Pyetje dhe Përgjigje

MARTESA E PËRKOHSHME

Esselamu alejkum! Lexova shumë gjëra me kujdes dhe u kënaqa shumë. Por një gjë më bëri përshtypje tek artikulli që kishte të bënte me martesën. Aty thuhet se ekzistojnë dy lloje martesash në Islam, një e përhershme dhe një e përkohshme. Megjithë njohuritë e mia për fenë e vërtetë islame, nuk ka parë dhe as dëgjuar të flitet ndonjëher për martesën e përkohshme ose të konsiderohet e njejta si një gjë "e lejuar".

Me shumë dëshirë do të kisha pranuar ndonjë ajet kuranor ose ndonjë hadith në lidhje me këtë lejim. 

Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues!

  I nderuar,

  Ju falënderojmë fillimisht për interesimin tuaj për faqen tonë dhe për fjalët e bukura. Siç mund të keni vërejtur edhe ju, mësimi islam në faqen tonë është mësimi i trashëguar nga Imamët e familjes së Profetit, gjegjësisht nga Ehli Bejti. Kjo është shkolla që në traditën islame njihet si Shiizëm (uroj që të mos keni paragjykime në çastin që do ta lexoni këtë fjalë). Shiizmi, ndonse i ngjashëm në shumë gjëra me Islamin sunnit,ka dallime të ndryshme që e karakterizojnë, qoftë në aspektin ligjor ose në atë filozofik dhe gnostik. Shiizmi e ka shkollën e vete ligjore (medhheb) dhe libri "Martesa dhe morali seksual në Islam" është sipas principeve të shkollës shiite të ligjit (ndonse shumë gjëra janë të përbashkëta me Sunnizmin).

  Pas kësaj hyrjeje, të kalojmë tek pyetja juaj, gjegjësisht martesa e përkohshme. Para se të fillojmë, nëse e njihni gjuhën angleze, ju sugjerojmë ta lexoni veprën "Temporary marriage in Islamic law" nga një autore japoneze, e quajtur Sachiko Murata, hulumtimi i të cilës është tejet shkencor dhe objektiv, për vetë faktin se ajo vetë nuk është as sunnite dhe as shiite. Veprën mund ta gjeni në linkun: http://www.al-islam.org/al-serat/muta/

   Nëse nuk e njihni anglishten, ne do të përpiqemi të bëjmë një përmbledhje të argumenteve dhe një përshkrim të martesës së përkohshme:
   
DEFINICIONI:
Fillimisht, ç′është martesa e përkohshme? Martesa e përkohshme është një marrëveshje martesore, e cila ka një afat të caktuar dhe në të cilën, palët nuk trashëgojnë nga njëri-tjetri. Në këtë lloj martese nuk ka nevojë për shkurorëzim, sepse marrëveshja martesore zhvleftësohet me kalimin e afatit të caktuar. Sidoqoftë, fëmija i lindur nga një martesë e tillë, është legjitim dhe i takon babait. Gjithashtu, gruaja është e detyruar ta kalojë kohën e "pritjes" (iddah) para se të mund të martohet sërish. Një përparësi e kësaj martese është se çifti nuk ka përgjegjësi të mëdha ndaj njëri-tjetrit dhe nuk trashëgon nga njëri-tjetri, siç ndodh me martesën e mirëfilltë. P.sh. mashkulli nuk është i detyruar ta mirëmbajë financiarisht gruan e tij në një martesë të përkohshme, nëse kjo nuk shprehet në marrëveshjen martesore. Përkundër kësaj, në martesën afatgjate, ky është një detyrim i domosdoshëm i mashkullit.

