Pyetje dhe Përgjigje

A ka vdekur profeti Isa (a.s) ose jo?

Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues!

  I nderuar,

   Sipas Kur′anit dhe sipas burimeve të haditheve islame, qofshin ato sunnite ose shiite, profeti Isa (paqja qoftë mbi të) nuk u vra por u shpëtua nga Zoti në fund dhe u ngrit drejt Zotit. Në hadithet e përcjellura nga Imamët e familjes së Profetit, thuhet se Zoti bëri që tradhtari i Isës të dukej si Isa dhe në këtë mënyrë, ai u vra në vend të Isës. Ka shumë hadithe të ndryshme mbi këtë temë, të cilat dallojnë në hollësi të vogla. Megjithatë, ajo që pranohet gjerësisht është se Mesihu Isa nuk u vra dhe u ngrit drejt Zotit, për t′u kthyer sërish në tokë në periudhat e fundit para Ditës së Gjykimit, bashkë me Imam Mehdiun, i cili përcillet në hadithe se do të jetë nga pasardhësit e Profetit e nga stërnipërit e Imam Husejnit.
   Sipas burimeve islame, Isa do të zbresë në tokë si ndihmës i Imam Mehdiut, i cili do të jetë një njeri i zgjedhur i Zotit që do ta risjellë në botë paqen dhe drejtësinë, pasi bota të jetë mbushur me padrejtësi më parë. Ky pasardhës i Profetit, për shumicën e shiitëve është Imami i dymbëdhjetë që vjen pas Profetit, gjegjësisht Muhammed ibn Hasan el-Mehdiu, i cili ngjashëm si me Profetin Isa, u shpëtua nga Zoti dhe është akoma gjallë, për t′u rishfaqur në kohët e fundit para Ditës së Gjykimit, si shpëtimtar i racës njerëzore.



Me respekt!

_________________
Libraria Digjitale "Dielli"
www.dielli.net

Kthehu