhë:
Thirreni Allah ose thirreni Rahman! Sido që ta thirrni, Atij i takojnë emrat më të bukur...(Kur’an 17:110)
Zotit i takon ‘dhe lindja ‘dhe perëndimi. E ngado që ktheheni, atje është fytyra e Tij. I bollshëm është bekimi i Zotit dhe i gjithëdijshëm është Ai...(Kur’an 2:115)
- Të Zotit janë përshkrimet më të bukura, siç e thekson edhe vetë Ai. Të gjitha bukuritë janë të mbledhura tek Zoti. Dhe ngase njeriu ka një prirje natyrore për të bukurën, ai ka edhe një prirje natyrore për Zotin.
...unë ju ftoj drejt të Gjithëfuqishmit dhe Falësit...(Kur’an 40:42)
- Zoti ka theksuar shumë herë se dashuria e Tij ndaj njeriut është më e madhe se dashuria ndaj të gjitha krijesave të tjera të Tij. Kjo gjë bën që njeriu të vetëdijesohet për Zotin, sepse, për nga natyra e tij e lindur, njeriu ndjen një tërheqje drejt gjithkujt që atij ia shpreh dashurinë dhe dashamirësinë. Siç thuhet në një hadith kudsi: Unë e shoqëroj atë që lidhet pas Meje. Unë jam miku i atij, që bëhet miku Im dhe Unë e dëgjoj atë që Mua më bindet.
- Njeriu përherë ka qenë kureshtar dhe ka kërkuar përgjigje për pyetjet e tija. Kur gjen dikë që mund t’i përgjigjet, atij i kushton vëmendje dhe i dorëzohet me besim. Shumë shpesh, Zoti e përkujton njeriun se dituria e Tij është gjithëpërfshirëse:
Urdhri i Zotit zbret në mesin tuaj, që të kuptoni se Zoti është i fuqishëm për çdo gjë dhe kaplon gjithçka me diturinë e Tij. (Kur’an 65:12)
A nuk e dinë se Zoti di gjithçka që fshehin e që zbulojnë?
Ndërsa në një varg tjetër thuhet:
Thuaj: Zoti i di të fshehtat tuaja, edhe po t’i ruani edhe po t’i zbuloni. Ai di ç’është në qiej e në tokë...(Kur’an 3:29)
Megjithëkëtë, Zoti e mësoi njeriun edhe si ta kërkonte diturinë. Ai ia fali njeriut arsyen, që ai të mundej vetë t’i zbulonte misteret e natyrës e të fitonte dituri. Ai i fali njeriut edhe shumë gjëra të tjera, të cilat njeriu nuk është në gjendje t’i kuptojë e t’i perceptojë. Andaj Zoti ia mësoi rrugën e diturisë dhe të njohjes. Thuhet: Kinie droje Zotin, që Ai t’ju falë dituri!
Zoti, pra, e mori Vetë përsipër mësimin e njeriut. Në këtë mes, gjithë ç’duhej të bënte njeriu ishte të “merrte pjesë” në këto mësime, t’u kushtonte vëmendje atyre dhe ta ruante drojen karshi Zotit. Të gjitha këto dhe shumë gjëra të tjera ku manifestohet kujdesi i Zotit për njeriun, kanë për qëllim që njeriu të mos e harrojë Zotin dhe të përpiqet përherë për ta ruajtur këtë marrëdhënie. Për këtë qëllim, Zoti ia dërgoi njeriut edhe Kur’anin si një dëshmi të shkruar dhe si një ndihmesë në lidhjen e njeriut me Zotin. Zoti, pra, nëpërmjet shkrimeve të shenjta dhe nëpërmjet shumë faktorëve të tjerë e ka ndihmuar njeriun për ta ndërtuar marrëdhënien e njeriut me Të. Mbase kjo është arsyeja përse feja kërkon që Zoti të përkujtohet e të kihet parasysh në çdo veprim tonin.
Edhe përkundër gjithë kësaj, sot disa me ngulm e ofendojnë dhe e përbuzin Kur’anin, duke mos kuptuar se nëpërmjet kësaj, nuk i ofendojnë muslimanët por vetë Zotin. Me këto veprime, ata e sulmojnë vetë lirinë, arsyen njerëzore, paqen dhe çdo vlerë tjetër të njeriut. Kjo nuk është tjetër veçse një luftë kundër arsyes, e cila po zhvillohet që nga Mesjeta dhe zë vend akoma në kokat e disave.
Është për të ardhur keq se ide të tilla sot burojnë pikërisht nga njerëz që pandehin se janë fetarë. Në të vërtetë, nuk është edhe aq për t’u habitur kur njerëz të tillë të vetëshkatërruar merren me këto veprime. Ajo që është e habitshme është se si ata që pretendojnë se luftojnë kundër terrorizmit dhe që për këtë qëllim përdorin çdo mjet të mundur, kurrë nuk hapin një front të vendosur kundër terrorit që ushtrohet ndaj vlerave njerëzore dhe feve. Në shumë raste, madje, këta edhe i përkrahin nismat e tilla.
Duhet të kihet parasysh se shkatërrimi i ideve është një rrezik shumë më i madh për njerëzimin. Ne e dënojmë këtë barbari moderne dhe i ftojmë të gjithë njerëzit e lirë dhe qeveritë e lira të botës, që të vendosen kundër tendencave të tilla.
Uroj që Zoti të na e dhurojë sukesin e të hapëruarit në rrugën e të mirës dhe të lumturisë së njerëzimit dhe në rrugën e dorëzimit para vullnetit të Tij!