Në HADITHE:
- Edhe sunnitët edhe shiitët pranojnë se martesa e përkohshme ishte e lejuar në vitet e hershme të Islamit. Sipas shiitëve, gjegjësisht sipas haditheve që i kemi trashëguar nga Profeti nëpërmjet Imam Aliut dhe pasardhësve të tij, kjo martesë nuk u ndalua më pas dhe mbetet e vlefshme deri në Ditën e Gjykimit. 
Tek sunnitët ka dy mendime të ndryshme që na shfaqen tek veprat e haditheve. Sipas njërit version, Profeti fillimisht e lejoi martesën e përkohshme dhe pastaj e ndaloi atë (në hadithe të ndryshme jepen të dhëna të ndryshme në lidhje me vendin ose rastin e ndalimit të kësaj martese). Sipas versionit tjetër, kjo martesë vazhdoi të ishte e lejuar gjatë jetës së Profetit dhe gjatë Kalifatit të Ebu Bekrit por u ndalua në kohën kur Umari ishte Kalif. Hadithe që e përkrahin këtë version mund të gjenden p.sh. në Sahihun e Muslimit dhe në Musned-in e Ibn Hanbelit. Për shembull, tek Sahihu i Muslimit, tek "KItab el-Nikah" (Libri i martesës), kapitulli i tretë flet për martesën e përkohshme dhe në të përcillen të dy versionet. Tetë hadithet e para në këtë kapitull flasin për faktin se Profeti e lejoi martesën e përkohshme, duke qartësuar se kjo martesë ishte e lejuar gjatë kohës së Ebu Bekrit dhe se Umari e ndaloi në rastin e njëfarë Amr bin Hurejthi. Kjo përkon edhe me versionin shiit, sipas të cilit gjithashtu ishte Umari që e ndaloi martesën e përkohshme. Dhe ngase urdhri i Umarit nuk ka ndonjë vlefshmëri ligjore përballë urdhrit të Kuranit dhe të Profetit, shiitët thjesht e kanë shpërfillur dhe kanë vazhduar ta pranojnë si të lejuar këtë lloj martese.
NËse e njihni gjuhën angleze, në këtë link mund ti lexoni hadithet që gjenden në "Librin e Martesës" tek Sahihu i Muslimit. http://hadithmuslimonline.blogspot.co.at/2010/11/book-of-marriage-kitab-al-nikah.html Hadithet në lidhje me martesën e përkohshme janë tek kapitulli i tretë. 

NË KURAN:
Komentuesit shiitë dhe sunnitë të Kuranit, lejesën për martesën e përkohshme e kanë ndërlidhur me vargun 4:24 të Kuranit, ku pasi flitet për gratë që janë të lejuara për martesë, thuhet: ...dhe atyre, me të cilat jeni kënaqur (ose "prej të cilave keni përfituar"), jepuani dhuratën që e keni detyrim...(Kuran 4:24) Në arabisht përdoret fjala "istimta", e cila do të thotë "të kënaqesh" ose "të përfitosh". Qëllimisht nuk e kemi përdorur asnjërin nga përkthimet shqipe të Kuranit sepse shumica e përkthyesve nuk e përkthejnë vargun drejpërdrejt por të tillë siç e interpretojnë. Origjinali, pra, flet për gratë "prej të cilave përfitoni" ose "me të cilat kënaqeni". Dijetari i famshëm sunnit i Kuranit, Fahruddin Raziu, në "Tefsir el-Kebir",duke e komentuar këtë varg e përmend një hadith të Profetit sipas të cilit, kur gjatë një vizite në Mekke për umre, shokët e Profetit u ankuan për faktin se kishin mbetur larg grave të tyre, Profeti u lejoi të bënin martesë të përkohshme me gra të lira në Mekke. (Tefsir el-Kebir, vëll.3, fq.286; botim i Stambollit, viti 1307 pas Hixhrit). Në këtë rast, Profeti e përdor pikërisht fjalën "istimta".


LOGJIKA E MARTESËS SË PËRKOHSHME 
Përse duhet martesa e përkohshme?
Kur të shihen hadithet e Profetit, shumë qartë shohim se përmbushja e nevojës seksuale kërkon që njeriu të martohet. GJithashtu shohim se masturbimi është ndaluar në mënyrën më të rreptë. Në rastet kur një njeri nuk mund të martohet për shkaqe financiare ose të tjera, Sunnizmi për fat të keq nuk ofron një rrugëdalje. Madje ka patur disa dijetarë sunnitë, të cilët duke e parë gjendjen e pashpresë, e kanë shpallur të lejuar masturbimin. 
Por Islami i vërtetë, siç e dimë, nuk u shkakton njerëzve vuajtje të panevojshme dhe ua lehtëson jetën, duke treguar gjithnjë një rrugëdalje. Andaj, për raste të tilla, Zoti dhe Profeti e kanë prezantuar një zgjidhje shumë praktike: martesën e përkohshme. Në këtë mënyrë, nevoja seksuale përmbushet brenda kornizave të një martese, e cila ka më pak përgjegjësi dhe më pak kufizime sesa martesa e mirëfilltë afatgjate. Marrëdhënia vazhdon të jetë një martesë legjitime dhe fëmija që mund të lindë prej kësaj marrëdhënieje, konsiderohet i burrit dhe trashëgon prej tij.   

