Pyetje dhe Përgjigje

Përse shiitët bëjnë sexhde mbi tokë? Si mund t′ua shpjegoj këtë veprim vëllezërve tanë sunnitë?

Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues!


 

   I nderuar,

 

   Në lidhje me sexhden mbi tokë, ka argumente të mjaftueshme, si në veprat sunnite, ashtu edhe në veprat shiite. 

 

   Shiitët bëjnë sexhde vetëm mbi dhé, ngase sipas haditheve që përcillen nga i Dërguari i Zotit nëpërmjet familjes së tij, kjo është mënyra e saktë për ta bërë sexhden. Në burimet shiite ka me dhjetëra hadithe në lidhje me këtë. Ne këtu do t′jua përcjellim vetëm një thënie të Imam Xhaferit, në lidhje me logjikën dhe kuptimin e sexhdes së bërë mbi tokë. Ky hadith përcillet në veprën "Namazi sipas mësimeve të Ehl-i Bejtit" (http://dielli.net/lexo.php?id=89 ) dhe në të, Imam Xhaferi thotë:

“Sexhdeja është përkulje para Zotit dhe për këtë arsye, nuk mund të bëhet mbi rrobat ose mbi ushqime. Fëmijët e kësaj bote janë robër të gjërave që i hanë dhe që i mbathin. Por sexhdeja është t′i shprehësh robëri vetëm Zotit. Për këtë arsye, njeriu s′duhet t′i mashtrohet botës dhe ta vendosë ballin e vet mbi këta “idhuj” që i adhurojnë njerëzit që e duan këtë botë. Sexhdeja është një nënshtrim para Zotit. Vendosja e ballit mbi dhé, e shfaq më së miri këtë nënsthrim.” (Bihar′ul-Enver, vëll.85, fq.145; El-Vesail, vëll.3, fq.591) 

  Si e para, ne ju sugjerojmë që vëllezërve tanë sunnitë, t′ua shpjegoni logjikën dhe kuptimin simbolik të sexhdes mbi tokë. Pastaj, në është e nevojës, mund të sjellim argumente nga librat sunnite. Ka me dhjetëra hadithe në veprat e ndryshme sunnite, por ngase vëllezërit tanë mund lehtësisht të thonë se këto janë vepra dytësore përnga rëndësia dhe ngase nuk mund të gjenden shumë lehtë për t′u lexuar, preferojmë të përqëndrohemi tek Sahihu i Bukhariut dhe ai i Muslimit, që janë dy librat më të rëndësishëm në Sunnizëm, pas Kur′anit.

1. Tek Sahihu i Bukhariut, vëllimi1, libri i 11-të, hadithi 638 thuhet (anglishten e keni në linkun në vijim: http://www.quranenglish.com/hadith/Sahih_Bukhari/011.htm): 

Ebu Said El-Khudri përcjell:

U shfaq një re shiu dhe ra shi derisa nga tavani filloi të pikonte ujë. Asokohe, tavani ishte i bërë nga degët e palmeve. Ikameja u recitua dhe unë e pashë të Dërguarin e Zotit duke bërë sexhde mbi ujë e mbi baltë, dhe madje pashë gjurmë balte mbi ballin e tij.

KOMENT: Siç shohim, edhe në kushte ekstreme të shiut, i Dërguari i Zotit insistonte që sexhden ta bënte mbi tokë dhe jo mbi një shtroje.

 

2. Tek Sahihu i Muslimit, Libri i katërt (Libri i namazit), kapitulli 76, hadithi nr.1294 (versioni anglisht: http://www.iium.edu.my/deed/hadith/muslim/004a_smt.html) thuhet:

Përcjell Khababi:

Iu ankuam të Dërguarit të Zotit për vështirësinë e të bërit sexhde mbi tokën e nxehtë, por ai nuk ia varin veshin ankesës sonë

 

3. Po në të njejtën kapitull, hadithi 1296 thotë: 

Përcjell Enes bin Maliku:

Ne e falnim namazin me të Dërguarin e Zotit në kohë vape, dhe kur ndonjërit nga ne i vinte vështirë të bënte sexhde mbi tokë, e shtronte ndonjë copë nga veshja e tij dhe bënte sexhde mbi të.

 

KOMENT: Hadithi i dytë na tregon qartë insistimin e të Dërguarit të Zotit për të bërë sexhde mbi tokë, qoftë kjo edhe kur toka është shumë e nxehtë. Në hadithin e tretë, nga fjalët e Enes bin Malikut mund të kuptohet lehtësisht, se procedura standarde gjatë faljes së namazit, ishte sexhdeja mbi tokë. Vetëm kur toka ishte tepër e nxehtë, disa prej tyre (dhe jo vetë Profeti) e vendosnin kokën mbi ndonjë pëlhurë ose mbi ndonjë copë veshmbathjeje. Këto hadithe, nëse jo tjetër, tregojnë se i Dërguari e bënte gjithnjë sexhden mbi tokë. Edhe sikur të mos pranojnë se është detyrim (farz) të bëhet sexhde mbi tokë, këto hadithe mjaftojnë për të treguar se i Dërguari e bënte këtë dhe se nuk ka asgjë të gabuar në këtë veprim. Por kur të shihen edhe veprat e tjera sunnite, do të vihet në përfundimin e pashmangshëm se sexhdeja mbi tokë është një detyrim (farz). Për shembull, në veprën Kenz′ul-Ummal, përcillet një fetva e Ibn Abbasit (njërit nga sahabet e Profetit): "Nuk i pranohet namazi atij që nuk e vendos hundën bashkë me ballin mbi tokë gjatë sexhdes". (Kenz′ul-Ummal, vëll.7, fq.464)

     

   Megjithatë, duam të theksojmë edhe njëherë se arsyetimi i shiitëve nuk mbështetet në Sahihun e Bukhariut dhe në veprat e tilla. Për shiitët, argumenti kryesor janë mësimet e Ehl-i Bejtit të Profetit dhe këto mjaftojnë si dëshmi. Sugjerimi ynë për ju, do të ishte që të qëndroni sa më larg diskutimeve të tilla që mund të shkaktojnë përçarje mes muslimanëve. Kuptohet, nuk ka asgjë të keqe që ta informoni një njeri të sinqertë, i cili vërtet dëshiron të mësojë në lidhje me rrugën e Imamëve të Ehl-i Bejtit.  

 

  Me respekt!


_________________
Libraria Digjitale "Dielli"
www.dielli.net

Kthehu