Udhëzimi hyjnor
Mënyrat e ndryshme të udhëzimit hyjnor
Shejh Ismail Ensari


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!


Nëpërmjet drojës para Zotit (ar. takva) njeriu ka për të gjetur udhëzimin. Në fjalimi e 113-të të përmbledhjes Nehxhu’l-Belaga, Imam Aliu (a.s.) thotë: “O robër të Zotit! Është takvaja që i ka bërë miqtë e Zotit të ruhen nga gjërat që ka ndaluar dhe që i ka mbushur zemrat e tyre me drojë para Tij, aq sa edhe netët i kalojnë zgjuar.” Është droja para Zotit që e çon njeriun drejt të mirës dhe e largon atë nga e liga.


Në shumë pjesë të Kur’anit përmendet çështja e udhëzimit. Madje edhe vetë Kur’ani e prezanton veten si një udhëzim për njerëzimin (2:185). Në Kur’an mund të hasim shpesh vargje, si “...dhe Zoti udhëzon në rrugë të drejtë atë që do.” (Kur’an, 2:213) ose “Zoti nuk i udhëzon të padrejtët.” (Kur’an, 2:258)


Duhet të hulumtojmë, pra, çfarë nënkupton vërtet udhëzimi i Zotit, për të kuptuar se cilët njerëz i udhëzon Zoti dhe cilët jo.


Udhëzimi hyjnor ka tre lloje të ndryshme, si vijon:


1. Udhëzimi ontologjik (ar. takvini)


Ky është një udhëzim, të cilin e pranojnë të gjitha krijesat e Zotit. Kjo do të thotë se Zoti e ka krijuar çdo gjë, në një mënyrë e cila, nëpërmjet intuitës së saj të natyrshme, i mundëson çdo krijese ta arrijë qëllimin (gr. telos) dhe përsosurinë e vete. Kur profeti Musa (a.s.) shkoi te Faraoni dhe ky i fundit e pyeti se kush ishte Zoti i tij, ai u përgjigj:


Zoti im është Ai që i fal ekzistencë çdo gjëje dhe që e udhëzon atë. (Kur’an, 20:50)


Zoti, pra, ia fal çdo krijese gjërat e nevojshme për jetesë. Mund ta shohim bletën për shembull, e cila, pavarësisht se në cilën pjesë të botës gjendet, e ndërton zgjuan e vete sipas principt të njejtë, pa iu treguar kjo gjë nga dikush. Mund t’u hedhim një vështrim edhe organeve tona, për shembull zemrës. Ajo rreh pa kurrfarë ndikimi nga ana jonë dhe e kryen detyrën e vete.


Kjo është ajo që në Islam njihet si udhëzim ontologjik (ar. takvini), që nuk është tjetër veçse vetë udhëzimi i natyrshëm në esencën e të gjitha krijesave.


 


2. Udhëzimi ligjor (ar. teshri’i)


Mënyra e dytë e udhëzimit hyjnor është udhëzimi ligjor. Nëpërmjet profetëve dhe librave hyjnorë, Zoti ia tregon njeriut rrugën drejt përsosurisë. Ky është një udhëzim të cilin njeriu mund ta zgjedhë me vullnetin e tij të lirë. Në vargun e tretë të kapitullit Insan, Kur’ani thotë:


Ne vërtet ia treguam rrugën njeriut, falënderues qoftë a mosmirënjohës. (Kur’an, 76:3)


Në një pjesë tjetër, në vargun e nëntë të kapitullit Nahl, Zoti thotë:


Po të kishte dashur, do t’ju kishte udhëzuar të gjithëve. (Kur’an, 16:9)


Zoti, pra, mund t’i detyronte drejt rrugës së drejtë të gjithë njerëzit, njësoj si engjëjt, për shembull, që nuk e kanë lirinë për të kryer mëkat. Zoti mundej edhe t’i krijonte të gjithë njerëzit si besimtarë, në mënyrë që askush të mos bëhej nga banorët e zjarrit. Megjithatë, kjo gjë do të binte ndesh me urtinë hyjnore dhe nuk do të kishte kurrfarë qëllimi dhe logjike. Kjo gjë do të binte ndesh edhe me vetë krijimin e parajsës dhe ferrit. Kjo do të ishte njësoj sikur një mësues, që në fillim të vitit shkollor t’u thoshte nxënësve të tij se të gjithë e kanë kaluar lëndën me nota të mira, pa bërë ndonjë gjë. Kjo, mes tjerash, do të thoshte se njeriu nuk ka vullnet të lirë. Ndërsa në kapitullin Beled, në vargun e dhjetë, Zoti thotë:


Dhe Ne ia treguam që të dy rrugët. (Kur’an, 90:10)


Zoti, pra, i ka falur njeriut një vullnet të lirë, që të mund vetë ta zgjedhë rrugën e tij.


