Mënyra fetare e të jetuarit
Definicioni i fesë
Ajetollah Dr. Riza Ramazani

Versioni audio i kësaj ligjërate është në përgatitje e sipër dhe do të botohet së shpejti. Ju lutemi për mirëkuptim!


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!


Një nga pikat më të rëndësishme dhe më me ndikim në ardhmërinë e njeriut është pyetja lidhur me rolin e fesë në jetën njerëzore. Sa ka ndikim feja në rritjen dhe përsosjen shpirtërore të njeriut? A është feja aq e rëndësishme në shoqërinë e sotme sa të mos mund të jetohet pa të? A është feja një gjë jetike për njeriun ose vallë diçka që nuk ka një pozitë aq të lartësuar dhe që mjafton të pranohet vetëm si një gjë anësore, për hir të ndikimeve shpirtërore që i ka.


Pika tjetër është që të pyetet në është feja një realitet ose një krijim i njeriut? A është feja vetëm një produkt i imagjinatës njerëzore, i krijuar si pasoja e rrethanave ku jeton njeriu? Ngjashëm me këto, ekzistojnë një sërë pyetjesh lidhur me nocionin e fesë, të cilat gjithkush duhet t’i hulumtojë në rrugën e tij drejt të vërtetës.


 


Feja, një realitet i pamohueshëm


Nuk ka dyshim se edhe shoqëria moderne e ka pranuar fenë si një realitet. Varësisht nga tiparet e veta, janë krijuar kategori të ndryshme për fetë, duke u ndarë në fe “njerëzore” ose “hyjnore”, “monoteiste” ose “politeiste”. Ka edhe kategorizime në bazë të zanafillës, ku flitet për hinduizmin dhe budizmin si fe që burojnë nga India, për konfuçianizmin e taoizmin, si fe që burojnë nga civilizimi kinez, dhe për judaizmin, krishterimin dhe Islamin si fe të Lindjes së Mesme.


Është e qartë se definicionet e ndryshme të fesë shpesh nuk arrijnë ta pasqyrojnë si duhet kuptimin dhe esencën e saj. Për ta ngërthyer si duhet kuptimin e nocionit “fe”, duhet t’u hedhim një vështrim termeve që janë përdorur për ta emërtuar atë. Definicionet e përmendura në Kur’an dhe në hadithe janë mjaft të dobishme për ta kuptuar si duhet nocionin e fesë.


Fjala “fe”, pra din , qoftë në gjuhët semitike qoftë në persisht, ka shumë kuptime, mes të cilave mund të radhiten: ndërgjegje, ligj, drejtësi, gjykim, sjellje, dënim, llogaridhënie, bindje, përkushtim, udhëzim dhe shprehi.[1]


Në Kur’an, fjala “fe” (ar. din) është përmendur më se nëntëdhjetë herë dhe është definuar, në raste të ndryshme, si dënim, shpërblim, bindje, adhurim, caktim hyjnor, besim, përkushtim dhe mënyrë jetese. Në vargjet vijuese të Kur’anit na shfaqet fjala fe, pra din, në kuptime të ndryshme:


...Sunduesi në ditën e gjykimit. (Kur’an, 1:4)
...ata që e mohojnë ditën e gjykimit. (Kur’an, 83:11)
Nga do ta dije ti ç’është dita e gjykimit? (Kur’an, 82:17)
Është Ai, prej të cilit pres të m’i falë mëkatet në ditën e gjykimit. (Kur’an, 26:82)


 


Në tre vargjet vijuese është përcjellë kuptimi i dënimit dhe i shpërblimit, në shprehjen jeum ed-din, e cila, në këtë rast, përdoret për të nënkuptuar ditën e gjykimit.


Atij i takon gjithë ç’është në qiej e në tokë dhe për Të është adhurimi dhe bindja. (Kur’an, 16:52)


Zoti im ma ka urdhëruar drejtësinë. Dhe në çdo vend adhurimi, kthejeni fytyrën tuaj drejt Tij dhe adhurojeni atë me sinqeritet. (Kur’an, 7:29)


Në këta vargje, fjala arabe din nënkupton bindje dhe adhurim. Pastaj kemi edhe shembuj të tjerë:


...dhe sipas ligjit të mbretit, ai nuk guxonte ta ndalonte të vëllain...(Kur’an, 12:76)


Këtu, fjala din përdoret për të nënkuptuar ligjin. Krahas kësaj, në pjesë të tjera të Kur’anit, fjala din shfrytëzohet në kontekstin e fesë, si për shembull:


Nuk ka detyrim në fe, sepse e drejta është qartësuar karshi të gabuarës. (Kur’an, 2:256)


Më tej, në vargun “Vërtet, pranë Zotit, feja është Islami.” (Kur’an, 3:19) e hasim sërish fjalën din në kuptimin e fesë, ndërsa fjala Islam nënkupton dorëzimin. Më tej, në pjesë të tjera të Kur’anit thuhet:


Ju e keni fenë tuaj dhe unë timen. (Kur’an, 109:6)
A kërkoni vallë një fe tjetër veç fesë së Zotit? (Kur’an, 3:83)


 


Në këta vargje, fjala din e përshkruan mënyrën e jetesës ose sjelljen e njeriut. Përveç gjithë këtyre shembujve, në traditën islame ekzistojnë edhe shumë përdorime të fjalës din të cilat na shfaqen në kontekste të ndryshme.


 


Rëndësia e fesë nga pikëpamja islame dhe nga këndvështrimi i mendimtarëve perëndimorë


Është me rëndësi të përmendim se për nocionin din ekzistojnë kuptime dhe definicione të ndryshme, për të cilat njerëzimi është përpjekur të gjejë vend në gjuhën e përditshme. Disa dijetarë i kanë kritikuar këto përpjekje dhe nuk kanë arritur të gjejnë një shpjegim të përshtatshëm për nocionin e fesë. W. C. Smith, një gjuhëtar i shquar, lidhur me fenë dhe qëllimin e saj, ka thënë: “Mbase nuk do të ishte gabim të thuhej se, deri sot, nuk është gjetur asnjë definicion i saktë për kuptimin e fjalës ‘fe’, në të cilin do të mund të përfshiheshin të gjithë drejtimet fetare.”[2]  


Një nga definicionet e dhëna për nocionin “fe” nga një mendimtar perëndimor, thotë: “Feja është besimi i pavarur nga arsyeja, i cili e çon njeriun drejt përsosurisë.” [3]


Kur të kundrohet më me kujdes kjo shprehje, mund të shohim se “feja” barazohet me “besimin”. Por duhet thënë se, ndonëse feja buron prej besimit, nuk mund të thuhet se është e njëjta gjë. Dhe, së fundmi, ndonëse në definicionin e mësipërm, veprimet fetare shpërfillen krejtësisht, edhe ata luajnë një rol të rëndësishëm.


Definicioni që është dhënë nga dijetarët dhe mendimtarët muslimanë është se me fjalën “fe” nënkuptohet besimi në një Krijues të botës e të njerëzimit dhe në urdhrat, ligjorë, doktrinar ose etikë, të cilët janë shpallur prej Tij për mirëqenien e njeriut në këtë botë dhe në tjetrën. Si rrjedhojë, mund të thuhet se realiteti i fesë përbëhet nga dy pjesë:



  1. Nga besimi, i cili është themeli dhe rrënja e fesë dhe

  2. Rrjedhojat praktike të këtij besimi, të cilat manifestohen në trajtën e urdhrave fetarë dhe etikë


Përfundim


Është me rëndësi të përmendim se për ta njohur fenë e vërtetë, njeriu duhet t’i drejtohet burimit kryesor. Kjo është arsyeja përse ekspertët dhe njohësit e fesë pyeten pikërisht lidhur me këto fusha. Në Islam, burimet kryesore janë Kur’ani, Profetit Muhammed (s.a.a.) dhe Ehl-i Bejti i tij i dëlirë. Kuptohet, në pyetjet të tilla, njeriu mund t’u drejtohet edhe dijetarëve.


 


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!






[1] Ferheng-i Moein, v.2, fq.1597; Lisan el-arab, v.13, fq.169-172




[2] Felsefej-i din , fq.31




[3] Deramedi der felsefej-i din ve kelam xhedid, fq.111



publikuar më: 03.03.2017

Lexoni gjithashtu..

18.08.2017 Mënyra fetare e të jetuarit: Prirjet e natyrshme të njeriut
23.06.2017 Mënyra fetare e të jetuarit: Skepticizmi në fe dhe keqpërdorimi i fesë
21.04.2017 Mënyra fetare e të jetuarit: Rëndësia e ndjekjes së një feje
14.04.2017 Mënyra fetare e të jetuarit: Njeriu në sistemin e krijimit
07.04.2017 Mënyra fetare e të jetuarit: Feja si prirje e brendshme dhe si nevojë e njeriut

Kthehu