Pyetje dhe Përgjigje

Paqja qoftë mbi ju!

Do të doja t’ju pyes në është e ndaluar sipas jurispudencës (fikhut) të Ehl-i Bejtit që të rruhet mjekrra. Dhe së dyti, a është një obligim që mjekrra të zgjatet? Do t’ju lusja që të më shpjegonit në lidhje me këtë. Selame të gjithë vëllezërve dhe motrave. Paqja qoftë mbi Muhammedin dhe mbi familjen e tij!

Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues!


Paqja, mëshira dhe begatia e Zotit qofshin mbi ju!


Sipas mendimit të shumicës së dijetarëve që e ndjekin shkollën e Ehl-i Bejtit, NUK ka ndonjë argument të sigurt që e ndalon rruajtjen e mjekrrës.


Megjithatë, duke u mbështetur në disa hadithe të caktuara, dijetarët kanë ardhur në përfundimin se mosrruajtja (dmth. zgjatja) e mjekrrës është një “detyrim (farz) si masë kujdesi” (Ihtijjat Vaxhib)1 për një mashkull musliman. Sipas kësaj pikëpamjeje, gjatësia minimale e mjekrrës duhet të jetë aq sa, sipas standardit normal të njerëzve, njeriu të mos konsiderohet se e ka rruar mjekrrën. Një gjatësi më e madhe se kaq është diçka që i mbetet zgjedhjes dhe shijes së personit. I lutemi Zotit të Madhëruar që të na falë fuqi në ndjekjen e urdhrave dhe ligjeve të ndritura të Islamit.


Paqja, mëshira dhe begatia e Zotit qofshin mbi ju! Burim: http://www.mullasadra.ba/index.php?option=com_javoice&view=items&layout=item&cid=344&type=2&Itemid=268


1:shënim i përkthyesit: Në rastet kur një ekspert i ligjit islam (muxhtehid) ka argumente të sigurta se diçka është e ndaluar ose e lejuar, ai e përdor vlerësimin farz (e detyrueshme) ose haram (e ndaluar). Por në rastet kur për shembull, nuk ka argumente të mjaftueshme (në Kur’an dhe në hadithe) se një gjë është e ndaluar dhe nuk ka argumente as për atë se është e lejuar, atëherë juristi islam vendoset në pozitë të ndërmjetme. Kjo pozitë quhet “ihtijjat” (“kujdes” ose “masë kujdesi”) dhe vlen për të gjitha veprat. Domethënë, një vepër mund të jetë e ndaluar (haram) si masë kujdesi, e detyrueshme (farz ose vaxhib) si masë kujdesi, e pëlqyeshme (mustehap) si masë kujdesi ose e papëlqyeshme (mekruh) si masë kujdesi. Nëse për shembull thuhet se zgjatja e mjekrrës është e detyrueshme (farz) si masë kujdesi, kjo do të thotë se nuk ka informata të sigurta (në Kur’an ose në hadithe) se është e detyrueshme ose e ndaluar, por dijetari në fjalë, për shkak të dobive që fshihen në këtë vepër të caktuar dhe për shkak të mundësisë që moskryerja e saj të jetë potencialisht e ndaluar (haram), gjykon se për hir të kujdesit dhe të të mos rrezikuarit, është e detyrueshme (farz) që të bëhet. Në një rast të tillë, zgjatja e mjekrrës është e detyrueshme për besimtarin. E njejta logjikë vlen edhe për gjërat që janë të ndaluara, të pëlqyeshme ose të papëlqyeshme “si masë kujdesi”.

Kthehu