3. Mirësia hyjnore


Lloji i tretë i udhëzimit është mirësia hyjnore. Në vargun e shtatëmbëdhjetë të kapitullit Muhammed, Zoti thotë:


Dhe atyre që janë të udhëzuar, ua shton edhe më udhëzimin. (Kur’an, 47:17)


Pra kur njeriu përpiqet të hapërojë rrugës së Zotit dhe rrugës së shërbimit ndaj Tij, Zoti ka për t’i falur sukses dhe bekime. Zoti ka thënë, në një hadith kudsij, se kur robi i Zotit bën një hap drejt Zotit, Zoti bën edhe më shumë hapa drejt robit të vet. Ai thotë gjithashtu: Po të më thirrni do t’ju përgjigjem, po të pendoheni do t’ju fal, po të më besoni Mua, Unë do t’ju përkrah. Jini mirënjohës dhe do t’ju jap edhe më shumë akoma!


Nëse njeriu nuk i drejtohet Zotit, nëse nuk është mirënjohës ndaj Tij dhe nëse nuk i beson Atij, ky është gabimi i njeriut. Në këtë rast, njeriu vet e ka larguar veten nga mëshira e Zotit.


 


Pasi e thamë këtë, do të ishte me vend që të shohim se cilët janë faktorët më të rëndësishëm për udhëzimin e njeriut.


Faktori i parë është besimi (ar. iman), nëpërmjet të cilët njeriu mund të gjejë udhëzim. Në vargun 54 të kapitullit Haxh’xh, Zoti thotë:


Vërtet Zoti i udhëzon në rrugë të drejtë ata që besojnë. (Kur’an, 22:54)


Këtu duhet të theksojmë se ekziston një dallim i qartë ndërmjet atij që është musliman dhe atij që është mu’min, pra besimtar. Musliman është secili që dëshmon se Allahu është Krijuesi i vetëm dhe që e pranon profetësinë e Muhammedit (s.a.a.). Një njeri pranohet si musliman edhe sikur ta dëshmojë këtë gjë vetëm me gjuhën e tij, pra edhe pa besuar në zemër.


Por besimtari (ar. mu’min) është shumë më tepër se kjo. Të besosh do të thotë t’i pranosh udhëzimet e Zotit dhe t’i jetësosh ato në përditshmëri. Pra ajo që e udhëzon njeriun është besimi.


Një faktor i dytë është pendimi. Në vargun njëzet e shtatë të kapitullit Ra’ad, Zoti thotë:


Ai e udhëzon atë që kthehet drejt Zotit i penduar. (Kur’an, 13:27)


Kur njeriu sheh se ka gabuar ose se është në prag të një gabimi, ai duhet të hiqet prapa dhe të kthehet drejt Zotit. Dhe nëse pendohet, Zoti ka për ta udhëzuar në rrugë të drejtë.


Një faktor i tretë për udhëzimin në rrugë të drejtë është përpjekja (ar. xhihad). Në vargun 69 të kapitullit Ankebut, Zoti thotë:


Dhe ata që përpiqen për Ne, kemi për t’i udhëzuar rrugëve Tona. Vërtet Zoti është me të mirët. (Kur’an, 29:69)


Një tjetër faktor në udhëzimin e njeriut është vetë Kur’ani, për të cilin Zoti thotë:


Vërtet ky Kur’an udhëzon në më të mirën e rrugëve. (Kur’an, 17:9)


Kjo na lë të kuptojmë se duhet të përpiqemi që të lexojmë së paku një varg të Kur’anit në ditë dhe të përpiqemi për ta kuptuar atë.


Dhe për fund, një faktor tjetër shumë i rëndësishëm është Ehl-i Bejti (Profeti, Hz. Fatimeja dhe Dymbëdhjetë Imamët), të cilët janë drita në rrugën e udhëzimit. Në zijaretin Xhamia el-Kabir themi:


Paqja qoftë mbi imamët e udhëzimit, që janë drita në errësirë dhe flamuj të takvasë.


Ehl-i Bejti është një udhëzues për njerëzimin që kërkon ta gjejë rrugën e drejtë.


Për fund, i lutemi Zotit që të na ndihmojë e të na japë forcë në rrugën e udhëzimit! Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!

publikuar më: 05.11.2016

Kthehu