Kur′ani
Universaliteti i udhëzimit kuranor
Ajetollah Dr. Riza Ramazani


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!


Kur’ani i Shenjtë është një libër që është shumë para kohës së tij, shumë përtej mendimeve të kufizuara të njerëzve, por në një harmoni të plotë me sistemin e krijimit dhe me kërkesat e natyrshme të njeriut. Ai është i aftë t’i kundërvihet çdo kundërshtimi dhe pengesë e të lartësohet mbi to.


Në mesin e gjërave që duhen theksuar lidhur me Kur’anin, është edhe universaliteti i vlefshmërisë së tij. Kjo temë është trajtuar që në kohët më të hershme nga mendimtarë dhe shkoqitës të librit hyjnor, të cilët kanë theksuar se fakti se Kur’ani është shpallja përmbyllëse e sjell me vete domosdoshmërinë e vlefshmërisë universale të vargjeve të tij. Kështu, besimi në vlefshmërinë universale të Kur’anit është i lidhur ngushtë me besimin në përfundimin e profetësisë. Rrënjët e këtij besimi mund t’i gjejmë në vetë vargjet e Kur’anit dhe në fjalët e pjesëtarëve të Ehl-i Bejtit. Në këtë kontekst, vargu më i qartë është vargu 89 në kapitullin Nahl, ku thuhet:


Dhe atë ditë, kur t’i sjellim çdo populli një dëshmitar nga mesi i tyre dhe të të bëjmë ty dëshmitar mbi ta. Dhe ta kemi zbritur Librin që shpjegon gjithçka e që është një udhëzim, mëshirë dhe sihariq për besimtarët. (Kur’an, 16:89)


I tillë është edhe vargu 111 i kapitullit Jusuf, ku flitet për faktin se në Kur’an janë përmendur të gjitha gjërat lidhur me udhëzimin e njeriut:


Në rrëfimet e tyre vërtet ka mësime për të zotët e mendjes. Ky Kur’an nuk është një fjalë e trilluar, por një vërtetim i asaj që ka ardhur më parë, një shpjegim i qartë dhe udhëzim e mëshirë për një popull që beson. (Kur’an, 12:111)


Shprehja “që shpjegon gjithçka” në vargun e parë dhe shprehja “një shpjegim i qartë” në të dytin thonë, para se të gjithash, se shpjegimi i të gjitha gjërave gjendet në Kur’an. Edhe në thëniet e disa shokëve të shquar të Profetit (s.a.a.), si Ibn Mesudi për shembull, shprehet se në Kur’an gjenden njohuritë për gjithçka, që nga qenia e parë deri tek e fundit.[1]


Vlefshmëria universale e Kur’anit të Shenjtë mund të kuptohet edhe nga vargje të tjera, përveç atyre që qartësisht e theksojnë këtë gjë. Bëhet fjalë për vargjet, të cilat e prezantojnë Kur’anin si një libër për të gjithë njerëzimin dhe si libër të përjetshëm. Për të qenë një libër për gjithë botën dhe për të gjitha kohët, ai duhet të ketë një vlefshmëri universale. Ka shumë thënie nga Ehl-i Bejti, të cilat e theksojnë vlefshmërinë universale të vargjeve të Kur’anit, prej të cilave disa do t’i përmendim në vijim. Për shembull, Imam Aliu (a.s.) thotë:


Ky është Kur’ani i Shenjtë. Po t’i kërkoni t’ju flasë, nuk ka për t’ju folur. Por unë mund t’ju flas për të dhe them: në të gjenden njohuri lidhur me të kaluarën dhe ardhmërinë, deri në ditën e ringjalljes.[2]


Imam Xhaferi (a.s.) thotë:


Zoti i Madhëruar i ka zbritur në Kur’an shpjegimet e të gjitha gjërave. Për Zotin, Ai nuk ka lënë gjë pa përmendur nga nevojat e robërve të tij, që ndonjëri prej tyre të mund të thoshte “Ah sikur edhe kjo të ishte përmendur në Kur’an!” Gjithçka që mund të dëshirojnë robërit e Zotit është zbritur me Kur’anin.[3]


Nga Imam Muhammed Bakiri (a.s.) përcillet thënia në vijim:
Zoti nuk i ka shpërfillur nevojat e ummetit. Ai i ka zbritur të gjitha me librin e Tij dhe ia ka shpjeguar të Dërguarit të Vet. Për gjithçka ka caktuar një kufi dhe për çdo gjë ka sjellë një dëshmi përkrahëse.[4]


Vlefshmëria universale e Kur’anit të Shenjtë është trajtuar nga shumë pikëpamje, mes të cilave dominojnë dy aspekte:


