Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Muhammedi (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) ishte Profeti i fundit monoteist, i cili njihej me epitetin “miku i dashur i Zotit”. Ai u zgjodh për ta udhëzuar njerëzimin, që shoqëria njerëzore, nëpërmjet mësimeve dhe këshillave të tija, të mund ta arrinte harmoninë dhe lumturinë në këtë botë e në tjetrën.
Në kohën kur u ngarkua me detyrën e profetësisë, shoqëria njerëzore ishte zhytur në një mjerim shpirtëror dhe kulturor, siç përcillet edhe në përshkrimin e Imam Aliut (paqja qoftë mbi të): Njerëzit e asaj kohe ishin të ndarë në grupe, qëllimet i kishin të ndryshme dhe po kështu edhe sjelljet. Ata ose e ngjasonin Zotin me krijesat, ose ia ndryshonin Emrat, ose i drejtoheshin dikujt tjetër veç Tij. (Nehxhul-Belaga, fjalimi nr.1)
Zoti i Madhëruar i dërgoi njerëzimit një Profet që e njihte kulturën dhe gjuhën e njerëzve, që të mund ta korigjonte mënyrën e tyre të të jetuarit dhe të siguronte një mbarëvajtje të shoqërisë njerëzore, duke e lëvizur drejt monoteizmit nëpërmjet dëshmive, urtësisë dhe moralit. Shoqëria duhet të largohet nga errësira dhe të çohet drejt dritës (Kur’a 14:1). Por për ta arritur këtë, njerëzit duhet të pushojnë së vështruari vetëm veten e tyre dhe ta shohin Zotin.
Kështu, asnjërit nga profetët nuk i është lejuar që t’i ftojë njerëzit drejt vetes së tij. Një njeriu, të cilit Zoti i ka dhënë libër, profetësi e pushtet, nuk i ka hije t’u thotë njerëzve ta lënë Zotin e ta adhurojnë atë vetë, por t’u thotë që ta adhurojnë Zoti, sipas atij libri që e mësojnë e që lexojnë...(Kur’an 3:79)
Thirrja drejt përsiatjes dhe paralajmërimi kundër mendimeve të gabuara dhe bestytnive ka qenë pjesë e porosisë së gjithë profetëve. Jeta e shumë prej tyre është përshkruar me fjalët në vijim:
Thuaj: unë mbështetem në dëshmi të qarta nga Zoti im...(Kur’an 6:57)
Ndërsa vetë Profetit të shenjtë i thuhet:
Thuaj: kjo është rruga ime. Unë thërras drejt Zoti me dëshmi të qarta...(Kur’an 12:108)
Profeti ishte manifestimi i mëshirës së veçantë hyjnore. Ai përpiqej t’i mbante njerëzit larg mëkatit duke i udhëzuar, dhe kur dikush shfaqte mosbindje ndaj Zotit, ai i mundësonte të kthehej sërish e të afrohej me Zotin. Edhe në Ditën e Gjykimit, ai do të flasë për këta njerëz:
Dhe kur t’i bëjnë padrejtësi vetes së tyre, sikur të vinin tek ti për t’i kërkuar falje Zotit, e sikur Profeti të kërkonte falje për ta, s’ka dyshim se do ta gjenin Zotin falës e të mëshirshëm...(Kur’an 4:64)
Porosia e profetëve i drejtohej gjithë shoqërisë njerëzore. Zoti i Madhëruar thotë:
Ne të dërguam ty vetëm si një sjellës sihariqesh e si paralajmërues për të gjithë njerëzit...(Kur’an 34:28)
Ne s’të dërguam veçse si mëshirë për botët...(Kur’an 21:107)
Madje udhëzimi nëpërmjet Profetit nuk vlen vetëm për njerëzit, por edhe për xhinnët, të cilët gjithashtu përfitojnë nga udhëzimi i tij.