  Rëndësia e këtij lloji martese mund të kuptohet veçanërisht në epokën tonë, ku njerëzit martohen shumë kohë pasi ta kenë arritur pjekurinë seksuale. Sot jetojmë në një shoqëri ku mosha mesatare e martesës është rreth 25 vjeç, ndonëse e  dimë se pjekuria seksuale fillon që në moshën 12-13 vjeçare. Ç′duhet të bëjë një i ri/e re në këtë situatë? Shiizmi sugjeron tre rrugë:
1. Martesa
2. Durimi dhe agjërimi
3. Martesa e përkohshme

Në rastet kur personi nuk mund të martohet dhe kur nuk është aq i fuqishëm fizikisht dhe shpirtërisht të durojë me agjërim, Shiizmi lejon që të kryhet një martesë e përkohshme, përkundër Sunnizmit, i cili ose nuk ofron asnjë zgjidhje, ose e mbyll njërin sy dhe e shpall të lejuar masturbimin, i cili është mëkat sipas traditës së Profetit.  

NJë tjetër aspekt shumë praktik i martesës së përkohshme është koha para martesës, ajo që tek ne njihet rëndom si fejesë. Dy të rinj që duan të martohen, në trojet tona zakonisht takohen lirisht para martesës dhe shumë shpesh (siç e dimë të gjithë por siç nuk duam të themi hapur) kanë kontakte të ndryshme me njëri tjetrin, të cilat ndonjëherë shkojnë edhe deri tek marrëdhënia seksuale. Një marrëdhënie e tillë në kohën e fejesës është e ndaluar, sepse personat nuk janë të martuar akoma. 
  Shiizmi ofron një mundësi shumë praktike. Të rinjtë mund të bëjnë një martesë të përkohshme (madje mund edhe të vendosin në marrëveshjen martesore kushtin që të mos ketë marrëdhënie seksuale) dhe kështu, të kenë mundësi dhe kohë për ta njohur njëri-tjetrin, pa u përfshirë në ndonjë marrëdhënie të palejuar në aspektin islam. Në këtë mënyrë, ata do të mund të njihen ndërmjet veti dhe në rast se vendosin se nuk janë të përshtatshëm, do të konsiderohen të ndarë me përfundimin e afatit të martesës së përkohshme. Përveç kësaj, ka edhe shumë përdorime praktike të martesës së përkohshme në përditshmëri, të cilat nuk kanë të bëjnë fare me marrëdhënien seksuale. 

KEQPËRDORIMET:
Dhe siç do të reagoni edhe ju, pa dyshim do të ketë njerëz që do të duan ta keqpërdorin dhe e keqpërdorin martesën e përkohshme. Por kjo nuk do të thotë se martesa e përkohshme është e gabuar. Fakti se disa organizata terroriste e keqpërdorin Islamin dhe konceptin e xhihadit, nuk do të thotë se Islami dhe xhihadi janë gjëra të liga. E njejta logjikë vlen edhe për martesën e përkohshme.
Për fund, më lejoni të theksoj edhe njëherë se martesa e përkohshme është RRUGËDALJA E FUNDIT, në rastet kur njeriu nuk mund të martohet dhe nuk mund ta shtypë dëshirën seksuale brenda vetes. Kuptohet se zgjidhja e parë dhe e preferuar mbetet përherë martesa e mirëfilltë afatgjate.


Me respekt!

_______________
Libraria Digjitale "Dielli"
www.dielli.net

Kthehu