Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Një nga çështjet me të cilat merret intelekti njerëzor është pyetja në është jeta e njeriut e mbështetur dhe e kufizuar vetëm në gjërat shqisore dhe materiale? A është e vërtetë se sa më shumë pasuri të ketë njeriu, aq më i lumtur ka për të qenë? A përmirësohet kështu mirëqenia e njeriut dhe a mund njeriu, në këtë mënyrë, ta arrijë paqen e brendshme dhe të gjejë prehje? Ose përkundrazi, a fshihet kuptimi i jetës njerëzore në realizimin e prirjeve, aftësive dhe potencialeve jomateriale të tij? Kjo pyetje kërkon një përgjigje të qartë.
Pozita e njeriut në sistemin e krijimit
Është e qartë dhe e kuptueshme, se kur njeriu ta kundrojë brendinë e tij, do të parashtrohet pyetja lidhur me marrëdhënien ndërmjet natyrës dhe ekzistencës së njeriut. Nga ky kundrim do të bëhet e qartë se Zoti i Madhëruar i ka falur një pozitë të veçantë njeriut dhe e ka bekuar atë me aftësinë për të mësuar, në mënyrë që të jetë mëkëmbësi i Zotit (ar. khalifetullah) mbi tokë. Së këndejmi, është e qartë se qëllimi kryesor i jetës njerëzore nuk guxon të jetë materialja. Njeriu duhet të jetë gjithnjë në rrugën drejt përsosurisë dhe ta përshtatë përditshmërinë e tij me këtë rrugë. Parakusht për një jetë të tillë është një plan jetësor, i cili mbështetet në një këndvështrim jomaterial dhe shpirtëror mbi njeriun e mbi botën. Ky botëkuptim është një nevojë e domosdoshme për njeriun, sepse vetëm në këtë mënyrë, plani jetësor i njeriut do të përshtatet me realitetet shpirtërore. Kjo është arsyeja përse “feja” ka një rol të rëndësishëm në jetën e njeriut. Është feja që, duke u mbështetur në sistemin hyjnor, i fal njeriut një botëkuptim të tillë.
Sistemi i krijimit
Sipas vargjeve të shenjta të Kur’anit, bota dhe i gjithë krijimi mbështeten në urtinë e Zotit. Në Kur’an thuhet:
Qiejt, tokën dhe gjithçka që është ndërmjet tyre nuk i krijuam ndryshe veçse me të vërtetën e me urtësi. (Kur’an, 15:85)
Duke u mbështetur në këtë, mund të thuhet se asgjë nuk është krijuar pa qëllim dhe si një lojë e kotë. Sistemi i krijimit është një prodhim i urtisë së Zotit. Njeriu, ndërkaq, duke qenë edhe vetë pjesë e këtij sistemi, ka një pozitë të veçantë brenda tij. Sipas Kur’anit, njeriu nuk është krijuar së koti:
A mendonit, vallë, se ju krijuam së koti dhe se nuk do të ktheheshit tek ne? (Kur’an, 23:115)
Krijimi dhe rendi i botës së krijuar mbështeten në një sistem të përbashkët, zanafilla e të cilit është tek vetë Zoti, i cili madhërohet dhe lëvdohet nga çdo krijesë. Kur’ani thotë:
Të shtatë qiejt, toka dhe gjithçka që është në to e madhëron Zotin. Dhe nuk ka gjë që nuk e madhëron Atë, por ju nuk e kuptoni. (Kur’an, 17:44)
Në një varg tjetër thuhet:
Nuk ka një qenie një qiell e në tokë, që nuk del para të Mëshirshmit si një rob. (Kur’an, 19:93)
Kjo është mbase arsyeja e mësimit se gjithçka “vjen prej Tij dhe kthehet tek Ai”, të cilën Kur’ani e vërteton me vargun “Të Zotit jemi dhe tek Ai është kthimi ynë.” (Kur’an, 2:156) Në disa vargje të tjera të ngjashme thuhet:
Vërtet, tek Zoti yt është kthimi. (Kur’an, 96:8)
Ai jep jetë, ai e sjell vdekjen dhe tek Ai do të ktheheni. (Kur’an, 10:56)
Përfundimi
Rezultati i një sistemi kuptimplotë është orientimi i drejtë dhe i përcaktuar. Nga ky këndvështrim shpirtëror mund të kuptohet më së miri edhe pozita e fesë, nëpërmjet të cilës njeriu mund ta arrijë suksesin dhe përsosurinë. Ndaj mund të themi se është tejet e rëndësishme që njeriu të pajiset me një pikëpamje të përsosur lidhur me sistemin e krijimit dhe me veten e tij. Nuk ka dyshim se kjo pikëpamje ka për të ushtruar ndikim në të gjitha fushat e jetës dhe ka për te përcaktuar drejtimin e saj. Nëse konceptimi i fesë dhe pritjet e njeriut nga feja kuptohen si duhet, shumë probleme njerëzore do të ishin më të zgjidhshme dhe më të kuptueshme. Në të kundërt, nëse mbështetemi vetëm në metodën e shkencave empirike dhe e interpretojmë botën nëpërmjet saj, shumë pyetje do të mbeten të hapura, për vetë faktin se shkencat natyrore janë të kufizuara te eksperimentimi dhe vëzhgimi, dhe, si të tilla, nuk mund të japin përgjigje për gjërat metafizike. Kjo është përse shkencat natyrore nuk janë në gjendje të na ofrojnë përgjigje lidhur me pyetjet tona filozofike. Dhe pikërisht për këtë arsye, njeriu duhet t’u drejtohet fushave të tjera të diturisë, siç është feja, e cila ka përgjigje për pyetjet esenciale të njeriut: “Kush jam, pse jam këtu ku jam dhe ku shkoj?”
Këto pyetje e kanë lodhur mendjen njerëzore në të gjitha epokat, ndaj edhe njerëzit që merren me gjetjen përgjigje këtyre pyetjeve, janë të bekuar me mëshirën e Zotit. Përcillet se Imam Aliu (a.s.) ka thënë: Zoti e mëshiroftë atë që di nga ka ardhur, ku është e ku do të shkojë![1]
Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!