Edhe sikur të bashkoheshin njerëz e xhinnë, për të sjellë diç të ngjashme me këtë Kur’an, kurrë s’do të mund të sillnin diçka si ai...(Kur’an 17:88)
Edhe xhinnët e besuan Profetin e Shenjtë, me t’i dëgjuar fjalët e tija:
Mua më është shpallur se vërtet një grup xhinnësh thanë: “Ne vërtet dëgjuam një Kur’an mahnitës, që tregon rrugën e drejtë. Kështu e kemi besuar atë dhe nuk kemi për t’i gjetur të barabartë Zotit tonë...(Kur’an 72:1-2)
Sipas këndvështrimit kur’anor, mëshira e veçantë e Zotit është manifestuar tek Profeti, i cili është i dashur dhe i dhembshur me besimtarët, njësoj siç është edhe Zoti: “Ndaj besimtarëve është i dhembshur dhe i mëshirshëm.” (Kur’an 2:128)
Në të vërtetë, Profeti është një pasqyrë, në të cilën reflektohet bukuria e Zotit dhe mëshira e tij e jashtëzakonshme. Një pasqyrë nuk ka një pamje të veten. Është, në të vërtetë, drita e Zotit që pasqyrohet tek Profeti dhe që kështu arrin tek njerëzit e tjerë. Pikërisht nëpërmjet Profetit, njerëzit e fitojnë dhe e arrijnë atë mëshirë të jashtëzakonshme të Zotit.
Në Kur’an, shenjat e mëshirës hyjnore janë tejet të qarta. Kjo është arsyeja përse Profeti i Shenjtë brengosej për udhëzimin e njerëzve, aq sa thuajse e shkatërronte veten e tij: A do ta shkatërrosh veten tënde nga brenga e nga pikëllimi, vetëm pse ata nuk e besojnë këtë Kur’an dhe të kthejnë shpinë? (Kur’an 18:6)
Kur’ani thotë gjithashtu: E mos e ngarko shpirtin tënd me pikëllime për shkak të tyre...(Kur’an 35:8), sepse Zoti e di ç’bëjnë këta njerëz. Shumica e njerëzve s’kanë për të besuar, sado që të duash ti...(12:102)
Të gjithë këto vargje flasin për dëshirën e madhe të Profetit për ta shpëtuar popullin e tij. Ai brengosej për njerëzit e vet dhe pikërisht për këtë arsye ndërmori shumë gjëra për t’i udhëzuar. E si shpërblimin e vetëm për këtë veprimtari të tijën, ai s’kërkoi tjetër veçse dashuri për familjen e tij (Ehl-i Bejtin), që njerëzit të mund t’u drejtoheshin Imamëve të dëlirë për të gjetur udhëzim pas vdekjes së Profetit.
Profeti i Shenjtë është një manifestim i Zotit, që është i Gjithëfuqishëm e i Pavarur. Kështu, edhe dëshirat e tija s’janë tjetër veçse vetë nevojat e ndjekësve të tij. Sikur shoqëria islame t’u përmbahet udhëzimeve të Profetit, ajo do ta ketë zgjedhur rrugën drejt lumturisë në këtë botë dhe në tjetrën. Ai thotë: Po lë në mesin tuaj dy amanete të çmueshme. Po t’u përmbaheni të dyjave, kurrë s’do të devijoni. Njëri është libri i Zotit dhe tjetri është Ehl-i Bejti im.”
Ata që e njohin pozitën e pasardhësve të Profetit, e njohin edhe lidhjen ndërmjet tyre dhe Kur’anit të shenjtë. Njeriu duhet t’i drejtohet Ehl-i Bejtit, për ta kuptuar si duhet gjuhën e Kur’anit. Ata janë të dëlirët, të cilët posedojnë dituri hyjnore dhe të cilët mundësojnë shpëtim në këtë jetë dhe në tjetrën. Ata janë pika drejt të cilës duhet të kthehet njeriu, nëse dëshiron dituri fetare.
Dashuria ndaj këtyre njerëzve fisnikë është e barazvlefshme me dashurinë ndaj Profetit, ndërsa dashuria ndaj Profetit është dashuria ndaj vetë Zotit të Madhëruar. Profeti ka thënë: “Ai që i do Hasanin dhe Husejnin, më do edhe mua. Dhe kushdo më do mua, e do Zotin.” Kjo flet për një marrëdhënie të ngushtë ndërmjet Kur’anit dhe Ehl-i Bejtit të Profetit të Shenjtë.
I lutemi Zotit të Madhëruar që të na falë sukses në të kuptuarit e saktë të Kur’anit dhe në praktikimin e mësimeve të tij! I lutemi Zotit që të na ndihmojë për ta gjetur rrugën drejt Tij dhe drejt kënaqësisë së Tij!
Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!