1. Që nga fillimet e Islamit, mendimtarët dhe shkoqitësit e Kur’anit thonë se ai i ngërthen më vete të gjitha dituritë. Nga personat që e kanë mbajtur këtë qëndrim mund të përmenden Ibn Mesudi[5] (v. 34 pas Hixhrit), Ebu Hamid el-Ghazali[6] (v. 505 pas Hixhrit), Bedru’d-din Zarkasi[7] (v. 794 pas Hixhrit), Fakhr ed-Din Raziu [8](v. 606 pas Hixhrit), Xhelal ed-Din Sujutiu[9] (v. 911 pas Hixhrit), Sadr ed-din Shiraziu[10] (v. 1045 pas Hixhrit) dhe shumë të tjerë, deri në kohët tona. Të gjithë janë të bindur se në Kur’an janë përfshirë të gjitha njohuritë. Një pretendim i tillë nënkupton se Kur’ani nuk i përfshin vetëm të gjithë gjërat që kanë të bëjnë me zhvillimin e njeriut drejt Zotit dhe me hapërimin në rrugën e përsosurisë, por edhe themelet e të gjitha shkencave të tjera, si dhe mekanizmat e zhvillimit të tyre, gjë që është theksuar me të madhe.


2. Kur’ani i Shenjtë është libri i udhëzimit. Si i tillë, ai përmban gjithçka që luan një rol të rëndësishëm në udhëzimin e njeriut. Asgjë që i takon kësaj teme nuk mund të mungojë në Kur’an. Nuk ka dyshim se pretendimi fillestar se Kur’ani është një libër udhëzimi, është i vlefshëm. Shumë vargje të tij e vërtetojnë këtë dimension të Kur’anit, gjë që është trajtuar në hollësi.


Temat e ndërlidhura me udhëzimin e njeriut, Kur’ani i ndan në disa kategori. Njëra prej tyre është shpjegimi i principeve të besimit islam, pra shpjegimi lidhur me monoteizmin, profetësinë, ringjalljen dhe njohuritë që burojnë prej tyre, për shembull lidhur me “rrasën e ruajtur “ (ar. el-lehv el-mahfudh), diturinë gjithëpërfshirëse të Zotit, qeniet engjëllore, thronin hyjnor (ar. arsh), krijimin e qiejve dhe të tokës etj. Pjesën tjetër e përbëjnë principet etike, të cilat e përvijojnë sjelljen e pëlqyer nga Zoti, bashkë me virtytet përkatëse. Pjesa e tretë merret me rregullat e sjelljes dhe me urdhëresat fetare, të cilat shpien drejt lumturisë së mirëfilltë dhe mundësojnë një zhvillim të besimit në Zotin dhe në parimet e fesë (ar. usul ed-din). Nuk duhet lënë pa përmendur se pikëpamja që kemi përmendur më sipër nuk përputhet me mendimin e atyre që janë kundër hulumtimit të dëshmive shkencore në Kur’an ose të studimit shkencor të fenomeneve natyrore. Ata që e mohojnë këtë mënyrë të hulumtimit të gjërave, vetëm sa e mohojnë të vërtetën që shprehet nga vetë Kur’ani.


Qëllimi kryesor i përmendjes së këtyre temave në Kur’an është udhëzimi i njeriut drejt lumturisë në këtë botë dhe në tjetrën. Kjo është tema më qendrore e Kur’anit. Kjo lumturi kërkon që njeriu ta njohë mirë qëllimin dhe të përqendrohet te ai. Duke u mbështetur në këtë pohim, me vlefshmëri universale të Kur’anit nënkuptojmë se gjithçka për të cilën ka nevojë njeriu në arritjen e përsosurisë dhe në rrugën drejt Zotit, pra gjithçka që e lartëson ekzistencën e tij, gjendet brenda Kur’anit dhe nuk është lënë pa u përmendur.


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!






[1] Zarkasi, El-Burhan fi Ulum el-Kur’an, Beirut 2001, v.1, fq.28
[2]
Kulejni, Usul el-Kafi, v.1. fq.79, hadithi nr.7; me një formulim me pak ndryshime edhe te Nehxhu’l-Belaga, fjalimi 158
[3]
Kulejni, Usul el-Kafi, v.1, fq.77, hadithi nr.1
[4]
Mexhlisi, Bihar el-Envar, v.89, fq.84
[5]
Marifat, Tefsir ve mufessirin, v.1, fq.201
[6]
Ghazali, Xhevahir el-Kur’an, fq.28; Ihja ulum el-din, v.1, fq.383-384
[7]
Zarkasi, El-Burhan fi Ulum el-Kur’an, v.1, fq.537
[8]
Razi, Mefatih el-Ghajb, v.17, fq.96 dhe v.2, fq.13
[9]
Sujuti, El-Itkan fi ulum el-Kur’an, v.2, fq.194
[10]
Sadr ed-Din Shirazi, Mefatih el-ghajb, fq.60



publikuar më: 27.01.2017

Lexoni gjithashtu..

09.12.2016 Kur′ani: Hapat e njohjes së Kuranit
27.06.2014 Kur′ani: Vlera e njohjes së Kuranit
06.06.2014 Kur′ani: Urtia e leximit të Kur’anit dhe manifestimet e hyjnores
27.09.2013 Kur′ani: Cilësitë e ndryshme të Kuranit
26.07.2013 Kur′ani: Vlefshmëria universale e vargjeve kuranore
19.07.2013 Kur′ani: Mrekullitë në vargjet kur’anore
26.04.2013 Kur′ani: Libri i jetës

Kthehu